Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Kur propaganda shdnërrohet në kundërpropagandë

Shko poshtë

Kur propaganda shdnërrohet në kundërpropagandë  Empty Kur propaganda shdnërrohet në kundërpropagandë

Mesazh nga Agim Gashi Thu Nov 25, 2010 11:10 pm

Kur propaganda shdnërrohet në kundërpropagandë

Kur propaganda shdnërrohet në kundërpropagandë  Skender%20Buqpapaj
Nga Skënder BUÇPAPAJ

Nga kjo kuptojmë po ashtu se propaganda shndërrohet në domosdoshmëri edhe si kundërpropagandë, si mjet vetëmbrojtës përballë një imazhi të shpërfytyruar që krijon kundërshtari për ty. Kështu shpjegohet edhe përmasa propagandistike e veprimtarive dhe fushave të tjera. Sa i jepet rëndësi kësaj përmase shprehet edhe nga buxheti që shpenzohet për propagandën. Vendet komuniste i jepnin shumë rëndësi propagandës në eter. Një vend si Shqipëria, për shembull, ia kushtonte eterit një radio të posaçme në gjuhët e huaja, ku paralel, ditët e natë, në dhjetëra gjuhë e dialekte të botës, në shpërpjesëtim absolut me mundësitë ekonomike të Shqipërisë, propagandoheshin të ashtuquajturat arritje të komunizmit në Shqipëri dhe e ashtuquajtura drejtësi e vijës marksiste leniniste përballë dështimeve dhe humbjeve e padrejtësive të botës.
Përvoja e deritanishme e njerëzimit e ka bërë gati të pamundur t’i jepet përgjigje pyetjes që shtronte Bertrand Rusell: „Pse propaganda është shumë më tepër e suksesshme kur nxit urrejtjen se kur përpiqet të nxisë ndjenja miqësore?“ Ta mendosh se këtë pyetje e shtron një matematikan logjicist i tillë aq shquar dhe filozof aq i përkushtuar ndaj pacifizmit dhe çarmatimit bërthamor.
Shembulli më i kulluar i propagandës së ndërtuar mbi bazën e urrejtjes është propaganda serbe kundër shqiptarëve. Kështu, në librin „Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha“, autori Vladan Gjorgjeviç, kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Serbisë arrin deri aty sa t’ua përshkruajë shqiptarët fuqive të mëdha të kohës (thënie që e kam përmendur edhe herë të tjera) si njerëz me bisht të cilët kacavaren në bishtat e vet nëpër pemë aty ku i zë nata dhe flenë të mbrojtur kështu nga egërsirat e tjera të pyjeve.
Propaganda ndaj kundërshtarit apo armikut është shoqëruar njëherësh edhe me terrin informativ ndaj tij. Fqinjët e shqiptarëve e kanë përdorur këtë përparësi në bashkësinë ndërkombëtare për ta ruajtur ekskluzivitetin e propagandës ndaj shqiptarëve. Kjo iu ka shërbyer atyre për ta shfajësuar misionin qytetërues ndaj nesh nëpërmjet fshirjes sonë nga faqja e dheut.
Në këtë kontekst është edhe vendosja e censurës dhe imponimi i vetëcensurës. Në epokën e Internetit, kur këto dukuri janë më jashtë mode se kurrë, tingëllon, për shembull, absurde përpjekja e tillë e gjigantit kinez për të ushtruar censurën e për ta detyruar vetëcensurën në gazetarinë online.
Në të njëjtin rrafsh me terrin informativ ka vepruar edhe shuarja e kujtesës. Kjo është mishëruar në zhdukjen e ndërtimeve kulte, në zhdukjen e dokumenteve dhe të çdo gjurme tjetër që paraqet, dokumenton, provon të kaluarën e dikujt. Një përkryerje kulmore gjeti propaganda e urrejtjes, terri informativ, ekskluziviteti i propagandës tek rasti i fundshekullit të kaluar në Beogradin e Millosheviçit.
Kjo tregon mirëfilli edhe se propaganda nuk bëhet asnjëherë sa për retorikë. Nuk bëhet për të mos lënë gjurmë. Ajo iu paraprin dhe iu bën shoqëri praktikave përkatëse.
Nga ana e saj, propaganda ka shfrytëzuar deri në pikën e fundit arritjet e shkencave, si të atyre shoqërore edhe të atyre natyrore. Hilteri, për shembull, e ndërtoi dhe e përhapi doktrinën e tij duke u bazuar në arritjet e Darvinit, posaçërisht në kapitullin e “Seleksionit natyror”. Ndërsa Gjorgjeviçët, Çubrilloviçët e tjerë e mbështetën atë deri edhe në Akademinë e Shkencave, në institucionet fetare, në letërsinë, deri edhe në mbledhësit e bartësit e foklorit.
Prej lindjes së saj zyrtare, ndoshta kurrë më shumë se në shekujt e fundit propaganda nuk e ka komprometuar vetveten. Prej këndej do të ishte i pashmangshëm ai përshkrim që ia bën aktualisht Enciklopedia Britanike: “Manipulim i informimit për të ndikuar në opinionin publik. Propagandistët i fryjnë elementet e informimit që mbështetin pozicionin e tyre dhe i shfryjnë apo i përjashtojnë elementet ato që nuk e bëjnë këtë. Deklaratat keqorientuesee madje gënjeshtrat mund të përdoren që të krijojnë një ndikim të dëshiruar në audiencën publike. Lobimi, reklamat, veprimtaritë misionare janë të gjitha forma të propagandës, por termi më rëndom përdoret në arenën politike. Deri në Shekullin XX pikturat dhe mediat e shkruara ishin instrumentet kryesore të propagandës; radioja, televizioni dhe kinematografia iu janë bashkuar më vonë atyre. Regjimet autoritariste dhe totalitariste e përdorin propagandën për të fituar dhe ruajtur përkrahjen e popullsisë; në kohë lufte ngre moralin e civilëve dhe ushtarakëve, ndërsa propaganda që ka për synim armikun është një element i luftës psikologjike.”
Për t’i ikur këtij nami, përdoren tani në shoqëritë e hapura terma të tillë si informim i paanshëm, media të paanshme, informim i pavarur, media të pavarura, burime të pavarura informimi, burime të pavarura mediatike, përkatësisht informim, media, burim objektiv, të cilat priren të jenë antitezë e informimeve, burimeve, mediave partiake, subjektive e tjerë. Cilësime të tilla janë tejet relative dhe përcaktohen nga financuesit e tyre. Bëhet fjalë nëse është shteti financuesi i tyre. Bëhet fjalë nëse janë biznese të tilla apo të atilla financuese të tyre. Bëhet fjalë për shkallën e pavarësisë së këtyre bizneseve nga këto apo ato politika, nga këto apo ato realitete. Bëhet fjalë për një mori lidhjesh të tjera që i karakterizojnë mediat, financuesit, publikun përkatës e tjerë e tjerë.
Nga shkalla e përkrahjes së mediave, nga cilësia e kësaj përkrahjeje, nga besueshmëria e këtyre mediave në momentin e dhënë varet shumë herë suksesi i një kandidati apo një partie në garat zgjedhore. Kjo dukuri është e matëshme nëpërmjet sondazheve, diagrama e të cilave luhatet sipas përkrahjes që japin mediat e caktuara. Kur një media prestigjioze shpall se në politikën e saj botuese (editoriale) është përkrahja ndaj dikujt, duke shpallur edhe arsyet pse e bën këtë, menjëherë sondazhet e pasqyrojnë ndikimin e tyre tek votuesit. Duke i identifikuar mediat me propagandën Rita Mae Brown thotë: “Pasioni moral pa art është propagandë, arti pa pasion moral është televizion.
Shumëkush e ka quajtur dhe e quan propagandën art. Ose art më vete. Artistë të mëdhenj kanë këmbëngulur të mos bëhen ngatërrime të tilla që do të ishin fyese dhe poshtëruese për artin, pasi janë dy gjëra krejt të ndryshme e krejt të kundërta. E vërteta është se propaganda, ashtu siç i shfrytëzon të gjitha arritjet e fushave të tjera, i shfrytëzon edhe arritjet artistike, deri i shfrytëzon talentet e regjisorëve, aktorëve, skenaristëve. Në regjimet totalitare kjo shkon në tejskaj, duke i përdorur artistë si propagandues të vijës së partisë.
Në të mirë të përcaktimit të propagandës si art më vete janë edhe ata që e identifikojnë propagandën thjesht si art të gënjeshtrës. „Propaganda është ajo degë e artit të gënjeshtrës që konsiston pothuaj në mashtrimin e miqve tu më shumë se në mashtrimin e armiqve tu,“ thotë Frances Cornford. „Paradoksi tinëzar i propagandës është se ajo e cila në fyt është gënjeshtër, nëpërmjet përsëritjes, bëhet e vërtetë në zemër,“ thotë John Grierson. „Propaganda është një armë e butë; mbajeni në duart tuaja tepër gjatë dhe ajo do të lëvizë pothuaj si një gjapër e do të godasë në mënyrën e saj,“ shkruan Jean Anouilh.
Dikush thotë më tej se me televizionin propagandën e kemi armatosur me armën më të llahtarshme. Dikush tjetër do të thoshte se, në të vërtetë, kjo armë tashmë është interneti. Të tjerë do të thoshin se në jetën e sotme gjithçka është propagandë. Ndërsa më në fund ka edhe nga ata që përpiqen ta pajtojnë propagandën me realitetin si dy domosdoshmëri që nuk bëjnë dot pa njëra tjetrën.
Duke u pajtuar se propaganda është dukuria që e përmban pashmangshëm dëmin karahas dobisë, le t’i përmbyllim për momentin përsiatjet tona me një thënie të Hubert H. Humphrey, drejtues i famshëm i fushatës së Franklin Delano Ruzveltit, më vonë bipartizanist i kulluar në Senatin amerikan, për të qenë pastaj nënpresident i Lindon Xhonsonit, deri kandidat për president i demokratëve, i mundur nga Riçard Niksoni. Ai thoshte: “Propaganda për të qenë frutdhënëse duhet besuar. Për t’u besuar, duhet të jetë e besueshme. Për të qenë e besueshme, duhet të jetë e vërtetë.”
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi