Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Arsim Halili: Intervistë me Avni Rudakun - Poet

Shko poshtë

Arsim Halili: Intervistë me Avni Rudakun - Poet Empty Arsim Halili: Intervistë me Avni Rudakun - Poet

Mesazh nga Agim Gashi Fri Apr 16, 2010 3:27 am

Arsim Halili: Intervistë me Avni Rudakun - Poet U1_AvniRudaku
INTERVISTË ME AVNI RUDAKUN – POET
Nga Arsim Halili
Një letërnjoftim të shkurtër, kush është Avni Rudaku?
Avni Rudaku është ai që është. Ai është ai që ka. Ai është ai që prezantohet. Dhe ai është ai që nuk e di saktësisht se kush është me të vërtetë, në kuadër të kozmosit materialist dhe metafizikës, sikur çdo specie tjetër antropologjike jodogmatike! Ndërkaq, nëse përgjigjem teknikisht dhe profesionalisht, jam i lindur në qytetin e Gjilanit. Jam bachelor i Psikologjisë dhe Sociologjisë. Aktualisht jam kandidat për master në Sociologji. Të gjitha studimet i kam mbaruar dhe vazhdoj t’i përfundoj në Universitetin Publik të Prishtinës. Shkruaj e botoj vazhdimisht artikuj të larmishëm, me përmbajtje sociologjike, filozofike, kulturore, politike, psikologjike, etike, filozofike, e të ngjashme. Eksploroj zhanre të veçanta e të përgjithshme në universin letrar e shkencor. Së fundi, kam botuar librin “Poezi pa frymë” (2010). Poetizoj antipoetikë dhe poezi që nga pjesa e dytë e gjysmës së vitit 2009. Merrem aktivisht me publicistikë. Shkruaj gjithçka dhe asgjë! Jetoj dhe veproj në Gjilan. Që nga viti 2009 punoj si asistent i ri për lëndë të psikologjisë në Kolegjin Universitar “Iliria”, dega në Gjilan.
Kur ju pushtoi bota poetike?
“Pushtimi” i poezisë filloi përafërsisht në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2009. Në fakt, nuk më ka pushtuar poezia në interierin tim psikologjik e ndjenjor, por e pushtova unë atë. Mendova se a mund të “kolonializojë” më tepër territor në fushën e poezisë apo të prozës. Në këtë të fundit kisha më shumë përvojë, më tepër “administrim përmbajtjesor” dhe refleksion racional më të strukturuar. Ndërkaq, mendova se duhet të sprovohem edhe në pushtimin e poezisë, si një mjet i fuqishëm artistik e letrar për t’u shprehur për gjërat që ndjeni, mendoni dhe bëni. Nuk më ndodhi të më pushtojë poezia siç ndodhë rëndomë me krijuesit e poezisë. Ajo nuk ishte sovrane në fillimin e krijimit të saj. Unë vetëvendosa që të merrem me poezi dhe jo vice versa. Prandaj, nëse më pyesni se kur ju pushtoi bota poetike, mund të ju them pa asnjë druajtje se e pushtova në mënyrë krejtësisht të vullnetshme, para pak muajsh. Nuk më ka shkaktuar serotoninë hedonistike të shkruaj poezi nga ndonjë frymëzim ose inspirim dirigjues sentimental dhe spontan. Shkruaj poezi jo pse duhet të shkruaj poezi, por shkruaj poezi se e dëshiroj një gjë të tillë. Nuk jam për të shkruar poezi nga “shtysat neurotikë” të pavullnetshëm e ndjenjat komplekse interne, por nga vetë vendimi im për sprovuar veten edhe në këtë gjini letrare-artistike. Pushtimi është term i vrazhdë, por në kuptim më të butë, duhet thënë se racionalisht u motivova të shkruaj poezi. Dikush mund të thotë: poezia është më shumë ndjenjë? Dakord! Po ndjenjat a nuk vijnë edhe nga vetë të menduarit tonë? A nuk mund të shkaktojnë mendimet e caktuara ndjenja të caktuara? A është absurde të mendohet se nuk mund të shkruajmë poezi kur dëshirojmë ne vetë një gjë të tillë, apo duhet qenë të zemëruar, të mërzitur apo në ndonjë gjendje të caktuar psikologjike që të shkruajmë? Nëse nuk ka të vërtetë në të parën, atëherë del që poezia është e determinuar nga psikologjizmi ynë i detyrueshëm neurotik. Por nuk pajtohem me këtë konstatim. Poezia për botëkuptimin tim mund të shkruhet edhe kur vullnetshëm drejtojmë qëllimin tonë që të marrim tastierën në dorë e të fillojmë të vargëzojmë. Nuk është e habitshme për mua që të të them: Po shkoj të vargëzoj pak! Pra në kushte krejtësisht racionale, pa ndonjë frymëzim inkoshient të “pikur nga qielli ose toka”! Poezia nuk është vetëm gjendje e thellë emocionale, por mundet të jetë edhe vetëm gjendje mendore e të të menduarit racional!Kuptohet, ky soj i poezive është më i “ftohtë”, por kështu më pëlqejnë poezitë në kohën bashkëkohore të organizimit racional.
Qasja e juaj refleksive në poezi, sa arrin të depërtoj poezia juaj tek lexuesit?
Poezitë që shkruaj depërtojnë lehtësisht, mesatarisht dhe shumë vështirë tek lexuesit. Disa janë më të kuptueshme, më të qarta e më të akceptueshme. Të tjera janë të konsumueshme me “ndryshime fiziologjike në stomak”. Smile Ndërkaq, një soj i poezive mund të kuptohet aty-këtu në ndonjë rresht ose varg, sepse përthekojnë koncepte epistemologjike e filozofike më komplekse. Realisht, poezitë i bëj për veten time dhe recipientët e artit poetik. Mirëpo, kur botoj poezi, tentoj të jenë më në frekuencë valore me lexuesit. Nëse përgjigjem më direkt në pyetjen e juaj, deklaroj bindshëm se procedohen e depërtojnë lehtë tek lexuesit sepse nuk merrem me abstraksione e korrelacione vargore metafizike e as me gjëra që nuk lidhen sadopak me realitetin bashkëkohor. Nuk poetizoj me fjalë të konsumuara poetike sikur është “hëna”, “acar dimri”, “emër i harruar”, “ike e shkove”, ...Në poezitë e mia do të gjeni shumë fjalë që i përdorim në jetën virtuale e tekniko-teknologjike, në atë të përditshme dhe shumë pak shfrytëzim të një gjuhe të thellë subjektive e autike.
Jeni edhe psikolog me profesion, sa harmonizohet rruga e juaj profesionale me atë krijuese?
Të krijosh nuk korrespondon gjithmonë me llojin e profesionit. Mund të jeni inxhinier i elektroteknikës, arkitekt, politikan, psikolog, sociolog, e të ngjashme, dhe të shkruani poezi ose të merreni me krijimtari artistike e letrare, siç është pikturimi, këndimi, etj. Poezi shkruajnë madje edhe taksistët, të cilët mund të kenë të mbaruar vetëm nivelin fillor të shkollimit dhe gjatë gjithë jetës e ushtrojnë këtë punë të taksistit. Pra, të krijoni nuk nënkupton se domosdoshmërish duhet të jeni me fakultet të arteve ose të keni studiuar letërsinë ose filologjinë. Madje është shumë dobiprurëse për letërsinë dhe artin, që me botëkuptimet dhe qasjen e psikologut ndaj njeriut, jetës, seksit, ndjenjave, dashurisë, mendimit, parafytyrimit, imagjinatës, iluzionit, etj., ta ofertojmë edhe vetë letërsinë dhe artin. Psikologu jo vetëm se është së pari qenie njerëzore si të gjitha qeniet e tjera frymore që ndjejnë, mendojnë, parafytyrojnë dhe veprojnë, por është edhe analizator subjektiv dhe objektiv profesional për momentet frymëzuese krijuese dhe të hetojë diktatin e reaksioneve emocionale në sublimimin e tyre për punën krijuese. Depozitimi krijues që vjen nga njohuritë e mia profesionale të psikologjisë dhe sociologjisë, e kanë bërë më të veçantë, më të pasur, më origjinale dhe më motivuese gjithë aktivitetin tim krijues. Pra, krejt në fund të kësaj pyetjeje vlerësoj se, jo vetëm harmonizohet profesioni i psikologut me rrugën krijuese, por ato janë shumë komplementare dhe të përpjesëtueshme utilitarist.
z.Avni e shohim në mediume në trajtimin e disa temave, qoftë të natyrës profesionale, por edhe asaj të kulturës, mendimi i juaj, sa jemi duke ndërtuar kulturën tonë në shoqëri në hap me kohën?
Sa i përket shoqërisë kosovare, ne jemi në një ngërç në mes të vetkulturës dhe kulturës. Objektivisht, me parametra të sociologjisë, jemi shoqëri bashkëkohore me disa projeksione, synime dhe ambicie kolektive. Por kjo më shumë i takon ego-ideales kolektive kosovare sesa asaj reales. Pse? Nëse krahasojmë shoqërinë paramoderne, moderne e bashkëkohore, ne jemi në mes paramodernes dhe modernes. Nëse kemi internet në shtëpi, vetura luksoze, etj., nuk mund të përkufizohemi si shoqëri bashkëkohore. Shoqëria bashkëkohore nëse e kuptoni me terma bukval, si shoqëri që jeton kohën e sotme, atëherë edhe fiset primitive në disa pjesë të Brazilit janë shoqëri bashkëkohore sepse jetojnë kohën në të cilën gjinden. Por në konceptin modern, shoqëri bashkëkohore është ajo që ka ndarje të ndërlikuar shoqërore të punës me bazë profesionin dhe specializimin, organizohet me parimin e racionalizimit, ka një zhvillim tekniko-teknologjik të përparueshëm, punët fizike janë të minuara në krahasim me aktivitetet mendore, organizimi ekonomik nuk mbështetet direkt dhe në masë të gjerë nga bujqësia e blegtoria, por nga industria dhe teknologjia në nivel të prosperuar, etj. Trendët integruese e globale, hapja ndaj botës demokratike-liberale, zhvillimet e reja politike në Republikën e Kosovës, të studiuarit e studentëve tanë në vendet perëndimore, vullneti i lartë i artistëve tanë për të marrë pjesë në evenimente me karakter ndërkombëtar, prania dhe ardhja e diasporës shqiptare në sezonin veror e dimëror, etj., nuk them se nuk kanë ndikuar pozitivisht dhe që nuk kanë rritur të besojmë se me të vërtetë po bëhemi një shoqëri bashkëkohore në kuptimin e përdorshëm e të sotëm sociologjik. Pra, jemi në disa gjëra në hap me kohën, me disa të tjera jemi parakohës dhe me ca paskohës (zakonisht me elemente të padobishme). Ne jemi duke kaluar kryqëzimin socio-vleror dhe etnopsikologjik, në mes të një kulture kolektiviste të dikurshme dhe asaj individualiste të synuar. Jemi në mes të kolektivizmit dhe individualizmit; në mes familjes së zgjeruar dhe familjes bërthamë; në mes të nacionalizmit kulturor dhe nacionalizmit qytetar; në mes të artit paramodern dhe modern; në mes të tradicionales dhe bashkëkohores...Parafytyroni kur sheh një fshatar kosovar që e shet lopën dhe bën marketing për të në rrjetin social virtual “facebook”! A nuk është kjo metaforë e “zënies së dialogut në mes tradicionales dhe bashkëkohores”?!!!
Libri i juaj me poezi “ Poezi pa frymë”, ka një titull metaforik, por esenca e librit tuaj, çka i ofron lexuesit?
“Poezi pa frymë” është cikël poezish antipoetike, ose me aparencë poetike e përmbajtje prozaike. Pse pa frymë? Pa frymë sepse s’kanë frymë. S’kanë frymë sepse s’kanë aq shumë spontanitet krijues e poetik, por ka më shumë rezonim logjik. Titulli përkon me mungesën e konsiderueshme të emocionit gjatë vargëzimit dhe dominimin e arsyes. “Poezi pa frymë” sepse nuk ka aq melodi muzikore, tingullore, figura. Pa frymë sepse janë të sojit të ftohtë emocional dhe të stilit stilopedagogjik. Poezitë e mia nuk të japin shumë emocion, por të godasin në kognicion, pra në të të menduarit dhe nxisin vetnjohje e njohje.
Shumë krijues fillojnë me poezinë, mbase është ndjenjë që me pak fjalë të thuhet shumë, sa keni arritur ju të mëshiroheni me prozën?
Në vendbanimin prozaik ndihem si në shtëpinë time! Smile Prozën e shkruaj me shumë qejf, në mënyrë sistematike dhe më të shpeshtë. Proza nuk më këput aq mendimet. Më jep më shumë liri. Më shumë hapësirë për të reflektuar. Më pak ngjyrime patetike emocionale. Më pak subjektive. Më pak personale, private dhe intime. Më ofron më shumë rezonime shkencore...
Krijuesit janë partner me lexuesit përmes librit, mendoni se është duke ofruar vlerë në kuptimin e plotë të fjalës?
Tani jetojmë në kohën e qarkullimit të vlerës, pseudovlerës dhe antivlerës. Është imperializëm vlerash të kontestueshme e të pakontestueshme; vlerash absolute e relative; vlerash tradicionale e bashkëkohore; vlerash negative dhe pozitive; vlerash të qëndrueshme dhe më pak të qëndrueshme në kohë e hapësirë; vlerash të mirëfillta artistike e amatoreske...Ka krijues që ofrojnë vlerë dhe ka pseudokrijues që ofrojnë pseudovlerë. Tani duhet të rimendojmë sistemin e vlerave krijuese, duke kultivuar kritikën e mirëfilltë artistike, letrare e profesionale. Por është edhe një fakt kokëfortë: tregu bashkëkohor lejon gjithçka të servohet si vlerë/antivlerë, por nëse shitet çdo vlerë, atëherë nuk nënkupton se blehet çdo vlerë e tregtueshme. Secila vlerë ka vlerësuesit e vet. Madje vlerat janë ideale abstrakte dhe herë të përkufizuara subjektivisht nga vetë krijuesit e lexuesit. Pra kemi sot një pluralizëm shijesh, vlerash, krijimesh dhe e dobishme do të ishte sikur të forconim kritikën krijuese personale dhe publike.
Shpeshherë, madje në vazhdimësi para mediumeve paraqitni shkrime publicistike dhe shkencore, juve si psiko-sociolog, çka ju preokupon në shoqërinë tonë qoftë nga këndi profesional, pse jo edhe ai krijues?
Së pari, më shqetëson bashkëpunimi i dobët inter-profesional në mes krijuesve tanë. Së dyti, mospërkrahja nga ana e biznesmenëve, e as nga ana e institucioneve gjegjëse për financimin e revistave letrare e krijuese, e as promovimin e festivaleve, paneleve, seminareve, orëve letrare, etj., të cilat do të fuqizonin punën krijuese. Së treti, mosdhënia rëndësi të së drejtës autoriale dhe jo ndëshkimit ligjor të plagjiaturës. Së katërti, investimi i dobët në përkthimin e librave të huaj në gjuhën shqipe dhe e kundërta. Së pesti, më brengos jogatishmëria e mendësisë sonë për të mos përkrahur botimin e librave të krijuesve të rinj, etj. Pra ka shumë gjëra që duhet pasur në kujdesin e shtuar dhe për t’u preokupuar.
Jeni Gjilanas, si qytetar i saj çka ju bënë të ndjeheni krenar dhe çfarë ju preokupon në përditshmëri?
Qyteti i Gjilanit më jep krenari me vetë faktin e ndjenjës së lindur të atdhedashurisë e vendit amë të lindjes. Krenaria vjen nga energjia sociabile e rrethit ku jetoj e punoj. Gjilani është qytet shumë i rëndësishëm për rajonin e Anamoravës. Ky qytet lidh gjilanasit, preshevarët, qytetarët nga Bujanoci, tetovarët, etj. Pra është zonë e fuqishme ndërlidhëse e tri pjesëve (Kosovë, Kosovë Lindore ose administrativisht e politikisht Luginë e Preshevës dhe Maqedoni) të çmueshme kombëtare e fqinjësore ballkanike. Preokupimi për Gjilanin do të ishte më i vogël sikur të bëheshin investime më të mëdha. Sikur të shtrohej asfalti për të dalur më shpejtë e më shkurt në Kumanovë e Tetovë përmes rrugës në drejtim të fshatrave të Zhegrës, Shurdhanit, etj. Gjilani meriton të jetë një qendër e rëndësishme gjeopedagogjike për studentët nga Presheva, Tetova, etj. Po ashtu, duhet një vullnet politik për të gjallëruar më shumë aktivitetet kulturore, sportive e argëtuese. Mungojnë garat e sponzoruara në lëmi të ndryshëm kulturor e profesional. Duhet hapur më shumë biblioteka e qendra studimore. Më shumë vende të reja pune dhe aktivizim të fabrikave ose industrisë. Më tepër financim e fuqizim të mediave lokale. Më shumë mbështetje për shoqatat e ndryshme kulturore. Më shumë donacione për aktorët e Teatrit Kombëtar. Më shumë hapje sysh për asfaltimin e rrugëve brenda dhe në periferi të qytetit, ku pusetat janë bërë vërtetë të rrezikshme. Ka shumë gjëra që do të doja të ndryshonin në Gjilan, sa më parë...
Fillimi i rrugëtimit poetik është një emocion i veçantë, por çfarë mund të presim në kontuintetin tuaj krijues, për të na dhënë edhe emocione tjera?
Më shumë shkrime publicistike, poezi dhe punime filozofike e shkencore.
Mbase është konstatimi shumë krijuesve, që sot lexohet pak, e ndani edhe ju këtë mendim, çka duhet të ndërmerret në ndryshimin e këtij paradoksi, nëse mund ta quajmë?
Leximi vjen duke u forcuar shkollat fillore dhe të mesme. Nëse paguajmë më shumë arsimtarët e profesorët e ciklit fillor dhe të mesëm. Nëse japim më shumë hapësirë përmes emisioneve çështjes së leximit dhe interesimit për të. Nëse bëjmë hulumtime kuantitative dhe kualitative për shkaqet e leximit të dobët dhe minimal. Nëse ristrukturojmë të të menduarit tanë për rëndësinë që ka leximi në jetët tona. Nëse shpërblejmë fëmijët tanë kur lexojnë dhe jemi të kujdesshëm kur nuk lexojnë. Nëse nuk mbesim indiferentë për krizën e leximit në mënyrë institucionale dhe arsimore. Nëse bëjmë më shumë disiplinë në arsim e reforma të përshtatshme me metodologjinë bashkëkohore me në qendër nxënësin. Nëse nuk lëshojmë pe për vlerësimin e nxënësve dhe të studentëve. Nëse jemi serioz. Nëse bëhen kushte më të mira për mësim e lexim në bibliotekat tona. Nëse zhvillojmë debat mbi leximin. Nëse krijojmë politika kulturore e imponuese për ndërveprim të lexuesit me librin e të të lexuarit, etj.
Në përmbyllje të kësaj interviste, pak fjalë për të thënë shumë për lexuesit tanë?
Asnjëherë nuk thuhet shumë. Edhe kur thuhet shumë, nuk domethënë se është dashur të thuhet e tëra. Ose është dashur të thuhet e tëra, por fatkeqësisht nuk kemi pasur mundësi ta themi vetëm të nevojshmen dhe ndarjen nga e panevojshmja. Ju faleminderit për intervistën!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi