Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Nderim viktimave të sistemit komunist", një ekspozitë për të mos harruar

Shko poshtë

Nderim viktimave të sistemit komunist", një ekspozitë për të mos harruar Empty Nderim viktimave të sistemit komunist", një ekspozitë për të mos harruar

Mesazh nga Agim Gashi Sun Feb 22, 2009 1:07 pm

"Nderim viktimave të sistemit komunist", një ekspozitë për të mos harruar

Foto dhe dokumente dëshmojnë përndjekjet e shumta, gjyqet e manipuluara dhe ekzekutimet barbare të ish-të burgosurve
Nderim viktimave të sistemit komunist", një ekspozitë për të mos harruar Sh_b


Nderim viktimave të sistemit komunist", një ekspozitë për të mos harruar ----ekspo


Muzeu Historik Kombëtar, me gjithë fasadën e shëmtuar që ka në ballë të tij, prej dy ditësh mban hapur një ekspozitë ku dënon krimet e komunizmit. Hyrja për të vizituar ekspozitën është falas dhe vizitorë të shumtë presin jashtë nga mbipopullimi i sallës kryesore të Muzeut. Sapo hyn në hollin e Muzeut Kombëtar, ndeshesh me një ekran të madh, i cili shfaq dokumentarë të krimeve të komunizmit. Kureshtarë, të rinj që nuk e kanë jetuar kohën, bashkëvuajtës të regjimit, si dhe shumë nxënës u njohën me një copëz të errët të historisë sonë kombëtare. Si për të treguar skenat makabre të komunizmit, platforma e hollit të ekspozitës mbante ngjyrën e zezë, që simbolizon diktaturën komuniste dhe ndriçohet prej dritës së stendave ku janë vendosur foto dhe dokumente që dëshmojnë për përndjekjet e shumta, gjyqet e manipuluara, ekzekutimet barbare dhe vuajtjet e pafundme të ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë. Shumica e materialeve ekspozohen për herë të parë. Kur shqiptarët janë të etur të dinë për mostruozitetet e shkatuara nga diktatura më famkeqe e Europës, për herë të parë afishohen foto të vrasjeve që organet e diktaturës kryen ndaj shtetasve shqiptarë në kufirin e Shqipërisë, gjatë viteve 1988-1990, kur edhe kishte ndryshuar Kodi Penal për kalimin e kufirit. Në monitorët e vendosur do të shfaqen në mënyrë të vazhdueshme materiale filmike, fotografike, vendime dhe dokumente të ndryshme, që dëshmojnë krimet e regjimit komunist në Shqipëri. Ndonëse kjo ekspozitë rikthen në vëmendjen e vizitorëve një pjesë fare të vogël të krimeve që regjimi komunist kreu në Shqipëri, ajo do të sjellë një kontribut të rëndësishëm për rehabilitimin dhe integrimin real të ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë. Për ekspozitën janë përdorur arkivat e filmit, ato të Institutit të Integrimit të të Përndjekurve, të Qendrës së Studimeve Albanologjike, ATSH-së, Arkivi i RTSH-së, i Ministrisë së Brendshme dhe ai i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Platforma e hollit të ekspozitës do të jetë në ngjyrën e zezë, që simbolizon diktaturën komuniste dhe ndriçohet prej dritës së stendave, ku janë vendosur foto dhe dokumente që dëshmojnë për përndjekjet e shumta, gjyqet e manipuluara, ekzekutimet barbare dhe vuajtjet e pafundme të ish-të burgosurve dhe të përndjekurve politikë. Vizitorët më të shumtë janë nxënësit e shkollave dhe ish-të vuajtur të sistemit të organizuar në ditë pushimi, së bashku me një pjesë të mësuesve, shumica e shkollave të mesme të kryeqytetit. Shumë nxënës janë të shokuar nga pamjet që sjell ekspozita, e cila paraqet pjesën më të vogël të krimeve komuniste. Njëri prej nxënësve të shkollës së mesme "Partizani", shprehet se kjo ekspozitë jo vetëm që duhet të ngeli në mendjet e shqiptarëve, por duhet të bëhet a,b,c për të gjithë brezin. Gjimnazistët e shumtë u prekën nga fotot dhe telefilmat, duke pohuar se asnjëherë nuk e kishin imagjinuar kaq të pashpirt regjimin komunist. Nxënësit theksuan se historia nuk e paraqet diktaturën e Hoxhës kaq reale, ajo e kamuflon atë sikur të ishte një diktaturë moderne. Tek ndahesh nga habia e fëmijëve, sheh sytë e përlotur të moshës së tretë, atyre që e provuan në mënyrë barbare çdo të thotë diktatura. Teksa shohin emrat e njerëzve të vrarë, ose të vdekur nëpër burgjet e diktaturës, kujtojnë me nostalgji shokët e shoqet e tyre që diktatura i mori jetën për shkak se ishin me bindje të ndryshme nga diktatura që drejtohej nga psikopatë. Teksa shihje emrat e atyre që diktatura ia mori jetën sepse ishin më lartpamës se diktatori i errët, një plakë rreth të 70-tave, po meditonte. Menjëherë sa pa aparatin që shkrepej mbi fotot që masakra komuniste kishte shkaktuar, kërkoi të japë një mesazh nëmërmjet gazetës së parë anti-komuniste në vend. "Komunizmi, minimumi ka marrë gjënë me të bukur që ka jeta, rininë, duke e kalbur në muret e Spaçit, Burrelit dhe burgjeve të tjera famkeqe". Ajo rrëfeu një pjesë nga jeta e saj, e cila ishte shkatërruar nga diktatura Hoxha. Më dënuan 12 vjet për agjitacion dhe propagandë, pse shpreha një shqetësim, duke thënë në mbledhjet e asaj kohe, "nuk ka as patate, as qumësht me shumicë, siç thonë shokët e Partisë, prandaj duhet t'i kërkojmë Partisë më shumë prodhime buqësore për qytetin, se kështu do të vdesim nga uria". Ky ka qenë togfjalëshi që i shkatëroi jetën Fatimes, e cila ka bërë 12 vjet burg. Fatimja rrëfen se me burgosjen e saj humbi burrin, fëmijët dhe të afërmit e saj.
Statistikat e genocidit komunist janë me të vërtetë shokuese
1.- Të pushkatuar: 5548 Nga këto: 91 gra
2.- Të burgosur: 14563 Nga këto: 445 gra
3. Të vdekur në burg: 987 Nga këto: 7 gra
4. Të futur në Psikiatri: 308 Nga këto: 35 gra
5. Të internuar e dëbuar: 21401 Nga këto: 9322 gra
Gjithsej të pushkatuar e vdekur në burgjet e komunizmit: 6535 viktima
U pushkatuan, burgosën dhe vdiqën nëpër burgje
Klerikë katolikë 120
Klerikë bektashianë 83
Klerikë muslimanë 60
Klerikë ortodoksë 39
U shkatërruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare
-Xhami 740
-Kisha e manastire ortodokse 608
-Kisha e manastire katolike 157
-Teqe, tyrbe 530
Llojet e torturave që përdoreshin kundër të burgosurve
Pasqyra e viktimave ishte e madhe, por në mes të saj ishin torturat që përdoreshin nga hetuesia e kohës. Nga mbishkrimet e lëna nga Zoi Themeli dhe Naum Bezhani, dy ish-të dënuar politikë, thuhet një pjesë e torturave çnjerëzore. Tortura kryesore ishte jeleku, i cili ishte i nxehtë dhe u vishej të torturuarve direkt në trup. Torturë tjetër ishte kamzhiku dhe druri në shputën e këmbës, kjo e sillte goditjen nga lart poshtë, në mënyrë të njëtrajtshme. Tortura për njerëzit që duheshin eleminuar nga Sigurimi, presupozonte që i burgosuri të rrinte pa bukë, pa ujë, në këmbë me ditë të tëra, çka sillte dobësimin tejmase të të dënuarve, të cilët më pas vdisnin brenda dy viteve. Gjithashtu, nga torturat më të dhimbshme ishte vendosja në trup e rrymës elektrike, derisa të burgosurit t`i binte të fikët. Për të burgosurit që nuk e kishin arritur normën e punës në burg, i hidheshin në qafë zinxhirë të rëndë, si dënim për permomancë të dobët në çarjen e gurëve. Tjetër torturë makabër e hetuesisë ishte varja në tavan nga duart, derisa t'i arrinin gishtërinjtë në dysheme. Thyerja e kockave dhe ndukja e mishit me darë, si dhe futja në gojë e kripës në sasi të mëdha, ishte një tjetër torturë që bënin policët e burgjeve të urdhëruar nga hetuesit. Kur hetuesit kishin dyshime se i burgosuri nuk po raporton siç duhet tek Sigurimi i Shtetit, atëherë ata shtireshin sikur do i pushkatuart duke i gjuajtuajtur me plumba afër këmbëve. Djegia e mishit me cigare ishte një formë tjetër e torturimit, e cila përdorej për dënim për ata që thyenin disiplinën. Gjithashtu, tek malësorët përdorej tortura morale, duke i përgojuar anëtaret femra të familjes. Në disa shkrime nga librat e ish-të burgosurve ka dhe tortura të tjera, të cilat shkaktonin vdjekjen. Dhoma e torturave në burgun e Burrelit ishte dita e vdekjes për këdo që futej. Në burg ekzistonte shprehja "Kush hyn aty, maksimumi 1 vit jetë ka më pas".
Për t'u ardhur në ndihmë vizitorëve të ekspozitës, stafi i Muzeut, në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, kishte vënë në dispozicion një njohëse të mirë të pavionit, ku prej dy ditësh janë ekspozuar disa foto dhe telefilma nga krimet e komunizmit. Sipas saj, ekspozita është e ndërtuar mbi katër elementë kryesorë artistikë, ndërveprues me njëri-tjetrin. Elementi i parë është foto-instalacioni, që është dhe struktura bazë e ekspozitës. Janë rreth 180 metra linearë printime fotografish origjinale në cilësi të lartë, bardhë e zi, të cilat qarkojnë tërë ekspozitën, të kthyera në foto instalacione me ndriçim nga pas. Kjo teknologji është përdorur për të tërhequr vëmendjen maksimale të publikut tek mesazhi që përcjell ngjarja, si edhe për të krijuar gjendjen e gjysëm errësirës, të domosdoshme për këtë lloj ekspozite.
Elementi i dytë është një instalacion qendror, një gardh me tela me gjemba, 15 metra i gjatë dhe 3 metra i lartë, që është pozicionuar në qendër të ekspozitës. Përzgjedhja e këtij elementi është bërë për t'i kujtuar publikut një fragment sado të vogël të pamjes së përditshme të mijëra shqiptarëve, që vuajtën në burgjet dhe kampet e punës përgjatë sistemit komunist. Ky gardh me tela me gjemba është dhe një përkujtim për qindra shqiptarë, që u masakruan përgjatë diktaturës në përpjekje për t'u larguar nga vendi drejt Perëndimit. Gardhi simbolizon në të njëjtën kohë edhe barrierën e fundit të shoqërisë tonë, mungesën e vullnetit për t'u distancuar nga krimet e së shkuarës. Këto janë idetë që përbëjnë këtë instalacion (gardh) dhe e kthejnë atë në një element qëndror të kësaj ekspozite. Elementi i tretë janë projeksionet filmike, të cilat janë kolazhe vizive që shfaqin momente të përshkallëzimit të dhunës dhe krimeve të kryera gjatë gjithë periudhës së komunizmit, të cilat së bashku me foto-instalacionet janë materiale pamore origjinale që shfaqen për herë të parë. Elementi i katërt janë objekte të përditshmërisë së të burgosurve, të dhuruara prej tyre apo familjarëve të tyre, objekte këto që dëshmojnë histori tragjike njerëzore. Kjo ekspozitë, e para e këtij lloji në vendin tonë dhe me këto përmasa, reflekton në një linjë krejtësisht të veçantë, mbi murin e gipsit të shtrirë në brinjët e hollit kryesor të Muzeut Kombëtar, kombinimin e fotografisë me projeksionet video, kronikat dhe dokumentarë të kohës, vitrinat që mbajnë objekte të viktimave me zërat e llahtarshëm që dënuan në gjyqet farse të viteve 1943-1990. Sipas ministrit Pango, ekspozita është konceptuar në mënyrë të tillë që përmes efekteve të dritës, zërit, video projeksionet, të përfshijë emocionalisht vizitorët, sigurisht, duke i dhënë ndjesinë e të përjetuarit vërtetë momentet dhe ngjarjet e shëmtuara, po aq dhe reale. Pas fondit të akorduar nga qeveria për çeljen e kësaj ekspozite, për këtë projekt po investojnë një sërë institucionesh, duke kontribuar me dorëzimin e materialeve origjinale fotografike, dokumenteve, objekteve të përdorura nga të burgosurit, duke plotësuar anën vizuale dhe atë të përmbajtjes së ekspozitës.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi