Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Fatos Baxhaku: Lekdushi, një ditë në Kurveleshin e Sipërm

Shko poshtë

Fatos Baxhaku: Lekdushi, një ditë në Kurveleshin e Sipërm Empty Fatos Baxhaku: Lekdushi, një ditë në Kurveleshin e Sipërm

Mesazh nga Agim Gashi Tue Jun 29, 2010 12:14 pm

Fatos Baxhaku: Lekdushi, një ditë në Kurveleshin e Sipërm U1_1
Lekdushi, një ditë në Kurveleshin e Sipërm
Nga Fatos Baxhaku
Ende në Kurvelesh rrëfejnë se në kohë, që nuk mbahen mend, jetonte në këto anë e bija e një fisniku fort të kamur, që quhej Rexhina. Kjo Rexhina paskësh shtënë dashuri me një djalosh të thjeshtë, por fort të pashëm e të mbarë, që quhej Dusho. Nga martesa e tyre e lumtur rrodhi një tufë me fëmijë. Të gjithë djem. Këta u dhanë jetë fshatrave të Kurveleshit të fshehur ndënë sqetulla malesh të rreptë, të vendosur atje ku toka mbashkohet me retë. Ka vërtet njerëz që besojnë se kështu lindën fshatrat e Kurveleshit të Sipërm, të cilët sot bashkohen në një komunë të vetme. Kështu, nga Nivua lindi Nivica, nga Leka Lekdushi dhe me radhë nga Gusmo Gusmari, nga Progua Progonati. Në Rexhin mbeti çifti plak dhe fshati mbajti emrin e zonjës së vjetër. Si përherë, ka vetëm pak gjasa që kjo legjendë t’i afrohet së vërtetës. Por edhe në mos qoftë e vërtetë, është fort e goditur dhe ua lehtëson njerëzve kokëçarjet e mëdha për të gjetur origjinën e tyre.
Ne jemi nisur drejt njërit prej fshatrave të kësaj zone, drejt Lekdushit. Ndalesën e parë e bëjmë në Tepelenë. Me këtë qytet është lidhur jetë e mot historia dhe fatet e tërë kësaj ane. Makina jonë merr rrugën në të dalë të Tepelenës, atje ku xhadeja nis të ndjekë lumin e Bënçës, një degë e rëndësishme e Vjosës. “Njeriu” i fundit që përshëndoshim është Selam Musai i famshëm. Busti i tij, me shikimin e ngrirë drejt maleve të Kurveleshit, duket sikur kërkon të na mbrojë në këtë udhëtim. Bashkë me ne udhëtojnë edhe dy miq. I pari, Xhaferr Majkaj, mjek në spitalin e Tepelenës, ka lindur në Lekdush, por është larguar që herët prej andej. I dyti, Turabi Shehu, shofer i vjetër, është lidhur fort me atë vend nga kujtimet e prindërve të tij. Të dy janë njerëz që udhëtojnë shpesh këtyre anëve, me mallin e fortë për vendin e tyre. Që këndej e tutje ata do t’i thërrasim “doktori” ose “Xhafua i Majke” dhe “Turo i Shehe”. Kështu i thërrasin ata vetë fshatarët. Shumë shpejt do ta kuptojmë se janë miq e udhërrëfyes të pazëvendësueshëm.
Fatos Baxhaku: Lekdushi, një ditë në Kurveleshin e Sipërm U1_2
Nga Ali Pashai, te “diversanti” Çako
Xhadeja që të çon drejt Lekdushit është një rrugë e ngushtë, e ndërtuar andej nga fundi i viteve ‘70 të shekullit të kaluar. Sa më shumë që udhëtojmë mbi të, aq më malor bëhet peizazhi, deri sa lumi i Bënçës mezi shikohet si një rrjedhë e hollë uji. Përballë kemi disa male të lartë dhe ajo shprehja në këto anë, “ha pula gurë”, sa vjen e na bëhet më familjare. Në të hyrë të Bënçës, një fshat i njohur e i madh, hasim sinjalin e parë të historisë së ngjeshur të këtyre anëve. Një akuadukt i lartë mbahet ende në këmbë. Është ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës dhe shërbente për të sjellë ujë për vaditje nga njëri breg i lumit të Bënçës, në tjetrin. Një vepër e mrekullueshme inxhinierike, vetëm pak e njohur në pjesën tjetër të vendit.
Bënçën e shohim vetëm kalimthi. Për të, historitë dhe njerëzit e saj, kemi folur edhe herë të tjera. Një tjetër bust, ai i Abaz Shehut, na e rikujton se sa e lidhur është kjo zonë me histori lufte. Gjurmët e Ali Pashës na shfaqen sërish. Në të djathtën tonë, një burim ujëftohtë vazhdon të rrjedhë furishëm. Këtij vendi banorët e këtushëm i thonë Ujët e Vjerrë (Uji i Varur). Që këtej, Ali Pasha me anë tubacionesh të veçanta prej qeramike, e dërgonte ujin më të mirë të krejt zonës drejt kalasë së tij në Tepelenë. Gjurmë të këtij ujësjellësi gjenden nga çobanët edhe sot e kësaj dite. Disa qyngje të tij do t’i shohim vetëm pas pak, në një banesë të fshatit.
Si e gjithë zona, edhe banorët e këtyre anëve kanë qenë fort të lidhur me Pashain e Janinës. Ushtarë, oficerë, shërbëtorë, për të gjitha këto poste, Aliu kishte besim te njerëzit që vinin nga krahina e tij. Në këto troje historia është jo vetëm e gjatë, por edhe e ngjeshur. Befas kalojmë nga historitë e pashallarëve dhe të Turqisë, në ato me “diversantë”. Miqtë tanë na tregojnë se ku është vendi i quajtur “Buza e Bredhit”. Nga poshtë shohim një si pllajë që tashmë është krejt e zhveshur. Bredhat e dikurshëm sigurisht që nuk janë më që prej shumë kohësh. Me këtë vend lidhet njëra prej historive më interesante të periudhës pas 1944. “Buza e Bredhit”, njësoj si vendi, u quajt një grackë që Sigurimi i Shtetit u ngriti kundërshtarëve të komunizmit. Pikërisht këtu u zu në grackë Ethem Çako, kurveleshas, njeri i afërt i Mbretit Zog. Çako, ushtarak dhe njeri i stërvitur më së miri për luftën ilegale, u parashutua në këtë vend nga një avion italian më 8 korrik 1949. Katër vjet pas fitores mbi nazizmin, aleatët e mëdhenj tani ishin bërë armiq. Lufta e Ftohtë porsa kishte filluar.
Amerikanët, anglezët dhe aleatët e tyre besonin se kishte ardhur koha për të përmbysur një prej shteteve satelite të Stalinit. Pika më e dobët dhe më pranë Perëndimit u gjykua Shqipëria. Kështu mori udhë një operacion i gjerë desantimi, i cili rezultoi një dështim i vërtetë. Si shumë të tjerë, Ethem Çako ra në duart e Sigurimit menjëherë porsa zbriti në krahinën e tij. I vënë para kërcënimit të dënimit me vdekje, ai pranoi të punonte për Sigurimin. Kështu lindi radioloja e njohur me emrin “Buza e Bredhit”. Ajo vazhdoi deri në nëntor të 1949-s, dhe çoi në burg shumë kundërshtarë të komunistëve, që u desantuan asokohe nga zbulimi italian. Është pranuar gjerësisht se njerëzit e dërguar nga Perëndimi për përmbysjen e Enver Hoxhës u tradhtuan nga anglezi Kim Filbi, agjenti i famshëm i KGB-së, por teza është hedhur poshtë nga drejtues të atëhershëm të Sigurimit, mes të cilëve Pilo Shanto, njëri prej drejtuesve kryesorë të atyre operacioneve që njihen me emrin “radiolojët”.
Fatos Baxhaku: Lekdushi, një ditë në Kurveleshin e Sipërm U1_3
Në zemër të Kurveleshit
Miqtë tanë, doktori dhe Turua i Shehe, i njohin thuajse me pëllëmbë këto anë. “Ky vendi këtu quhet Ravgua, këto ku po udhëtojmë quhen kthesat e Gërxhunit, këtu i thonë…”, vazhdojnë ata të tregojnë me një entuziazëm si prej të rinjsh. Tashmë e ndiejmë se kemi hyrë bash në zemër të Kurveleshit. Qëndrojmë të freskohemi në anë të një burimi. Çobanët këtu kanë ngritur edhe një koritë për tufat e tyre. Përballë nesh ngrihet thikë një shkëmb i lartë që përfundon në një luginë të thellë. Mezi arrijmë të shikojmë luginën e Gurrës, përroit që rrjedh në perëndim të Lekdushit.
E ndiejmë që fshati është fare pranë. Një çoban ngjitet bashkë me tufën e tij të madhe. Nuk arrijmë të kuptojmë se kush është më i shkathët, Teno Begaj, çobani, apo tufa e tij e stërmadhe. Dielli ka nisur të ngrohë dhe Tenua po i ngjit lart në mal bagëtitë e tij. Ka 200 keca e 150 dhi. Ai vë buzën në gaz kur ne dhitë e tij i quajmë thjesht “dhi”. “Po këto kanë emrat e tyre more të uruar – na thotë.
– Ja, kjo këtu quhet kaballë, e pastaj kam zebë, kenë, verdhë, mëllonjë, konjille, qerba faqekuqe…”. E përkthyer në gjuhën e qytetit fjalia mund të ishte pak a shumë kështu: Kam dhi të bardhë, të zezë, gri, të verdhë, të zezë pis, të zezë me shkëlqim… Tenua na fton bujarisht në stanin e tij. “Bën ca vapë tani, po bashkë do jemi, punë e madhe. Dhallë, raki e keca kemi plot”, thotë ndërsa sytë e qeshur bëjnë kontrast me portretin e tij të lodhur. E falënderojmë dhe vazhdojmë më tej. Ende nuk e kemi nisur mirë punën.
Brenda pak minutash jemi në fshat. Për të pasionuarit e gjeografisë jemi në mes të Picarit, Bënçës, Luzatit, Nivicës dhe Progonatit, në zemër të Kurveleshit të Sipërm, 900 metra mbi nivelin e detit. Nga Tepelena kemi udhëtuar vetëm 15 kilometra, por rruga na është dukur të gjithëve goxha më e gjatë. Gjëja e parë që hasim është një përzierje e beftë mes tri feve, të paktën për nga toponimia.
Kemi kaluar një përrua që quhej “i Milloshit”, jemi në një shesh që quhet “Bregu i Mëhillit” dhe përballë kemi një tyrbe (vend të shenjtë halevi). Përjetojmë në të njëjtin çast tri fe dhe tri periudha të ndryshme historike. Për të gjithë në këto anë, por edhe për shumëkënd gjetiu është i njohur fakti që si në të gjithë Kurveleshin patën një ndikim fillestar dyndjet sllave. Shumë emra vendesh kanë mbetur që nga ajo kohë. Pastaj popullsia ishte më së shumti katolike. Përgjatë shekujve XIV-XV, numri i saj u shtua edhe nga të ardhur prej Malësisë së Krujës dhe Mirdita. Emrat apo mbiemrat Gjon apo Lekë janë ende një gjë krejt normale. Myslimanizmi pat nisur të përhapej në masë në shekullin XVI.
Ne ecim pas doktorit dhe Turos. Tani ata ndjehen krejt si në shtëpinë e tyre. Takojnë pa pushim pleq e fëmijë, pyesin për shëndetin, për shkollën, për punët. Vetëm burra hëpërhë nuk takojmë. Ata janë të gjithë në mal me bagëtitë. Shohim me radhë lapidarin e dëshmorëve të luftës, bustin e Mustafa Matohitit, një pllakë kushtuar Hito Lekdushit, shkollën fillore tani të heshtur nga pushimet e verës. Në qendër të fshatit, dy miqtë tanë nisin të flasin me gjallëri. Këtu, një çati metalike është ngritur mbi disa struktura të metalta. Doktori na shpjegon domethënien e kësaj ngrehine: Kjo është një pikë që kemi ngritur me ndihmën e disa lekdushasve nga Fieri. Mendojmë që të jetë një vendtakimi për festën e fshatit, apo edhe për raste të tjera, dasma, mbledhje e gjëra si këto. Tani nuk është e përfunduar, por mendojmë që ta rrethojmë e të jetë sa më dinjitoze dhe t’i shërbejë fshatit dhe neve që vijmë herë pas here për t’u çmallur me njerëzit tanë”.
Me doktorin dhe Turon sillemi një herë rreth fshatit. Një copë herë ecim vetëm përmes gurëve të mbetur nga shtëpitë e dikurshme. Nuk është e vështirë ta kuptosh. Fshati ka kohë që ka nisur të mpaket. Toka e pakët, jeta e vështirë, mungesa e rrugëve, dimri i ashpër, djegiet e herëpashershme kanë bërë që lekdushasit të largohen me kohë. Arsyeve të largimit u duhet shtuar edhe emigracioni që, ndryshe nga fshatrat e tjerë rreth e rrotull, këtu ka pasur një traditë të vjetër. Kjo i ka dhënë Lekdushit edhe namin e njerëzve që lexojnë dhe që e kanë qejf shkollën. Fqinjët e tyre bëjnë shaka: Nëse do t’i gjesh të gjithë lekdushasit bashkë, për të mirë a për të keq, shpjeru ndonjë gazetë, kështu do të mblidhen të gjithë tok kokë më kokë. Na thonë se në fillim të shekullit XX, fshati kishte 120 familje, gjatë Luftës së Dytë Botërore aty afër 150. Ne mezi arrijmë të numërojmë diku te 25 shtëpitë. Mpakja seç na kujton një ndjenjë trishtimi. Edhe miqtë tanë nuk janë më të qeshur e hokatarë si në fillim. Ikja e parë e madhe ka ndodhur menjëherë pas luftës, kur shumë lekdushas zbritën në qytete. Fshati ishte djegur shumë herë dhe jeta ishte bërë edhe më e vështirë se ç’ishte. Pastaj ikja e dytë e madhe ndodhi pas ‘90-s. Tani ka dhjetëra herë më shumë lekdushash në Gjirokastër, Fier, Vlorë, Tiranë e Durrës, se sa në vetë fshatin.
Histori poshtë një peme
Fatos Baxhaku: Lekdushi, një ditë në Kurveleshin e Sipërm U1_4
Nuk është e thënë që kryeplaku të jetë plak. Të paktën në Lekdush. Kryeplaku i këtushëm është Kreshnik Shehu, 36 vjeç. Si e ka mësuar që në fshat kanë ardhur miq, ai i ka lënë menjëherë punët e tij mënjanë. Kreshniku rrjedh nga një familje e vjetër shehlerësh. Ai kujdeset për një tyrbe që është rindërtuar nga e para. Ajo është themeluar nga Sheh Sakiu, i pari i fisit të tij që në 1770. Tyrbja është krejt ngjitur me shtëpinë e kryeplakut. Ajo është rindërtuar që nga themelet nga Ilir Shehu, një i afërm i Kreshnikut në vitin 2007. Një tjetër tyrbe e kemi hasur në të hyrë të fshatit. Ajo ishte ndërtuar nga Sheh Xhelili në 1787, rindërtuar për herë të parë në 1995 nga Tanush Shehu, një i larguar nga fshati. Puna ka përfunduar nga e shoqja vitet e fundit, kur u gjetën themelet origjinale të tyrbes së vjetër.
Teksa rrimë në hijen e saj, na kujtohet se besimtarët myslimanë të këtyre anëve u përkasin degës halveti të sufitëve. Këta të fundit janë një degëzim i rëndësishëm i Islamit. Njëra prej atyre degëve që bazohet në Muhametin, Kuranin dhe në të gjitha pikat e tjera të besimit islam, por që në qendër të vëmendjes ka vetëpërsosjen personale. Sipas tyre, Allahu mund të takohet edhe pa ndërmjetësinë e klerikëve. I pari i fesë në një komunitet (shehu) është më shumë një mjeshtër e një baba shpirtëror, se sa një klerik i mirëfilltë i ndarë nga pjesa tjetër e fshatit. Sipas teologëve kjo rrymë bashkon në vetvete shumë ndikime të krishtërimit, neoplatonizmit e deri të induve. Është konsideruar, pak a shumë, si një lloj protestantizmi në gjirin e Islamit dhe pasuesit e saj janë dalluar gjithmonë për liberalizmin e tyre. Halevitë u përhapën shumë në Turqinë e sotme duke nisur që nga shekulli XIV. Tyrbja e tyre kryesore, ose “Shtëpia Nënë” është ndërtuar në Stamboll në shekullin XV, në kohën e Sulltan Bajazitit.
Kryeplaku na vë përpara një tekst të daktilografuar, të zverdhur nga koha. Është historiku i fshatit, i hartuar andej nga mesi i viteve ‘60. Në hijen e një peme në oborrin e “Shehe”, nxjerrim ca shënime nga një histori e gjatë. Pjesën e parë e kalojmë shpejt e shpejt. Historia është e njëllojtë me pjesën tjetër të Kurveleshit, me ngulimet e para, me gjetjet arkeologjike, me toponimet e vjetra. Pastaj vjen periudha e ndeshjeve të para me osmanët. Si të gjithë kurveleshasit, edhe lekdushasit e parë duhet të jenë ndeshur me pushtuesit. Pastaj vijojnë pa pushim luftëra. Luftë nën komandën e Ali Pashës, pastaj kundër Tanzimatit me Zenel Gjolekën e Çelo Picarin, luftë me… deri në 1944. Në fakt nuk është një historik i mirëfilltë. Është thjesht një vijim krismash e betejash thuajse të pareshtura. Ndalojmë te një emër, monumentin e të cilit e kemi hasur në të hyrë të fshatit.
Hito që vrau Bimbashin
Në 1907-n Hito nga Lekdushi ishte një djalosh i thjeshtë 27-vjeçar. Duhet t’i ketë pëlqyer jeta e malit. Në kujtimet e tij, Mihal Grameno shkruan se kur Hito e takoi çetën e Çerçiz Topullit në një fshat të Dropullit, tashmë kishin kaluar shumë kohë që po i kërkonte me padurim. Ai është bërë i njohur nga një tjetër histori me krisma: vrasja e Bimbashit të Gjirokastrës një ditë të hënë më 25 shkurt 1908. Pas dy përpjekjesh të pafrytshme nga dy luftëtarë për të vrarë ushtarakun e lartë, dy kurveleshas, Hito Lekdushi dhe Brajram Prongjia, e morën përsipër detyrën. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Dy lebër nuk mund t’ia linin tjetër kujt detyrën e vështirë. Atentati bëri bujë të madhe jo vetëm në Gjirokastër e rreth e rrotull, por edhe jashtë vendit. Pas kësaj, çeta e tradhtuar e Çerçizit u rrethua në Mashkullorë. Është pikërisht beteja e famshme ku mbeti i vrarë Hajredin Tremishti. Çeta u shpërnda për t’u shpëtuar ndjekjeve. Hitua e shkreh edhe një herë në një sulm që një çetë bëri në zyrat e “Hyqymetit” në Sarandë, dhe pastaj vjen amnistia që shpallën xhonturqit. Djaloshi nga Salaria, tashmë në paqe, nis punë në një zyrë të shtetit në Gjirokastër. Po koha e krismave donte shumë kohë që të ikte këtyre anëve. Vetë Hitua u vra në Gjirokastër, më 1909. Plumbat që i morën jetën u lëshuan nga mjeti që kishte më për zemër: një “gjashtëshe” me mulli. Në 1911-n, burrat e fshatit, nën drejtimin e Bstri Hajnajt, morën pjesë aktive në kryengritjen e Kurveleshit që mori hov nga Kuvendi i Cepos.
Pak kohë më vonë, Lekdushi u pushtua nga ushtritë greke. 83 burra nga fshati morën pjesë në luftimet e ashpra që u zhvilluan mes ushtrive greke dhe vullnetarëve shqiptarë. Më parë ishte sulmuar Lekdushi. Ishte plaçkitja dhe djegia e parë e madhe. Të tjera do të vijonin më pas. Gjithsesi fshati do të kalonte një periudhë relative qetësie në vitet që pasuan, deri në 1920, kur 90 lekdushas morën pjesë në çlirimin e Tepelenës dhe Vlorës. Krismat nuk shkulen nga historiku i zverdhur.
Fatos Baxhaku: Lekdushi, një ditë në Kurveleshin e Sipërm U1_5
Nga Bostoni, në Lekdush
Afër qendrës së fshatit miqtë tanë na kishin folur për një figurë tjetër: Sinan Tare Kërpi. Ky ishte ndër ata emigrantët për të cilët folëm ca më lart. Në Boston ishte bërë anëtar i shoqatës “Vatra” dhe nuk i kishte shkëputur kurrë lidhjet me vendlindjen e tij. Ishte madje ndër më aktivët e shqiptarëve të Amerikës në një kohë të ngrysur për Shqipërinë. 6 lekdushas miq të tij do të ishin pjesë të asaj “aventure” patriotike që solli bandën nga Bostoni drejt e në Shqipëri për t’u dhënë zemër bashkëpatriotëve të dëshpëruar deri në palcë. Po ky Sinan Tare Kërpi, në 1919 ka këmbëngulur deri sa u hap në fshatin e tij e para shkollë shqipe. Ai vetë ishte mësuesi i parë. Shkollë është fjalë e madhe, sepse fëmijët, djem e vajza bashkë, një tjetër gjë e padëgjuar për kohën, bënin mësim në një haur të thjeshtë të ulur në disa lëkura bagëtish. Vite më vonë vetë fshati ndërtoi një shkollë për të qenë.
Në të dalë të fshatit, Çajup Kërpi, një stërnip i Sinanit, na fton për një kafe në shtëpinë e tij. Teksa bisedojmë për gjëra të shkuara e të sotme, na shkojnë sytë te një diplomë. Është çmimi i nderit që Komuna e Kurveleshit i ka dhënë mësuesit të vjetër që dikur la Bostonin për t’i shërbyer vatanit. Na rrëfejnë se mbylli sytë në vitet ‘60 në një azil të Gjirokastrës. Asokohe pak kush u kujtua për mësuesin e vjetër.
“Bilbil” Matohiti
Me përjashtim të ndonjë “zullumi” që bënin ekspeditat e xhandarëve gjatë fushatës për mbledhjen e armëve, duket sikur për pak vjet edhe në historikun e zverdhur ka mbërritur paqja. Por kjo ka vazhduar për pak kohë, sepse armët kanë dalë sërish në pah. Në tetor të 1940-s, në Lekdush kalonte fronti i luftës italo-greke. Sërish 150 familjet morën malin për të shpëtuar kokën. Kjo gjendje vazhdoi deri në janarin e 1941-shit, por ndër shkrepa e kullota armët vazhduan të vrasin. Ishin municionet e braktisura që prekeshin nga fëmijët e pafajshëm. Pikërisht në këtë kohë nis të dalë në skenë një figurë që lekdushasit e kanë fort për zemër: Mustafa Matohiti, Hero i Popullit. Në këngët polifonike që këndohen ende sot e kësaj dite, thuhet: Bilbil Matohiti që s’të pashë me sy…
Mustafai bën pjesë tek ato familje lekdushase që varfëria i kishte bërë të shpërnguleshin gjetiu. Familja e tij u vendos në Delvinë. I etur për mësime, arriti që në 1934-n të mbaronte shkollën për ushtarak në Tiranë. Komunist që në të ritë e tij, ra shpejt në përgjim të policisë së kohës. Në 1938-n u detyrua të kthehej në vendlindjen e tij në Lekdush. Në shkurt të 1942-shit ishte iniciator i formimit të Këshillit Nacionalçlirimtar të fshatit. “Pas Kuçit ishte këshilli i dytë në krahinë dhe i pari në Kurveleshin e Sipërm”, shkruhet në historik, pa e fshehur krenarinë. Tani le t’u kthehemi krismave. Matohiti kishte krijuar një njësit atentatorësh në fshat. Duke i çuditur edhe vetë ata, ai i quajti “ushtarë të kuq”. Në korrik të 1942-shit, “ushtarët e kuq” kapën postën sekrete që shkonte nga Gusmari – asokohe qendër nënprefekture – për në Tepelenë. Nga letërkëmbimi i kapur dolën disa emra që u shërbenin të huajve. Nën drejtimin e Matohitit, njëri prej tyre u vra në Nivicë. Lufta kishte nisur edhe mes vetë kurveleshasve, sepse njerëzit e të vrarit vranë një prej “ushtarëve të kuq”. Pas kësaj, për kokën e Matohiti dhe dy të tjerëve u vunë 10 mijë franga shpërblim. Një muaj më pas Kurveleshi u bë zona e parë e çliruar në Shqipëri. Por ekspeditat ndëshkimore filluan. Lekdushi u dogj krejt. Ishte hera e dytë, por e para më e madhe. Matohiti ishte përfaqësuesi kryesor i komunistëve në të gjitha debatet që u zhvilluan asokohe në Kurvelesh, por edhe në Berat e Përmet. Në prill të 1943-shit Lekdushi dhe i gjithë Kurveleshi pësoi edhe një tjetër ekspeditë ndëshkimore. Në dimrin e 1944-s ishin gjermanët tashmë që i dhanë dorën e fundit asaj që kishte mbetur. Vetë Matohiti u emërua komisar i brigadës VI partizane, që u themelua në Përmet në janar të 1944-s. Ai u vra në betejë kundër gjermanëve në Mërgëllëç, afër Patosit të vjetër.
Fatos Baxhaku: Lekdushi, një ditë në Kurveleshin e Sipërm U1_6
Një vizitë në shtëpinë e Berias
Nuk është fjala për Berian, krahun e djathtë të Stalinit gjatë spastrimeve të viteve ‘30. Ne jemi nisur të takojmë një Beria tjetër. Një Beria që mban mbiemrin Shehu. Beria ynë është kushëri me kryeplakun. Shtëpitë e tyre janë fare afër. Ai ka lindur në 1948-n, kohë gjatë së cilës ishin fort në modë emra të tillë si Partizan, Stalin, Marenglen, Lenin e plot të ngjashëm. Kështu i ati, një çoban nga fshati, pat menduar se njeriu më i fuqishëm pas Stalinit ishte Beria. Kush e di se çfarë pat ëndërruar asokohe për djalin e tij të porsalindur çobani lekdushas. Sido që të jetë puna, personazhi ynë e mbajti emrin edhe pasi Krushovi dhe të tijtë e pushkatuan Berian, edhe askush nga PPSH, madje as Enveri vetë, nuk guxoi ta zinte ndonjëherë me gojë, edhe pasi për të gjithë u bë e qartë se Stalini kish prerë e kishte vrarë sa kishte pasur mundësi.
Berian tonë nuk e takojmë dot. Si shumë të tjerë nga fshati, edhe ai është në mal me bagëtitë. Takojmë vetëm të shoqen. Në këtë shtëpi këto ditë kanë ndodhur dy “sebepe”. Vajza e shtëpisë, e martuar në Gjirokastër, ka lindur vajzë dhe një mbesë sapo ka shpallur fejesën. Na zë një ndjesi e çuditshme teksa rrufisim kafenë duke biseduar me gruan e Berias. Na duket sikur jemi në një kohë tjetër.
Një arratisje e çuditshme
Në një rast, ajo tradita e të emigruarit drejt Amerikës është përsëritur, por sikurse do ta shohim, në rrethana disi të çuditshme, a më mirë me thënë ende të pashpjeguara. Çufe Isufi është martuar me Trëndafile Begajn. Kësaj në fshat të gjithë i thonë File. Filja është motra e një personazhi fort të njohur në Lekdush. I vëllai i saj, Begë Begaj, ishte njëri ndër partizanët më në zë në krejt krahinën. Pas luftës, në 1947-n ishte kapiten i parë. Për të gjithë në fillim ai ishte “ai i arratisuri”. Ai përfundoi në Amerikë. Por ndryshe nga të gjithë të arratisurit e tjerë, ai kishte një fat tjetër. Ai mund të hynte e të dilte në Shqipëri sa herë të donte. Askush nga familja nuk u prek gjatë komunizmit sepse kishte një të tijin të arratisur. Se si ka qenë e vërteta mundohet të na e shpjegojë i kunati, Çufja. “Këta ishin pesë vetë në fillim. Të gjithë ushtarakë – tregon ai – në fillim i kanë thirru dhe u kanë thënë se ju duhet të bëni sikur po arratiseni, por do të punoni për neve, pra për pushtetin e atëhershëm. Nuk dihet sepse katër shokët ikën dhe Begua mbeti. Në 1947 iku edhe ky, vetëm. Përfundoi në Amerikë, ku më parë kishte emigruar i ati, Reisi. Kur unë u martova me motrën e tij, kam pyetur se si është e vërteta. Të gjithë më thoshin mos ki merak. Kam mbajtur qëndrim të mirë. Madje një herë i bëra letër ministrit të Brendshëm dhe një nga Sigurimi erdhi në shtëpi këtu ku jemi ne sot. Edhe ky na tha të mos kemi merak. Edhe letërkëmbim kishim. Edhe ndonjë gjë të vogël na e dërgonte. Pastaj Bega erdhi dy herë në Shqipëri. Sipas të thënave të tij kishte punuar në fillim si marinar për vite me radhë dhe pastaj ishte njohur me një vajzë nga Gjirokastra, me të cilën u martua. Atje quhej me emrin e të atit, Reis Begaj, sepse letrat e tij i mori pas vdekjes së të atit. Me gjirokastriten ka dy fëmijë që janë atje në gjendje shumë të mirë. Bega ishte në krye të shoqatës ‘Naim Frashëri’, që mbështeste pushtetin e asaj kohe. Ka vdekur tani vonë. Ishte 86 vjeç”. Disa nga të pranishmit në bisedë kanë versionet e tyre, por koha ka kaluar si pa u ndjerë dhe neve na duhet të çohemi. Jashtë, në fshat, dëgjohen vetëm këmborët e bagëtive që kanë nisur të kthehen. Pas gjithë atyre historive me krisma, kjo na duket muzika më e bukur e botës. Teksa u hyjmë edhe një herë atyre kthesave të pluhurosura prej 15 kilometrash, e kthejmë edhe një herë kokën nga Lekdushi. Kush e di se përse fshati na duket edhe më i mpakur se ç’është. Mbase nga shkaku i rrugës së premtuar dhe kurrë të kryer. Në makinë pak nga pak nisi të jehojë labçja. Doktori dhe Turua i Shehe ia kanë marrë këngës. E si mund të ndodhte ndryshe?
Gazeta-Shqip: Për ZSH-Gjergj Kabash
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi