Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

ELIDA BUÇPAPAJ:KUTËRBON NEPOTIZËM DIPLOMACIA E KOSOVËS-Nisur nga skandalet më të fundit në diplomaci

Shko poshtë

ELIDA BUÇPAPAJ:KUTËRBON NEPOTIZËM DIPLOMACIA E KOSOVËS-Nisur nga skandalet më të fundit në diplomaci Empty ELIDA BUÇPAPAJ:KUTËRBON NEPOTIZËM DIPLOMACIA E KOSOVËS-Nisur nga skandalet më të fundit në diplomaci

Mesazh nga Agim Gashi Tue Aug 06, 2013 6:09 pm

ELIDA BUÇPAPAJ:KUTËRBON NEPOTIZËM DIPLOMACIA E KOSOVËS-Nisur nga skandalet më të fundit në diplomaci U2_Elida9

ELIDA BUÇPAPAJ:KUTËRBON NEPOTIZËM DIPLOMACIA E KOSOVËS

Nisur nga skandalet më të fundit në diplomaci©


Nga Ministria e Jashtme e Kosovës po njoftohet për çdo ditë nga një skandal. Në vend të njohjeve. Në vend që të dëgjojmë se Kosova për shembull u njoh nga filan shtet, nga shteti i kaq e aq, marrim vesh se numrin dy të Ambasadës së Kosovës në Zagreb e shtriu për tokë policia e vendit mikpritës, sepse voziste veturën me targa diplomatike në gjendje çmendurisht të dehur; një tjetër diplomate në Bernë, si e privilegjuara e ambasadorit, i pret e përcjell qytetarët e Kosovës me këmbët mbi tavolinë, pa i ulë hiç, ndërsa një tjetër diplomate e Kosovës, nga Berlini kësaj here kishte sulmuar fizikisht ambasadorin Vilson Mirdita dhe ky ishte ankuar në të thatë. 

Diplomatja në fjalë quhet Fatmire Musliu. Ajo është motra e deputetes të PDK-së, Ganimete Musliu, të cilën disa javë më parë na e panë sytë në sallën e Kuvendit të Kosovës si amazonë e kryeministrit Thaçi, me këpucë në dorë, alla hrushovçe gati me iu sulë deputetit të Vetëvendosjes Liburn Aliu, sepse ky i fundit nga foltorja kishte shprehur rezervat e tij për shefin e saj.

Numri dy i Ambasadës të Republikës të Kosovës alias zvambasadori alias ministri këshilltar në përfaqësinë e Kosovës në Zagreb alias Urtak Hamiti, që u arrestua nga autoritetet vendase, kur kishte humbur totalisht kontrollin e veturës dhe të vetvetes, është i biri i Sabri Hamitit, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, i nipi i Sami Hamitit, zyrtar i lartë në qeverisjen lokale të Prishtinës, i akuzuar për korrupsion dhe prapë i nipi i Muhamet Hamitit deri vonë Ambasador i Kosovës në Londër! Edhe diplomatja në Bernë, që shtypi e njofton me sjellje aspak diplomatike duhet të ketë diku një lidhje gjaku a fisi, që e ka prurë në shtetin me komunitetin më të madh të shqiptarëve nga Kosova! Vura pikëçuditëse në fund të fjalive dhe ndonjë grafoman mund të më tërheqë vemendjen drejtshkrimore. Punë e madhe fort. Unë i devijova drejtësisë të shkrimit për të treguar grafikisht se kjo që tregova deri tani më ka tronditur emocionalisht, më ka zemëruar dhe nuk e di nëse dikush ndan me mua të njëjtin emocion, apo aq ju bën, le të transportohet në Afrikë Kosova, në botën e tretë apo të katërt! Apo snobizimi europian veç na gudulis emocionet sa për të shkëmbyer disa batuta në facebook dhe tung pastaj!

Tronditja dhe shqetësimi më vjen sepse prej këtyre skandaleve krijohet imazhi negativ i diplomacisë të Kosovës në Europë e botë, pasojat e të cilës i vuajnë direkt shqiptarët e Kosovës, sepse t’i vuanin diplomatët ku do ta gjenim, por ata i vazhdojnë privilegjet sa të jenë brenda rrezes së pushtetit.

Unë mendoj se nuk ishte asfare i mjaftueshëm reagimi i Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, sipas të cilit „kjo ministri pret nga stafi diplomatik dhe konsullor i Kosovës nëpër botë që të ketë sjellje shembullore“. Por Selimi harron të kujtojë se është pikërisht ky dikaster që e ka emëruar dhe përzgjedhur stafin e vet të këtij lloji, me nipa e bij, motra e miq të kastës udhëheqëse, e cila kutërbon nepozitëm, arrogancë, mungesë profesionalizmi dhe klientelizëm politik, kur do të duhej që niveli i përfaqësimit të ishte më i larti, më solidi dhe më me integritet, sepse diplomatët e Kosovës janë ura lidhëse të shtetit të ri me Europën dhe botën, me institucionet ndërkombëtare dhe me metropolet vendimmarrëse për të ndikuar në përshpejtimin e proceseve dhe procedurave që Kosova dhe qytetarët e saj të mos trajtohen si qytetarë të dorës të dytë të Europës. Sa më të shkëlqyer të jenë diplomatët e Kosovës, aq më i shkëlqyer është imazhi. Sa më të dalë boje diplomatët, aq më i dalë boje dhe i zgjyrosur imazhi. Ndërsa me diplomatë politikë dhe të skandaleve, të cilët karrierën e tyre e lidhin me pushtetin dhe jo me formatin e tyre profesional, shteti i ri i Kosovës transformohet në një kooperativë folklorike. Me shumë keqardhje, por po e them, se shteti i ri i Kosovës ngjan me një Republikë bananesh.

Ministri Enver Hoxhaj është një diplomat me karierë teknicieni, por duket nuk ka ndikim tek Hashim Thaçi i cili mjaftohet me llogaritë e çastit dhe as i shkon mendja fare tek strategjitë afatgjata shtetformuese dhe shtetndërtuese. Petrit Selimi që njihet si fans i Thaçit, krenohet me arritjet e tij personale, ndërsa që të gjitha këto skandale ndodhin nën hundën e tyre, përpara syve të tyre nga varësit e tyre.

Diplomatë të tillë surrogato janë ata që bëjnë imazhin e Kosovës përpara syve të botës. Me sjelljet e tyre të papërgjegjëshme ata janë „delja e zezë“ që e frikëson Europën dhe e bën dyshuese për t’i mbajtur shqiptarët e Kosovës të margjinalizuar. Kur do të duhej që diplomacia e Kosovës të përfaqësohej me elitën e saj, e cila ekziston, paçka se nuk është pjesë e klanit të kastës.

MPJ e Kosovës ezauron me sukses diplomacinë partiake, ndërsa ka dështuar sa i përket një strategjie kombëtare, e cila do të duhej të përfshinte të paktën edhe dy shtete të tjera në Ballkan, shtetin amë dhe Maqedoninë, ku shqiptarët janë palë shtetformuese. Strategjia kombëtare do të duhej të përfshijë edhe diasporën, sot më tepër se kurrë të margjinalizuar dhe përçarë. 

Diplomacia e Kosovës merr eksperiencë negative padyshim edhe nga modeli i diplomacisë që ka ofruar shteti amë, brejtur dhe gërryer prej të njëjtave sindroma. Nepotizmi, klientelizmi, korrupsioni, trafiqet e mbajnë Kosovën në shenjestër si vend problematik dhe nuk e lejojnë të përparojë, ndërkohë që papunësia shkon deri në 60-70% dhe Kosova është vendi me popullsinë më të re në Europë, çka do të thotë se dramat sociale i vuan rinia e vendit, e cila ëndërron të bëhet ose si Rita Ora ose si Xherdan Shaqiri, por kjo arrihet vetëm jashtë e duke e braktisur Kosovën.

Shekullin e faktorizimit të shqiptarëve, diplomacia shqiptare po e kthen në disfavorin e shqiptarëve. Ky është skandali mbi të gjitha skandalet.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi