VIKTORIA XHAKO:PO TA POSTOJ KETE LETER
Faqja 1 e 1
VIKTORIA XHAKO:PO TA POSTOJ KETE LETER
VIKTORIA XHAKO:PO TA POSTOJ KETE LETER
Po ta postoj këtë letër, i dashur, që t`i përmbahem zotimit tim…….Për udhëtimin tim disaditor. Për udhëtimin tonë. Sepse ti, i dashur, i mbajte sytë vetëm mbi mua. Tani me sytë e mi shihe këtë udhëtim…….
Pse e përmendëm Bretanjën? Kur të pyeta për ostriket?
- Bretanja, - the ti.
- Dëshiron të udhëtojme të dy për Bretanjë? – përfitova unë menjëherë. – Gjithçka e kam prenotuar, e kam parashikuar, e kam llogaritur. Ty të duhet vetëm të mbushësh çantën me rroba udhëtimi. Mos harro pasaportën. -
Gjithçka e derdha me një frymë nga frika e refuzimit. Sa pak njihemi. Sa pak mesazhe. Asnjë foto. Vetëm një telefonatë dy minuta, vetëm dy minuta.Sa për të njohur tingujt e zërave të njëri – tjetrit.Parandjenja ime për herë të parë më gënjeu.Zëri yt ishte rinor, i ngrohtë, i butë. U drodh kur fole.
- Ke emocion? – të pyeta. Po nuk mora përgjigje. Ndofta ishte një mesazh, në deshifrimin e të cilit unë gabova përsëri. Pastaj erdhi heshtja jote e gjatë. Që po vazhdon. Po unë iu zotova vetes…..Ti, mbase, je larguar për fare e kurrë nuk do t`i lexosh këto radhë. Ti kishe parandjenja të këqija, më the që ishin pasndjenja, të cilat unë i kuptova sipas mënyrës sime. M`i përforcuan dy ditët e heshtjes tënde para largimit tim. Po e shkruaj këtë letër vetëm që t`i përmbahem zotimit tim, jo për ty. Dua të të tregoj për udhëtimin tim, pjesë e të cilit ishe edhe ti në çdo sekondë të tij. Një herë permenda Pushkinin, korrektesën e tij. Ti u duke në stacionin qendror të trenit njëzet e pesë minuta para nisjes.Nuk dija gjë për grevën e punonjësve të hekurudhës franceze. Hipëm në trenin e natës që shkonte drejt Parisit. Kur treni ishte në lëvizje, punonjësi i vagonit, duke qeshur, na tha që në orën dy e tridhjetë minuta të mëngjesit, do të zbresim në qytetin kufitar me Francën. Aty do të vijnë të na marrin autobusët. Dëgjova për herë të parë për grevën e hekurudhës franceze. Një fillim i keq i udhëtimit. Ishte tepër ftohtë kur zbritëm në qytetin kufitar, pas shtratit të ngrohtë me çarçafë të bardhë. Si mund të udhëtosh ulur, në sedilje të ngushtë, kur ke prenotuar shtrat për gjithë natën? Më mbështolle me xhakavento, ma more kokën në gjoks, më vure në gjumë. Si munde të qëndrosh aq gjatë pa lëvizur? Ta përkëdhela krahun e lodhur nga supi tek gishtërinjtë. Nga dritarja shoh Parisin gri, të pistë. Në stacionin qendror të trenit duhet të jetë zyra e marrjes së makinës, po ec ta gjeje. Mungon tabela orientuese, turmat shtyhen pa rregull. Dora jote e sigurtë më tërheq drejt asaj që unë nuk e shihja. Duhet të ngjitem pesë kate për të dalë nga parkingu. Sa bezdi! Po sa e ngushtë qenka dalja?! Që në hapin e parë fillon trafiku dhe lëvizjet e çrregullta të mjeteve e të qytetarëve. Një orë për të dalë nga Parisi. Po nisemi për Bretanjë duke lënë pas edhe një aksident. Rreth pesëqind kilometra. Pothuaj asnjë pikë furnizimi gjatë rrugës. Nuk e di se si nuk i ka rënë në sy kjo rrugë Sarkozisë. Mbase ka udhëtuar nga krahu tjetër.Fillova të ndjehem në faj për ftesën. Të shoh nga pasqyra. Timoni m`u drodh , po e mbërtheu dora jote e fortë. Dorën tjetër ma hodhe mbi supe. Si në kafaz. Po sikur t`i japësh ti pak kohë? Patenta? Mbase ia hedhim kontrollit? Ah, jo!
Tabela në vendin ku zbarkuan aleatët. Më tej varret gjermane.
Moti po prishet. Qielli po ngarkohet me re. Nga deti fryn erë e ftohtë.Më ka marrë uria. Jam e lodhur. Ndjehem në faj për ftesën. Një shesh i vogël, lëpirë pas tij një lokal edhe më i vogël. Ostrike! Të shoh ty para se të ndaloj. Sytë e tu nuk më ndahen. Dalim nga makina. A i ha ostriket? Pse nuk m`u përgjigje atëhere? Në Bretanjë vihet për ostriket! Eshtë tepër ftohtë në lokal. Na vjen përpara “legeni” i madh, mbushur me ostrike në tri radhë të bukura si piramidë. Lart, në sheshin e vogël, dy gjysmat e limonit, të prera për merak. A do t`i hash, apo do të marrësh vetëm bukën me gjalpë? Shijen tënde për verërat e njoh. E bëre gati të parën, e mbushe me limon, nuk u ktheve nga unë, e vure në buzë dhe e derdhe në gojë. Më erdhi të t`i puth buzët, lagur me ujin e detit dhe lëngun e limonit. Mora frymë thellë. Gjithçka do të shkoka mirë! Pas lokalit, në drejtim të detit, janë pellgjet e vogla që mbushen me ujë në baticë, ku peshkohen ostriket.Akuariumet brenda lokalit janë plot me karavidhe. Ai u afrua me koshin, rrjetë metalike dhe zuri atë që kërkova. E kapi nga beli, ranë në ujë lidhëset e ganxhave, unë vura dorën pas dorës së tij dhe u ktheva drejt teje. Aparati fotografik shkrepi. Të falemnderit, i dashur. Bashkë me letrën do të ta postoj edhe këtë foto. Pincat vallëzuan në dorën tënde Pjata ime u mbush plot me mishin e bardhë kompakt të karavidhes.
- Në Saint Malo arritëm në mbrëmje. Hoteli është brenda mureve rrethuese të qytetit të vjetër, me rrugë të ngushta, shtruar me pllaka të vogla, të kalldrëmta, mbushur me lokale shumë mikpritëse, në ndryshim rrënjësor me Parisin. Lokali, ku mëngjezuam ishte edhe më mikpritës.Veç të tjerash, kamerieri na zbaviti me një spektakël të shkurtër të shtrimit të tavolinave.
Qyteti është i rrethuar nga tri anë me ujë dhe mbrohet nga kështjella. Në bedena më bëre shumë foto. Fryn shumë erë dhe është ftohtë. Poshtë duken godinat ngjyrë rëre të qytetit, si godina të kohëve të vjetra. Anije dhe pulëbardha. Ma shtrëngove fort krahun. U trembe se mos më merrte era me vete e bëhesha shoqe me pulëbardhat? Nuk e di.
Sonte do të flemë në kështjellën e Mont Saint Michelin. Drejt Parisit.Kam prenotuar dhomat.Një kthesë interesante n autostradë. Një livadh i vogël me drunj molle për kalimtarët. Degët janë plot. Në shesh duken gjurmët e turistëve, për të cilat flasin mollët e kafshuara, të hedhura në tokë. Mbusha duart me mollë.Aparati shkrepi në dorën tënde. Shëtitëm në disa fshatra të mrekullueshme për godinat, lulet dhe pastërtinë. Kishte të drejtë Juliet Binosh tek filmi “Jet lag” të ëndërronte për një shtëpi borgjeze me dritare blu, me një shelg dhe një pjergull. Ashtu ishin. U endëm gjatë në ato fshatra, aq sa u lodha në timon.Pashë në pasqyrë sytë e tu, ku rritej shqetësimi. Ata më shihnin vetëm mua.Dora jote në timon, tjetra në supet e mia.Ecëm gjatë, gjysmë të përqafuar.Lodhjen dhe nervozizmin tim e qetësonte dora jote, që më shtrëngonte butësisht supet. Po i afrohemi kështjellës. Po sikur të ketë fantazma? Prania jote më qetëson. Parkova makinën. Vajza e pritjes tha se deti nuk avitet sonte aty. Eshtë ne vete ajo? Shikimi yt i butë nuk më ndahet. Si të ngjitem në këto shkallë hekuri, të ngushta, të larta e tepër të pjerrëta? Duart e tua ma mbërthyen belin dhe unë u ngjita, jo, vallëzova, nëpër ato shkallë. Zbritja e rrezikshme e humbi vlerën. Dora ime mbi supin tënd, mbërthyer nga dora jote. Zbritje tepër komode. Foto pa fund: buzë detit, rrëzë kështjellës, nën hënë, me pulëbardhat……Dyqane të shtrenjta me relike të vjetra. E more byzylykun nga varësja, e vure në dorën time dhe u zhduke për pagesën. As tani nuk e di sa kushtoi.
Ku e dije që gjyshja më bënte petulla të holla me madhësinë e tiganit? Crepes! Bajate, si llastik, po prania jote ndryshoi dhe zbukuroi gjithçka. Edhe papastërtinë e godinave e lokaleve nën maskën e ruajtjes së frymës së epokës. Po largohemi nga kështjella. Rreth saj një stere pa fund. Deti është tepër larg. Kështjella duket si e larë në argjend. Lamtumirë, kështjellë!
Tani rruga ime, rruga jonë ka një destinacion për të cilin më dridhet zemra. Shtëpinë muze të Klod Mone – së. Nuk di pothuaj asgjë për ty. A të pëlqen piktura? Kthej kokën të të shoh.Nuk m`i ndan sytë. Nuk pyet ku shkojmë. Një rrugë e ngushtë. Me dy kalime. O zot! Kush e ka ideuar? Dora jote në timon më jep siguri. Në dy anët e rrugës, livadhe me gjelbërim. Tufa lopësh: të bardha, kafe, të zeza, pullalie, në këmbë ose ulur, përtypen me qetësinë e tyre karakteristike.Shikimi yt i butë nuk më ndahet.
- Si ndodhi? – pyes veten.
Kujtoj trokitjen e mesazhit tënd të parë. U drodha. Vite më parë babai im më kish folur për ty. Po ti, nga e mësove? Mesazhet që pasuan ishin një çoroditje e plotë. Njëri i zemëruar. Tjetri i çuditur. I treti më i qetë. Ç`po ndodh? U struka nën lëkurën time dhe prita……….dhe pres akoma, edhe pse ti je pranë meje, me dorën mbërthyer fort në timonin tim.
A të pëlqen piktura? Pothuaj nuk di gjë për ty. Përvec dashurisë për muzikën.Ecim. Pemë të çuditshme.Trungje të drejta, kupola të dendura gjethesh të blerta, me një fragment kupole gjethesh të kuqe. Ma pret rrugën një karvan gazmor, i bukur delesh me kokë e këmbë të zeza, qeni udhëheqës në krye, tjetri shoqërues në ije të tufës nga ana e makinave, dhe së fundi çobani hipur mbi biçikletë. Me të vërtetë pamje e mrekullueshme,sa gazmore, aq edhe serioze.
Duken shtëpitë e para të katundit. Tabela e parë. Timoni më përcolli dridhjen e dorës tënde. Nuk mund ta ktheja kokën. Ç`emocion të tronditi? Pothuaj nuk i njoh shijet e tua.Pa e mbyllur mirë makinën në parking, ndjeva përqafimin tënd dhe rrëshqitjen e buzëve të tua mbi fytyrën time. Ma more dorën dhe ece me hapin e zgjatur. Sa padurim kish në ato hapa, po jo aq sa të mos e ndieje dihatjen time të rëndë. Ngadalësove, po unë shpejtova dhe dora jote , dorën ma shtrëngoi ngrohtësisht. Ecëm disa minuta në labirinte. Shikimi yt përpara. U kthye disa herë drejt meje. Ndofta për herët e fundit. Me biletat në dorë për vizitën e plotë, zbrite drejt kopshtit. A mbeti lule pa u fotografuar prej teje? A mbeti pemë pa u fotografuar prej teje? A mbeta unë pranë çdo luleje pa u fotografuar prej teje? Sa keq që në liqenin e vogël mungonin zambakët. U futëm në shtëpi. Nuk lejohej fotografimi.Qëndrove gjatë para cdo pikture. Pasioni yt i bëri të magjishme.Një dhomë fare e vogël me makinën qepëse pranë dritares. Për nënën. Një sobë e stërmadhe me cezmën në `të dhe gjymin e ujit poshtë saj. Enë të bakërta me shkëlqim varen mureve. Një shtrat. Një dollap. Një komodinë.
Vizitës i erdhi fundi dhe shikim yt u kthye tek unë, ndofta për lamtumirën. Jo, akoma. Në muzeun e relikeve m`u largove për pak. Për herë të dytë. Ajo vazo në formë zambaku në ngjyrën e ujit kushtonte 2065 €. Zonja e shërbimit lëvizi e shkathët. Një kartëvizitë u fut brenda. Ambalazhim i përsosur.
……………………………………
Sot u zgjova me kokën plumb. Përse më erdhe në ëndërr? Ndofta me pamjen tënde të vërtetë. Me sytë e zinj të mëdhenj. Me flokët e bukur me onde. Veshur me bluzë të bardhë sportive. Pse më erdhe? Për të më thënë që nuk do të vish kurrë? Ndofta ëndrra gënjen?
…………………………………….
Po nisem drejt Parisit.Vetëm. Nga nata e shqetësuar timoni dridhet në dorën time. Vetëm.Ngatërrohem në rrugët labirinte të katundit të lindjes të Mone – së. Nervozohem. Nuk dua t`i shoh livadhet e gjera dhe tufat me lopë bardhoshe atje tej. As diellin e sapolindur futur në mjegull. Asgjë nuk dua. Jam vetëm. Le të rrijë dielli brenda mjegullës. Unë vetë jam brenda saj.
Hyrja në Paris qenka më e zymtë, më gri. Edhe navigatorit i humbi zëri. Më duket sikur lundroj në mjegull. Dhe jam vetëm. Krejt vetëm. Një orë pritje në kthesë, pa u futur në qytet. Aty një pikë karburanti, tamam për të vonuar lëvizjet e makinave që edhe pa `të ishin tepër të çoroditura. Më duhet të zbres pesë kate për të lënë makinën. Timoni më dridhet në kthesa. Mungon dora jote e fortë, mbërthyer në `të.Kam disa orë në dispozicion para nisjes së trenit të natës. Fus çantën e udhëtimit në transportier. Tjetër prapësi. Porta e çeliktë që mbyll bagazhet në ruajtje, u bllokua. Një tjetër orë pritje e nervozuar. Kërkoj një pikë informacioni të marr vesh për nisjen e trenit. Vajza me ngjyrë, me syze Gabana, më informon se ka vetëm një tren për në vendin tim, që niset pas dy orësh. Për shkak të grevës. Mund të udhëtoj, po të ketë vende, që nuk ka. U futa në lokalin më të afërt për të drekuar. Gjeta fjalën „pommes de terre“(patate), vura gishtin. Ritual i shëmtuar. Vetëm. Binari lajmërohet shumë vonë. Unë pres në binarin njëzet e tetë, treni avitet në binarin katër.Përshkova gjithë stacionin. Hipa në trenin special TGV me shpejtësi 300 km/orë. Vend gjeta, po vetëm. Rruga ecën me shpejtësi, po mua më mungon ti dhe gjithçka që lidhet me ty. E nisa udhëtimin e mrekulluar nga prania jote. Tani zvarrisem drejt shtëpisë e vetmuar, e trishtuar, e vrarë. Nuk e pashë Parisin në kthim. Ti nuk ishe. Do t`i shoh edhe njëherë këto shënime para se të t`i postoj.
Citofoni. Qenka postieri! I gjatë, me flokë të kuq kokoridhka, me mjekër e mustaqe të kuqe, të shkurtra, që ia fusin fytyrën në kornizë, duke i dhënë më shumë pamjen e piratit se të postierit, gjithmonë i buzëqeshur dhe i djersitur. Më zgjat një kuti. Mbi `të, ekranin e vogël elektronik me stilolapsin me majë të bardhë për të firmosur. Mbi ambalazhin e kutisë, poshtë pullave, një dorë e dashur ka shkruar kaq bukur emrin tim.
…………………………..
Stampova fotot për ty. Për albumin tënd kam zgjedhur kopertinën me dy delfinë.E mbusha me fotot e tua, të marra në kopshtin e Mone – së. Në faqen e fundit po vendos foton time, pa emër, pa kushtim. Ndofta nuk të shkon mendja ta kthesh fletën, mbase nuk e sheh kurrë. Po e mbyll zarfin me albumin.
Prit!
Më duhet adresa jote. Ku është? Ma ke dhënë adresën? Ku ta kërkoj?
Ah! Duhet të shoh pakon e sapoardhur. Me shpejtësi gris ambalazhin pa adresë. WOW! Vazoja, si zambak, në ngjyrën e ujit. Brenda kartëvizita. Aty duhet të jetë adresa.
Jo!......Vetëm një kushtim: „ Një falenderim për kënaqësinë e rrallë që më fale!“ Pa adresë. Vetëm me numër telefoni, të cilin e kam, nëpërmjet të cilit dëgjova zërin tënd vetëm dy minuta, të ngrohtë, të butë, rinor, po nuk mora përgjigje nëse dridhja e tij ishte emocion.
……..Po e postoj këtë letër, i dashur, pa adresë marrësi. Le ta lexojnë të gjithë. Bota sot është tepër e çuditshme. Mund ta lexosh edhe ti!!! Ku ta di?!!
Përshtypje udhëtimi Paris – Normandi – Bretanjë e kthim.
E martë 19 tetor 2010 ora22:00
VIKTORIA XHAKO
(ZHORZH SAND)
Karavidhja
Ne kopshtin e Mone-se
Ne kopshtin e Mone-se
Ne restorant
Ne bedena
Shtepia borgjeze me dritaret blu, qe enderronte Juliet Binoche
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Viktoria Xhako:MA THIRR MOTRËN KËTË NATË...
» Viktoria Xhako:LETËR MOTRËS.
» Viktoria Xhako:O LETËR QË NUK ERDHI KURRË....
» Viktoria Xhako:- ... POR... TI... -
» Viktoria Xhako:RA NJË YLL
» Viktoria Xhako:LETËR MOTRËS.
» Viktoria Xhako:O LETËR QË NUK ERDHI KURRË....
» Viktoria Xhako:- ... POR... TI... -
» Viktoria Xhako:RA NJË YLL
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi