Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shkëlzen Gashi: Adem Jashari dhe Hashim Thaçi

Shko poshtë

Shkëlzen Gashi: Adem Jashari dhe Hashim Thaçi Empty Shkëlzen Gashi: Adem Jashari dhe Hashim Thaçi

Mesazh nga Agim Gashi Tue Aug 25, 2009 12:48 am

Shkëlzen Gashi: Adem Jashari dhe Hashim Thaçi U1_adem_jashariTjetrazi

Adem Jashari dhe Hashim Thaçi

Nga Shkëlzen Gashi

Para disa javëve TV KLAN nga Tirana transmetoi një intervistë të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhënë gazetarit Blendi Fevziu. Të njëjtën më pas e botoi edhe gazeta Koha Jonë e Tiranës. Në këtë intervistë, Hashim Thaçi i rrëfen “të pathënat” e jetës së tij. Nuk më befasoi fakti se Thaçi rrëfimin e tij për luftën kishte zgjedhë t’ia tregonte pikërisht Blendi Fevziut. Përveçse ka njohuri shumë të mangëta mbi zhvillimet, interesat dhe protagonistët politikë në Kosovë, Blendi Fevziu plotëson edhe një kusht tjetër: gatishmërinë për t’u shkuar për shtati politikanëve që i interviston. Prandaj intervista me të ishte një adresë mediatike si e porositur për Thaçin.

Kjo intervistë e Thaçit nuk është e veçantë vetëm për faktin se në të vlojnë pasaktësitë, por edhe për faktin se është deri më tani sinteza më e ngjeshur e gënjeshtrave të tij. Edhe në të Thaçi e përsërit kryegënjeshtrën e vet për raportet “e afërta” me Adem Jasharin. Krejt ndryshe prej tij, Sylejman Selimi, në një intervistë të gjatë që pata zhvilluar me të në vitin 2005, e pohonte një gjë ekskluzive: Hashim Thaçi nuk ishte takuar me Adem Jasharin që nga viti 1993 e deri në vdekjen e Adem Jasharit më 1998. Selimi thoshte se Thaçi ose nuk kishte hyrë fare në Kosovë ose edhe mund të kishte hyrë ndonjëherë gjatë kësaj periudhe kohore, por te Adem Jashari nuk ishte paraqitur fare, sepse raportet mes tyre kishin qenë tepër të acaruara.

Nëse këto pohime të Selimit nuk janë të sakta, atëherë përse Thaçi gjatë kohës që intervista po paralajmërohej në Kosova Sot, më kërkoi takim në të cilin më tha të mos e botoja intervistën me Selimin? Kur unë ia refuzova kategorikisht kërkesën, më drejtua: “Nëse s’e ndal ti, atëherë e ndal Syla”. Invervista planifikohej të dilte në 10 vazhdime të njëpasnjëshme, por Sylejman Selimi më telefonoi pas botimit të vazhdimit të pestë dhe më tha se botimi i intervistës duhej të ndërpritej për shkak të presionit të jashtëzakonshëm nga të gjitha anët. U përpoqa ta bindja që të mos ndërhynte për ndërprerjen e saj, por ishte krejt e kotë.

Jam i prirur t’u besoj pohimeve të Sylejman Selimit, nga vetë fakti se ai me Adem Jasharin, në periudhën 1993-1998 kishte pasë raporte shumë të ngushta e të ngjeshura. Për më tej, e vetmja “dëshmi” e kontakteve mes Adem Jasharit dhe Hashim Thaçit që duket se i përket periudhës në fjalë (1993-1998), është një foto, të cilën grupime të afërta me Thaçin janë siguruar që ta afishojnë edhe në internet (lexuesi mund ta gjejë në www.google.com). Grafistët kompjuterikë, të cilët e njohin zanatin e përpunimit digjital të fotografive, theksojnë se nga ana e përpjesëve dhe kompozimit fotoja duket kryesisht e saktë, por evidentojnë shumë pikëpyetje si stërzgjatja e krahut të Thaçit mbrapa shpinës së Adem Jasharit, cilësia e zbehtë e fotos, dhe mbi të gjitha, mungesa e plotë e sfondit të dhomës si dhe pozicionimi krejtësisht indiferent i Adem Jasharit ndaj objektivit të aparatit, për dallim prej Hashim Thaçit, deri aty sa të duket se i pari është marrë krejt papritmas, ndërsa i dyti ashiqare. Por, pa dashur të hyj më tej në hamendësime të tilla, i bëj thirrje publike Hashim Thaçit për një paraqitje publike në të cilën jo vetëm mund të sqarojë pse kjo foto është e vetmja “provë” e “raporteve të afërta” mes tyre, por dhe që të sjellë të tjera dëshmi e argumente të kësaj miqësie “të afërt”.

Por t’i kthehemi edhe një herë intervistës së Thaçit dhënë gazetarit Blendi Fevziu, në të cilën ai thotë se arma e parë që ka marrë në posedim i është dhënë nga Afrim Zhitia në tetor të vitit 1989. Si ka mundësi të ketë marrë armë nga Zhitia, kur Thaçi në radhët e LPRK-së është inkuadruar në verë të vitit 1990, ndërsa Afrim Zhitia është vrarë më 2 nëntor 1989? Këtë do të ishte mirë ta vërtetonin me fakte shokët e Afrim Zhitisë dhe të Fahri Fazliut, por edhe familjarët e tyre.

Thaçi gënjen jo vetëm për raportet e veta personale me atdhetarët Adem Jashari e Afrim Zhitia, por edhe lidhur me pjesëmarrjen e tij në ngjarje të rëndësishme historike. Pyetjes “Ku keni qenë gjatë demonstratave të vitit 1981?”, Thaçi i përgjigjet se ka qenë nxënës i vitit të dytë në shkollën e mesme në Turiqec, dhe se e mban mend shumë mirë çka ka ngjarë ato ditë dhe si ishin mbledhë strukturat e Lidhjes Komuniste që ta pengonin ndonjë marshim të mundshëm të nxënësve. Kur përgjigjet kështu, Thaçi harron se në fillim të intervistës ka treguar se është lindë në vitin 1968, çka do të thotë se në vitin 1981 i ka pasë vetëm 13 vjet. Në këtë moshë, ai nuk ka pasë mundësi të ketë qenë në vitin e dytë të shkollës së mesme.

Intervista e Kryeministrit Thaçi ka edhe të tjera gënjeshtra që lidhen me pasaktësi datash e ngjarjesh, por është e pamundshme që të evidentohen të gjitha në një shkrim si ky. Unë kësaj radhe u kufizova në disa kryesore, që çdo lexues i informuar mund t'i hetojë lehtë, e që duke qenë të shqiptuara nga vetë Kryeministri i Kosovës, janë fyese, jo veç për qytetarin e Kosovës sot, por edhe për historiografinë e këtij vendi.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi