Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Konica: Shqiptarët, nga origjina, tek jeta seksuale

Shko poshtë

Konica: Shqiptarët, nga origjina, tek jeta seksuale Empty Konica: Shqiptarët, nga origjina, tek jeta seksuale

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jun 27, 2010 1:15 pm

Konica: Shqiptarët, nga origjina, tek jeta seksuale


Konica: Shqiptarët, nga origjina, tek jeta seksuale U1_FaikKonica
Nga ALMA MILE
Për vite të tëra ato do të flinin në Katedralen Ortodokse shqiptare të Shën Gjergjit në Boston. Një sy i vëmendshëm femre do t'i zbulonte ato ndër shkresash e letërkëmbimesh... "Shqipëria: Kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore" dhe ese të tjera nga Faik Konica, rivijnë për lexuesin shqiptar, përmes shqipërimit të përkthyesit Ferdinand Leka, i cili ka pasur fatin ta ketë në duar këtë vepër qysh në vitet '60. I pari që i nxori në dritën e botimit këto dorëshkrime ishte Gëzim M. Panariti, sekretar i Federatës "Vatra" në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku Konica ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë gjatë viteve 1926 deri më 1939. Në një hyrje që shoqëron librin, ai bën me dije se esetë e zgjedhura për t'u përfshirë në këtë botim janë shkëputur nga një dorëshkrim mbi historinë e Shqipërisë, që Konica kishte ndër duar, deri në momentin që vdiq në 15 dhjetor 1942. Ai gjithashtu na jep edhe një informacion të hollësishëm mbi origjinën e këtyre shkrimeve dhe fatin e tyre, pas vdekjes së autorit. Veç dy shkrimeve të Panaritit dhe një hyrjeje të Nolit, libri ka në përmbajtjen e tij "Shqipëria, vend i mrekullueshëm", "Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore", "Veçori raciale", "Populli shqiptar: vëzhgime mbi jetën dhe karakterin e tij", "Fustanella piktoreske", "Cilësitë luftarake", "Bejlerët dhe bajraktarët", "Gjuha dhe letërsia", "Besimi", "Si i erdhi fundi Shqipërisë së Zogut" dhe në fund një shtojcë me "Rrethanat e konfliktit italo-grek" dhe "'Gjykatësi' i jep çmimin e kapelës së lartë". Pavarësisht se libri nuk e pa dritën e botimit në gjallje të autorit, duket se Konica nuk ka punuar pak për realizimin e tij. Ai ka shfrytëzuar një material të pasur dokumentar. U referohet shumë veprave që të huajt kanë shkruar për Shqipërinë, si nga Bajroni, Lik-u, Hobhauzi, etj., por edhe fjalëve të urta, apo shprehjeve që qarkullonin mes shqiptarëve, apo në vendet fqinje për shqiptarët. Një libër tërheqës, i shkruar me një stil të rrjedhshëm, që do të hidhte dritë mbi Shqipërinë, jashtë kufijve të saj, ku pak njihej e flitej. Ai flet për karakteristikat e shqiptarëve, mënyrën e sjelljes, veshjes, ushqimin, gjuhën, kulturën, jetën seksuale... "Shqipëria: Kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore" është pjesë e kolanës "Intelligenda", kuruar nga Aurel Plasari, nën siglën e shtëpisë botuese "55".
Origjina e librit
Sipas Panaritit, ky libër ishte porositur në vitin 1935 Robert Mc. Brixh end Kompani (Bridge and Company). Në një letër që mban datën 19 nëntor 1935, ndër të tjera thuhet: "Jemi shumë të interesuar që të botojmë një histori moderne të Shqipërisë me karakter popullarizues, ku të vihet në dukje sidomos përparimi i bërë nga ky vend pas luftës (së Parë Botërore F.L). Ne e dimë se vendi juaj nuk është trajtuar ndonjëherë siç duhet në literaturën në gjuhë angleze. Edhe ato shënime të pakta që ekzistojnë në anglisht janë shumë të vjetra e u ka kaluar koha". Pas 11 ditësh Konica u kthen përgjigje, duke i bërë me dije për realizimin e një historie të Shqipërisë. "Nga shënimet e mëposhtme do të shikoni se libri që kam ndër mend të shkruaj nuk ka pretendime; kërkoj vetëm hapësirë të nevojshme për shënimet dhe treguesin, përndryshe libri do të paraqitej si një vepër diletanteske, gjë të cilën unë e kundërshtoj me vendosmëri", shkruan Konica. Sipas Panaritit, libri i propozuar nga Konica u pranua nga botuesi "Mak Brixh end Kompani" dy muaj më vonë. Pas pushtimit të Shqipërisë në prill të 1939-ës nga Italia dhe shkarkimit nga detyra e Konicës, botuesit u tërhoqën nga ideja e tyre dhe për vite me radhë dorëshkrimi mbeti në sirtar. As vetë Konica nuk iu rikthye më atij. "Pas vdekjes, biblioteka e tij e pasur dhe gjëra të tjera vetjake u kyçën në Uashington, me besimin se kur të bëhej paqja do të dërgoheshin në Shqipëri së bashku me eshtrat e tij. Regjimi i sotëm në Shqipëri nuk ka ndërmarrë gjë në këtë drejtim. Meqë Z. Konica nuk ka njerëz të afërm në vendin e vet dhe përderisa ka qenë themeluesi kryesor i Federatës Panshqiptare "Vatra" të Amerikës, kjo organizatë mori përsipër ruajtjen e pasurisë së tij, duke paguar taksën e magazinimit (qira etj.) për shumë vite me radhë. Më në fund librat e tij u bartën nga Uashingtoni në Boston", tregon Panariti.
Zbulimi
Dy koleksione zyrtare, me letërkëmbimin zyrtar dhe me letra të tjera u vendosën në zyrat e "Vatrës"; librat u mbyllën në Katedralen Ortodokse shqiptare të Shën Gjergjit në South Boston. Dorëshkrimi u zbulua në mënyrë mjaft të çuditshme. "Në janar të vitit 1952 unë isha i shtruar në spital për një operacion të lehtë. Në këtë kohë më zëvendësonte në zyrë gruaja ime Sara, e cila në kohën e lirë filloi të ndante veç e veç dhe t'i klasifikonte shkrimet e ndryshme të Konicës, të shkruara në shumë gjuhë. Gjatë kësaj pune ajo zbuloi këtë dorëshkrim, e lexoi dhe kaq shumë e bëri për vete stili dhe përmbajtja e materialit sa erdhi drejt e në spital, tërë entuziazëm, të më mbushte mendjen ta jepja për botim. Më vonë e lexova edhe unë vetë dorëshkrimin, më pëlqeu dhe menjëherë vendosa të mos e lija të shkonte dëm kjo punë me vlerë, pa marrë parasysh sa duhej bërë për përgatitjen e tij", tregon Panariti, i cili e pasuroi botimin me pjesë nga shënimet dhe fjalimet e Konicës.
Noli: Takimi i parë me Konicën veshur me fustanellë
"Shqipëria: Kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore", shoqërohet edhe nga një hyrje e Fan Nolit, i cili nuk flet vetëm për vlerat veprave të lëna nga Faik Konica, por ai tregon edhe takimin e parë me të. "Për herë të parë e kam takuar Konicën më 1909. Kjo qe një përvojë që s'do ta harroj kurrë. Ai më kishte shkruar nga Londra se do të vinte në Boston i veshur me kostum kombëtar shqiptar. Qëllimi i tij ishte që ta nxirrnin të fotografuar në gazeta dhe kështu të popullarizohej çështja kombëtare shqiptare, e cila ka qenë pasioni i tërë jetës së tij. Unë u zura në befasi. Në atë kohë, si prift ortodoks i stilit të vjetër, unë mbaja një rasë të zezë të gjatë, të cilën fëmijët e Bostonit nuk e vlerësonin shumë. Nuk e përshkruaj dot gëzimin e fëmijëve kur më panë duke shkuar rrugës me një burrë të veshur me fustanellë. Megjithëse deri atëherë nuk kisha parë fustanellë shqiptare, e merrja me mend se do të ishte diçka e ngjashme me fustanellën greke, me fjalë të tjera diçka si ai fundi që mbajnë balerinat. Unë isha i shkurtër dhe rrondokop, Konica ishte i gjatë dhe i hollë; kështu që dukeshim si Don Kishoti me Sanço Pançon, të ikur nga ndonjë cirk. Sa u çudita kur pashë se fëmijët e Bostonit e harruan fare rason time dhe zunë të admirojnë Konicën. Atëherë e kuptova se fustanella shqiptare nuk ishte ajo fustanella qesharake greke, por diçka e ngjashme me killtin skocez dhe që i rrinte shumë bukur një burri të hijshëm si Konica".
Panorama - Për ZSH: Gjergj Kabashi
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi