Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Sofra poetike sjell:Poezi nga PILO ZYBA

Shko poshtë

Sofra poetike sjell:Poezi nga PILO ZYBA Empty Sofra poetike sjell:Poezi nga PILO ZYBA

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jul 15, 2010 10:07 pm

Sofra poetike sjell:Poezi nga PILO ZYBA 34202_135095536524324_100000716346990_216516_3656980_n
Sofra poetike sjell:Poezi nga PILO ZYBA


TROJEVE JASHTË SHQIPËRISË

Ju, jeni batalione dalë nga këto troje
Të armatorur nga atdhedashuria,
Luftëtarë të përjetshëm në vëndroje
Për amanetin që borxh u la historia!

Bashkimi, gjuha dhe liria!

K O S O V A

Gjysmëhëna,
gjysmëbuzë ,
ngarkuar me fjalë të pa thëna.
Në shekuj,
e tretur, e thinjur, e vjetër,
për tu shprehur pret gjysmën tjetër.

2000

PEMA E KOMBIT TIM

Në shekuj,
E përndjekur, degë thyer, rrënjë prerë.
Përjetësisht,
Lulzimi i shpirtit i etur për pranverë!

FIGURAVE TË KOMBIT

Veprat dhe emrat tuaj nëpër vite,
Mbeten tituj në poemat tona historike.


GJUHËS SHQIPE

Të shtynë e të vranë, të grisën, të shanë,
Me shpatë të prenë që me Skëndërbenë.

Me pushkë të ranë, pastaj nisën qanë,
Paska vdekur, thanë, dhe ikën, të lanë.

Por, Ti - grugullimë, në fushë e lëndinë,
Këndoje lirinë, ndjenjën, historinë.

Dhe botës së madhe, po i flet krenare
Për gjuhën e lashtë, për këngë e për valle.

Sa herë që të digjnin me zjarr e me hekur
Mbi Ty binte lavdia, ata ishin të vdekur !


TRADHËTARËVE TË KOMBIT

Në degën e pemës komb, rritur edhe lindur,
Fryte të varur, të pjekur, por gjithnjë të hidhur.

NË DETIN E FRYMËZIMIT

- miqve të mi poetë -

U bënë vite që pranë këtij deti,
Lindja e perëndimi të zgjuar më gjeti.

Mes ujit të ftohtë, shkëmbinjve e dallgës,
Duke peshkuar bukuritë e fjalës.

Dallgët metafora shpesh tallen me mua:
- Fjala nuk është frut i varur në ftua,

Ta zësh me dorë, ta lash e ta hash,
Deti duhet çarë me not pash më pash.

Dallgë e bëj shpirtin e futem në ujë,
Vjershat më bëhen të tëra rrëmujë.

Notoj e kërkoj në shkëmbinj për perla,
Por ato më fshihen në ujrat e thella.

Zë një peshk të vogël, të vogël si presje,
Por ai si njalë më rrëshqet në ecje.

Lëshon dhe romuze thotë: - Sa i mjerë,
Këtej nuk ka perla i mblodhën të tjerë,

Ato që kanë mbetur janë larg e fshehur,
Duhet mund, lodhje, talent për ti mbledhur.

Dhe unë në luftë me mbretrit e detit,
Për të mbajtur gjallë emrin e poetit.

Nga goja ja rrëmbej një peshk të artë,
Ujkut të detit dhe e hedh në kartë.

Pastaj një merluc, barbun e një qefull,
Hidhem nga gëzimi, këndoj, jam i dehur.

Një kandil deti afër më bën drit',
Që këtu pranë jush ti bie poezit',

Ju, s'pyesni për lodhjen, për dallgët e detit,
Vargjet që skanë vlerë, shkelmojeni poetit!


PORTET POETIK


Flokët e derdhur ujvarë dritëhëne,
Zëri i ëmbël, fllad i ëmbël mbrëmje.

Balli i larë nën një perde grimi,
Ku fshihet heshtja e shfaqet mendimi.

Vetullat dy presje, novelë dashurie,
Sytë dy lëndina, peizazh poezie.

Faqezat dy mollë nga kopsht’ i ndaluar,
Nuk dua ti puth veç ti shoh praruar.

Buza bashk me dhëmbë një kafaz i artë,
Gjuha kanarinë me zërin e lartë.

Dy metafora gjoksi i mrekulluar,
Burime për etjen që më ka pushtuar.

Rripi gërma O, nuk paska të dyt’,
Ti e mban në mes, mua po më mbyt.

Këmbëzat e drejta nëpër ulje ngjitje,
Duket se baresin dy pikëçuditje.

Goditjet e takës nën dritën e hënës,
Janë pika të vëna në fund të poemës.

Një pasthirmë nxjerr. Ah ! Q’ë kam në fyt,
Nga shpirti më del gjith portreti yt.


TI NË KRYE TË POEMËS

- elegji për poetin Ndoc Gjetja -


Rrjeshti gjatë këtë herë
Ka një dhimbje nëpër varg,
Heshtjen kyçur në çdo derë
Që thellë shpirti brënda mbart.

Varg poetësh, heshtin penat,
Sot qëndrojnë gjysëm shtizë,
Hesht frymëzimi nëpër vepra,
Heshtin vargjet, kanë ngrirë !

Gjysëm shtizë rrinë mendimet,
Fleta sot e bardhë mbeti,
Rri jeton veç me kujtimet
Që mbi të i la poeti.

Mijra strofa vijnë pas nesh
Flokë pa krehur, vallë e dinë?
Vargjet që i le mes nesh
Sot baba i le jetimë.

Dhimbje sot na del prej zemrës
Pas kortezhi i pa mbaruar,
Ti në kryet të poemës,
Titull i bukur, i pa shkruar!


NË KËRKIM...!

- kënga e mërgimtarit -


Hëna më ndiqte mes degësh,
Humbiste e çfaqte fytyrën
E saj të praruar,
Herë portokall, herë mollë e ndaluar.

Më shoqëronte mua
Endacakun e harruar.
Rrugës së jetës,
Vuajtja dhe shpresa bashkë ngatërruar.

Vitet rrodhën si përrua i harruar.

Një frut, një bimë, një farë,
E mbusha torbën time të gëzimit.

Diçka gjeta, diçka mblodha,
Por harrova përgjithmonë rrugën e kthimit.

Ky ishte gjithë shpërblimi dhe vlera e kërkimit!

KUR IKI NGA VËNDLINDJA

Kur iki prej teje me hapat e rënda,
Ca gjurmë lë prapa, fjalë të pa thëna.

Tokëza e butë nga malli sa s'plas
Si fëmija gjyshes më ngjitet nga pas.

Unë gjurmë malli i dhuroj me ngutje
Dhe me vete marr pak baltë si puthje.


KUR SHKOJ NË VËNDLINDJE

Eci përmbi gurët nga vitet latuar,
Qilimin prej myshku vonesa ka shkruar.

Plot një vit hardhia si dashnor në pritje,
Shtatin ka shndërruar në një heroglife.

Thotë: - Ti nuk erdhe në fundin e gushtit,
Ndaj i piva vetë gjith fuçitë e mushtit.

- Tani me zor rri mbi tanë e derdhur,
Nga malli i pritjes, nga mushti s'jam dehur.

- E di! - më thonë dhomat, me heshtjen që flet,
Edhe ti si ne, se ke pasë të leht.

Pastaj në biseda na zë dita e nata
Dhe mallin e ndajmë në pjesë të barbarta.

MALL PËR DASHURINË

- e dashura e emigrantit -

Vjeshtë i dashur më fryn në kujtime
Retë - mendime, shtegëtojnë larg,
Përkëdhelja jote endet në vegime
Përmbi krahë zogjsh unë mallin e mbart.

Puthjet - dallëndyshe shtegëtojnë prej meje
Në qiellin e shpirtit të mbushur me re,
Një këngë gëzimi kërkojnë prej teje
Që mbremjes të kthehen prapë në fole.

Që ditën që ike në mërgim të gjatë
Foleja e ndjenjës më ngjet, e vidhisur,
Më thuaj i dashur, kur do kthehesh prapë
Ti kthejmë gëzimin që është arratisur,

Ta çojmë në fund, fluturimin e nisur!?

ATË NATË

- gruas sime -

Qielli i kthjellët, deti blu,
Hëna në një ëndërr kthyer,
Ne mbështetur gju më gju
Krahët - ylberë të këmbyer.

Flokët i hodhe mbi mua
Lumturi më dhe me puthje,
Hëna u zverdh, u turpërua
Dhe vështrimin hodhi tutje.

Krehu bukurinë mbi vale
Dhe ta hodhi mbi fytyrë,
Sytë e tu e buza vale
Nuk di çmorën, cilën ngjyrë!?

Pastaj pëshpërite lehtë
Si violin a si harpë:
Pa shiko, një yll mbi fletë,
Si thëngjill ndriçon që lart !

Kujtova se qesh me mua:
“ Nuk e shoh, ku fshihet, ku ?
Yllin që ti po më thua,
E kam në prehër, këtu!...

30 vjet dritën e yllit
E kam pranë gjithë vitit,
Ëndrra më dërgon prej pyllit,
Më flladit ndjenjat e shpirtit.

SA BORXHE TË KAM GRUA

- gruas sime -

Kaq vite e dashur, kaq vite
Kokën në kraharorin tënd mbështeta,
Atje gjeta prehje, pashë rite e mite,
Nuk di, kaq kohë ëndërrova a fjeta!?

Atje pashë burimin e ndjenjës të rrjedhë
Në vreshtat e shpirtit tim pa pushim,
Atje lulëzoj, këndoj dhe vjel
Një ndjenjë, një mall, një krijim.

Atje, atje mes rrahjes së zemrës
Shoh rruzullin, si rreh, si lëviz,
Qëndra e botës është zëmra e nënës,
E gruas, që botën e kthen në filiz.

Ah, e dashur si rrodhën vitet
Dhe unë poeti që vargje këndova,
Frymëzimet nga ndjenja jote i vadita,
Një varg, një vjershë nuk të dhurova!

Sa borxhe të kam e dashur se di,
Fjala, ledhatimi të lumtur më bëri,
Botës i dhurova një këngën - poezi
Ty tu dhurova si isha i tëri,

Dhe bota jote të lumtur më bëri!

EKUACION DASHURIE

- bisedë me time bijë -

Në derën e zemrës një ditë pa pritur,
Vajza ime hyrn, ndrojtur pa trokitur!

- Do ngelem në klasë, baba këtë herë,
Se zgjidh dot problemin, në masë as në vlerë!

Shikoj sytë e shkruar dhe ti lexoj, di,
Zëmërza e saj ka rënë në dashuri!

- Ky ekuacion, të them të vërtetën,
Baba paska brënda që të gjithë jetën!

Është studente e artë, flutur krahëlirë,
Por ekuacioni është i vështirë.

- Si ta zgjidh baba problemin s’më thua ?
- Shpirti im i vogël, zëmrën pyet, jo mua!


PËR TY ZEMRA IME

- jo vetëm vajzës time –

Kjo furtune zëri dale nga imi shpirt
Ortekë dhimbje nga syri të gremis,
Cipëzën e trurit keqas ma gërvisht,
Porse nga mendimi ku jam, nuk lëviz!

Furtunëza ime është shumë e ashpër
Ngjan me një tërmet, stuhi, uragan,
Por qiellin e shpirtit ta ruan të pastër,
Lulzimin e bukur, ajo nuk ta than!

Ndaj ti zëmra ime rrokullisi lotët,
Ndjenjëzën e brishtë mbaje pak të fyer,
Më mire me vonesë të fluturosh mbi botët,
Se me krahë të vegjël, të bukur...por të thyer!


GËRSHETI YT

- për.... L.M


Gërsheti i gjatë, gërsheti i zi
Të bie mbi supe të derdhet mbi gjinj.

Të sillet rreth belit e tundet gjith naze
Si këngë himarjote mbi supet e valëve.

Mbi sup përkëdhelet kur ti je në ecje
Dhe ngjan me një dorë që jep përshëndetje.

Si zinxhir rreth qafës herë vjen, herë shkon,
Sisët të mos bien i mban medaljon?

Me sy unë e ndjek dhe dorën e hap
Afrohem ngadalë por s'mundem ta kap.

Mundohem t'i flas por ajo tërkuzë,
Fjalët e pa thëna krejt m'i lidh në buzë.

Si t'ia bëj vështrimit, si t'ia të shkretit,
Që gjith ditën rend, lodhet pas gërshetit.

A e di? Ai me vallen e "hidhur"
Dhe zemrën pas vete për jetë ma ka lidhur.

NGA DITARI I NJË VAJZE

Më ra edhe i fundit gjeth
Nga gjelbërimi i pyllit të shpirtit,
Malli në rrëke lotësh u derdh
Në krahët e pa mëshirshëm të dimrit...

Marsin, prillin, pres pranverë,
Thua largësia jote do ma bjerë?!...

MË THUAJ E DASHUR

Pranverë shikoj në buzët e tua
Pranë afrohem për një puthje,
Fjala jote furtunë mbi mua
Më detyron të iki tutje.

Pastaj shoh vjeshtë në kraharor
Dy mollë të pjekura të arta,
Por fjala jote më bën theror
Më detyron të kthehem mbrapa.

Dimër shikoj në shpirtin tënd
Dashurinë mbi të vij e të hedh,
Porse në ças nis ngrij në vënd
Shpirti më dridhet si të jetë gjeth.

Folë e dashur, të di edhe unë
Ndjenja jonë, jeton cilën stinë,
Të di ta ruaj kur fryn furtunë,
Ti afrohem, kur zogjtë e ndjenjës cicërijnë?!



vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Sofra poetike sjell:Poezi nga PILO ZYBA Empty Re: Sofra poetike sjell:Poezi nga PILO ZYBA

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jul 15, 2010 10:12 pm

DASHURI E MËRGUAR

Hëna fsheh fytyrën e bukur,
Pas një perde reje të përhimtë.
Vajza fsheh sytë e përlotur,
Pas dritares në pritë.

Jashtë flladi tund, një degë me gjethe,
Përfytyrimi ia kthen, përshëndetje.

Rrezet e mëngjesit,
Përplasen e thyhen në dritare.
Dashuria qëllon,
Vret, sa dhjetra batare.

Sytë shndërruar në pikëçuditje,
Pika malli lëshojnë në pritje.


nga libri..." MALL"..... 1994

NË PJANON E BRINJËVE TË TUA

Në tastet e brinjëve të tua
Sinfoni gëzimi luaja çdo ditë,
Ti qeshje, kërceje si guguftuja
Sa çmëndeshin në qiell perënditë.

Këngët i kam hedhur në nota
Në partiturat e mia të kujtimit,
Por mbyllur më ka mbetur porta
Dhe pjanua e kraharorit e gëzimit.

I këndoj gjithnjë me la – la – la
Me fyellin tim të frymës dhe vuaj,
Por melodia bukuri s’më ka
Pa tastet e brinjëve te tua, ngjet e huaj,

Kthehu,
Në pjanon tënde premtimin e dikurshëm të luaj!...


MES RËRËS DHE DETIT

Ju rrini shtrirë mes bregut dhe detit,
Vala pëshpërit frymëzimin e poetit.

Dhjetra vështrime nën rrezet e diellit,
Shijojnë lulëzimin, erën e trëndafilit.

Ju, mbyllni ëmbël qepallat e vështrimit,
Ëndrrat përkundni mes valës së mendimit.

Kraharori ngrihet, ulet lehtë – lehtë,
Deti i shpirtit apo zëmra e godet?

Symbyllur vështrimet i sheh nëpër fllad,
Muzikë i kthen në qerpikët e gjatë.

Ata pikturojnë mbi trup lindjen e agimit,
Ju symbyllur zgjidhni mes lulëzimit të prillit.

A TË KUJTOHET ?...


A të kujtohet kur të fërshëlleja
Në flu të mbrëmjes poshtë nën ballkon,
Ti e magjepsur thërrisje ngahera:
- Mama, për mua një zog po këndon.

Fshiheshim të dy nën shelgun e bukur
Që flokët për ne kish lëshuar,
Në krahët e mi ti ngjaje si flutur
Me ngjyra gëzimi, larë, pikturuar.

Hëna fuste kokën në flokët e shelgut
Na jepte pak jetë e pak dritë,
Fytyrën lante në ujin e pellgut
Kur buzët të puthja, të vështroja sytë.

Vjosa ende rrjedh, në kopshte, në vreshta,
Shelgu i vetëm rri e nusëron,
Era sinfoni i luan nëpër leshra
Sinfoninë e pritjes humbur përgjithmon,

Por te unë ëndrrat shumë herë i zgjon !

FLAKËT E NDJENJËS

Qielli po çahet,
Nata u err, u nxi,
Unë dhe ti të dy në shi!...

Kokën
Fus në kraharorin tend
Si i çmëndur, si i dehur,
Sikur kërkoj diçka
Që në thellësi të shpirtit për mua ke fshehur.

Ti frymë mërr me nxitim,
Harron veten, për të shuar vullkanin tim.?

Flaka nga uji tulatet e shuhet,
Hekuri mes flakësh gatuhet.

Shiu nga qielli derdhet lumë,
Por flakët e shpirtit
Në vend që të qetësohen,
Pse na ndezin më shumë!?...

PËRMBI FLOKËT VALË – VALË

Flokët ylber përmbi supe
Onde, forma valë – valë,
Vështrimin të hedh mbi supe
Nëpër flokë ngjitem në shkallë.

Gushën të puth me vështrime
Gurrë e artë, argjënd e derdhur,
Luginës mbushur blerime
Mes dy kodrash ëndërr çelur.

Iki lart dhe hap kanatet
Të shikoj të kaltërit sy,
Horizonti çdo ditë matet
Herë me diellin e herë me Ty..

N’qiell të syve ma ka ënda
Të ngrejmë balonë n’formë të zemrës,
Ta mbajmë lart, ti fryjmë me ëndrra
Lidhur me fillin e ndjenjës!

U KTHEVA NËNË, U KTHEVA

U ktheva nënë nga mërgimi, u ktheva,
Nga rruga e humbjes, e harresës së gjatë,
Pasurinë me djersë nënë e bleva,
Pagjumësinë, lodhjen, për të dhashë kamatë.

U ktheva nënë në gjirin e ngrohtë
Dy rrudha më tepër më janë shtuar,
Por nëna dridhet e ndihet e ftohtë,
Nga mjekra e djalit, e zezë, e pa rruar

Kur iku ishte lëndinë e praruar,
Blerimin fali për tu pasuruar!



P o e z i p ër f ë m i jë

PYETJET E VOGËLUSHES


Mami sotë më thuaj ti,
Përse erdhëm në Greqi ?

Mami hop, e mërr në duar :
- Të jetojmë, pëllumb i shkruar!

Këtu ka bukë e punë,
Çokollatat derdhen lumë.

Lodra, zogj, hop një të puthur,
Për ty janë të gjitha flutur.

Vajza futet në mendim,
Dhe jep pyetje pa kuptim :
- Atëher', pse quhet mërgim ?

- Vërtet emri është i rëndë,
Por brënda ka edhe këngë.
Thellë në zemër mban një brengë.

Por mundimi është i kotë,
Zogëzës ajo ç't'i thotë,
Nga sytë pikojnë lotë.

Vogëlushja lotin i fshin :
- Nuk më thua mami im,
Edhe loti shpreh gëzim ?

BURIMI I FSHATIT

Këndon këngë e shushurin,
Nëpër gjethe një burim.

I shkon lules për vizitë,
E freskon dhe e vatit.

Bleta e shikon nga lart,
Dhe vrapon të bëjë mjalt.

Pi ky zogu dhe Drenusha,
Krahëhapur e pret fusha.

Vajza pi, lot me stërkala,
E sheh, lumturohet halla:

- Të pëlqen, të pëlqen,
Burim në botë si ky s'gjen.

Hidhet vajza në një shteg,
herë si kec herë si sheleg.

Pastaj lutet gjithë gëzim:
- Mund ta marr këtë burim ?

Me vete ta kem kujtim,
Nga vëndlindje babit tim.

Ta çoj te shoqet në Athinë,
Të na shtojë dashurinë.

- Mbesë e vogël, sytë e shkruar
Kurrë nuk është dëgjuar.

Burimi s'ikën prej djepit,
Nuk merr rrugë për jashtë shtetit.

KUR FLE GJUMË VAJZA IME


Sytë mbyll si dy dritare,
Bëhet natë e nuk sheh fare.

Porse ja, ashtu pa pritur,
Në xham vjen duke trokitur,

Një gjeth rrusht tak, tak, tak,
- Vogëlushe hape pak !

U poq rrushi i ëmbël mjaltë,
Varur në pemën e lartë.

Bletët, grerat po e hanë,
Se fëmijët ikur kanë.

Vajza trembet e hap sytë,
veten sheh në kat të dytë.

Në qytet diku në Patra,
Larg nga rrushi, larg nga vatra.

- Ah! Moj endërr e bekuar,
Më çon duke fluturuar,

Larg në viset e mia,
Ku rri fshehur fëmijëria.

- Kam dy botë, thotë e gëzuar,
Një kur flë, një kur jam zgjuar.

Por kë dua unë më shumë ?
Sytë mbyll e bie në gjumë .


DITA E BALONAVE

Si kjo festë ku është parë,
Balonat vihen në garë.

Në duart e çdo fëmije,
Lidhur një fill dashurie.

Balonat - zogj fluturojnë,
Folezat ato kërkojnë ?

Plot balona gjithë Athina,
Si me lule në lëndina.

Ilirjani bën balonë,
Sa të bukur një Shqiponjë.

Era e fryn dhe me kra,
E ngren la edhe me la.

Por çudi, në re u fut,
Edhe përi u këput.

Qesh kristina me Thanasin,
Doçkat me gaz i përplasin:

Ilir ku është balona,
Nga duart iku shqiponja !

Qesh Thanasi ha, ha, hi :
- Asnjë grek nga ju se di,

Kur u ngrit porsi veri,
Pa folenë në Shqipëri.

Përin këputi dhe shkoi,
Për jetë atje të jetoi .

ALO...BABI, JAM ELONA


Alo... babi, jam Elona,
Alo... më dëgjon ?
Nëpër tela rend jehona
Dhe në Athinë shkon.

Alo... flas nga Shqipëria,
Zëri në tel dridhet.
Porsi zogut të trishtuar,
Zemra në gjoks hidhet.

Fjalët, puthjet, zëri, malli,
Rendin në tel futen.
Nga kjo peshe e madhe , mami,
Telat si s'këputen?

Shkëputur nga libri " Alo babi" 1992



BIOGRAFIA E SHKRIMTARIT

Poet, prozator, fabulist, publicist e përkthyes, ky është portreti i Pilo Zybës. Antar i lidhjes së shkrimtarëve të shqipërisë që nga viti 1982.Në vitin 1990 emigron në Greqi ku jeton edhe sot.Pjesmarrës në Anthologjinë e parë në emigracion “Balada e largësive” Athinë1995.
Bashkepuntor i të gjitha gazetave që dalin në Athinë, bashkepuntor special i kolegjiumit të revistës letraro-artistike “Pegasi” që boton zoti Griigor Jovani.Ka botuar këta libra.

Për fëmijë:
-Cicërimë në degë të shpirtit - vjersha
-Këngët e burimit tim - vjersha
-Alo…babi - vjersha
- Pyetjet e vogëlushit - vjersha
-Vijnë zogjtë nga mërgimi - poemë
-Ku ta gjëj gjyshin - novelë
-Aventurat e Elonës - novelë humoristike
- Vizitë te miqtë e mi të vjetër poemë greqisht
- Rruga drejt lirisë vëllimi I -novelë- greqisht
- Rruga drejt lirisë vëllimi II - novelë- greqisht
- Aventurat e Gabrielës -novelë humoristike.. greqisht
- Vizitë te miqtë e mi të vjetër poemë
- Ekzili i ëndërrave Anthologji poetike Rumanisht
Për të rritur:
- Kam mall - poezi
- Vizitë te miqtë e mi të vjetër - poemë
- Gomari dhe patat - fabula
- Këmborët - fabula
- Nga ditari i një të çmënduri - fabula
- Rruga për te ju - poezi e poema-
- Karjera e Miço Qullit - novelë humoristike
Përkthime:
- Yje mëngjesore - poemë- për fëmijë Janis Rocos
-Janis Ricos - Poema-
Ka përkthyer nga greqishtja .. në librin “Kam mall” poetët grek…Janis Ricos…Jorgo Seferi..Poti Katraqi më..1995
- Përkthime të tjera :
O’henri….Xheims Xhois…Italo Kalvino. Senel Pass...Eri Rico.


(Biografia eshte huaziar nga ALBPOEM)

Perzgjedhjen e beëri Haxhi Muhaxheri
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi