Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Drilon Zogaj:Dorëheqja e Dacit shpëton LDD-në

Shko poshtë

Drilon Zogaj:Dorëheqja e Dacit shpëton LDD-në Empty Drilon Zogaj:Dorëheqja e Dacit shpëton LDD-në

Mesazh nga Agim Gashi Mon Dec 20, 2010 2:41 am


Dorëheqja e Dacit shpëton LDD-në


Drilon Zogaj:Dorëheqja e Dacit shpëton LDD-në Main_naser-rugova-14---l.h.

Drilon Zogaj

Nënkryetari i LDD-së, Naser Rugova, rrëfen për “Zëri” tërë atë që ka ndodhur në partinë e tij, gjatë dhe pas zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

Ai është i bindur se më 12 dhjetor, elektorati e ndëshkoi këtë parti për shkak të kursit politik jokonsistent dhe opinionit refuzues ndaj liderit të saj, i krijuar si rezultat i ngjarjeve të fundit të lidhura me të. “Kryetari Daci është dashur që vetëm pak orë pas konfirmimit se ne i kemi humbur mbi 30.000 vota të ofronte dorëheqjen e parevokueshme dhe të hapte rrugë për procese të reja”, thotë Naser Rugova.

Zëri: z. Rugova, çfarë ndodhi me LDD-në më 12 dhjetor? A u ndëshkua nga elektorati dhe si mund të arsyetohet humbja e 40 mijë votave?

Rugova: Lidhja Demokratike e Dardanisë u ndëshkua nga pjesa më e madhe e elektoratit të vet. Thënë të vërtetën, ne që nga fillimi kemi pasur rënie të lehtë, por zgjedhjet e 12 dhjetorit paraqesin ndëshkimin më të rëndë. Duhet ta sqaroj se ky ndëshkim nuk duhet kuptuar si ndëshkim ndaj LDD-së, por si ndëshkim ndaj kursit politik, të cilin e kemi udhëhequr, e që jo rrallë nuk ishte konsistent me atë që e kërkonte elektorati prej nesh.

Në këtë kuptim, dy ditë pas zgjedhjeve, unë e kam pasur një konsultim me kryetarin Daci, ku jemi pajtuar se LDD ishte ndëshkuar nga elektorati i vet. Atë ditë, kryetari Daci u pajtua me qëndrimin tim se duhet të sillemi në mënyrë sa më dinjitoze të mundshme, por si duket në ndërkohë gjërat kanë ndryshuar.

Lideri i LDD-së shpreson në mrekulli
Zëri: Ju, personalisht, i keni pranuar rezultatet e zgjedhjeve, duke ofruar dorëheqje nga posti i nënkryetarit. Të njëjtën gjë e ka bërë edhe sekretari i përgjithshëm. A duhet të ketë dorëheqje të tjera në lidershipin e LDD-së, si pasojë e humbjes në zgjedhje?

Rugova: Duke e parë se kryetari Daci kishte ndërruar qëndrim dhe tani kërkonte që të justifikonte dështimin në zgjedhje duke u fshehur prapa parregullsive, e kam ndjerë si obligim moral dhe njerëzor që të ofroj dorëheqje. Dorëheqjen nuk ia kam ofruar kryetarit as kryesisë, sepse konsideroj se kryesia e ka humbur kredibilitetin, por dorëheqjen ia kam ofruar Këshillit Kombëtar dhe Konventës si dy organet më të larta të partisë.

Thënë të vërtetën, kryetari Daci është dashur që vetëm pak orë pas konfirmimit se ne i kemi humbur mbi 30.000 vota të ofronte dorëheqjen e parevokueshme dhe të hapte rrugë për procese të reja. Duke e parë ngurtësinë e kryetarit që të marrë përgjegjësinë për situatën edhe sekretari i përgjithshëm, Tolaj, ofroi dorëheqjen e tij, ndërsa sot këtë e bëri edhe sekretari ekzekutiv i ngarkuar me punë me degë, Sokol Haliti. Unë nuk mund të inkurajoj apo dekurajoj dikë se si të sillet sepse këto vendime janë krejtësisht individuale dhe të bazuara në ndërgjegjen e secilit.


Aktualisht, ne të tre dhe ata që na përkrahin, jemi të vendosur që ta mbledhim sa më shpejt Këshillin Kombëtar, ndërsa në anën tjetër kryetari Daci dëshiron që ta prolongojë procesin duke shpresuar se do të ndodhë ndonjë mrekulli më 9 janar dhe LDD-së, prej dika, do t’i pikin 30.000 vota.

Zëri: Por, Daci po shprehet i bindur se humbja e LDD-së është pasojë e manipulimeve që kanë ndodhur?

Rugova: Është e vërtetë se procesi zgjedhor ka pasur mangësi, që janë bërë shumë evidente, por po ashtu është shumë e vërtetë se LDD, si pasojë e politikës së gabuar, është ndëshkuar nga elektorati. Unë kam informacion të sigurt se elektorati ynë është më së paku dy herë më i madh sesa rezultati i zgjedhjeve, por ky elektorat kësaj radhe na ndëshkoi.

Na ndëshkuan për shkak të liderit
Zëri: A është e domosdoshme që Daci të mbajë përgjegjësi për këtë humbje?

Rugova: Dua të jem i sinqertë, ndoshta edhe deri në banalitet. Siç thotë populli “kur të plas zemra” njeriu nxjerr edhe mendimet më të thjeshta të mundshme. Sa herë që dikujt ia kemi kërkuar votën, na ka ndodhur shumë shpesh që votuesit të na thonë “Po. Do t’ju kishim votuar por nuk po mundemi më ta votojmë Dacin”.

Akademik Daci është një personalitet i nderuar, dhe mund të ndodhë se ky opinion refuzues ndaj tij është krijuar si rezultat i kampanjave të njëpasnjëshme, por fatkeqësisht ky është një realitet i hidhur. Kemi dashur të besojmë se do të ndodhte e kundërta, por realiteti është ky dhe duhet thënë troç. Nuk mundet që një gjeneratë e tërë ta bartë mbi vete barrën e një individi të vetëm sado që ne e respektojmë dhe e nderojmë atë.


Ia përkujtojë Dacit se ne vazhdimisht kemi besuar në lidershipin e tij, saqë ndonjëherë kemi prishur edhe raportet njerëzore me miq shumëvjeçarë, por kësaj here duhet ta themi publikisht se elektorati ynë nuk mendoi ashtu si mendonim ne.

Zëri: Z. Rugova, a e lidhni në çfarëdo mënyre humbjen e votave të LDD-së, me ndërrimet në lidershpin e LDK-së?


Rugova: Nuk mund të përjashtohet edhe ai fakt, por duhet thënë se elektorati ynë është elektorat militant që është i lidhur me partinë e vet. Unë nuk mund të jem aq transparent sa do të duhej, por mund ta them me shumë përgjegjësi se kreu i LDD-së vazhdimisht ka bërë gabime në trajtimin e degëve dhe të bazës.

Këto gabime ndonjëherë kanë shkuar edhe deri te niveli i injorimit njerëzor dhe kjo e ka irrituar bazën tonë. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me bazën dhe këto janë informacionet që po i marr vazhdimisht, por, sot më inkurajon tej mase disponimi i tyre që të mos braktiset uniteti i shoqërisë sonë si njerëz dhe bashkëmendimtar.

Zëri: Ka opinione, sipas të cilave, pas largimit të Sejdiut nga kreu i LDK-së, është shuar arsyeja e krijimit dhe ekzistimit të LDD-së, dhe se ky subjekt duhet të rikthehet në “shtëpinë e vjetër”?

Rugova: Pas largimit të Sejdiut ne si parti i kemi ofruar bashkëpunim shumë të sinqertë Isa Mustafës. Në njëfarë forme ne kemi ushtruar presion mbi kryetarin që edhe ai ta shprehte këtë. Është fat i mirë që Mustafa nuk është pjesë e problemit të krijuar në Kuvendin e 6-të. Në një farë forme baza e të dy partive i ka dënuar bartësit e problemit që solli deri te ndarja e LDK-së.

Tani, po ashtu duhet thënë se, përkundër momentumit që e krijoi Mustafa, LDK nuk arriti të dalë e para dhe nuk ka ndonjë dallim të madh në krahasim me votat në 2009. Kjo tregon se elektorati dëshiron masa të reja, ndoshta edhe emergjente, nga krerët politikë. Rrethanat aktuale na sugjerojnë se mund të ketë zgjedhje të reja nacionale dhe kjo ndoshta mund ta krijojë një rast të dytë që Mustafa të dëshmohet si lider unifikues.

Përsëri duhet të jem i sinqertë me veten dhe me kolegët e mi dhe ta them se ne sot, si LDD, nuk jemi në pozitën që t’i vendosim kushte dikujt. I vetmi kusht që mund të vendoset është që çfarëdo procesi të bazohet në parimin e votës së lirë, vullnetit të elektoratit, respektit të ndërsjellë dhe faktit se të gjithë ne duhet të përcaktohemi njëherë e përgjithmonë se a jemi që Kosova të qeveriset nga e majta apo nga e djathta.

Vullneti i elektoratit po tregon se në Kosovë po përsëritet trendi i shumë vendeve në transicion që do të thotë se përfundimisht po krijohen dy blloqe dhe se populli nuk është më i gatshëm të votojë për parti të vogla. Në si kolegë dhe bashkëpunëtorë jemi të përcaktuar që të punojmë rreth unifikimit të gjithë rugovistëve nën një flamur të vetëm. Ky nuk është proces që mund të bëhet brenda nate, por, nëse të gjithë ne e respektojmë vullnetin e elektoratit kjo do të jetë e pashmangshme. Nuk shoh asnjë alternativë tjetër.


Do të doja që sot LDD të kishte 20% dhe të flisja ndryshe, por, nëse nuk i nënshtrohemi vullnetit të elektoratit atëherë nuk do të isha i denjë as për mbiemrin që e mbaj.

Daci të tërhiqet në mënyrë të dinjitetshme

Zëri: A është definitive dorëheqja juaj nga posti i nënkryetarit të LDD-së dhe a keni dhënë dorëheqje edhe nga anëtarësia në këtë subjekt?

Rugova: Unë synoj që ne së shpejti ta kemi mbledhjen e Këshillit Kombëtar dhe aty të pastrohen gjërat. Para LDD-së janë dy alternativa të vetme. Vazhdimi i politikës së vjetër, që do të thotë humbje dhe poshtërim total, apo alternativa e reformimit dhe përcaktimeve të reja politike. Unë do të jem në LDD, derisa aty të ngelet edhe anëtari i fundit i sinqertë, por, ju garantoj se deri në fund do të përpiqem që t’i hapet rrugë gjeneratave të reja dhe kësaj herë i bëjë apel publik kryetarit Daci që të tërhiqet në mënyrë të dinjitetshme dhe të hap rrugë për reformim të partisë.

Zëri: A ka ndonjë përpjekje që tre rugovianët, Uka, Hakiu dhe Ju, që aktualisht jeni në tri parti të ndryshme politike, të përfundoni bashkë në një parti?

Rugova: Ne të tre jemi kushërinj dhe një familje e vetme. Raportet tona njerëzore nuk janë rrezikuar asnjëherë, përkundër faktit se individë të caktuar shpesh ia kanë dhënë vetes lirinë të futen mes vëllezërish. Uka është më i dashuri për të gjithë ne sepse ai është pinjoll direkt i oxhakut të Ibrahim Rugovës. Në anën tjetër, Hakiu është më i vjetri ndër ne dhe duke marrë parasysh se ne jemi tradicionalistë, mendimi i tij natyrisht se e ka një peshë të veçantë, por në fund të fundit, përcaktimet politike janë çështje të një vlerësimi më të thellë. Më duhet ta përsëris se ne të gjithë duhet të sillemi konform vullnetit të elektoratit.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi