Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

1999, Ja si u mor peng autobusi grek nga emigranti shqiptar

Shko poshtë

1999, Ja si u mor peng autobusi grek nga emigranti shqiptar Empty 1999, Ja si u mor peng autobusi grek nga emigranti shqiptar

Mesazh nga Agim Gashi Sun Mar 22, 2009 11:53 am

1999, Ja si u mor peng autobusi grek nga emigranti shqiptar
Më 28 maj 1999, Flamur Pisli, një emigrant shqiptar rrëmbeu një autobus publik grek në sheshin qendror të një qyteti të vogël grek, ku jetonte dhe punonte prej vitesh. Pas një arratie prej 20 orësh në veri të Greqisë dhe në jug të Shqipërisë, Pisli dhe një nga pengjet greke, Jorgos Kulluris, u qëlluan për vdekje nga snajperët shqiptarë jashtë qytetit të Elbasanit. Si një parashikim që bëhet realitet i një gjëje që mund të ndodhë, pengmarrja shkaktoi shumë zemërim dhe armiqësi që ishte mbledhur në shoqërinë greke gjatë viteve '90 lidhur me figurën e emigrantit shqiptar, por edhe atë të punëdhënësit grek. Gazetarja greke, Penelope Papailias ka përmbledhur në një libër historinë e pengmarrjes dhe të gjitha të pathënat e saj, të zbuluara gjatë vizitës në Shqipëri dhe takimeve me bashkatdhetarët e Pislit, por edhe rrëfimeve të njerëzve që e njihnin nga afër atë gjatë kohës kur jetonte në Greqi. “Gazeta Shqiptare” sjell “rrëfimin” e gazetares Papailias lidhur me historinë tragjike, nëpërmjet faqeve të librit të saj.
Nga Penelope Papailias
...Ngjarje të tilla si pengmarrja e Flamur Pislit, përbëjnë raste të pazakonta për të rrëfyer emigracionin. Për punëtorë të tjerë shqiptarë në Greqi, historia e tij rezultoi në një pikë reference për historitë e tyre të punës dhe konfliktet, sfond për ndjesi zemërimi dhe një rast për të kujtuar ëndrrat për vetërealizim dhe pajtim. Pengmarrja konsiderohet si vendi më i keq për të nisur një kërkim kritik lidhur me historinë. Sidoqoftë, më tepër se diçka që duhet të shpjegohet për shkak të analizës sociale, rrëmbimi dhe përshkrimi i tij në tekstet shqiptare dhe greke, që nga reportazhet gazetareske deri te këngët, mund të jetë një hapje për të menduar përtej kësaj.
Shkaqet që nxitën pengmarrjen e shqiptarit Pisli mbeten subjekt debatesh e ndoshta do të jenë gjithnjë të tilla në mungesë të një hetimi zyrtar, megjithatë, ka disa gjëra që dihen me saktësi për atë mëngjes kur ndodhi tragjedia.
Historia
Në orën 10:30 të paradites, një autobus ndaloi në qendrën e Kate Scholarit, një fshat që ndodhet në periferinë e Selanikut. Pasagjerët, si zakonisht hipën në autobus, dhe mes tyre edhe Flamur Pisli, një fytyrë e njohur për disa prej atyre që ndodheshin aty. Pak minuta më pas, Pisli nxori një kallashnikov dhe dy granata, njërën me siguresë të hequr dhe urdhëroi shoferin ta çonte autobusin në rajonin e policisë në Selanik, ku ai akuzonte tre persona, një polic, një roje sigurie dhe pronarin e një fabrike këpucësh, se kishin sajuar akuzat kundër tij për armëmbajtje pa leje dhe e kishin çuar në burg, ku ai ishte torturuar dhe abuzuar seksualisht. Sipas Pislit, ata kishin marrë hak ndaj tij për shkak se i vëllai kishte pasur një lidhje dashurie me gruan e pronarit të fabrikës së këpucëve. Pasi policia nuk pranoi të merrte në konsideratë akuzat e Pislit, autobusi nisi të bënte një udhëtim të gjatë në veri të Greqisë, i shoqëruar nga makinat e policisë, ambulancat dhe gazetarët si dhe makina private. Pisli kërkoi kthimin e tri armëve kallashnikov që i ishin "dhënë" nga tre të akuzuarit, 50 milionë dhrahmive dhe kalim të sigurt në Shqipëri, ku ai kishte premtuar se do të lironte pengjet pasi të pinte një kafe matanë, në sheshin qendror të Tiranës. Kur paratë dhe armët iu siguruan, ai nuk pranoi t'i merrte, sepse tha se ato nuk ishin të njëjtat armë për të cilat ai ishte dënuar. Duke përdorur celularin e një pasagjeri, ai tha për publikun grek se ishte i pafajshëm, se e kishin dënuar në mënyrë të padrejtë dhe se ai do të rivendoste në vend nderin e tij e se nuk do t'u bënte asgjë pasagjerëve. Afër mesnatës, autobusi mbërriti dhe kaloi kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë me Pislin dhe nëntë pasagjerë të marrë peng.
Momenti i keq
Pengmarrja nuk mund të ndodhte në një moment më të keq për marrëdhëniet shqiptaro-greke. Operacionet e bombardimit të NATO-s në Kosovë dhe Jugosllavi po vazhdonin, një akt i dënueshëm ky nga opinioni publik dhe pengmarrja i shtonte edhe më shumë tension marrëdhënieve të acaruara. Pas përfundimit të saj, autoritetet shqiptare fillimisht pretenduan se Pisli e qëlloi Kulluris dhe më pas ai kreu vetëvrasje. Por, mbulimi televiziv i ngjarjes nga 'Reuters', tregoi snajperët e qeverisë shqiptare që qëllonin Kullurisin. Qeveria i dërgoi një kërkesë zyrtare për ndjesë familjes së tij dy vjet më vonë. Ndërkohë, qeveria greke u kritikua në vend për shkak të mënyrës së përballimit të situatës, largimin nga përgjegjësia dhe përpjekjet për t'ia lënë atë në dorë autoriteteve shqiptare, që më pas bënë ndërhyrjen fatale. Në mënyrë që të përballej me kritikat ndaj qeverisë së tij për mungesë efektiviteti, kryeministri Kostas Simitis urdhëroi dëbimin masiv të emigrantëve të paligjshëm. Në një përgjigje ndaj kësaj, Paskal Milo, ministri i Jashtëm i Shqipërisë në atë kohë, akuzoi qeverinë greke se do destabilizonte Shqipërinë në një kohë kur ajo po priste shumë refugjatë. Ai shtoi se do të rishikonte vendimin për të mos dërguar refugjatë në zonat ku banonte minoriteti grek në Shqipëri. Gazeta me prirje të djathtë "Elefterotipia" shkruante se qeveria greke ishte frikësuar nga fakti se shqiptarët e krahasuan dëbimin e emigrantëve me një spastrim etnik.
Media
Media greke e pasqyroi pengmarrjen si një histori të jashtëzakonshme, duke vënë në dukje pamundësinë e shtetit grek për të marrë nën kontroll situatën dhe nxjerrjen në pah të një shqiptari, në një kohë kur kufijtë mes dy vendeve kanë qenë përherë problem për shkak të historive të emigrantëve që donin të hynin në Greqi. Mendimet për pengmarrjen kanë qenë të shumëllojshme. Shumë grekë e konsideruan atë si një fiasco të medias, duke kritikuar përzierjen e pakujdesshme të gazetarëve në negociata. Disa të tjerë ishin në anën e Pislit, që e konsideronin si një njeri të dëshpëruar dhe të persekutuar. Ndërsa ngjarja sqarohej, gazeta 'Elefterotipia' shkruante: "Në zërin e tij ka pak ton histerie, por gjithçka që ai thotë ka logjikë dhe në fund ishte një njeri që luftoi për të drejtat e tij". Ndërsa në Shqipëri, pengmarrja e tij konsiderohej si hakmarrja e Pislit ndaj brutalitetit grek. "Atë e torturuan duke i futur kaçavidat nën lëkurë. Nuk jemi në Vietnam këtu. Është vitit 2000 dhe jemi në Ballkan, e kjo ndodhi në një vend fqinj me ne", - thonë shqiptarët. Pavarësisht të gjithave, historia e Pislit i ngjan pak të gjitha historive të jetesës së emigrantëve shqiptarë në Greqi. Trazirat politike dhe kriza ekonomike e kapi atë në një moshë të re, ishte vetëm 16 vjeç kur regjimi komunist u rrëzua. Rruga e vetme ishte emigracioni. Në Greqi ai nisi të punonte e të ndihmonte familjen, por aty ra pre edhe e shumë padrejtësive që ndodhnin në vend ndaj emigrantëve shqiptarë, tradhtia e punëdhënësit, vjedhja e fitimeve të tij, shkatërrimi i dokumenteve të tij, rrahja e torturat nga policët. Kur ishte kthyer një herë në Shqipëri, Pisli i kishte thënë të atit se preferonte të vdiste më mirë si burrë.
Incidenti
Incidenti nuk u transmetua nga televizioni shqiptar dhe asnjë prej gazetave nuk e pasqyruan çështjen të nesërmen. Kryeministri shqiptar i asaj kohe, Fatos Nano, ishte nën kritikë në atë periudhë për shkak të marrëdhënieve të tij të ngushta me grekët dhe mbylljen e syve ndaj problemeve të shqiptarëve emigrantë në Greqi. Duke e vajtuar publikisht djalin e tij, i ati i Pislit e ngriti zërin ndaj heshtjes zyrtare dhe kritikoi më shumë përgjegjësinë e shtetit sesa të djalit të tij për këtë tragjedi.
Pasi e tejkaluan hezitimin e tyre fillestar për të folur për këtë incident, një pjesë e shqiptarëve që takova më thanë se ata besonin se Pisli kishte qenë një figurë shumë periferike në një grup grek të krimit të organizuar që përfshinte policë të korruptuar dhe të tjerë persona që banonin në këtë fshat dhe që kishin shërbyer si ndërmjetës për të trafikuar armët nga Shqipëria, pas plaçkitjes masive në këtë vend në vitin 1997. Kur kishte kërkuar pagën e tij, bosët i kishin grisur dokumentet dhe e kishin akuzuar për armëmbajtje pa leje. Ata e degdisën në burg, ku Pisli ishte keqtrajtuar dhe abuzuar seksualisht. "Ai thjesht donte t'i bënte keq askujt, donte t'i përdorte pengjet për t'ia bërë të ditur çështjen e tij publikut". Bashkëbiseduesit e mi më thanë se çështja më shumë se me grekët kishte lidhje me shtetin shqiptar. Fakti se polici shqiptar e vrau Pislin, e ktheu atë në një simbol të fuqishëm të lidhjes së shtetit me shtetasit e tij të brishtë. Që prej pengmarrjes, Pisli, që në një shkrim të gazetës shqiptare "Koha Jonë" u konsiderua se njeriu që tronditi Ballkanin, mbetet ende një çështje e shumëdiskutuar kur flitet për korrupsionin e shtetit si dhe trajtimin e emigrantëve në Greqi.

G. Shqiptare
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi