KUR DEL DANA NË BALLKON
Faqja 1 e 1
KUR DEL DANA NË BALLKON
Vullnet Mato
KUR DEL DANA NË BALLKON
Tregim
Kur del Dana në ballkon, çelin lulet nëpër saksi dhe Astrit Biraku, te pallati përballë, sheh botën të tërë. Ballkoni i Danës, me sytë shumëngjyrësh të luleve, vështron nga lindja dhe ka përkarshi malin e Dajtit. Por sytë me bisht të Danës shohin vetëm gjysmën e sipërme të malit, për shkak të lartësisë së pallatit pesëkatësh, ku banon vejani Astrit Biraku. Ai ka ballkonin me vështrim nga perëndimi dhe nuk sheh as gjysmën e malit, as diellin e mëngjesit që ka fatin ta shijojë qysh në rrezet e para Dana përkarshi. Por ky pozicion nuk e pengon atë të ndjehet fatmadh, sepse Dana ka në gjoksin e saj dy male më të bukur se Dajti. Dhe kur sodit herë pas here malet bardhosh që ajo i lë shpesh gjysmë zbuluar, ai nuk e ndjen fare nevojën e pamjes së Dajtit, që s’ka mundësi ta shohë nga ballkoni i tij.
Dana jep mësim në një nga klasat paralele të shkollës fillore “Ramazan Jarani” që ndodhet në mes të lagjes. Ajo është martuar qëkur mbaroi arsimin e lartë për cikël të ulët, me një kryeinfermier të qendrës spitalore universitare të kryeqytetit, njëzet vjeç më të madh në moshë. Dhe kjo lidhje martesore e papërshtatshme për të, pati dy arsye që e përligjën në opinion. Dana ishte vajza e tretë nga gjashtë motrat e saj, prej të cilave as dy më të mëdhave nuk u kishte dalë ende fati. Veç kësaj, ajo e kishte dredhur fijen e mëndafshit me një djalë harapçi Tirane, siç i thoshte vetes, që e kishte mbajtur dy vjet të fejuar e të ekspozuar gjithandej dhe më pas ishte martuar pabesisht. Megjithatë, kryeinfermieri, të cilin e thërrisnin doktor Kaçi, ishte burrë serioz, i mirë nga shpirti dhe e mbushte çantën me llapushkat e mijësheve, duke bërë gjilpërat e kurave në pothuaj krejt banesat e lagjes së madhe të Alliasit.
Tani që Kaçi i saj ka dalë në pension, duke e mbyllur jetën pa fëmijë, Dana po lulëzon në pranverën e pjekurisë dyzetvjeçare, me një pamje që i tërbon meshkujt gjuetarë pas femrave bukuroshe me burra të vjetruar. Pas daljes në qarkullim të filmave serial brazilianë, në pothuaj të gjithë kanalet televizive dhe pas qarkullimit të thënies proverbiale grarishte, se “Burrë kanë të gjitha gratë, kush është e zonja të ketë dashnor!” Ajo filloi të tërhiqte vështrimin e të ndjente të ngjitur te gjoksi i bëshëm, sytë prej mastiçi të vejanit Astriti Biraku përkarshi.
Astriti dyzetegjashtë vjeçar është ushtarak karriere në drejtorinë e forcave të kufirit dhe gruaja i ka vdekur para tre vjetësh nga kanceri i gjirit. Dy fëmijët e vegjël i ka marrë e ëma e tij për t’i rritur në Elbasan, ku shkon çdo fund jave. Me trupin e ngjeshur prej këmbësori të stërvitur nëpër gjatësinë e piramidave të brezit kufitar verior, ai del shpesh vetëm me kanatjer në ballkonin me pëllumba, ku femrat e pallatit përball e presin me zili daljen e tij. Sidomos Dana, kur sheh gjoksin e tij muskulor, bën në tapetin e trurit e saj sfilatën e krahasimit me trupin skeletik të Kaçit dhe i shpëton një psherëtimë e pavetëdijshme. Astriti ka në kafazet e drunjtë të ballkonit tre çifte pëllumbash, që janë bërë pasioni i tij kryesor, me të cilin shtyn vetminë dhe kohën e lirë.
Ishte ora dhjetë e paradites së diel, kur njëri nga pëllumbat e Astritit, një grixho mashkull me pupla te këmbët dhe me krifë të ngritur përpjetë te prapshtina kokës, kishte shkuar te ballkoni i Danës, ku ajo i kishte thërrmuar një biskotë. Më pas qëndroi aty rreth dy orë i ngujuar me këmbët e verdha mbërthyer te mbajtësja metalike e tendës prej mushamaje. Me gjithë ndjelljet e përsëritura të të zotit për ta ushqyer bashkë me të tjerët, ai nuk po shkulej andej. Astriti u bë merak se mos pëllumbi qe i sëmurë dhe ashtu me kanatjer siç ishte, për shkak të vapës që kishte filluar bashkë me mëngjesin, shkoi trokiti te dera e Danës për ta marrë.
Dana çeli portën e blinduar dhe bashkë me vështrimin e habitur për vizitën e tij të beftë, sytë saj me bisht fluturues si të dallëndysheve, gati sa nuk e përpinë bustin e tij muskulor të paraqitur aq afër.
- Urdhëroni ! - e ftoi kënaqësisht, duke menduar se ai më së fundi kishte marrë guxim të hynte në shtëpinë e saj, pasi siç dukej kishte vënë re Kaçin e nisur qysh në mëngjes për të peshkuar në Erzen si çdo të diel. Ajo menjëherë bëri mënjanë me derën të hapur tërësisht, të hynte brenda miku i shumëpritur.
Astriti i shkëputi sytë nga gjoksi saj pothuaj krejt i zbuluar me këmishë verore të tejdukshme dhe i tha me një lëngështim te çuditshëm në gojë, që i bëri fjalët e tij të kullojnë ëmbëlsi bashkë me zërin:
-Më falni, zonja profesoreshë, që po ju shqetësoj, po një pëllumb timin e ka zënë meraku me ballkonin tuaj dhe nuk shkulet andej për qamet, megjithëse u lodha tërë mëngjesin duke e thirrur...
Dana e ftoi të hynte brenda dhe pasi mbylli derën pas krahëve te tij, e thumboi guximshëm, pa e marrë seriozisht punën e pëllumbit:
-E kam kuptuar prej kohësh që të zotin i pëllumbave e ka zënë meraku me ballkonin tim, po uluni një herë të pini një kafe! - i tha ajo dhe i tregoi mikut njërin nga kolltukët.
Ai nënqeshi pakëz dhe duke u rehatuar në kolltukun prej meshini ia ktheu në çast:
-Si mund të ndodhë ndryshe, kur stilisti i qiellit punoi nëntë muaj, vetëm për të përsosur modelin e zonjës së këtij ballkoni dhe të tjerat rreth e rrotull ia la fatit?...
Dana e krehur në sedër qeshi ëmbëlsisht dhe shkoi në aneks, mori një komplet rakie, i mbushi një gotë dhe ia vuri përpara në tryezën e mesit prej qelqi.
Astriti krejt i mahnitur nga gatishmëria e saj e beftë dhe i trazuar keqas në ndjesitë e veta nga rrumbullakësia fantastike e kofshëve të saj të mbushura e të zbuluara nën këmishë deri sipër gjunjëve, ndjeu në tërë trupin ca dridhma të pazakonshme. Çaste të rrezikshme këto, kur gratë harrojnë se kanë në trupit e tyre femëror polin pozitiv të magnetit dhe rrezatimi i zbuluar i tij shkakton tërbimin e papërmbajtshëm të meshkujve.
- Ku është Kaçi?- pyeti ai duke shtrënguar nofullën që gati po i zbërthehej nga vendi.
Dana ndali hapat drejt aneksit, ku do bënte kafen dhe u kthye përgjysmë.
- Eh, Kaçit i janë fiksuar ato dreq cironka që zë andej nga Erzeni me shokë të dielave dhe ka ikur që në gjashtë të mëngjesit... - fjalën “cironka” ajo e lëshoi me një përçmim të atillë, që tingëlloi njësoj sikur të ishte fjala për “cironkën” e burrit të saj shtatpakët.
-Lëre kafen, faleminderit, kam pirë! - tha ai dhe pasi e ktheu gotën e rakisë me eks, u çua në këmbë për t’u dhënë fund dridhmave të padurueshme. Mbërtheu me të dy krahët e fuqishëm trupin e tultë të kësaj gruaje fantastike dhe e puthi me një afsh të zjarrtë të paprovuar ndonjëherë në jetën e tij.
Një copë herë shtrënguar, ai ndjeu në krahët e veta, se tani dridhmat kishin shkuar me të njëjtin intensitet te trupi i bardhë i Danës, e cila nuk lëshoi asnjë fjalë më tej. Krejt i paduruar e mori në duar dhe shtriu në divanin e kolltukëve, duke ndjerë sikur kishte përpara trupit të tij të uritur prej kohësh, një llokum të madh, nga ata të rekordeve “Gines”, që bëjnë pastiçierët e punishteve të dëgjuara, për të joshur vizitorët e ëmbëlsirave.
Por Astriti i shndërruar në përmasat e një ariu të pangopur, nga ata të pyjeve që kalojnë kufirin e futen te fqinjët, jo vetëm e hante të tërë atë llokum vigan të bërë me mjaltë lulesh, po dukej sikur nuk po i mjaftonte. Sepse u bë dy orë e ca që pëllumbin e kishte shuar nga mendja dhe truri po i avullohej për të tretën herë mbi atë krijese femërore të fundosur në sfungjerin e divanit, e cila po aq e uritur dhe drithmëtare, po ofshante në jermin e rënkimeve të kënaqësisë.
Në çastet kur ishin duke çlodhur frymëmarrjen e çoroditur dhe ajo krejt e përhumbur po thoshte me vete, uh, ç’mashkull qenka ky, moj nëna ime, ra befas zilja e derës me tringëllimat treshe të Kaçit, i cili çuditërisht ishte kthyer me shpejt se herët e tjera.
Dana brofi nga divani si një sustë e tendosur në maksimumin e tërheqjes.
- Shko shpejt në ballkon merr pëllumbin!- i pëshpëriti ajo të dashurit, me një pamje sikur e nxori atë fjali të frikshme nga fundi trupit të saj, pikërisht aty ku ishte rraskapitur më tepër.
Dana hapi derën, duke u mundur të përmbajë tensionin nervor të çastit dhe sytë i shkuan padashur te vargu i peshqve të radhitur në një purtekë shelgu që mbante Kaçi në dorë me krenim.
-Sot kam kapur peshq më të mëdhenj dhe i kam zënë më shpejt se herët e tjera!- tha ai me një zë, që asaj iu duk sikur vinte nga një planet i largët, që mund të quhej “Kotësia”
- Në shtëpi ka njerëz!- mundi të sajoj fillin e bisedës Dana. - Ka ardhur komshiu përballë të marrë pëllumbin e tij. Mbylla derën dhe shkova në ballkon i hapa vend te vazot e luleve për të vënë karrigen, që të ngjitej për ta zinte sipër tendës, ku kishte dy orë që nuk shkulej e mund të na e bënte me glasa...
Sakaq Astriti hyri nga ballkoni në dhomë më pëllumbin në dorë, që për fat nuk ishte larguar nga vendi, si i vetmi fakt real që mund të shuante dyshimin e ekzistencën së tij në shtëpinë e kësaj gruaje. Ai i zgjati dorën të zotit të shtëpisë, pa rënë në sy për gjendjen e brendshme prej lojtari të zënë mat.
- Ju lutem të më falni, zoti Kastriot, për shqetësimin dhe falënderoj profesoreshën që më ndihmoi ta zinim, pa u rrezikuar të rrëzohesha nga ballkoni, në atë lartësi ku kishte qëndruar ky shpend i pabindur për tu kthyer në shtëpi, me gjithë ndjelljet që i bëra nga ballkoni im !- mundi të lëshojë fjalët me breshëri Astriti dhe lëvizi drejt derës për të mos krijuar ndonjë dyshim me zgjatjen e qëndrimit aty.
- Qëndroni të paktën për një gotë raki!- e ftoi Kaçi aq shpirtmirë. Ndonëse shpirti i mirë i burrit dhe qenia e tij mashkull i mirë, janë për gruan e re dy gjëra krejt të ndryshme.
- Tu rrittë nderi, ja ku e piva rakinë që më qerasi zonja juaj e nderuar! - tha Astriti ngulmues, duke treguar gotën bosh mbi tryezë dhe pasi i zgjati dorën sërish, doli nga dera si i çliruar nga vargonjtë e tmerrit.
Kaçi u përtyp paksa i hutuar dhe iu kthye së shoqes:
-Shiko, vogëlushja ime, sa të mëdhenj! Sot do hash edhe ti që s’i ke qejf cironkat, se këta janë peshq tamam! - dhe i zgjati asaj vargun për të shkuar të zhvishej.
- Do ha! - tha ajo nga sikleti, por sytë e saj dukeshin sikur thonin, eh, ta dish ti more peshkatar lumi, ç’alamet peshk deti kam ngrënë unë sot...
Astriti shkoi te ballkoni i tij, puthi disa herë pëllumbin te krifa grixho dhe i mërmëriti butësisht: Sot ne të dy kaluam kufirin dhe hymë në thellësi të truallit fqinj, por shyqyr zotit që na doli për mbarë të priteshim bujarisht, ti si pëllumb i paqes, unë si Shënvalentin i dashurisë...
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi