Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

PDK dhe LDK, një pangjashmëri - e vogël sa e madhe

Shko poshtë

PDK dhe LDK, një pangjashmëri - e vogël sa e madhe Empty PDK dhe LDK, një pangjashmëri - e vogël sa e madhe

Mesazh nga Agim Gashi Wed Oct 27, 2010 8:37 pm

PDK dhe LDK, një pangjashmëri - e vogël sa e madhe

PDK dhe LDK, një pangjashmëri - e vogël sa e madhe Skederrrrr-1

Nga SKËNDER BUÇPAPAJ


PDK e bëri të dielën Kuvendin V zgjedhor të saj. Pa ndonjë fushatë të bujshme zgjedhore, me një shpejtësi - po e them figurativisht - sa çel e mbyll sytë, partia e parë e Kosovës (ri)zgjodhi njëzëshëm -pa kundërkandidat - kryetarin e saj Hashim Thaçi për të pestën herë, zgjodhi njëlloj dhe këshillin drejtues, prej nga dalin kryesia dhe forumet drejtuese të punës së përditshme të patisë.
LDK pritet ta ketë kuvendin zgjedhor të radhës në fund të muajit nëntor. Pas një fushate të bujshme zgjedhore, në vazhdim, ende nuk dihet se kush do të jenë kandidatët për kryetar të partisë së dytë të Kosovës, përveç kryetarit aktual Fatmir Sejdiu. Pritet që gjithsesi Sejdiu në garën për rizgjedhjen e dytë të ketë përballje me kundërkandidatë. Opinioni e ka të pashlyeshme mbresën e kuvendit zgjedhor të kësaj partie, mbajtur para katër vjetësh, pikërisht në fund të nëntorit të vitit 2006, përplasjen e rrëmujshme dhe ndarjen e bujshme të kësaj partie në dy, ku pjesën e shkëputur të saj e merrte me vete kundërkandidati i atëhershëm Nexhat Daci, për ta shndërruar atë në LDD. Zëra në vetë kreun e LDK-së thonë se shfaqja e drejtpërdrejtë teatrore e para katër vjetëve ka të ngjarë plotësisht të përsëritet edhe sivjet. Ndoshta në përmasa më pak të bujshme, ndoshta edhe më të bujshme.
Sidoqoftë LDK nuk bën dot kuvend zgjedhor si ato të PDK-së. Me një fjalë, nuk realizon dot proces zgjedhor të brendshëm si ajo, nuk bën dot procedurë kuvendore të rrufeshme si ajo, nuk zgjedh apo rizgjedh dot kryetar si ajo, nuk zgjedh dot këshill drejtues, kryesi, forume e tjerë si ajo.
Në biografinë zyrtare të LDK-së thuhet se u themelua më 23 dhjetor të vitit 1989 në Prishtinë nga një grup intelektualësh. Ajo u formua si bashkim i intelektualëve dhe popullit të Kosovës, në kohën e shpërbërjes së Lidhjes Komuniste të Kosovës. Ibrahim Rugova ka qenë kryetar i partisë që prej themelimit dhe deri në janar 2006, kur Rugova u nda nga jeta. Personalitetet kryesore të kësaj partie janë Ibrahim Rugova, Presidenti i parë i Kosovës, Fehmi Agani, Fatmir Sejdiu, Presidenti i dytë i Kosovës, nga janari 2006 deri në shtator 2010, Eqrem Kryeziu, Sabri Hamiti, Lutfi Haziri dhe Nekibe Kelmendi. LDK-ja prej fillimit e deri më 2007 ishte forca kryesore politike në Kosovë. LDK ka fituar të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në Kosovë si lokale ashtu edhe parlamentare në vitet 2000, 2001, 2002 dhe 2004. Numri i mandateve në Kuvendin e Kosovës: 2001-2004: 47; 2004-2007: 47; 2007-2011: 25.
Në biografinë zyrtare të PDK-së thuhet se është një parti politike e formuar pas mbarimit të luftës në vitin 1999 nga udhëheqës të UÇK-së, shumica e të cilëve deri asokohe ishin aktivistë dhe udhëheqës të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Në fillim partia kishte emrin Partia për Progres Demokratik e Kosovës, por më vonë e ndërroi emrin në Partia Demokratike e Kosovës. PDK -ja është trashëgimtare e strukturave politike të UÇK-së dhe e LPK-së. Partia Demokratike e Kosovës u themelua me 10 tetor të viti 1999. Partia Demokratike e Kosovës ka bashkëqeverisur Qeverinë e Kosovës nga viti 2001-2004, me kryeministër z. Bajram Rexhepi dhe me 2 ministra. Pas zgjedhjeve të 17 nëntorit 2007, PDK-ja konfirmohet si forca e parë politike në vend. Sot PDK-ja udhëheq në 17 komuna dhe prej 9 janarit 2008, kryetari Hashim Thaçi është kryeministër i Kosovës. PDK-ja ka edhe 7 ministra në Qeverinë e Kosovës.
Për të kërkuar dhe gjetur rrënjët e atij ndryshimi të vogël midis dy partive, patjetër do shkuar në rrjedhat prej nga vijnë. LDK-ja ka një rrjedhë drejtvizore, pra është më e lehtë të shkohet tek burimi i saj. PDK-ja ka një rrjedhë tjetër, më të vështirë për të shkuar tek burimet e saj. Unë nuk po i hyj kësaj pune, sepse do të më largonte nga tema e shkrimit të sotëm.
Ndryshimi i vogël mes tyre, pra, është genetik. Ashtu që është ndryshim i madh. Gjatë historisë së dy partive, ato kanë bashkëpunuar mes tyre në qeverisje, në parlament dhe në shumë forma të tjera. PDK-ja, falë edhe historisë së saj, e ka veten nën kontroll të plotë dhe të përhershëm. LDK-ja, gjithashtu falë historisë së saj, nuk e ka këtë cilësi të partisë tjetër. Sa ka fituar PDK-ja nga bashkëpunimi, ta themi - nga bashkëjetesa politike- me LDK-në nuk mund të jemi në gjendje ta dimë. Por dimë se LDK-ja nuk ka përfituar. Mund të themi edhe se LDK-ja nuk është e zonja ta imitojë PDK-në. Edhe kjo është punë geni e njërës dhe e tjetrës.
Për të bërë figurë të mirë në pjesën e mbetur të procesit të brendshëm zgjedhor dhe për ta finalizuar në kuvend e pastaj në zgjedhjet e parakohshme, mendoj se LDK-ja e ka të domodosdoshme të fusë frymën bashkuese, duke i përthithur ndryshimet e brendshme ashtu si e ka bërë këtë në periudhat më të suksesshme të saj.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi