Albert Zholi:Promovohen ne Tirane dy libra te Kozeta Zylos
Faqja 1 e 1
Albert Zholi:Promovohen ne Tirane dy libra te Kozeta Zylos
Albert Zholi
Uroj të tingelloje si nje kumbone alarmi…
Për lexuesin,
Vllimi që na dhuron sot Kozeta Zylo ashtë pjesë e pasunisë së çmueshme të
dëshmive okulare të ferrit gjysëm-shekullor komunist në Shqipëri.
Shumica e këtyne dëshmive i takojnë elementit intelektual e artistik, pjesës ma
të ndieshme të shoqënisë shqiptare të traumatizueme. Megjithatë , ashtë nji
popull i tanë akuzues i rregjimit që i këndoi qenies brute, atyne që jetojnë
vetëm për bukë ,pa dëshirë lirie, dhe të gatshëm me u bindë verbënisht. Kemi të
bajmë me nji dorëheqje metodike të që ndrimit humanist, i cili në anën e kundërt,
sugjeron rafinimin e sensibilitetit tonë me anë të kulturimit nga njerëz të
lirë , dhe drejtimin e sjelljeve tona nga nji mendje e zhvillueme.
Sot, njizetë vjet mbas ramjes së turpshme të komunizmit në Shqipëri, dhe
heshtjes e harreses që ka mbulue tragjeditë tona, kolektive dhe individuale, na
mund të japim nji premtim solemn për viktimet:”Do të flasim me za të nalte për
ju, do të shkruejmë pa pushim për ju, do t’i tregojmë botës shurdhë -memece
gjithçka, gjithçka nga fati i juej tragjik” Na, nuk mund të lejojme turpin e
moskujdesisë dhe më katin e harresës.
Viktimat vuejnë por nuk janë të pafuqishme! Akti i tyne, jeta e tyne në
përleshje me murtajën e kuqe komuniste janë armë të forta për ne sot, e për
brezenitë e ardhme, nesër.
Uroj që këto tregime të Kozeta Zylos të kuptohen në këtë vështrim,. Sepse
historia e Shqipërisë nën komunzëm ka qene thjeshtësisht nji kronikë shtypje dhe
terrori të pandërpremë .
Në Shqipëri, “njerëzit e lirë” u sakrifikuen nga “fati” që orientoi “historinë”
e vendit në drejtime të gabueme, e drejt vendeve të panjohuna…Jugosllavi,
Bashkimi Sovjetik, Kina me përfundimin e paevitueshëm të vetë-izolimit si reagim
i dëshprimit që lindë vetëm nga sensi i dështimit të plotë. Faktorët shpirtnorë
dhe moralë u hodhën jashtë jetës së vendit; faktorët ekonomikë nuk plotësuen as
edhe nevojet ma elementare të nji shoqënie që humbi çdo lidhje të maparëshme.
Kështu, ajo shoqëni u kthye në nji masë amorfe, e verbueme, e shurdhët, automate
pa mend ,pa shpirt. Kjo ka qenë shkretia komuniste e imponueme pre afër 45 vjet.
Kjo ashtët mbrapavija e tregimeve qe lexojmë!
Ish të persekutuemët politikë ishin ata që “u zgjuen” nga nji anderr e këtill e
tmerrshme, me kërkesën e tyne të daljes jashtë kuadrit asfiksues të “fatit”, me
vullnetin e tyne të thyemjes së harkut të jetës”përditshme”, mekanike, të
pakuptim, dhe me guximin e rrallë me pyetë: ”Përse“? Këtu kemi edhe esencën e
rezistencës anti-komuniste, reportin në mes të forcave të vendosun me shpërthye,
dhe “fatit” të forcave të historise që murosi nji popullsi të tanë, si rrjedhim
i konjunkturës ndërkombetare. Besimtarët do të thojshin:”Ka vetëm kryqin dhe
shpatën; zgjidhni!” Moralistët laikë do ta quejshin “zgjedhja” (le choix) që bën
çdonjeni nga ne, në përballim me tejkalue “fatin”. Viktimizimi bahët kështu
heroizëm!
Komunistët -forma konkrete e “fatit” të verbët- nuk e shtrojnë këte pyetje. Ata
rradhiten në nji rresht me fashistët, me nazistet; ata kanë vetëm nji përgjigje
të thjeshtë për problemet ma të komplikueme. Ata nuk kanë as dëshirë, as aftësi,
me tolerue “te tjerët” e mendimet e tyne. Revista katolike amerikane AMERICA shkruente me 11 gusht 1979: “Qeniet njerëzore, qofshin shënjtore ose mëkatnore, i rezistojnë shpesh herë, e me nji kryeneçsi të çuditshme përpjekjeve për pranim të nji
mënyre-jetese të programueme, ose të nji filozofie, predikueset e të cileve
shkaktojnë ndëshkime fizike, mendore ose shpirtënore për viktimet…”
Ashtë në interesin e përgjithshëm me eliminue konditat që detyrojnë disa
individë me u dëshprue, ose me kërkue zgjidhje në vepra shkatërruese. Përvoja
tregon se problemet dëshpruese të qenieve njerëzore nuk mund të zgjidhen me
aksione ushtarake e policore të dëshprueme. Forca ushtarake ashtë, njilloj si
lufta: dështimi i plotë i arsyes dhe fitorja ma e naltë e irracionales..
Shtypja, vorfënia, frika krijojnë nji atmosferë që nuk lejon adhurimin e nji
partie si nji kishe ose si nji komb., vlera këto që imponojnë mbrojtjen e tyne
pavarësisht nga të metat e mundshme.
Shqipëria ka vuejte nën rregjimin e sistemit nji-partiak, nji qeveri e
mbështetun në klika pushtet-mbajtese që ushtruen “detyrën” e tyne qeveritare me
“socializmin e bajonetës”. Qëllimi? Ruejtja e pushtetit për pushtet-mbajtësit me
çdo kusht! Ata zgjodhën frikën dhe imponuen heshtjen si mjete të vendosmënisë së
tyne mos me nda pushtetin me shumicën dërmuese të popullsise që nuk nënshtrohet.
Në këtë situatë, “rebelet” janë në fakt pionerë të “iluminizmit”shqiptar Sepse, me kundërshtue shnjerëzimin e popullit tand kur ai ashtë i gabuem tregon forcën e karakterit individual me ruejtë humanizmin e të gjithëve. Ata,, “rebelët” janë sensitivë për nevojet dhe aspiratat e popullit të vet; ata ndiejnë stuhinë e tërbueme që afrohet, e që nji ditë, jo e largët, do të përfundojë për shoqëninë e tyne me shpërthime të reja e të fuqishme.
Edhe në konditat ma të vështira, ata refusuen me iu nënshtrue “fatit” Në nji
artikull të botuem në fletoren The Neë York Times, me 18 janar 1982,Henry
Kissinger mbronte këtë refuzim. “Ashtë veçanërisht e papranueshme -shkruente ai-
propozimi që Ushtria e Kuqe ashtë garantuese e pakthyeshmënisë së historisë që
shikohet si forcimi i matejshëm i sundimit (që pretendon) se gjithçka komuniste
ashtë e përhershme, dhe gjithçka jo komuniste ashtë e hapun për sulme,
sabotazhe, dhe akoma ma keq!” Ushtria e Kuqe garantuese! Magjike! Çizmja
ushtarake sovietike ndryshohet në këpucën e mëndafshtë baleti të Cinderella-s…!
Ky “propozim” ka qenë i ngulun edhe në mendjet e ndërgjegjet e komunistëve
shqiptarë, elemente jo vetëm të indoktrinuem por edhe pa kulturë e pa përvojë.
Prandej, edhe propaganda e tyne ka qenë aq e ulët sa që ka shkaktue zbritjen e
tyne morale e aftësitë e tyne mendore akoma ma poshtë se mendojshin viktimet e
tyne…
Fryma njerëzore tek ne ashtë jashtëzakonisht ma e randësishme se çdo tjetër
abstraksion! Humanizmi, në vija të përgjithshme ashtë nji pozicionim i mendimit
tonë që pranon dy premisa themelore: e para, ekziton nji natyrë njerëzore e
ndryshme nga krijesat tjera te universit tonë; dhe e dyta, termi “njerëzor” karakterizohet nga veprimtaria e jonë shpirtënore (fr. esprit; angl.: mind)
Si qenie njerëzore, na nuk jemi aksidente të kohës, ose hapësinës, ku jetojmë.
Në parim, jemi qenie që synojmë arritjen e nji stadi ideal, ku çdo krim quhet
antinjerëzor. Nji qëndrim i këtill njeh nji “qëllim ideal”(finalitet) të qenies
sonë mbi tokë, dhe nuk lejon të jetë viktimëe “historisë”, e “fatit” të verbët,
nji automat që manovrohet nga “teknikë” të padukshëm.
Ky lloj tejkalimi i “fatit” ashtë rezultat i aftësive tona shpirtënore,
intelektit, arsyes, ndërgjegjes.. Me qenë se njeriu ashtë edhe trup (mish a gjak
si themi na shqiptarët) ai gjindet në nji konflikt me trupin që kërkon
plotësimin e nevojave fizike. Por, ashte ngritja e jone shpirtënore -dashunia
për të tjerët, dëshira për drejtësi, kërkimi i se vërtetës, adhurimi i së
bukurës - që na dallon e na frymëzon.
Refuzimi i “determinizmit“dhe i instinktit sjellë lirinë tonë të mendimit, të
veprimit të moderuem nga arsyeja..Kjo ashtë përpjekja e racës njerëzore:me
sigurue për vete nji vend të merituem në universin tone të pamend- e jo me
pranue forcën e tij shtypëse e që dallon racën njerëzore. Pa këtë cilësi, njeriu
i afrohet kafshës.
Kjo ka ngja në Shqipërin gjatë rregjimit komunist, dhe imponue me dhune nga
pushtetarët komunistë: Fryma anti njerëzore që ka mbushë komunistët e Shqipërisë
ka tejkalue çdo kufi,sepse qëlliimi i tyne nuk ka qenë “njeriu ideal”, nji
“model” që do të krijonte nji botë për “plotësimin e çdo dëshire dhe lirie” ,
por “njeriun e bindun” të nënshtruem forcës brute të autoritetit të çmendun,
njeriun që punonte nën kërbacin e policit në punë pa kënaqësi, njeriun e hutuem
nga frika, që spiunon nga frika, rrahë nga frika, e vret nga frika se mos
vritet….
Ne Shqipërine komuniste ashtë krijue nji shoqëni e përdhosun, e degradueme, e
aftë për krim; nji shoqëni pa kurriz vertebror, që nuk pyet kurr dhe nuk
kundërshton kurr; nji shoqëni që puthë dorën e xhelatit që vret e shkopin e
policit që dërmon kurrizin e krrusun të të mundurve pa fuqi fizike ose morale me
kundërshtue!
Sot, niizetë vjet mbas ramjes së turpshme të komunizmit, në Shqipëri kemi nji
gjendje fluide, të turbulltë, të pasigurtë në se e kaluemja “komuniste” ka vdekë
apo jo, dhe në se e reja “demokratike” ka fuqi të mjaftueshme me lindë, apo jo.
E kapun në mes të këtyne dy pasigurive, shoqënia shqiptare lundron në detin e
pasigurisë, nga ku nuk shihet asnji port detar për strehim…!
Ashtë me të vërtetë absurde! Akoma sot në Shqipëri ka shqiptarë që vajtojnë
fatin e tyne të mjerë që keq-shpërbleu sakrificat e tyne madheshtore. Akoma ka shqiptarë që u shkrinë për lirinë e fjalës e të mendimit, e sot frikësohen me folë lirisht nga
kërcënimet që vijnë nga çdo anë. Sot, ka shqiptarë që u dërmuen në kanale e
zgavella minierash e që nuk kanë banesë, nuk kanë punë për bukën e gojës…ata që
punuen për nji copë bukë dekada me rradhë!
Sot, ka akoma shqiptarë që kanë dicka me thanë, që duen të flasin me tregue
ndjenjat fisnike e që zanin e tyne e mbytë zhurma e shtypit dhe mediave
propagandistike e partive politike që kanë përca kombin, dhe kanë krijue
atmosferën e mosbesimit të pergjithshem në popullsi. Ne Shqipëri, sot ashtë
vendosë nji kulturë e rebelimit të përhershëm,, ….
Leximi i tregimeve të Kozeta Zylos uroj të tingëllojë si nji kumbonë alarmi, të
zgjojë nga gjumi i randë mijëra shqiptarë që kanë humbë shpresën, dhe të
frymëzojë rininë shqiptare me tregue guximin civil të prindëve tyne në ditët kur
vdekja e tortura mbisundojshin, dhe kur guximtarët, vetëm ata, shkruejshin “me
litar në grykë!” Le të mos harrohet se rinia sot mbetet shpresa e vetme e
ringjalljes morale të shoqënisë shqiptare të plagosun randë
Shqipëria vuen.dhe bashkë me atë vuejmë edhe të gjithë ne!
Ridgefield, CT, USA . Korrik 2010
Sami Repishti
ish i burgosun politik
Pasthenia :
Shpirt i përkulur nga larg mbi dheun tënd…
Nga Agim Shehu
Kolege e dashur dhe e nderuar Kozeta,
Ndjej po ashtu gëzimin tënd të çiltër, që do të vesh në Shqipëri dhe me një botim të ri. Nuk ka dhuratë më të mirë për vëndin tënd kur je larg, se t’i dhurosh një libër tjetër të çmuar. Sado modest, ai është shpirti yt përkulur nga larg mbi dheun tënd. Është dëshmi jo vetëm e vlerave të tua por dhe pohim nga mërgimi, se arsye të ndryshme mund të të largojnë nga atdheu, por atdheun nuk e largojnë dot nga zëmra jote. Në shkrimet e tua, të cilat i lexoj me ëndje si poete e mirë dhe krahinare e dhimbshur, ti ke mendimin tënd dhe zemrën tënde. Ke shqetësimet nga më kryesoret që përjetojnë sot shqiptarët kudo që janë, e që kanë një rezonancë të përbashkët kombëtare, demokratike e njerëzore. Të gjithë, veçanërisht të mërguarit, jetojnë me mendimin e latinëve se Atdheu është i shtrenjtë jo se është i madh, por se është yni. Aq më tepër kur për atdheun tonë disi të vogël ndryshojnë aktorët por tragjeditë janë po ato - nga njeri akt në tjetrin.
Ritheksoj, në publicistikën tënde mesa kam lexuar ,ti ke një ndjeshmëri kombëtare ,harmonizuar me atë demokratike, e këto i përjeton me ndjenjë të dridhëshme, veçanërisht si femër e butë, shpesh gjer në keqardhje me habi sipër: si mund të ndodhin këto gjëra! Sa do zgjatin e sa mund të durohen? Ku janë intelektualët ? Mos duhet pritur «Mbinjeriu» i Niçes dhe i Migjenit? Si mund t’i biesh murit të fortë me grusht kur pëllëmbët janë bosh nga varfëria?! Si njollosen kështu figurat e mëdha kombëtare të historisë ?
Të tilla e secilën më vete ty t’i përcjell pena në letër. Herë herë në to shihet shpirti revoltues kundër të keqes së çdo forme, shpesh si fshikullim i prerë nga padurimi për fyerjen e dinjitetit e rënien e shpirtit shqiptar. Më tej, lëndina përshkrimesh e intervistash me dritë të butë hëne nga njerëz të mirë që janë të pandarë nga atdheu e që dramat e tij u rëndojnë në shpirt. Është në meritën tënde, mendoj, që me këto shqetësime ti ndalon në kulme ngjarjesh e dukurish të atdheut tënd e të historisë. Hyn e del nëpër dhomat njerëzore të shpirtit, aq më tepër kur ato janë në hall. Harku i motiveve kalon nga Kosova te Çamëria mbushur me zërat e ditës. Në raste të tilla publicistika e krijuesve si jotja sipëron mbi ngathtësinë herë herë të diplomatëve duke mbushur boshësinë që ata, për arësye të ndryshme,lënë mënjanë (por kjo është temë tjetër, ashtu si mbetet vlerë tjetër në librin tënd të ri). Sidoqoftë mendoj se në publicistikën tënde, edhe më të mprehtën, ndjehet gjithashtu një fisnikëri trajtimi, qoftë si krijuese me kulturë, qoftë si femër. Nëse te shkrimi thuhet pak, lihet të nënkuptohet më shumë nga lexuesi, ose siç thuhet bukur, se në art leximi mes reshtave ka më fuqi se vetë reshtat. Dikush, siç është bërë modë e shëmtuar, hedh baltë mbi viganin Ali Pashë Tepelena, ai që pas Skënderbeut guxoi ta shkëpusë Shqipërinë nga Perandoria Osmane (dhe kjo është kryesorja në figurën e tij). Ali Pashë Tepelena është akuzë kundër pabesisë greke që e la në baltë kur ai i dha shtysën e parë Pavarësisë së fqinjit. Për këtë duhet njollosur për të mos iu lexuar padia dramatike. Për fat të keq këtë po e bëjnë shumë vetë të cilët Konica i cilëson si njerëz «me këlbazë në gojë për të pështyrë pa përtim mbi figurat tona të shquara»…Kështu i trajton dhe ti në një shkrim tëndin, si me argumente dhe me inat femre përmbi erë Tepelene, për krahinarin tonë të madh. Në Intervistat e tua kam vënë re se ke atë aftësinë e veçantë të gazetarit të mënçur, kur biseduesve, të çdo moshe e natyre qofshin, ua nxjerr gati pakuptuar mendimin me natyrshmërinë që dega nxjerr frutet. Është një harmoni e mendimit të rëndësishëm të kërkuar, dhe një bisede intime. Humbje kufiri mes gazetarit në zanat me mikun në bisedë të lirë. Leximi i tyre është gjithashtu një vazhdim bisede brënda dy të parëve. Është aftësi e veçantë të gjurmosh vlerat e njeriut, sidomos të atyre me brenga intime apo shoqërore, dhe ato t’i kthesh në vlera për të gjithë njerëzit. Publicistët e mirë e dinë se megjithë ndryshimet e natyrëshme, njerëzit janë gjymtyrë të njeri tjetrit e në shoqërinë njerëzore bukuria apo dhimbja jote është dhe imja, apo më saktë mund të jetë dhe imja. Vë re me kënaqësi se ti, Kozeta, e ke tënden këtë mendim dhe ajo duket në shkrimet e tua.
Ti kryesisht je poete, shpesh me poezi shumë të mira (herë herë e nxituar, ndoshta nga dëshira që të thuash sa më shumë nga mendimet që të shqetësojnë. Në gjuhën e grave, petën e byrekut e hollon më shumë nga sa mban, dhe poezia të griset. Por asnjë krijues nuk i ka të gjitha kulme. Kështu janë dhe vargmalet, me maja e ultina). Sidoqoftë, ndjehet se shpesh brënda publicistikës ke poezi, gjykime me bukuri të figurëshme. Ato janë thënë ashtu pa e kuptuar as autorje vetë, në mënyrë të vetvetishme, dhe këtu është hijeshia e vërtetë e tyre, po aq sa dhe çiltërsia e fjalës sate. Te poeti i vërtetë kufiri mes poezisë dhe prozës (pra dhe publicistikës) janë të papërcaktuara prerë. Vija mes tyre endet e lëvizëshme sipas dallgëve të ndjeshmërisë kur ulesh shkruan. Në krijimtari zëmra komandohet më me vështirësi se mendimi, kështu që autori, me ndërgjegje apo jo, e lë atë të lirë, të rjedhë në formën që të vjen. Kjo të shihet si në artikuj dhe në Intervista, e që mendoj se të bën mirë ta ruash të tillë.
I tillë vlerësim, dashuri e dhimbje njerëzore të lexohet në shumë krijime, veçanërisht nga vëndlindja, e kjo ta bën më të çmuar e më të ngrohtë penën. Flet për kolegë arti, e veç gjykimeve të sakta artikujt i përshkon një dashuri e hapur dhe e çiltër, një gëzim gati fëminor për vlerat e tjetrit. Pohon mendimin se arti i një kombi është një vargmal ku secili ka majën e vet, gjithkush me lartësinë dhe blerimin e tij. Në këtë këndvështrim mendoj se libri yt i ri e i veçantë i hap lexuesit një gjeografi të re motivesh, e po ashtu një florë të larishme me klimë të të gjitha stinëve. Çdo lexues gjen stinën e vet ku i pëlqen të rrijë. Edhe nëse s’hapen kutitë e votimit, krijuesi vazhdon hap zemrën e tij me vlerat më të mira që ka, për t’u dhuruar njerëzve një gëzim nga ana e tij.
Të uroj përzemërsisht çdo të mirë e të vaftë mbarë ! Besoj kështu do të ndodhë, pasi Gjeneva ime dhe Njy Jorku yt prej nga bisedojmë janë dy selitë e Kombeve të Bashkuara ku diplomacia është edhe art, edhe saktësi, edhe profeci. Ta them edhe me humor, të ngjashëm me atë mbrëmje në NjyJork kur Qemali zotni shtroi në tavolinë shishen me raki Tepelene e cila u pi aq këndshëm nën gratacielat yjore të Manhatenit. Ashtu u ngritshin dollitë e tjera për këtë libër tënd të ri.
Gjenevë, 21.7.2010
Poezia si shprehje e lirisë…
Në vend të Parathenies
nga Prof. Sadik Bejko
E lexova me një frymë këtë libër të ri të K. Zylos.
Është një poezi në vazhdën e atyre që ka shkruar deri tani, poezi pa truke, pa dashur të të marrë mendjen me maniera poetike. K. Zylo vazhdon të besojë te poezia si një gjimnaziste te ditari i saj. Ajo beson te vetëshprehja e derdhur lirshëm, vrullshëm a lehtë, si t’i vijë. Ka kohë që një qasje e tillë ndaj poezisë, qasje qëkur njeriu ka kënduar për herë të parë në histori, është harruar.
Sigurisht, kjo nuk është shprehje e naivitetit, por e lirisë. Dhe në erën e lirisë do shprehem, do këndoj se dua të këndoj, do them atë që më pëlqen dhe në mënyrën si e ndiej. Pa gardhe a të tjera pengesa. Jam në tokën e lirisë, thotë diku në vargjet e këtij libri poetja.
Në këtë periudhë teoricienët flasin për një art postmodern. Por K. Zylo është përtej stërhollimeve teorike. Madje tani së fundi po flitet për një roman global, për një personazh global që jeton sa në Europë, në Amerikë a në Lindjen e largët, hero lirik a hero romanesh që në erën e mendësive të përbotshme, është shkëputur nga rrënjët kulturore të traditës kombëtare. Te K. Zylo, përkundër kësaj, në pjesën e parë të këtij libri shohim një hero lirik tepër të shqetësuar për rrënjët, për figurat e traditës, për vend-lindjen, për Kosovën dhe viset e saj. Gati të kujton në frymë poezinë e rilindasve mërgimtarë.
Edhe në përmbajtje,pra K. Zylo është një poete kundër rrymës.
Vërshmi i rinisë dhe i lirisë ndjehet në poezinë me temën e dashurisë. Këtu provohen dhe forma poetike më të ndërlikuara, dhe një poezi e një dashurie që është e thellë, e trazuar, por gjithmonë një ndjenjë përtëritëse, asnjëherë dramatike. Një e realizuar në dashurinë e saj.
Në poezinë Një ketrush, një nga më të arrirat e poezive të dashurisë që janë dhe prurja më e mirë e këtij libri, dashuria përflak pyllin në ankthin e pritjes, por asnjëherë nuk e humb besimin në realizimin e dëshirës.
Nga dëshira e pritjes së zjarrtë,
Po skuqen gjethet e pemëve,
Në këtë stinë vjeshte!
Një ketrush qëndron në majë,
Për të parë ardhjen tënde!
Me këtë ndjenjë të bukur të besimit, të së mirës, të realizimit të të gjitha pritjeve dhe të gjitha shpresave ndahesh nga ky libër.
Pasthenia e Poezive
Lulemëllagat e shpirtëzuara në Nju Jork
Gjithmonë duke na drejtuar në brendësitë e harruara, me përqendrim të vërtetë të ndjesisë, pa droje ndaj përurljes, shpirtthyerjes, ligështimit dhe lotit, poetja Kozeta Zylo vjen sërish me një vëllim poetik edhe më të kompletuar, jo vetëm në formë trillesh që shumëzojnë pareshtur poezinë e saj, por këtë herë në ligjërime të tjera poetike që i bëjnë edhe apel shoqërisë, që janë buçima në ndërgjegjen e kësaj shoqërie, ardhur nga trazime të një intelektualeje, ardhur edhe nga “krisjet”.
Këto krisje të bukura, edhe i vinë asaj nga fryma poetike që s’e le, s’e braktis, as ajo atë e vetë fryma poeten. Nga bashkëjetesa e të ndjerit vetëm në një mënyrë, pa përshtatje me të rëndomtën, por edhe pa kokëçarje për “asimilim rrymash poetike”, siç do ta cilësoj edhe kritika e kohës atë herëpashere.
Është një poezi e dashurueshme kjo e poetes, ndaj është edhe e veçantë. Të jetë kaq e brishtë dhe e imponueshme njëkohësisht rrallë ka qëlluar. Kritika, poezinë që sillet brishtësisht e percepton të sfiduar prej vlerave bashkëkohore, por në rastin e Kozeta Zylos është e çuditshme sesi kjo brishtësi s’ka aspak lidhje me naivizmin e kritikueshëm e bjerrës, sepse është një tjetër brishtësi, kokëfortë për të qenë me veten, tejepërtej, me nje vetëvete gati shpuese, pastaj kryqëzuar mes të tjerëve, në të pranishmen e pashfaqur.
Poezia e Kozeta Zylos vjen si lulet në laryshi formash e aromash, pse jo... dhe me forma gjembash si kaktuset, të cilët sërish dinë të qëndrojnë dinjitozë sikur lulet. Një mijë herë poetja, bëhet prurësja e luleve në poezi, e luleve të llojit të veçantë të vargëzimit, që përjetojnë sfidat e shijimit, dhe pastaj pritet t’u ndodh në kohën e vet edhe procesi i shpërbërjes, grimcimit, si tek çdo lule, të cilat i mbajmë ca apo u marrim erë dhe s’dimë pse më vonë i flakim. Duket sikur poetja e lë në dorën tonë poezinë, të brishtë, disi të lakuriqtë, sikur mezi ç’pret që t’ua nuhasim aromën, e nganjëherë sikur pret të ndjejë një dhimbje për to. Kjo mënyrë të shkruari, si prej realizmi magjik, të shuguron me nostalgji, e kthehesh për ta shijuar, sikur ndodh tek poezia “Lulemëllagat”, të cilën e marrim të parën në trajtim, jo vetëm se është e bukur, por edhe sepse prej kësaj poezie kemi mundësi të futemi dyfish në brendësi të biografisë së autores si personazh dhe si poete.
Ende pa e ditur biografinë e saj, të dhënat e para po i marrim pikërisht brenda poezisë dhe kemi për ta kuptuar e njohur më shumë poezinë e saj. Ajo s’e largon nga mendja kurrë djepin e vendlindjes, që e ka rritur me shushurima gjethesh e opium kaltërsie të thellë si ajo e syve të saj. Mezhgorani për të është një djep krenarie, që ka përkundur bij e bija të bukur, por ajo mjaftohet në poezinë e saj vetëm që t’i përmend emrin, sikur ta kemi ne lexuesit detyrë ta dimë se për kë bëhet fjalë. E ndjen të ligjshme krenarinë për rrënjët dhe hap aty pari edhe pasqyrën e shpirtit si për të parë edhe veten në të, e cila i vjen e njësuar me portën e drunjtë të shtëpisë së lindjes, i vjen si shpalim kujtimesh, si shpalim trishtimesh e shpalim gëzimesh njësoj si bëjnë lulesat e mëllagave.
“Ja ku erdha përsëri,
Mezhgorani im,
Dhe u ula në gjunjë si fëmijë,
Para portës sime të drunjtë!
Në vetminë përpirëse,
Preka lulemëllagat
E shumëngjyrshme,”
Poetja duket se zbret me qëllim të caktuar në tokën e motiveve të vendlindjes, për të mbajtur të plotë ritmin e saj krijues, bëhet e hapur në shpalljen e motiveve nostalgjike dhe të çdo thërmije ndjesie që lidhet me marrëdhëniet vetiake, me njerëzit e familjes, me sendet e objektet përkitëse, sepse ajo e ndjen këtë si një proces shpirtëzimi. Poetja kërkon t’i kthehet me ngulm këtij shpirtëzimi, duke i personifikuar të gjitha gjasat e jetës si dukuri të kthimit të dashurisë. E ndjen gjithandej se humbja e dashurisë në s’ka ndodhur me gjithsej, sikur pritet të ndodh, tek ajo, tek të tjerët rrotull. Për këtë qorton poetja veten e pastaj këtë qortim mund ta marrë kushdo me vete, kur ajo u kthehet plot lëvdata e adhurime atyre mëllagave, duke i personifikuar e shpirtëzuar “të vetmet që lulëzojnë çdo vit!” dhe pastaj ja na shfaqet me befasi të bukur poetike, të magjishme, kur arrin të hiperbolizojë se:
“...çelin nga dashuria e nënës sime,
Dhe shpirtëzojnë sendet që s’preken më,
Nga askush”.
Në të vërtetë figurat letrare që përdor autorja nuk janë të paramenduara, ato rrjedhin nga kontekstet e gjithëpëkitshmërisë së emocionit, përfshirjes totale, pushtimit të poetes nga ndjesi tepër rrëqethëse. Të gjitha këto, të shprehura me përulësi dhe inteligjencë njëkohësisht krijojnë shprazje të figuracionit, në formë dukurish. Pra, figurat letrare shndërrohen në rastin e kësaj autoreje në dukuri, në gjasë, në atë që ka ndodhur, e kështu e krijuara, poetikja është më e besueshme, më e prekshme...
Ende më e prekshme është dukuria, kur autorja ndërton marrëdhënie me të dy botët, e jashtmja dhe e brendshmja. E jashtmja është natyra me dimrin, me diellin, me hënën, me bukurinë e vrazhdësinë, e brendshmja është natyra e trazimit të autores me shumë përmasa lëvizjesh; shqetësim, pikëllim, gëzim, hare, dehje, rënkim. Këto dy botë krijojnë një lëvizje harmonioze, unike në gjithëpraninë e tyre ndijesore, të pandashme në përjetimin e çdo emocioni poetik, dhe deklamimacionet poetike bëhen aq trashedentale, sa përshkojnë tejpërtej ndriçime të ylberta.
Në rastet kur autorja ka thirrur në shtratin poetik të saj, imazhin e një heroi, ajo nuk e ndërron me këtë rast natyrën e stilemës së butë, as narracionin mallëngjyes poetik, por e përforcon dimensionin, dukurinë më tej si shprehje metaforike, duke thirrur në ndihmë natyrën, gjë që as të sjell kontraste stilistike, por as të prish poezinë, që e përmbush hapësirën gjithandej me shtjella poetike, zogj, lule dhe imazhe që e thyejnë atë patosin e rëndomtë skematik dhe e bëjnë rrëfimin poetik të ndjerë. Këtë do ta dëshmonin edhe vargjet kushtuar heroit:
“U larguan zogjtë nga pezuli i dritareve,
Edhe drenushat u trembën,”
Pra, natyra tek poetja është aq gjeodiziake dhe përgjërimi i saj sillet kaq amësor, sa largon me një dhembje të butë, edhe imazhe që mund të shkaktojnë pamje makabre. Imazhi i heroit të vrarë është në realitet një imazh makabër, rrëqethës, por në gjuhën poetike të autores mbështillet kaq butë prej ndjenjës, prej dhembshurisë, sa demaskimi që ajo i bënë vrasësit të vjen me një antitezë gati hyjnore”:
“Kur panë që shtriheshin përdhe,
Engjëjt, të gjakosur nga mëkatarët...!”
Skena fatale përshkruhet me pak vargje dhe dhimbja, ndjesia e autores për të qenë shpirtërisht me këtë hero, me këtë njeri edhe pas vdekjes e shoqëron me të bukurat vargje:
“Në mbrëmje Hëna pikoi lotin,
Në degët e zhveshura,
Bërë shkrumb nga vetëtimat e plumbave.
Ndërsa kangjellat e shtëpive,
U ndryshkën nga mbllacat e freskëta të gjakut.”
Për herë të parë Kozeta Zylo ka bashkuar në trajën e një vëllimi poetik një potpuri tematike, frymëzimin e së cilës e ka marrë nga të gjitha hapësirat e jetës. Dhe për t’i qëndruar pranë fjalës që sapo thamë hapësirë - ky është vërtetë edhe libri më i hapësirtë i saj (nëse gjuha e frymëzuar na lejon të shprehemi kështu). Poetja, “motra” e lulemëllagave, e rritur me to dhe me të njëjtën nënë, ka të njëjtën delikatesë, ndaj i njeh dhe i kupton shumë mirë ato kur flet me “gojën” e tyre:
“Mos na prekni”!
Nga se tashmë u mësuam vetëm…
Vetëm me vesitjen e shpirtit,
Të nënës sime!”(shih “Lulemëllagat”)
Dhe kjo delikatesë ka mbetur po aq e hijshme edhe në mënyrën e të shprehurit të dashurisë së çdo dimensioni human në pasqyrën poetike të metaforave, të alegorive, të aliteracionit tipik dhe disi koral të Kozeta Zylos
“Më pe thellë brenda shpirtit,
Ç’donin sytë të më thoshnin?
Lotët e mi mbi shtrat të vdekjes,
Ikjen tënde e vajtonin…!”.
Këtu shprehet dashuria për nënën, atje tej shprehet dashuria për burrin, më tutje për mikun, për shokun, ose më tej, sidoqoftë, edhe për dy sy të dashuruar nxitimthi, në ikje. Dashuritë në ardhje dhe në ikje, janë të ndjera bukur, autorja nuk qorton, nuk lëndon, ajo dashuron, me mënyrën e saj dhe kur lexon çdo poezi, themi ajo dashuron me të gjitha mënyrat. Ja si shkruan ajo për dashurinë e pamundur për shkak të distancës.
“I lartë ky mur me tela dallgësh
Ky oqean, kjo largësi.
Me cilin zog të t’i sjell fjalët
Që shpirt i ngrohtë të mos më ngrijë?
Pastaj, poetja e përfshin gjithë hapësirën e së bukurës me të njëjtën gjuhë, me të njëjtën ëmbëlsi, por kurrë me të njëjtën metaforë, me të njëjtën hiperbolë apo anaforë, apo metonimi, figura të përdorura pa fund nga autorja. Nga njëra poezi në tjetrën nuk do ta gjejmë njësoj edhe mënyrën e të ndjerit. Kjo është e bukura e dashurisë universale, që poetja e rrezaton që nga dashuria për zogjtë e lulet e brishta, te frikësimi i kaprollit, e deri tek ajo dashuri e prekshme, te kontakti njerëzor, te marrëdhënia dashurore” .....
Ndjenjat e poetes Këze Zylo kanë një koklavitje të bukur, të shtrirë si tufa e lulemëllagave (të njërës prej poezive të saj më të bukura) në gjithësi. Ajo bëhet e gjithëpranishme e gjithëndjerë, nuk e shmang vështrimin edhe nga goditjet e ligështimet që merr si pasojë. P.sh., poezia e saj e lexuar në një tubim me të përndjekurit në Vlorë, nga një ish e persekutuar sillet aq butësisht e njëkohësisht duke i nderuar ata, duke e çmuar e duke e kthyer në një smerald poetik gjakun e tyre, për të cilin thotë se:
“Eshtë pikore drite,
Në muzgun e Mëmëdheut tonë,
Ndaj dua të digjem,
Brenda zjarrit,
Që ju e sollët si Prometeu,
Për të ngrohur botën e akullt...! “
Poetja i afrohet gjithçkaje të dashur në botë, pa drojë, zbulon dhe zgjedh përmes frymëzimit poezinë e saj. Kudo ajo e gjen veten, pra, poezinë. Çdo gjë përfshihet në poezi, për të është edhe gjithmonë e mundur të ndodh kjo. Dhe..., shërben për të kuptuar bukurinë shpirtërore të autores si fillim, pastaj na çon te prekja e tingullit poetik, te magjia dhe pafundësisht e pafundësisht te dashuria shumëngjyrëshe e plot freski, nganjëherë e bukur deri në dhimbje, siç ndodh kur ajo shpreh dashurinë e saj në rastet e nderimit të viktimave të komunizmit”
“Në mbrëmje Hëna pikoi lotin,
Në degët e zhveshura,
Bërë shkrumb nga vetëtimat e plumbave.
Ndërsa kangjellat e shtëpive,
U ndryshkën nga mbllacat e freskëta të gjakut. “
Vargjet e Kozeta Zylos janë të rrëshqitshme si valët, nuk ndalon dot nëse je në fillim të poezisë, zhytesh më thellë dhe pastaj del sërish, për t’u endur me vargun tjetër, me strofën tjetër, duke mbërthyer në kujtesë një metaforë, dy, tre, disa. Nëse i shkëput këto vargje në hapësira më të ngushta, nuk e kupton dot se kujt tematike i përkasin, por kupton çfarë ndjenjash kumtojnë. Po japim dy vargje pa përkushtesë, pa nevojë për të thënë se ç’titull kanë, por që i gjen në libër më të plotë:
“Ç’po më djeg ky zjarr i prushtë, prag më prag ku çel filizi.
Dhëndërroj si kryekrushk ku lisnon pa fund urimi..”.
Ç’rëndësi ka kujt i përkushtohet, unë dëgjoj muzikë dhe kjo më pëlqen, dhe muzika u pëlqen të gjithëve. Ndodh edhe kështu me poeten. U gëzohesh tingujve poetikë e të ngjallen ndjesi të bukura si lexues, siç e gjallëron natyrën vetë poetja me një lloj aliteracioni që tingëllon ëmbël :
“O, ky det me këngë matjane, beharon dimrat e egër.
Dëbon thinjën vjeshtarake, sython trungun, gjethon fletën.”
E në rend të gjitha vargjet, me kaq bukuri e shprehje sa thamë më sipër, i lidh si një fjongo e kaltër cikli i Haikut, që në thelb nuk është një eksperimetim i autores, por një prurje vargjesh, të bëra më parë, të derdhura natyrshëm dhe të gjendura papritur në vargëzime të Haikut. Këto vargje janë të gjitha të mrekullueshme, por po jap dy shembuj në këtë rast, p.sh. poezia “U bëfsha hi”:
“Vështrimi tënd më shpoi ninëzën e syrit,
Dhe si vetëtimë më shkrumboi të tërën,
U bëfsha hi, nga djegia për ty!”,
ose poezia “Sytë e tu”:
“Sytë e tu më përpinë të tërën,
Më mbyllën brenda në çmendinë,
Prej aty, s’dal më normal kurrë…!”
Janë shumë gjëra për t’u rrëfyer, çfarë vjen prej burimit poetik të KOZETA ZYLO, çfarë ndodh me procesin e saj letrar në rritje, por duke e lënë lexuesin për ta shijuar individualisht, kuptojmë se ky nuk do të jetë së paku as një nga librat më të fundit të poetes, sepse nëpër poezitë e saj edhe kemi vënë re çfarë ajo shpall për natyrën e poetëve:
“Do të lëngëzojnë frymën,
Për të lagur fushën e përflakur,
Që s’ka afat skadence!........”
Dhurata Hamzai
*Kritike letrare dhe redaktore e botimeve
në Universitetin Europian të Tiranës
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Albert Zholi: Era të dua
» Promovohen dy libra të Melihate Tërmkollit
» Poezia e Kozeta Zylos nderim për shpirtrat njerëzorë
» Jorgo Telo: Frymëmarrja e shqipes së shkruar në botimet e Kozeta Zylos
» Albert Zholi: Unë dhe ai
» Promovohen dy libra të Melihate Tërmkollit
» Poezia e Kozeta Zylos nderim për shpirtrat njerëzorë
» Jorgo Telo: Frymëmarrja e shqipes së shkruar në botimet e Kozeta Zylos
» Albert Zholi: Unë dhe ai
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi