Shafqet Dibrani:SILOGJIZMI LETRAR PËR SIMBIOZËN ME THESARET
Faqja 1 e 1

PROZA E MUHARREM BLAKAJT (2)
SILOGJIZMI LETRAR PËR SIMBIOZËN ME THESARET
Muharrem Blakaj: “THESARET E HUMBURA”, roman, botoi ShKSh “Mëmëdheu”,
St. Gallen / Prishtinë 2005, faqe 156. ISBN: 9951-423-04-3
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Romani i Muharrem Blakajt “THESARET E HUMBURA”, është një vepër letrare e veçantë, qoftë për tematikën e qoftë për mënyrën e rrëfimit, sidomos për konceptimin e ngjarjes. Muharrem Blakaj ka arritur të avancoj mënyrën e shkrimit, duke e bërë veprën - rrëfim interesant, një materie letrare që percepton me kujdes ngjarjen e cila lidhet me zhvillimet historike, duke e mbajtur lexuesin në ankthin e asaj ngjarje që ka ndodhur në kohëra të largëta. Ky roman i shkruar me kujdes, rikujton ato vite, ato rrethana politike, të njohura për shumë kënd. Kjo prozë letrare pa vështirësi mund të bëhet skenar filmi dhe mund të dramatizohet duke nxjerrë një film a vepër skenike për “thesaret e humbura” me vlerë dhe interes specifik.
Autori, qysh me romanin e tij të parë “Misioni sekret” ka dhënë shenja të një autori serioz për prozën e gjatë - romanin. Me romanin “Thesaret e humbura”, vetëm sa e ka sforcuar rrëfimin duke e bërë tekstin më konciz dhe romanin më të pranueshëm në aspektin estetik.
Pa dyshim autori, me këtë roman i qon edhe më tej vlerat letrare në fushën e prozës, duke sjell për lexuesin një roman edhe më të realizuar në aspektin ideor, vlerë kjo që e ngrit edhe anën estetike por edhe atë përmbajtjesore të romanit në përgjithësi.
Ngjarja e këtij romani zhvillohet në një “qytet” që gjendet diku në Rrafshin e Dukagjinit, kurse ndodhitë janë vendosur në vitet e tridhjeta të shekullit që lamë pas, në kohën e “stabilitetit?!” të Mbretërisë serbo-kroate-sllovene (SKS). Themi kështu jo vetëm nga pikëpamja e lëndës që ka shtruar autori por edhe në aspektin historik mund të besohet se vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar ishin vitet kur administrata e Mbretërisë SKS në Kosovë dhe mbarë Rrafshin e Dukagjinit ndihej më e qetë. Ndoshta është edhe kjo një vlerë tjetër e këtij romani kur autori me vetëdije e merr këtë periudhë dhe një “qytet” i cili ndodhet në këto anë, që për njohësit e Kosovës nuk është aq vështirë për ta ditur se për cilin qytet bëhet fjala. Me këtë roman shihet se autori e njeh mirë fushën e hulumtimit dhe të studimeve gjë që ia kanë mundësuar të shtroj rrëfimin me kaq kulturë, dhe të shpjegoj shtrembërimet e fakteve historike që i ka bërë vazhdimisht Serbia, dhe përmes këtij rrëfimi interesant ka mbrojtur të vërtetën shqiptare për Kosovën.
Në këtë roman Muharrem Blakaj do të shpjegon se këto pushtete kanë dëmtuar e asgjësuar objektet e kultit dhe të fesë, madje kanë dëmtuar edhe varrezat, pastaj kishat dhe kalatë e ndryshme, mënyra këto që mendonin se ua mundësojnë për të kryer misionin e tyre shkatërrues mbi të gjitha monumentet arkeologjike që i ruante nëntoka e këtij vendi. Siç shihet edhe nga romani ekspedita serbe do të shkon në “Krahinë”, në një “qytet të huaj”, përkatësisht të paidentifikuar, për ta zhbërë ekzistencën e popullit shqiptar, dhe në aspektin historik për t’ia shkatërruar vlerat nëntokësore që janë ruajtur për shekuj të tërë.
Vendosja e ngjarjes në këto kohëra me ngatërresa politike është bërë për të shpjeguar edhe një formë të dhunës që bënte unitarizmi dhe shovinizmi serb, i cili vepronte i papenguar në spastrimin etnik nga elementi njerëzor që jetonte mbi tokë, e për të vazhduar shkatërrimet me përmasa barbare edhe në “thesaret” që i ruante nëntoka e këtij vendi. Janë këto dy elemente që shpjegojnë dhunën që ka përjetuar populli ynë për shekuj me radhë në njërën anë, dhe në anën tjetër e bënë romanin me një strukturë të qëndrueshme, një rrëfim të qartë dhe me personazhe konkrete, disa mjaftë karakteristik, të tjerë edhe kontrovers, varshmërish nga roli dhe misioni që kanë në kuadër të këtij romani, i cili si një vepër letrare është mjaftë mirë i realizuar. Gjithsesi materia e hulumtuar është shtruar si ide e strukturuar mirë, ashtu sikurse koncepti e përmbajtja që janë mjaftë interesante duke e bërë romanin si një vlerë letrare me përmasa të gjera artistike.
Jo rastësisht autori në romanin e tij “Thesaret e humbura” ngjarjet i ka vendosur në një periudhë të errët e cila përmes zhvillimeve që ndodhin i jep veprës letrare një observim dinamik ku përmes personazheve herë dinamike e herë misterioze shpjegojnë zhvillimet e kohës. Kjo arrihet me mjaftë sukses përmes personazheve karakteristike si: Naçallniku, udhëheqësi i ekspeditës arkeologu Van Joviq, gjeologu Dushko Jevtiq, etnografi Dragomir Marjanoviq, ushtaraku major Dushan Miqiq, vojvoda Miliq Kërstiq të ndihmuar e mbështetur nga miqtë e aleatët tradicional, gjeologu rus Sergej Ivanov, arkeologu francez Fransua Roger, që bëjnë atë aparatin e dhunës që eksplorohet brenda romanit si vepër letrare, ku do të mbështeten e ndihmohen nga konsulli francez e ai rus që janë të vendosur në Mitrovicë, e aty këtu edhe nga element fshataresh shqiptarë si rekuizita të kësaj ekspedite siç është Dan Mujani, apo “korrieri i katundit që të gjithë e quanin “polic”, Keç Syku e ndonjë fshatar tjetër të rëndomtë të cilët kryenin detyrat e tyre që ua jepnin vojvodët e zyrtarët politik të yshtur nga ryshfeti a interesi i tyre.
Në anën tjetër kemi prijësit e popullit që bëjnë rezistencë aktive të njohura në Kosovë dhe veriun e Shqipërisë si kaçak mali, disa prej të cilëve janë personazhe reale si Selman Kadrija, Bardhi i Jusufit, Bajraktari i Podgurit, Misin Kapedani (Musë Tahir Dakaj), Nak Përkiçi (Binak Përkiçi – Dreshaj), Cam Mani, Bel Feka, Ymer Ahmeti e të tjerët, kurse personazhe letrare të romanit janë: Jashar Efendiu, Cenë Dreni, Deli Turileshi, Ukë Xhemalbashi, Sef Beli, Marë Rexha, Dak Lami, Mak Suti, Keq Syku, Sejdi Çekiçi, Mahë Ymeri, Lif Leteci e disa të tjerë më pak të rëndësishëm.
Kjo shtresë qytetare as në kuadër të romanit nuk pajtohen me pushtimet serbe, prandaj ata rezistonin, në mos jo tjetër ata mbronin pragun e shtëpisë, të paktën bënin që pushtuesit në asnjë çast të mos ndjehen të qetë siç dëshmohet nëpër fragmente të romanit ku jetonin me frikën dhe tmerrin i cili herë pas here iu del qoftë nga dehja apo nga dufi që kishin për shqiptarët dhe për këtë “Krahinë të mallkuar?!”.
Në një tablo tjetër si rast tragjik paraqitet fati i intelektualit shqiptar në kohë, fat ky i cili përfaqësohet nga personazhi Kekë Ymeri, përmes të cilit zbërthehet mënyra e shantazhit që u bëhej intelektualëve të pakt që ishin në atë kohë, pastaj mënyra e shpifjes, diskreditimi publik, madje mënyra e implikimit edhe në krime që bëheshin e këta intelektual s’kishin gjë të përbashkët me ndodhitë dhe krimet. Në këtë gjendje e shohim edhe pozitën e intelektualit Kekë Ymeri, i cili në mënyrë perfide është mashtruar e joshur, fillimisht me vendin e punës, e më pas duke e shndërruar në levë të tyre, por karakterin patriotik të një shqiptari të arsimuar Kekë Ymeri nuk e humb e as e devalvon, as si vlerë e as si karakter. Pavarësisht nga rrethanat dhe situata që zhvillohet në roman roli pozitiv i Kekë Ymerit mbetet për t’u admiruar edhe pse vazhdimisht nga shqiptarët do të fajësohet e dyshohet për krimet që i bënin vojvodët të shtyrë nga majori dhe naçallniku, dhe kjo ndodhë sigurisht më shumë për ta bërë ngjarjen e romanit edhe më dramatike, edhe më interesante, dhe shumë herë më të trishtueshme për kohen që ishte me të vërtetë me përmasa tmerruese.
Roli patriotik i Kekë Ymerit, dhe përpjekja e tij e vazhdueshme për të fshehur e shpëtuar atë që mund të fshihej del edhe nga një fragment i shkurtër në të cilin „Kekë Ymeri shtrëngonte grushtet me nervozë”, kur një fshatar do të sillte gjëra me vlera të çmuara arkeologjike për t’ua shitur serbëve të cilët dëshironin që edhe përmes blerjes t’i varfëronin “thesaret” që i ruanin me fanatizëm shqiptarët e kësaj ane:
“– Gabim bërë!... – i foli me zë të ulët dhe qortueshëm fshatarit, Kekë Ymeri.
– Unë i solla për t’i shitur!... – u përpoq të shfajësohej fshatari.
– Këto gjëra nuk shitën! Këto janë të shenjta për... – deshi të vazhdonte edhe më tutje me qortimet e tij, por e ndërpreu Van Joviqi:
– Ku i gjete këto?
– Në Banjë, pranë mureve të kishës së vjetër. – u përgjigj fshatari.
– Kush të ka thënë të gërmosh atje? – pyeti Van Joviqi.
– Të thash! Angari kam punuar! Sot në vendin tim e dërgova vëllain, kurse vet erdha...
– Kush të ka thënë të punosh angari atje?” – pyeti kësaj radhe i nxehur Van Joviqi.
– ... kryeplaku... tellalli! – foli fshatari i skuqur, duke i rrudhë krahët dhe duke shikuar si me dyshim drejt Kekë Ymerit.
Kekë Ymeri në vend të përgjegjës e shikoi qortueshëm.
...
Kekë Ymeri vazhdoj ta shikonte me inate. Fshatari dukej edhe më i hutuar.
– Gurët e bazilikës së vjetër?! Është e mundur kjo? Kush i drejton punimet atje? – pyeti kësaj radhe Fransua!” (faqe 92-93).
Në anën tjetër, edhe pse xhandarmëria e ushtria komandoheshin nga naçallniku, udhëheqësi i ekspeditës arkeologu Van Joviq ndjehej i frikësuar sepse “kullat që i gjeti në këtë provincë të humbur ju dukën të frikshme dhe kërcënuese. Mirëpo prania e majorit, e naçallnikut, e komandantit të xhandarmërisë, e vojvodës, rojet në çdo skaj të qytezës sikur e kishin qetësuar pak”, pasi atë “ka ditë që e shqetësojnë këto dreq gërmimesh. As në gjumë nuk e lënë të qetë!”, kështu duket ngjarja sa e zymtë po aq edhe misterioze edhe për vet udhëheqësin e ekspeditës gjeologun Van Joviq. Kurse roli i Miles, gruaja e majorit, e cila gjatë tërë romanit është përdorur si një rekuizitë për romancat e dashurisë, ku bashkë me pastruesen dhe gruan e shefit të postës, e bëjnë ngjarjen me përmasa tragjiko komike.
Në një plan tjetër shihet edhe roli negativ i Patriarkut dhe i Kishës Ortodokse Serbe që vepronte prej shekujsh në këto anë për ti prezantuar shqiptarët si shkatërrues si barbar. Gjithsesi roli i Patriarkut ishte i rëndësisë specifike ku përmes Kishës ai do të krijon shantazhe duke inskenuar vrasje mizore të familjeve serbe, për të fajësuar pastaj shqiptarët siç del edhe nga ky fragment që po citojmë: “Pastaj, Patriku në shenjë pabesie e tradhtie i kishte larguar nga puna rojet tradicionale shqiptare, që brez pas brezi e kishin ruajtur me besnikëri Manastirin. Njëri nga rojet, që atë natë tmerri kishte qenë në detyrë, kishte deklaruar se gjatë natës në Manastir ishte parë të futej Miomiri me fëmijën e sëmurë. Pastaj kishte dalë i vetmuar dhe pas pak ishte kthyer me të shoqen. Ajo ishte futur në Manastir duke qarë me kuje. Kishte dëgjuar të shtëna, brenda mureve të Manastirit. Vonë, pas mesit të natës, Patriku i kishte thënë të shkonte në shtëpi. Se çfarë kishte ndodhur atë natë të errët, me shi e vetëtima, brenda mureve të Manastirit nuk dihej. Por, dihej se brenda jave, të gjitha rojet shqiptare të Manastirit, ishin gjetur të vrarë!”, (faqe 24).
Mjaftë interesant është përshkruar “Dasma Shqiptare” ku si mysafir të pa ftuar kishin ardhur Van Joviqi dhe Fransua Roger nën shoqërimin e Miliq Kërstiqit, i cili luante rolin e përkthyesit. I zoti i shtëpisë i pret me bujari, i grish mysafiret e paftuar, sipas zakonit shqiptar i ulë në krye të vendit. Me kërkesën e tyre për të vazhduar dasma, për të buçitur kënga e hareja, këngëtarët vazhdojnë këngën e ndërprerë për Betejën e Kosovës dhe kryeheroin e saj Millosh Kopiliqin, për të cilën këngë mysafirëve të paftuar askush nga serbet vendor nuk ju kishte folur. Eposi shqiptar që zbërthente një të vërtetë historike sikur me ngulm kundërshtonte misionin e mysafirëve të paftuar për t’i grabitur thesaret arkeologjike. Ky element epik është një sfidë konkrete që iu bëhej atyre, duke ua shpjeguar se vlerat arkeologjike mund të shkatërrohen, por eposin kaq të pasur, as nuk do të arrijnë ta shkatërrojnë, dhe as nuk do të mund ta blejnë, pasi ai është i ngulitur thellë në mendjen dhe në zemrat e shqiptarëve dhe trashëgohet brez pas brezi. Një gjë e qartë që del nga romani është se serbet e rëndomtë as që dinin kush ishte Millosh Kopiliqi, as për Lazarin e as për Betejën e Kosovës nuk kishin dëgjuar ndonjëherë. Këto epika serbet i kanë dëgjuar vetëm nga shqiptaret dhe me përvijimin e kohës ata i kanë përvetësuar sikurse kanë përvetësuar edhe shumë e shumë ngjarje e momente historike nga kultura, tradita dhe historia shqiptare.
Në një fragment tjetër, si një copëz rrëfimi shtjellohet edhe gojëdhëna e tunelit sekret të Manastirit të Stupenit (Sudenicës), pastaj storie të veçanta janë edhe vrasja e kallugjerve, shpella e Shkëmbit të Kuq, urdhri nga prifti serb për shkatërrimin e gjetjeve arkeologjike, pastaj dalja e ujit gjatë kërkimeve për naftë, masakra e mullirit, sulmi i arkeologëve te Varret e Krushqve, shkatërrimet arkeologjike në Banjë të Pejës, zbulimi i diademës dhe ndërtimi i Kishës Ortodokse me gurët e bazilikës së vjetër në Lumborë e ndonjë detaj tjetër që ka mundur të më përvidhet, janë gjetje letrare që duken si margaritar të ndërtuara mbi ndonjë gojëdhënë, apo nga ndonjë ngjarje ose ndodhi reale që autori i ka vjelë me kujdes duke e veshur veprën e tij edhe me petkun letrar e artistik ka bërë një rifreskim të kujtesës sonë për këto bëma e ngjarje të vërteta.
Në romanin e Muharrem Blakajt “Thesaret e humbura” pos të tjerash lexuesi do të gjen toponime, emërtime, shprehje arkeologjike, gjeologjike, pastaj emra sendesh e mjetesh që e pasurojnë jo vetëm vokabularin gjuhësor dhe e rritin vlerën e librit por pasurojnë e rikujtojnë mendjen e lexuesit për gjëra të harruara a të braktisura nga kohë të largëta. Ky sfond kaq i begatë e ka bërë rrëfimin më interesant, me të tërë dramacitetin e ndodhisë ku i ballafaqon momentet si çastet më intriguese, madje shpesh kundërshtuese të dramës së brendshme të individit apo të shoqërisë si tërësi. Esenca e romanit është për të sjellë situata dramatike si ekzistencë jetësore dhe për të shpjeguar mbijetesën me sfida të mëdha të shqiptarëve.
Edhe elementet tjera siç janë: rrëfimi, kompozicioni, syzheu dhe personazhet e tjera janë vendosur në atë formë që kanë krijuar dramacitetin e ngjarjes, rrëfimin për një histori sa të dhimbshme po aq tragjike të cilat si figura narrative janë përplot dinamizëm dhe figuracion të kapshëm dhe mjaftë real që janë sendërtuar me një mjeshtri për t’u lakmuar, por që e bëjnë romanin më tërheqës dhe më të pranueshëm s’ka dyshim.
Gjithsesi romani “THESARET E HUMBURA” kujton një lloj reminishence nga historia për etnosin dhe hapësirën jetësore që dalin si mesazhe për të tashmen e pakujdesshme që shihet e përjetohet brenda etnosit tone nacional.
St. Gallen, 13 maj 2010.
* * *
Nga Muharrem Blakaj
Rruga ishte e ngushtë, me lisa e gjerdhe anash. Tutje shiheshin ara të mbjella me misër. Pa livadhe të kositura. Gjatë rrugës takoj fshatarë, të cilët porsa i diktonin, kokulur ua lironin udhën.
Asnjëri nuk fliste. Dëgjoheshin vetëm zhurma e guralecëve që krijohej nën peshën e çizmeve të tyre. Rruga, pas një bërryli, mori kah në të djathtë, duke u futur nëpër disa bokërima të shkreta, e pastaj në një mal të dendur e plot dushk. Ju bë se tutje, në thellësi të malit, diku prapa ndonjë shkëmbi kishin zënë pusi kaçakët, të cilët të heshtur prisnin shfaqjen e tyre, dhe...
– ... Janë varre krushqish, – ia ndërpreu mendimet Miliqi dhe vazhdoi; – këtu në kohëra të vjetra që askush nuk i mbanë mend, thuhet se kur janë takuar dy palë krushq, asnjëra nuk kanë pranuar t’ia lëshojnë rrugën tjetrës, dhe janë vrarë të gjithë!
– Ishin shqiptar apo serb? – pyeti Van Joviqi.
– Jo, jo! shqiptar ishin! – u përgjigj Miliqi.
Van Joviqi kthej kokën andej. Në një shesh të mbushur me filiza të rinj shkoze, pa varre të vithisura. Ju bë se i pa ata krushq-kalorës, të veshur me tirq e xhamadan, kur shkonin kaluar për ta dërguar në shtëpi nusen e re dhe pikërisht këtu, ishin takuar me krushqit e një krahine, apo katundi tjetër dhe, asnjëra palë nuk kishte pranuar të skajohej në anën e poshtme për të hapur rrugë! Pastaj kishin krisë pushkët. Krushqit malësorë kishin zbrit nga kuajt për të zënë pozita më të mira duke shti pa ndërprerje, deri sa ishin vrarë të gjithë!
Përballë ju shfaq një kodër e vogël. Në fundin e saj u panë shtëpitë e para të katundit. Tupanët tani dëgjoheshin shumë afër, të shoqëruar me zërin gërryes të zurnave. Një turmë të rinjsh rrinin në këmbë buzë rrugës. Ata kthyen kokat drejt tyre. Pastaj, të heshtur ua lëshuan rrugën për të kaluar. Në fytyrat e tyre nuk kishte ndonjë shenjë urrejtje edhe pse dukeshin të ftohët. Akoma pa u afruar, njëri nga të rinjtë iku me vrap dhe u zhduk pas një dere të vogël, e cila u mbyll me kërkëllimë. Ndërkohë pushuan tupanët. Vendin e mbërtheu një heshtje hutaqe. Po nga ajo derë u pa të dilte një plak. Pasi ndalojë në prag të portës, vështrimin e hodhi drejt tyre.
– A pret miq, o i zoti i shtëpisë! – thirri me zë të lartë Miliqi.
– Mirë se ju pruni Zoti!... – u përgjigj plaku po me atë shikim të akullt.
– A je burrë i fortë?! – pyeti Miliqi duke ia zgjatë dorën, në shenjë miqësie.
– I fortë e me faqe të bardhë! – ia ktheu plaku duke ua shtrënguar dorën me radhë.
Deri sa e ndiqnin pas plakun, Miliqi u përpoq t’ua përkthente fjalën „a je burrë i fortë,” e veçmas fjalën „burrëri.”
– Kjo fjalë e thjeshtë, – vazhdoi ai, – të shqiptarët ka domethënie të madhe, që nënkupton besën, guximin, qëndresën, mikpritjen, mbrojtjen e mikut nëse ai rrezikohet si dhe, faljen e armikut kur ai e kupton fajin dhe mbetët i dobët nën mëshirën e tij. Kjo fjalë të shqiptarët është e shenjt, e cila e shtynë shqiptarin të fiket me rob e pasuri vetëm për mos shkeljen e virtyteve të saj!...
Në oborrin e gjerë, kishte shumë të rijnë të cilët kthyen shikimet drejt tyre. Ashtu siç i kishte përshëndetur plaku më parë, edhe ata, me dorën në gjoks, me një përulje të lehtë i përshëndetën. Plaku siç ishte duke ju pri, ndaloi për një çast dhe u kthye nga Miliqi, i cili e kuptoi mimikën e tij, ndaj hoqi pushkën nga supi dhe ia zgjati plakut. Ai me pushkë në dorë, priu i pari drejtë derës së madhe të kullës.
Çarmatosjen aq të lehtë të Miliqit nga ana e një plaku, nuk e kishte menduar askush. Frika nga ndonjë grackë tani lëvizte lirshëm në fytyrën e çdonjërit. Miliqi, përkundrazi, e ndjente vetën shumë më të fuqishëm se sa më parë kur e kishte pushkën në krah.
– Pra, – vazhdoi Miliqi me të njëjtin ton – tani ne, jemi në besën e të zotit të shtëpisë dhe fisit të tij. Për besën, apo fjalën e dhënë, shqiptari e vë në shërbim të saj jetën, plëngun dhe gjithë çka ka! Për shembull, nëse ne do të sulmoheshim nga dikush, këta do të vriten deri në shfarosje për të na mbrojtur ne, dhe fjalën e dhënë! Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut, – kështu thotë kanuni i tyre!
Në divahane kishte shumë burra. Me t’u shfaqur para tyre, u ngritën të gjithë në këmbë, dhe u kthyen drejt tyre. Me dorë në gjoks, dhe me përulje të lehtë i përshëndetën. Plaku u priu deri në odë. Edhe aty kishte shumë burra. Edhe ata i pritën në këmbë, me gjestet të njëjta. Në atë gjysmerrësirë, nuk ju dalloheshin fytyrat. Zunë vend në ballë, aty ku ua liruan të tjerët.
– U trashëgofshin! – foli Miliqi, duke ju drejtuar plakut.
– T’u rritë ndera! – ia ktheu plaku.
– Nderë e besë paq! – ia ktheu Miliqi. Miliqi foli edhe për një copë herë me plakun. Plaku nuk fliste, por herë pas here luhaste kokën në shenjë miratimi. Pas pak, plaku bëri me shenjë tutje nga burrat. Njëri ju afrua pranë. Pasi i pëshpëriti diçka pranë veshi, ai iku në drejtim të derës. Miliqi u kthye nga ata dhe me zë të ulët filloi të fliste:
– Ndera, të shqiptarët ka kuptimin e ruajtjes së moralit, zakoneve, traditave dhe gjuhës së të parëve. Këto janë virtyte të shenjta për ta, po i preke në këto virtyte, do t’i kishë armiq të përbetuar! „Dy gisht nderë në lule të ballit, na i dha i Madhi Zot!” – është thëne nga kanuni i tyre.
Malësori plak ju dha shenjë valltarëve. Fare pranë tyre zuri vend një burrë, i cili në supe mbante të varur tupanin. Përkrah i rrinin dy burra me zurna në duar. Derisa ishte duke shikuar drejt tyre, pa dy valltar që kishin zënë vend në mes. U befasua kur pa së në shokat e tyre shumëngjyrëshe ju vareshin jataganët!
– Është valle epike dyluftimi, që karakterizon forcën e burrërinë. Kjo valle luhet kryesisht nga burrat! Ka ndonjë rast të rrallë që, në këto valle inkuadrohen edhe...! – u dëgjua të shpjegonte Miliqi.
E goditura e tupanit sikur i treti fjalët e fundit të Miliqit. Lëvizjet e valltarëve në fillim u dukën të ngathëta, të ngadalshme, të hareshme dhe sipas ritmit të rënave të tupanit, lëvizjet sikur u gjallëruan. Pothuajse në të njëjtën kohë ata nxorën jataganët nga brezi, duke ndryshuar stilin e kërcimit miqësor, në atë luftarak. Lëvizjet e gjymtyrëve dhe të trupit, mimika, shprehjet përmes lëvizjeve, shprehja e mllefit kundër kundërshtarit, reflekset, të gjitha këto ju dukeshin Van Joviqi sikur ishte duke ndodhur një gjakderdhje e vërtetë. Ishte drama e tyre tragjike e vënë në lojë!...
Ritmet e shpejtuara sikur filluan të ngadalësoheshin. Valltarët lëviznin ngadalë, duke i ndeshur në të rrallë jataganët që i mbanin në duar. Dukej se ishin të lodhur nga dyluftimi, dhe nga çasti në çast do të rrëzoheshin. Tamam në kohën kur Van Joviqi priste që njëri nga valltarët të mundej, të rrëzohej, të jepej apo të përfundonte vallja pa të mundur, u dëgjua një zë i tmerrshëm femre! Muzika pushojë. Qetësja dominonte, ngrirja e valltarëve në pozita kryengritëse e bëri Van Joviqin të mendonte vetëtimthi së vërtetë po ndodhte diçka e tmerrshme rrotull tyre. Akoma pa u tmerruar nga ndonjë e papritur, filluan gjëmimet e tupanëve dhe zëri kumbues i zurnave. Në arenën ku ishte zhvilluar dyluftimi, u pa të futej triumfalisht një vajzë! Në të njëjtën kohë burbulluan të goditurat e tupanit të përcjella me zërin gërryes të zurnave. Vallja mori hov. Valltarët sikur përpiqeshin të gjenin një rast të përshtatshëm për të goditur kundërshtarin por, po në atë drejtim hidhej vajza duke ia kursyer valltarit të goditurën. Pastaj, po me të njëjtin ritëm kthehej nga valltari tjetër duke e penguar edhe atë, dhe në fund pasi mori dy shamia që i kishte të lidhura në tojat e pështjellakut, dhe me duart lart, njërën ia dhuroi valltarit që e kishte përballë, dhe pastaj ajo u kthye nga ana tjetër dhe, gjithnjë duke kërcyer sipas ritmit të tupanëve, ia dhuroj shaminë tjetrit valltar. Ritmi i të rënave të tupanit u ngadalësua dukshëm duke i ngadalësuar edhe lëvizjet e valltarëve. Pasi i futën shpatat në brez u përqafuan me njëri tjetrin në shenjë pajtimi! Ndërkohë, edhe muzika pushoi.
Van Joviqi i shikonte i mahnitur malësorët valltarë, të cilët kishin zënë të largoheshin. Pastaj e kërkoi me sy vajzën që kishte kërcyer pak më parë, por nuk e pa gjëkundi! Ndërkohë, dëgjoi zërin e Miliqi!
– Po u fut gruaja në mes të dy burrave të cilët janë në kacafytje e sipër, ata nuk guxojnë të vazhdojnë përleshjen por duhet të ndahen menjëherë! Gruaja nuk bie në gjak, thuhet në kanun.
Në arenën e krijuar më parë për valltarët, ia behën dy malësorë të tjerë. Zunë vend në mes të sheshit rrethuar me burra. Njëri, mbi gju e vendosi lahutën. Pasi pëshpëritën diçka në mes tyre, vështrimin e hodhën nga plaku. Ai kishte një pamje të ngurtë. Siç dukej nuk donte assesi të miratonte atë që rapsodët e kishin ndërmend të këndonin.
– Do të këndojnë për Betejën e Kosovës! – sqaroi Miliqi, me zë të ulët.
Van Joviqi pa nga afër gusllën e rapsodëve shqiptarë. Ishte shumë e ngjashme, për të mos thënë identike me gusllën sllave. Befas, ju kujtua libri i Aleksandër Gilferdingut, ku shkruante se serbët nuk ishin në dijeni jo vetëm për mitin e Kosovës, por as për Lazarin e Jugoviqët.
– Të shqiptarët akoma është i gjallë miti për Luftën e Kosovës. Në netët e gjata të dimrit, të ulur buzë vatre, pleqtë me krenari, ua rrëfejnë të rinjve legjendën e betejës së Kosovës dhe vrasjen e Sulltanit nga ana e Millosh Kopiliqit. Këtë gojëdhënë edhe unë, shumë herë e kam dëgjuar nga malësorët shqiptarë. Nuk ka shqiptarë që nuk e di këtë legjendë! – fliste Miliqi me zë të ulët, deri sa rapsodët përgatiteshin për t’ia nisë këngës.
Rapsodët, çuditërisht vazhdonin të rrinin këmbëkryq. Vështrimet e tyre të qelqta, herë-herë i hidhnin në drejtim të mysafirëve të paftuar. Pamjet e tyre të dyzuara, jepnin një tablo mospërfillëse ndaj grupeve që e rrethonin. Këto vinin si shkarkim i dyshimit ndaj të paftuarve dhe zhgënjimit ndaj të zotit të dasmës, i cili dukej të ishte i pasigurt nga prania e të paftuarve, ndaj vazhdonte ta shtynte sa më larg urdhrin për t’ia filluar këngës.
– Mund t’ia filloni! – ndërhyri Miliqi me një zë të butë, pasi i kishte vërejtur dyshimet e tyre.
Rapsodët, sikur ta kishin bërë me fjalë, të dy hodhën vështrimet e tyre drejt të zotit të dasmës, i cili miratoi me luhatje koke.
Ai që e mbante lahutën në prehër, lëvizi pak për të zënë vend më mirë. Ngriti dorën. Pasi e tundi lehtë harkun, e vuri mbi fillin e lahutës. Tingulli doli kumbues, me një zik-zake të zgjatur sikur vinte nga një kohë e vjetër, e humbur nga lashtësia. Van Joviqit ju bë se ai ton i zgavruar i lahutës, e mori nga kjo kohë dhe e degdisi në një kohë të lashtë, ku nga çasti në çast pritej të fillonte beteja. Pas pak, lahutari hapi gojën të këndonte. Van Joviqi ndjeu një lehtësim, pasi zëri i tij, i njëjtësuar me tingullin e lahutës, sikur e solli prapë nga ajo kohë e lashtë! Zëri filloi të shkoqitej vetëm atëherë kur fjalët filluan të ndahen në rrokje.
M’ish kenë Sulltan Murati...
...dhe akoma pa përfunduar zëri i rapsodit të parë, një me zërin e zgjatur të lahutës u ngjit zëri i rapsodit të dytë.
Mirë avdes kish pas’ marrë,
Miliqi arriti përmes pëshpërimës t’i përkthente ato që rapsodët i thoshin njëri pas tjetrit. Kënga epike vazhdonte. Van Joviqi, ia kishte ngulë vështrimin kapakut të lëkurtë të lahutës, që mbulonte atë zgavër druri, sikur ishte duke u përpjekur t’i ndrynte brenda asaj zgavre rënkimet mijëvjeçare të një populli, që nga larg i vinte, si pjesë e shpirtit të tij!
Ishte e mundur vallë që ajo copë druri e vogël e mbështjellë më lëkurë, të mbante mbi vete shekuj të gjakosur, ushtarë dhe kalorës të molisur, shpata e shtiza të skuqura nga gjaku. Ju bë se nga goja e rapsodëve tani nuk vinin ritme muzikore por klithje e britma të dhimbshme ushtarësh, hingëllima kuajsh, copa urdhrash, gjëmë dhe dënesa të padëgjuara ndonjëherë në jetën e tij. Ashtu sikurse edhe valltarët më parë, edhe lahutarët, këndonin tragjedinë e tyre të përmotshme të vënë në epos!
Millosh Kopiliqit fjalë i ka çua,
E teslim ti me mu ba!...
Van Joviqi ju afrua Miliqit. Ai ishte duke ia përkthye Fransuas pikërisht at varg. Përshtypje i bëri se edhe Miliqi sikurse edhe rapsodët shqiptarë, mbiemrin e Milloshit e thoshin Kopiliqi. Ishte hera a parë që e dëgjonte këtë, dhe jo nga shkrimet e emisarëve serb të „Naçertanies”, por nga goja e rapsodëve analfabetë shqiptarë!
Një burrë ju afrua pranë Miliqit dhe i pëshpëriti diçka të veshi. Miliqi e miratoji me kokë, pastaj vështrimin e hodhi nga i zoti i shtëpisë. Pa u vënë re u ngrit dhe u zhduk në mesin e burrave.
Çojke kamën Sulltani me ja dhanë,
Ky Milloshi, në dorë hanxharin e kish pas,
Me hanxhar Sulltanit i ka ra...
I humbur pas fjalëve të eposit, i bëhej se ato zëra nuk ishin të kësaj bote, por ishin zëra të ardhur nga një kohë e largët, e harruar nga populli sllav. Ishin të kota përpjekjet e naçertanistve për sajimin e tyre! Ato i kishte shkelur koha, i kishte mbuluar pluhuri i errët e harresës shekullore. Ju bë se e pa Millosh Kopiliqin, i veshur në tirq me gajtanë, me përkrenare e parzmore tunxhi, me hanxharin e tij të gjakosur që e godiste Sulltan Muratin, pasi ai ia kishte zgjatur këmbën në shenjë nënshtrimi, e jo dorën për pajtim! Pastaj, pa njerëzit rrotull tij, pasardhës të po atij populli kryengritës që kishin jetuar nëpër male e shpella duke prerë sulltan e vezir, për t’i ruajtur virtytet e të parëve të tyre, pa i këmbyer me liri e pasuri nënshtruese, sikur të populli sllav, që pas humbjes së betejës së Kosovës kishin pranuar nënshtrimin e sulltanit. Ndërsa sot, priftërinjtë dhe naçertanistët vajtojnë si mëllenjat disfatat e të parëve të tyre!... Këto virtyte të shqiptarëve, të ruajtura me xhelozi ndër shekuj, krijuan eposet e famshme, dhe ja tani, nga dy malësorë rapsodë, riktheheshin me shekuj prapa, duke u takuar në fushën e betejës me Millosh Kopiliqin! I bëhej se i dëgjonte vringëllimat e shpatave mbi kokën e mbrojtur të Milloshit, dhe aty fillonte ikja, zhgënjimi, tradhtia... por tani nuk e ndante dot, ishte ikja e Millosh Kopiliqit të tradhtuar nga shkina plakë, apo ishte ikja e tij nga rapsodët shqiptarë, të armatosur me epin e tyre plot gjak!
*Fragment nga romani “THESARET E HUMBURA”, Prishtinë 2005.
SHËNIME PËR AUTORIN:
Muharrem BLAKAJ (06.01.1959). Lindi në fshatin Vrellë, komuna e Burimit (ish Istogu). Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmen, ekonomiken, tre vitet e para në Pejë, ndërsa vitin e katërt, maturën, e përfundoi në Istog. Po atë vit e regjistroi Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, degën gjuhë dhe letërsi shqipe.
Muharrem Blakaj për herë të parë burgoset më 14 dhjetor 1979, kurse për herë të dytë më 5 shkurt 1987. Herën e dytë në mungesë të provave e lirojnë, ndonëse një vit më parë UDB serbe ia kishte mbytur të vëllanë (Xhemailin), në burgun hetues në Pejës.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, policia ia merr dorëshkrimin e tregimeve të përgatitur për shtyp „Monolog i një komiti“, si dhe dy novelat „Balta me gjak“ dhe „Besa“, të cilat nuk i kthejnë asnjëherë.
Muharrem Blakaj, në tetor të vitit 1987 detyrohet ta lëshoj Kosovën dhe të kërkoj strehim politik në Zvicër. Ai deri më tani i ka botuar tregimet dhe fragmente nga romanet e tij, kudo në shtypin shqiptarë qoftë në diasporë apo në Kosovë.
Muharrem Blakaj, jeton në Zvicër.
Adresa elektronike: memi_1111@hotmail.com
Veprat letrare:
1. “Misioni sekret” , roman, botoi Sh. Botuese “Rozafa”, Prishtinë 2004.
2. ”Thesaret e humbura”, roman, botoi SHKSH „Mëmëdheu“, CH - St. Gallen 2005.
3. “Atentat brenda germës L”, roman, botoi SHKSH „Mëmëdheu“, CH - St. Gallen 2007.
4. “Paraardhësit”, roman, botoi “KOMBI” (IKDFK), Prishtinë 2009.

THESARET E HUMBURA...
(Fragment)*
(Fragment)*
Nga Muharrem Blakaj
***

Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Asllan Dibrani:Dibrani: Turko-serbo-sllavët sulmojnë Kadarenë!
» Musa Jupolli:Misioni letrar
» Cakrani i Fierit, fshati që fsheh thesaret e mbretërve ilirë të Jugut
» Sabit Rrustemi në shtypin letrar të Rumanisë
» Jusuf Zenunaj në shtypin letrar të Rumanisë

Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi