Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ne ditlindjen e poetit:POEZI NGA JORGO TELO

Shko poshtë

Ne ditlindjen e poetit:POEZI NGA JORGO TELO Empty Ne ditlindjen e poetit:POEZI NGA JORGO TELO

Mesazh nga Agim Gashi Thu Jan 06, 2011 3:17 am

Ne ditlindjen e poetit:POEZI NGA JORGO TELO 163164_177801982253679_100000716346990_450597_5748279_n
Ne ditlindjen e poetit
POEZI NGA JORGO TELO


TRI TERCINA URIMORE
(Gezuar Vitin e Ri 2011!)

Po ju flas sot, o miq, në palcë të dimrit
Me zërin e ditëve, neteve të të fundvitit,
Thekshëm duke shtrydhë sfungjerët e shpirtit:

Gjithkund ku ju kam, pranë a larguar,
Ç’jeni dashamirës, jeni të nderuar.
Brenda zemrës sime prej saj – të ndriçuar.

Me “vizë” nga truri e nga shpirti flakë
Zoti sa ma pruri një urim të zjarrtë:
“Gëzofshi, o miq, shëndet, begati, fat!”


Urimet nga juaji Jorgo TELO
Gjirokaster, 28.12.2010


HUMOR NË NDËRRIM VITESH
(Si e përshëndesin Vitin e Ri)

1. LAJKATARËT

“Eja, bre, ku paske qenë?
Veçse ti je Zot për mua!
Të kam pritur që të hënë
Ti je viti më i zgjuar…”

2. PESIMISTËT

“Përshëndetje veç nga halli.
S’kemi hiç ndjesi për ty…
Nuk na paska rrekur malli,
T’rrojm’ sërish në varfëri.”

3. DEMBELËT

“Mirë erdhe, po pse kaq shpejt?
S’ mbollëm grurë te vërria.
Po s’na dha ndihmë ky shtet.
Tundim këmbët nga uria…”

4. DYSHUESIT

Në po vjen si ky që iku,
Ktheu prap’ në kalendar.
Me përmbytje ky na fiku.
Duam vapë dhe behar.

5. TË KORRUPTUARIT

Të takon çdo përshëndetje,
Nëse vjen, siç duhet ardhë.
Me ryshfete nëpër xhepe,
Do të quhesh vit i bardhë.

6. POLITIKANËT

“Eja, aman, ki mëshirë
E na ruaj nga ky popull.
Të kërkojnë këta dinë,
Kur ne festja na vjen rrotull.

7. MILITANTËT

Ne nuk duam kurbet, ligje.
Rrojmë mirë dhe pa punë.
Jemi gati për mitingje;
Për në shesh jemi furtunë.


8. DEPUTETËT

Vit i Ri, na qofsh i mbarë!
Urojm’ të na lësh rehat.
Në Kuvend të bëjmë estradë.
E të bredhim posht’ e lart.

9. PENSIONISTËT

Për ne qofsh vërtet i bardhë,
Se në mosh’ të bardhë jemi!
Rritua rrogat sa më parë
Pushtetarëve të këtij vendi.

10. DJALLËZORËT

Në na shkoft’ çdo mall në treg
Do fitosh nga ne urime…
Akuzojmë me marifet
Pa dëshmi, veç me dyshime…

11. KR IJUESIT

Të urojmë njëri – tjetrin
Për një klimë të begatshme.
Veç... produktet, që ne qesim,
Të mos myken nëpër rafte…


12. POPUJT

Qofsh i mbarë,
Dymijiëenjëmbëdhjetë!
Ti për ne e ne për ty…
Liri, paqe të vërtetë
Do kjo botë pa kufi…!


MYKËSIRA…!?
(Bejte ,me sens satirik
për një satanik)

Sot po them nja katër a pesë
Për një tip, për një krijesë…
Për dikë që lart e poshtë,
S’dimë ç’thotë – plot a bosh…!

Lesh në mjekërr, lesh në kokë
Frymëmerr nëpër Europë.
Zotëria gojë – trapi
Pagëzuar Diki Marty
Gjeti kohën që të llapi…

Reporteri i KE-së
U ngrit enjtur një mëngjes
Me pordhë të bëjë biznes…
Nga Del Ponte i erdh muza
E nga muza plot akuza…

Llloj-lloj shpifjesh në Pazar:
Nëpërkëmb kombin shqiptar.
Si na del befas ky burrë
E në “pus” na vërvit gurë?

O budall, mblidhe “fiqirë”!
I ke gurët – ndot – këllirë
Uji është për të pirë
Krejt politika shqiptare
Aktin tënd e quan marre…!

Kur Kosova del në zgjedhje
Ti gatit çorbën me helme.
Na rrëfen ëndrrat e natës
Dhe ç’ke mbledhur brenda kafkës:

Cilin të besosh më parë,
Ç’ësht’ i larë dhe i palarë…?!

Ç’janë këto marrërira
Marrëra e mykësira?

Po deshi veten njeriu,
S’ka ç’e do një tip-ariu…!

C'PO TREGON ME GISHT,
O MORE... PULISHT...?!


PËRMBI FATET – SHOQËRIA
(Dedikim të moshuarve azilantë)

Fati dhe jo dëshira u ka mbledhur bashkë.
S’mund ta linit veten ju në udhëkryq.
Nën mbrojtje të shtetit, s’kini ngelur jashtë;
Gjetët zgjidhjen tuaj
pa sherr e pa gjyq.

U pëlqen një kafe si dhe fjala e mirë.
Nuk u mposhti mosha dhe rrudhat asfare.
I pëlqen dëfrimi çdo shpirti të lirë,
U pëlqen shetitja
nëpër trotuare.

Kot disa e quajnë “shtëpi e vetmisë”.
Pa shihni sa jeni dhe si jeni sot!
Ju keni respektin e krejt shoqërisë;
Ju jeni vetvetja,
jetën doni fort.

Respektojmë thinjat, duke ardhë mes jush
Respektojmë vitet që mbani mbi sup.
Respektojmë brengat gjendur te shumëkush.
Jeni durimtarë,
o njerëz të urtë!

Ju s’jeni të tepërt brenda shoqërisë
Dhe pse të privuar nga normaliteti.
Ndodh rëndom në jetë…fati të braktis;
Dilet përmbi fatin,
kur ka ligje shteti…

Kur ua shohim sytë, u njohim dëshirat.
Lypni ngrohtësi, sa më tepër dritë.
Ju parapëlqeni ajrin, hapësirat
Të hiqni prej vetes,
dertet natë e ditë…

Kur ishin në moshë ju dhatë shumëçka
Dhatë energjitë fizike e mendore…
Ndaj dhe shoqëria mjaft borxhe u ka
Ndaj Komuniteti
po u mban përdore…
Jorgo TELO
Gjirokastër, 12.12.2010


KUR SHOHIM RIOSHËT

Sa dal nëpër rrugë e n’korridor t’pallatit
Më shikojnë sytë o sa djem e vajza!
Mandej retë e bardha, nisin turravrapin
Porsi xixëlloja në shpirt mbijnë farëza…

Farza dalë zemre nga e morët lejën;
Si dilni në dritë edhe çfarë kërkoni?
Vetëm unë ua dija edhe ua di vlerën
Kur dimëron shpirti brenda veladonit…

Farëza të hershme si prushet ndën hi.
Vetëm te rioshët u tërbon shkëlqimi.
Gërriceni më kot përbrenda në gji.
Rrekeni më kot t’u kthehet rinovimi.

Çoç u duket vetja në moshën e duhur
Jeni veçse sythe në një pragskadencë.
A mos, vallë, tek unë (si një brez i humbur),
Vini e trokisni pa ndonjë tendencë?!

Eh, kur shoh rioshët ngulur nëpër puthje,
Përqesh dhe përtall veç timen rini…
Ç’rini paskam pasur, eh, rini pa dufe!
Ku qenkëshim asokohe edhe ku tani…!

Druajtja dhe turpi na kish kapur këmbësh.
Sa ndrydhje në shpirt aq ndrydhje në tru.
Na vinte fort zor dhe të kapnim llërësh;
Lëre po të puthje buzë atje – këtu…!

Edhe pyes vetën: Aq të mbyllur.. pse?
Çfarë na i mpinte farëzat e tundimit?
Oh, rini e ndryshkur, tani ku më je?
O vite rinie… më kot gërvëlini…!

Mendja, ëndrrat, sytë binin në mëkat
Të ëmblat mëkate – si pronë vetiake…
Vështroj ret’ e bardha…rendin turravrap
Ushqej me vegime dëshirat vjeshtake…

Së ikuri vapa bashkë me beharin
Na i shpëton paq sytë prej verbimit.
Të tjera mëtime vrullëzime marrin
Mëtime të paqta në prag të “perëndimit”…

Sapo shoh rioshë, flas me veten time:
“Si tepër i ngathët ke qenë , o njeri!”
E lëshove shpirtin në art e në shkrime;
Veten e privove nga t’ëmblat “veçanti”…!

Duam apo s’duam imitojmë dhelprën
I shohim bistakët, na qet goja lëng.
Ezop fabulistit i japim sot të drejtë
Për temën e kapur me shpirt e me mënd…


PLATIT SYTE ROZAFA
(Çudipeizazh)

Hap tronditshëm sytë Rozafa
“Mirëmëngjes!” - t’i thotë qytetit.
Shikon majtas, djathtas, mbrapa:
“Korba, Shkodër,
çfarë të gjeti?

Ç’ësht’ ky det që merr përpjetë;
A mos, vallë, qenkam në ëndërr?!
O ti arbëresh poet
Hap shatoren
të kqyr vëndë!

Ende s’iku koh’ e moçme?
PRAPE - historia ime?
Mos sërish duhen murosje
Qe të rrojë
Nënlokja trime?

Jam e lashtë sa lashtësia
Gjer këtu s’ka ardhur det.
Isha e zonja si zotësia
S’kam thënë kurrë:
“Vaj-medet!”

“Kujt, o bij, t’ia di për “nder”
Si më erdh shpërfytyrimi?
A mos ju, qe bëni sherr…
Ua ka ngrënë
Shpirtin tërbimi?!

E çuditur Shkodra Loke
I fshin sytë: “Si ësht’ kjo punë?”
Sheh dy miq, që dikur rrokej
Herë liqenin,
herë "detin" Bunë…

Edhe kryqin bën Rozafa
“Zot i madh, mos më harro!"
Durrës, Vlorë s’mbeten mbrapa:
Lusin Zotin
Domosdo…!

Gjirokaster, 04.12.2010


KU JE, O SKËNDERBE?

Po ku je, o Skënderbe,
Dil nga varri, pakëz ngrehu!
Të flet Nëna:
“Bir, ku je?
Të kërkon sot Mëmëdheu!

Zot i dole, o bir, Nënës.
Ato vite më dhe krahë…
Unë të dhashë
afshin e zemrës,
Gjergj, o Gjergji im i madh!

Të përndarë sot bijt e Shqipes
Sakatuar – ARBËRIA…
Ti, o Gjergj,
bashkim arrite,
Tek ty shpresë kish liria.

Dhe kaluan, o sa shekuj
E përçarja ndihet prapë…
Ti je gjallë,
nuk ke vdekur
Çdo shqiptar të ka në gjak.

“Po… përse, bir Skënderbe,
Zërin Nëna s’ta ndien, vallë?
Plot stërnipër
ti më le,
Por si veten… sa të rrallë…!”

Një si ty ma lyp sot zemra.
Një si ty e kërkon koha.
Të kërkon shpirti përbrenda
Të kërkon, o bir, Epoka!”


PUTHJA E PARË

Kush, vallë, e përhedh në harresë
të parën puthje?
Përlindet ajo e pastër si pikël vesë
S’pranon shkëputje.

Përlindet tejet spontane
Nuk njeh kurrfarë
parashikimi.

Nuk është një puthje mondane
S ‘ka lidhje aspak
me puthje filmi.

Nis e lehtë e kalon në rëndim.
Nis disi e shkujdesur,
te kredh në tundim.

Sa e përndrishme - aq e errët,
Dhe e frikshme dhe e çelët
Sa e druajtur - aq e guximshme
Sa e heshtur - aq e buçimshme.
Sa e shpejtë
aq e plogët
Sa e madhe
aq e vogël
Dhe me hove, dhe me huqe
Dhe e qetë, dhe harbute…!

Misterioze në ardhje,
e panginjshme në ikje;
E ëmbël në fillim,
e njelmët në mbarim.
E njelmët në çdo puthje si venduzë
lotët ziliqarë
zbresin në buzë.

E pashmbullt puthja e parë e njerëzisë
Parathënia e pasthënia e dashurisë…
Shpeshherë shpërthyese,
rrallëherë zhgënjyese…

Puthja e parë – sa e pastër
Vetëtimë
Në qiell të kaltër.

Gjirokastër, 24.11.2010


PËRBALLË BUKURISË
(Nga liriko - erotikat)

Ngultaz s’mundem, jo,
Të ta hedh vështrimin.
Dihet… domosdo:
Ti ma mund shikimin.

Përballë bukurish
Mbetem i stepuar
Nga llërët fildish
Kush nuk ësht’ hutuar?

Përballë bukuroshesh
Kanë rënë kështjella…
Skllav i tyre mbetesh
Me shpirt në humbella.

Velemi nga mjalti.
Syri nuk njeh velje.
Drithërohet shtati,
Kur merr përkëdhelje.

Eh, ç’më shtohet jeta
Kur më kap përdore
Ngjitet e përpjeta
Me këngë thëllëzore.

Lëre kur vjen pranë
Lirshëm a serbes;
Frenat nuk na mbajnë
Thyhemi në mes…

Nga zemra te sytë
Xixa duhmash ngelin.
Jemi vet’ i dytë;
Zaptojmë themelin…

Kur merr pak miklime
Nga dy sy të ndezur,
Bie në vegime…
Fjalët janë tejhedhur…

Humbet forcën goja
Forca shkon tek sytë.
Kthehen në rrënoja
Ëndrrat e padritë.

Mbyllen paksa sytë.
Zjarri zbret në buzë.
Lart zilepsen yjtë;
Prushërim nën bluzë…

Me prushërim buzësh
Përlindet një diell.
Rrezet ia hedh gushës
E më pas në qiell…

Dritëzohet ëndrra
Lakore Ylberi.
Lum kush mban përbrenda
Tinguj kumtesh qielli…

Kumte njerëzore
Që mbarojnë me ngjizje
Ngjizje dëshirore,
Bota merr lëvizje…


MA GËZOFSH FESTËN E MADHE!
(Mbi motivet e isopolifonisë)

Shokë do flasim me këngë
Për flamurin, historinë.
Do këndojmë për vatrën tënë
Rrahur nëpër suferinë…

Shqipëri, zemra me derte,
E varfër, por kryelartë.
Gjithnjë ece, kurrë s’fjete.
Rruga jote – prush e flakë.

Shqipëri, o shkëmb e hekur;
Trëndafil me gjak vaditur,
Ndezur trojet nëpër shekuj.
Për liri zemërshuritur.

Shqipëri, të ndriti syri
Në nëntorin faqezjarrt’.
Shqiponja me Ismailin
Flamurin e ngriten lart.

Shqipëri, sa shtigje cave
Me gjak e cave cdo udhë.
Ti lirisë nuk iu ndave.
Jo, moj, jo, s’i ndahesh kurrë!

Shqipëri, Shqipja në male,
Mos hiq dorë nga liria.
Ma gëzofsh Festën e Madhe,
T’u rritt nderi dhe lavdia!

Shqipëri, shpirti i Ballkanit
Shqipëri, merak i Globit;
Shqipëri, djep i shqiptarit,
Shqipëri, o zemr’ e Kombit!


VJERSHA PER PARASHKOLLORE (Nga libri "BULEZA dhe GOGELZA" i porsabotuar)

KUR U LINDA

“Kur të lindi mami
(Më tregon gjyshja)
Përmatanë xhamit
rrinte dallëndyshja.”

Ajo qe e para
Dëgjoi qarjen time.
Ajo qe e mbara;
ndaj rroj me gëzime.

Tani që u rrita,
Jetën e shoh ndryshe.
Dua rreth shtëpisë
Të vijnë dallëndyshe.


DUART E MIA

Sa isha i vogël,
siç thotë teta Selvia,
i merrja për lodër
të dy doçkat e mia.

Kur doja qumësht të pija,
në gojë i fusja të dyja.
Qysh bebe
nisën qortimet
Nga babi
e gjyshja ime…
Tani s’jam më çilimi.
Si të tjerët ha e pi.

BUQETËZA ME LULE

Paqësisht më pret natyra,
Si të jem e mira bletëz.
Zgjedh nga lulet më të mira
Dhe me to pleks një buqetëz.

Plot gëzim vrapoj te nëna
E buqetëzën ia jap.
I shpreh fjalët më të ëmbëla.
Porsi bleta kur jep mjaltë.

O ç’gëzim i madh për prindët,
Kur fëmijët janë të mbarë!
Ç’fat i madh për ne fëmijët
Kur nderojmë
mëmën, babanë!

MIQTË E SHTËPISË

Sa herë na vijnë disa miq,
tek unë e hedhin vështrimin.
Më japin rrush edhe fiq,
pastaj nga pyetjet nisin:
Pyesin, me radhë, pa radhë;
Kujt t’i përgjigjem më parë?!

“Pa na thuaj, o shpirt,
kë ke xhan më shumë:
Mamin apo babin?
E çfarë t’u them unë?

Dhe u flas:
“Uaa, sa çudi!
Unë prindërit e mi
i kam xhan që të dy…

KUJTIMET

Nuk mbaj mend ,si jam rritur
e në këmbë si jam ngritur.

Po nuk mbushen katër vitet
zor se mbahen mend
kujtimet…

Sot që di shkrim e lexim
Rri, mendoj për fatin tim…
A do jem, kur të jem rritur,
Siç jan prinderit
shumë te ditur?

FJALËT E PARA

Tani ne jemi kopshtarë.
Vjet në çerdhe ishim “bebe”.

“Ma!” e “ba!” –
folëm më parë.
Më pas emrat e të tjerëve.

O sa fjalë mësojmë përditë...!
Gjuha jonë mban gjithë stolitë…
Kur flas unë e kur flet ti,
Na dëgjojnë me dashuri.

Kur përdorim fjalë të rënda,
S’na dëgjojnë gjyshja e nëna.

ËNDRRAT

Sapo më del gjumi,
ngrihem, rri i heshtur.
Porse kohët e fundit
jam zgjuar i qeshur.
Nga që gjumin kam të lehtë,
më vjen mami qetë –qetë.

Diç më thotë, duke më puthur:
“Do kesh parë ëndërr të bukur…”
- Si e pe ëndrrën e bukur? –
pyesin gjyshi dhe gjyshja.

- M’u duk vetja si një flutur
e me krahë po shetisja…

- Kur dëgjon babanë, nënën,
e mbarë të vjen çdo ëndërr.

Ëndrrat që më pëlqejnë fort,
i tregoj e qesh me lot.

Ëndrrave që trembin gjumin
asnjëherë s’ua di fundin.
_________________

Xha Jorgo, gezuar ditlindja. Edhe 100 vjet tjera te lumtura! Te urojme perzemersisht ne miqte tuaj, te mbledhur rreth SOFRES POETIKE,qe i lexojme dhe i duam vargjet qe na i dhuron.
06 janar 2011
Haxhi Muhaxheri


Urimit i bashkangjitem edhe unë me gjithë gazeten elektronike Akllapi.net me dëshirat më të sinqerta për shëndet, suksese e jetë të gjatë.
Agim Gashi!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi