Naser Aliu: Vdekja ime
Faqja 1 e 1
Naser Aliu: Vdekja ime
Naser Aliu: Vdekja ime
Në semafor ndjeva një therje në gjoks dhe pastaj dhembje. Largësia e frymëmarrjeve nga njëra tjetra u rrit. Ato u bënë më të thella dhe më paqësore. Shpërqendrim herë i lehtë, herë i rëndë mendor dhe mbylla sytë. Pesë frymëmarrjet e fundit ishin më të misterioze dhe përkula kokën mbi timon. Në këtë çast vendosa t’i lajë hesapet me botën. Në frymëmarrjen e katërtë u fala mëkatet atyre, që me intriga apo shpifje kishin penguar ecjen time. Të gjithëve. E treta u vonua pak më shumë dhe vetëdija pësoi një zhgradim marramendës, terrësorë. Truri nuk po furnizohej më si duhet dhe m’ u shfaqen imazhe të ndryshme. Ngjyra, ylbere, profetë, engjëj dhe një tunel i errët me një dritë fosforike në fund. Megjithëkëtë, arrita t’u kërkoj ndjesë edhe viktimave të mia. Nuk kisha në repertorin biografik asnjë, por nuk dihet, ndoshta dikë kisha dëmtuar pa dashje dhe pa vetëdije. Në të dytën, që u vonua akoma më shumë se e treta, iu luta të gjithë profetëve, derisa ata po parakalonin para syve të mi, njëri pas tjetrit. Më mirë t’i lusë të gjithë, thash me vete, ndoshta njëri apo tjetri ndjehet i diskriminuar dhe më bën probleme atje. Pastaj nuk di më çka ndodhi. U fik drita dhe m’ u duk se sytë e përthekuan qiellin në mënyrë të plotë, përmbledhëse, krejt përfshirëse dhe të fiksuar.
Në çastet e fundit përjetova edhe një ndjenjë gëzimi se më në fund do të takohesha me të vërtetën e madhe ballë për ballë. Në jetë gjithmonë habitesha me njerëzit dhe tmerrin e tyre nga vdekja, edhe pse i besonin përjetësisë. Pse kur ka aq shumë premtime të mira? Pse kur atje është më mirë se këtu, pse këto trishtime të thella? Këtë nuk e kuptoja dot. Vdekja është e zakonshme. Asgjë e re. Dukuri natyrore, Zoti është i mirë dhe mbi të gjitha, i paanshëm, thosha me vete. Unë kisha më shumë frikë në jetë nga zotërat e vetëshpallur, të shtrembër, se sa nga Zoti i vërtetë, i drejtë...
Vdekja, mirëpo, nuk është as risi, as çudi. Më vonë vdekja si e jona, me jetëgjatësinë tonë, do të jetë habi. Kështu mendon profesori Aubrey de Grey nga universiteti i Kembrixhit. Gjatë jetës, në nëndije, në një alter ego rebele e me rrebe, herë pas here zotëronte një bindje, se ndoshta unë, pikërisht unë, nuk vdes.
Ndoshta bëj përjashtim, mendoja. Ose zbulohet ndonjë medikament. Profesor Grey mendon se pleqëria mund të shtyhet dhe njeriu nuk duhet të vdesë para një mijë vjetëve, metoda: me anë të bioteknologjisë, në baza molekulare të aftësohet trupi për të bërë vetëndreqje, mirëpo unë nuk prita dhe u dorëzova. Për fat, ika. Shpirti fluroi dhe trupi mbet. Unë isha gati po ai, edhe si shpirt. Tani jo më një tërësi fizike, fiziologjike, por me një ndërtim transcendent, jo lëndor, jo nga materia e qelizat, por nga një paramorfologji hyjnore. Isha përsëri njeri dhe për çudi i veshur me rrobe. Si ato rrobe e mia blerë enkas për vdekje, por edhe këto të bëra nga një ante-antimaterie hyjnore.
Ndihma e shpejtë dërgoi trupin tim në spital. Shoqja e tronditur lajmëroi disa veta, që më donin. Madje, në kundërshtim me marrëveshjen, ndoshta nga dhimbja, ndoshta nga rrëmuja gjykuese, kishte lajmëruar edhe disa veta, që nuk doja t’ i takojë, as i gjallë, as t’ i shoh si shpirt.
Testamentin e pata bërë gati disa vite para vdekjes dhe dy herë e ndryshova: Në fillim pata shkruar se dëshiroja të varrosem elegant, i rruar, me kollare dhe këpucë të lustruara mirë. Paratë për arkivolin e bukur dhe të punuar nga druri i qershisë-, qershitë m’ i kishte ënda në jetë-, i pata lënë gati, veshmbathjet i ruaja në dollap. Kisha punuar tërë jetën, thash me vete dhe dua të varrosem me një arkë si duhet, madje edhe kisha shpresë se mund të takohem atje me njerëz nga kultura dhe doja, si shqiptar, të paraqitem shembullor, i veshur bukur, me sqimë e krenar. Pastaj edhe para Zotit, në Gjykatë, dëshiroja të paraqitem hijshëm dhe me dinjitet.
Në testamentin e parë pata kërkuar në arkivol telekomandën dhe celularin. Nëse ka nevojë, mund të dërgoj një sms apo t’ ia ndërroj kanalet televizive shoqes, sa herë dua t’ia rikujtojë dashurinë tonë. Ndoshta mendoja se vdekja ime nuk ishte tërësore, por disi e pjesshme dhe se mund t’ i kryeja ca detyra nga mbretëria e Hadit.
Përveç gjësendeve, në testament shprehimisht shkrova se duhet të varrosem te varret e jo duhanxhinjve. Nëse ka, nëse jo, sa më larg prej tyre. Cigaren në jetë, aq sa e doja, aq më shumë më urrente. Pak më vonë ndërrova testamentin. Vendosa të digjem. Celularit dhe telekomandës i harxhohet bateria dhe nuk kishin kuptim. Shkova në vendlindje dhe bleva një qyp të vogël. I bërë nga balta, nga glina e kuqe me cilësi të lartë atdhetare dhe patriotike. Si ata qypat e vegjël, ku futen edhe turshitë. Si turshitë sepse pas vdekjes edhe unë tjetërsohesha, konservohesha si ato dhe nuk prishesha më kurrë.
Qypi, ndoshta më jepte shpresë se një ditë kthehem. Kur të jenë turshitë gati, njerëzit pyesin: A erdhën turshitë? Ndoshta pikërisht kjo më kishte shtyrë ta zgjedh qypin. Mirëpo, me siguri, nuk e di as vet. Sidoqoftë afati i skadimit: kurrë! Domethënë në një fare mënyre isha i gjallë dhe i pranishëm në qyp. Madje, pata kërkuar të qyposem anonim. Arsyen, nuk e di.
Diçka tjetër nuk më duhet, mendova derisa po ndryshoja testamentin. Mora një zarf të madh dhe e mbylla duke ia treguar shoqes. Të hapet në prani të një notari, i thash.
Ajo pohoi duke tundur kokën e hutuar dhe nuk tha gjë. Ndoshta mendonte se brenda do të gjente edhe xhirollogari të fshehtë, por me përjashtim të dëshirave të mia, falënderimit për dashurinë, për kryeveprat tona, nuk kishte gjë tjetër dhe ndonjë detyrim të pa shlyer, që do lija si trashëgim apo kujtim të përdhunshëm.
Ishte një ditë e ftohtë dhe me shumë borë. Këtë vit flitej me brengosje të madhe për gjendjen në planetin Tokë dhe se gati-gati po dhunonim ecurinë normale të evolucionit dhe po vinim në lëvizje një evolucion të ri, që askush nuk dinte se si do të përfundojë, çka do të prodhojë e çka do të asgjësojë. Po cenohej projekti i profesorit Aubrey de Grey. Madje, specialistët e gjenetikës arritën të konstatojnë se diku-diku gjenet kishin pësuar një mutacion në kod: supozohej se kjo klimë, mund të ndikojë që njerëzit të lindnin pa sy ose pa veshë. Kjo, mirëpo, nuk brengosi njeri, sepse disa popuj edhe me sy, nuk shihnin, disa të tjerë, edhe me vesh nuk dëgjonin. Disa nuk dëshirojnë as të shohin e as të dëgjojnë njëkohësisht. Ishin shumë shekuj kështu, kështu do të mbeten edhe një copë herë.
Aty nga ora pesëmbëdhjetë dola në qytet me makinë dhe në semafor pësova goditjen e parë në zemër. Dëgjova vetëm sirenat e makinave pas meje dhe mbështeta kokën në timon. Ndihma e shpejt erdhi ashtu si emri i saj. Më shtrinë në trotuar dhe përpiqeshin të më kthejnë përsëri në jetë.
Unë nuk kisha më dëshirë. Më mirë po shkoj, thash me vete. Mjeku më vuri një maskë për frymëmarrje. Shpirti, që pat marrë trupin tim me qira, fluroi dhe tani vështroja njerëzit nga jashtë; fytyrat e tyre dhe çehren, që prodhonte gjendja ime.
Vdiq, tha një këmbësor dhe u largua disa hapa nga frika. Pas tij edhe dhjetëra njerëz. Mjeku dhe infermierja ngritën kokën dhe i vështruan të mërrolur. Për herë të parë pash se dikush kishte frikë prej meje. Kjo nuk më pëlqeu. Kur lëvizesha, askush nuk tutej nga unë dhe këtë e konsideroja sukses të madh. Vetëm kështu, u mundësoja njerëzve të jenë të sinqertë me mua dhe kjo më pëlqente dhe më bënte krenar. Tani, i shtrirë në trotuar, tmerroja njerëzit. Çudi! Për një çast m’ u duk trupi im si një armë trishtuese, biokimike. Më vendosën në një barelë, pastaj në ndihmën e shpejtë dhe u nisën me nxitim drejt spitalit. Grumbulli i njerëzve u shpërnda.
Për varrim te Oborri Paqësor kishin ardhur edhe shumë fytyra të panjohura, edhe disa që nuk më donin. Nuk kishin ardhur për mua, por për vete, për bamirësi, për t’ i fituar edhe ata ca pika për parajsën e tyre ideale, nga tragjedia ime tragjike. Për të fituar pikë nga unë, nga i vdekuri dhe për ta penguar shoqen në përjetimin e dhembjes. Nga egoizmi, thash me vete dhe i vështroja si rrinin gjoja të mërzitur, me fytyra gjoja të vrenjtura, por me një nënqeshje gati të fshehur, që nuk mund ta fshihnin nga fytyrat e tyre gati të pafytyra.
Fjalimi mortor u mbajt nga një mik. Ai foli aq mirë për mua, sa habitesha sa i mirë paskësha qenë dhe kurrë nuk e kisha besuar. Kortezhi më shikoi edhe një herë dhe punëtorët e institutit për nëntokëzim, mbyllën kapakun e arkivolit dhe dërguan trupin tim në furrë, ashtu si pata kërkuar me shkrim.
Ata u larguan, unë u nisa drejt qiellit. Shpirti im fluronte më shpejtësi shumë më të madhe se sa shpejtësia e dritës. Pas shtatë minutave tokësor, kalova rrugën e qumështit dhe në skaj të galaktikës sonë, aty, në dalje, vura re një planet gati si Toka: i bukur e plot jetë, shumë njerëz duke punuar arat. Në atë Tokë, përveç duarve, njerëzit kishin edhe flatra dhe fluturonin. Zoti tyre kishte thënë se duhet ta punonin fushën dhe ata ishin besimtarë të mëdhenj dhe nuk bënin punë tjetër. Ajo Tokë ishte një milion vite më e vjetër se e jona. U ndala ca në orbitën e këtij planeti dhe nuk dija në ç’ drejtim tani.
M’u afrua një nëpunës qiellor dhe më tha: Vazhdo! Këtu ndalohet dremitja. E shikova i mërzitur dhe thash: Nuk di në cilin drejtim, këtu paska shumë shenja. Ato ishin gjigante, luhateshin në qiell dhe krijonin korridore në mes vete. Qindra korridore dhe çdo korridor kishte ngjyrën e vet.
Europian?
Po, i thash.
Këndej, në këto qindra korridoret e para. Vetëm si hyrje, pastaj mbërrin në planetin Gjykatë. Pas shqyrtimi kryesor, pasi të dezinfektohesh nga deliktet mund të shkosh edhe te kontinentet tjera, por të duhet vizë!
Edhe këtu, gati bërtita, nga habia.
Për shkak të rregullores së re qiellore, nuk i përziejmë më popujt, kështu harmonia është e përkryer...Pse quhesh Naser?
Nuk e di. Ndoshta pse gjyshi kishte lindur në një tjetër Perandori. Ndoshta ai shpresonte se bëhem kryetar...
A je bërë, më pyeti nëpunësi seriozisht. I tregova pastaj se për t’u bërë kryetar, njeriu duhej të ishe gënjeshtar i madh, të kishte fytyrë të madhe të pafytyrë, prapanicë të madhe karrigofile, vetëngjitëse dhe mua më mungonin këto cilësi mbinjerëzore.
Ke bërë mirë, kryetarët i nënshtrohet një shqyrtimi të posaçëm, ata nuk përgjigjen vetëm për veten, por edhe për krejt njerëzit e vendi të vet, për çdo njërin, më tha dhe më bëri shenjë me dorë për të vazhduar flurimin.
A janë edhe tjerët kështu serioz si Ju, i thash. Erdha me gëzim, tani kam frikë këtu.
Nuk e di, ato janë reparte tjera dhe nuk përzihem në kompetencat e tyre, por këtu zotëron drejtësia absolute, mos ki frikë, më tha përsëri shumë seriozisht.
Nuk qenka mirë, thash me vete dhe u pendova pse vdiqa. Flurova tutje shtatë minuta të Tokës dhe aterova në planetin Gjykatë. Çdo gjë dukej e përkryer dhe me një harmoni marramendëse. Kishte më shumë mrekulli se sa mund ta merrnin me mend krejt banorët e Tokës, veç e veç. U gjenda para një pallati madhështor me një amfiteatër të madh sa Kosova, ku ishin mijëra nëpunës me kompjuter para vete dhe në oborr aterronin shpirtrat pa pushim. Nëpunësit ishin të specializuar për evropianët dhe deliktet e tyre. Aty ndahej e mira nga e liga. Pas disa çasteve, u gjenda edhe unë para nëpunësit.
Mirëqielli, i thash shqip.
Mirëqielli, u përgjigj shqip.
Nuk më merr në pyetje Zoti, pyeta unë.
Në Tokë, të gjykon gjykatësi apo presidenti?, pyeti ai. E vështrova i zhgënjyer, por nuk thash gjë.
Zotin e shohin vetëm njerëzit e përkryer, të jashtëzakonshëm ose kur nisë vdekja e universit...
E kur nis kjo, e ndërpreva i trishtuar se më pret edhe një vdekje.
Kurrë, tha kategorikisht. Ufffaaa, klitha i çliruar.
Zoti mund të shihet, vazhdoi ai, edhe kur kemi një mbledhje universale. Se a mund ta shohësh edhe ti, nuk dihet akoma, pas analizave...
Në këtë çast kaloi pranë një nëpunëse më e bukur se bukuria: me shtat të gjatë, të hajthëm dhe me një ecje marramendëse e krenare.
Kur mund të bëjmë seks këtu, pyeta nëpunësin.
Kur të duash! A i ke marrë me vete organet gjenitale?, më pyeti ai.
Jo, i thash, nuk i kisha, kishin mbetur poshtë.
Këtu nuk ka as lindje, as vdekje, as shumim. Këtu ka jetë të pakufishme. Përjetësi. Seksi i shërben evolucionit. Këtu nuk është Tokë dhe nuk ka evolucion, por përfundim i evolucionit, i përkryerjes. Aty ku hahet dhe pihet, ekziston edhe lindja edhe vdekja. Këtu, jo! Njerëzit e planetit tënd këtu nuk ndahen në gjini, por gati të gjithë vishen me aurorë hyjnore. Profesioni?, shtoi duke ngritur kokën.
Profesor i gjuhës për shkolla të mesme, por punoja si përkthyes...
Diçka tjetër, a dini?
Po, atje shkruaja përralla për të gjallët...
Ti ishe ai, që pat dërguar letër Zotit?
Po, i thash.
Veni dorën mbi këtë xham!
E vura aty dhe në një ekran u shfaqën jeta dhe të bëmat e mia.
A e bëre publike përgjigjen e Zotit?, më tha duke parë në ekran.
Jo, i thash, mund të zhgënjente njerëzit, që mendonin se janë në koalicion me Zotin...
Çfarë feje ke besuar?
Të gjitha ose asnjërën: më shpesh politeist, agnosticist. Ndonjë herë budist, hiduist, daoist, pastaj kur i kisha punët pisk tre fetë monoteiste, në bazë të kompetencave që kishin ato, pastaj deist universal e kështu me radhë, varej nga nevoja. Në pubertet i besoja fesë marksiste. Kur i kisha punët mirë, ateist, moralist, nuk kisha kohë të mendoj për Zotin dhe e lija të qetë t’ i ndihmojë ata që kishin nevojë më shumë se unë...
Pse kaq konvertime?
Nuk më mjaftonte njëra. Ose më fuste në një kornizë. Ose nuk kishte përgjigje për pyetjet e mia. Unë si njeri, adhuroja lirinë e të menduarit. Kërcimet nga libri në libër, më mundësonin perceptim më të qartë.
Pse politeist?
Besoja se Zoti ka edhe punë tjera, më të rëndësishme dhe më urgjente, për shembull ndërtimin e planetëve të rinj, rreshtimin dhe rirreshtimin e galaktikave, kështu nuk merret me mua dhe dërgon Zotin tjetër, kolegen apo kolegun. Mendoja se çdo galaktikë, nga mijëra, që ne i kishim zbuluar, kanë Zotin e vet...
Mirë, tha, eja me mua.
Ke besuar në ekzistencën e djallit?
Kurrë!
Pse?
Mendoja se e liga nuk mund të mbijetojë gjatë. Zoti nuk e duron. Kam një pyetje, ju lutem.
Po!
Pse kam jetuar?
Për të mësuar një profesion.
Hëh!, gjëmova unë, edhe këtu punë.
Natyrisht, tha nëpunësi. Përndryshe, do të çmendeshe nga mërzia.
Si shpërbleni, si dënoni njerëzit këtu?
Njerëzit këtu ndahen në bazë të respektit dhe ndihmës ndaj tjerëve. Respekti dhe ndihma. Asgjë tjetër. Njerëzit, njerëzit e planetit tënd ndahen vetëm në dy grupe. Grupi parë janë ata që kanë respektuar njeriun dhe ndihmuar atë çdo ditë. Ata dërgohen në Parajsë, disa ditë nga këtu larg, pas shqyrtimit kryesor. Njerëzit, që nuk kanë respektuar njeriun dhe nuk kanë ndihmuar çdo ditë, por nuk kanë bërë vepra të liga: Paraparrajsa, vend për egocentrikët...
E ata që i janë lutur Zotit?, e ndërpreva.
Varet se për kë janë lutur. Nëse janë lutur për vete, ata bien në grupin e egoistëve, të egocentrikëve dhe aty kanë faltore, ku duhet të luten deri sa të korrigjohen...
Çka bëhet me njerëzit e ligë?
Për ta ka tri qendra dënimi, tre shqyrtime në tri Gjykata për Krime të Rënda: Ferri, Skëterra dhe Kryeskëterra. Ti mund të shkosh tani, më tha duke bërë shenjë me gisht në drejtimin e derës, ku merrej rezultati i përfundimtar i analizave...
Kam edhe dy pyetje, ju lutem. Cila është vepra, që dërgon njeriun drejtpërdrejt në tre gjykatat supreme nga nuk ka shpëtim. Krim, që nuk falet mendoj.
Vrasja e njeriut, tha nëpunësi.
E burrat që keqtrajtojnë gratë, çfarë dënimi marrin ata?
Nëse nuk kanë bërë delikte tjera, por vetëm kanë shtypur gratë e veta, nuk dënohen, këtu vetëm u ndërrohet gjinia dhe dërgohen për martesë në një planet tjetër mashkullor, jo në Tokë...Edhe të mirët dërgohen për punë nëpër galaktika tjera, varet nga njohuritë, që sjellin me vete...
Qiellinemirë, i thash duke e falënderuar me përkulje.
Qiellinemirë, përsëriti ai me një shqipe të pastër.
Mbi gjoks ndjeja shtypje të madhe. Pastaj një tingull të hollë, një piiiip. Përsëri shtypje të rëndë dhe përsëri piiippp. Mjekët u shikuan në mes vete dhe u buzëqeshën.
Të kthyem në jetë, më tha mjeku deri sa po hapja sytë ngadalë. Ishit më shumë andej se këndej.
As andej nuk ishte keq, i thash atij me keqardhje.
Sa muaj qëndrova kështu, pyeta.
Gati gjysmë ore...
A ju kujtohet diçka, më pyeti mjeku.
Po, shumë. Një herë qiell dhe prapa. Një flurudhë e gjatë. Ata u buzëqeshën dhe pas disa minutave dolën nga dhoma. Një infermiere e bukur, si ajo në Gjykatë, hyri brenda me disa barna në një enë të vogël në dorë. Dy javë pas daljes nga spitali, hartova testamentin e tretë...
shekulli
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Naser Aliu: Poezi
» Naser Aliu: Epitafe
» Naser Aliu: Akuza
» Naser Aliu: Lindja ime
» Naser Aliu: Për reflektim
» Naser Aliu: Epitafe
» Naser Aliu: Akuza
» Naser Aliu: Lindja ime
» Naser Aliu: Për reflektim
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi