Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Përzgjedhur nga Lediana Kapaj publikojmë tregime nga poeti dhe prozatori Vullnet Mato

Shko poshtë

Përzgjedhur nga Lediana Kapaj publikojmë tregime nga poeti dhe prozatori Vullnet Mato Empty Përzgjedhur nga Lediana Kapaj publikojmë tregime nga poeti dhe prozatori Vullnet Mato

Mesazh nga Agim Gashi Sat Oct 30, 2010 11:36 pm


Përzgjedhur nga Lediana Kapaj publikojmë tregime nga poeti dhe prozatori Vullnet Mato 49920_744374599_4029267_n
Përzgjedhur nga Lediana Kapaj publikojmë tregime nga poeti dhe prozatori Vullnet Mato


Përzgjedhur nga Lediana Kapaj publikojmë tregime nga poeti dhe prozatori Vullnet Mato 69864_1377547529903_1568334934_30756707_4013425_n
VULLNET MATO

Poet dhe prozator, lindi në Sarandë në vitin 1937.

Është autor i vëllimeve poetike: “Tinguj malesh” (1969), “Krahët e erës” (1972), “Ninullat e hekurit” (1984), “Dritaret e prillit” (1994), i vëllimit me poema “Katër plagë të Shqipërisë” (1999) dhe i poemës “Nënëmadhe Fterra” (2007). Ka botuar vëllimet me tregime “E fshehta tronditëse” (1999) “Klithmat e mishit të bardhë” (2006). Romanet: “Ujësinor” (1976), “Era e kësaj kohe” (1984), “Lakmia” (2000), “Maturantët” (2002), “Damkosja e engjëjve” (2004) “Marrëzia e madhe” (2008), “Matura e paharruar” (2009).

Tregim

AJO QË FJETI ME TË PANJOHURIN..

Zamira hodhi sytë një grimë mbi xhamin e trashë ku ishte shkruar me varak të verdhë “Telegrame e Lajmthirrje” dhe mbështeti dorën e saj të butë mbi dorën e tij.
-Do shtoj edhe një shokun tim, -tha befas me një ton krejt të zakonshëm.
- Shok? -ia bëri Agroni duke u kthyer kundruall. - Ç'është ky shok?...
- Më mirë të them, një i njohur i rastit, -korrigjoi ajo me një buzëqeshje të lehtë.
-Dhe një i njohur i rastit duhet ftuar në dasmën tonë?! -mblodhi supet ai.
-Mendoj se po, pasi është një person të cilit i detyrohem...
Agroni u kthye i tëri dhe hetoi ngultas sytë e së fejuarës.
-Për çfarë?
Zamira ndjeu padashur një skuqje të lehtë dhe uli sytë aty ku këmbët e shumta të njerëzve ishin grumbulluar për të bërë telegrama e lajmthirrje.
-Ç'ke që më shikon ashtu? -e qortoi ajo me zë të ulët. -Kam dashur të ta tregoj me kohë, po më ka dalë nga mendja... -dhe bëri fresk një çast me letrën ku kishte shënuar emrat e personave të largët që do t'i ftonte me telegram. -Mirëpo edhe të shpjegohem gjatë këtu, nuk është as vendi as koha...
Agroni hetoi me dyshim profilin e bukur të së fejuarës dhe e fiksoi vështrimin te qepallat, ku dukej sikur mbahej mbuluar me rimel ai sekret, për të cilin ajo kishte zënë të shprehej me druajtje.
-Edhe... -gërmoi për më tej zëri i tij.
-Të thashë pra, mos më vështro me kaq habi, se kjo mënyrë më acaron'. -iu kthye ajo me një shprehje bezdie. -Unë do të të sqaroj çdo gjë, përderisa po të tregoj vetë. Po nuk hapet ai muhabet këtu mes njerëzve...
-Fol, se nuk e ka njeri mendjen te ne! -ngulmoi Agroni.
Zamira hodhi një sy të shpejtë përqark dhe ndonëse u ndie e imponuar, filloi të tregojë duke ulur paksa zërin.
-Kjo ka ndodhur parvjet, kur ne nuk ishim njohur...Në atë kohë unë punoja mësuese në Himarë. Mamaja me babanë më përcollën nga Fieri me trenin e mesditës. Mamaja, siç e ka zakon, m'u qep me të lutura: "Mira, të keqen nëna, mos harro, sa të vësh këmbën në Himarë më nis telegram, po deshe të më zërë gjumi sonte!" E dija që mamanë s'kishte valium në botë ta vinte në gjumë pa marrë telegramin tim. Sapo zbrita në Vlorë, shkova preva biletë për autobuzin. Po për dreq, atë ditë autobuzi i pasdites seç pati një defekt dhe u vonua. Na lajmëruan të prisnim, se do të vinte në atë linjë një autobuz tjetër. Dhe kështu kaluan nja dy orë të mira. Bëra një llogari të shpejtë. Kur të arrija unë në Himarë, do të ishte shumë vonë për gjumin e mamasë dhe vrapova te posta. I nisa telegram nga Vlora, për ta qetësuar në kohë. Mirëpo për dreq, kur u ktheva autobuzi sapo ishte nisur dhe unë mbeta te agjensia me valixhe në dorë. U bëra helm. Të nesërmen duhej të isha patjetër në mësim dhe dola për makinë të rastit. Por nuk mu mbush mendja të hipi te asnjeri nga ata që kaluan dhe më zuri mbrëmja në rrugë. Në Vlorë ne nuk kemi asnjë të njohur ku mund të trokisja për të fjetur dhe pashë ç'pashë, iu drejtova hotelit...
Agroni ndërroi pozicionin e këmbës mbi këmbë dhe u përkul fare pranë saj, duke kapur nofullën e vet me dorë. Kureshtja dhe parandjenja, se mund të zbulohej ndonjë ngjarje e pakëndshme e bënë më të vëmendshëm.
-...Ishte një hotel i vjetër në qendër të qytetit. Lexova shënimin "Vende s'ka" te sporteli dhe atëherë u shqetësova seriozisht. Ishte vonë dhe sportelisti, që sapo kishte marrë turnin e natës, më tha të prisja sa të sigurohej për një dhomë, çelësi i së cilës kishte mbetur në tabelë. Vendosa të pres, sepse ai telefonoi në hotele të tjerë dhe s'kishte vende askund. Kontrolloi regjistrin dhe tha, se aty flinin prej një muaji dy oficerë të ministrisë. Kishte mundësi të kishin shkuar për ta kaluar të dielën pranë familjeve, por nuk ishte i sigurt, sepse sportelisti i mëparshëm s'kishte lënë asnjë shënim për atë dhomë. Kështuqë në orën dhjetë e gjysmë ai më regjistroi dhe më dha çelësin me një numur që s'e harroj: “28”. Në fund më tha, se edhe po të vinte ndonjëri prej tyre, do t'i lëshonte krevatin e vet në zyrë. Ngjita shkallët tepër e lodhur dhe hyra në dhomë. Ajo ishte e vogël e me një dritare të vetme që shihte nga Sheshi i Flamurit. Gjatë gjithë kohës që sportelisti më diskutoi çështjen e dhomës, mua filloi të më hante meraku për çarçafët. Por i kontrollova me kujdes dhe pashë, se ishin të ndërruar dhe fare të pastër. Ndonëse ajo era e dhomave të hoteleve ku pihet duhan s'më ka pëlqyer kurrë, isha e kënaqur që më në fund u rregullova për bukuri. Hëngra diçka nga ato që më kishte vënë mamaja në çantë dhe aty nga ora njëmbëdhjetë rashë për të fjetur, duke përfytyruar spiralet e Llogarait. Isha aq e raskapitur dhe e tronditur nga tersllëqet e asaj dite, sa edhe vet nuk e di se si më zuri gjumi menjëherë dhe fjeta si e vdekur...
2

Pasdite, kur po kheheshim nga reparti ku kishim shkuar për inspektim, Kurti u ndal në mes të rrugës e më tha krejt pa pritur: "Shko Fisnik, unë do dal një herë te kryqëzimi, po gjeta ndonjë makinë për Tiranë, do shkoj në shtëpi sonte." Dhe kështu u ndamë qysh aty. Në mbrëmje shkova te një i njohur që më ftoi për të parë në televizor ndeshjen Holandë - Gjermani. U ktheva në hotel rreth orës dymbëdhjetë pa çerek. Kalova pranë sportelit dhe si e pashë që Xhezua po dremiste, u ngjita te dhoma ku flinim prej një muaji që ndodheshim në Vlorë. Një kopje të çelësit e mbaja gjithmonë me vete për të hyrë në çdo kohë, sepse qëllonte që sportelisti nuk ishte aty. Kur rastiste të dilnim herët e të ktheheshim vonë, meqë ishim bërë si të shtëpisë, paguanim në mëngjesin tjetër edhe për natën e kaluar. Hapa derën dhe u habita pa masë, kur, ashtu në errësirë, pashë Kurtin që flinte. Nuk e ndeza dritën për të mos e zgjuar. Megjithëse një herë më shkrepi një dëshirë të shkoj ta kap për hunde e t'i them: O haxhipishman, pse nuk shkove në shtëpi? Por u pendova, se ishte shumë vonë e mund të vuante derisa ta kapte gjumi përsëri. U zhvesha dhe u rrasa menjëherë në krevat. Një copë herë u rrotullova, duke kujtuar rastet e bukura të golave të shënuara nga gjermanët, derisa më kaploi gjumi. Në mëngjes, siç e kam zakon, më doli gjumi herët. Sapo zbardhi, ktheva kokën për t'i hedhur një sy Kurtit që s'ishte bërë i gjallë kësaj nate. Por, për habinë time të patreguar, pashë një tufë flokësh të gjatë e të ndritshëm si mëndafsh i zi, që kishin shkarë nga jastëku e vareshin deri poshtë në anë të krevatit. Shqeva sytë mirë, se mos ishte ndonjë fanepsje nga ato që krijojnë hijet e pasqaruara të mëngjesit. Por jo. Gjithçka kishin konstatuar sytë e mi prej qitësi të pagabueshëm, ishte mëse e vertetë. Po për besë, paskësha fjetur gjithë natën me një femër dhe nuk e kisha ditur... Fati më kishte sjellur aq pranë një mëllënjë pëndëzezë dhe unë budallai isha shushatur gjithë natën në një gjumë artilerie, siç i themi ne ushtarakët. Duke mbajtur sytë i shtangur mbi format e trupit që lejonte batania, ndjeva atë çast një trazim të çuditshëm, që zgjoi tek unë ndijime të fjetura. Ai shkarëzim i lëmuar flokësh me një shkëlqim xixëllitës ma rrëqethi trurin tmerrësisht e ma mbushi si me atë rrëkenë e xixëllimave që lëshon saldatriçja natën, duke më salduar diku thellë një mendim jo të zakonshëm. Lakimet e valëzura të trupit të saj, nga qafa e bardhë te supi, rënia e thellë te beli, e pastaj ngjitja e rrumbullakësuar e kofshës, më shkaktoi menjëherë një joshje të fshehtë, që m'i mpiu të gjitha shqisat e tendosura prej kureshtjes për t'i parë fytyrën e kthyer nga muri. Më rrihte zemra sikur kishte marrë një revan të madh e mezi prisja të komunikoja me të, për të marrë vesh kush ishte ajo grua dhe pse ndodhej në dhomën time. S'dija si të veproja fillimisht për ta zgjuar. Nga padurimi m'u errën sytë e mu turbullua shikimi. Tekefundit vendosa. Ndeza abazhurin e komodinës. Reflekset e dritës së fortë, që u përplasën në murin e bardhë, e goditën menjëherë në fytyrë. Ajo u zgjua. Lëvizi. Në fillim u kthye ngadalë. Pastaj kërceu rrëmbimthi mbi krevat dhe, duke u mbledhur kruspull me çarçafin rreth gjoksit, thirri me sy të zgurdulluar:
-Çdo ti këtu?... Nga ke hyrë?... -dhe papritmas përpëliti sytë te çelësi i saj që ndodhej mbi komodinë.
-Prit, mos u nxito!…Ti çdo këtu! - ia ktheva me të butë e duke buzëqeshur lehtë, për të mos e trëmbur sorkadhen qafëgjatë që e kishte zënë nata fare pranë dyshekut tim.- Unë kam një muaj që fle në këtë dhomë...
Nuk mund të shprehem, se si ajo më pa me aq tmerr. Flegrat e hundës i dridheshin siç turfullon delja milore kur befas sheh përballë një ujk. Mbeti e shtangur dhe hapi pak gojën, sikur po bëhej gati për t'i rënë një sirene alarmi, e cila mund të ngrinte në këmbë të gjithë hotelin.
-Dil! Dil shpejt, se atij sportelistit ia rregulloj unë!... -tha me një zë murmuritës gjithë turp e me një vështrim të egër.
Dua të them, se e dija shumë mirë sa e rrezikshme ishte për mua si ushtarak kjo gjë që bëja, nëse merrej vesh. Por, pamja e saj aq magnetike, më elektrizoi të tërin dhe iu dorëzova shpirt e trup ndjenjës lakuriqe të sensualitetit, kështuqë nuk kisha më fuqi mbi veten.
-S'ka faj sportelisti, -i thashë dhe u mundova t'i shpjegoj rrethanat e mia.
Ajo më dëgjoi me sytë gjithnjë të frikësuar e të hapur tej masës, aq sa qerpikët e gjatë i preknin vetullat e holla. Dhe vazhdonte të shtrëngonte çarçafin mbi gjoks, sikur aty të ruante dy qese të mëdha me florinj. Buzët e ngushta i kishte të bumbyera nga gjumi e pak të thara në cepat. Majën vezake të mjekrës e mbante mbështetur mbi dy grushtet e vegjël, që i kishte ngjeshur thellë te gusha. Flokët e gjatë i kishin mbuluar dy anët e qafës dhe supet e rrumbullt i kishin mbetur jashtë me një bardhësi vezulluese. Merrte frymë aq shpesh, sa çarçafi para gjoksit punonte sikur e rrihte era e ftohtë e Karaburunit. Vetëm këto, që m'i kapi syri shpejt e shpejt, ma bënë gjakun të më marrë flakë si baruti i thatë. Ç'fshihej në ata sy të bukur në formë bajameje dhe në ato buzë të vogla të shtrënguara?...S'mund ta përshkruaj dot, se në çfarë gjendje mbeta. E gjithë qenie ime ishte trazuar, aq sa tëmthat më rrihnin si dy trompeta të vogla, të padukshme. Vetëtimthi mendova, se buzët e thara duhet t'ia njomja me buzët e mia dhe supet e ftohur duhet t'ia ngrohja me frymën time. Rasti më kishte sjellur pranë një lumturi të dëshiruar aq shumë për një beqar si unë. Pasioni, që më kishte rrëmbyer, më turbulloi gjithë trurin dhe më pushtoi ideja therëse për ta zotëruar patjetër këtë femër. Mendova, se së pari duhej ta qetësoja e ta bindja se jeta i kishte këto gjëra...
Por ajo, sikur të ishte duke vrojtuar tabelat brënda trurit tim, m'i preu mendimet përgjysmë:
-Të lutem, -tha duke u dridhur nga të ftohtit.- ngjau si ngjau, dil pak jashtë sa të vishem!
Përse duhej të dilja jashtë patjetër, si ndonjë qen i përzënë prej saj? S'ishte aspak e drejtë. Më kishte rënë pa pritur e pa kujtuar një fat i madh nga qielli dhe unë të dilja jashtë si fajtor! Jo, jo, unë s'isha ndonjë ushtar i thjeshtë, që duhej t'i bindesha me doemos urdhërit suprem të saj. Po një goxha oficer artilerie me akademi ushtarake të plotë. Pra, në këtë rast eprori që dikton urdhërat isha unë, jo ajo. Ndryshe do të ndjehesha mjaft i fyer në sedër. Ishte një shans i rrallë ky që më kishte rënë mua në pjesë. Edhe ajo vet s'duhej të më vinte faj, por t'i nënshtrohej këtij rasti, për të cilin s'kishte pse ta vriste ndërgjegjja, sepse nuk e kishte kërkuar vet. Në kuptimin e qartë të fenomenit konkret, ishim thjesht dy njerëz që rastësia e deshi t'i ngrohnim zemrën njëri-tjetrit e të zinim miqësi. Fundja, ç'janë lidhjet midis çifteve?... Rastësi. Njohje në vende nga më të ndryshmet, ku s'mund të përjashtohej edhe hoteli. Ne të dy, vetëm për vetëm në këtë dhomë, mund t'i kursenim njëri-tjetrit kohën e gjatë të ecejakeve për të arritur te çasti aq i zakonshëm për të gjithë të dashuruarit. Pra, ç'kuptim kishin fjalët e rrëmbyera të saj "Dil jashtë shpejt!" Së pari, ne duhet të njiheshim...
-Kaluam një natë të tërë bashkë pa u shpejtuar, pse tani duhet të nxitohemi kaq shumë? -i thashë qetësisht e me një zë, që nga emocioni m'u duk si u huaj.
Ajo e shkrehu predhën e syve të saj e më goditi me një vështrim tepër të ftohtë.
-Nëse je njeri që ke jetuar me motër e me nënë, mos e zgjat më tej, po më ler të vishem!- tha me një frymëmarrje gulçuese, tashmë krejt e zverdhur në fytyrë.
Por unë, duke u nisur nga mendimi, se nazet e kundërshtitë janë pjesë e natyrës femërore, buzëqesha me qejf të madh. Dhe tek vështroja, sesi dridheshin supet e saj të bardhë e të mbushur me materie femërore, ndjeva një trazim mashkullor sfilitës e më pushtoi një dëshirë e marrë, që mezi po e përmbaja. Sido që kish folur ajo nga pozicioni i një femre, unë nuk mund ta lëshoja aq shpejt pozocionin tim prej mashkulli, që të më quante budalla një ditë. Ky mendim dhe tundimi i tmerrshëm që më shkaktonte kurmi i saj i butë i mbështjellur me çarçaf, më nxitën që të ngul këmbë deri në fund. Dhe atë çast m'u tendosën më keq të gjitha shqisat. Aq sa fillova të ndjej drithërima në çdo milimetër katror të trupit. Më çakërdisi ideja, se duhej të përfitoja patjetër nga ky rast, për ta bërë timen. Duhej me çdo kusht t'i shihja ato supet e bardhë dhe krahët e saj të hollë duke u përpëlitur nën krahët e mi. Kështu më thoshte instikti im prej mashkulli. Kurrë ndonjëherë nuk i kisha rënë në qafë me kaq vendosmëri një femre. Por ky rast bënte përjashtim nga vet terreni i jashtëzakoshëm ku gjendeshim. Përfytyrova se si kjo femër e akullt në dukje, mund të zbutej si manare e të bëhej krejt e zjarrtë në atë shtrat të ftohtë. Si të gjitha gratë, që kanë një kufi morali me disa piramida ndaluese të vendosura në tru qysh në fëmijëri, edhe kjo, tej këtij kufiri të diktuar, duhej të shfaqte instiktin e vet biologjik me ngacmimet e natyrshme të seksit të kundërt. Po të isha taktikisht i zoti, unë mund t'i shmangia të gjitha pengesat e ta kaloja atë kufi në mënyrë paqësore.
Mesa dukej, ajo, me intuitën e saj të habitshme, e kuptoi përsëri ç'mendoja unë atë çast. Sepse rrudhi vetullat, sikur deshi të largonte sa më parë nga vetja dikë, që s'po e duronte dot t’i binte në qafë më tej.
-Të lutem kuptomë, dil, mos u vono më tepër! - pasi i tha këto fjalë, sytë e saj më vështruan egër, në mënyrë urdhëruese dhe me padurim të dukshëm.
Vështrimi i saj ishte si një vetëtimë që më futi shkarkesën e zjarrtë në të gjitha indet. Por unë s'doja ta bëja veten të mundur e të pranoja një humbje të padenjë. "Qëndro në pozicion luftimi, mos u thyej nga refuzimet e zakonshme të femrës, binde!", më diktonte zëri im i brëndshëm.
-Mos u ngut! -i thashë. -Para së gjithash jemi njerëz dhe mund të kuptohemi...
Ajo më pa me tmerr. Fytyra e saj u bë e tejshkuar, e ashpër, bojëhiri. Por me një bukuri delikate të rrallë. Këto nuanca të portretit pata filluar t'i dalloj qysh në shkollën e mesme, kur bënim analizat e personazheve në lëndën e letërsisë dhe prej asaj kohe njerëzit i vrojtoja me këtë sy të kujdesshëm.
-S'kemi ç'të kuptohemi më tej, po dil tani pa e zgjatur! -tha me zë të mprehtë e urdhërues, sikur të komandonte një togë ushtarësh.
Kjo mënyrë komunikimi e saj, në ato avantazhe strategjike që zotëroja unë aty, nuk më pëlqeu aspak. I goditur gjer në palcë nga rrufeja verbuese e atyre syve urdhërues, desha t’i hidhem, siç hidhet një tigër mbi gjahun e vet. Por përsëri mendova, se duhej me durim e urtësi të gërmoja akoma në transhenë e hapur deri tani. Në mënyrë që pas asaj pamjeje kërcënuese të zbuloja pasionet e fuqishme, pas atyre buzëve të ngushta e të shtrënguara, të çliroja puthjet e saj të zjarrta. Ide kjo, që ishte ngulur në trurin tim si dhëmbët e një përbindëshi. Dhe pas pak mërmërita:
-Kuptomë, moj vajzë e mirë, rrethana e veçantë ku ndodhemi, kërkon t'i flasim njeri-tjetrit jo me urdhra, po me zëmër...
Ajo rrudhi vetullat me padurim, prej bezdisë që i shkaktonin jo vetëm fjalët, po edhe sytë e mi, të cilët po e rrëmonin thellë. Dhe m'i preu fjalët në mes, duke i dhënë kokës përpjetë si një mëz i harbuar. Lëvizje kjo, me të cilën sikur deshi ta flakte tej me përbuzje këtë bisedë që po zgjatej.
-Të lutem, mos hap kot muhabete të tilla, se unë mezi po të duroj!...
Për disa sekonda me rradhë ne vështruam njëri-tjetrin. Ajo në mënyrën e qingjit të mbledhur kruspull, unë në formën e ujkut qimepërpjetë, që është gati për t'u vërsulur. Ato që bluaja në kokë atë çast mund të përligjeshin, po të kihet parasysh, se isha një njeri që po më kalonin ditët nëpër inspektime ushtarake, i ndarë prej botës femërore në pjesën më të madhe të kohës dhe me ndjenja të ndrydhura nga disiplina e detyrës. Ja, ku pa pritur e pa kuptuar një grua mahnitëse vjen e futet në "vendstrehimin" tim prej artilieri të stazhionuar nga pritja e gjatë. Pikërisht, nga një periudhë e tillë boshe, plot mërzi dhe vetmi, që shtrihej para kësaj ngjarjeje të madhe të zemrës, matet edhe forca e jashtëzakonshme e dëshirës që më kish kapluar ato çaste. Ajo kundërshtonte, por ku dihej, pikërisht pasiguria më bënte më ngulmues për të thyer rezistencën e saj. Dhe prapëseprapë, në këtë rezistencë kish një bukuri që më tërhiqte dhe ma ndizte gjakun ca më keq. I pushtuar nga marrëzia e qëllimit tim, ende po ngulmoja, ende s'doja ta bëja veten të mundur.
-Nuk e kuptoj, pse kundërshtoni kaq shumë për të biseduar! Mos vallë nuk keni besim tek unë? Nuk jam aspak njeri i pabesë siç kujtoni...
Dëgjova për herë të parë psherëtimën e saj të thellë, të dridhshme, të ankthshme.
-Po ke besë e nder, të lutem shumë tregoje tani menjëherë, se mua po më pushon zemra! -ma ktheu me një padurim të prerë, duke i lëshuar këto fjalë si thikë therëse, madje edhe vështrimin e pati depërtues si një teh të hirtë çeliku.
Zëri i saj tingëlloi shumë i qartë, kundërshtues, lutës, mëshirues njëherësh. Nuk vura re asnjëherë te fytyra dhe te fjalët e saj mëdyshjen, apo lëkundjen më të vogël, që të mund të shpresoja diçka më tej. Më në fund ndjeva plotësisht kundërshtimin e hekurt të kësaj femre mizore. Ajo po shprehte një vendosmëri demoniake për të më refuzuar me çdo mënyrë. Tani u duk açik, s'kisha më asnjë shpresë, se mund të pranonte ndonjë veprim kundër vullnetit të saj, pa një reagim të vrazhdët, alarmant e me pasoja për mua. Dhe kjo më trishtoi pa masë. Mbeta i ngrirë një copë herë dhe pata një dyluftim të ashpër me vetveten. Dyluftimi midis instinktit dhe arsyes vazhdoi disa sekonda. Zemra ma qëllonte gjoksin me një batare aq të fortë, sa më dukej sikur binin predha artilerie diku thellë në moçalishtet e Nartës. Pikërisht në atë çast, s'di se si më erdhi ndërmend ajo thënia që diku kisha lexuar "Mos e fal kurrë puthjen pa dashuri!" Këto fjalë dhe vajza e lebetitur që kisha përballë, më bënë të mendoj, se këtu, me një femër të panjohur, duke shfrytëzuar me imponim rastësinë e keqe që iu krijua asaj, duke përfituar nga terreni i mbyllur ku ajo s'kishte nga t'ia mbante, mu duk jo vetëm me vlerë thënia e mësipërme, po edhe sjellje e ulët e paburrëri të veproja kundër dëshirës së saj. Pra, m'u duk budallallëk i madh e poshtërsi të veproja më tej, për t'i hapur udhë dëshirës së çmendur me këmbëngulje shtazarake. Vura dorën mbi zemrën time të butë që filloi të qetësohej ngadalë dhe e vështrova vajzën me një ndjenjë faji, ndonëse s'kisha kryer asnjë veprim të natyrës së dhunuesit. Mendova, se po të kishte qenë ndonjë horr këtu në vendin tim, nuk do ta kishte falur kurrsesi, por sa të thuash tre, do t'ia kishte mbyllur atë gojë të bukur me çarçafin që mbante shtrënguar rreth qafës. Mirëpo unë e njihja mirë veten time, që në thelb nuk isha aq agresiv, sa çdo të kisha dëshiruar pak më parë. Dhe kur njeriu i humbet të tëra shpresat, atëherë nis lufta për dinjitet.
-Kthehu në anën tjetër, të vishem unë i pari e të dal! -i thashë dhe u orvata ta siguroj: -Qetësohu! Unë s'jam njeri i lig, nga ata që të shkon mendja ty.
Ajo ktheu kokën nga muri në çast dhe unë vura re si përgjonte me dyshim e tmerr hapat e mi, që silleshin rreth krevatit gjatë kohës kur mora teshat nga karrigia e fillova të vishem. Dyshemeja prej dërrasash dridhej nën këmbët e mia. Por edhe ajo dridhej, sikur të ndodhej duke notuar në një pellg me ujë të akullt. Më së fundi u bëra gati. Vështrova orën. Ishte gjashtë pa pak. E ndjeja veten të tulatur si një kalë i rrahur dhe m'u deshën disa minuta, derisa munda të luaja njërën këmbë drejt derës. Megjithatë, tani logjika më punonte mirë dhe para se të dilja e sigurova edhe një herë:
-Mund të qëndroni krejt e qetë derisa të gdhihet plotësisht, se unë po zbres poshtë në restorant të ha mëngjesin e s'kam për t'u kthyer më këtu. Ju lutem mos mendoni keq për mua! - e thashë frazën e fundit, duke menduar, se pavarësisht ç'kisha bluar përbrënda blindazhit tim prej burri, jashtë nuk kisha shpallur hapur ndonjë ultimatum sulmimi. Dhe as e kisha treguar hapur pasionin tim të rrëmbyer, që të më vinte turp prej saj e të më vriste ndërgjegja. Të gjitha fjalët i kisha lëshuar të matura e që mund të merreshin edhe thjesht si dëshirë për komunikim midis njerëzish të panjohur. Në fund të fundit, një burrë dhe një grua, që veçse qëndrojnë të shtrirë në dy krevatë të ndryshëm, janë njësoj si në dy varre të ndryshëm.
Vetëm atëherë ajo doli nga gjendja e shtangët, psherëtiu thellë, më hodhi ca sy të tjerë dhe u mundua të buzëqeshte në një mënyrë që tregonte mirënjohje.
E përshëndeta ushtarakisht dhe dola. Zbrita shkallët me një lëmsh të madh, që më kishte krijuar në kokë ajo ngjarje e çuditshme dhe hyra në restorantin që ishte nënvete.
Kisha porositur ushqim dhe isha duke ngrënë, kur vura re, se ajo vajzë e panjohur dhe e veshur bukur po më kërkonte me sy. Pasi dalloi fytyrën time zeshkane me vetulla tepër të zeza, erdhi drejt e te tryeza...
3

-Agron, po më dëgjon? -i tha Zamira të fejuarit, duke vënë re, se sytë e tij vështronin përdhe te valëzimet e pllakave të postës.
-Po, po, vazhdo! -u gjegj ai duke kapërdirë pështymën me trishtim.
-...Isha ngopur me gjumë dhe gjendesha në një dremitje të sipërfaqshme, kur ndjeva një dritë të fuqishme që më goditi qepallat. M'u bë sikur papritur doli dielli dhe atëherë u zgjova plotësisht. Drita vinte nga prapa shpinës sime dhe u ktheva në çast. Por oh, më ngriu zemra menjëherë e m'u ftoh gjithë trupi, kur pashë një burrë të shtrirë në krevatin përballë që m'i kishte ngulur sytë...
-Hm... - ia bëri Agroni duke e kundruar të fejuarën me sy zhbirues të zgurdulluar. Mbi buzë, i dallohej një dridhje nervoze që e përmbante me vështirësi.
-Si e pashë që çelësi ndodhej aty ku e kisha lënë, ndjeva morrnicat e tmerrit, që më shkaktoi e fshehta e hyrjes së tij në dhomën e mbyllur dhe më pushtoi ajo llahtara e zakonshme, që ndjejnë të gjitha vajzat kur gjenden papritur përballë rrezikut të turpërimit. Desha të ulërij për t'i shpëtuar asaj të keqje. Por e përmblodha veten, sepse kjo do të më damkoste në të gjithë qytetin. Një gjë më habiti pa masë. Teshat e tij të vendosura të gjitha mbi shpinën e karriges tregonin, se kisha fjetur gjithë natën me atë burrë të panjohur. Dhe nuk po kuptoja, si të isha përsëri e paprekur?...
Agroni turfulloi në mënyrë shpërthyese dhe rrahu thembrën përtokë.
-Bah, këtë s'e beson as njeriu më idiot në botë! - shfryu duke këqyrur të fejuarën gjithë dyshim.
Ajo e kundroi me dashuri dhe hodhi sytë një grimë nga unazat e florinjta të gishtave.
-Po të ishte ndryshe, nuk do të ta tregoja, mor Goni. Ti nuk beson që ka edhe meshkuj të ndershëm?...
-Mira, ja ku po të them dhe dije mirë, ky më duket muhabeti më i kotë që mund të bësh për të më mbushur mëndjen, se paske fjetur gjithë natën në një dhomë me ujkun dhe ai s’të paska zgjatur as thoin!... -turfulloi ai duke nxjerrë gjuhën me pezm e disi i zverdhur në fytyrë.
Sytë e Zamirës u lëngëzuan pakëz. Ajo uli kokën dhe vështroi këmbët e njerëzve të shumtë te sporteli, që dukeshin sikur peshonin rëndë mbi pllakat e bardha të mermerit.
-E shoh që është e kot të të them, se as fryma e tij nuk më ka prekur. Po ai s'ishte nga ata njerëz, more Goni, Ishte më i turpshëm se unë...
-Mira! -thirri ai me një tension të dukshëm mes zallahisë së zërave të shumtë. -Më mirë të mos ma kishe treguar fare këtë mesele të dhier, se më gërrice nervat për dreq!
-Po unë dua të jem krejt e sinqertë me ty, mor zoti Agron... Në qoftë se ti mban rezerva nga jeta jote, kjo ka të bëj me ty, jo me mua... Po të lutem dëgjomë deri në fund, pastaj daç beso, daç mos beso! -tha ajo me një zë të prajshëm duke iu mbushur fytyra me gjak.
-Vazhdo! -shfryu ai sërish me ton të rëndë dhe lëvizi kokën anash.
Zamira hetoi sytë e tij të rrëzuar përdhe, harkun e vetullës që i dridhej sikur do t'i këputej, ca bulëza djerse mbi ballë dhe u përtyp një grimë. Mandej gjeti kurajë tek e vërteta e saj dhe vijoi:
-Edhe unë s'do të çuditesha aspak, sikur ai të më sulej egërsisht dhe të them të vërtetën atë çast u përgatita t'i hidhem përsysh me thonj e me të pështyra surratit... Por ai ishte njeri i mrekullueshëm. Doli nga dhoma duke kërkuar falje për ngatërresën që kishte ndodhur. Në fillim m'u duk e pabesueshme që përfundoi gjithçka kaq thjeshtë. U desh të kalonin disa minuta, gjersa të merrja veten e të gjykoja më drejt për atë person. Ndaj pak më pas ndjeva shumë respekt për të dhe shkova e gjeta në restorant, tek po hante mëngjesin i vetëm. Do të qe e tepërt të prisja të më ftonte dhe i kërkova leje të ulem. Burri hijerëndë që po shihja tani, më tregoi karrigen përballë dhe vazhdoi të përtypej ngadalë, duke pritur t'i flas për çka më kishte shkrepur në kokë.
“Mund t'ju them diçka?” -ia nisa unë me druajtje.
Ai buzëqeshi pakëz dhe u përgjigj :
“Mund të më thoni gjithçka! “
“Sjellja juaj më ka bërë të kem një detyrim të madh shpirtëror. Dhe jam e mendimit, se mirënjohjen time s'mund ta shpreh, veçse duke ju pyetur nëse pranoni t'ju quaj vëlla? “
Ai qeshi me gjithë shpirt dhe më vështroi me respekt.
“Kam tri motra, -tha -po meqë nga ç'kuptova, jeni vajzë e ndershme, mund të pranoj të bëhem edhe me një të katërt”.
E falënderova dhe, siç ndodh zakonisht, shkëmbyem pyetjet e shkurtëra të njohjes, Quhej Fisnik Ibro. Banonte në Tiranë në lagjen “Ali Demi”. Më foli, se kishte ndërmend të fejohej së shpejti dhe unë i kërkova adresën e familjes. Nuk më la të paguaj mëngjesin që hëngra me të dhe më përcolli te autobuzi si vëllai motrën. Vjet më ftoi në dasmë. Po nuk pata mundësi të shkëputem nga shkolla ato ditë dhe i dërgova telegram urimi, duke i shkruar në fund “motra Zamira”. Më vonë shkëmbyem kartolina për Vitin e Ri. Dhe meqë nuk shkova dot në dasmën e tij, mendoj se kam një arsye të pastër ta ftoj në dasmën time. Tani ti, Goni, besoj je dakort t'i bëjmë edhe atij një telegram?...
Ai vështroi një çast dorën e saj që tundte lehtë listën e ftesave për t'u freskuar. Mandej sytë e bukur që shprehnin një lutje të sinqertë. Nga fjalët e fundit të saj sikur ndjehej paksa më i qetë, por jo krejt i qetësuar.
-Për dasmën tënde vendos ti vet... -tha me një zë të vrarë dhe pyeti: - Po ta ftosh atë do të jesh e kënaqur?
-Po nuk deshe ti, nuk e ftoj. Unë s'dua të bej diçka që nuk të pëlqen edhe ty.
-Ti e dëshiron vërtet ardhjen e tij? -ai e hetoi në sy.
-Më duket gjëja më e mirë që mund të bëj për të e për gruan e tij. Mirënjohja më e bukur për ndershmërinë e tij.
-Bëj si të duash. - tha ai me zë të lehtë.
Zamira i shtrëngoi dorën ëmbëlsisht.
-Pas kësaj që të tregova, s'ka për të ndryshuar asgjë midis nesh? Ti do më duash prapë siç më ke dashur?
-Ti e di, Mira, që unë të dua shumë, se të kam njohur thellë kush je dhe si je. Po se si bëhem kur dëgjoj gjëra të tilla, qoftë edhe nga goja jote. Mua s'më vjen mirë kur të tjerët kanë të bëjnë me ty, qoftë edhe fare pak. Qoftë edhe kur mendojnë për ty, apo kur janë të panjohur rrugës e të shohin me sy nepsqarë. Mua s'më vjen aspak mirë. Dua të jesh e gjitha e imja, kupton?...Në çdo gjë e tëra imja...
Zamira mbështeti kokën në supin e tij, si për t'ia plotësuar atë përkatësi, për të cilën ai kishte aq shumë nevojë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Përzgjedhur nga Lediana Kapaj publikojmë tregime nga poeti dhe prozatori Vullnet Mato Empty Re: Përzgjedhur nga Lediana Kapaj publikojmë tregime nga poeti dhe prozatori Vullnet Mato

Mesazh nga Agim Gashi Sat Oct 30, 2010 11:38 pm

Vullnet Mato

DASHURI BRENDA VARRIT

– tregim-

Teksa jeta gjallon e zhvillohet pa ndërprerë në tokë, në qiell e nëpër planetët pa fund të galaktikave, në trojet tona ajo lëviz e krijon ngjarje edhe brenda varrit. Kjo mund të duket disi e habitshme, por është e vërtetë.
Komshiu Leksi me fytyrë të dreqosur deri në atë shkallë, sa dukej si ndonjë xhind i sapodalë nga humnerat e errëta të thellësive, thirri Amin te hyrja e apartamentit përballë. Ai i ra ziles me ngut e me një tringëllimë të zgjatur pa e hequr gishtin nga butoni.
Kur Ami hapi derën dhe e kundroi me sy të çakërritur nga habia e shkatërrimit që vuri re në fytyrën e tij, komshiu Leksi lëshoi breshërinë e vet fatale:
-Eja merre tët shoq, se paska qenë fundërrinë e fundërrinave, një maskara i ndyrë dhe imoral i paskrupullt!... Unë po shkoj të dorëzohen në polici ! – tha ai prerazi, me vetulla të ngërthyera nga zemërimi i tejskajshëm dhe iku në çast duke brambullitur poshtë shkallëve.
Ami, e shtangur nga kjo e papritur kaq tronditëse, ndjeu një dridhje të fortë në të gjithë gjatësinë e trupit të saj delikat. Vrulloi drejt derës përballë dhe hyri krejt pa frymë brenda dhomës së hapur. Por ç’të shihte?... Aty kishte ndodhur një gjëmë e paimagjinuar. I shoqi i saj gjendej i vdekur dhe krejt lakuriq përkrah gruas pa jetë të komshiut Leksi. Ajo i vëzhgoi një grimë herë të dy kufomat lakuriqe me sy të shqyer nga habia dhe tërbimi, për të parë gjurmët e përgjakshme të asaj vrasjeje të dyfishtë. Por çuditërisht, asnjëri nuk kishte plagë te koka apo te gjoksi. Ishte një krim fare pa gjak, i paparë ndonjë herë as në filmat horror. Burri i saj dukej sikur flinte i zhveshur në shtratin e vet bashkëshortor. Por për fatin e saj të zi, ai flinte gjumin e madh të vdekjes në shtratin e një gruaje tjetër, të cilën ajo e kishte pasur shoqe të ngushtë...
Ka një prag fundor ku dashuria e madhe kthehet papritmas në një urrejtje tërbimtare tejet të fuqishme. Dhe ky është çasti kur gjen befas bashkëshortit tënd në marrëdhënie intime me një partner tjetër. Ami u xhindos brenda pak sekondave. Një urrejtje gati vjellëse iu mblodh në grykë dhe po i pengonte frymëmarrjen.
Ajo u kthye si ndonjë egërsirë e plagosur për vdekje dhe vrapoi te hyrja e saj, duke shtrënguar tëmthat nga një dhimbje e tmerrshme që ia mbërtheu kryet në çast. U shtri te shtrati i saj krejt pa vetëdije dhe priti gati si e trullosur, derisa e mori disi veten. Pastaj zgjati dorën te aparati telefonik mbi komodinë dhe u bëri një telefonatë prindërve të saj, që banonin në lagjen e Alliasit, te fundi verior i Tiranës.
Nuk vonoi shumë dhe te dera e hapur përballë, hyri ekipi i specializuar i ekspertëve të policisë hetimore. Ata kontrolluan gjithçka, i kthyen trupat pa jete nga të gjitha anët dhe në fund dolën me përfundimin që dha mjeku ligjor: Burri kishte vdekur nga një atak kardiak gjatë sforcimit në marrëdhëniet seksuale. Ndërsa gruaja ishte goditur nga i shoqi në kokë me tenxheren e trashë të presionit të gjetur aty pranë. Mjeti rrethanor me të cilën bashkëshorti i kishte shkaktuar viktimës gjakderdhje të brendshme në tru dhe prova e vetme e krimit, e përdorur në çastet e tronditjes së fortë psikike. Në çastin kur ai kishte ardhur befasisht nga jashtë dhe e kishte gjetur gruan ende në shtrat, duke u përpjekur të kthente në jetë dashnorin e mbaruar.
Pasi u kryen të gjitha formalitetet e zakonshme, Ami, që ziente përbrenda nga një erupsion gati vullkanik, por krejt e qetë në pamjen e jashtme, porositi arkivolin. Pastaj me ndihmën e banorëve te shkallës, ajo e mbështolli të shoqin me çarçaf dhe e vendosi brenda kutisë me kapak të thjeshtë fibre. Po atë ditë, pa kryer asnjë ceremoni mortore për besëthyerin e saj të kurorës, ajo pagoi shërbimin e funeralit dhe e çoi arkivolin te varrezat e Sharrit, duke mos lajmëruar askënd për shoqërimin e zakonshëm familjar.
Pak kohë më pas, po atë ditë, zuri vend aty edhe arkivoli i gruas së Leksit, të cilën ceremonia familjare pa shumë bujë, e vendosi sipas radhës te varri i hapur përbri tij. Kështu u duk se u mbyll ajo dramë e fshehtë dashurie midis dy komshinjve, e cila qe kthyer papritmas në një tragjedi të rëndomtë, të heshtur.
Por motra e gruas së Leksit, e mbuluar nga lotët, nuk ndjehej aspak e qetë shpirtërisht. Ajo kishte dëgjuar nga motra e madhe gjithçka mbi marrëdhëniet që kishte me burrin e Amit, të quajtur si dashuria e vërtetë e jetës së saj. Madje si me e vogla, ruante edhe një amanet të saj: “Po te vdes ndonjë dite, të më varrosesh në një varr me të dashurin tim të zemrës, sepse vetëm atëherë do të jem e qetë në atë botë.”
Pas dy ditësh, kur varri kishte ende përsipër dheun e freskët, ajo pagoi varrmihësit në fshehtësi dhe trupin e burrit, të cilin motra e madhe e kishte dashuruar me të gjithë pasionin e vet vdekatar, e çoi të prehej te varri i saj. Duke e vendosur brenda arkivolit të përbashkët, përkrah njëri-tjetrit, siç ishin në shtratin ku gjeten vdekjen. Ndërsa në arkivolin bosh, sipas kërkesës së varrmihësve, la vetëm një pusullë, që gjithsesi të dihej më vonë vendndodhja e trupit të të vdekurit që mungonte.
Kishin kaluar pak ditë dhe ëma e Amit, si besimtare fanatike, e qortoi të bijën e rrëmbyer nga pabesia e të shoqit:
-Bëre gabim të madh, moj bija ime, qe e varrose tët shoq të mbështjellë vetëm me çarçaf. Është gjynah i madh nga Zoti të mos e veshësh me kostum, si gjithë burrat e tjerë...
-Ai nuk ishte si burrat e tjerë ! – kishte kërcyer përpjetë Ami. – Ai ishte faqezi, që më nxiu faqen e më shkatërroi jetën.
-Po ama, do s’do ti, është i ati i vajzës tënde të vogël...
-Vajzën e la pa baba, ai i pacipë! Kur s’më donte, le të mos martohej me mua e të bënte fëmijë. Zgjedhja e njeriut për të bashkëjetuar bëhet vetëm një herë dhe para martesës. Kush nuk di të zgjedhë në atë kohë atë që i duhet, pas martesës zgjedh ose shkatërrimin e familjes, ose vdekjen.
- Epo, ja, allahu e dënoi me goditje në zemër dhe atë tjetrën me goditje në tru, se martesa është e shenjtë, moj bijë. Prandaj me punët e allahut duhet të kesh kujdes, se të vjen e keqja nga s’ta pret mendja, po sidomos te fëmija...
Ami u trondit shumë, u mendua thellë dhe pastaj tha:
-Do t’i lutem zotit të ma mëshirojë vajzën...
-Dëgjomë mua, nuk të kushton gjë të blesh një kostum e të shkosh që t’ia veshin punëtorët e varrezës... - ia preu fjalën e ëma.
Ami rrëzëlliti sytë mbi të ëmën me një mëdyshje të dukshme.
-Kostumin e martesës e ka fare të ri ai, po ata varrmihësit duhen paguar shumë që të hapin varrin fshehurazi...
-Paguaji, se të jap edhe unë ca para nga ato që morëm për kompensimin e pronës.
Më në fund vejania pa rroba zie në trup, u bind dhe shkoi për të biseduar me dy varrmihësit, që e vunë në dyshim me ngulmimin e tyre për të mos rihapur varrin. Ami u premtoi se veprimin e tyre zhvarrosës, do ta mbante si të fshehtën e varrit, dhe u pagoi në dorë të tërë shumën e majme që kërkuan.
Ata hapën arkivolin pasdite vonë për t’i veshur kostumin të vdekurit. Por për habinë e tejskajshme që e la gruan vejane pa mend, aty brenda kishte vetëm një letër të zhyer me dhera. Nën dritën e dobët të perëndimit ajo lexoi shënimin e shkruar keq: ”Jam te varri i komshies!” Si ka mundësi! tha me vete Ami e mahnitur aq shumë, sa për pak çaste mendja e saj u shkëput krejt nga realiteti dhe u zhyt padashur në misticizmin ireal të besimeve fetare.
-Maskarai, kurvari i poshtër, as në varr nuk rri rehat! Lakuriq le të mbetet!... - murmuriti ajo lehtas dhe rendi e nervozuar te taksia në një cep të varrezës, ku po e priste e ëma.
Varrmihësit e paguar dy herë, qeshën nën hundë dhe rrëshqitën përmes rreshtave mortorë. Fashat e perëndimit të flakëruar që kishin rënë mbi kryet e varreve, e kishin bërë varrezën të dukej si një djegurishte e madhe me kërcunj të prushëritur.

Tiranë, dhjetor 2009
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Përzgjedhur nga Lediana Kapaj publikojmë tregime nga poeti dhe prozatori Vullnet Mato Empty Re: Përzgjedhur nga Lediana Kapaj publikojmë tregime nga poeti dhe prozatori Vullnet Mato

Mesazh nga Agim Gashi Sat Oct 30, 2010 11:39 pm

Vullnet Mato

HAKA E GRAVE

- tregim-

Kisha shkuar në Korçë për të takuar disa miq të hershëm dhe për të çuar në bibliotekën e qytetit pesë kopje të romanit tim të fundit. Pasi mbarova punë me librat, hyra në kafen "Kursal" që kisha frekuentuar prej kohësh. Teksa po kërkoja ndonjë tryezë bosh, vura re dy sy të mëdhenj, me një vështrim të vrarë prej kali, që nuk po më ndaheshin. Personi mjekërrosh ma bëri me dorë të shkoja te tryeza e tij, ku ndodhej krejt i vetëm. U afrova instinktivisht dhe e përshëndeta me kokë, duke e kundruar me vërejtje, si njeri krejt të panjohur për mua.
-Ke të drejtë të mos më njohësh, o byrazer, kam ndryshuar nga mjekra… -tha ai dhe befas deklamoi një varg: -"Moj mëze që më tërbove…"
-"Kapistallin s'ma pranove…" -ia plotësova unë në çast dhe i buzëqesha kënaqësisht, duke sjellë ndërmend poezinë e vëllimit poetik, që më kishte dhuruar në një takim poetësh, para dy vjetësh në Korçë.
-Ai jam, Ilka, kirurgu që bën vjersha, -tha duke më zgjatur dorën dhe më ftoi të ulem.
-Po ç'e ke lënë gjithë atë mjekër, mor Ili? -i thashë dhe u ula si me mikun që më kishte lënë mbresa të këndshme me poezitë e bisedat e tij gazmore.
-Mjekrën e kam lënë që të mos më njohin të njohurit e këtushëm. Kurse juve që vini pe Tirane, u flas vet, -tha me një buzagaz të rezervuar.
Nuk kërkova sqarim për rebusin e shprehjes së tij dhe kalova tangent te kujtimet e mia. Madje më ra ndërmend edhe përshkrimi që i kishte bërë një letrareje që shkruante vetëm për seksin: "Ajo kur ulet të shkruaj, heq breçkat që të frymëzohet! "
-Kam menduar shpesh për ty dhe për qyfyret e tua, - i thashë miqësisht.
-Ashtu? Më bëhet qejfi shumë. -u shpreh me gaz.
-Po hë, ia vure kapistallin mëzes tënde, apo vazhdon t'i thurësh vargje?
Ai u prish pakëz në fytyrë. Por më pas e mblodhi veten menjëherë dhe kaloi në gjendjen e mëparshme, me ata sytë e tij që ruanin një përndezje të vazhdueshme.
-Ia vura kapistallin bashkë me samarkën dhe hipa kaluar. Po ç'e do, ajo e kish revanin shumë të shpejtë dhe më rrëzoi plasur në tokë… -tha duke lëkundur kryet dhe thirri kamerierin.
Ai vet pinte konjak, unë porosita një krem uiski.
-Pijet e grave të pëlqejnë… -tha dhe nënqeshi lehtë.
-Më pëlqen, se ka pak alkool, -ia ktheva
-E ke trurin të pagoditur nga hallet, që s'të kërkon alkool. -vërejti dhe heshti mendueshëm.
Ndjeva, se ndryshe nga humori i dikurshëm, diçka fshihej pas mërzisë dhe gotës së konjakut që kishte vënë përpara. Veç kësaj, sytë e njeriut, buzët dhe duart e tij flasin nganjëherë më shumë se fjalët.
-Po, hë, si qe puna, që mëzja të plasi përtokë? -vijova ta gërmoj.
-Megjithë mend kërkon ta dish?
-E kam thjesht nga kureshtja…
Ai më hodhi një vështrim të thellë drejt në sy, me mëdyshje për ta zgjatur atë bisedë. Por duke parë përqëndrimin tim në pritje të vëmendshme, vijoi me një pamje paksa dramatike në fytyrë.
-Është histori që nuk kam qejf ta tregoj, bile as ta kujtoj. Po ty do të ta them, o byrazer, se ke kohë pa më takuar dhe e kuptova që s'din ç'më ka ndodhur...
-Dramë ?
-Tragjedi. -tha dhe filloi të flasë me ton të shtruar. -Eh, or, mik vëllai, mos pësoftë njeri atë që pësova unë…Njeriu në jetë duhet t'i presë të tëra, se s'dihet nga i vjen e mira dhe e keqja. Ja, ajo që s'e prisja kurrë, më erdhi nga s'e kisha pandehur… Të them të drejtën, më vjen zor të t'i tregoj të gjitha, po ndryshe nuk kam si të jem i sinqert me ty… Dihet që femrat kanë gjynahet e tyre, po ne burrat e martuar, të stërvitur në atë zanat, kemi neps pe qeni. Le të jetë gruaja e mirë sa të dojë, pulka e botës na duket më e majme. Kjo është fabula mitologjike e tradhtisë së tërë mashkujve... Dhe qe ta kam llafin, me një kolegun tim kirurg, që punonim bashkë në spitalë, Tomi quhej, na u tek të hanim një drekë të mirë matanë kufirit, në Kostur. Unë me mëzen time, mjeken stazhiere pe Kolonje dhe Tomi me dashnorkën e tij, një pelë e bardhë me flokë të verdha, që punonte drejtoreshë në bankën e kursimeve. Tomi e kish zënë mikeshë, kur i kishte hequr një kallo te gjishtrinjtë e këmbës dhe ia kishte pëlqyer ato këmbkat e mbushura e syçkat bojëqielli. Më pas zuri t'ia digjte edhe atë kallon kronike në krye të këmbkave. Ajo qe e martuar me një veteriner, po ama vdiste për mustaqkat e Tomit. Kurse stazhierkës sime beqare, i pëlqeu mëzja e vjershës dhe deshi vet kapistall të përdorur. Mos qesh me proçkat tona si burra të martuar. Se dashuria është sëmundje, është një patologji që askush nuk mund ta shpjegojë. Misteret e dashurisë janë nga më të çuditshmet. Kush mohon pasionet që të krijon, e ka gabim, ato janë më të fuqishme nga çdo gjë, se të shpien deri në marrëzira. E, nejse, rregulluam vizat në konsullatën greke për vajtje e ardhje brënda ditës dhe me bencin e Tomit shkuam në Kostur. Afër është pe këtej, një orë e pak. U lamë në gjolin e Prespës dhe drekuam në një restorant lluksoz, shumë të shtrenjtë. Katërqint e pesëdhjetë euro na bëri dreka. Pimë shampanjë dhjetëvjeçare. Hajd, or hajd, shampanja dhjetëvjeçare të bën kalë varvat, ç'e do viagrën para saj, bre. Ata të parët s'kanë qenë budallenj që e pinin me poçka e i bënin gratë të pillnin një dyzinë. Më pas u ngjitëm në dhomat tona, te moteli që kishim zënë…
Kamerieri solli porosinë time dhe Ili vijoi:
-Do thuash ti, aq shumë para, për të bërë qejf me një grua tjetër…Nuk është vetëm ndërrimi i gruas, bre. E vërteta është, se gruaja ime kur u bë me dy fëmijë e kishte bezdi të madhe atë punë. "Plasa me punët e shtëpisë, laj, shpëlaj, gatuaj e ushqej fëmijët, vjen edhe ti e më thua mbaji këmbët ngritur të bëj qejf unë, më ler rehat sot, të të bëj një lakror që të pëlqen!" Ja kështu më thoshte gruaja. Kurse kjo tjetra, mëzja pe Kolonje: "Ilkë, o shpirt, do vdes po s'të kam pranë!" dhe më rrufiste e më lëshonte avullin e ngrohtë në gojë. E si të mos më prishej mendja të harxhoja për të bërë qejf me të, bre!…Mëndja e burrit me vidha është, gratë kanë kaçavidhën në dorë, të zhvidhosin kur të duash, shpëton vetëm po i pate vidhat të ndryshkura. E, nejse, ajo pela e bardhë e Tomit, Florenca, ishte aq e lojtur pas tij, sa do e linte edhe mamanë duke vdekur, për të bërë gjysmë ore dashuri me Tomin. Pastaj që t'i shkonte së ëmës, do vraponte si e hazdisur. Edhe atë ditë e kishte kohën me krëk, se në orën katër pasdite duhej të ishte patjetër në punë, të mbyllte llogarinë e bankës. Dhe për shkak të saj, më tre e çerek u nisëm nga Kosturi të kthehemi me yrysh të madh. Në një gjendje të atillë ishte marrëzi të rendje me revan galopant. Po ne si të pjerdhur nga trutë që ishim, kaluam dy doganat me një frymë dhe po zbrisnim kthesat e Kapështicës për të arritur kohën. Kjo do të kishte qenë tmerrësisht komike, po të mos ishte bërë tragjike…
Ili ndaloi një grimë, uli kryet dhe fytyra e tij mori një shprehje tepër të dhimbshme. Mandej vijoi me një ton krejt të ndyshuar, duke u gëlltitur shpesh për të mposhtur ringjalljen e emocioneve.
-Që të ta ngas llafin, te një kthesë, jo dhe aq e ngushtë sa të mos merrej me shpejtësi nga Tomi, benci ynë fluturovi poshtë greminës, njësoj sikur ta kishte thëthitur vet djalli…Mbaj mend vetëm që ne bërtitëm të katër njëherësh dhe pas tre-katër rrokullimash tatëpjetë rrëpirës, nuk mora vesh gjë tjetër…Erdha në vete pas dy ditësh te salla e reanimacionit. Kur hapa sytë, pashë se më kishin hequr njërën këmbë dhe më kishin ngjitur e arrnuar dorën e bërë sallatë. Kokën prapa e kisha tërë xhumba…
-Po të tjerët? -nuk m'u durua mua.
-Vdiqën në vend, bre !... -tha Ili me dëshpërim dhe iu mbushën sytë me lot. -Benci u bë rrangalle bashkë me ta, vetëm mua më kishte flakur përjashta gjatë rrokullimave.
-Pah, ç'tersllëk i tmerrshëm! -shtova i përpirë trup e shpirt nga ngjarja.
Ai fërkoi mjekrën, rrudhi ballin dhe tha trishtueshëm:
-Lere, o byrazer, na zuri haka e grave... Po edhe haka e burrit të Florencës…Bile ai nuk e pranoi fare arkivolin e saj në shtëpi. U kishte thënë: "E kam dërguar gruan në zyrë, jo në Greqi, ku paskërka shkuar ajo me jaran brënda orarit të punës." Edhe gruaja e Tomit, ia bëri nderet për hir të fëmijëve, po nuk derdhi asnjë pikë lot për të. Kurse gruaja ime më la menjëherë, mori fëmijët dhe shkoi tek i ati. Korça nuk i honeps dot këto imitime skandalesh të jetës perëndimore, që na i ka qejfi ne dhe sa të hapësh e të mbyllësh sytë, të var teneqenë…Eh, ç'grua e rrallë ishte ajo imja, bre byrazer! Me një fisnikëri të madhe karakteri. Po unë jam sjellur si **** me të. Rastis që ne, intelektualët, ngaqë na pëlqen mëndja shumë, veprojmë me gratë fare pa mënd…
Duke vërejtur shprehjen që kishte marrë tani fytyra e tij, kuptohej pa më të voglin dyshim, se në brendësi të vetvetes, veç pendimit, ai ndiente pështjellim dhe zbrazëtirë të dhimbshme.
Vështrimi im u vendos padashur pas shpinës së Ilit dhe vetëm atëherë pashë dy patericat e mbështetura pas murit.
- Kam mbetur pa punë, se zanatin s'kam si e punoj me dorën që s'e komandoj dot pe nervave të dëmtuara. Me protezën e këmbës së djathtë, tani s'bëj as për portier spitali. Se edhe ajo punë kërkon t'i kesh të dy këllqet të saktë. Kam mbetur si lanxho, siç më sheh. Tani unë s'i përkas më kësaj bote dhe mundohem të mos bie në sy të njerëzve. Në një situatë të tillë njeriu bëhet fatalist. Megjithatë ruhem të mos bie në ndonjë plogështi depresive dhe kam filluar gjene të shkruaj poezi. Ato sikur më ngushëllojnë cazë!...
Kisha mbetur i topitur, me një tokël në fyt dhe më shkreptiu në mendje: Sikur ta dinin njerëzit e shkretë cilat rrugë të jetës çojnë në greminë, mbase do të bënin shmangie të mëdha në jetë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Përzgjedhur nga Lediana Kapaj publikojmë tregime nga poeti dhe prozatori Vullnet Mato Empty Re: Përzgjedhur nga Lediana Kapaj publikojmë tregime nga poeti dhe prozatori Vullnet Mato

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi