Në gjurmët e letrës së Enver Hoxhës për Kosovën
Faqja 1 e 1
Në gjurmët e letrës së Enver Hoxhës për Kosovën
Në gjurmët e letrës së Enver Hoxhës për Kosovën
Nga Prof Dr Eshref Ymeri
- Dërguar J.V. Stalinit jo më vonë se 2 shtator 1949
[Kujtesë enveristëve të thekur në mbarë trojet tona etnike]
[Kujtesë enveristëve të thekur në mbarë trojet tona etnike]
Në gazetën “Ndryshe” të datës 3 tetor 2007 pata lexuar “Dosier”-in e përgatitur nga zoti Ymer Minxhozi, me titull në faqen e parë: “Letër e panjohur e Enver Hoxhës, 2 shtator 1949: Çështja e Kosovës mund të zgjidhet vetëm me luftë”. Në të vërtetë, kjo letër e Enver Hoxhës nuk ka qenë aspak e panjohur. Këtë letër e ka pas përmendur dr. Vasfi Baruti në studimin e vet me titull “28 nëntori i tretë”, botim i Qendrës së Pavarur Sociologjike “Eureka”, Tiranë 2002. Veç kësaj, pjesë të shkëputura të kësaj letre, me sa jam në dijeni, vetë zoti Minxhozi i ka pas botuar edhe më herët.
Së pari, ky dokument, me titull “Letër e E. Hoxhës, dërguar KQ PKP(b) për parahistorinë e lindjes së çështjes kosovare dhe metodat e zgjidhjes së saj”, është bërë publik, në mënyrë të plotë, në librin me titull “Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse” (f. 246-258), të përgatitur prej dr. Islam Lauka dhe prej meje, libër ky, të cilin Shtëpia Botuese “Toena” e pati nxjerrë nga shtypi që në gushtin e vitit 2006. Për këtë libër asokohe u shkrua nëpër gazeta dhe u fol edhe në disa kanale televizive. Prandaj, një fakt që ishte bërë publik që në vitin 2006, nuk kishte pse t’u rekomandohej një vit më vonë lexuesve të gazetës “Ndryshe”, si diçka e panjohur.
Së dyti, zoti Minxhozi do të kishte bërë mirë që letrën e Enver Hoxhës ta kishte botuar të plotë asokohe në gazetën “Nryshe”, në mënyrë që popullit shqiptar të Kosovës të mos i krijohej ndonjë përshtypje e rreme nga nëntitulli “çështja e Kosovës mund të zgjidhet vetëm me luftë”.
Së treti, letra e Enver Hoxhës përmban në vetvete disa paradokse të kulluara. Gjatë kësaj kohe që ka kaluar pas botimit të librit “Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse”, pata shpresuar se historianët tanë, qoftë në Tiranë apo në Prishtinë, do të merreshin me analizën e kësaj letre dhe do të nxirrnin përfundimet përkatëse. Por meqenëse deri tani asnjë syresh prej tyre nuk është bërë i gjallë, e quajta me vend të hyj paksa në “sinoret” e tyre dhe të merrem me trajtimin e saj. Më poshtë do të bëj sqarimet përkatëse se ku qëndrojnë paradokset e kësaj letre.
Dihet fare mirë se komunistët jugosllavë u interesuan drejtpërsëdrejti për instalimin e komunizmit në Shqipëri me qëllim që të varrosej zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare. Prandaj, gjatë punës përgatitore për themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, gjatë zhvillimit të mbledhjes themeluese, si edhe në krejt vitet e luftës, emisarët komunistë jugosllavë kishin zënë kryet e vendit në Shqipëri. Kësisoj, Partia Komuniste e Shqipërisë dhe sidomos Enver Hoxha, i komanduar nga Beogradi në krye të saj, që gjatë luftës, i vunë këmbën çështjes kombëtare shqiptare. Në letrën e sipërpërmendur Enver Hoxha i shkruan Moskës: “Ne e patëm vlerësuar si të papërshtatshëm shtrimin e çështjes së bashkimit të Kosovës me Shqipërinë pikërisht atëherë kur lufta ishte në kulmin e saj. Sipas mendimit tonë, shqiptarët e Kosovës duhet të luftonin kundër fashizmit në kuadrin e shtetit jugosllav dhe vetëm pas fitores kjo çështje duhej të zgjidhej midis dy partive komuniste motra dhe regjimeve demokratike popullore, të cilat do të vendoseshin në Shqipëri dhe në Jugosllavi pas ngadhënjimit mbi armikun” (“Shqipëria në dokumentet e arkivaveruse”, Botimet Toena. Tiranë 2006, f. 250).
Pra, sipas Enver Hoxhës, vetëm pas fitores mbi fashizmin duhej “të zgjidhej” çështja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Kështu shkruan Enver Hoxha para 02 shtatorit 1949. Ndërkohë, Dimitër Çuvahini, ish-përfaqësues diplomatik i Bashkimit Sovjetik në Tiranë, në kujtimet e veta që ka hedhur në ditar, shkruan se më 03 korrik 1946, Enver Hoxha i kishte kërkuar një takim për t’i folur për përshtypjet e vizitës së tij në Jugosllavi dhe për bisedën me Titon. Ndër të tjera, ai thekson: “Enver Hoxha i pati folur Titos për pikëpamjen e vet rreth çështjes së të ardhmes së Krahinës së Kosovës dhe të Metohisë. Sipas mendimit të tij, në momentet e tanishme, as për qeverinë jugosllave, as për qeverinë shqiptare, nuk është e udhës të shtrohet çështja e bashkimit të kësaj krahine me Shqipërinë. Ai mendon se kjo krahinë, e populluar në shumicën dërrmuese nga shqiptarë, pa dyshim, do të bashkohet me Shqipërinë në kohën e duhur, veçse një gjë e tillë do të bëhet e mundur vetëm atëherë, kur edhe Shqipëria, edhe Jugosllavia do të jenë shtete socialiste. Me këtë rast Enver Hoxha nënvizoi se kësaj pikëpamjeje ai i është përmbajtur gjatë gjithë Luftës Nacionalçlirimtare dhe se, për këtë çështje, një pikëpamjeje të tillë i është përmbajtur edhe mbarë udhëheqja e Partisë Komuniste të Shqipërisë” (po aty, f. 126-127).
Pra, gjatë luftës, Enver Hoxha dhe mbarë Partia Komuniste e Shqipërisë paskan menduar se çështja e Kosovës “do t’u zgjidhkej” vetëm pas fitores mbi fashizmin. Kurse një vit pas përfundimit të luftës, në vitin 1946, po ai Enver Hoxhë dhe po ajo Parti Komuniste e Shqipërisë na paskeshin ardhur në përfundimin se çështja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë do të shtyhej deri atëherë kur edhe Shqipëria, edhe Jugosllavia të “bëheshin” shtete socialiste!!! Po a e dinte vallë Enver Hoxha, që në vitin 1946, se cilët ishin parametrat që duheshin arritur, në mënyrë që Shqipëria dhe Jugosllavia, “një ditë të bukur”, të bëheshin “me të vërtetë” shtete socialiste? Duke u shprehur kësisoj para përfaqësuesit diplomatik të Bashkimit Sovjetik, Enver Hoxha tallej me popullin shqiptar të Kosovës, meqenëse çështja e “ndërtimit” të socializmit, si në Shqipëri, ashtu edhe në Jugosllavi, pritej të zgjidhej ditën e moskurrit! Ky fakt përbën edhe paradoksin e parë të letrës së Enver Hoxhës.
Po në këtë letër Enver Hoxha shkruan: “…Partia Komuniste e Jugosllavisë që asokohe, në vitet 1941-1942 dhe më vonë, ndiqte një vijë politike, të padrejtë në çështjen nacionale, e cila ishte një vijë e maskuar nacionaliste e asaj kohe” (po aty, f. 248). Këto qëndrime të komunistëve jugosllavë ndaj popullit shqiptar të Kosovës “dëshmonin, - siç thotë EnverHoxha, - për pikëpamje të kulluara shoviniste të Partisë Komuniste të Jugosllavisë që asokohe…” (po aty, f.251). Dhe më tej vazhdon: “Në këtë mënyrë, Partia Komuniste e Jugosllavisë, që në fillim të luftës e deri në çlirim, por edhe më vonë, ka qëndruar në pozita shoviniste në trajtimin e çështjes së Kosovës dhe të Metohisë” (po aty, f. 252). Pra, Enver Hoxha, në vitin 1949, pasi e demaskon para Moskës Partinë Komuniste të Jugosllavisë për pikëpamjet e saj të kulluara shoviniste në qëndrimin ndaj popullit shqiptar të Kosovës, diku më poshtë shkruan: “Ne mendonim se Jugosllavinë Demokratike Popullore dhe Partinë Komuniste të Jugosllavisë i kemi aleatë besnikë dhe të sigurt…” (po aty, f. 253). Vetvetiu lind pyetja: në ç’mënyrë një parti komuniste, shoviniste në qëndrimin ndaj popullit shqiptar të Kosovës, siç ishte Partia Komuniste e Jugosllavisë që gjatë luftës, mund të shndërrohej në një “aleate besnike dhe e sigurt” për Republikën Popullore të Shqipërisë pas luftës? Pas luftës, ta quaje “aleate besnike” të Shqipërisë Partinë Komuniste të Jugosllavisë, pas gjithë atyre krimeve që ajo kishte kryer kundër popullit shqiptar të Kosovës që gjatë luftës, do të thotë që të ishe ose naiv, ose injorant, ose tradhtar. Ama dihet që Enver Hoxha nuk ishte as naiv, as injorant. Ky fakt përbën edhe paradoksin e dytë të letrës së Enver Hoxhës.
Le të vazhdojmë me një tjetër citim nga letra e Enver Hoxhës: “Ndreqja e kufijve tanë me Jugosllavinë, përmes bashkimit të Kosovës dhe të Metohisë me Shqipërinë, do të shërbente në çdo moment si një riforcim i Republikës Popullore të Shqipërisë. Por, nga ana tjetër, fill pas çlirimit, Republika e vogël Popullore e Shqipërisë, madje bashkë me Kosovën dhe Metohinë, do të shërbenin si një pre e lehtë për imperializmin dhe në rast të ndonjë sulmi dhe pushtimi të Shqipërisë nga ana e imperialistëve, dëmi për çështjen e përgjithshme do të ishte shumë më i madh. Prandaj Kosova, duke mbetur fill pas çlirimit në kuadrin e Republikës Jugosllave, do të rrezikohej shumë më pak” (f. 253).
Në fillim të këtij citati Enver Hoxha thotë se Republika Popullore e Shqipërisë do të riforcohej pas bashkimit me këtë të fundit të Kosovës dhe të Metohisë. Por pak më poshtë thekson se Shqipëria, bashkë me Kosovën dhe Metohinë, do të na shërbyekeshin “si një pre e lehtë për imperializmin dhe në rast të ndonjë sulmi dhe pushtimi të Shqipërisë nga ana e imperialistëve, dëmi për çështjen e përgjithshme do të ishte shumë i madh”. Së pari, pas bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, kjo e fundit do të forcohej shumë më tepër qoftë politikisht, qoftë ushtarakisht, qoftë ekonomikisht. Së dyti, Enver Hoxha bie në një disfatizëm flagrant kur hamendëson se Republika Popullore e Shqipërisë mund të pushtohej nga imperialistët. Diktatorët, duke u kapur me dhëmbë dhe me thonj pas kolltukut vetjak, nuk besojnë në forcat e pashtershme, në energjitë dhe trimëritë e popujve të tyre. Kësisoj Enver Hoxhës na i dhembkej shpirti “shumë më tepër” për Kosovën sesa për Shqipërinë. Prandaj, për “ta shpëtuar” Kosovën nga imperialistët, ai e quan më të arsyeshme që ajo të vazhdonte të mbetej “nën omrellën” e Beogradit. Së treti, po sikur Republika Popullore e Shqipërisë, sipas hamendësimit të Enver Hoxhës, të pushtohej nga imperialistët, ky vetë çfarë do të bënte? Mos do t’i kërkonte gjë Titos që ta emëronte guvernator të Kosovës? Së katërti, cilët na qenkeshin ata imperialistët që na paskeshin hartuar plane për pushtimin e Shqipërisë? Cila është arsyeja që ata imperialistë Enver Hoxha nuk na i përmend me emra konkretë? Ky është paradoksi i tretë i letrës së Enver Hoxhës.
Le të vazhdojmë citimin e radhës nga letra e Enver Hoxhës: “Titoja me larot e tij janë agjentë të imperializmit, të cilët e kanë mbrehur Jugosllavinë në qerren imperialiste. Ata po e shndërrojnë Jugosllavinë në një burg popujsh, ku mbretëron terrori fashisto-hitlerian. Çështja e çlirimit të popujve të Jugosllavisë nga kjo bandë fashiste dhe nga thonjtë e imperializmit është, në të njëjtën kohë, edhe çështje e çlirimit të popullsisë shqiptare të Kosovës dhe para nesh ajo shtrohet si një gjë e ngutshme…Çfarë hapash mund të ndërmarrë tani popullsia e Kosovës? Ne mendojmë se popullsia e Kosovës, e Metohisë, e Maqedonisë dhe e Malit të Zi duhet të luftojë për çlirimin e vet po ashtu, siç do të luftojnë edhe popujt e tjerë të Jugosllavisë…Popullsia e Kosovës duhet ta shikojë luftën e vet të lidhur ngushtë me luftën e të gjithë popujve të Jugosllavisë dhe në kuadrin e Jugosllavisë, sepse, në të kundërt, ajo do të izolohet dhe do të shtypet. Prandaj popullsia shqiptare e Kosovës duhet ta kuptojë se çlirimi i saj dhe fitorja e të drejtave kombëtare dhe demokratike mund të arrihet vetëm nëpërmjet luftës së saj, njëkohësisht me luftën e popujve të tjerë të Jugosllavisë” (po aty, f. 254, 255, 256).
Rrjedha e ngjarjeve vërtetoi se Jugosllavia, me kalimin e viteve, nuk u shndërrua në një burg popujsh, ku të mbretëronte terrori fashisto-hitlerian, siç i deklaron Moskës Enver Hoxha, se, në të kundërt, popujt e Jugosllavisë do të qenë ngritur për rrëzimin e Titos nga pushteti. Me siguri që edhe vetë Enver Hoxha duhet të ketë qenë i bindur se po sajonte për Moskën një gënjeshtër me brirë. Por s’kishte ç’bënte, ashtu ia donte puna. Për forcimin e kolltukut vetjak, ai kërkonte të prezantohej si tepër i zellshëm në demaskimin e udhëheqjes jugosllave, e cila në vitin 1948 doli nga tutela sovjetike. Kësisoj Enver Hoxha jepte prova besnikërie para Josif Stalinit, ustait të regjur të Kremlinit. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se Jugosllavia pas luftës ishte shndërruar në burg vetëm për popullin shqiptar të Kosovës dhe terrori fashisto-hitlerian mbretëronte vetëm në Kosovë dhe ushtrohej me dhunë barbare vetëm ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Sipas letrës së Enver Hoxhës, del sikur deri në vitin 1948, kur Jugosllavia u largua nga sfera e ndikimit sovjetik, Kosova nuk paska pasur asnjë problem në marrëdhëniet e saj me udhëheqjen shoviniste të Beogradit. Problemet, sipas citimit të mësipërm, paskan filluar vetëm pas prishjes së Beogradit me Moskën, gjë që s’është aspak e vërtetë. Pra, sipas Enver Hoxhës, të drejtat kombëtare dhe demokratike populli shqiptar i Kosovës i paska gëzuar plotësisht deri në prishjen e marrëdhënieve të Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik. Vetëm pas kësaj prishjeje popullit shqiptar të Kosovës iu kërkuaka nga Enver Hoxha që të ngrihet në luftë për të siguruar fitoren e këtyre të drejtave. Por, sipas rekomandimit të Enver Hoxhës, lufta e popullit shqiptar të Kosovës për të drejtat e tij kombëtare dhe demokratike nuk mund të nisë dhe të zhvillohet jashtë kuadrit të luftës së mbarë popujve të Jugosllavisë për rrëzimin e regjimit të Titos. A thua të mos e dinte Enver Hoxha që mbarë popujt e Jugosllavisë ishin edukuar me ndjenjën e urrejtjes më të egër ndaj popullit shqiptar të Kosovës në veçanti dhe ndaj kombit shqiptar në tërësi, urrejtje kjo që shovinizmi serbomadh e pati mëkuar prej kohësh me shumë kujdes, duke filluar që nga fëmijët e djepit e deri te kreu i shtetit dhe i kishës shoviniste serbe? Prandaj rekomandimet që ai i jep popullit shqiptar të Kosovës për t’u ngritur në luftë kundër regjimit titist, vetëm në bashkëveprim me popujt e Jugosllavisë, tingëllojnë krejtësisht si këshilla prej të marri. Madje popullin shqiptar të Kosovës Enver Hoxha e paralajmëron se do të izolohet dhe do të shtypet, në qoftë se luftën kundër titizmit nuk e lidh ngushtë me luftën e të gjithë popujve të Jugosllavisë! Ky është paradoksi i katërt i letrës së Enver Hoxhës.
Diku në letër Enver Hoxha shkruan: “Popullsia e Kosovës nuk i zinte besë drejtësisë së Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ndërkohë që niveli i ulët politik dhe prapambetja e theksuar e masave, demagogjia fashiste dhe krijimi i “Shqipërisë së Madhe” e çuan punën deri aty, saqë shqiptarët e Kosovës jo vetëm nuk zhvilluan luftë kundër fashizmit, por, përkundrazi, u ngritën kundër luftës popullore çlirimtare të Jugosllavisë” (po aty, f. 249). Domethënë, Enver Hoxha mendonte se populli shqiptar i Kosovës kishte një nivel të ulët politik. Në të vërtetë, populli shqiptar i Kosovës, në vetëdijen e vet kombëtare, tradicionalisht, është dalluar për një nivel të lartë politik dhe mbarë kombi shqiptar e vlerëson me të drejtë si ballin e nacionalizmit shqiptar. Prandaj sundimin e shovinizmit serbomadh ai vazhdimisht e ka pas vlerësuar shumë më të rrezikshëm për mbijetesën e vet kombëtare, sesa sundimin e përkohshëm fashist të viteve të luftës. Pikërisht për këtë arsye, Enver Hoxha, në letrën e vet, thotë se “Kosova u shndërrua në një rezervë fashiste dhe reaksionare” (f. 247-248). Kjo deklaratë e Enver Hoxhës përbën paradoksin e pestë të letrës së tij.
Ja edhe një citat tjetër: “Çelësi i zhvillimit të suksesshëm të luftës në Kosovë dhe në Metohi qëndron në bashkimin e tyre me Shqipërinë” (po aty, f. 257). Po si do të bëhej e mundur lufta e popullit shqiptar të Kosovës për bashkimin me Shqipërinë, derisa Enver Hoxha rekomandonte që kjo luftë duhej të niste dhe të vazhdonte vetëm në kuadrin e luftës së mbarë popujve të Jugosllavisë për rrëzimin e regjimit të Titos? A ishte e mundur që popujt e Jugosllavisë të ngriheshin e të rrëmbenin armët për rrëzimin e Titos, vetëm e vetëm se ky guxoi burrërisht t’i kundërvihej haptazi diktatit të Stalinit dhe vendin e hapi me Perëndimin? Mos vallë hapi që ndërmori Titoja binte ndesh me interesat e mbarë popujve jugosllavë për t’u lidhur me Perëndimin? Veç kësaj, mos vallë popujt jugosllavë, me luftën e tyre imagjinare kundër Titos, siç fantazonte Enver Hoxha, do të synonin që edhe populli shqiptar i Kosovës të shkëputej nga Jugosllavia dhe të bashkohej me Shqipërinë? Ëndrra të tilla në diell asokohe mund të zbavisnin vetëm fëmijët e kopshteve. Ky fakt përbën paradoksin e gjashtë të letrës së Enver Hoxhës. Se asokohe Kosova nuk mund të shkëputej aq lehtë nga Jugosllavia dhe t’i bashkohej Shqipërisë. Një gjë e tillë mund të realizohej vetëm pas një vendimi që mund të merrnin fuqitë e mëdha në Konferencën e Paqes në Paris të vitit 1946. Madje një rast i tillë ideal u paraqit që para kësaj konference, rast ky që demaskon hapur tradhtinë e kulluar të Enver Hoxhës ndaj çështjes së Kosovës. Ja një fakt tepër domëthënës: “Më 16 tetor 1946, ai (Enver Hoxha - E.Y.) i bëri një akuzë të drejtpërdrejtë Jakobsit, lidhur me përkrahjen e pretendimeve territoriale greke nga SHBA. Shefi i misionit amerikan u përpoq t’i shpjegonte atij se SHBA, asnjëherë, nuk kishin përkrahur kërkesat greke për “Epirin e Veriut” dhe se, duke votuar për futjen e kërkesës greke në rendin e ditës të Konferencës, “ne thjesht kemi ndjekur politikën tonë për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë, duke dhënë një vlerësim ndaj çdo kërkese për rektifikime kufitare. Kjo mund të bëhej vetëm në një konferencë paqeje dhe se, duke votuar për futjen e kësaj çështjeje kufitare në rendin e ditës së konferencës, kjo në asnjë mënyrë nuk nënkupton përkrahjen e SHBA për këtë kërkesë”. Pastaj, duke kaluar në kundërofensivë, Jakobsi preku një çështje delikate. Ai e pyeti Hoxhën, se cili do të ishte reagimi i tij, në qoftë se Shqipëria do të kërkonte futjen në axhendën e Konferencës së Paqes të kërkesës për rajonin e Kosovës, dhe në rast se Delegacioni i SHBA do të votonte kundër së drejtës së Shqipërisë për ta diskutuar këtë kërkesë në Konferencë. “A nuk mendoni ju se, të paktën, kërkesa juaj duhet të diskutohet dhe të studiohet?” - kishte pyetur Jakobsi. Kësaj pyetjeje E. Hoxha iu përgjigj në një mënyrë të turbullt dhe mohuese. Ai i tha përfaqësuesit amerikan se “kjo nuk përbën një rast analog, sepse ne nuk jemi duke shtruar kërkesën për rajonin e Kosovës nga aleatja jonë, Jugosllavia” (Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni greko-shqiptar 1939-1949”. GEER. Tiranë 2002, f. 515-516). Të njëjtën pyetje ia drejtoi Enver Hoxhës gjatë punimeve të Konferencës edhe përfaqësuesi i delegacionit amerikan Henderson dhe Enver Hoxha i ktheu po të njëjtën përgjigje. Më kot diplomacia amerikane, në kontaktet e përfaqësuesve të saj me Enver Hoxhën, mundohej “t’i fliste pragut të dëgjonte dera”, por ky i fundit nuk dëgjonte nga ai vesh. Enver Hoxha timonin e kishte kthyer përfundimisht drejt lindjes, drejt sllavizmit, armikut shekullor të kombit shqiptar.
Vazhdojmë me një tjetër “xhevahir” nga letra e Enver Hoxhës: “Ne mendojmë se qëndrimi zyrtar i Shqipërisë ndaj çështjes së Kosovës dhe të Metohisë duhet të jetë i përmbajtur, se, në të kundërt, një tjetër qëndrim mund të shfrytëzohet nga klika e Titos si shkak për mobilizimin e serbomëdhenjve dhe të shërbejë si akuzë ndaj Shqipërisë për shovinizëm etj.” (“Shqipëria në dokumentet e arkivave ruse”. Botimet Toena, Tiranë 2006, f. 258). Vajmedet, o Enver Hoxha! Udhëheqja shqiptare, sipas Enver Hoxhës, duhej të heshtte para terrorit që ushtronin serbomëdhenjtë ndaj popullit shqiptar të Kosovës, se për ndryshe ajo mund të akuzohej prej tyre për shovinizëm! Prandaj edhe Enver Hoxha, në asnjë forum ndërkombëtar, kurrë nuk e ngriti zërin, qoftë edhe një herë të vetme, në mbrojtje të popullit shqiptar të Kosovës ndaj terrorit serb, me pretekstin, demek, se mos serbomëdhenjtë do të na e akuzuakeshin për shovinizëm!!! Ky fakt përbën paradoksin e shtatë të letrës së Enver Hoxhës.
Tani edhe një “xhevahir” tjetër, jo më pak “interesant”, nga letra e Enver Hoxhës: “Shqiptarët e Kosovës duhet ta mësojnë mirë se armiku i tyre i pamëshirshëm, si edhe i mbarë kampit socialist, është imperializmi amerikan…” (po aty, f.257). Se sa “armik i pamëshirshëm” ka qenë “imperializmi” amerikan jo vetëm për popullin shqiptar të Kosovës, por edhe për mbarë kombin shqiptar, jeta e vërtetoi më së miri, që nga qëndrimi i presidentit Uillson ndaj copëtimit përfundimtar të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, qëndrimi i diplomacisë amerikane ndaj pretendimeve të shovinizmit grekomadh për aneksimin e Shqipërisë së Jugut pas Luftës së Dytë Botërore dhe qëndrimi i presidentit Klinton ndaj Kosovës në vitin 1999. Ky fakt përbën paradoksin e tetë të letrës së Enver Hoxhës.
Tani po ndalem në deklaratën më patetike që bën Enver Hoxha në letrën e vet: “…popullsia e Kosovës dhe e Metohisë duhet ta mësojë seriozisht se pa BRSS (Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike - E.Y.), pa partinë bolshevike dhe Stalinin nuk mund të ketë as Shqipëri të lirë,.. as Kosovë të lirë dhe se pa to kjo asnjëherë nuk do të ketë mundësi t’i realizojë ëndrrat e veta” (po aty, f. 256-257). Vetëm një diktator i kallëpit të Enver Hoxhës, i verbuar nga ethet e pushtetit vetjak, mund të arrinte të bënte një deklaratë të tillë prej marraku. S’kaloi shumë kohë dhe faktet vërtetuan se Shqipëria vazhdoi të mbijetonte edhe pa Bashkimin Sovjetik, edhe pa partinë bolshevike, edhe pa Stalinin. Kurse për Kosovën nuk patën hyrë në punë fare as njëri, as tjetri. Ky fakt përbën paradoksin e nëntë të letrës së Enver Hoxhës.
Tani le të ndalemi edhe në paradoksin e dhjetë dhe të fundit që rezulton nga ideja e Enver Hoxhës për t’iu drejtuar Kremlinit me një letër të posaçme për “zgjidhjen” e çështjes së Kosovës. Me sa duket, Enver Hoxha, duke menduar se Titoja u armiqësua me Stalinin, erdhi në përfundimin se ky i fundit do t’ia pranonte kërkesën që do t’ia parashtronte për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. A thua se Enver Hoxha duhet ta ketë harruar faktin që Stalini përfaqësonte në vetvete modelin më të përsosur të shovinizmit rusomadh? Vallë të mos e dinte Enver Hoxha që Stalini mishëronte aspiratat cariste të shovinizmit rusomadh dhe pas Revolucionit të Tetorit, pranë Leninit dhe Trockit, synonte vendosjen e hegjemonizmit sovjetik në mbarë Evropën? Titoja vërtet u prish me Stalinin, por Jugosllavia për Kremlinin përfaqësonte pararojën e shovinizmit rusomadh në Evropën Juglindore dhe armikun më të egër të kombit shqiptar. Aq më tëpër që Rusia, që në Kongresin e Berlinit e deri në Traktatin e Fshehtë të Londrës, kishte qëndruar në pararojë të diplomacisë evropiane për copëtimin e trojeve etnike shqiptare dhe majmjen me to të shovinizmit serbogrek. Dashuria përvëluese e Enver Hoxhës për Stalinin dhe për Bashkimin Sovjetik dhe urrejtja e papërmbajtur që ai manifestonte me leksikun e vet kundër Titos në letrën që i drejtonte Moskës, të bëjnë të hamendësosh se nuk patën bërë ndonjë përshtypje të madhe mes udhëheqjes sovjetike. Fakti që deri më sot nuk është bërë publike ndonjë përgjigje me shkrim e Kremlinit ndaj letrës së Enver Hoxhës, të ngjall dyshimin për qëndrimin e ftohtë që udhëheqja sovjetike ka mbajtur ndaj saj. Enver Hoxha duhej ta dinte se Kremlini nuk mendonte aspak për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Përkundrazi, Kremlini nuk ishte fare i çiltër në qëndrimin ndaj Republikës Popullore të Shqipërisë dhe madje “flirtonte” edhe me shovinizmin grekomadh lidhur me pretendimet e tij ndaj Shqipërisë së Jugut. Me këtë rast, le të ndalemi në një fakt tepër domethënës. Dihet që Komiteti Qëndror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, më 28 mars 1948, i pati dërguar një letër Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, në të cilën kritikoheshin ashpër “devijimet” e kësaj të fundit nga parimet e marksizëm-leninizmi. Një kopje e kësaj letre i ishte dërguar edhe Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Në takimin me Molotovin, ministrin e jashtëm të BRSS, takim ky që u zhvillua në Varshavë më 24 qershor 1948, Enver Hoxha u shpreh kësisoj për letrën në fjalë: “Letra e KQ PKP(b) e shpëtoi Shqipërinë nga një rrezik i madh. Shqipëria dhe Partia Komuniste e Shqipërisë u ndodhën në një rrezik të madh si rezultat i veprimeve të drejtuesve të Jugosllavisë” (po aty, f. 174). Kurse gjashtë muaj më parë, veprimet e udhëheqësve të Jugosllavisë, sipas Enver Hoxhës, nuk përbëkeshin kurrfarë rreziku për Shqipërinë!!! Prandaj ai, në rolin e një karagjozi politik, menjëherë pas kthimit nga një vizitë në Bullgari, nga sheshi “Skënderbej”, i drejtohej popullit shqiptar me këto fjalë: “Të rrojë bashkimi dhe vëllazërimi me popujt e mareshalit Tito” (Gazeta “Bashkimi”, 20 dhjetor 1947; citohet sipas: Dr Vasfi Baruti. “28 nëntori i tretë”. Botim i Qendrës së Pavarur Sociologjike “Eureka”. Tiranë 2002, f.32).
Fill pas botimit të asaj letre që vinte nga Moska, Enver Hoxha dhe mbarë Partia Komuniste e Shqipërisë doli vendosmërisht në krah të Moskës dhe filloi fushatën e bujshme për demaskimin e “tradhtisë” së Titos ndaj marksizëm-leninizmit dhe kampit socialist. Nënkuptohet që pas këtij qëndrimi të vendosur të Tiranës kundër Beogradit, Shqipëria duhej të shikohej “me kimet” nga ana e Moskës. Por, çuditërisht, disa ditë pas takimit të Enver Hoxhës me Molotovin në Varshavë dhe pikërisht më 07 korrik 1948, kryeministri grek Caldaris “njoftoi diplomatin amerikan në Athinë, Rankin, në mënyrë tepër konfidenciale, se në fund të qershorit, para se Kominformi të denonconte Titon, përfaqësuesi sovjetik në Greqi (ambasadori i Molotovit, Çernjishevi - E.Y.), kishte propozuar fillimin e bisedimeve midis qeverisë sovjetike dhe qeverisë greke për zgjidhjen e problemeve që kishin dalë. Kushti i parë ishte premtimi i Caldarisit që t’i zhvillonte bisedimet personalisht në fshehtësinë më të madhe, pa e përmendur çështjen me asnjë njeri në qeverinë greke. Ishte lënë të kuptohej se sovjetikët ishin përgatitur të diskutonin jo vetëm marrëdhëniet e Greqisë me fqinjët veriorë, por gjithashtu edhe çështjen e Epirit të Veriut… Kjo ofertë e Bashkimit Sovjetik për qeverinë greke nxjerr në pah si mungesën e sinqeritetit të qeverisë sovjetike në marrëdhëniet me Shqipërinë, ashtu dhe rëndësinë e papërfillshme që kishte Shqipëria në planet dhe në objektivat sovjetike. Moska, me sa duket, mendonte që t’i shkëpuste qeverisë greke ndonjë lëshim ndaj forcave komuniste në Greqi, ose të nxiste ndonjë kompromis të ngjashëm me atë të Varkizës midis të dyja palëve, duke i ofruar, si kompensim, lëshime politikës aneksioniste greke kundrejt Shqipërisë së Jugut. Pra, përpara interesit madhor të Shqipërisë dhe respektimit të integritetit të saj territorial, sovjetikët vinin ruajtjen dhe mbijetesën e forcave komuniste greke, të cilat tani, pas ofensivave të suksesshme të UKG-së (Ushtrisë Kombëtare Greke E.Y.), dukej se do të shpartalloheshin me siguri. Këtë konkluzion e përforcon edhe propozimi që i kishte bërë Stalini Gjilasit në shkurt të vitit 1948 që Jugosllavia ta gëlltiste Shqipërinë. Pra, Stalini e llogariste Shqipërinë si një copë tortë, që do t’ua vinte përpara komunistëve deviacionistë jugosllavë për të ndjekur politikat e vijën e tij, ose të djathtëve shovinistë grekë për të ndaluar ofensivën dhe për të zbutur qëndrimin e tyre ndaj komunistëve dhe influencës sovjetike” (Prof.dr. Beqir Meta. Vepër e cituar, f. 612, 613-614).
Ky fakt hedh dritë mbi një të vërtetë tragjike në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike. Këtë të vërtetë tragjike Enver Hoxha duhej ta kishte mësuar me kohë përmes shërbimit të tij sekret, në mënyrë që të mos ndërmerrte hapin për t’iu drejtuar Moskës me letrën e sipërpërmendur për çështjen e Kosovës. Është absurde ta mendosh që një shtet shovinist, si Rusia sovjetike, të ndërmerrte hapa për korrigjimin e veprës së shovinizmit carist rusomadh, i cili, në Kongresin e Berlinit, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër dhe në Traktatin e fshehtë të Londrës e diktoi fuqishëm vullnetin e vet për copëtimin e trojeve etnike shqiptare dhe aneksimin e tyre fqinjëve tanë, shovinistëve serbogrekë. Rusia, tradicionalisht, që nga koha e carit dhe deri më sot, pavarësisht nga ajo “miqësi e nxetë” afatshkurtër e viteve 1949-1960, vazhdon të mbetet armike e betuar e kombit shqiptar. Dëshminë më të pastër vazhdon të na e japë edhe sot e gjithë ditën qëndrimi i Rusisë putiane ndaj çështjes së Kosovës.
Kushdo që e lexon me vëmendje këtë letër të Enver Hoxhës, nuk mund të mos rri e të përsias gjatë për qëndrimin e tij prej pehlivani politik: gjatë luftës mendonte se çështja e Kosovës do të diskutohej me Titon pas mbarimit të luftës. Kur mbaroi lufta, e ktheu pllakën dhe erdhi në përfundimin se Kosova do të bashkohej me Shqipërinë kur kjo dhe Jugosllavia do të jenë shtete socialiste! Kur çasti më i përshtatshëm për të vendosur për fatin e Kosovës u paraqit në Konferencën e Paqes të vitit 1946 në Paris, Enver Hoxha përdrodhi vithet dhe s’e pranoi rekomandimin e tërthortë të përfaqësuesit amerikan. Por ajo që lexuesin objektiv e revolton më shumë në letrën në fjalë, është fakti, që, pas prishjes me Titon, Enver Hoxha kërkon nga Stalini bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Pra, për fatin e Kosovës ai i drejtohet ujkut të Kremlinit të ndërhyjë te çakalli i Beogradit. Kur Stalini dhe udhëheqja sovjetike e kanë lexuar letrën në fjalë, me siguri që kanë qeshur me ironi. Domosdo, se Enver Hoxha, me atë letër, e kishte vënë veten në pozita tepër qesharake. Kjo letër dëshmon më së miri për formimin e tij si politikan i mangët në krye të Shqipërisë. Ajo vërteton se Enver Hoxha nuk ka pas qenë brumosur me frymën e nacionalizmit shqiptar që në edukatën që ka marrë në familje dhe në rrethin e vet familjar. Fakti që sllavizmi, dhe sidomos rusosllavizmi, ka qenë armiku më i egër shekullor i kombi shqiptar, Enver Hoxhës nuk i ka pas ngjallur kurrfarë emocioni gjatë gjithë kohës që sundoi në krye të vendit me egërsinë më të madhe, sepse ai ishte vënë në shërbim të tij. Kjo vërteton se ai, në pasionin që ushqente për pushtet vetjak, nuk ka njohur kurrfarë morali politik. Prandaj Bedri Spahiu, me shumë të drejtë, në Plenumin e Komitetit Qëndror të Partisë së Punës të Shqipërisë të vitit 1954, sipas kujtimeve të Pjetër Arbnorit, e ka pas cilësuar “pusht pa princip” (Fatmira Nikolla. Pjetër Arbnori. Zbardhen pjesë të ditarit të burgut. “Gazeta Shqiptare”, 08 mars 2010).
Që lexuesit e respektuar të binden për përcaktimin e shkëlqyer që Bedri Spahiu i ka bërë figurës së Enver Hoxhës si “pusht pa princip”, po ndalem në dy fakte kuptimplote. Një ditë para fillimit të Konferencës së Tiranës të vitit 1956, Enver Hoxha, në frymën e direktivave të Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, jepte këtë orientim për mbarë komunistët shqiptarë:
“Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik e dënoi me të drejtë kultin e individit të krijuar nga Stalini në vitet e fundit të aktivitetit të tij që i solli kaq dëm Bashkimit Sovjetik. Është detyrë e përhershme e Partisë sonë të luftojë kultin e individit në çdo formë që të shfaqet ai, për të vendosur kolegjialitetin si parim udhëheqës të partisë… E rëndësishme është që çdo anëtar partie të kuptojë se në parti nuk mund të ketë frikë… Çdo anëtar partie të shprehë në parti mendimin e të kritikojë me forcë të metat në punë dhe ata që janë përgjegjës për këto të meta… [Enver Hoxha. “Marksizëm-leninizmi mëson se populli është krijuesi i historisë”. Gazeta “Zëri i Popullit”, 13 prill 1956. Citohet sipas: Skifter Këlliçi. “Gjashtë ditët tragjike të Konferencës së Tiranës - 14-20 prill 1956”. (Gazeta “Shekulli”, 03 korrik 2004. Marrë nga interneti)].
Kurse shumë vite më vonë, po ky Enver Hoxha, do të shprehej krejtësisht ndryshe për të gjithë ata delegatë të Konferencës së Tiranës, të cilët, në përputhje me orientimet e qarta që ai vetë kishte dhënë në “Zërin e Popullit”, shtruan probleme mjaft të mprehta dhe bënë pyetje shumë të guximshme për humnerën e tmerrshme që ndante popullin e thjeshtë nga luksi skandaloz i kuadrove të larta të partisë, deri në Byronë Politike:
“Kam menduar të veproj kështu: Do ta kërkoj fjalën menjëherë dhe me qetësi, pa i atakuar hëpërhë të akuzuarit, do të sqaroj delegatët mbi thelbin e së vërtetës në lidhje me akuzat e poshtra që janë ngritur… Përsa u përket “trimave” që duan “revizionime”, me ta do të merrem konkretisht në fazën e dytë, kur delegatët të jenë sqaruar mbi të vërtetën. Përpara konferencës do të kërkoj që secili të na e sqarojë se në ç’pozita i ngre akuzat e fëlliqura, në emër të kujt flet dhe kush i ka frymëzuar”. [Enver Hoxha.“Titistët”, faqe 555. (Citohet po sipas gazetës “Shekulli”, 06 korrik 2004. Marrë nga interneti)]. & nbsp;
[Do të ishte mirë që zoti Veli Llakaj të thellohej më shumë në njohjen e amoralitetit politik dhe të frymës diktatoriale të figurës së Enver Hoxhës dhe të mos kërkojë të na zbavitë me ato xhevahire që deklaron në faqet e shtypit të Tiranës për këtë kriminel të kombit shqiptar].
Megjithatë, Enver Hoxha, edhe në kushtet e amoralitetit të tij politik, pavarësisht se i lëpihej Stalinit për të ruajtur se s’bën postin e vet, pavarësisht se për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë i drejtohej Kremlinit - kryekështjellës së sllavizmit, armikut të regjur të kombit shqiptar - vetëm e vetëm për të larë gojën para popullit shqiptar të Kosovës, ne duhet ta pranojmë që ai, gjithsesi, e mori nismën dhe e bëri një kërkesë, paçka se të parealizueshme, për një bashkim të tillë. Sido që të jetë, ky mbetet një fakt i pamohueshëm që ka hyrë në analet e historisë. Por si t’ua bëjmë këtyre politikanëve shqiptarë të ditëve tona në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup, të cilëve sot, në kushte krejt të tjera, u mungon tërësisht burrëria për të deklaruar haptazi para Evropës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës se Kosova dhe Shqipëria duhet të shkrihen në një shtet të bashkuar kombëtar, përfshirë edhe trojet e tjera etnike shqiptare, se vetëm kështu kombi shqiptar do të ngrihet më këmbë përfundimisht, do të begatohet dhe do të bëhet me të vërtetë faktor stabiliteti në Evropën Juglindore. Përkundrazi, klasa e sotme politike e Tiranës e ka katandisur veten në një paçavure të tillë, saqë me të fshin brashnjat, sa herë t’i teket, madje edhe një karnavalshtet, si Greqia karagjoze, e cila e ka shndërruar veten në një surratleckë të kontinentit dhe tani përfaqëson laviren më shembullore në gjirin e Evropës. Pikërisht kjo lavire evropiane, mu në mes të Athinës, i poshtëroi rëndë shqiptarët më 25 mars 2010, ndërkohë që skota e tradhtarëve shqiptarë, me mandate deputeti, në sallën e parlamentit, pikërisht po atë ditë, simbolikisht, me urdhër të lavires së Evropës, ra në gjunjë dhe votoi ligjin për varrezat e ushtarëve agresorë grekë. Prandaj klasa e sotme politike e Tiranës është kopje, veçse shumë më e shëmtuar, e klasës politike të kohës së Enver Hoxhës gjatë “muajit të mjaltit” që ky kaloi me Titon dhe me Stalinin. Por me një ndryshim jo fort të papërfillshëm: Enver Hoxha e kishte katandisur veten në një paçavure të shovinizmit sllav, kurse klasa e sotme politike e Tiranës është shndërruar në paçavure të paçavures së Evropës.
Përfaqësuesit më tipik të klasës politike vetëposhtëruese të Tiranës na u paraqitën “lakuriq” në emisionin “Studio e hapur” të gazetares së talentuar dhe zonjës së nderuar Eni Vasili në TV “Alsat”, kushtuar ngjarjeve të 25 marsit në Athinë, emision ky, i transmetuar në mbrëmjen e 29 marsit 2010. Këta përfaqësues pa dinjitet kombëtar ishin zoti Tritan Shehu dhe ish-ambasadori shqiptar në Greqi zoti Bashkim Zeneli. Në atë emision ishin të ftuar edhe zoti Shpëtim Idrizi dhe profesori i filozofisë në Universitetin e Tiranës zoti Hysamedin Feraj. Gjatë emisionit, zoti Shehu, pa iu skuqur faqja, deklaroi se nuk ekzistuaka ligji i luftës me Greqinë, ndërkohë që zoti Idrizi e kundërshtoi: “kjo që thotë zoti Shehu nuk është e vërtetë”. Lidhur me votimin në parlament të ligjit për varrezat e ushtarëve agresorë grekë,historiani tetovar, prof. Arben Llalla, shkruan: Të gjithë ata deputetë që votuan kanë bërë tradhti kombëtare, njëri nga këta është deputeti Tritan Shehu, i cili ka lidhje të forta me grupet nacionaliste greke. (Këtë e dinë të gjithë emigrantët shqiptarë në Selanik sepse Tritan Shehu ka bërë disa lëvizje të dyshimta në vitet 2000-2004)” (Gazeta “Sot”, 28 mars 2010. Citohet sipas faqes së internetit, 30 mars 2010). Kurse ish-ambasadori Zeneli deklaroi se emigrantët shqiptarë nuk na qenkan peng në Greqi. Vallë të mos e ditka ky ish-ambasadori socialist se ish-ministri i jashtëm grek Papulias, pak kohë para se të vendosej pluralizmi në vendin tonë, ka pas deklaruar se emigrantët që do të vijnë nga Shqipëria do t’i kemi peng, për t’i kërkuar lëshime klasës politike të Tiranës? Drejtuesja e atij emisioni do të kishte bërë mirë që zotit Zeneli t’i kishte kërkuar të sillte me vete në studio edhe atë lilkodekoratën që autoritetet greke ia vunë në gjoks me rastin e përfundimit të “suksesshëm” të mandatit të ambasadorit në Athinë. Që zotit Zeneli “t’i kthjellohet” truri në masën e duhur, le të hapë faqen e internetit “Forumi shqiptar” dhe tëlexojë me kujdes “Dosjen e zezë të Greqisë”. Mjerimi i këtyre dy përfaqësuesve të të dy klaneve të klasës së pështirë politike të Tiranës, kopjes së klasës politike të Enver Hoxhës që u përmend më lart, u bë edhe më i spikatshëm para profesorit Feraj, i cili, në atë emision, përfaqësoi vlerat e vërteta që duhet të karakterizojnë një intelektual me dinjitet të lartë kombëtar.
Megjithëse për mbarë kombin shqiptar votimi në parlament i ligjit për varrezat e ushtarëve agresorë grekë është një poshtërim i pashembullt që atij po i bën klasa politike e Tiranës, popullin shqiptar, çuditërisht, e ka pllakosur një heshtje hijerëndë. Me sa duket, lëkura i është bërë shollë nga poshtërimi i kësaj klase politike. Vetëm ca të rinj shqiptarë, andej nga nahija e Matit apo e Vlorës, i vunë flakën një flamuri grek. Vetëm kaq?! Si shpjegohet që populli shqiptar nuk është i aftë të vetorganizohet dhe të ngrihet në demonstrata të fuqishme antigreke në mbarë qytetet tona dhe më së pari në Tiranë? Gjer kur kështu?!
Santa Barbara, Kaliforni
15 prill 2010
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi