Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shkelzen Gashi: Isa Mulaj: Biografia "e paautorizuar" e disidentit të pamposhtur dhe të "xekrravt"

Shko poshtë

Shkelzen Gashi: Isa Mulaj: Biografia "e paautorizuar" e disidentit të pamposhtur dhe të "xekrravt" Empty Shkelzen Gashi: Isa Mulaj: Biografia "e paautorizuar" e disidentit të pamposhtur dhe të "xekrravt"

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jul 07, 2010 8:08 pm

Recension për librin: "Adem Demaçi: Biografi [E paautorizuar] - Një shekull i Kosovës nëpër një jetë"

Isa Mulaj: Biografia "e paautorizuar" e disidentit të pamposhtur dhe të "xekrravt"

Shkelzen Gashi: Isa Mulaj: Biografia "e paautorizuar" e disidentit të pamposhtur dhe të "xekrravt" 5600_103887388966_685718966_2120669_5226079_n
Nga: Isa Mulaj

Autori i librit: Shkëlzen Gashi

Shtëpia botuese: Rrokullia, Prishtinë, 2010, botimi i parë, 230 faqe.

---------------------------------------------------------------------------------------

Biografia "E paautorizuar" e disidentit të pamposhtur dhe të "xekrravt" nga analisti i pa kompromis

Libri dallohet dukshëm në qasje dhe metodologji thuajse nga çdo biografi për personalitetet shqiptare që është shkruar deri më sot. Ndoshta këtë e ka diktuar laramania e veprimtarisë së Adem Demaçit në kohë dhe rrethana vendimtare për Kosovën, si dhe kontrastet e mëdha të jetës së tij.

Biografi për personalitetet e njohura dhe me ndikim që ende janë gjallë, por edhe për ata që kanë vdekur, shkruhen përditë nëpër botë. Autorët shpesh kalojnë kufijtë e shteteve të tyre dhe shkruajnë biografi për personalitetet e shteteve të tjera. Padyshim se një gjë e tillë do të ndodhte edhe me biografinë e Adem Demaçit, siç na ndodh shpesh në lëmin e publicistikës kur autorët kryesor dhe veprat më të çmuara për historinë dhe rrethanat tona, na dalin të jenë të huajt. Kjo do të thotë se ekzistojnë tri probleme në qasje tek shumica e publicistëve shqiptarë: 1) ose nuk janë sa duhet neutral dhe profesional; 2) kanë ndjenjën e inferioritetit dhe mungesën e guximit të duhur intelektual; dhe 3) lexuesit paragjykojnë se nga cili vend vjen autori dhe personazhi, ku botohet ai libër, në cilën gjuhë, dhe në cilat qarqe qarkullon.

Ka qenë mençuria e Autorit Shkëlzen Gashi që e ka vërejtur para të tjerëve, duke përfshirë edhe historianët dhe publicistët e huaj, domosdoshmërinë e përkthimit të Biografisë në gjuhën angleze, se Adem Demaçi me gjithë atë bagazh veprimtarie dhe ndikimi në rrjedhat politike të Kosovës, mund të jetë cak i interesimit të veçantë për biografi kuptimplote, sot dhe në të ardhmen. Për sakrificën dhe disidencën e Adem Demaçit është e njohur shumica e popullsisë së Kosovës, ndonëse shumë sipërfaqësisht. Mjafton të rikujtojmë në formë përmbledhëse disa aspekte të cilat Autori i ka të shqyrtuara më në detaje. Më pak fjalë, veprimtaria e Demaçit mund të përshkruhet kështu:

I lindur më 1936 në Prishtinë. Vitet e moshës rinore pas Luftës së Dytë Botërore ia përkujtojnë krismat e pushkëve jo larg shtëpisë së tij gjatë natës kur ekzekutoheshin shqiptarët nga pushteti serbo-jugosllav. Kjo mund të ketë ndikuar dukshëm në zgjedhjen e rrugës së Demaçit si disident i pakompromis në luftën për lirinë e popullit të tij, për çka është dënuar tri herë nga pushteti komunist me gjithsej 28 vjet burg në tri intervale. Në mes tjerash, fitues i Çmimit Saharov për Liri të Mendimit; Çmimit Special për Paqe, kundër Racizmit dhe Ksenofobisë; Çmimit Leo Etinger për të Drejtat e Njeriut, bashkëthemelues dhe Kryesues i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSh); themelues dhe Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut (KMDLNJ), i kandiduar për Çmimi Nobel për Letërsi e më vonë edhe atë për Paqe, Përfaqësues i Përgjithshëm Politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK); kundërshtar i marrëveshjes së Rambujesë; ideator i projektit Ballkania; gjithmonë në qendër të vëmendjes për ngjarjet kyçe rreth fatit të Kosovës (sidomos prej fillimit të viteve 1990-ta e këndej); hokatarë dhe shpotitës edhe në minutat dhe sekondat më kritik për jetën e tij; humanist i pashembullt; sakrifikues, rrezikant dhe vetëmohues po ashtu i pashembullt; shkrimtar dhe publicist; autor i romanit të parë në gjuhën shqipe të botuar në Kosovë; Kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës (PPK); Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (LShK); dhe Drejtor i Bordit të Radio-Televizionit Publik të Kosovës (RTK).

Libri është i organizuar në 10 kapituj, secili i prezantuar në mënyrë kronologjike të ngjarjeve, me njohje të thella nga Autori të historisë dhe rrethanave në të cilat ka vepruar Demaçi. Burimet e shfrytëzuara për hulumtim, përpos atyre në të cilat Autori ka qenë në rrjedha të përditshme të ngjarjeve, d.m.th. prej luftës së Kosovës 1999 e këndej, përfshijnë deri në dokumentet origjinale të kohës, të shkruara edhe me stilolaps. Meqenëse personazhi kryesor është ende gjallë me të cilin Autori ka kontaktuar intensivisht gjatë përgatitjes së Librit, ka qenë një mundësi e rrallë për t'ia prezantuar lexuesit një Biografi gjithëpërfshirëse dhe detaje për njeriun me qendrën më të madhe të vëmendjes në shumicën e rrjedhave politike dhe historike të Kosovës. Një qasje tjetër e Autorit që i ka dhënë domethënie specifike Biografisë, është se krahas intervistave me bashkëveprimtarët dhe kundërshtarët e Demaçit, kërkon mendimin e Demaçit se si ka parë dhe përjetuar ngjarjet kur ishte në to, dhe si i sheh, përjeton dhe interpreton po të njëjtat në ditët e sotme.

Biografia në formë kronologjike dallohet për nga ajo që njihet si "përmbajtja në mes të rreshtave" nga e cila na del edhe një biografi tjetër e re vetëm me riorganizimin e tekstit te të njëjtit Libër të Autorit, pa ndryshuar asgjë por duke i zhvendosur ngjarjet dhe personazhet për ta bërë ndërlidhjen e tyre. Këtë Autori ia ka lënë intelektit të lexuesit nëse është në gjendje ta analizoj me kujdes dhe kuptoj përmbajtjen "e koduar". Fjala është për veprimet dhe qëndrimet e Demaçit ndaj ngjarjeve, dukurive, rrjedhave, politikës, dhe personaliteteve të caktuara gjatë periudhave të ndryshme kohore. Meqenëse këto janë të shkapërderdhura dhe shkëputura në Biografi për shkak të kronologjisë (pavarësisht se Autori bënë një rekapitullim të tyre duke intervistuar Demaçin dhe të tjerët sot për atëherë), lexuesit mund t'i pëlqej shumë Libri ashtu si është i organizuar, por nuk mund të informohet dhe ta kuptoj si duhet pa u ndalur vetë në ndërlidhjen e gjërave që qëndrojnë ndërmjet rreshtave, faqeve dhe kapitujve. Prandaj, ky recension kërkon zgjerim me analizë më të madhe duke përdorur shumë citate që na mundëson dekodimin e gjërave të ndërlidhura, të cilat në Libër i gjeni në largësi të mëdha kohore, por edhe si ngjarje krejtësisht të shkëputura njëra me tjetrën. Një citat ose disa në një kapitull dhe tjetri në kapitullin e fundit përputhen shumë ndërmjet vete, ose krijojnë kronologjinë tjetër pos asaj kohore - atë të dukurisë. Për shembull, çështja e bashkimit kombëtar nuk mund të kuptohet si duhet nëse kaloni nëpër Libër duke iu pëlqyer leximi pa e analizuar me kujdes se çka u tha për të njëjtin disa kapituj më herët. Autori nuk ka dashur t'i hyjë këtyre analizave, ose me qëllim që këtë ta bëjnë lexuesit, ose, siç mund të kuptohet nga parathënia dhe metodologjia, qëllimi i Autorit ishte të prezantohet një biografi sa më faktike që është e mundur pa interpretime.

Adem Demaçi nuk është Nelson Mandela i Evropës; Mandela ia bënë afër por ndoshta nuk mund të cilësohet si Demaçi i Afrikës. Mund të bindeni për këtë po që se i studioni të dy si duhet dhe rezultatet i hidhni në peshore. Mandela ka vuajtur një vit më pak burg se Demaçi. Kur u lirua, qëllimi i tij më shumë kishte qenë të vjen në krye të pushtetit ku edhe është akuzuar për përfshirje në afera korruptive. Qëllimi i Demaçit ka qenë liria për popullin, dhe jo vetëm që nuk është marrë me afera korruptive, por ka zbatuar humanitet të pashembullt për popullin - krejtësisht ndryshe dhe më ndershëm se Mandela. Mos hezitoni të lexoni së pari Librin e Shkëlezen Gashit, dhe pastaj disa libra për Nelson Mandelën. Edhe ashtu, krahasimin do ta bëjë gjithsesi dikush nga shtetet tjera pasi Biografia kuptimplote e Adem Demaçit është e përkthyer në anglisht. Mos u bëni, siç thotë Demaçi, me psikologji të mjerë, pasiv, inert, konfuz. Lexoni vetë.

Shkelzen Gashi: Isa Mulaj: Biografia "e paautorizuar" e disidentit të pamposhtur dhe të "xekrravt" 26869_420622263293_731278293_5298021_1293578_a

Marre nga faqja e Shkelzen Gashit
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi