Zgjodhëm për ju:TREGIME NGA VULLNET MATO (2)
Faqja 1 e 1
Zgjodhëm për ju:TREGIME NGA VULLNET MATO (2)
Zgjodhëm për ju
TREGIME NGA VULLNET MATO (2)
KËNGËTARJA FATKEQE
Tregim
Pamjet e madhërishme të shuarjes ditore të yllit tonë jetëdhënës, që vdes e ringjallet herë pas here për të na dhuruar jetën, më kanë tunduar t'i sodis sa herë ndodhem në brigjet detare. Lindja e diellit ka një bukuri ngazëlluese, po nuk di pse mua më pëlqen sidomos solemniteti i perëndimit. Ndoshta ngaqë melankolia e diapazonit fantastik të ngjyrave të tij të kuqërremta, gjatë zbritjes në horizontin e kaltërt, i sfidon të gjithë piktorët...
Në verën e nxehtë të vitit dymijë e katër po endesha përgjatë shëtitores buzë detit të Vlorës. Ishte pikërisht çasti kur lëmshi i kuq i diellit po fundosej në peizazhin e përflakur pranë Sazanit. Me të hequr sytë nga deti për t'i kthyer nga toka e mbuluar prej muzgut, më tërhoqi vëmendjen një afishe. Lajmërohej për një konkurs të zërave të rinj që zhvillohej atë mbrëmje. Mendova se duke shkuar aty, u gjet edhe mënyra për t'i shtyrë orët para gjumit.
Krejt i vetëm, zura vend në rreshtat e parë të sallës së koncerteve, në pozicionin përballë jurisë. Nga të gjitha sa pashë e dëgjova, më bëri përshtypje njëri nga anëtarët specialistë të muzikës. Ai ishte një burrë që e çmova te mosha afër të pesëdhjetave. Ndryshe nga të tjerët, tabelat e tij vlerësues për këngëtarët e rinj luhateshin vetëm te shifrat e larta tetë deri në dhjetë. Madje edhe kur të tjerët jepnin një ose dy pikë. Kureshtja ime zevzeke për të mësuar diçka të re, ngacmohet pikërisht nga disa cingërima të tilla të veprimeve ekstreme njerëzore, ndaj dhe kërkova të njihem me të. Gjëja më e lehtë që mund të bëhet te ne, është të njihesh me njerëzit. Kjo s'kushton asgjë, përveç një pyetjeje të thjeshtë. Lamë takim pas një ore te veranda e një lokali të ndriçuar pranë Ujit të ftohtë. Morëm nga një birrë vlonjate "Norga" dhe gotat tona shkumbëzuan mbi shkumbëzimin zhauritës të dallgëve. Sakaq miku im muzikant filloi të më shpjegojë edhe shkakun tronditës pse ishte aq bujar me këngëtarët e rinj.
“Kur mbarova konservatorin për dirigjim dhe më emëruan në atë qytet të largët e të veçuar nga rrugët kryesore, desha të mos paraqitem fare në punë. Por prindërit e mi dhe sidomos babai, më qortuan ashpër që nuk po i përgjigjesha thirrjes për të shkuar atje ku kishte nevojë atdheu. Kundërshtimi im mund t'i kushtonte atij, si kuadër i vjetër, pasoja politike në biografi. Isha emëruar pergjegjës i sektorit të muzikës në shtëpinë e kulturës të Gramshit. Shkova krejt zemërthyer në atë vend të izoluar, ku ardhja e autobuzit të ditës nga Elbasani pritej me aq kureshtje, sa pothuaj i tërë qyteti, dilte në rrugë e nëpër dritare. U mërzita pa masë dhe me mjaft vështirësi u përshtata me jetën prej gjysmë robinsoni që bëja aty. U qetësova disi, vetëm pasi njoha mësuesen e muzikës, me të cilën krijova familje pas një viti.
Fill pas pushimeve verore në Vlorën time, po kthehesha tani bashkë me gruan për të vijuar punën. Aty nga ora dhjetë paradite arritëm me autobuz në stacionin e trenit të Rogozhinës. Premë biletat për në Elbasan dhe po prisnim trenin e vonuar prej dyzet minutash. Një grua e re, me një foshnjë disa muajshe në dorë, e ulur në njërin nga stolat e rëndë, më përshëndeti dhe lëshoi vend për mua dhe gruan time. Tha se banonte në Gramsh dhe më njihte nga koncertet në shtëpinë e kulturës. Bebja e saj si top sheqeri, e bukur dhe e shëndetshme, zgjati duart drejt meje. E mora në dorë, e putha në faqet e njoma dhe ajo qeshte aq gëzueshëm, sa më bëri për vete brënda pak minutave.
- Si e quajnë? -pyeta të ëmën pas pak.
-Aneta, po Neta i thërresim, - u gjegj ajo duke i buzëqeshur gruas sime, me të cilën kishte filluar një bisedë të kotë, për një ndodhi të rëndomtë provinciale.
Vijova ta përkëdhel vajzën vogëlushe, të loz me të e ta puth disa herë, aq sa ime shoqe u detyrua t'i thotë së ëmës:
-Beni vdes për kalamajtë e vegjël...
Dhe ja, koha me punë më kaloi si fluturimi i një shpendi me krahë të padukshëm. Kërkova disa herë transferimin nga ministria por nuk ma dhanë, për shkak se nuk pranonte rrethi pa u dërguar zëvendësuesi. Unë kisha qenë kali që u kap për të shirë në atë lëmë. Të tjerët nuk pranonin. Nga ky shkak kisha filluar të mos i numëroja më vitet e punës në Gramsh. Aq sa shumë prej të ardhurve më pas më dinin gramshak. Ndërkohë, isha bërë me dy fëmijë, djem.
Një ditë, kur isha duke punuar në piano, në derën e hapur trokiti papritmas një vajzë simpatike.
-Profesor Beni, a mund të hyj pak? -pyeti ajo me druajtje, duke xixëlluar sytë e zinj nën vetullat bishtngritura si dy bishta dallëndysheje.
-Urdhëro! -i thashë duke hequr gishtat nga tastiera e "Parrotit" të vjetër dhe e kundrova vajzën e panjohur me kureshtje.
Ajo nënqeshi lehtë dhe u skuq nga druajtja. Kishte një pamje aq të hijshme dhe një freski vajzërore, sa të merrte mendtë. Topolake me këmbët dhe llërët e bardha, gati transparente.
-Fol! -i thashë, -Mos ki turp!
U përtyp një çast. Dhe pasi dëgjoi kukurisjet e dy shoqeve që e prisnin në korridor, mori guxim:
-Më quajnë Neta... Mamaja më ka thënë, se kur kam qenë e vogël më ke mbajtur në duar... Dua të provoj zërin për në konkursin e festivalit në radiotelevizion...
E vështrova i pataksur e me sy të zgurdulluar. Ishte një habi tepër e këndshme për mua. Kishin kaluar shumë vite dhe as më kishte shkuar ndërmend, se ajo vogëlushja e dikurshme me emrin Neta, ishte bërë tani një bukuroshe gjimnaziste. Ajo ç’ka po shihja, ishte dëshmia më e qartë e ikjes përpjetë të moshës sime në këtë qytet, i cili, ndryshe nga njerëzit, mezi rritej.
-Patjetër, meqë të kam mbajtur në duar dikur, tani ke për të patur nga unë të gjitha privilegjet. Dhe vetëm talentin duhet ta keshë tëndin. -ia ktheva buzagaz.
Ajo qeshi me zë dhe unë i thashë:
-Thirri edhe shoqet, të të dëgjojnë!
Neta zgjati kokën te dera dhe ua bëri me dorë. Ato hynë brënda, përshëndetën dhe mbetën të heshtura. Ishin moshatare me të, por jo me pamjen e saj të papërsëritshme.
Bëra disa variacione mbi tastjerë për të çmpirë gishtat dhe e pyeta:
-Më thuaj ndonjërën nga këngët që di më mirë!
Ajo përmendi nja dy-tri këngë të njohura të muzikës së lehtë dhe unë zgjodha njërën. Kapa disa akorde për të parë deri ku arrinte tonaliteti i saj dhe u intonuam shpejt. Neta filloi të këndonte me emocione të dukshme. I thashë të mbushej me frymë, të qetësohej dhe filluam sërish. Në pak masa muzikore kuptova, se ajo kishte një zë të ngrohtë me ngjyrime interesante. Ndonëse nuk ngjitej në tonalitete tepër të larta, këndonte pastër dhe e lakonte zërin bukur në të mesmet dhe të ulëtat. Lartësitë mund të arriheshin me punë. Kuptohej qartë, kishte nevojë për prova të përsëritura, që të fitonte teknikën e të kënduarit. Dhe gjëja për të cilën nuk kishte fare nevojë, ishte dëshira e madhe për t'u bërë këngëtare.
Provuam edhe dy këngë të tjera dhe ramë dakord, që pasi t'u merrte leje prindërve, të vinte çdo pasdite për të ushtruar zërin. Pas shpresave optimiste që i dhashë, ajo iku si dallëndyshe krahëlehtë bashkë me shoqet e gëzuara.
Mendova se Neta nuk ishte ndonjë talent i spikatur, që të tërhiqte vëmendjen e publikut. Por mund të renditej në nivelin e përgjithshëm të masës së këngëtarëve të njohur, po të punonte shumë e me atë ngulm që shpalosi sot për të fituar konkursin. Nga ana tjetër, kërkesën për figurën fizike si këngëtare, e përmbushte plotësisht. Punuam pothuaj çdo pasdite për një muaj të tërë. Neta përparonte nga dita në ditë. Mësëfundi u binda, se tashmë ajo ishte e gatshme të çohej në redaksinë e muzikës në Radio Tirana. Tani edhe dita e përzgjedhjes së këngëtarëve për në konkursin përfundimtar ishte fare afër. Prindërit e saj, mamaja shtëpiake dhe babai punëtor në ndërtim, m'u lutën me besimin e plotë te një prind dyzetvjeçar siç isha unë, ta shoqëroja vajzën e tyre në përpjekjen e parë për të çarë në jetë. Ndërkohë kisha biseduar në telefon me redaksinë e muzikës dhe kisha regjistruar emrin e saj. Morëm leje në drejtorinë e shkollës së mesme dhe në datën nëntë tetor, të dy me Netën, u nisëm për në Tiranë. Zumë dy dhoma teke të veçanta te hoteli "Internacional" për t'u paraqitur të nesërmen në mëngjes në orën tetë para komisionit përzgjedhës.
Darkuam në restorantin poshtë hotelit dhe aty nga ora nëntë e mbrëmjes morëm çelësat te sporteli. Dhomat teke ishin të vogla, me mobilim të thjeshtë e të vjetëruar. E porosita vajzën të mbyllte derën me kujdes dhe çelësin ta linte brënda bravës, për të qënë më e sigurt. E ndjeja veten disi të lodhur nga udhëtimi prej katër orësh me tren dhe rashë të fle shpejt. Por krejt papritmas, rreth orës një pas mesnate, dëgjova një trokitje të lehtë te dera. Prita sa të kthjellohesha mirë, dhe pas trokitjes së dytë u çova e hapa. Ishte Neta, me këmishën e hollë të natës. Hyri menjëherë brënda derës sime dhe më një zë të frikësuar tha rrëmbyeshëm:
-Sportelisti futi një çelës në derë dhe u mundua ta hapte...Unë u ngrita dhe mbajta me dorë çelësin nga brënda që të mos binte përtokë...U tremba shumë...
U habita pa masë nga kjo ngjarje e beftë dhe vura re, se ajo ndjehej vërtetë e friksuar.
-Nga e more vesh se ishte sportelisti? -i thashë aty për aty.
-Kur nuk e hapi dot, dëgjova hapat e tij nëpër korridor dhe e pashë nga ballkoni që shkoi te dhoma e sportelit...
U mendova një grimë të gjej një zgjidhje, si duhej të veproja në këtë ngjarje të papritur. E lashë Netën në dhomën time dhe me hapa të lehtë shkova deri afër sportelit për të konstatuar diçka. Sportelisti i mbrëmjes ishte ndërruar dhe ky i natës po dremiste i mbështetur mbi divanin e sportelit. U tërhoqa mbrapsht me kujdes dhe shkova sërish në dhomë. Neta ishte ulur në cepin e shtratit tim dhe kishte mbuluar supet e rrumbullt me duar.
-Duhet të shkosh të fleshë! -i thashë. -Unë do të qëndroj zgjuar për të dëgjuar çdo lëvizje në korridor…
-Jo, jo, kam frikë ! -tha ajo pa pritur të mbaroj frazën time.
-Të siguroj që s'ka për të ndodhur asgjë, asgjë, - përsërita me besimin e plotë, se do të sakrifikoja gjumin e mëtejshëm, që ajo të flinte e qetë.
-Të lutem, profesor Beni, më ler të qëndroj këtu, pranë teje...
Hej, ç'më gjeti belaja me këtë zogëz frikacake, mendova.
-Mirë, atëherë, ti bjer fli në shtratin tim dhe unë po shkoj në dhomën tënde...
-Jo, jo, në asnjë mënyrë, -klithi ajo me një pëshpërimë në formë spazme. -Po më le vetëm, unë sonte do vdes nga frika...
E kundrova me vërejtje. Me supet zhveshur dhe kofshët e bardha krejt zbuluar nga këmisha e shkurtër që mbahej me dy fije të holla, ajo dukej si një frut i ëmbël shijeshumë i varur në degë, para së cilës do t'i lëshonte goja lëng edhe vet Krishtit. Por unë ato çaste, duke ndjerë përgjegjësinë që kisha marrë përsipër, nuk mendoja fare për ndjesi të kësaj natyre.
-Nuk bën të qëndrosh këtu, -i thashë me ton të qetë.
-Pse, kërkon me çdo mënyrë të më heqësh qafe? - tha ajo papritmas, me një nga ato nënqeshjet e lehta provokuese, që dinë t'i sajojnë vetëm femrat. -Ne kemi ndenjur pranë aq kohë në prova, dhe s'të ka gjetur gjë...Pse të mos rrimë edhe sonte...
Nënqesha lehtë me arsyetimin e saj naiv.
-Këtu ndryshon puna, -i pëshpërita me zë të lehtë, që biseda e nisur të mos depërtonte jashtë derës. -Dhoma e gjumit nuk është dhoma e pianos. Veç kësaj, unë jam burrë i martuar me dy fëmijë dhe ti një vajzë e re. Asnjërit nuk i intereson të bëhet objekt i fjalëve të kota që mund të lindin pas kësaj nate.
Ajo heshti një grimë.
-Po asnjëri nga ne nuk merret me ato fjalë që thua, se nuk jemi kalamaj. Aq më tepër, kur unë dua vet të qëndroj sonte me ty...
-Pse do të qëndrosh sonte me mua? - e pyeta enkas për të saktësuar qëllimin e vërtetë të saj.
-Ti, më ke mbajtur në duar, qëkur isha gjashtëmuajshe, pse s'do të më mbash edhe tani që jam rritur e mendoj gjithmonë për ty. Kaq e rëndë jam bërë tani për duart e tua?
Shqeva sytë mbi të, krejt i habitur me guximin e kësaj vajze të re, për të shprehur më çiltërsi të tillë fjalë të kësaj natyre.
-Pikërisht, se të kam mbajtur në duar gjashtëmuajshe, nuk mund të të mbaj tani, që je bërë gjashtëmbëdhjetë vjeç. Sepse rëndesën tënde do të më duhet më pas ta mbaj edhe në ndërgjegje. -i thashë gjithnjë qetësisht.
-Të dua shumë, profesor Beni, vetëm zoti e di sa të dua unë ty... -foli tashmë fare shkoqur, duke iu dridhur zëri nga emocionet.
Kisha mbetur krejt i befasuar me vendosmërinë e saj për të shpalosur ndjenjat kaq hapur. Gjatë kohës që bënim prova, ajo paskishte rënë në dashuri dhe unë, duke qenë i pavëmendshëm, isha treguar krejt mospërfillës. E përmblodha veten në çast.
-E shikon si më quan? Unë jam profesor për ty, jo dashnor... -i thashë me durim.
Psherëtiu lehtë dhe më shigjetoi drejt në sy.
-Për mua je profesor dhe i dashur, si nuk mund të jetë askush tjetër...
Veçimi prej të tjerëve, më dha shkas të interesohem atë çast për intimitetet e saj:
-Ke shkuar me ndonjë djalë?
-Jo. -tha prerë. -Jam siç më ka bërë mamaja... Si atëherë kur më more në duar...
-E pse tani më thërret mua, dyfishin tënd, ta bëj atë gjynah?
Kapërdiu pështymën dhe pastroi fytin lehtë.
-Sepse po të mos jesh ti, i miri për mua, do të jetë një çunak llafazan i keq, që do t'u lavdërohet shokëve: "Shtiva Netën në dorë!" siç ka ndodhur me shoqet e mia. Unë edhe nuk dua të mbetem pas shoqeve për ato që më kërkon mosha, po edhe dua që dashurinë time të parë të ta dhuroj vetëm ty, që e meriton plotësisht shpirtin tim…
Më mahniti, më la pa mend logjika e saj lakuriqe.
-Tani të tërheq tek unë bukuria e artit muzikor me të cilin merrem, po më vonë do të më mallkosh...
-Kurrë ! Mua më tërheq shpirti dhe zemra jote...
Mendova vetëtimthi se nëna dhe babai i saj, gruaja dhe fëmijtë e mi flinin të qetë këtë mesnatë dialogu pëshpëritës në dhomën e këtij hoteli të largët. Flinin me besimin e palëkudur tek unë, dyzetvjeçari. Ndërkohë, kjo nimfë e bukur, më pak se gjysma e moshës sime, kjo adoleshente marramendëse, që të tundonte aq sa të mpinte trurin me feminitetin e zhveshur dhe logjikën e saj rinore, ngulmonte të kërkonte nga unë pabesinë… Mirëpo tashmë u kuptua qartë, se puna e sportelistit kishte qenë vetëm sajesa e saj. Dhe kjo më zemëroi shumë. U çova nga karrigia ku kisha qëndruar dhe i thashë me ton të prerë:
-Vajzë e mirë, largoi nga koka ato mendime absurde dhe bjer e fli këtu, se unë po dal të marr pak ajër te dritarja e korridorit derisa të gdhihet. Në të kundërt, nesër në mëngjes e lëmë radion dhe nisemi drejt Gramshit...
Ajo më hodhi atë çast një vështrim keqardhës të atillë, që tregonte fare qartë, se ishte vrarë mjaft rëndë shpirtërisht. Pastaj uli kryet dhe filloi të përlotej.
Unë dola jashtë dhe prita lindjen e diellit.
Të nesërmen krejt serioz me njëri-tjetrin shkuam në radio. Ajo këndoi dy këngë para komisionit përzgjedhës dhe fitoi të drejtën për të hyrë në konkurs. Gjatë kthimit me tren qëndruam në stolat përballë dhe unë i vërtita bisedat rreth konkursit përfundimtar që do të bëhej më njëzet tetor. Por në të vërtetë, bluaja në tru ndëshkimin për sjelljen e mbrëmshme të saj. Gjë që më bëri të mendoj se nuk mund të vazhdoja më tej të merresha me shoqërimin e kësaj vajze hoteleve dhe sallave të tjera. Isha mësues për të dhe krahas punës që kisha bërë, duhej edhe të përdorja metodat e mia strikte, për ta bërë të mendonte, se kësaj here ajo do të humbiste për fajin e saj.
I palëkundur në vendimin tim, pas pak ditësh e lajmërova Netën, se gjoja komisioni përzgjedhës e kishte shkurtuar listën e konkursit përfundimtar, për shkak të fituesve të shumtë. Pas kësaj, dikush nga shoqet e veta më tha, se ëndrra e saj e përmbysur papritmas, e kishte bërë të qante disa ditë me radhë. Nuk më erdhi keq aspak, sepse një reagim të tillë e kisha paramenduar, qëkur vendosa të mos e çoj në konkurimin përfundimtar…
Më pas ndodhën ndryshime të rëndësishme në jetën e vendit. Unë shkova të punoj në qytetin tim të lindjes dhe Neta mbaroi të mesmen. Më tej mora vesh, se një djalë mashtrues i kishte premtuar martese dhe e kishte shpënë të shfrytëzohej poshtërsisht te semaforët e Italisë. Ky lajm krejt i papritur për mua, më tronditi e më hidhëroi aq shumë, sa u pendova thellësisht për dënimin tepër të rëndë që i kisha dhënë asaj vajze këngëtare me ndjesi të spikatura. Mund të kishte çarë në jetë nëpërmjet rrugës së këngës, për të shpëtuar nga ajo gremisje mynxyrore që kishte pësuar. Dhe që nga ai çast, ndjeva me dhimbje, se pesha e gjashtëmbëdhjetë viteve të atëhershëm të saj, nga e cila u mundova të shpëtoj, do të vazhdonte të rëndonte mbi ndërgjegjen time për gjithë jetën...”
Birra " Norga" më ngeci në fyt. Vura re se edhe sytë e Benit ishin lëngëzuar. Ndoshta nga tronditja që më shkaktoi rrëfimi i tij, befas atë çast m’u krijua një përfytyrim i çuditshëm. Shkumbëzimet e bardha të dallgëve të fuqishme, që era e fortë i sillte nga përtej detit dhe i pëplaste pas shkëmbinjve, m’u dukën si fustane nusërie të shkyer nga Otrantoja. E cila, pasi merrte vajzat tona fatkeqe, kthente mbrapsht veshjet e dasmave të tyre të mohuara.
KUR DEL DANA NË BALLKON
Tregim
Kur del Dana në ballkon, çelin lulet nëpër saksi dhe Astrit Biraku, te pallati përballë, sheh botën të tërë. Ballkoni i Danës, me sytë shumëngjyrësh të luleve, vështron nga lindja dhe ka përkarshi malin e Dajtit. Por sytë me bisht të Danës shohin vetëm gjysmën e sipërme të malit, për shkak të lartësisë së pallatit pesëkatësh, ku banon vejani Astrit Biraku. Ai ka ballkonin me vështrim nga perëndimi dhe nuk sheh as gjysmën e malit, as diellin e mëngjesit që ka fatin ta shijojë qysh në rrezet e para Dana përkarshi. Por ky pozicion nuk e pengon atë të ndjehet fatmadh, sepse Dana ka në gjoksin e saj dy male më të bukur se Dajti. Dhe kur sodit herë pas here malet bardhosh që ajo i lë shpesh gjysmë zbuluar, ai nuk e ndjen fare nevojën e pamjes së Dajtit, që s’ka mundësi ta shohë nga ballkoni i tij.
Dana jep mësim në një nga klasat paralele të shkollës fillore “Ramazan Jarani” që ndodhet në mes të lagjes. Ajo është martuar qëkur mbaroi arsimin e lartë për cikël të ulët, me një kryeinfermier të qendrës spitalore universitare të kryeqytetit, njëzet vjeç më të madh në moshë. Dhe kjo lidhje martesore e papërshtatshme për të, pati dy arsye që e përligjën në opinion. Dana ishte vajza e tretë nga gjashtë motrat e saj, prej të cilave as dy më të mëdhave nuk u kishte dalë ende fati. Veç kësaj, ajo e kishte dredhur fijen e mëndafshit me një djalë harapçi Tirane, siç i thoshte vetes, që e kishte mbajtur dy vjet të fejuar e të ekspozuar gjithandej dhe më pas ishte martuar pabesisht. Megjithatë, kryeinfermieri, të cilin e thërrisnin doktor Kaçi, ishte burrë serioz, i mirë nga shpirti dhe e mbushte çantën me llapushkat e mijësheve, duke bërë gjilpërat e kurave në pothuaj krejt banesat e lagjes së madhe të Alliasit.
Tani që Kaçi i saj ka dalë në pension, duke e mbyllur jetën pa fëmijë, Dana po lulëzon në pranverën e pjekurisë dyzetvjeçare, me një pamje që i tërbon meshkujt gjuetarë pas femrave bukuroshe me burra të vjetruar. Pas daljes në qarkullim të filmave serial brazilianë, në pothuaj të gjithë kanalet televizive dhe pas qarkullimit të thënies proverbiale grarishte, se “Burrë kanë të gjitha gratë, kush është e zonja të ketë dashnor!” Ajo filloi të tërhiqte vështrimin e të ndjente të ngjitur te gjoksi i bëshëm, sytë prej mastiçi të vejanit Astriti Biraku përkarshi.
Astriti dyzetegjashtë vjeçar është ushtarak karriere në drejtorinë e forcave të kufirit dhe gruaja i ka vdekur para tre vjetësh nga kanceri i gjirit. Dy fëmijët e vegjël i ka marrë e ëma e tij për t’i rritur në Elbasan, ku shkon çdo fund jave. Me trupin e ngjeshur prej këmbësori të stërvitur nëpër gjatësinë e piramidave të brezit kufitar verior, ai del shpesh vetëm me kanatjer në ballkonin me pëllumba, ku femrat e pallatit përball e presin me zili daljen e tij. Sidomos Dana, kur sheh gjoksin e tij muskulor, bën në tapetin e trurit e saj sfilatën e krahasimit me trupin skeletik të Kaçit dhe i shpëton një psherëtimë e pavetëdijshme. Astriti ka në kafazet e drunjtë të ballkonit tre çifte pëllumbash, që janë bërë pasioni i tij kryesor, me të cilin shtyn vetminë dhe kohën e lirë.
Ishte ora dhjetë e paradites së diel, kur njëri nga pëllumbat e Astritit, një grixho mashkull me pupla te këmbët dhe me krifë të ngritur përpjetë te prapshtina kokës, kishte shkuar te ballkoni i Danës, ku ajo i kishte thërrmuar një biskotë. Më pas qëndroi aty rreth dy orë i ngujuar me këmbët e verdha mbërthyer te mbajtësja metalike e tendës prej mushamaje. Me gjithë ndjelljet e përsëritura të të zotit për ta ushqyer bashkë me të tjerët, ai nuk po shkulej andej. Astriti u bë merak se mos pëllumbi qe i sëmurë dhe ashtu me kanatjer siç ishte, për shkak të vapës që kishte filluar bashkë me mëngjesin, shkoi trokiti te dera e Danës për ta marrë.
Dana çeli portën e blinduar dhe bashkë me vështrimin e habitur për vizitën e tij të beftë, sytë saj me bisht fluturues si të dallëndysheve, gati sa nuk e përpinë bustin e tij muskulor të paraqitur aq afër.
- Urdhëroni ! - e ftoi kënaqësisht, duke menduar se ai më së fundi kishte marrë guxim të hynte në shtëpinë e saj, pasi siç dukej kishte vënë re Kaçin e nisur qysh në mëngjes për të peshkuar në Erzen si çdo të diel. Ajo menjëherë bëri mënjanë me derën të hapur tërësisht, të hynte brenda miku i shumëpritur.
Astriti i shkëputi sytë nga gjoksi saj pothuaj krejt i zbuluar me këmishë verore të tejdukshme dhe i tha me një lëngështim te çuditshëm në gojë, që i bëri fjalët e tij të kullojnë ëmbëlsi bashkë me zërin:
-Më falni, zonja profesoreshë, që po ju shqetësoj, po një pëllumb timin e ka zënë meraku me ballkonin tuaj dhe nuk shkulet andej për qamet, megjithëse u lodha tërë mëngjesin duke e thirrur...
Dana e ftoi të hynte brenda dhe pasi mbylli derën pas krahëve te tij, e thumboi guximshëm, pa e marrë seriozisht punën e pëllumbit:
-E kam kuptuar prej kohësh që të zotin i pëllumbave e ka zënë meraku me ballkonin tim, po uluni një herë të pini një kafe! - i tha ajo dhe i tregoi mikut njërin nga kolltukët.
Ai nënqeshi pakëz dhe duke u rehatuar në kolltukun prej meshini ia ktheu në çast:
-Si mund të ndodhë ndryshe, kur stilisti i qiellit punoi nëntë muaj, vetëm për të përsosur modelin e zonjës së këtij ballkoni dhe të tjerat rreth e rrotull ia la fatit?...
Dana e krehur në sedër qeshi ëmbëlsisht dhe shkoi në aneks, mori një komplet rakie, i mbushi një gotë dhe ia vuri përpara në tryezën e mesit prej qelqi.
Astriti krejt i mahnitur nga gatishmëria e saj e beftë dhe i trazuar keqas në ndjesitë e veta nga rrumbullakësia fantastike e kofshëve të saj të mbushura e të zbuluara nën këmishë deri sipër gjunjëve, ndjeu në tërë trupin ca dridhma të pazakonshme. Çaste të rrezikshme këto, kur gratë harrojnë se kanë në trupit e tyre femëror polin pozitiv të magnetit dhe rrezatimi i zbuluar i tij shkakton tërbimin e papërmbajtshëm të meshkujve.
- Ku është Kaçi?- pyeti ai duke shtrënguar nofullën që gati po i zbërthehej nga vendi.
Dana ndali hapat drejt aneksit, ku do bënte kafen dhe u kthye përgjysmë.
- Eh, Kaçit i janë fiksuar ato dreq cironka që zë andej nga Erzeni me shokë të dielave dhe ka ikur që në gjashtë të mëngjesit... - fjalën “cironka” ajo e lëshoi me një përçmim të atillë, që tingëlloi njësoj sikur të ishte fjala për “cironkën” e burrit të saj shtatpakët.
-Lëre kafen, faleminderit, kam pirë! - tha ai dhe pasi e ktheu gotën e rakisë me eks, u çua në këmbë për t’u dhënë fund dridhmave të padurueshme. Mbërtheu me të dy krahët e fuqishëm trupin e tultë të kësaj gruaje fantastike dhe e puthi me një afsh të zjarrtë të paprovuar ndonjëherë në jetën e tij.
Një copë herë shtrënguar, ai ndjeu në krahët e veta, se tani dridhmat kishin shkuar me të njëjtin intensitet te trupi i bardhë i Danës, e cila nuk lëshoi asnjë fjalë më tej. Krejt i paduruar e mori në duar dhe shtriu në divanin e kolltukëve, duke ndjerë sikur kishte përpara trupit të tij të uritur prej kohësh, një llokum të madh, nga ata të rekordeve “Gines”, që bëjnë pastiçierët e punishteve të dëgjuara, për të joshur vizitorët e ëmbëlsirave.
Por Astriti i shndërruar në përmasat e një ariu të pangopur, nga ata të pyjeve që kalojnë kufirin e futen te fqinjët, jo vetëm e hante të tërë atë llokum vigan të bërë me mjaltë lulesh, po dukej sikur nuk po i mjaftonte. Sepse u bë dy orë e ca që pëllumbin e kishte shuar nga mendja dhe truri po i avullohej për të tretën herë mbi atë krijese femërore të fundosur në sfungjerin e divanit, e cila po aq e uritur dhe drithmëtare, po ofshante në jermin e rënkimeve të kënaqësisë.
Në çastet kur ishin duke çlodhur frymëmarrjen e çoroditur dhe ajo krejt e përhumbur po thoshte me vete, uh, ç’mashkull qenka ky, moj nëna ime, ra befas zilja e derës me tringëllimat treshe të Kaçit, i cili çuditërisht ishte kthyer me shpejt se herët e tjera.
Dana brofi nga divani si një sustë e tendosur në maksimumin e tërheqjes.
- Shko shpejt në ballkon merr pëllumbin!- i pëshpëriti ajo të dashurit, me një pamje sikur e nxori atë fjali të frikshme nga fundi trupit të saj, pikërisht aty ku ishte rraskapitur më tepër.
Dana hapi derën, duke u mundur të përmbajë tensionin nervor të çastit dhe sytë i shkuan padashur te vargu i peshqve të radhitur në një purtekë shelgu që mbante Kaçi në dorë me krenim.
-Sot kam kapur peshq më të mëdhenj dhe i kam zënë më shpejt se herët e tjera!- tha ai me një zë, që asaj iu duk sikur vinte nga një planet i largët, që mund të quhej “Kotësia”
- Në shtëpi ka njerëz!- mundi të sajoj fillin e bisedës Dana. - Ka ardhur komshiu përballë të marrë pëllumbin e tij. Mbylla derën dhe shkova në ballkon i hapa vend te vazot e luleve për të vënë karrigen, që të ngjitej ta zinte sipër tendës, ku kishte dy orë që nuk shkulej e mund të na e bënte me glasa...
Sakaq Astriti hyri nga ballkoni në dhomë më pëllumbin në dorë, që për fat nuk ishte larguar nga vendi, si i vetmi fakt real që mund të shuante dyshimin e ekzistencën së tij në shtëpinë e kësaj gruaje. Ai i zgjati dorën të zotit të shtëpisë, pa rënë në sy për gjendjen e brendshme prej lojtari të zënë mat.
- Ju lutem të më falni, zoti Kastriot, për shqetësimin dhe falënderoj profesoreshën që më ndihmoi ta zinim, pa u rrezikuar të rrëzohesha nga ballkoni, në atë lartësi ku kishte qëndruar ky shpend i pabindur për tu kthyer në shtëpi, me gjithë ndjelljet që i bëra nga ballkoni im !- mundi të lëshojë fjalët me breshëri Astriti dhe lëvizi drejt derës për të mos krijuar ndonjë dyshim me zgjatjen e qëndrimit aty.
- Qëndroni të paktën për një gotë raki!- e ftoi Kaçi aq shpirtmirë. Ndonëse shpirti i mirë i burrit dhe qenia e tij mashkull i mirë, janë për gruan e re dy gjëra krejt të ndryshme.
- Tu rrittë nderi, ja ku e piva rakinë që më qerasi zonja juaj e nderuar! - tha Astriti ngulmues, duke treguar gotën bosh mbi tryezë dhe pasi i zgjati dorën sërish, doli nga dera si i çliruar nga vargonjtë e tmerrit.
Kaçi u përtyp paksa i hutuar dhe iu kthye së shoqes:
-Shiko, vogëlushja ime, sa të mëdhenj! Sot do hash edhe ti që s’i ke qejf cironkat, se këta janë peshq tamam! - dhe i zgjati asaj vargun për të shkuar të zhvishej.
- Do ha! - tha ajo nga sikleti, por sytë e saj dukeshin sikur thonin, eh, ta dish ti more peshkatar lumi, ç’alamet peshk deti kam ngrënë unë sot...
Astriti shkoi te ballkoni i tij, puthi disa herë pëllumbin te krifa grixho dhe i mërmëriti butësisht: Sot ne të dy kaluam kufirin dhe hymë në thellësi të truallit fqinj, por shyqyr zotit që na doli për mbarë të priteshim bujarisht, ti si pëllumb i paqes, unë si Shënvalentin i dashurisë...
ÇIFTI I HESHTUR
Tregim
Ata që quheshin nga të gjithë çifti simpatik, ishin dy kamerierë të bar-restorantit kryesor të qytetit provincial. Bimi dhe Elda kishin zënë vend në një nga bangat e fundit të klasës, ku kryenin vitin e fundit gjimnaz të shkollës së natës. Ndryshe nga disa mistrecë të rritur, që i shtynin orët me muhabete e karagjozllëqe, kamerierët e fejuar qëndronin krejt të heshtur në skajin e tyre fundor. Buzëqeshnin ëmbël, kur u drejtoja vështrimin dhe putheshin ndonjëherë kur i kisha sytë larg tyre.
Mua më kishin caktuar me detyrim të jepja mësim letërsie në klasën e tyre, sepse disa të tjerë kishin nxjerrë lloj-lloj arsyesh për të mos punuar me ta. Por arsyeja vërtetë ishte se, mësuesit nuk çanin dot me kokat e gdhenjve, të ulur nëpër banga, sa për të marrë një dokument shkolle. Dhe kuptohet, puna e detyruar me këta tipa që nuk hanin pyka, kërkonte mundim dhe nerva të forta. Por sidomos durim të përkryer, për ta përsëritur njëmijë herë fjalën që nuk hynte kurrsesi në trurin e tyre të pagdhendur qysh në fëmijëri. Bimi dhe Elda ishin shtyrë nga viti në vit më pesën mëshirëmadhe, vetëm sepse ishin të urtë.
Thuhej mes mësuesve, se një kope me lepuj mund ta bëje zap shumë më lehtë, se një klasë me ronxhobonxho të tillë, që shpërthenin papritmas në të qeshura për budallallëqe krejt të kota dhe të shkatërronin orën e mësimit.”Shkepsiri” tha njëri që nuk e kish mësuar mirë emrin e Shekspirit të madh të letërsisë angleze dhe hajde t’i mbaje bubullimat e gazit të tyre që nuk ndaleshin, derisa ra zilja, pa arritur të shpjegoj mësimin e ri. Le të ishin të rritur në moshë, ata sapo uleshin në banga, bëheshin njësoj si kalamajtë. Kur e shihje vajzën në këmbë, të dukej aq e hijshme dhe elegante, sa të merrte në qafë. Por sapo ulej në bangë, e ulte edhe veten deri në atë shkallë, sa zbulohej tërësisht se ishte nga mendja një kokërr budallaqje, që mjerë kujt i binte në pjesë. Ngaqë më vinte keq për gjendjen e tyre, një mbrëmje u detyrova t’i them njërës që s’i mbyllej goja:
- Dëgjo, moj vajzë! Kur dikush që kërkon të lidhë jetën me ty të sheh të heshtur, mund të thotë, kjo kasafortë kaq e bukur, kushedi sa miliona ka brenda. Po kur t’i harron e lë krejt pa çelës dhe zbulon të gjithë boshllëkun tënd, ai ikën nga sytë këmbët.
Mirëpo atyre nuk u bënin fare përshtypje këshillat e mia dhe përsëri qeshnin.
Bimi me Eldën kishin të keqen tjetër, në trurin e tyre rrëshqitës si xham i pjerrët, nuk zinte vend asnjë pikë uji, nga tërë ato kova me lëndë mësimore që zbrazja mbi ta. Bimit, të mbushur me katra, që e thërrisja të ngrihej në mësim e më thoshte pa lëvizur nga banga: “Vëre katrën, profesor!” arrita deri aty, sa t’i thosha: “Mëso pesë vargje, ose pesë rreshta, të marrësh një pesë!” Pra, një lëshim ky, në kontrast të madh me nxënësit e ditës, nga të cilët kërkoja analiza ideoartistike të thella. Elda, disi më ndryshe, mundohej të nxirrte pak fjalë çalamane të mangëta, sa për një pesë gjysmake.
Erdhi dhe fundi i vitit, kur duhej të mbyllja regjistrin e klasës së tyre. Kisha vendosur që Eldën ta shty nga halli, për të mos lënë shumë mbetës në atë klasë, kurse Bimin ta lë përsëritës për vitin tjetër. Ai e dinte mirë gjendjen e tij me shtatë katra në regjistër dhe erdhi më tha teksa po dilja nga klasa:
- Ke vendosur të më lësh, profesor?
- Po të të kaloj ty, që i ke duartrokitur katrat publikisht e me zë të lartë, duhet të mos lë asnjë tjetër që ma ka sjellë shpirtin në majë të hundës.
- Po unë s’të kam bërë fare zhurmë, profesor?
- Për qetësinë tuaj të lavdërueshme si çift, do kaloj Eldën. Ti mëso për vitin tjetër pesë vargjet, apo pesë rreshtat që të kam thënë disa herë.
- Ju nuk jeni aq zemërngushtë sa thoni, profesor!
- Nuk është punë zemre, po punë fjale, që e ke thënë me gjëmim “Vëre katrën!” dhe tani ajo s’më lejon të lë asnjë tjetër në klasë, po të kalova ty.
- E ke gabim që më lë, - tha qetësisht, - Një copë pesë për mua, nuk do bëjë hatanë.
E vështrova mendueshëm me keqardhje.
- Po mirë, more Bim, ta zëmë se të fal një pesë dhe ti e mbaron këtë hall, po si do çash në jetë pa dituritë më elementare që të nevojiten?
- Kismet, si të jetë thënë... Unë nuk do bëhem profesor si ju, pjata dhe lugë do çoj te klientët nëpër tavolina...
- Do vijë dita që kamerieri duhet të jetë jo vetëm i arsimuar, po duhet të dijë edhe gjuhë të huaj, - ngulmova ta bind.
- Eh, o profesor, edhe për një copë gur, siç jam unë, do ketë vend diku në ndonjë mur të shtrembër, sa të mos rrokullisem të më marrë lumi!...
Këto fjalë të dhimbsura të një mendje fukarai më bënë të mendohem. Ai iku i mërzitur dhe më dërgoi të ëmën që kishte muhabet me time shoqe.
- Po, Bimin tim që e kam rritur me kothere, do lësh në klasë ti, o goxha profesor, që po të mbaj në gojë tek të tërë, si floririn e të gjithë mësuesve!?
- O, ho, ho, leri këto lëvdata të kota, se do ta shoh edhe njëherë atë punë! - i thashë për ta hequr qafe dhe duke mos pasur mundësi të lë asnjë tjetër, i kalova të gjithë, duke i hedhur në kontingjentin jetësor, si dengje pa markë.
Pas dy vjetësh kishte ndryshuar sistemi shoqëror dhe me privatizimin e bërë në sektorin e tregtisë, Bimi me Eldën kishin marrë nga ndarja me punonjësit e tjerë, lokalin e brendshëm të bar-restorantit. Ata u bënë pronarë të ligjshëm dhe ndërtuan një banak modern në fund të sallës së madhe, ku bari i tyre filloi të tërhiqte klientë nga i gjithë qyteti.
Bimi si kamerier dhe Elda e bukur si banakiere, i shtuan mjaft të ardhurat, blenë frigoriferë të fuqishëm, pajisje e komoditete pune, furgon furnizimi dhe një veturë për argëtimet e tyre familjare. Duke dalë kësisoj në krye të konkurrencës mes lokaleve tregtare.
Teksa isha duke zbritur nga shkolla me çantën time të punës në dorë, Bimi para derës kryesore më pikasi. Futi një çast kryet brenda, diçka i tha së shoqes te banaku dhe më thirri entuziast:
- Të lutem, ktheu një minutë, o profesor!
Nuk ia prisha qejfin, më tepër se u bëra kureshtar përse më donte tani që s’kishte aspak nevojë për mua. Hyra brenda dhe kur vura re përzemërsinë, me të cilën më ftonte, duke më marrë për krahu të ulesha te njeri nga kolltukët e rehatshëm, qëndrova së fundi përballë tij. Ai i bëri shenjë gruas dhe ajo solli menjëherë një tabaka të madhe me birra dhe meze të bollshme.
- Ti je rob zoti, o profesor! Ne të dy me Eldën nuk e harrojmë kurrë të mirën tënde. Tani mos na e prish qejfin të pimë ndonjë birrë për shëndetin tënd dhe te na urosh, se na ka shkue puna fjollë me këtë lokal!
Mbeta pa fjalë. Ngrita gotën që ma kishin bërë gati dhe u thashë:
- Hajt, u priftë e mbara dhe me fitime të tjera më të mëdha në të ardhmen! Më bëhet qejfi, që e paskeni rregulluar jetën tuaj për bukuri, me punë!
- Faleminderit shumë, - tha ai me një shprehje plot respekt në fytyrë. - Po edhe një fjalë du me ta thanë, o profesor, se më ka ngelë merak kur më ke thanë: Si do çash në jetë ti Bim, që nuk mësove asgjë në shkollë, e unë të thashë, kismet, o profesor. A e shef tani, ti me alamet diplome profesori, s’ke para të hysh në lokalin tim të pish një birrë me gruan. E mua s’më mungon tani asgjë prej gjëje!...
E kundrova qetësisht te ata sytë që i shkëlqenin nga euforia dhe i thashë:
- Kjo është koha jote, o Bim, koha ime ende nuk ka ardhur !...
Nuk di nëse më kuptoi saktë ku e kisha fjalën, por di se ai e përdori dhe e shfrytëzoi në maksimum kohë që kishte në dispozicion.
Kaluan disa vjet. Unë ika në kryeqytet, besnik i profesionit dhe pasionit tim. Dhe Bimi me atë copë pesën që i fala atëherë, nuk u bë profesor. Por se si u ngjit deri deputet në parlament, se si i rregulloi problemet e arsimimit, e di vetëm ai. Guri i tij nuk zuri vend në ndonjë mur të shtrembër, por në majën e kalasë shqiptare.
Ndodhi një ditë rastësisht, i pashë nga larg si çift, kur zbritën nga benci luksoz dhe hynë në një dyqan mode të Tiranës. Të veshur të dy me kostum të zi firmato. Bimi me kravatë të kuqe dhe këpucë lustrafine me majë. Elda me shall farfuritës dhe këpucë më taka të holla. Të dy me pamje të velur, sikur kishin zbritur nga një planet tjetër i rruzullimit.
Unë me një qeskë në dorë, ku kisha blerë ca karota dhe presh, ika ca më larg tyre, për të pritur kohën time. Ndoshta vjen...
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Tregime nga Vullnet Mato 3
» Përzgjedhur nga Lediana Kapaj publikojmë tregime nga poeti dhe prozatori Vullnet Mato
» Sulejman Mato - Zarfi me mizë (Tregime të zgjedhura)
» Vullnet Mato: K U K U V A J K A
» Vullnet Mato: N Ë S E ...
» Përzgjedhur nga Lediana Kapaj publikojmë tregime nga poeti dhe prozatori Vullnet Mato
» Sulejman Mato - Zarfi me mizë (Tregime të zgjedhura)
» Vullnet Mato: K U K U V A J K A
» Vullnet Mato: N Ë S E ...
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi