Shaban Sinani: Ismail Kadare i ka provuar e zhvilluar thuajse të gjitha llojet apo nënllojet e letërsisë
Faqja 1 e 1
Shaban Sinani: Ismail Kadare i ka provuar e zhvilluar thuajse të gjitha llojet apo nënllojet e letërsisë
Flet studiuesi, Prof. dr. Shaban Sinani (Qendra e Studimeve Albanologjike)
Ismail Kadare i ka provuar e zhvilluar thuajse të gjitha llojet apo nënllojet e letërsisë
Në periudhën ideokratike letërsia ishte projekt ideologjik, talenti i nënshtrohej programit politik
Rruga krijuese e Ismail Kadaresë nuk është drejtvizore (gjatë më shumë se një gjysmë shekulli)
Periudha e fundme e krijimtarisë së I. Kadaresë, periudha e lirisë, nuk shkakton as të krisura dhe as çekuilibre
Nga Albert ZHOLI
Me rastin e 75-vjetorit të lindjes të shkrimtarit Ismail Kadare në Akademinë e Shkenave të Republikës së Shqipërisë u mbajt një Konferencë Shkencore. Në këtë ditë u mbajtën shumë kumtesa dhe diskutime. Për të marrë një ide më të qartë për veprën e Kadaresë, zhvilluam një bisedë Prof. dr. Shaban Sinani, i cili e ka studjuar për shumë kohë veprën e shkrimtarit të shquar.
Si është komentuar vepra e Kadaresë që nga vepra e parë dhe deri më sot?
Gjatë më shumë se pesë dekadave, qëkurse vepra e Ismail Kadaresë fitoi vëmendjen e opinionit dhe të studimeve, nuk ka mbetur cilësim e kundërcilësim pa u përdorur, prej madhështimit deri tek nënçmimi e refuzimi.
Në dy dekadat e fundme, më shumë se për strukturën e brendshme të veprës së Kadaresë, është debatuar për disa raporte më të përgjithshme, si letërsia dhe shteti e pushtetet; letërsia dhe politika e ideologjia; shkrimtari dhe liria e censura; dhe kjo cilësimet vetëm i ka shtuar.
Ky harxhim i pakursyet i vlerësimeve dhe qortimeve i ka zhvleftësuar këto mjete, qoftë dhe për një jubile. Dhe kjo është arsyeja që në këtë trajtesë do të jetë në vështrim një çështje deri-diku e mbrojtur prej këtij rreziku, ajo e hetimit të një strukture të qendrueshme, të brendshme dhe të padukshme të veprës së tij.
Prej vitit 1954, kur botoi librin e tij të parë, “Frymëzime djaloshare”, deri në këtë përvjetor; rezulton se Ismail Kadare i ka provuar e zhvilluar thuajse të gjitha llojet apo nënllojet e letërsisë, prej skicës e reportazhit deri tek romani e drama, me përjashtim, ndoshta, të komedisë. Veprës së tij nuk i mungon asnjë epokë: parahistorike e historike e popullit shqiptar, prej kohërave të mjegullta mitologjike, periudhës parakombëtare, kohës së formimit të vetëdijes etnike, epokës së humanizmit europian, shekujve të vështirë perandorakë dhe periudhës historike, deri tek bashkëkohësia dhe sezonet politike të sotme.
Çfarë përmban trashëgimi letrar i I. Kadaresë
Trashëgimi letrar i I. Kadaresë është një vepër që përmban dhe i shpërfaq lexuesit kategoritë themelore estetike, prej groteskut tek heroikja, prej së ultës deri tek madhështorja. Kjo është një vepër ku njeriu shqiptar gjendet si qenie e etnodalluar, prej kohërave të ndriçimit rilindës të Renesancës Europiane deri tek një aristokraci e re që u krijua në kuadër të ish-perandorisë osmane, me Qyprillinjtë dhe Hankonatët; prej luftëtarëve komitë të Shqipërisë së pambrojtje deri tek njeriu i bindur ndaj totalitetit të ligjeve gojore; prej qytetarit dyshimtar ndaj vlerave të sistemit politik ideokratik deri tek akullsia kompleksuese e “luftës së ftohtë” që e ndjek individin edhe në botë të lirë.
Kur kanë filluar të paraqesin një dukuri të veccantë, të re veprat e Kadaresë?
Prej fillimit të viteve 1970, saktësisht në mesin e asaj dekade, në punën krijuese të Ismail Kadaresë paraqitet qartë një dukuri e re: veprat e tij gjithnjë e më shumë hyjnë në lidhje të forta me njëra-tjetrën, organizohen në diptikë e triptikë, në trilogji; duke qenë jo vetëm formalisht bashkë nën një titull, por dhe në kushtëzime të forta me njëra-tjetrën. Botimi i fundmë i veprës së plotë të tij, me një pranëvendosje të pranaur edhe nga autori vetë, shpesh duke e shpërfillur kronologjinë dhe duke iu përmbajtur kryesisht kriterit të afërsisë a fqinjësisë strukturore, e bën më të dukshme këtë dukuri.
Plot 55 vjet krijimtari. Si mund të cilësohte shkurt kjo krijimtari?
E vështruar në mënyrë prapavajtëse, pas 55 vjetësh krijimtari, vepra e Ismail Kadaresë mund të cilësohet një projekt letrar, që u nis si frymëzim dhe po kryhet e përkryhet si një mjeshtëri. Në tërësi veprat e Kadaresë ruajnë pavarësinë relative ndaj njëra-tjetrës dhe njëherësh kanë një vend të përcaktuar në kuadër të së tërës. Kjo ka ndodhur shumë rrallë në historinë e letërsisë shqipe dhe në atë botërore. Honoré de Balzac, kur nisi të shkruante novelat dhe romanet e para sentimentale-romantike, si “Lëkura e shagrenit” (“La Peau de chagrin”) dhe “Kolonel Shaberi” (“Le Colonel Chabert”) nuk kishte në mendje të realizonte atë projekt që shumë kohë më vonë ai vetë do ta quante “Komedia njerëzore” (“La Comédie humaine”); tërësi në një, dhjetëra romane e novela sa të pavarura aq dhe të ndërvarura.
Pikërisht kjo është cilësia përcaktuese që mund të vërehet duke studiuar trashëgimin letrar të Ismail Kadaresë. Ajo është një vepër ku çdo njësi ka vendin e vet në të tërën, pavarësisht se shkruar në kohë politike e poetike krejt të ndryshme: në kushte të kufizimit e të lirisë, në kushtet e frymëzimit dhe të refuzimit, në kushtet e kontrollit e të censurës, apo në kushet e lirisë së plotë krijuese.
Struktura e qendrueshme mbikohore dhe organiciteti i veprës letrare të Ismail Kadaresë shpërfaqen qartësisht duke vërejtur se ajo është e disiplinuar në cikle me koherencë të brendshme dhe me lidhje të ndërsjellta mes tyre. Ashtu si rreshtohen me rregullsi të përcaktuar përbërësit e një forme të jetës së gjallë, ashtu krijojnë rregullsitë e tyre të përsëritura në mënyrë të ligjshme në strukturën e përgjithshme të veprës njësitë e saj.
“Projekti Kadare”: paraqitje strukturore
Pa ndonjë vështirësi, nëse struktura e brendshme e veprës së Ismail Kadaresë bëhet pyetje themelore shkencore, mund të dallohen këto cikle të qendrueshëm të saj:
1. Cikli i veprave me motiv apo shkas biografinë e shkrimtarit, në pjesën më të madhe edhe vendlindjen, ngjarjet dhe përvojën e jetës vetjake të tij; cikli me të cilin për herë të parë Ismail Kadare shpall kalimin prej poezisë në prozë, me romanin “Qyteti pa reklama”, shkruar më 1959 dhe botuar pas një gjysmë shekulli. “Çështjet e marrëzisë” mund të konsiderohet vepra e fundme deri më tani e këtij cikli, ku autobiografizmi dhe vendlindja vënë shenjën e bashkimit dhe krijojnë nyjat e ndërlidhjes.
Cikli autobiografik prej fillimeve deri në dekadën e fundme
2. Cikli i veprave me motive etnografike, që rezulton i identifikuar si prirje qysh me romanin “Kronikë në gurë” dhe merr formën më të plotë me romanet “Prilli i thyer”, “Një dosje për Homerin” dhe vepra të tjera, si “Konkurs bukurie burrash në Bjeshkët e Nemuna”. Etnografizmi pa dyshim mbetet një prej shpjegimeve të suksesit të veprës së I. Kadaresë në Perëndim. Bota shqiptare, identiteti shqiptar, psikozat etnike dhe komplekset kombëtare, hershmëria dhe papërsitshmëria e qytetërimit, kishin një traditë të mëhershme në njohjen e Shqipërisë në Europë, por I. Kadare e ndryshoi ekzotizmin e kësaj tradite.
3. Cikli i romaneve me motive mitologjike, shqiptare e klasike; një cikël që zhvillohet fillimisht si një aventurë estetike qysh në mesin e viteve 1960, me librin e ndaluar “Përbindëshi”, dhe bëhet dominues sidomos gjatë viteve 1970, me romanet “Ura me tri harqe” e “Kush e solli Doruntinën”, për të cilët fondi i baladave shqiptare të periudhës arbërore të flijimit dhe ringjalljes shërben si një paratekst kushtëzues; në strukturën e veprës së Kadaresë formon një përbërëse që rregullon ekuilibrin e brendshëm dhe ndërkohor të saj.
Cikli mitologjik si një nyje nënstrukturore e “Projektit Kadare”
4. Cikli i veprave me pretekst jetën e ish-perandorisë osmane, me romanet “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “Qorrfermani”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Komisioni i festës”, “Sjellësi i fatkeqësisë” dhe mjaft vepra të tjera, përmes të cilave shkrimtari ndërtoi paralele të qarta midis totalitetit të teokracisë dhe totalitetit të ideokracisë; megjithëse i afërt me ciklin mitologjik dhe jo larg një cikli tjetër veprash si ato me nxitje prej pamjes vertikale të historisë, funksionalisht dhe përmbajtësisht ka pavarësinë e vet.
5. Cikli romaneve me pikënisje historinë, që gjithashtu i jep fytyrën e vet prozës së Kadaresë qysh në vitin 1962, me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, vijuar me vepra të tjera dekadë pas dekade, prej “Nëntorit të një kryeqyteti” deri tek “Darka e gabuar”, megjithëse nuk mund të quhen në kuptimin e ngushtë të fjalës romane historikë, ka homogjenitetin e vet nënstrukturor.
6. Cikli i veprave me një paralele të dukshme jetën historike-politike bashkëkohore, një prej cikleve më të debatueshëm të veprës së Kadaresë, ku mund të përfshihej pjesa më e madhe e vëllimeve poetikë, me “Përse mendohen këto male” e “Shqiponjat fluturojnë lart”, me “Endërr industriale” e “Motive me diell”, por dhe me disa vepra të mëdha në prozë, fillimisht të menduara si një trilogji, apo “triptiku i sfidave”, me romanet “Dimri i vetmisë së madhe” e “Koncert në fund të stinës”; si dhe triptikun “Vajza e Agamemnonit”, “Pasardhësi” e “Hija”; ka mëvetësi jo vetëm përmbajtësore (rimarrje karekteresh nga një vepër në tjetrën, rikthime kohë pas kohe tek një motiv zanafillës), por edhe estetike.
7. Cikli i letërsisë eseistike, një cikël me prirje dhe karakter panoptik, për çështje letrare, shkencore, kombëtare e ndërkombëtare, bashkëkohore e ndërkohore, i nisur qysh në vitin 1971, me botimin e sprovës “Autobiografia e popullit në vargje” dhe e vijuar me “Ardhja e Migjenit në letërsi”, “Eskili, ky humbës i madh”, “Hamleti, princi i vështirë”, deri tek eseja më e debatuar gjatë dekadës së fundme “Identiteti europian i shqiptarëve”, integrohet në trashëgimin letrar të Ismail Kadaresë duke ruajtur lidhje horizontale mes tyre dhe vertikale me veprën letrare.
8. Cikli i letërsisë dëshmuese, një cikël me karakter sinoptik, me një numër veprash që vit pas viti qartësisht e mëvetësuan si të tillë, si cikël, në dy dekadat e fundme, me veprat “Nga njëri dhjetor në tjetrin”, “Pesha e kryqit”, “Tri këngë zie për Kosovën”, “Bisedë përmes grilash”, “Kohë barbare”, “Letërkëmbim me Presidentin” etj., paraqet një rikthim tjetër të autorit tek të dhënat jetësore dhe u jep mundësi studiuesve të krahasojnë artin dhe ngjarjen, ndikimet e ndërsjellëta mes tyre.
Çfarë të lejon të kuptosh gjithë kjo ndarje?
Kjo ndarje në cikle lejon të kuptuarit e karakterit jorastësor të cilësdo nyje, duke përfshirë dhe nyjet më të vogla, të veprës së I. Kadaresë. Ciklet kanë pavarësi dhe ndërvarësi prej njëri-tjetrit, kanë prerje të përbashkëta dhe jo mure ndarës. Romani “Kronikë në gur” mund të përfshihet njëherësh në ciklin autobiografik, në ciklin historik dhe në ciklin perandorak. Romani “Muzgu i perëndive të stepës” mund të përfshihet në ciklin mitologjik po aq sa në atë autobiografik apo politik. Romani “Rrethimi” mund të përfshihet në ciklin historik, po aq sa mund të bashkohet me letërsinë mitologjike dhe deri-diku edhe me ciklin perandorak. Secilit prej këtyre cikleve mund t’u gjenden jo një, por vepra ku mund të shembëllehen: ciklit autobiografik mund t’i bëhej përfaqësim “Koha e shkrimeve”, ciklit etnografik “Prilli i thyer”, ciklit mitologjik “Kush e solli Doruntinën”, ciklit perandorak “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, ciklit historik “Kështjella” apo “Rrethimi”, ciklit politik “Koncert në fund të dimrit”, eseistikës “Identiteti europian i shqiptarëve” dhe prozës dëshmuese “Nga njëri dhjetor në tjetrin”, për të përmendur vetëm nga një prej tyre.
Sot si mund të koneptohet kjo gjerësi e veprës së Kadaresë?
Megjithëse e organizuar me një disiplinë të tillë, që lexuesit të sotëm gjithë kjo trashëgimi t’i paraqitet si një program i vetëm, vepra e Ismail Kadaresë është e hapur, ciklet kryesore të saj vazhdojnë të pasurohen nga një vit në tjetrin, në tabelën e këtij programi ka vende që paramendohen për t’u plotësuar ashtu si në tabelën e përgjithshme të elementëve të botës ku jeton njerëzimi.
Duke vërejtur cilësitë njësuese nënstrukturore dhe strukturore në tërësinë e asaj trashëgimie që ka propozuar mendja krijuese e Ismail Kadaresë, pyetja nëse ka ekzistuar një projekt i tillë qysh në krye të udhës është e pashmangshme. Gjithashtu dhe një përgjigje naive është krejt e gatshme: në periudhën ideokratike letërsia ishte projekt ideologjik, talenti i nënshtrohej programit politik, dhe kështu ky projektim parapavajtës i veprës së tij në studime nuk ka asgjë për habi, sepse ka ardhur prej kontrollit apo prej programit ideologjik. Në të vërtetë, krejt në të kundërtën, vepra e I. Kadaresë mund të shihet si një projekt vetëm artistik, që i ka ruajtur qerthujt e saj si baraspesha të mëdha të yllësisë së vet, me një shpërfillje evidente ndaj ndryshimeve të mëdha e të vogla të stinëve politike dhe të ideologjive sunduese.
Kjo nuk do të thotë se rruga krijuese e Ismail Kadaresë është drejtvizore gjatë më shumë se një gjysmë shekulli. E nisur si një vepër frymëzimi, qysh në vitin 1961 I. Kadare dhe brezi të cilit ai iu bë fytyrë refuzuan estetikisht një poetikë të vjetëruar dhe të konsumuar, duke sjellë ndryshimin më të madh të gjysmës së shekullit të 20-të në vjershërimin në gjuhën shqipe në Shqipëri. Refuzimi estetik do të shfaqej njëkohësisht dhe në vëllimin “Lirika” botuar në Moskë nën kujdesin e kritikut strukturalist David Samiolov, i cili do të ishte i detyruar të shenjonte në hyrje se ky shkrimtar është nën ndikimin e dekadencës poetike euro-perëndimore. Provokimi estetik do të vijohej pa shumë vonesë prej tij edhe në prozë, me romanin e shthurur “Përbindëshi”, ndërkohë që proza tjetër e asaj dekade, sidomos poezia, vazhdonin të shprehnin bindje.
Kur fillon dyshimi dhe kontestimi në vlerat e sistemit në veprën e Ismail Kadaresë?
Botimi i “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur” në Francë në vitin 1971, dështimi i stinës së shkurtër të liberalizmit në vitin 1972, fushata e egër popullore ndaj romanit “Dimri i vetmisë së madhe” më 1973, ndalimi i poemës “Në mesditë Byroja Politike u mblodh” më 1975, janë shpallja e zhgënjimit dhe hap pas hapi edhe e konfliktit të shkrimtarit me pushtetet dhe me doktrinën e tyre për letërsinë. Në një fazë të mëvonshme në veprën e Ismail Kadaresë shfaqet refuzimi i bashkëkohësisë, privilegjit të letërsisë së realizmit socialist, dhe arratisja në hershmëritë e kohëve të fisnikërisë arbërore, si një tjetër formë refuzimi të politikave dhe përparësive shtetërore në letërsi. Ndërsa romani “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” dhe “Koncert në fund të stinës” shenjojnë pa dyshim kalimin prej bindjes në dyshim, prej dyshimit në zhgënjim, prej zhgënjimit në revoltë e refuzim dhe prej refuzimit në mënyrë përfundimtare në disidencë. Vëllimi i 11-të i veprës letrare të Kadaresë nuk u botua kurrë, sepse aty duhej të gjendej “Nëpunësi”, për të cilën shkrimtarë, kritikë, relatorë, mbikëqyrës, funksionarë dhe autoritete të larta politike shkresërisht qenë shprehur se autori duhet ta harrojë një herë e mirë, bashkë me “Koncertin në fund të stinës”. Dëshmia më e drejtpërdrejtë e përjashtimit të kësaj vepre prej letërsisë së pranuar të Kadaresë është fakti që ky vëllim, edhe pasi kanë kaluar tri dekada prej kohës së përgatitjes, megjithëse vëllimi i 12-të u botua, asnjëherë nuk e zuri vendin e vet të lënë bosh si një plagë e hapur.
Kur flasim për periudhën e fundme....?
Periudha e fundme e krijimtarisë së I. Kadaresë, periudha e lirisë, e cila vuri në vështirësi krijuese disa breza shkrimtarësh, duke përfshirë dhe më të rinjtë, projektit të veprës së tij nuk i shkakton as të krisura dhe as çekuilibre: të tetë ciklet vazhdojnë të pasurohen me rregullsinë e brendshme të veprës: “Kronikë në gur” dhe “Darka e gabuar” mund të qendrojnë pranë njëra-tjetrës pa iu druajtur efekteve të “kohës së përmbysjes”, ashtu si mund të qendrojnë denjësisht pranë e pranë “Çështjet e marrëzisë” dhe “Koha e shkrimeve”, “Identiteti europian i shqiptarëve” dhe “Ardhja e Migjenit në letërsi”, “Tri këngë zie për Kosovën” dhe “Krushqit janë të ngrirë”.
Pyetja nëse vepra e Kadaresë mori në mënyrë të vetëdijshme karakterin e një projekti në një çast të caktuar të krijimtarisë së tij, apo fund e krye erdhi si e tillë në mënyrë të vetvetishme do të merrte një përgjigje duke iu referuar të dhënave të jetës krijuese të shkrimtarit. Vetëm në mesin e viteve 1970 Kadare flet për herë të parë për trilogji, triptikë, grupe veprash të ndërlidhura mes tyre, dhe kjo është koha kur shkrimtari mund të ketë menduar për pasurimin e cikleve themelorë të veprës së tij. Kjo ka një ngjashmëri me frymën e shkrimeve biblike, ku e shkuara kushtëzon të ardhmen, ndodhia e re gjen shpjegim prej profecisë së vjetër, e parathëna e një breznie gjen konfirmin në jetën e brezit tjetër. “Në Besëlidhjen e Vjetër Besëlidhja e Re është fshehur. Në Besëlidhjen e Re Besëlidhja e Vjetër është shpallur” (Northrop Frye, “Kodi i madh - Bibla dhe letërsia”, London 1982, p. 78).
Një vepër e shkruar në mjedise dhe gjendje kohore nga më të ndryshmet, pavarësisht se cili ishte raporti i shkrimtarit me kohën: frymëzim, bindje, kontestim, zhgënjim, refuzim apo ikje drejt disidencës; dhe megjithatë ruan organicitetin e vet, formon një letërsi të madhe dhe është shprehje e një gjenie krijuese.
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Letërsia në totalitarizëm dhe Kadare:Botimi i ri/ Shaban Sinani: “Letërsia në totalitarizëm dhe “Dossier K”, botoi “Naimi”, Tiranë 2011.
» Rrahim Sadiku:Ku dallojnë Ismail Ismail Kadare e Rexhep Qosja
» Shaban Sinani: Letrarësia dhe vërtetësia në letërsinë dëshmuese
» (STUDIMI MONOGRAFIK "ETNOS NË EPOS" NGA SHABAN SINANI)
» Kadare përzgjidhet për çmimin e letërsisë së huaj në Britani
» Rrahim Sadiku:Ku dallojnë Ismail Ismail Kadare e Rexhep Qosja
» Shaban Sinani: Letrarësia dhe vërtetësia në letërsinë dëshmuese
» (STUDIMI MONOGRAFIK "ETNOS NË EPOS" NGA SHABAN SINANI)
» Kadare përzgjidhet për çmimin e letërsisë së huaj në Britani
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi