Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Syprina e qetë e detit pak para tërbimit

Shko poshtë

Syprina e qetë e detit pak para tërbimit Empty Syprina e qetë e detit pak para tërbimit

Mesazh nga Agim Gashi Fri Aug 07, 2009 1:28 am

Syprina e qetë e detit pak para tërbimit

Shkruan: Shaip Beqiri
Fletëza mërgimi: Mësuesja zvicerane e fëmijëve shqiptarë (1)

Syprina e qetë e detit pak para tërbimit Foto1_Shaipi_06
Mësuesja Romer midis nxënësve të vet në Uznach


Një nxënës që nuk e di gjuhën amtare,
e ka tepër të vështirë - në mos të pamundur
- të mësojë një gjuhë tjetër.

Antoinette Romer. Mësuese zvicerane. Një emër i rëndomtë që mund ta dëgjosh pothuaj në gjithë botën e këndejme dhe më tej.
Në përvjetorin e madh të kantonit të St. Gallenit edhe ajo ka përvjetorin e vet më të madh të jetës. Pikërisht në këtë vit ajo mbush të pesëdhjetat. Zonja Romer tash ka arritur në kulmin e pjekurisë jetësore e profesionale, pas të cilit është e natyrshme që çdo njeri të ndiejë lodhje.
Bisedimi ynë u bë pikërisht në këtë pikë të jetës së saj si mësuese, veçanërisht për përvojën e saj me nxënësit që vijnë nga vende të ndryshme të rruzullit.
Ajo flet fare pak dhe shumë shkurt për veten. Nga gjithë ajo që thotë merret vesh se ka lindur në Winterthur dhe është rritur në atmosferën e një shitoreje me gjësende shtëpiake (Geschäftshaushalt). Në vendlindje ka kryer shkollimin fillor, kurse në Rorschach atë për mësuese, ku edhe ka njohur bashkëshortin e saj të ardhshëm. Pastaj ka punuar dy vjet mësuese në Gommiswald. Në moshën 30 vjeçe kishte dy djem, të lindur brenda katër vjetësh. Në këtë rreth familjar kishte jetuar afër pesëmbëdhjetë vjet, kur kishte ardhur çasti i ndarjes nga bashkëshorti i saj që tashmë ishte dashuruar në tjetër grua. Pas ndarjes ajo për një kohë kishte jetuar vetëm. Dhe nuk e fsheh fare këtë gjakim jetësor - për të jetuar vetëm - të cilin duket se nuk ka pasur mjaft fuqi për ta arritur kurrë. Ndërkohë të bijtë (i madhi tash ka 24 vjet dhe i vogli 20 vjet), duke jetuar me të atin e tyre, kishin kryer kualifikimet shkollore: njëri për mekanik (Mechaniker) dhe tjetri për bankar (Bankkaufmann).
E ndodhur në këtë shtjellë të qetë jete ajo gjen burrin tjetër. Edhe ai i ndarë nga gruaja e vet e mëparshme, i mbetur me fëmijët e vegjël që po i rriste. Ajo një kohë kishte jetuar bashkë me burrin e ri e me fëmijët e tij, por as kjo gjendje nuk kishte zgjatur shumë. Përtej të gjitha këtyre rrethanave ishte gjakimi i saj i pamposhtur për të jetuar vetëm. Kjo ishte një dashuri që asaj i dukej se po i vidhej nga të tjerët, po i rrëmbehej padrejtësisht. Por e ndaluar nuk ishte!
Një zhvendosje në hapësirë e kohë
Është fillimi i qershorit. Vetëm disa minuta pas takimit të parë dhe njohjes me mësuesen Antoinette Romer në stacionin hekurudhor në Uznach arrijmë në një mësonjtore të vogël e të thjeshtë. Rrotull disa tavolinave të bashkuara në midis të mësonjtores qëndrojnë 6 - 7 fëmijë moshash të ndryshme. Djem e vajza. Të gjithë janë shqiptarë të Kosovës, më saktësisht të rrethit të Gjakovës. Duket se më shumë se gjithçka tjetër janë të përbashkëtat e këtyre fëmijëve ato që i kanë mbledhur ata nën këtë strehë të re.
Bisedën me ta përpiqem ta bëj sa më natyrshëm, ashtu kalimthi, por ajo rrjedh tepër vështirë. Mësuesja Romer sillet shumë lirisht me ta. Edhe ata e bëjnë të njëjtën gjë me të. Dhe pikërisht në këtë pikë ndalem dhe i sodis gjatë. Përqendrohem vetëm këtu: te sjellja e tyre lirisht... Një mjegullnajë e hollë përfytyrimi m’i largon fytyrat e këtyre fëmijëve nga sytë. Dua të shmang patetikën dhe t’i vëzhgoj me kujdes ecejaket e tyre të lira nëpër atë hapësirë të ngushtë. Tashmë ata bëhen të tjerë fëmijë. Në fanitjen time dalin fytyra të tjera fëmijësh, të cilët poashtu kanë gjithçka të përbashkët me këta këtu. Në të vërtetë unë kam bërë një lëvizje të vogël jo krejt të ndërgjegjshme në hapësirë dhe në kohë: nga Uznach në Huttwil, nga viti 2002 në vitin 2000. Për një çast gjendem në mësonjtoren me më shumë nxënës të mitë, të cilët kishin ardhur nga Kosova dhe unë po i jepja fund një viti të paharrueshëm shkollor me ta. Midis tyre më duhej të ecja me kujdes jo thjesht si nëpër një dysheme të vizllueshme, por si nëpër një fushë të pafund prushi! Ishte një vit i paharrueshëm me ato fytyra që më shumë se në gjithçka tjetër gjasonin në syprinën e qetë të detit pak para tërbimit. Pamjet e tmerrit të luftës, që kishin parë ata me sytë e tyre dhe që po i bartinin thellë në vete, kishin përftuar tek ta një mënyrë krejtësisht tjetër të kuptimit madje edhe të humorit. Nuk më shqitet nga mendja vlerësimi që i pati bërë vizatimit të të vëllait një nxënëse e klasës së shtatë: Si ia ke masakruar fytyrën kështu këtij të shkreti?! Në fillim pata menduar se asaj i kishte shpërthyer rastësisht një “metaforë” aq e egër në atë situatë të lirë, çfarë krijohet zakonisht në një orë vizatimi, por kisha gabuar shumë duke dashur të vetëmashtrohesha. Me kalimin e kohës si të thuash pata zënë të mësohesha me këso shprehjesh makabre, midis të cilave masakra zinte kryet e vendit.
Mësimi-lojë vazhdon me lojën-mësim
Mjegullnaja e përftuar pak më parë më tretet ngadalë para syve. Jo pa mundim përpiqem të vazhdoj dialogun me këta fëmijë, prej të cilëve shumica do të fyheshin po i quajte fëmijë. Për faktin se ata e ndiejnë veten tashmë të shkëputur nga fëmijëria, më shumë se gjithçka tjetër flet qartë kujdesi që u kushtojnë veshmbathjes, pamjes së tyre dhe sidomos mënyrës së krehjes dhe të qethjes së flokëve. Prej tyre vetëm njëri është në klasën e katërt, në të pestën nuk ka asnjë, kurse në të shtatën të tjerët dhe në të tetën poashtu është vetëm një. Ata mësojnë bashkë me nxënës të tjerë të huaj: turq e brazilianë, të cilët në kohën kur ishim ne atje, bënin tjetër mësim gjetkë, vetëm herë pas here hynin e dilnin krejt të lirë në atë mësonjtore.
Mësuesja nuk resht asnjë çast. Ajo merr e jep. I afrohet secilit veç e veç. Me asnjërin nuk bën të njëjtën punë. Dikur ndalet dhe i sodit lirisht derisa ata luajnë me letrat që ajo u kishte përgatitur më parë. Tërë mësimi zhvillohet në formë loje. Mësimi-lojë vazhdon me kërkimin e gjësendeve të ndryshme nga njëri-tjetri. Loja-mësim bëhet vetëm gjermanisht. Në pjesën e dytë nxënësit bëjnë dialog mes vete në një temë të caktuar. Sot bisedimin e bëjnë për lidhjet familjare. Mësuesja bën notimin duke ua numëruar pikët. Pas 20 pikësh ajo u jep atyre dhuratat e merituara. Mësimi tashmë është shndërruar plotësisht në lojë. Në fund bëjnë dialogun tjetër mes vete. Tema është kafjalli. Ata me lojë-mësim i japin fund një dite në shkollë, duke lënë prapa vetes çdo gjë në vendin e duhur. /Vijon
Shënim:
Ky reportazh i redakorit tonë Shaip Beqiri është botuar gjermanisht në librin “Die verbotene Liebe zum Balkan” / “Dashuri të ndaluara të Ballkanit”, Verlag Rüegger, 2003, Uznach, st.21–27, kurse tash botohet për të parën herë në „Bota sot“ në variantin origjinal të gjuhës së tij të shkrimit.

vijon


Edituar për herë të fundit nga Agim Gashi në Fri Aug 07, 2009 1:30 am, edituar 2 herë gjithsej
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Syprina e qetë e detit pak para tërbimit Empty Një botë e vetme ndërmjet dy gjuhëve

Mesazh nga Agim Gashi Fri Aug 07, 2009 1:29 am

Një botë e vetme ndërmjet dy gjuhëve

Shkruan: Shaip Beqiri
Fletëza mërgimi: Mësuesja zvicerane e fëmijëve shqiptarë (2)


Syprina e qetë e detit pak para tërbimit REPOR
Mësimi kryesor është bashkëbisedimi për gjithçka

“Dështimin” e një bisedimi paksa më të shtruar me këta nxënës që kanë ardhur kaq vonë në Zvicër (prej 9 muaj deri në 2 vjet më parë), përqendrohem ta kompensoj pastaj me mësuesen e tyre. Ajo rrëfen me hollësi për përjetimet e veta të punës me këta fëmijë. Ndonëse aty vijnë fëmijë nga gjithë rruzulli tokësor, ndër ta më së shumti ka shqiptarë të Kosovës, të cilët ajo i njeh më mirë se të tjerët. “Kam punuar shumë me ta dhe me prindët e tyre. Mund të them se ata vijnë me një sukses shumë të dobët në mësime. Më duket se suksesi në shkollë nuk ka ndonjë rëndësi për ta. Ka kaq shumë raste kur prindët e tyre duan t’i dërgojnë ata menjëherë në klasë të parë në shkollë, pa kurrfarë parapërgatitjesh të domosdoshme parashkollore. Sa kam mundur t’i kuptoj, qëllimi i tyre kryesor është që sa më parë të kryejnë shkollimin dhe të gjejnë çfarëdo pune, sepse që në fëmijërinë e hershme atyre u ngulitet në kokë paraja, automobili, fuqia... Por një gjë duhet ta them: janë të pastër.”
Udha midis humnerave pa fund
Përvoja gati dhjetëvjeçare e punës së zonjës Romer me klasat integruese në mësimdhënien e gjermanishtes si gjuhë të huaj flet qartë dhe saktë jo vetëm për një mentalitet tjetër dhe një botë plotësisht të ndryshme. Këta njerëz kanë shtrëngesa të mëdha ndër më të ndryshmet, duke filluar nga puna e rëndë që bëjnë për paga jo të larta, mirëpo në krye të herës ata për kohë tepër të gjatë mbajnë mbi supe barrën e përkujdesjes jo vetëm për ushqim e veshmbathje ndaj familjeve në vendlindje, por edhe për investimet që bëjnë atje për një rreth të gjerë. Po të shohësh angazhimin e tyre të përgjithshëm jetësor, del se pjesa e atij angazhimi përkitazi me ngritjen edukative-arsimore të fëmijëve të vet është vrima e mbramë e fyellit. Nuk janë pak ata prindë që mendojnë ende se fëmijës mjafton t’i japësh të hajë e të pijë, të veshet e të mbathet dhe të ketë një vend për të bërë gjumin! Përveç këtij segmenti të familjes, për t’u kuptuar drejt këta fëmijë, është e domosdoshme t’i hidhet një vështrim gjithë atij grumbullimi përmbajtjesh mësimore që u serviret atyre, sidomos mënyrës se si e bëjnë atë punë mësuesit e tyre, qofshin ata në vendlindje apo në diasporë.
Të gjitha këto më dalin përpara me një rend të prishur derisa bisedoj për të dytën herë me këtë mësuese zvicerane, e cila përpiqet ta artikulojë sa më saktësisht një rrëfim për përvojën e vet me nxënësit shqiptarë dhe të tjerët. Po të mos e kisha pasur atë përvojë timen të paktë të mësuesit së voni, sidomos në ballafaqimin me ato tekste të gjymta dedikuar nxënësve shqiptarë në diasporë, rrëfimin e saj ndoshta do ta merrja më shumë si shenjë lodhjeje të saj se sa një të vërtetë kaq të hidhur.
Tërë ky bisedim me zonjën Romer ma bën të patundur bindjen se një nxënës që nuk e di gjuhën amtare, e ka tepër të vështirë - në mos të pamundur - të mësojë një gjuhë tjetër. Shtjella e kësaj ideje për një çast më shkëput nga meditimet e mia të dyzuara, kur e sotmja e këtyre vogëlushëve më ngjizet me ditët e nxënësve të mi në Huttwil. Nga gjithë mësimi që bëja me kolegen zvicerane atje, efektin më të madh e kishin dy orët mësimore që bënim në praninë e njëri-tjetrit, kur mua më duhej që pas orës së saj të gjermanishtes të zhvilloja në vazhdim të njëjtat njësi mësimore në shqip me sqarime e me krahasime të nevojshme. Ai efekt lexohej qartë menjëherë në sytë e të gjithë nxënësve, të cilët njëkohësisht futeshin në kuptimin e një bote të vetme përmes dy gjuhëve.
Është edhe një problem tjetër i madh i nxënësve tanë, të cilin mësuesit e këtushëm nuk e njohin sa duhet për të kuptuar thelbin e gjithë çështjes: mësimin plotësues të shqiptarëve në diasporë dhe përmbajtjen e teksteve të dedikuara për ta. Për të mos e zgjatur shumë me këtë aspekt kaq thelbësor, duhet thënë se me atë mësim plotësues është bërë keqpërdorimi më i madh i një synimi shumë fisnik. Kushtet e mrekullueshme që ka ofruar shkolla dhe shteti zviceran për fëmijët shqiptarë janë shkelur më së keqi me të dyja këmbët nga një klan i njerëzve me gjithëfarë qëllimesh të tjera përveç atyre që do t’u përkitnin shkollës shqipe dhe fëmijëve shqiptarë. Në këtë mënyrë nxënësve shqiptarë në Europë nga ai klan djallëzor gjoja i udhëheqjes së shkollës shqipe u është mbyllur pothuaj çdo udhë e mundshme e nxënies së dijes dhe edukatës së mirëfilltë dhe u janë lënë në përdorim për të ecur përpara vetëm dy tela të hollë të çiftelisë dhe humnera e pafund rrotull vetes!
Kur ngatërrohet 14 me 40
Një temë kaq të gjerë e komplekse përpiqem ta shestoj me zonjën Romer jo për t’i shfajësuar fëmijët shqiptarë, qofshin edhe këta nxënës të saj, që me të vërtetë nuk kanë asnjë fije faji, por më shumë për të hedhur pak dritë në këtë pjesë kaq të errësuar jo pa qëllim të realitetit tonë. Asaj nuk ia them, por nëpër kokë më zëzëllon pareshtur bindja e plotë se diaspora shqiptare në përgjithësi punën e vet më të rëndësishme e ka lënë të mbramën: edukimin dhe arsimimin e fëmijëve. Megjithatë nuk është që në këtë punë s’ka pasur ndokund ndonjë rezultat, i cili kryekëput ka qenë individual dhe shumë i rrallë.
“Pak nga këta prindë preokupohen realisht me udhën e ngritjes së fëmijëve të vet,” vazhdon ajo derisa e pyes se ku i sheh dallimet midis zviceranëve e të huajve (sidomos shqiptarëve) në Zvicër përsa i përket shkollimit dhe edukimit. “Për shembull, zviceranëve u interson pikësëpari që fëmijët e tyre të arrijnë të ndjekin mësimet në nivel më të lartë (Sekundarschule), të kualifikohen (Lehre), të kenë standard të kënaqshëm, banesë të përshtatshme, të bëjnë pushime verore e dimërore; kurse për shumicën e të tjerëve, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët, këto gjëra s’kanë ndonjë rëndësi të madhe. Shumica e kosvarëve jetojnë në banesa dosido, ku në një hapësirë të vogël futen sa më shumë anëtarë familjeje. Ky është njëfarë kursimi i tyre. Një kursim tjetër e bëjnë duke kompensuar pushimet vjetore me kthimin në vendlindje! Një problem i pakapërcyeshëm përsa i përket shkollimit të këtyre fëmijëve është fakti se ata vijnë bukur të moshuar në Zvicër. Kjo ardhje e vonuar ndoshta bëhet me destinimin për punësim e jo për shkollim. Ç’mund të nxërë një fëmijë që vjen nga Kosova, për shembull, në moshën 14-15 vjeçe? Duket qartë se shkollimi është qëllimi i tij me më së paku interes. Ai vjen në shkollë në këtë moshë për të mësuar alfabetin dhe të numërojë deri në 100! Ky është një absurd. Kjo është një situatë e papërballueshme për të. Gjatë kësaj kohe, pra derisa ai të madhohet për të kryer ndonjë punë të rëndomtë fizike, mëson gjermanisht vetëm sa të merret vesh për gjërat më elementare. Unë po flas për raste konkrete dhe që i di shumë mirë. Bie fjala, babai i atij nxënësi, i cili në Zvicër jeton e punon qe 14 vjet, mirëpo këtë gjë ende s’di ta thotë gjermanisht: në vend se të thotë 14, ai thotë 40!” Zonja Romer duket e mishëruar me këso situatash, për të cilat flet me dhembshuri e keqardhje, duke mos e fshehur as lodhjen e vet dhe një dozë frustrimi që është reflektuar tek ajo.
“Pra, këta prindë kanë ardhur këtu të fitojnë dhe, duke i lënë familjet atje, kanë planifikuar që ato fitime t’i bëjnë me sa më shumë kursime. Natyrisht që ato kursime janë lidhur me sakrificat e tyre vetjake dhe me jetesën e familjeve të tyre në bashkësi të gjera familjare. Ndërkaq lufta në Kosovë i ka qitur në sipërfaqe dhe i ka bërë më dramatike këto gjëra, duke i detyruar ata që për shkak të rrezikimit të tyre atje t’i marrin familjet me vete. Kjo situatë i ka zatetur të papërgatitur ata dhe familjet e tyre”. / Vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Syprina e qetë e detit pak para tërbimit Empty Edhe ana tjetër e medaljes

Mesazh nga Agim Gashi Sat Aug 08, 2009 2:11 am

Edhe ana tjetër e medaljes

Shaip Beqiri
Fletëza mërgimi: Mësuesja zvicerane e fëmijëve shqiptarë (3)



Syprina e qetë e detit pak para tërbimit Diaspora
Mësimi që bëhet vetëm së bashku me të tjerët

Pas këtij dialogu bindem se ajo nuk ka bërë vetëm punën e një mësueseje të thjeshtë në kohën e orarit mësimor me nxënës, por ka vëzhguar duke depërtuar kaq thellë ndër shtresat jetësore të një pjese të madhe të njerëzve tanë dhe të tjerëve. Kyçin e këtij problemi dhe të shumë çështjeve të tjera që lidhen direkt me edukimin dhe ngritjen e fëmijëve e të rinjve ajo e sheh tek problemet me të cilat ballafaqohen pothuaj të gjitha gratë ballkanase, sidomos ato që kanë rolin e nënës. “Ato janë tepër larg çfarëdo procesi integrues në jetën e këtushme. Ato nuk dëftojnë madje as vullnetin më të vogël për një gjë të tillë. Si ta shpjegoj, për shembull, rastin e një fqinjes sime serbe, e cila jeton qe 12 vjet në Zvicër dhe unë nuk mund ta kuptoj kurrë se çfarë don të më thotë me gjermanishten e saj të pakuptueshme për askë!? Unë e kam vështirë të kuptoj se si nuk lejohen këto gra të ndjekin kurse të gjermanishtes e kurse të tjera për t’u aftësuar për një jetesë normale këtu ku jetojnë kaq gjatë. Përpjekjet e mia për të komunikuar me to kanë qenë të pamundshme për shkak të mosnjohjes së gjuhës nga ana e tyre”.
Dy goditje të ashpra përnjëherë
Bisedimin në këtë temë të re: gratë ballkanase, e cila do të ishte shumëfish më e thellë se e mëparshmja, e këpusim që në nismën e saj për të vazhduar ende për fëmijët dhe vështirësitë e tyre. Më intereson pikëpamja e zonjës mësuese që mbështetet në vëzhgimet e saj lidhur me dallimet e shqiptarëve dhe të huajve të tjerë këtu, me të cilët ajo është në kontakt të përhershëm. “Nuk ka dallime të mëdha midis gjithë ballkanasve. Ata janë bukur të ngjashëm njëri me tjetrin. Mirëpo tek të tjerët vihet re një interesim në rritje për kualifikimin profesional të fëmijëve të tyre, gjë që s’mund të them për shqiptarët e këtushëm. Ndërkaq fëmijët e viseve të tjera, për shembull ata që vijnë nga Amerika e Jugut (Südamerika), kanë më shumë probleme në nxënien e mësimit të gjuhës, por kanë një nivel më të lartë të diturisë së përgjithshme, sidomos në matematikë”, përgjigjet ajo me siguri të madhe.
Në një ditë të nxehtë vjeshte të hershme vazhdojmë për të tretën herë bisedimin me mësuesen Romer. Tashmë duhet të ravijëzojmë shumë çështje e probleme që së shpejti do të marrin trajtën e kristalizuar në korniza të një shkrimi të cilit s’duhet t’i mungojë asgjë. Sakaq marr vesh se ajo ka kaluar në një detyrë të re: mësuese e fëmijëve që kanë vështirësi të ndryshme në nxënien e dijes... Më duket më e lehtësuar. Sigurisht që nga vetja ajo ka hequr një barrë jo të vogël. Ndërkaq doja të shtroja një gjë që ajo s’ma kishte thënë asnjëherë, por që unë ia kisha lexuar asaj “ndërmjet rreshtash.” Ishte pikërisht brenga e kësaj mësueseje për mosefektin e duhur të punës së vet. Peshën e kësaj brenge nuk mund ta kuptojnë vetëm ata që s’e kanë provuar sadopak një gjë të tillë. Dhe derisa ajo flet me aq dhembshuri për frustrimin e këtyre të rinjve e të rejave të botës sonë, në një mënyrë tjetër e kuptoj thellë edhe njëfarë frustrimi të vetë asaj: “Këta fëmijë janë të goditur nga dy anë tepër të ashpra. Pasiqë ata vijnë në një moshë jo të përshtatshme për të bërë në mënyrë të rregullt gjithë shkollimin këtu, për ta është më mirë dhe më lehtë që gjërat elementare t’i mësojnë në një klasë speciale integruese se të futen me moshatarët e vet direkt në procesin mësimor. Nëse do të ndodhte kjo, që ata të futeshin në procesin e mësimit të rregullt, në ç’rrethana s’do të mund të përshtateshin kurrsesi, sepse s’do të kishin gjasa t’i kapnin rrjedhat aq të shpejta të atij procesi për ta, natyrisht që frustrimi i tyre do të ishte i madh. Nga këto raste të frustrimit rezultatet tashmë janë tepër të qarta. Djemtë bëhen shumë arrogantë dhe të papërshtatshëm për rrethin. Duan të demonstrojnë forcën. Dhunën. Kjo gjendje reflektohet poashtu edhe tek vajzat”.
Tmerri i fëmijëve të rritur pa lodra
I kthehemi edhe një herë nevojës së bashkëveprimit të shkollës, të familjes dhe të komunitetit përkatës. Dihet tashmë botërisht se komuniteti shqiptar në diasporë e bëri salto mortalen më fatale duke u organizuar në baza partiake, prej ç’ane edhe i erdhi stërkeqja mësimit plotësues shqip. Duke vënë në krye të kësaj pune të shenjtë veprimtarë karrieristë politikë në vend të mësuesve të vërtetë, të cilët nuk ishte aspak e vështirë të gjendeshin në çdo mes, shqiptarët ua këputën përgjithmonë njërin krah fëmijëve të vet, duke ua mbyllur atyre kështu njërin nga burimet më qenësore të formimit qytetar e kombëtar. Pasiqë kjo mundësi iu pre atyre që ta merrnin natyrshëm si ajrin që thithin, atë do të mund ta kompensojnë më vonë jo të gjithë dhe vetëm nëpërmjet një udhe të tërthortë dhe shumë më të vështirë e krejtësisht të panatyrshme. Në vazhdë të gjithë kësaj tingëllojnë së tepërmi cinike fjalët e këtyre fëmijëve që i dëgjoj për të parën herë nga goja e mësueses së tyre zvicerane: “Kur u them se ata disa gjëra më parë duhet t’i mësojnë në gjuhën e vet amtare që t’i kuptojnë pastaj gjermanisht, si në kor ma kthejnë se këtu kanë ardhur të mësojnë gjermanisht e jo shqip!”
Ajo nis të shpalosë përjetime të pafund të një pjese të madhe e shumë të rëndësishme të kohës më të mirë të jetës së vet. Më duket shumë e veçantë përvoja e saj me gratë ballkanase dhe jo vetëm me to. Posaçërisht me ato shqiptare. “Janë të vështira kontaktet me ato gra. Mirëpo unë i kuptoj dhe i akceptoj. Pikësëpari ato nuk dinë të flasin gjermanisht e as të lexojnë kurrqysh. Janë të mbyllura. E keqja më e madhe është se atyre u mbeten shumë punë mbi shpatulla. Burrat e tyre punojnë tërë kohën, kurse ato janë gjithnjë në shtëpi. Ndërkaq fëmijët çdo gjë bëjnë nëpërmjet tyre. Mund t’u thonë se kanë apo nuk kanë mësim e detyra, se duhet të bëjnë këtë gjë apo diçka tjetër. Pasiqë ato nuk kanë mundësi t’i mbikëqyrin dhe të binden vetë, janë të shtrënguara t’u besojnë fjalëve të fëmijëve. Kurse ata e njohin shumë mirë këtë hapësirë manovrimi, prandaj edhe e përdorin si të duan vetë... Për to është gjithçka në rregull!”
Më bën përshtypje një vëzhgim interesant i kësaj mësueseje me përvojë: “Është e tmerrshme si nuk kanë kurrfarë lodrash në shtëpi këta fëmijë! Kjo është një mungesë e madhe, të cilën ata përpiqen ta kompensojnë me lodrat në çerdhe apo në shkollë”.
Në takimin e fundit të këtyre ditëve me zonjën Romer bisedimit tonë i vëmë edhe një rreth përsëritjesh në vend të pikës së madhe. Ajo duket më e këndellur pas kthimit nga udhëtimi i saj i fundit në Kinë, ku qe sa kohë i biri më i madh jeton e punon. Sa nis të hapë një parantezë teme të re për vizitën vendit të largët, vetvetishëm hyjmë në bisedën tjetër për vendin e ri të punës së saj, për të cilin flet si për një vendpushim ku do të rrijë paksa më gjatë pas një pune të mundimshme.
Jashta kornizave të këtij shkrimi kanë mbetur edhe shumë gjëra të vogla e të mëdha që do ta bënin më të plotë portretin e kësaj mësueseje. Ka mbetur pa u thënë ndonjë fjalë për angazhimin e saj në një bandë muzikore, për pasionin e madh të leximit të çfarëdo literature dhe sidomos për shëtitjet me shokë e shoqe në malet e afërta. Tek ky pasion i fundit i saj ndoshta fshehet përgjigjja për pamundësinë e realizimit të një gjakimi të saj të mëhershëm - për të jetuar vetëm.
Pas ndarjes prej kësaj mësueseje u përpoqa disa herë të përftoja një skicë të qartë se a do të duhej t’i bëja profilin përmes atyre copëzave të rrëfimit të saj për ne e të tjerët, apo diçka krejt të kundërt, ato copëza rrëfimi të jepnin vetvetiu portretin për të cilin po përpiqesha të bëja një kornizë të thjeshtë jo pa mundim të madh. A delte ai si kërkim i lirisë në vetmi, apo ishte një vetmi pa kukulla buzëpërgjakura!? E mua vazhdimisht më shtrëngonte ankthi i një dileme apo mungese. Në çfarëdo qasjeje mungesa e anës tjetër më dukej e pakalueshme. Ajo shpërthente me egërsi e tërbim të papërmbajtur. Mungesa në këtë shkrim po futej në labirintin e kureshtjes sime nga një sferë tjetër, që ishte medalja e plotë e së vërtetës, apo edhe ana tjetër e medaljes... Brenga ime se po gdhendja vetëm njërën anë të medaljes, duke “nënshkruar” që më parë marrëveshjen për të mos prekur në anën tjetër, nuk më lë të qetë as tash kur më duhet të var këtë portret në ndonjë mur dhe t’ia kthej shpinën. Pikërisht në anën tjetër fshehet drama e njëmendtë që duhet kërkuar më tej. Gjithnjë. /Fund.
Bern, 26 nëntor 2002
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Syprina e qetë e detit pak para tërbimit Empty Re: Syprina e qetë e detit pak para tërbimit

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi