Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

POEZI NGA GRIGOR JOVANI TE ZGJEDHURA NGA "SOFRA POETIKE"

Shko poshtë

POEZI NGA GRIGOR JOVANI TE ZGJEDHURA NGA "SOFRA POETIKE" Empty POEZI NGA GRIGOR JOVANI TE ZGJEDHURA NGA "SOFRA POETIKE"

Mesazh nga Agim Gashi Sat May 21, 2011 5:11 pm

POEZI NGA GRIGOR JOVANI TE ZGJEDHURA NGA "SOFRA POETIKE" 225554_210475618986315_100000716346990_655603_6221751_n

LAJM: Fillon bashkepunimi ndëmjet "Sofra..." dhe Revistës "Pegasi"

POETI GRIGOR JOVANI, MODERATOR NË "SOFRA POETIKE"

Para disa ditësh, ne i bëm një kërkesë mikut dhe poetit të respektuar Grigor Jovani, që të na ndihmoj në moderimin e faqës "Sofra poetike", athere kur ai të ketë kohe dhe mundesi. Vepruam kësisoj duke qenë të bindur se miku yne do të mund të jepte një kontribut të vleshëm në begatimin dhe pasurimin e sofrës me materialet të shumta që disponon arhiva e Revistës PEGASI. Dhe,sot na arriti pelqimi i tij. Ndaj, s'na mbetet tjeter veçse ti themi: MIRË SE ERDHE MIKU YNË! Të jemi shumë mirënjohës.

Kush është Grigor Jovani?

Grigor Jovani u lind në Jorgucat të Gjirokastrës, më 1959. U rrit në Laç. Studioi filologji. Në Shqipëri punoi mësues dhe gazetar. Në vitin 1991 u shpërngul familjarisht në Greqi. Është marrë me shtypin shqiptar të emigracionit. Ka qenë në kohë të ndryshme kryeredaktor në gazetat “Zëri i emigrantit”, “Rilindja XXI”, “Tribuna”, në revistën “Pelegrini” dhe drejtor i gazetës “Albanews”. Aktualisht boton dhe drejton revistën letrare dhe artistike “Pegasi”. Jeton në Athinë.
Ka botuar vëllimet poetike “Botë pa dashuri” (1997), “Punishtja e ëndrrave” (2004), “Udhëtoj brenda vetes” (2008), ka përkthyer vëllimin poetik “Monologë” të M. Kunderës (1997), ka dorëzuar në shtyp librin me lirika erotike “... pastaj erdhën gratë” (bashkëpunim me piktorin L. Bullgari), si edhe ka në proces vëllimin “Vreshtat e Dionisit”.
/Biografia është marrë nga Albpoem/


POEZI NGA GRIGOR JOVANI TE ZGJEDHURA NGA "SOFRA POETIKE"

NIGHT CLUB

Në klubet e vonë,
të pasmesnatës,
wiskin
e marr të holluar me ujë,
puthjet -
sipas standartit.


Stomaku im nuk i ngjan zemrës:
plaket si unë,
para afatit.

NETET

Nga tërë netët
e jetës sonë të përbashkët,
një të tretën fjetëm.

Për dreq,
ke qejf të bësh dashuri
netëve vetëm.

VITRINA

Mbi sup hodhi çantën
edhe doli.
E mrekullueshme nata
në Athinë!
Dhe sa për minin...
kush i foli?
Ç'mall ka dyqani,
e nxjerr në vitrinë.

FRYMËZIMI

Të ftova gjithë natën,
me të lutura.

Në shollët e këpucëve
më shkrove.

Tani që erdhe,
filloi ime shoqe
me të puthura...

Ç’të të bëj?
U vonove...

E PARA...

Nga të gjitha pornet që kam shkuar,
ishte e para.

Më fshehu në sokaqet e trupit të saj
dhe humba.

Diçka më shtynte të kthehesha pas,
kur u gjenda.

Isha ende fëmijë. S’dija ç’vlerë kish
virgjëria.

Më mori në qafë porneja ime e parë,
Poezia!

ANTIRUTINA

Zgjohem përditë në të njejtin vënd.
Gjatë natës,
asgjë nuk ka ndryshuar.

Makinën e gjej në të njejtin kënd,
marr të njejtin tram,
në intenerar të caktuar.

Hap të njejtën zyrë,
shoh të njejtin shef,
në një orë ekzakte
iki që andej.

Përditë një rutinë.
Me të vetmin ndryshim:
netëve,
me poezinë,
udhëtoj gjithandej.


PEGASI

Shumë veta kërkojnë ta kalërojnë
Pegasin.

Të shumtët bien. Humbin drejtpeshimin
dhe plasin.

Vështirë të kalërohet ky kalë,
për dreq.

Kur bien, u dhuron nga një bajgë,
pa të keq.


QENTE

Sa herë nga idilet largohet,
me qentë bën shoqëri.

Pastaj i braktis, kur e ngrohin
krahë burrërorë:
"Mirsetëgjej, dashuri!
Pa ty ngjaj kaq e gjorë..."

"Do kthehesh tek ne përsëri!"
- gamalisin qentë në kor.

PAGANINI

I vetmuari gjon
- “Paganini” -
luan mbrëmjeve
në shelgjet e bregut
një solo trishtimi.

Askush
s’ia ka qejfin...

Anës
detit
bëhet qejf me një jevgë,
nata
do naze dhe defin.


BLETA

Një bletë m’u ngatërrua në flokë.
I thashë: - Mos më picko!
Më lerë dhe ca,
kam borxhe...

- Ç’më duhesh ti?! - bleta më tha. -
Të duket vetja
gonxhe?!


TE ME SHPETOSH

U linda zog.
U rrita pemë.
Mbarova shkrepëtimë.
Për t’u rilindur përsëri,
si Krishti,

Lumë.
Më bëj një vend në shpirtin tënd të rri.
Qoftë dhe një vjershë të më shpëtosh,
është shumë.Shiko më shumë

NDERRIM STINESH

Dimri
zhveshi pallton e trashë me gëzof,
për një vit
ia la për ruajtje pranverës.

“Sa herë të besova, dola “off”, -
i tha marsi
dhe ia vari pas derës.Shiko më shumë

PORTA

Ia tërhoqa pas vetes,
me mund,
kanatet e rënda.
Por s’mora vesh,
më në fund:
mbeta jashtë a brenda?Shiko më shumë

JETA

Meraku i përhershëm i tim eti:
“Grua! Ç’ma bëre shishen? Nëma!”
Përgjigja e zakonshme e sime ëme:
“Harrove që e thave,
dje mbrëma?!

Unë dhe motra shihnim njeri-tjetrin,
komplotonim fshehtas, porsi minj:
“Vallë, si qe e mundur, që mamaja,
mund t’ia zhdukte shishen,
nën turinj?”

Vijnë kujtimet vetë nga fëminia,
them t’i hedh në vjersha, që t’i kem...
Por më çahet hunda për pak uzo:
“Grua! Ku ma fsheve shishen,
po të them!”

TRIMERESHA

Erdhi ora!
Në Had do të zbresim për pak...
Pse shikon, moj zemër, e ndrojtur?

Nga ty nuk më mbeti merak,
e di,
s’do më lije pa mbrojtur.

Gjithmonë,
më ke dalur për zot,
se je trime.

Por ç’t’i bësh! S’mund të ruhesha dot,
më nguli thikën nga pas
hija ime!


MIDIS DY JETEVE

Njerëzit që rrinë poshtë kësaj toke,
janë më të shumtë se sipër saj.
Nëse i kthehen kësaj bote,
mendoni ç’mund të ndodhë pastaj.

Por asnjëherë, në hon të viteve,
nuk bënë ndonjë kërkesë për kthim.
Zgjodhën të gjithë, midis dy jetëve,
atë të gjatën, në amëshim.

Të paktën, kemi ngushëllim.


BURGU YNE

Nesër, e dashur, nuk do të gdhihet,
do të mbetemi në të njejtën natë,
sikur të ishte burgu ynë.

T’i themi fjalët nga fillimi,
mbase e çmojmë dikur lirinë!

ALIBIA

Arsyeja më e shpeshtë në ndarje
- “mospërputhje karakterësh” -
është shtegu më i lehtë për dalje
prej dëshpërimit
dhe amokut.

Dhe alibia më e mirë
të fshehësh krimin
ndaj shoshokut.

MAJI

Vesha këmishën e bardhë si miell,
shtrova mbulesën me det dhe me diell,
mbusha një qyp prej balte me verë,
vura kurorën e majit në derë.

Pres Zotin të vijë, veç a me të vetët,
të më bekojë ditët e majit dhe netët.

Zoti vonon. S’kujtohet për mua - fakirin.
Ç’të bëj? Djallin mikpres, me të Birin...
Diku tjetër Zoti, me verë të rreme gënjehet.
Unë e kam të fortë, ka frikë se mos dehet.

KUJTESA

Kur u zgjova nga hemoragjia,
kujtesa ime ishte bosh.
Si të kishte rënë nëpër kotece dhelpra,
të mos kishte lënë vezë për kosh.
S’mbaja mend as kohën kur u linda,
nëse kisha prindër apo jo!
Dhe një grua - vazhdimisht tek koka -
nuk e njihja. Thoja: - Ç’është kjo?!
Por m’u mbush sërisht koshi me vezë,
pak nga pak të gjitha po i kujtoja...
Ah! Të vinte prapë zonja dhelpër!
Nuk e di në doja që ta zboja...


NUK MUND TE SHTIREM

Kur kaloj para kishave,
nuk bëj kryq, si gjithë të krishterët,
nuk mund të shtirem kot së koti.

Ato çaste,
i flas Krijuesit brenda vetes
dhe më shfaqet Zoti.

Thotë ime shoqe: - Një kryq, s’e bën dot?!
- E bëj para varrezave, zemra ime.
Dhe them: Ruana Zot!


DIKUR...

Doli një ligj nga Zoti lart:
“Do ketë veç errësirë!”
Diellin e mbylli në qeli:
- Kështu jeni më mirë!

Nuk llogariti veç një gjë:
me hënën çdo të bënte?!
Ngamot në qiell flinin bashkë,
tani qysh do ta zhbënte?

Dikur e nxorri diellin prapë,
për hatër të belhollës...
Eh, Zoti ynë, më parë se ne
ia ndjeve shijen mollës.


GJE A GJEZE

Natyrisht,
gjithë popujt e botës janë të njejtë,
racist nuk jam, njeri mos kem!
Por është diku një vend i vogël,
ku rron një popull,
që herë më bëhet ilaç,
herë helm.

Emër nuk them!

ELEGJI PËR NËNËN ...

Jam duke numëruar orët
në qerpikët e tu të mbyllur.
Në xhamin tonë
dëgjoje kujen e erës.
Qielli ka dërguar retë
të të marrin.
Sot do të udhëtosh vetëm,
përtej heshtjes tënde.
Do të të ndjek
duke kapërcyer yjet.
Duhet të njoh
banesën tënde të ardhme.
Më le të zhveshur në shpirt
dhe kam ftohtë.
Por në është që të nisesh,
mos u ligështo, nënë!
Lamtumirë !


TË JESH POET, GRIGOR JOVANI

Nga Nase Jani

Që kur e njoha Grigor Jovanin, para disa vjetësh, dhe i lexova librin “Punishtja e ëndrrave”, thashë me vete: “Ky është poet!”
E thashë ca me guxim, por mirë bëra që e thashë...
Poet është fjala më e magjishme dhe më e pasigurtë që mund të thuhet. Është fjala që e grabisin shumë e shumë, nga ata që vënë disa fjalë njëra nën tjetrën, apo brinjas, apo si t’ju vijë për mbarë dhe mbushin faqe librash me “poezi”... Pastaj vetëorganizojnë ceremoni “koktejl-poetik” dhe vetëshkruajnë, apo porosi-shkruajnë nëpër gazeta e faqe interneti, për talentin e tyre... Dhe si të mos “fitojnë” ndonjë çmim + çmim + çmim?! I japin vlera monetare fitimit... Pastaj në faqen e parë të librit të ri vendosin edhe “Diplomën” e çmimit...
Është e çuditshme, por edhe mbretër, perandorë apo presidentë, të të gjithë kohrave, kanë dashur, që pranë kolltukut të tyre të ndodhej dhe poezia. Nuk u arrinte madhështia e pushtetit, por u duhej edhe emri “Poet”. Ç’është kjo e “Mbipushtetshme”, që e lakmojnë edhe të mençurit edhe të marrët, edhe shpirtbukurit, edhe shpirttharët...
Është Poezia e Poetëve...
“Poezia është gjuha që këndon dhe unë e besoj se kjo nuk ka për të ndryshuar kurrë ndonjëherë”, thotë Pol Elyar. Dhe unë e besoj Elyar-in, siç besoj Borges-in, siç besoj Migjenin, siç besoj Elitis-in, siç besoj Agollin, siç besoj Camën, siç besoj Pushkinin, siç besoj Lorkën, siç besoj Uitmanin, edhe Shilerin që thotë: “Poeti është erdhacak në tokë, dhuratë e Zeusit për njerëzit...”

Por le të kthehem tek fjala “Poet”, që thashë për Grigor Jovanin. Qysh nga dita kur e njoha dhe ia lexova poezinë, e kuptova se atij i këndonte zemra. Nga ajo kohë, kanë kaluar shumë kohë... Them shumë kohë, se për poetin kohët nuk maten me kalendarët e ditëve, por me hovet poetikë që nuk i mban dot brenda gjoksit e nuk i fsheh dot në kanionet e trurit. Grigor Jovani është aq i “sëmurë” nga poezia, rron aq intesivisht jetën me të, sa edhe në pasmesnatë më merr në telefon e më lexon “të pa zhvirgjëruarën”... M’i lexon aq ngutshëm, sa i zihet fryma... Nuk je poet po nuk t’u zu fryma...
Poezia është aq e magjishme, sa të kap prej fyti e të ngatërron frymëmarrjen, të aritmon zemrën, e ç’nuk të bën, pa pyetur për pasojat... Kështu i ndodh edhe Grigorit, që ka thurrur “Kalendarin e vetë Poetik” dhe natën s’e quan natë dhe ditën s’e quan ditë, dhe muajt i bën edhe me 13 apo 21 ditë, edhe vitet i ve në rrënjë katrore për të mos i zgjidhur dot as vetë...


“Ah, të kthehej makina e kohës pas,
të flizgjohesha me vargjet vetëm...”


Ja çmenduria e Grigor Jovanit. Edhe vitet do t’i kthejë pas, për të bërë atë që ai do të bëjë. Paçka se kjo “marrëzi” ka filluar t’i kushtojë ca shtrenjtë. Aq sa para disa muajsh na llahtarisi. E rrëfen vetë “aventurën” shëndetësore që kaloi, në një nga vjershat:


“Ra një zjarr i madh,
që quhet hemoragji celebrale
dhe ma dogji krejt magazinën e vjetër...”
Por shyqyr që i shpëtoi poezia.
“Po sikur t’i shkrepet të më lerë ndonjë ditë,
Ç’do të bëj me veten time të huaj?”


Kështu pyet veten poeti në një nga poezitë e tij.
Ka tre libra gati për botim, të përfunduar, të faqosur, të hedhura nëpër disketa. Dy prej tyre ia ka dërguar botuesit. “...pastaj erdhën gratë”, “Një verë në Monemvasia” dhe “Udhëtoj brenda vetes”. Le të bëhen gati miqtë e tij dhe lexuesit të shijojnë musht të vërtetë poetik.
E kam shijuar unë dhe jam dehur. Unë, lunxhioti, që di nga rakia...
Tre libra të rinj, pas librit të parë “Botë pa dashuri” dhe pas të dytit, “Punishtes së ëndrrave”. Tek të tre librat e rinj është Grigori i vërtetë, se është e vërtetë poezia e tij, me gjuhë të pastër e me fjalë të mençura, ashtu siç i do poezia. Poezia është e shenjtë. Por këtë “shenjtëri” e modelojnë deri tek gënjeshtra ata që duan të duken, kur s’kanë ç’të tregojnë... Ja ç’thotë Grigor Jovani tek vjersha “Poezia”:


Ashtu si Zoti: ata që s’e tradhtojnë
i cakton profetë.
Ata që e shesin për tridhjetë aspra,
i damkos përjetë.
As guximin e Judës nuk kanë:
të varren vetë.


Vetë Poezia është antigënjeshtër. Do dëshminë e shpirtit të poetit? Lexoi poezinë. Nuk është ai që njihni ju, është ai që lexoni. Ai është i vërteti... Poeti dhe në ëndërr është i vërtetë, duhet besuar edhe ëndrra e tij... “Të parën herë që Adamit iu dha mundësia, e hodhi fajin tek gratë...” thotë Nansi Astor. Por autori i “...pastaj erdhën gratë”, këtij libri erotik, të cilin e bëjnë më të përveçëm skicat grafike të Leonidha Bullgarit, këtij poeti të vizatimit, edhe pse e ka venë në krye të vëllimit këtë të vërtetë, bëhet më së shumti “avokat” i gjinisë femërore... Edhe kur “akuzon”, ai mbron gjinifemrën... Por pse nuk ndodhi kështu edhe me Adamin? Se Adami nuk ishte poet.


Dashuri e largët, e pafat,
borzilok i tharë,
i palulzuar.
Nëse ajo ç’ka patëm ishte dramë,
vepër më të dhimbshme
nuk kam shkruar.


Poezia e Jovanit del nga shtrati dashuror natyrshëm dhe krijon gjeografinë e vet për stinët e jetës. Mban në rrënjë dhimbjen dhe ku nuk fluturon pastaj?! Nga Jorgucati i Gjirokastrës, fshati i tij i lindjes, ku vendos një tufëlulesh tek varri i nënës dhe i babait, kalon Kakavijen pa doganë (“hyj apo dal në Atdhe?” pyet me një sinqeritet prej fëmije në një nga vjershat) dhe zbret në Athinë, aty pranë stadiumit “Karaiskaqi”, në breg të detit, tek shtëpia e tij e re me oxhak e me studio gurëgdhendur, ku ka gruan, të cilës nuk lodhet s’i kushtuari vargje dhe vajzën që rritet çdo ditë...
Pse vetëm kaq? Gjithë shtëpitë e miqve dhe shokëve i bredh, gjithë mejhanet e poetëve (padyshim, poezia dhe rakia ia dogjën “magazinën”, siç thotë), gjithë udhëkryqet, ku pritja nganjëherë zgjat sa një jetë... Ka hedhur në trevat poetike edhe një kalë përrallor, “Pegasin”, përkrah “Pelegrinit” tim, të cilit i ishte dikur kryeredaktor. I është përkushtuar këtij kali fluturues (e ka fati i tij të dashurohet me fluturimet), paçka se hera-herës bën naze, si poet që është:


“Do ta shes këtë kalë,
nuk ia dal,
... kaq për ushqim,
... kaq për patkonj...”


Po si ta shesë këtë kalë? Shitet shpirti? Anekënd botës i erdhën mesazhe nga miqtë: “Mos e shit këtë kalë, Grigor Jovani! Ai e nxjerr vetë tagjinë e tij...”
Kështu, nisi ta “niqasë” kalëfluturuesin e tij tek shokët dhe miqtë e e letrave. Këtej dhe andej oqeanit. Mirë bën! Nëpërmjet tij sjell poezinë shqiptare këtu në Athinë, udhëton tonën anekënd globit. “Pelegrini” dhe “Pegasi”.
Shpendi dhe kali fluturues i letrave shqipe. Pranë e pranë. Si dy miq. Siç jam unë me Grigorin. Poezia fluturake që nis fluturimin nga Akropoli, për të ardhur prapë këtu.
I është bërë aq e natyrshme kjo gjë, saqë kur i ankohet e shoqja (në poezi, natyrisht) se kanë kaq vite pa shkuar me pushime diku, ai hidhet përpjetë:
“Ç’thua, shpirti im, - i them i habitur, -
poetët e botës ku s’na kanë shëtitur...”
Nga dhimbja lind poezia, kam thenë dikur. Dhe dashuria është dhimbje e pashërueshme. Dhemb edhe kur harrohet... I jap të drejtë poetit kur shkruan:


U shkëmbyem
me dashurinë e parë.
E shkurtër siç qe,
rëndësi nuk i dhashë.
U ktheva t’i flas,
kur m’u kujtua.
Humbi mes turmës
dhe s’e pashë.


Nuk dua të marr shembuj ilustrues me poezi të tjera. Ato le t’i gjejë vetë lexuesi, sipas mëngjesit të vetë poetik (se çdo lexues poezie, e ka një mëngjes poetik. E ka dhuratë nga poezia e poetit që lexon). Veç dua të them se Grigor Jovani, siç është me frymëzim të nxituar në krijimtari, është i vonuar në botim librash. Çuditërisht, nuk e bren ky merak, si shumë të tjerë nga sinafi ynë. Kjo tregon jo moskokëçarje, as ndruajtje, por respekt për lexuesin dhe seriozitet poetik. Vepra e tij, e botuara në dy librat, por edhe nëpër faqet e shumta poetike, ajo në dorëshkrim e në kompjuter bëhet disa vëllime.
Do t’i lexoni e do të më besoni.
Për të mos folur për publicistikën, e cila është “alter ego”-ja e portretit të tij krijues. Grigor Jovani është një nga zërat më të njohur të shtypit shqiptar në emigracion. Vërtet që dashuria e tij e përjetshme është poezia, por të mos harrojmë që dasmën, qysh në Shqipëri, e ka bërë me gazetarinë. Ka publicistikë të guximshme e të zgjuar, tejet profesionale, që autopson kohën dhe njerëzit. Me të po merret këto kohë. Po përgatit librin publicistik “Plaga që pikon”. Një ëndërr që e mundon kaq kohë...
Do e lexoni dhe do të më besoni...
Do t’i dalë lexuesit me dy vëllime, gati njëherësh, siç thamë, ku edhe më kujtesëhumburi do të ketë aq fuqi kujtese, sa të mbajë në mend disa vargje “GrigorJovane”... Kështu ka ndodhur dikur edhe me “Punishten e ëndrrave”. Por ka dhe tregime, proza poetike me njeriun që e kërkon jetën dhe e jeton. Do t’i lexoni e do të më kujtoni!
Atëherë mbase do të më besoni, se nuk jam shpejtuar që, qysh para disa vjetësh, pranë emrit Grigor Jovani, vura fjalën e nderuar Poet! Guxova, por mirë bëra!

Nase Jani dhe Grigor Jovani, në një pritje dhënë nga Ambasada Shqiptare në Hotel “Caravel”, me rastin e Festave Kombëtare. Drejtori i “Pelegrinit”, Nase Jani dhe Drejtori i “Pegasit”, Grigor Jovani … Duke pirë nga damixhanija e Nase Janit. (fotot nuk kanë ardhur më email)

Athinë, gusht 2007
/ shkodra.net /



GRIGOR JOVANI, NË “KALIN FUTURUES” TË POEZISË…

Nga Prof. Murat Gecaj

1.

Në duar kam një libër me poezi të kolegut e mikut tim, Grigor Jovani. Ndërsa përpara ndodhet edhe një fotografi, që e kemi bërë bashkë, kur ai po më shënonte fjalët e tij dashamirëse: “ “Muratit, me shumë dashuri e respekt (firmë), Tiranë, më 10 maj 2009”. Ishte pikërisht dita, kur ne ishim së bashku në shoqërinë e disa kolegëve të Lidhjes së Gazetarëve Shqiptarë të Diasporës, tubuar në mjediset e një lokali të bukur, në Bërzhitë të rrethit të Tiranës. Më parë, ne kishim mbajtur lidhje me mesazhe, përmes Internetit dhe ja, pikërisht atë ditë u njohëm nga afër dhe kaluam disa orë të këndshme me njëri-tjetrin. Në atë takim bresëlënës, nuk kishte poetë, shkrimtarë e publicistw vetëm nga Tirana, por dhe nga Nju Jorku, Prishtina, Athina e tjerë.
Por edhe më pas, pra kur ne u ndamë e morëm me vete kujtime të bukura dhe të paharruara nga ai takim, kam mbajtur lidhje të herëpashershme, si me Grigorin (Golen), por dhe me dy kolegët e tjerë të “ekipit të Athninës”, Miho Gjinin e Pilo Zybën. Se, ndër të tjera, na kanë mbajtur të pashkëputur si faqet e Internetit, por dhe revista kulturore e letrare, aq e njohur ndërmjet shqiptarëve në Greqi, “Pegasi” (kali fluturues), të cilën e kanë përgatitur, botuar e shpërndarë këta tre kolegë, për emigrantët shqiptarë atje, që para disa vjetësh.
Si në takimin e mësipërm, por edhe në udhë të tjera, më është dhënë mundësia të njohem edhe me fakte të ndryshme nga jeta e Goles. Kështu, ka lindur në fshatin Jorgucat të Gjirokastrës, në vitin 1959. Ndërsa u rrit dhe u shkollua në qytetin e Laçi, ku jetuan familjarisht. Me dëshirën për t’u bërë mësues, i ndoqi dhe i përfundoi studimet e larta për gjuhë-letrësi shqipe, në vitin 1983. Me kënaqësi e pasion e ushtroi detyrën e mësuesit, në rrethet Mirditë e Krujë. Ndërsa, që nga viti 1985 punoi gazetar dhe deri në shkurt 1991, ku u shpërngulën familjarisht në Athinë të Greqisë. Por edhe atje nuk iu nda shtypit, tashmë në shërbim të emigrantëve shqiptarë. Në periudha të ndryshme, ka punuar kryeredaktor në gazetat “Zëri i emigrantit”, “Rillindja XXI”, “Tribuna”, në gazetën “Pelegrini” dhe drejtor i gazetës “Albanews”. Që nga viti 2008, boton e drejton revistën letrare e artistike “Pegasi”.

2.

Por Grigor Jovani dallohet dhe për një “fushë” tjetër të veprimtarisë së tij të suksesshme. Pra, vite më parë nisi të shkruajë poezi dhe të publikojë në organe të ndryshme. Këto poezi ai i tuboi, së pari, në vëllimin poetik “Botë pa dashuri” (1997), të cilin e pasoi me vëllimin tjetër me poezi, “Punishtja e ëndrrave”(2004). Me interes ishte dhe përkthimi i vëllimit poetik, “Monologje”, me autor Milan Kunderën.
Meqenëse dhe është vëllimi më i fundit i këtij poeti, po ndalem shkurtazi në disa poezi të vëllimit “Udhëtoj brenda vetes” (Athinë, 2008). I ndarë në cikle të ndryshëm, i pari është ai me titullin ”Ikja e Zotit”. Duket se libri do të jetë me pak humor e shakara, pasi ciklin e nisën me vjershën “Dita e gënjeshtrave”, pasi 1 prilli është data e lindjes së tij. Por, në afër 120 faqe të librit të tij, pra edhe në dy ciklet e tjerë, tematika e poezive është e larmishme dhe e pëlqyeshme. Poeti i këndon me frymëzim edhe materies e pyllit: “Rrufeja,/ pështyu gëlbazën e zjarrtë dhe iku./Fat që nuk qëlloi gjë e gjallë/ aty afër./ Askuj s’i ra në mendje/ për pemët…”. Ashtu si gjithë emigrantët edhe Golja shkruan me mallëngjim për vendlindjen, për fshatin në festën e Pashkëve, për bashkatdhetarët e vet, shqiptarët: “Qyshë me lindjn,/dashuruan zogjtë/ dhe fluturimet./ Gjer dhe Shqiponjën,/Gjergji i Kastriotëve/ e bëri flamur”. Ndjesitë e poetit radhiten njëra pas tjetrës dhe ai thur vargje për kalin, ditëdasmën, poezinë e poetët, heshtjen, luftën, emigrantin…Ndërsa të poezia “Zjarri”(kushtuar Tefta Tashko-Koços) shkruan: “Era u tërbua.Të rrëmbeu zërin,/dogji pyjet./Qetësi. Duartrokitje. Pastaj sytë e tu./Kishin shpëtuar nga zjarri, yjet”.
Në ciklin tjetër të këtij libri, “Vallja me pirueta”, janë përfshirë 32 poezi. Ndër to, e bukur është ajo, që ka marrë emrin e revistës së tij, Pegasi (kali fluturues): “…do t’i hyp Pegasit,/kalit tim të llahtarshëm,/për të bërë një shtegtim në Olimp,/tek lartësitë”. Pishat ai i krahason me poezitë e tij: “T’i ndërroja vjershat e mia/ me pisha./ Mbase, bëheshin një pyll i vogël,/ të frymëmerrnim/ oksigjen,/ këtë verë…”. Temë e gjithmbarëshme dhe aq e ndjeshme, e këtij autori, është ajo për nënën. Pra, edhe Grigori thur vargje plot përmallim, në kujtim të nënës së tij: “Jam duke numëruar orët,/në qerpikët e tu të mbyllur.../Në xhamin tonë/ dëgjoje kujën e erës!.../Më le të zhveshur në shpirt/dhe kam ftoftë./Por, në është që të nisesh,/ mos u ligështo, nënë!/Lamturmirë!” Plot dashuri e mall shkruan dhe për babain e tij të mirë: “Preu arrën për të më bërë bibliotekë,/një tryezë të vogël përbri,/kur t’i vija në gusht për disa ditë,/të harroja ikjen…”. Mallit për vendlindjen ia kushton edhe vjershën “Shtëpia e vjetër”, ku shkruan: “Fytyrat ngjyrë hiri të prindërve të mi,/ skalitur në mur,/me gurët tretur…”.
Cikli i tretë dhe i fundit i këtij libri është “Një verë në Monemvasia”. Përsëri 32 poezi të shkurtëra, ashtu të tubuara njëra pas tjetrës, ngjasojnë me një poemth të thjeshtë. Në secilën prej tyre autori shprehë mendimet e tij për ngjarje e dukuri të ndryshme dhe të zakonshme të jetës: “Kyça shtëpinë”, “Deti përballë”, “Trupi yt”, “Sot ka dallgë” dhe te “Liqen’ i qetë,/ dertet/ s’i shpreh dot,/si deti”. Duke vështruar detin e pafund dhe hënën lart në qiell, frymëzohet e shkruan: “Kur isha i ri,/u hodha në det,/ të zija gjysmën e hënës,/që lahej./Ç’mu desh!/Pastaj, në jetë,/përsipër kokës,/si kosë/hëna s’më ndahej”. Duke qendruar në bregun e detit me valë, autori shkruan për ato, që sheh e ndjen dhe plot me frymëzim: për anijet, që përplasen me dallgët, për “Valëzat që rendin/të kapin njëra-tjetrën”, për motin që u prish dhe retë që mbushin qiellin. Por, pas dallgëve e stuhisë, përsëri moti përmirësohet: “Duke pritur shiun,/ dallgët u shuan./Xham u bë deti…” e më tej: “Dielli/ perëndoi…” dhe “Deti i pasmesnatës/ në fillim/ përkëdheljet tona i duroi…”. Në mbarim të shënimeve të verës, shprehur në vargje poetike, Grigor Jovani thotë: “Duke shkruar/ epilogun/ e kujtimeve të verës,/do të më gjejë/vjeshta e qytetit…”.
…Kështu mund të flisnim e të shkruanim edhe për dy vëllimet e tjera poetike, që janë publikuar dhe për dy të tjrë në proces botimi (“…Pastaj erdhën gratë”-lirika erotike dhe “Vreshtat e Dionisit”), si dhe për poezitë e publikuara në gazeta e reviste dhe në faqe të ndryshme interneti. Miku ynë, Gole hedh në letër papushim frymëzimet e tij, që janë të mbushura me dashuri e mall të pashuar për prindërit, vendlindjen e Shqipërinë. Pra, ai është venë në shërbim të komunitetit shqiptar në Athinë e me gjerë në Greqi, duke dëshmuar qartë e bukur ndjenjat dhe mendimet e tyre. Prandaj, të gjithë ne, shprehim falënderime për të dhe i urojmë nga zemra: lumturi vetjake e familjare dhe krijimtari të bollshme e cilësore!

Për "Sofra poetike": Haxhi Muhaxheri
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi