Vullnet Mato:ÇIFTI I HESHTUR.(Tregim)
Faqja 1 e 1
Vullnet Mato:ÇIFTI I HESHTUR.(Tregim)
Vullnet Mato
ÇIFTI I HESHTUR
Tregim
Ata që quheshin nga të gjithë çifti simpatik, ishin dy kamerierë të bar-restorantit kryesor të qytetit provincial. Bimi dhe Elda kishin zënë vend në një nga bangat e fundit të klasës, ku kryenin vitin e fundit gjimnaz të shkollës së natës. Ndryshe nga disa mistrecë të rritur, që i shtynin orët me muhabete e karagjozllëqe, kamerierët e fejuar qëndronin krejt të heshtur në skajin e tyre fundor. Buzëqeshnin ëmbël, kur u drejtoja vështrimin dhe putheshin ndonjëherë kur i kisha sytë larg tyre. Mua më kishin caktuar me detyrim të jepja mësim letërsie në klasën e tyre, sepse disa të tjerë kishin nxjerrë lloj-lloj arsyesh për të mos punuar me ta. Por arsyeja vërtetë ishte se, mësuesit nuk çanin dot me kokat e gdhenjve, të ulur nëpër banga, sa për të marrë një dokument shkolle. Dhe kuptohet, puna e detyruar me këta tipa që nuk hanin pyka, kërkonte mundim dhe nerva të forta. Por sidomos durim të përkryer, për ta përsëritur njëmijë herë fjalën që nuk hynte kurrsesi në trurin e tyre të pagdhendur qysh në fëmijëri. Bimi dhe Elda ishin shtyrë nga viti në vit më pesën mëshirëmadhe, vetëm sepse ishin të urtë. Thuhej mes mësuesve, se një kope me lepuj mund ta bëje zap shumë më lehtë, se një klasë me ronxhobonxho të tillë, që shpërthenin papritmas në të qeshura për budallallëqe krejt të kota dhe të shkatërronin orën e mësimit.”Shkepsiri” tha njëri që nuk e kish mësuar mirë emrin e Shekspirit të madh të letërsisë angleze dhe hajde t’i mbaje bubullimat e gazit të tyre që nuk ndaleshin, derisa ra zilja, pa arritur të shpjegoj mësimin e ri. Le të ishin të rritur në moshë, ata sapo uleshin në banga, bëheshin njësoj si kalamajtë. Kur e shihje vajzën në këmbë, të dukej aq e hijshme dhe elegante, sa të merrte në qafë. Por sapo ulej në bangë, e ulte edhe veten deri në atë shkallë, sa zbulohej tërësisht se ishte nga mendja një kokërr budallaqje, që mjerë kujt i binte në pjesë. Ngaqë më vinte keq për gjendjen e tyre, një mbrëmje u detyrova t’i them njërës që s’i mbyllej goja: - Dëgjo, moj vajzë! Kur dikush që kërkon të lidhë jetën me ty të sheh të heshtur, mund të thotë, kjo kasafortë kaq e bukur, kushedi sa miliona ka brenda. Po kur t’i harron e lë krejt pa çelës dhe zbulon të gjithë boshllëkun tënd, ai ikën nga sytë këmbët. Mirëpo atyre nuk u bënin fare përshtypje këshillat e mia dhe përsëri qeshnin. Bimi me Eldën kishin të keqen tjetër, në trurin e tyre rrëshqitës si xham i pjerrët, nuk zinte vend asnjë pikë uji, nga tërë ato kova me lëndë mësimore që zbrazja mbi ta. Bimit, të mbushur me katra, që e thërrisja të ngrihej në mësim e më thoshte pa lëvizur nga banga: “Vëre katrën, profesor!” arrita deri aty, sa t’i thosha: “Mëso pesë vargje, ose pesë rreshta, të marrësh një pesë!” Pra, një lëshim ky, në kontrast të madh me nxënësit e ditës, nga të cilët kërkoja analiza ideoartistike të thella. Elda, disi më ndryshe, mundohej të nxirrte pak fjalë çalamane të mangëta, sa për një pesë gjysmake. Erdhi dhe fundi i vitit, kur duhej të mbyllja regjistrin e klasës së tyre. Kisha vendosur që Eldën ta shty nga halli, për të mos lënë shumë mbetës në atë klasë, kurse Bimin ta lë përsëritës për vitin tjetër. Ai e dinte mirë gjendjen e tij me shtatë katra në regjistër dhe erdhi më tha teksa po dilja nga klasa: - Ke vendosur të më lësh, profesor? - Po të të kaloj ty, që i ke duartrokitur katrat publikisht e me zë të lartë, duhet të mos lë asnjë tjetër që ma ka sjellë shpirtin në majë të hundës. - Po unë s’të kam bërë fare zhurmë, profesor? - Për qetësinë tuaj të lavdërueshme si çift, do kaloj Eldën. Ti mëso për vitin tjetër pesë vargjet, apo pesë rreshtat që të kam thënë disa herë. - Ju nuk jeni aq zemërngushtë sa thoni, profesor! - Nuk është punë zemre, po punë fjale, që e ke thënë me gjëmim “Vëre katrën!” dhe tani ajo s’më lejon të lë asnjë tjetër në klasë, po të kalova ty. - E ke gabim që më lë, - tha qetësisht, - Një copë pesë për mua, nuk do bëjë hatanë. E vështrova mendueshëm me keqardhje. - Po mirë, more Bim, ta zëmë se të fal një pesë dhe ti e mbaron këtë hall, po si do çash në jetë pa dituritë më elementare që të nevojiten? - Kismet, si të jetë thënë... Unë nuk do bëhem profesor si ju, pjata dhe lugë do çoj te klientët nëpër tavolina... - Do vijë dita që kamerieri duhet të jetë jo vetëm i arsimuar, po duhet të dijë edhe gjuhë të huaj, - ngulmova ta bind. - Eh, o profesor, edhe për një copë gur, siç jam unë, do ketë vend diku në ndonjë mur të shtrembër, sa të mos rrokullisem të më marrë lumi!... Këto fjalë të dhimbsura të një mendje fukarai më bënë të mendohem. Ai iku i mërzitur dhe më dërgoi të ëmën që kishte muhabet me time shoqe. - Po, Bimin tim që e kam rritur me kothere, do lësh në klasë ti, o goxha profesor, që po të mbaj në gojë tek të tërë, si floririn e të gjithë mësuesve!? - O, ho, ho, leri këto lëvdata të kota, se do ta shoh edhe njëherë atë punë! - i thashë për ta hequr qafe dhe duke mos pasur mundësi të lë asnjë tjetër, i kalova të gjithë, duke i hedhur në kontingjentin jetësor, si dengje pa markë. Pas dy vjetësh kishte ndryshuar sistemi shoqëror dhe me privatizimin e bërë në sektorin e tregtisë, Bimi me Eldën kishin marrë nga ndarja me punonjësit e tjerë, lokalin e brendshëm të bar-restorantit. Ata u bënë pronarë të ligjshëm dhe ndërtuan një banak modern në fund të sallës së madhe, ku bari i tyre filloi të tërhiqte klientë nga i gjithë qyteti. Bimi si kamerier dhe Elda e bukur si banakiere, i shtuan mjaft të ardhurat, blenë frigoriferë të fuqishëm, pajisje e komoditete pune, furgon furnizimi dhe një veturë për argëtimet e tyre familjare. Duke dalë kësisoj në krye të konkurrencës mes lokaleve tregtare. Teksa isha duke zbritur nga shkolla me çantën time të punës në dorë, Bimi para derës kryesore më pikasi. Futi një çast kryet brenda, diçka i tha së shoqes te banaku dhe më thirri entuziast: - Të lutem, ktheu një minutë, o profesor! Nuk ia prisha qejfin, më tepër se u bëra kureshtar përse më donte tani që s’kishte aspak nevojë për mua. Hyra brenda dhe kur vura re përzemërsinë, me të cilën më ftonte, duke më marrë për krahu të ulesha te njeri nga kolltukët e rehatshëm, qëndrova së fundi përballë tij. Ai i bëri shenjë gruas dhe ajo solli menjëherë një tabaka të madhe me birra dhe meze të bollshme. - Ti je rob zoti, o profesor! Ne të dy me Eldën nuk e harrojmë kurrë të mirën tënde. Tani mos na e prish qejfin të pimë ndonjë birrë për shëndetin tënd dhe te na urosh, se na ka shkue puna fjollë me këtë lokal! Mbeta pa fjalë. Ngrita gotën që ma kishin bërë gati dhe u thashë: - Hajt, u priftë e mbara dhe me fitime të tjera më të mëdha në të ardhmen! Më bëhet qejfi, që e paskeni rregulluar jetën tuaj për bukuri, me punë! - Faleminderit shumë, - tha ai me një shprehje plot respekt në fytyrë. - Po edhe një fjalë du me ta thanë, o profesor, se më ka ngelë merak kur më ke thanë: Si do çash në jetë ti Bim, që nuk mësove asgjë në shkollë, e unë të thashë, kismet, o profesor. A e shef tani, ti me alamet diplome profesori, s’ke para të hysh në lokalin tim të pish një birrë me gruan. E mua s’më mungon tani asgjë prej gjëje!... E kundrova qetësisht te ata sytë që i shkëlqenin nga euforia dhe i thashë: - Kjo është koha jote, o Bim, koha ime ende nuk ka ardhur !... Nuk di nëse më kuptoi saktë ku e kisha fjalën, por di se ai e përdori dhe e shfrytëzoi në maksimum kohë që kishte në dispozicion. Kaluan disa vjet. Unë ika në kryeqytet, besnik i profesionit dhe pasionit tim. Dhe Bimi me atë copë pesën që i fala atëherë, nuk u bë profesor. Por se si u ngjit deri deputet në parlament, se si i rregulloi problemet e arsimimit, e di vetëm ai. Guri i tij nuk zuri vend në ndonjë mur të shtrembër, por në majën e kalasë shqiptare. Ndodhi një ditë rastësisht, i pashë nga larg si çift, kur zbritën nga benci luksoz dhe hynë në një dyqan mode të Tiranës. Të veshur të dy me kostum të zi firmato. Bimi me kravatë të kuqe dhe këpucë lustrafine me majë. Elda me shall farfuritës dhe këpucë më taka të holla. Të dy me pamje të velur, sikur kishin zbritur nga një planet tjetër i rruzullimit. Unë me një qeskë në dorë, ku kisha blerë ca karota dhe presh, ika ca më larg tyre, për të pritur kohën time. Ndoshta vjen...
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Vullnet Mato:PORTA E LEPROZIT-Tregim
» Vullnet Mato:ÇIFTI QIELLOR
» Vullnet Mato:ÇIFTI I XIXËLLONJAVE
» Vullnet Mato: DASHURIA E AKREPËVE(Tregim)
» Vullnet Mato:FALJA E KOTË(tregim)
» Vullnet Mato:ÇIFTI QIELLOR
» Vullnet Mato:ÇIFTI I XIXËLLONJAVE
» Vullnet Mato: DASHURIA E AKREPËVE(Tregim)
» Vullnet Mato:FALJA E KOTË(tregim)
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi