Vullnet Mato: DASHURIA E AKREPËVE(Tregim)
Faqja 1 e 1
Vullnet Mato: DASHURIA E AKREPËVE(Tregim)
Vullnet Mato
DASHURIA E AKREPËVE
Tregim
Mbrëmja kishte shpërndarë karafilë të ndritshëm mbi majat e mprehta të shkëmbinjve alpin. Gjoni i Markgjekajve me shtatin e hollë prej plepi e me fytyrën e çngjyrosur si guri, ishte çuar në këmbë të puthej me nusen për herë të fundit. Dana e Kolbibajve kishte mbështetur kryet mbi gjoksin e tij dhe sytë larush i notonin nëpër lot.
-Si po ndahena pa u mbush java e dasmës, or Gjon, as vet s’po di ? –murmuriti ajo me zë trishtimi.
Ai i ngriti kryet, i fshiu lotët me mollzën e gishtit të madh dhe ia puthi buzët e kuqe me afsh të nxehtë një grimë herë të gjatë.
-A nuk kena thanë, se po ndahena për me jetue? -ia ktheu Gjoni pasi u mbush me frymë dhe e puthi sërish.
-Po, por si kena me jetue pa njani-tjetrin, ti mbrena në shkamb e unë e vetme nën jorgan?
-Mos u trishto, moj zemër, se s’dihet ç’ka ban zoti e na bashkon shpejt...
-Ç’ka me ba zoti, veç me i shue të tanë burrat e atij fisi, për me jetue na të dy si burrë e grue!...
Gjoni u bind, se nusja e kishte tepër të vështirë të shkëputej prej tij atë natë, por nuk mund zgjatej më tej. Ai u përkul, mori trastën e leshtë, ku kishte vënë litarin e mbledhur kutullaç bashkë me qeskën rrëshirës së pishës dhe e hodhi mbi sup.
Kur pa që ai u gatit për të ikur, Dana iu ngjit sërish.
-Gjon, ke me ra prej shkambit të Currit, e unë duhet me u hudh prej nji shkambi tjetër, me i dhanë fund jetës!...
-Mos ki merak, moj zemër, se kam ba prova me rrëshinë. Kamba e dora ngjiten mbas gurit e s’ban vaki me rrëshkit. Po ti ban si të kam porosit...
Gjoni u përshëndet edhe me të ëmën plakë te dhoma e zjarrit dhe u nis me një peng të rëndë në gjoks. Atëherë Dana shkoi e ra përmbys mbi krevatin e martesës, duke i rimbushur me lot ata sytë e saj si guralec zalli të shkruar.
Shkëmbi i Currit i ngjante një pllake mermeri gjigande, të thyer nga të gjitha anët, me përmasa disa qindra metra katror. Sipërfaqja çuditërisht e lëmuar e këtij shkëmbi ngrihej pjerrtas me qiellin dhe shkëlqente plot reflekse, ditën nga dielli dhe natën nga hëna. Askush nuk kishte arritur të ngjitej nga anët e tij aq të larta e të prera si me thikë. Por edhe sikur të ngjitej, nuk mund të qëndronte kurrësesi në atë pjerrësi me lëmim natyror të mermertë.
Gjoni kishte vendosur të bënte përçapjen e parë, pasi kishte diktuar nga faqja e malit përballë një guvë të thellë afër mesit të shkëmbit dhe një shkurre gjelbëroshe të mbirë te hyrja e saj. Ai e kishte lodhur trurin mjaft, por nuk kishte gjetur asnjë zgjidhje tjetër, për t’i shpëtuar plumbit të armikut të tij të kobshëm, që kërkonte ta linte kullën e Markgjekajve pa burrë pushke e ta shuante krejt fisin. Vëllai i madh kishte vdekur pak kohë pas gjakmarrjes dhe tani radhën e kishte vetëm ai, i mbeturi vetëm. U martua shpejt, me shpresë të linte prapa një mashkull për të zgjatur degën e fisit. Por ja, bijtë e hasmit e kishin ndjekur dhe përgjuar gjithandej, pa arritur mirë të mbillte në barkun e sheshtë të Danës sylarushe djalin që duhej të linte prapa.
Po afrohej mesnata, kur ai shkoi fshehtas te vendi i zgjedhur në skajin e shkëmbit. Hoqi opingat, leu shputat e këmbëve me rrëshirë, më pas duart dhe filloi ngjitjen këmbadoras. Të katër gjymtyrët i kishte kthyer në kthetra të mprehta dhe po i drejtohej pjerrësisë qiellore i ngakuar me trastën e litarit dhe pushkën mbi shpinë. Ishte një përpjekje tepër e lodhshme dhe tejet e rrezikshme. Por pas një mundimi të gjatë, Gjoni me trupin e lehtë e të shkathët si shqarthi, arriti të ngjitet mbi sipërfaqen anësore të rrasës së lëmuar. Teksa u çlodh një copë herë, duke dihatur i djersitur, vështroi poshtë me kujdes. Nën ndriçimin e dobët të hënës, ai dalloi, se lartësia aty duhet të ishte afro pesëdhjetë metra. Pothuaj e mjaftueshme për të lëshuar litarin, me të cilin do të ushqehej gjatë kohës së ngujimit në atë shkëmb. Pastaj sërish këmbadoras u nis drejt shkurres që nxinte te hyrja e shpellës. Me aq sa e ndihmonte hëna, ai vuri re, se shpella ishte nja tri metra e thellë dhe e mbushur me gurë e gjethishte të grumbulluara nga rrëshqitjet e rreshjeve në mote. Kuturisi të mos futej brënda qysh atë natë, për t’u shmangur nga kafshimi i ndonjë gjarpëri. Qëndroi te hyrja, dhe u kthye në shpinë, për ta pritur agun e ditës tjetër, duke numuruar yjet pafund, që çuditërisht nga ai pozicion dukeshin më të mëdhenj e më të qartë.
Gjatë atyre pak orëve pa gjumë, ai mendoi vetëm për Danën. Kishte zgjedhur nuse të bukur, shumë të dashur dhe të urtë. Trupi i saj i bardhë, si i bërë prej llokumi të lyer me mjalt, e kishte magjepsur. Por ç’e do, nuk kishte pasur fat ta shijonte atë ëmbëlsi femërore, deri sa të shuante urinë e beqarnisë, si të gjithë të sapomartuarit e tjerë. Megjithatë, tani meraku i tij i madh kishte të bënte kryesisht me enigmën, nëse kishte arritur brënda gjashtë netëve të mbillte në vazon e saj aq magjepsëse, filizin e vet të ardhshëm...Nëse jo, ai do të mbetej krejt i dëshpëruar, që gjakmarrësit nuk i lanë kohë as për të bërë muajin e mjaltit.
Sapo filloi zbardhëllimi i qiellit, ai u fut prapa shkurres gjethedëndur dhe priti daljen e diellit, për të sqaruar mirë pamjen e brëndshme të shpellës. Ishte paksa e pjerrët nga thellësia dhe pa lagështirë. Mesa dukej, i kullonte ujrat në ndonjë çarje të brëndshme, të mbuluar nga gurishtet. Gjithçka ishte një fat i mirë për zgjatjen e jetës së tij në atë vend të maskuar mrekullisht dhe krejt të sigurt. “Mesa po shof, Zoti, qoftë lëvdue, tash paska fillue me më shique me të dy sytë!”, mendoi i gazmuar.
Fjeti gjithë ditën krejt i uritur dhe nata e dytë erdhi shpejt. Në kohën e paracaktuar shkoi te vendi i ngjitjes dhe lëshoi litarin. Dy qenie të zeza, të vogla sa grushti, lëvizën aty poshtë në fundin e errët. Priti derisa Dana e tij e dashur bashkë me nanën e shtrenjtë lidhën në fund të litarit tri herë me radhë, trastën me ushqime, bucelën e ujit dhe velenxën e madhe, me të cilën do të mbështillej për të fjetur.
Kësisoj filloi edhe numërimi i ditnetëve të gjata të vetmisë së ngujimit. Qiell blu, re bredharake, diell verbues, shi kërcimtar dhe asgjë tjetër nuk e ndërpriste mbështjelljen e lëmshit të mendimeve të tij, që sa vinte rritej e zmadhohej. Pas një muaji gjeti një gur të sheshtë dhe me majën e thikës, gërvishti mesazhin e parë për Danën: “Zemër, a ka gja në të fshehtën tande?“ Dhe pas tri netësh, bashkë me ushqimet ishte edhe letra e shkruar: ”Gjon, o shpirti i em, nuk di çka po ban zoti me mue, po deri tash kurrgja... Më ka marrë malli, sa jam gati me u kthye në zog, po ç’e do se asht e pamundun. Ah, kur ka me ardhë ajo ditë me u bashkue prapë na të dy! “
Letra e bëri Gjonin të vrasë mendjen gjatë. Zbritja e tij për të shkuar ndonjë natë në shtëpi, jo vetëm do të ishte e rrezikshme, por edhe tejet e vështirë. Litari nuk mjaftonte të kacavirej me të, duke e lidhur diku te shpella. Vend tjetër për ta ngecur nuk kishte në atë pjerrësi të lëmuar. Veç kësaj, pushkën dhe gjithçka i duhej kurdoherë me vete, tani i kishte aty. Vetëm Dana i mungonte aq shumë. Dhe së fundi e gjeti zgjidhjen! Në gurin e herës tjetër i gërvishti Danës: “Lidhu fort për mesi dhe mbahu te litari, kam me të marrë përpjetë !”
Dhe ja, ajo natë e lumnueshme erdhi. Dana lëshoi rrëzë shkëmbit sinjalin e përhershëm, duke bërë si qyqe: Ku-ku-ku!... O zot, ç’ishte ai thesar i paçmuar që filloi të afrohej te duart e tij, duke e tërhequr si nga fundi i një pusi të thellë! Dana e bukur, po shkëlqente atë natë më tepër se të gjithë rruzujt që i vërtiteshin qiellit. Hynë menjëherë brënda shpellës dhe u shkrinë të dy në një rrungajë puthjesh, shtrëngimesh e dyndjesh, sikur donin të futeshin përbrënda trupit të njëri-tjetrit. Një ekstazë njerëzore si ajo, brënda një foleje guri të tillë, ndoshta nuk ishte përsëritur në ato anë qysh nga Epoka e Gurit.
Teksa ndaluan një çast, të mbushin me ajër mushkritë e lodhura, Gjoni i tha nuses së vet:
-Kam pa dy akrepë, mashkull e femën si po çiftoheshin sipër një shkambi të thepisun e jam habit. Atë gja kemi ba edhe ne të dy sonte. Jemi dashunue si akrepët. Edhe na të dy jena akrepë që e bajmë dashuninë sipër shkambit të Currit... -u shpreh me një gufim plot kënaqësi të lëshuar nga gjoksi i tij.
-Po ne nuk pickojmë kërkend, si akrepat...- tha ajo me atë zë të ngrohtë që lëshohej direkt në gojën e tij, sikur të ishte rrëke mjalti.
-Ani, se ne nuk pickojmë, e nuk kemi as helm të vdesim tjetërkënd, madje as akrepët që tuten me na helmue jetën, por jena akrepët e dashunisë. Prandaj kemi hy në këtë shpellë shkambi, me kursye edhe jetën e atyne që duan vdekjen tonë...
Dy net e dy ditë, trupat e tyre mbetën të kredhur në zemër të shkëmbit, si dy binjakë siamezë të ngjitur te barku. Natën e tretë, kur nana solli ushqimin, Gjoni e zbriti Danën, duke e lëshuar litarin pak nga pak, fare ngadalë e me mjaft kujdes. Me shpresën e madhe, se tashmë tek ajo duhej të ishte ngjizur filizi i tyre i shumëpritur.
Pas nëntë muajve Dana lindi vajzë. Gjoni u gëzua, por brenga e trashëgimtarit të pushkës, nuk iu hoq nga shpirti. Nusja u ngjit edhe disa herë të tjera në shkëmb dhe vitin e tretë bëri djalë. Plaka i vuri emrin e tij.
Gjat tre vjetëve të ngujimit, Gjoni ishte bërë njësh me shpellën, trup e shpirt. Nëpër degët gjelbëroshe të shkurres dilte tyta e pushkës së tij që përgjonte poshtë, nga oborri i kullës për të mbrojtur gruan dhe shtëpinë, që donin t’ia digjnin. Plumbat që u dërgonte nga ajo guvë e padukshme, dukej sikur ua dërgonte vet qielli i zemëruar. Sepse rrasa e lartë, që i lindte krismat nga barku i saj, i përcillte së pari drejt qiellit. Pastaj lugina e mbyllur nga të katër anët me shkrepa, i shpërndante në formë jehonash. Dhe askush nuk mund ta merrte me mend, se në atë faqe shkëmbore, që shkëlqente si pasqyrë, gjëndej një guvë. Aq më pak të mendonte, se mund të ngjitej njeriu në atë pjerrësi të llahtarshme.
Pikërisht në vjeshtën e vitit të tretë, Gjoni mjekërrosh dëgjoi nga thellësia e shpellës krisma armësh të zgjatura. Dana i shkroi: “Ka plasun lufta me të huejt dhe djemtë e katundit kanë dalë në mal me luftue.” Ai zbriti menjëherë, shkoi në kullë dhe qëndroi vetëm dy net. Të nesërmen herët iu ngjit malit për të takuar shokët. Në batalion, ndryshe nga ç’priste, gjeti edhe djalin e hasmit. Por aty i bindën të pajtohen dhe përfundimisht i falën gjakun njëri-tjetrit.
Pas luftës, Dana sylarushe bëri edhe dy djem të tjerë binjakë, duke i zëvendësuar të tre burrat e fisit Markgjekaj të vdekur nga gjakmarrja. Dhe njëherësh bëri fakt vlerësimin absolut, se mitra e gruas është i vetmi antiplumb për shpëtimin e fisit nga shuarja e plotë.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Vullnet Mato: RIKTHIM TE DASHURIA E PARË
» Vullnet Mato:I SHËMTUARI MISTERIOZ(Tregim)
» Vullnet Mato:Armiq te dashuruar(Tregim)
» Vullnet Mato:KOPSA E VARUR(Tregim)
» Vullnet Mato:SHPULLA E ËMBËL-Tregim
» Vullnet Mato:I SHËMTUARI MISTERIOZ(Tregim)
» Vullnet Mato:Armiq te dashuruar(Tregim)
» Vullnet Mato:KOPSA E VARUR(Tregim)
» Vullnet Mato:SHPULLA E ËMBËL-Tregim
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi