Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Besim Muhadri: Shaban Lajçi - Artisti që mundohet të mbajë gjallë frymën kombëtare në mesin e shqiptarëve të Amerikës

Shko poshtë

Besim Muhadri: Shaban Lajçi  - Artisti që mundohet të mbajë gjallë frymën kombëtare në mesin e shqiptarëve të Amerikës Empty Besim Muhadri: Shaban Lajçi - Artisti që mundohet të mbajë gjallë frymën kombëtare në mesin e shqiptarëve të Amerikës

Mesazh nga Agim Gashi Thu May 06, 2010 8:29 pm

Besim Muhadri: Shaban Lajçi  - Artisti që mundohet të mbajë gjallë frymën kombëtare në mesin e shqiptarëve të Amerikës U1_ShabanLajci4

Besim Muhadri: Shaban Lajçi  - Artisti që mundohet të mbajë gjallë frymën kombëtare në mesin e shqiptarëve të Amerikës U1_BesimMuhadri
Portrete artistësh shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në SHBA


SHABAN LAJÇI - ARTISTI QË MUNDOHET
TË MBAJË GJALLË FRYMËN KOMBËTARE NË MESIN E SHQIPTARËVE TË AMERIKËS



Shkruan: Besim MUHADRI


New York, Mars 2009: Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot jetojnë me qindra e mijëra shqiptarë, të cilët këtu erdhën në kohë dhe periudha të ndryshme. Nga vende dhe krahina të ndryshme shqiptare. Secili nga ta ruan në vete historinë e ëndrrës amerikane. Kush më pak e kush më shumë ata ruajnë si kujtim të paharruar edhe peripetitë e arritjes në Amerikë; planet dhe qëllimin e ardhjes këtu, storiet e ndryshme të udhëtimit dhe deri te vendosja dhe pajisja apo jo me dokumente të shtetit amerikan.
Në këtë vend të mundësive, por edhe të zhgënjimeve të mëdha erdhën njerëz të thjeshtë, por edhe artistë, mjekë, shkrimtarë, inxhinierë e çka nuk erdhën. Me të arritur këtu u përballën me një realitet, ndryshe nga ai që e kishin menduar. Pa vonuar shumë për ta fillojnë befasitë, mrekullitë, vështirësitë, sfidat, mërzia, mundi dhe vazhdimisht të shoqëron ëndrra e kthimit në atdhe.



Mirëpo, me të parë se një gjë e tillë ndoshta është e pamundur, sepse janë rrethanat tjera ato që tashmë ta imponojnë një gjë të tillë dhe njeriu detyrohet t’i kthehet vetes, t’i kthehet mundësive e pamundësive dhe, për një moment, sikur pajtohet me realitetin. Shkrimtarët, krahas punëve të rënda dhe jetës shumë dinamike amerikane, provojnë të shkruajnë libra, në faqet e të cilave ka shumë mall për atdheun. Ka shumë vaj, lot, por edhe dëshira. Artistët sendërtojnë ëndrrat e tyre në përpjekje për të arritur sukseset e dëshiruara në SHBA, apo edhe për të ruajtur dhe kultivuar në një farë mënyre vlerat kulturore dhe shpirtërore të popullit të cilit i takojnë. Të kujtojnë dhe të ripërtërijnë kujtimin dhe respektin për vendlindjen, për tokën e të parëve dhe për kombin që i takojnë.


Besim Muhadri: Shaban Lajçi  - Artisti që mundohet të mbajë gjallë frymën kombëtare në mesin e shqiptarëve të Amerikës U1_ShabanLajci
Kur shpirti i artistit përballet me realitetin


Rugova është nje krahinë e njohur për kultivimin e vlerave të mirëfillta autoktone kulturore, nga e cila trevë kanë dalë një numër i konsideruar artistësh, shkrimtarësh, akorëvsh etj., të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në jetën kulturore, por edhe artistike e letrare të shqiptarëve të Kosovës. Është një plejadë e tërë e tyre të cilët sot kujtohen me pietet, ndërsa një numër i konsideruar ende janë aktivë dhe vazhdojnë të kontribuojnë në jetën kulturore shqiptare gjithandej ku flitet e shkruhet shqip. Mirëpo, shumë nga ta, për shkaqe ekonomike, por edhe për shkaqe të tjera, u detyruan të lëshojnë vendlindjen dhe të shpërndahen gjithandej rruzullit tokësor.


Në mesin e atyre artistëve shqiptarë, i cili lëshoi vendin e tij dhe u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është edhe Shaban Lajçi i Drelajve të Rugovës (1959), aktor, intepretues, instrumentist dhe recitues i talentuar, në shpirtin e të cilit lanë gjurmë të pashlyeshme këngët majekrahu, vallet autoktone si dhe meloditë e bukura të intepretura me instrumente popullore të trevës së Rugovës. Ky njeri i zellshëm i kulturës dhe i artit, i cili para dhjetë vitesh lëshoi Kosovën dhe arriti në Amërikë, sot punon dhe vazhdon aktivitetin e vet në fushën e aktrimit, por edhe në fushën e kluturës në përgjithësi në Qytetin e Nju Jorkut. Dhe ai me plot kujtdes mundohet që në këtë vend të kultivojë vlerat dhe traditat kultuorë shqiptar, me theks të veçantë ato burimore të trevës nga edhe vjen, Rugovës.
“Këto vlera me të cilat u rrita jam munduar që t’i prezantoj kudo që jam paraqitur, qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri, Amerikë e gjetiu”, shprehet me mjaft mallëngjim Shaban Lajçi dhe vazhdon: “Me aktivitetet që bëj dhe në të cilat po mundohem të kultivoj vlerat e trashëgimisë sonë kulturore autoktone, sikur po ndihem më afër atdheut. Kur shoh njerëzit që duartrokasin, që qeshin e qajnë njëkohësisht kur na shikojnë dhe na përcjellin në aktivitetet tona, sikur ndihem më mirë, ndonëse ka momente kur edhe ngushtohem dhe qeshi e qaj bashkë me ta”.
Shaban Lajçi dhe të gjithë ata që e shoqërojnë atë, qoftë këngëtarë e instrumentistë nga Rugova, të mbledhur rreth Ansamblit Autokton Folklorik “Rugova”, por edhe të grupit “Gurra e Rugovës” si dhe edhe pjesëtarë të tjerë të komunitetit shqiptar që jetojnë dhe veprojnë në SHBA me prezantimet e tyre, kudo në SHBA e gjetiu prezantohen me pika të mirëfillta të folklorit kombëtar. Karaktaeristikak kombëtare ata mundohen t’i paraqesn edhe përmes kostumeve të bukura kombëtare. Këto kostume sikur i japin hijeshi dhe madhështi, por edhe ua kujtojnë të pranishmëve identitetin e tyre kombëtar, që është edhe është qëllimi i Shaban Lajçit dhe i anëtarëve të tjerë të grupit që ata përfaqësojnë në Nju Jork.
Duke folur për punën dhe angazhimin e tij si aktor, recitator, por edhe si instrumentist, Shaban Lajçi rrëfen: “Si fëmijë, duke marr pjesë nëpër festa të ndryshme, në mua lindi një dëshirë për art. Në fillim prezentohesha me ndonjë recitim, pastaj me humor, këndim dhe vallëzim, ndërsa si frymëzim i përhershëm ishte Ansambli Autokton “Rugova”, i cili edhe sot e kësaj dite vazhdon aktivitetin e vet në kultivimin e vlerave kulturore të krahinës së Rugovës, vlera që mundohet dhe po ia arrinë që t’i transmetojë edhe të brezat e rinj”.
Ndërkaq, kur flet për fillimet e tij në fushën e artit muzikor dhe atë skenik, ai nuk lë pa përmendur me shumë mall dhe respekt mësuesen e tij të parë, zonjën Xheve Nikqi, e cila tek ai dhe tek të gjithë nxënësit e asaj treve ka lënë mbresa të pashlyeshme për punën dhe angazhimin e saj përkushtues.


Besim Muhadri: Shaban Lajçi  - Artisti që mundohet të mbajë gjallë frymën kombëtare në mesin e shqiptarëve të Amerikës U1_ShabanLajci2
Roli i Kabash Qaushit, rol që më mbeteti në kujtesë


Shaban Lajçi që nga vtiti 1977, kur edhe u paraqit për herë të parë në skenë para publikut, në dramën “Gjëmimi i atij dimri” të Teodor Laços, ka luajtur në dhjetëra shfaqje dhe ka interpretuar me dhjetër role. Në këtë dramë, regjinë e së cilës e kishte bërë profesori Mon Berishës, me të cilën edhe nis karriera e tij prej aktori, ai do të luajë rolin e Kabash Qaushit, rol i cili atij do t’i mbetet përherë në kujtesë, jo vetëm pse ishte roli i parë që luante në një dramë, por edhe për shkak të interpretimit me mjaft sukses në atë dramë dhe të mirëpritjes nga publiku.
Pas kësaj kohe Shaban Lajçi, me ndërprerje të herëpashershme, do të zhvillojë aktivitetin e tij në shoqëri e grupe të ndryshme kulturore, teatro amatore e profesiniste. Në Shoqërinë “Ramiz sadiku” të Pejës ai së bashku me shokë do të përgatis një numër dramash e pjesësh teatrale, nën regjinë e Aver Husajt. Pastaj do të angazhohet edhe në grupin dramatik në fabrikën e baterive në Pejë, pastaj në teatrin “Ndrekë Luca”, të cilin në atë kohë e udhëhiqte Agim Desku, ndërsa në mesin e aktorëve amatorë ishin edhe profesorët Avdi Kelmendi, Rrahmon Jasharaj etj., me përkrahjen e të cilëve do të themelohet edhe teatri “Aleksandër Mosiu” i Pejës.
Me këtë rast Shaban Lajçi përmend edhe ata që përkrahën themelimin e këtij teatri, por edhe të aktiviteteve të tjera që zhvilloheshin në atë kohë, pasi që u futën masat e dhunshme serbe. Këtu ai veçon Fadil Grabovcin, Gani Lajqin, Frashër Racin, Rudina Zharën, Ukshin Jasharajn, Florim Nikqin, Hysen Zeqajn, Arzana Alajn, e cila edhe luajti rolin kryesor në filmin “Jetimja”, pastaj Aver Husajn, Aliun, Agimin Xhevdetin, Flamurin, Gazin e shumë e shumë të tjerë.
“Puna jonë në këtë teatër gjatë viteve 1990-1999 ishte mjaft e frytshme dhe me plot suksese. Ne kishim një mision. Përveç që mbanim gjallë jetën kulturore gjatë atyre viteve në Pejë e gjetiu, ne mundoheshim që të mbanim të gjallë edhe frymën kombëtare” thotë Shaban Lajçi, i cili me këtë rast përmend njërin nga shtyllat kryesore të teatrit “Aleksandër Moisiu”, siç është z. Rrahman Jasharaj, me skenarët e të cilit teatri është prezantuar nëpër shumë festivale e përfaqësime të tjera në Kosovën e atyre viteve.

Besim Muhadri: Shaban Lajçi  - Artisti që mundohet të mbajë gjallë frymën kombëtare në mesin e shqiptarëve të Amerikës U1_ShabanLajci3
Interpretues i shumë roleve dhe pjesëmarrës në shumë festivale


“Nuk i harroj as festivalet e mbajtura në trevën tonë të okupuar Preshevën, ku jemi prezantuar me komedinë e Fadil Grabovcit, me të cilën edhe zumë vende të merituara dhe u vlerësuam lart. Megjithatë nuk mund ta harroj kurrë mikëpritjen e atyre vëllezerve e motrave, në krye me kryetarin e atëhershem të komunës, z. Riza Halimi. Kjo ka ndodhur në vitin 1994”, kujton sot Sh. Lajçi.
Kur flet për punën dhe aktivitetin e tij në fushën e artit dramatik, ai thotë se prej vitit 1990 deri më 1996 ka marrë pjesë në shumë festivale të grupeve amatore dhe profesioniste, që organizoheshin gjatë atyre viteve në Prizren, Preshevë dhe Prishtinë, ndërsa pjesët teatrale dhe dramat me të cilat është prezantuar me teatrin amator: “A. Moisiu” janë: ”Krushqit janë të ngrirë” të I. Kadaresë, “Gjemimi i atij dimri” , Teodor Laços, “Tokë e ndezur”, “Gremina e dashurise”, “Sikur t’isha djalë”, “Nita”, “14 vjeç dhëndër”, “Hakmarrja”, “Halili e Hajria”, etj. Pastaj me komeditë “Pacientet”, “Andrra e pushtetit”, “Masat e dhunshme”, etj.
Po ashtu ka luajtur edhe në një dramë të të ndjerit Qel Bardhaj, në të cilën prezantohet gjendja aktuale e viteve të pasdemostratave të tetëdhjetë e njëshit, ndërsa në të paraqiteshin edhe figura që kishin marrë pjesë drejtpërdrejtë në diferencimin dhe burgosjen e shqiptarëve. Në këtë dramë ai luajti rolin e Ali Hadrit, rol i cili u mirëprit nga shikuesit.
Mirëpo, Shaban Lajçi, gjatë viteve në vazhdim, do të luajë edhe në pjesë humoristike, të cilat edhe u xhiruan në videokaseta dhe u mirëpritën po ashtu nga publiku, i cili në atë kohë ishte ngulfatur nga mungesa e TV-së dhe e mediave, por edhe e jetës kulturore në përgjithësi. Ky do të jetë videoprojekti “Plagë në zemër” më autor Nazmi Lukajn. Ndërkaq do të luajë edhe në filmat “Jetimja” dhe “Mirupafshim në atdhe”, skenarin e të cilëve e kishte bërë Rrahman Jasharajt, kurse regjinë Fadil Grabovci.
Një fushë në të cilën ai e ndien veten mjaft mirë, është edhe ajo e recitaleve. Gjatë këtyre viteve ai ka përgatitur shumë recitale, ku ka deklamuar me plot sukses vargjet e poetëve shqiptarë. Një ndihmesë të madhe në këtë drejtim i kanë dhënë edhe Rrahman Jasharaj, Fadil Grabovci, Gani Lajçi, Frashëri, Aliu e shumë e shumë të tjerë, të cilët ai i falenderon nga zemra. “Ata nuk i kam harruar, por as ata nuk më kanë harruar mua. Sa herë që vi në atdhe ne takohemi dhe bisedojmë për të kaluarën, por edhe për planet që kemi për të ardhmen”, thotë Shaban Lajçi. Kur jemi te recitalet, ai nuk ngurron të thotë se vargjet që i flejnë më shumë në zemër atij dhe natyrës së zërit të tij janë ato të Gjergj Fishtës nga “Lahuta e Malësisë”.


Misioni i artistit është i shenjtë


Në vitin 2000 Shaban Lajçi emigron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në mënyrë që të shijonte kafshatën e hidhur të kurbetit. Vjen këtu në SHBA me një qëllim të vetëm: Që të bëjë diçka për familjen, për fëmijët, në ndërkohë që në Kosovë lufta kishte përfunduar dhe vendi po përjetonte momente të tjera në lirinë e shumëpritur. Dhjetë vite nën pushtim të egër, pa punë, atë, sikurse edhe një pjesë të madhe të shqiptarëve, por veçanërisht të njerëzve të kulturës, artit e të arsimit, e kishin lodhur, për të mos të thënë edhe e kishin shkatërruar materialish deri në themel.
Këtu larg atdheut nuk e ndiente veten mirë të ishte pasiv, sepse nuk dëshironte të shuhej shpirti i tij prej artisti, prandaj vendos që edhe në Amerikë të vazhdojë aktivitetin kulturor. Krahas punës dhe angazhimeve të përditshme në punë dhe atyre familjare, në dhe të huaj, mundohej të gjente kohë dhe të merrej me pasionin e tij, artin dramatik, por edhe korreografik etj.
“ U angazhova në Ansamblin “Gurra e Rugovës”, që funksionte në Nju Jork me të cilin grup bëmë emër dhe morëm pjesë në shumë manifestime kulturore që i organizonin shqiptarët dhe më pas edhe në Ansamblin “Rugova”, shprehet Shabani, i cili duke qenë një njeri i vullnetit të mirë, njeri i artit dhe i kulturës, dëshironte që tek emigracioni shqiptar që jeton dhe vepron në SHBA të ngjallte ndjenjën kombëtare. Të ruante trashëgiminë kulturore autoktone, jo vetëm të trevës së Rugovës, prej nga vjen, por edhe atë shqiptare në përgjithësi. Me këtë grup ai dhe anëtarët e tjerë do të marrin pjesë në shumë shtete të Amerikës, si në Nju Xhersi, Teksas etj.
Në kujtesë do t’i mbetet përkujtimi i 101-vjetorit të kishës autoçefale shqiptare, që u mbajt në Boston. me këtë rast, ata përveç që mbajtën një program të pasur kulturor, bënë edhe homazhe të varri i të madhit Fan S. Noli.
Shaban Lajçi gjatë kësaj kohe të angazhimit të tij në SHBA është prezantuar edhe nëpër manifestime të shumta kudo që organizohen në Nju Jrok, ndërkaq një rast i veçantë është edhe manifestimi me rastin e njëvjetorit të shpalles së pavarësisë së Kosovës, që u mbajt në Bashkinë e Nju Jorkut më 17 shkurt 2009, manifestim i organizuar nga Fondacioni Shqiptaro-amerikan, i udhëhequr nga aktivistët Esat Rizai dhe profesor Haxhi Berisha, por i përkrahur edhe nga Bashkia e Nju Jorkut. Në këtë manifestim morën pjesë një numër i konsideruar shqiptarësh, ndërkaq me këngë dhe valle autoktone.


Shaban Lajçi gjatë viteteve 2008 - 2009 mori pjesë në shumë festivale dhe manifestime kulturore, qoftë ato që organizohen në Amerikë, qoftë edhe në Shqipëri dhe në trevat e tjera shqiptare. Në vitin 2009 ai mori pjesë në festivalin e mbajtur në Rapshë të Malësisë së Madhe, ku së bashku me grupin “Mërgata e Amerikës” që garonte nga mërgata shqiptare e Amerikës, zunë vendin e tretë, ndërsa këngëtari i grupit, Haki Krasniqi, u shpall fitues i çmimit të parë të festivalit. Po këtë vit ai dhe grupi që e kishin pagëzuar “Diaspora nga Amerika”, do të prezantohen edhe në festivalin mbarëkombëtar të Gjirokastrës. Në këtë festival, edhe pse ishin mysafirë, lanë mbresa të pashlyeshme tek artdashësit, duke prezantuar vlera të mirëfillta të melosit burimor.
Dhe për punën dhe aktivitetin e tij në fushën e kulturës dhe të artit dramatik, Shaban Lajçi ka marrë shumë mirënjohje dhe falenderime, të cilat për të shprehin një respekt dhe një konsideratë për angazhimin e tij shumëvjeçar.


Komuniteti shqiptar duhet të organizohet më mirë- të hapen qendra kulturore


Paraqitja e tij para publikut ka një mision dhe ky mision është prezantimi në mënyrë sa më dinjitoze para mërgatës sonë, tek e cila ai dëshiron që të futë ndjenjën e kultivimit të mbamendjes kombëtare. Atë të kultivimit të tradidave kulturore dhe shpirtërore kombëtare. “Kur jam para publikut dhe sidomos para mërgimtarëve shqiptarë ndjehem mirë, sepse me këtë rast mendoj se jam duke kryer një obligim sado të vogël në kultivimin e vlerave kulturore dhe transmetimin e tyre tek brezat e rinj, që është edhe qëllimi kryesor i tërë punës sime që bëj këtu në Nju Jork”, shprehet ai.
Shabani, krahas punës në deklamimin e vargjeve të poetëve më eminentë shqiptarë, por edhe të krijimeve të tij, ai luan mjaft bukur edhe me instrumente. Ajo që të lë shumë përshtypje kohëve të fundit tek ky artist, është se ai luan për mrekulli me gjeth, që është një mjeshtëri e rrallë e artit shqiptar. Kjo natyrisht se tregon se kemi të bëjmë me një artist të gjithanshëm.
Aktivitetet e Shaban Lajçit në organizimin e jetës kulturore ndër shqiptarët e Amerikës janë të parreshtura. Ndonëse me shumë sakrifica dhe mundi, ai nuk ndalet së vepruari. Është i mendimit se edhe pse diçka po bëhet në organizimin e shqiptarëve këtu në Amerikë, megjithatë është kjo shumë pak, sepse në mesin e të rinjve dhe të rejave shqiptare që jetojnë dhe veprojnë sot në SHBA ka shumë talentë, të cilët për mungesë përkujdesjeje, ndoshta edhe po shuhen. Ai i bën thirrje mërgimtarëve shqiptarë, kudo që ndodhet në SHBA, veçanërisht komunitetit shqiptar të bisnesit si dhe Shoqatave dhe fondacioneve të shumta që janë këtu, që të mbledhin forcat në drejtim të investimeve në fushën e kulturës dhe të hapin sa më shumë qendra kulturore, në të cilat të rinjtë dhe të rejat shqiptare të kenë ku të zhvillojnë aktivitetet e tyre. Të kenë ku të shprehin talentin, ku të njihen në mes vete dhe ku të bashkohen. Sepse kjo do të ndikonte në ruajtjen dhe kultivimit të traditave kombëtare, të gjuhës shqipe. Në të kundërtën asimilimi do të jetë shumë i shpejtë.
Besim Muhadri: Shaban Lajçi  - Artisti që mundohet të mbajë gjallë frymën kombëtare në mesin e shqiptarëve të Amerikës U1_ShabanLajci5
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi