Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Vullnet Mato: PAS DALJES NGA VARRI

Shko poshtë

Vullnet Mato: PAS DALJES NGA VARRI Empty Vullnet Mato: PAS DALJES NGA VARRI

Mesazh nga Agim Gashi Fri May 21, 2010 7:47 pm

Vullnet Mato: PAS DALJES NGA VARRI 29221_1255628762010_1568334934_30509647_4674298_n



Vullnet Mato: PAS DALJES NGA VARRI 24329_1234865162933_1568334934_30475288_4637385_n






Vullnet Mato

PAS DALJES NGA VARRI

Tregim

Gazetari i pagjumë udhëtonte drejt Korçës për një shkrim të porositur nga revista. Gjithë rrugës kishte dremitur në sediljen e prapme të veturës së redaksisë dhe shoferi kishte bërë kujdes të mos e zgjonte.
Në hyrje të luginës së Shkumbinit ecja u bë disi e ngadalshme, për shkak të kthesave të shpeshta dhe te shkëmbi i Rrapunit makina u ndal. Shoferi doli me kujdes, pa e përplasur derën. Por prishja e regjimit zhurmues e bëri gazetarin të çelte sytë. Përpara u shfaqën tre barabanë të mëdhenj me tel të trashë për linjat e tensionit të lartë, që sapo ishin shkarkuar nga transportieri. Gazetari doli dhe u afrua te punëtorët që merreshin me sistemimin e tyre për të hapur rrugën. Pikërisht atë çast, vështrimi i tij u çvendos nga mjedisi i afërt dhe fiksoi lart në ajër një pamje krejt fantastike. Te mali përballë, në hapësirën ajrore midis dy brigjeve, një njeri lëvizte sipër telit të tensionit të lartë, mbi një biçikletë pa kopertona. Sa e çuditshme! Ngjante tamam si ekuilibristi i cirkut që çvendoset sipër telit, por pa atë shkopin e gjatë të ekuilibrit. Biçikleta e tij ishte kapur me kavo në telin tjetër të linjës përsipër. Lartësia nga teli deri poshtë, ku gurgullonte shkumbini, ishte mbi pesëqind metra. Një rënie nga ajo lartësi, ishte një vdekje qindpërqind e sigurt.
Gazetari bëri pak hapa drejt shkëmbit ndanë rrugës, për të dalë në një pozicion më të mirë soditës. Poshtë ishte një pjerrësi e thiktë që përfundonte direkt në lumin e thellë. Atij iu morën pakëz mentë dhe mbështeti dorën te shkëmbi gri. Atë çast u afrua pranë tij, njëri nga punëtorët e ndërrmarrjes së montimit të linjave të tensionit të lartë, që kishte dëgjuar për të nga shoferi.
Burri mesatatar me kominoshe dhe kasketë, i buzëqeshi gazetarit me druajtje dhe dy rrudha të thella u formuan te mjekra e tij e parruar prej ditësh.
- Or ti mik, është hera e parë që po sheh njeri me biçikletë mbi tel? – e pyeti ai befas.
Gazetari ktheu kryet dhe e përshëndeti me kokë.
- Po, po. Pas cirkut, është hera e parë që shoh një njeri me biçikletë kaq lart në qiell. Po ç'farë bën ai sipër telave?
- Shtrëngon morsetat dhe vendos izolatorët. Eshtë vëllai im , - tha punëtori me krenim.
- Vëllai yt?... Nga jeni ju?
- Nga Slatina e Mokrës.
- Ashtu, ë? Po ku mësoi yt vëlla të bëjë këtë punë të rrezikshme? - pyeti me kureshtje të dukshme gazetari.
- Këtu, bre, në punë.- shpjegoi punëtori me kominoshe. - Ne ishim të dy punëtorë të shtrirjes së telave në tokë. Duhej njëri që të punonte mbi biçikletë, për të zëvendësuar montatorin e sëmurë para ca kohësh. Dhe Tosuni kërkoi vet. E provoi dhe mbeti të punojë sipër telave. Atje paguhet mirë…
-Veçse aty paratë fitohen me qefin në kokë. Po, kaq shpejt i doli frika ? - u habit gazetari.
- Ngase të ketë frikë? - ia ktheu punëtori me kominoshe.
- Nga rënia, nga vdekja...
Punëtori qeshi dhe padashur pështyu poshtë në lumë.
- Tosuni e ka provuar, ka vdekur një herë e nuk ka frikë të vdes gjene.
- Kujt i thua vdekje ti? - shfaqi interes gazetari.
-Vdekjes tamam, bre, siç vdesin të tërë njerëzit e kallen nën dhé…
- Nuk e kuptoj, ma sqaro, se më duket si lojë fjalësh ! - ngulmoi gazetari.
Punëtori nxori paketën dhe ia zgjati. Gazetari e refuzoi cigaren. Ai ndezi të vetën me çakmak gazi.
- Si qënka lojë, bre, kush luan me vdekjen? Ajo s'bën shaka. Të përlan e të fut në tabut. Ja, ta rrëfej unë. Punonim te sharrat e Bishnicës në atë kohë. Tosuni u sëmur keq dhe zuri shtratin. Erdhi doktori e pa e i dha ca ilaçe. I piu po nuk i bënë derman. U bë më keq. Vdiq pa arritur ta shpiem në spitalë. Erdhi doktori në shtëpi gjene dhe firmosi letrën për ta varrosur. E gdhimë tërë natën mbi xhenazen e Tosunit. E qamë më lot i tërë fisi dhe të nesërmen në vakt të akshamit e kallëm në dhé te varret e fshatit ndanë xhadesë...
- Të gjallë? - u habit gazetari.
- Të vdekur, ore po të them!...
- E mbuluat me dhé?
- Tri metra thellë, bre!
- Po si u ngall nën tokë?
- Ja, u ngall, e ngjalli Zoti...
- Dhe doli vet nga varri? -shqeu sytë mbi të gazetari.
- Si do dilte vet me gjithë atë dhé përsipër, bre! Po e dëgjoi një fshatar që kalonte andej me gomar ngarkuar, kur thërriste që nga poshtë varrit. Ai na lajmëroi në shtëpi...
- Si ka mundësi të dëgjohej zëri aq thellë nën dhé?
- Nuk të besohet? Lagjja jonë e ka dheun shtuf. Ai dëgjohej mbytur si në qyp... Dhe ne rendëm të tërë me lopata. Hoqëm dheun, hapëm tabutin dhe e nxorrëm të gjallë, po gjysmë të alivanosur. Nuk thonë kot, bre, jatëgjati s'bëhet jetëshurtër...
- E çuditshme, e padëgjuar, të paktën për mua. Po si e vërtetoi vdekjen edhe mjeku ?...
- Doktori erdhi gjene në fshat, e na u lut të mos e hapim llafin se, siç tha ai, Tosuni paskishte rënë në një “koma” aq të thellë, sa asnjë doktor në botë nuk do ta kuptonte.
Gazetari u mbush me frymë dhe vetëm atëherë ndjeu ajrin e freskët që vinte nga poshtë lumit e hynte direkt në mushkritë e tij.
- Doktor për kafshët ishte ai, apo për njerëzit? - pyeti pas pak.
- Për njerëzit ore, ku ta di unë, po për atë punë e paguajnë edhe sot. Për kafshët kemi tjetër.
- Ai i kafshëve mund ta kishte kuptuar më mirë nga provat e pulsit, nga dëgjimi i zemrës me vesh... -vijoi shpjegimet e veta gazetari.
- Ia pa pulsin edhe ky, bre, ia vuri veshin mbi zemër ç'esa herë. Po zemra i kish mbetur top në vend. I qe bllokuar benzina dhe kur tubi u çbllokua vet, motori u ndez gjene, ashtu thotë Tosuni. U ngrit më këmbë molloisi ç’mbante mend, qeshi sa u tund shtëpia dhe pas një jave vajti te varri, i bëri mutin përsipër e nisi gjene nga puna. - punëtori qeshi me zë.
Gazetari u çel i tëri në fytyrë dhe e kundroi bashkëbiseduesin me sy të ndezur.
- Si mund ta takoj? Dua të shkruaj për të patjetër ! – gazmoi Gazetari i përpirë nga ky subjekt, që iu duk i rrallë, interesant dhe fantastik.
- E takon, posi bre. Në orën dymbëdhjetë zbret ai, për të ngrënë drekën dhe ngjitet gjene !
Gazetari vështroi orën. Ishte dhjetë e pak. Shoferi e pa që u mënjanua nga bashkëbiseduesi dhe iu afrua me shqetësim.
- Rruga u hap, do nisemi, se u vonuam?
- Jo, -tha gazetari, - Kam për të vjelur këtu një material tepër interesant për reportazh dhe pasdite nisemi për në Korçë.
Shoferi kundroi punëtorin një grimë, pastaj gazetarin dhe shkoi te makina.
Atje tej, mes qiellit dhe lumit gurgullues biçikleta e Tosunit lëvizte drejt skajit verior të telave me shkathtësinë e ekuilibristit që ecën mbi tel pa e humbur aspak toruan. Toka që rrëmbente të gjallët për t'i futur përjetësisht në gjirin e saj, tani ishte mjaft larg. Ndoshta atij i pëlqente të qëndronte në distancë me të, për të shijuar kënaqësinë sublime të mospasjes frikë nga asgjë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi