Papa Pali II: Do të vdesë ateizmi, do të vijnë ditë të mira për shqiptarët!
Faqja 1 e 1
Papa Pali II: Do të vdesë ateizmi, do të vijnë ditë të mira për shqiptarët!
Papa Pali II: Do të vdesë ateizmi, do të vijnë ditë të mira për shqiptarët!
Intervistuan: Idriz Morina e Marie Nikolla
Për bëmat e Papës Gjon Pali II për shqiptarët, flet Don Lush Gjergji, në 100-vjetorin e lindjes së Papës
Vështirë është të gjesh sot se kush janë kryeheronjtë e lirisë së sotme të shqiptarëve. Por, nuk është vështirë të gjesh se kush ishin miqtë tanë më të mëdhenj. Njëri nga njerëzit më me ndikim në shekullin e XX, Papa Gjon Pali II, doli të ishte pakundërshtueshëm kryemiku i shqiptarëve, i cili dashurinë dhe devotshmërinë për të ndihmuar shqiptarët, e gjeti tek shenjtët ilir, si Shën Flori dhe Shën Lauri, e rriti këtë dashuri me njohjen e Skënderbeut, këtë kryembrojtës të krishterimit dhe qytetërimit perëndimor në mesjetë, dhe u dominua nga dashuria njerëzore e Nënës Terezë. Pas SHBA-ve, ndikimi i tij duket të ketë qenë nga më vendimtarët për çlirimin e shqiptarëve nga serbët. Për një karakterizim të tillë, meritat i takojnë njërit prej patriotëve më të shquar sot, Don Lush Gjergjit, i cili vazhdon që përveç kontributit për fenë të bëjë të pamundurën për t’i dal në ndihmë atdheut, shqiptarizmës.
“Bota sot”: Z. Don Gjergji, si u njohët me Papa Gjon Palin II dhe çfarë mbresash ruani nga ajo njohje?
Don Gjergji: Unë e kam njohur Papa Gjon Palin II qysh si student, nëpërmjet sekretarit të tij, kështu që kemi pasur takime dhe biseda edhe kur Papa ka qenë kardinal i Krakovit në Poloni. Por, takimi që ishte publik, ka qenë 16 tetori i vitit 1978 kur Karol Wojtyla u zgjodh Papa Gjon Pali II. Unë kam qenë i vetmi gazetar katolik i Jugosllavisë në atë kohë në atë ceremoni dhe e kam njohur personalisht përpara, por e kam njohur edhe historinë, traditën dhe kulturën e popullit polak. Po atë ditë derisa ai paraqitej në ballkonin e kishës së Shën Pjetrit unë kam dhënë intervistën e parë publike për të në RAI Uno dhe kam vlerësuar se si ky papë vjen prej një populli martir. Mos të harrojmë se atëherë Polonia ishte zemra e sistemit rus dhe sovjetik të Paktit të Varshavës dhe kam thënë se ky do të ketë një mirëkuptim dhe mirënjohje ndaj popujve, të cilët ende janë nën sundimin ideologjik të komunizmit dhe të ateizmit. Ajo është dëshmuar, sepse ky Papë ndër shumë merita që ka, e ka meritën se i ka dhënë grushtin përfundimtar komunizmit dhe ateizmit. Ai ndoshta do të kishte vdekur, por jo aq shpejt me Solidarnosh-tin, Lech Valencën dhe paralelisht edhe me ne këtu në Kosovë. Aspekti tjetër që e kam theksuar është se ky Papë, populli i tij dhe kisha e tij do ta ketë një mirëkuptim edhe ndaj popullit shqiptar, gjë që është dëshmuar shumë, sepse kudo që pati rast dhe mundësi Papa Gjon Pali i II e dëshmoi këtë si me qëndrime, ashtu edhe me sjellje e me lidhjen me popullin shqiptar dhe këtu mund të hyjnë shumë elemente.
“Bota sot”: Nga buron ajo dashuri, përzemërsi dhe konstitencë që shihet tek Papa për çështjen shqiptare në përgjithësi?
Don Gjergji: Shqipëria ishte i vetmi shtet ateist, ndërsa tjetra është se Nënë Tereza e informonte Papën për gjendjen si në Kosovë si në Shqipëri. Prandaj, Papa e dëshmoi këtë lidhje shpirtërore me popullin shqiptarë në shumë aspekte. Në vizitën e parë në Bari në fjalën e rastit tha “shikimi im është përtej detit”, dhe ishte e qartë se mendonte se atje njerëzit ende dënohen me burgje, me vdekje vetëm pse besojnë në Zotin dhe dëshirojnë ta duan njëri tjetrin. Pastaj, të njëjtin apel e bëri publik edhe në Otranto, që është pjesa më e afërta me bregdetin, e sidomos Papa e shpalosi zemrën e tij me 2 shkurt 1981 kur i pati thënë Imzot Nikë Prelës dhe mua: “Pas popullit polak më së shumti i dua shqiptarët, sepse keni vuajtur padrejtësisht dhe shumë gjatë dhe na keni dhënë Nënën Terezë”.
“Bota sot”: Ju përmendët takimin me Papën, është fjala për një audiencë për Ipeshkvinë e Kosovës, në të cilën kishte parashikuar rënien e komunizmit, kurse imzot Nikë Prela profetizonte shpërthimin e demonstratave të `81-shit. Si e kujtoni atë takim?
Don Gjergji: Sot e atë ditë e konsideroj se ishte vërtetë një ngjarje e madhe e dy njerëzve, të cilët folën me një frymëzim besoj prej vetë Zotit, sepse me një anë Ipeshkvi ia paraqiti gjendjen shumë të tensionuar Papës dhe i tha tekstualisht: “Kosova është para eksplodimit! Shenjtëri, bëjë diçka për Kosovën tonë!”. Papa në anën tjetër ishte aq i vendosur dhe aq i sigurt dhe i tha: “Shkëlqesi në foltoren tuaj dje ishte ulur Lech Valensa dhe mi tha të njëjtat gjëra, por ta dini se fitorja është e Zotit, e lirisë dhe e demokracisë”, dhe përfundoi, “Do të vdesë komunizmi dhe ateizmi dhe do të vijnë ditë më të mira edhe për popullin shqiptarë dhe për botën mbarë”!. Në atë moment mu duk një optimizëm i tepruar, sa që më shkoi mendja, a është e mundur se ky njeri ka harruar kaq shpejt çka ka përjetuar vet, populli i tij dhe kisha e tij. Por, ajo thënie doli e vërtetë, dëshmoi se ishte vizionar i mirëfilltë dhe i vërtetë, sepse shumë shpejt, nëpërmjet lëvizjeve Solidarnosh-t me Dancika-n, në Poloni dhe lëvizjet në Kosovë, dalëngadalë filloi të dridhej një sistem që dukej se ishte i pamposhtshëm dhe që dukej se do të sundonte shumë gjatë. Pra, Papa e njihte popullin shqiptarë më së miri nëpërmjet vuajtjes dhe nëpërmjet Nënës Terezë.
“Bota sot”: Këto ndjenja pro shqiptare të Papës Gjon Pali II a ishin ndikuar nga Nëna Tereze, e cila e kishte familjen e saj në Shqipëri dhe asaj nuk po i lejohej vizita?
Don Gjergji: Papa e ka ditur mirë këtë gjë edhe me vdekjen e nënës Drane më 12 korrik 1972, edhe me vdekjen e motrës Age me 1973, ai e ka ditur shumë mirë se në çfarë gjendje ishte Shqipëria dhe në veçanti kisha katolike, prandaj nëpërmjet Nënës Terezë vetëm potencohej më tepër se nëse edhe një Nënë Terezë nuk mund të merrte pjesë në varrimin e nënës dhe të motrës, atëherë dihej se diktatura ishte skajshmërisht e rreptë dhe jonjerëzore dhe se nuk vlerësonte askënd dhe asgjë, dhe prandaj Papa bënte apele. Por, frika e Papës në apelimet e tij, ishte se mos e keqësonte edhe më tepër gjendjen e njerëzve që ishin atje. Kjo ishte brenga dhe shqetësimi i tij, që në një anë, t’i dëshmonte botës se është një popull i vogël, një kishë e vogël, e cila është në katakombe, është martire. Dhe nëse lexohen fjalimet e tij e analizohen mirëfillti se çfarë ka bërë Selia Shenjtë dhe Papa personalisht, atëherë shihet se Papa me një diplomaci të stërholluar nuk ka shkuar kundër dhunës dhe kundër të keqes, por gjithmonë është nisur prej asaj se populli fisnik, populli bujar, populli i cili ka pësuar gjatë shekujve, i cili ka nevojë për liri dhe demokraci, dhe në këtë mënyrë i ka paraqitur perspektivën dhe mundësinë e një ndërrimi dhe ndryshimi rrënjësorë. Prandaj, Papa ka bërë një shërbim të madh në internacionalizimin e çështjes së Shqipërisë më mirë se askush tjetër nëpërmjet intervenimeve, fjalimeve, agjendave. E thirri botën jo për një sulm, jo për një kundër revolucion, jo për ndërhyrje të mundshme, por dalëngadalë e përgatiti botën, se është një popull, është një kishë, dhe se duhet të ndihmohet.
Fjalimet që i mbajti në Shkodër dhe në Tiranë, janë programore dhe ai e fton tashmë botën që ta ndihmojë, ta përkrahin lirinë dhe demokracinë edhe në aspektin ekonomik, kulturor dhe shpirtëror, pasi që Shqipëria ishte viktimë e diktaturës gati gjysmë shekullore.
Respekti i Papës për shenjtët ilir
“Bota sot”: A kishte ndikuar në bindjen e tij për të ndihmuar shqiptarët, Kosovën edhe një memorie, një respekt për të kaluarën kristiane ilirike?
Don Gjergji: Ai sa ka qenë prift i ri në Krakovë e ka ndërtuar një kishë në nderë të Shën Florit, përmes kardinalit të atëhershëm të Krakovës ka kërkuar reliktet, eshtrat e Shën Florit dhe i ka marrë, dhe një pjesë e Krakovës quhet Floriana. Unë ia thashë Papës se na lidhin miqësitë e vjetra dhe të reja: “Shenjtëri, lidhjet tona janë shumë të hershme, qysh prej Shën Florit dhe Laurit”! U befasua sepse kurrë nuk është shkruar një libër dhe unë e shkrova këtë detaj dhe i thashë: “Ju e keni ndërtuar kishën për nderë të Shën Florit, dhe Shën Flori e Lauri a e dini se janë Dardan”. Aq e ka habitur kjo dhe tha se paska dikush që dika shumëçka për mua, edhe atë që unë kam harruar. Unë desha t’ia prek ndjenjat dhe ndërgjegjen si ka dashur Zoti që në Krakovë të jetë ai dhe të jetë Krakova, që ka një lagje që quhet Floriana dhe një kishë që është e Shën Florit.
Papa e ka njohur shumë mirë historinë e krishterimit, prandaj edhe martirizimin tonë gjatë dhunës dhe përndjekjeve të mëdha deri në vitin 313. Papa e ka ditur mirë se Konstandini i Madh është me prejardhje ilire dhe ai e ka dhënë lirinë e pranimit dhe respektimit të kristianizmit, dhe vet është bërë i krishterë. Papa i ka ditur mirë dyndjet e botës sllave, sidomos e ka njohur mirë figurën madhore të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe gjithë atë përpjekje që ai e ka bërë për të ruajtur vlerat kulturore dhe shpirtërore evropiane dhe kristiane. Nënën Terezë ai e ka trajtuar si fryt i gjakut të martirëve. Prandaj, edhe për librat që ia kam dhuruar shpeshherë, ai vet më thoshte keni bërë mirë që i keni shtjelluar në prizmin e asaj që është martirizimi shumëshekullor iliro-shqiptar, që ka qitur në dritë Nënën Terezë, e cila e ka kuptuar më mirë se askush në botë vuajtjen dhe dhimbjen e të tjerëve duke u nisur prej vuajtjes familjare, kishtare, prej vuajtjes që e ka pasur populli i saj që ka pasur, prandaj e vinte në spikamë se ajo është e ujitur me gjakun e martirëve dhe ajo është shpresa më e bukur e një martirizimi jo vetëm me dhunë, urrejtje, mllef që jam i fortë të ta kthej, por me një kthim krejt tjetër që është shërbimi, fjalimi, dashuria dhe falja. Për këtë arsye Nëna Terezë për Papën ishte përfaqësuesja më e denjë. Në 1986 e paraqet thuajse shenjtëreshë edhe pse ishte gjallë dhe thotë unë vizitova dhjetë ditë Idinë, kisha fatin të madh që ta kisha në të djathtë ose në të majtë Nënën Terezë dhe kur doja t’iu shpjegoja njerëzve se kush është Jezu Krishti dhe kisha katolike, mjaftonte që me gisht të tregoja Nënën Terezë dhe të gjithë e kuptonin. Pra, identifikohej me kishën katolike. Krishterimi më së miri pasqyrohet nëpërmjet Nënës Terezë dhe kjo nuk ka ndodhur në historinë e papatit, që një Papë për një personalitet që është gjallë ta identifikonte si të tillë, të shenjtë. Kur Nëna Terezë pas çmimit Nobel dëshironte të tërhiqej dhe për këtë shkoi në Romë, në Vatikan, Papa i tha: “Në asnjë mënyrë, ti je përfaqësuesja më e denjë, e asaj çfarë është kisha dhe krishterimi!” Prandaj, ajo nuk u tërhoq, por jetoi deri në vdekje me një angazhim.
“Bota sot”: Sa herë keni pasur rastin ta takonit Papën Gjon Palin II dhe në çfarë çështjesh ishin të përqendruara këto takime?
Don Gjergji: Shumë herë jam takuar dhe nuk i kam numëruar se sa herë jam takuar me të si Papë, pasi jam takuar edhe kur ka qenë kardinal. Kam qenë sekretari personal i Nikë Prelës dhe si i tillë e kam shoqëruar atë në udhëtime dhe vizita në Vatikan, kam marrë pjesë në delegacione të ndryshme të Kosovës dhe të tjera, edhe me presidentin Rugova, ku unë s’kam dashur të paraqitem publikisht, dhe në shumë raste ku kërkohej nevoja dhe rrethanat në situatën e mjegulluar dhe tejet të rrezikuar për ne. Kam qenë në shumë paraqitje dhe promovime të librave kushtuar Nënës Terezë dhe botimeve të tjera të Vatikanit në gjuhën shqipe së bashku me Imzot Nikë PRELËN, sikurse ishte rasti i botimeve të Biblës komplete, Besëlidhjes së re, Shujtës shpirtërore të Don Gaspër Gjinit, Ipeshkvia Shkup-Prizren gjatë shekujve, Meshari, dhe vet Papa dëshironte që në bibliotekën personale t’i ketë këto. Duke e ditur këtë gjë ne i kemi veshur me lëkurë të bardhë sepse vetëm këto pranoheshin në bibliotekën e Papës dhe kur ia kemi dorëzuar Mesharin në gjuhën shqipe, ka thënë se ai “do të ketë një vend të nderuar në bibliotekën time”.
Papa Gjon Pali II: Kosova është plaga jonë, Kosova është shpresa jonë
“Bota sot”: Si ia arrinit ta njoftonit Papën për gjendjen në Kosovë, ndërsa në një rast ia keni dërguar një promemorie, në vitin 1995?
Don Gjergji: Kur kemi qenë në audiencë publike, në të dyja rastet ne e kemi bërë edhe në këtë formë, që aty ku në libër ishte vënë përkushtimi për Papën, në një zarf e futëm edhe promemorien, që e kishim përgatitur me imzot Nikë Prelën dhe atëherë kur ia kemi lexuar përkushtimin në gjuhën shqipe dhe italiane, ia kemi bërë me dije se është një promemorie që ai personalisht e ka shqyrtuar, kurse në rastet tjera kur ka qenë rrethi i ngushtë, atëherë, sipas praktikës që është që gjithmonë gjithçka që flitet me Papën gojarisht, duhet t’i lihet një promemorie e shkurtër e shkruar, të cilën Papa e shqyrtonte dhe më pas ia kalonte sekretarisë së shtetit dhe strukturave të tjera kishtare. Dhe më 1995 kështu kemi bërë, në këtë formë, për të maskuar dokumentin, në një mënyrë që të mos dalim para të tjerëve. Prandaj, Papa ishte shumë i kujdesshëm ndaj kësaj çështje. Po ua tregoj hollësinë e vitit 1995, që ishte takimi i fundit i Imzot Nikës, ku ishin të pranishëm të gjithë ipeshkvijtë e Jugosllavisë dhe një pjesë e madhe e Ballkanit me sekretarin e shtetit. Papa gjatë drekës tha tash drejtpërsëdrejti të informohemi për Kosovën. Papa ato gjëra i dinte, por i interesonte që të dëgjojnë edhe të tjerët. Dhe ai e identifikoi Kosovën me Ipeshkvin, i cili tashmë ishte në karrocë dhe e kishte këmbën e amputuar, kur e përqafoi i tha: Kosova është plaga jonë, Kosova është shpresa jonë.
Sekretari i shtetit kardinali Angelo SODANO kur u përshëndet tha si duket keni “agjent” shumë të fuqishëm, që e informojnë Papën, sepse jo vetëm na detyroi që të ju dëgjojmë, por edhe ndërhynte sepse dinte më tepër se unë, ndërsa unë i thashë nuk kemi agjent, jemi vetëm ne të dy që komunikojmë me Papën, por është interesi i Papës, sepse e dinte se është një popull martir dhe meritonte, një përkrahje sa më të madhe morale dhe shpirtërore, prandaj Papa vërtetë ka bërë shumë, edhe po të ishte shqiptarë nuk di çka mund të bënte më tepër.
“Bota sot”: Meqë jemi në prag të festave të Pashkëve, cili është mesazhi i figurës së lumnueshme të Papës Gjon Pali II?
Don Gjergji: Pashkët janë festa e ngadhënjimit të Mirës, të Drejtës, të Vërtetës, të Jetës, të Dashurisë dhe të Pavdekësisë së Njeriut, kryeveprës së Zotit, sepse nëpërmjet vuajtjes, pësimit, dhembjes, kryqit, arrihet fitorja, ngjallja, kuptimësohet jeta.
Në Jezu Krishtin, por edhe në Popullin Shqiptar, është vërtetuar historikisht dhe aktualisht kuptimi i flijimit, pësimit, vuajtjes së motivuar dhe të dhuruar, si një lloj fare, mbjellje, që pas kalbjes, thënë figurativisht, dimrit, zbërthehen në pranverë, jetë të re, zgjim për diçka edhe më të madhe, jetësore.
Kjo kërkon prej çdo njeriut, veçmas prej të krishterëve, që të bashkëndajnë sprovat, sfidat, vështirësitë me Zotin dhe me njëri-tjetrin, në solidaritet dhe në dashurinë flijuese dhe dhuruesi, në stilin e së Lumes Nënës Tereze, e cila e gjeti dhe e zbatoi "mjekimin" e dhembjes në trup dhe në shpirt me terapinë e dashurisë.
Të gjithë katolikëve: Për shumë mot Pashkët!
Të gjithë njerëzve vullnetmirë: Sa më tepër durim në flijime dhe dashuri në veprime! /
Vijon
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Nuk kemi shqiptarë tepër që të bëhemi kosovarë
Nuk kemi shqiptarë tepër që të bëhemi kosovarë
Intervistoi: Idriz Morina
Për bëmat e Papës Gjon Pali II për shqiptarët, flet Don Lush Gjergji, në 100-vjetorin e lindjes së Papës (2)
Biografi i Nënës Terezë, i cili ka thyer thuaja çdo rekord me librin për Nënën Terezë “Nëna Tereze – shenjtëresha e dashurisë”, duke u shitur mbi pesë milionë kopje vetëm në Evropë, i botuar në më shumë se 25 gjuhë, është i bindur se ndikimi i Nënës Terezë, ka qenë vendimtar në bashkërendimin e politikës perëndimore për të ndërhyrë në Kosovë. Ai beson se nuk kemi shqiptarë tepër as toka sa të heqim dorë prej tyre.
“Bota sot”: Nga ajo që thatë më parë del se Papa është nga figurat qendrore të përcaktimit të fatit të Kosovës?
Don Gjergji: Unë mendoj se Zoti në një moment të rrezikimit tonë të tërësishëm, thuaja si komb ose si popull shqiptar, në rrethana të ndryshme në Shqipëri dhe në Kosovë apo në viset tjera, ne kemi pasur dy tre aleat që kanë qenë të jashtëzakonshëm dhe që kanë pasur ndikim në fatin e Kosovës dhe në fatin e popullit shqiptar. Në rend të parë konsideroj se dhurata më e madhe është Nëna Terezë, e cila na paraqitet në dritën më të madhe dhe më të bukur të asaj se çka është qytetërimi, çka është tradita, kultura, bamirësia, krishterimi, për të cilin lakmi ka bota. I kam kushtuar gati 30 vjet jetës dhe veprës së Nënës Terezë dhe jam i bindur se jo vetëm populli shqiptar, jo vetëm krishterimi, por bota nuk ka pasur një personalitet të tillë, që i ka tejkaluar të gjithë kufijtë dhe që ka dëshmuar fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë, me ndihmën e Nënës Terezë. Zoti ka dashur që të jetë në krye të kishës për 27 vjet një Papë që e kishte prejardhjen po ashtu martire, mos të harrojmë se ky Papë i përngjante shumë Nënës Terezë, nëna i vdiq kur ishte shumë i ri, baba kishte vendosur që të mos martohej për ta rritur atë, vëllai që ishte mjek iu vra nga nazistët, motra e tij murgeshë ka vdekur në moshë shumë të re, prandaj ai ishte një njeri i vetmuar si rrallë kush në botë, mirëpo këtë vetmi dhe këtë vuajtje ai e shprehu me një atësi, me dashuri dhe kujdes ndaj të gjithëve sidomos ndaj atyre që vuajnë. Unë e kam parë shpeshherë Papën të vraponte tek njerëzit e sëmurë e të hendikepuarit, i përqafonte para kardinalëve, presidentëve e kryeministrave, që dëshmonte zemrën e madhe të tij.
Nëpërmjet Nënës Terezë ai ka qenë mirë i informuar për të gjithë këtë dhe e bëri një shërbim të jashtëzakonshëm sepse sensibilizoi botën. Pas Nënës Terezë dhe Papës aleati i tretë ishte dhe mbetet Amerika, tek e cila dihet se Vatikani ka ndikim të jashtëzakonshëm, sidomos Papa ka pasur një ndikim jashtëzakonshëm në botë e sidomos te SHBA-të. Kjo u dëshmua edhe në varrimin e Papës, ku asnjëherë në historinë e njerëzimit nuk kanë ndodhur si në varrimin e tij ku presidenti i atëhershëm, dhe tre ish presidentët amerikanë morën pjesë në varrimin e tij.
Prandaj, këto tri burime, Nëna Terezë, Papa Gjon Pali i II dhe Amerika, mbi të gjitha Zoti dhe padrejtësia që e kemi vuajtur gjatë, dhe pafajësia sidomos e pleqve, plakave, fëmijëve dhe flijimi i ynë, dhurimi i gjakut dhe i jetës, kur ishte nevoja edhe me diplomaci, edhe me pendë, e në kohën e fundit edhe me gjak, tërë ato komponentë janë që na kanë sjellë deri te liria dhe pavarësia e Kosovës.
Të kërkohet ajo çka na afron për të shmangur atë çka na përçan
“Bota sot”: Papa Gjon Pali II njihet edhe për tolerancën e jashtëzakonshme fetare, dallohet me këtë?
Don Gjergji: Për mua mbi të gjitha, është gjitha takimi dhe lutja e përbashkët e liderëve të feve të ndryshme në Asizi, të cilën ai e përgatiti me shumë kujdes dhe e udhëhoqi, dhe u dha mundësi të gjithëve që të luten në gjuhën e tyre, në mënyrën e tyre, në Asizi ku është varri i Shën Franit të Asizit, ku është varri i themeluesit të françeskanëve, një njeri i cili ishte drejtpërdrejt në dashuri për Zotin dhe për njeriun. Ai quhet poeti i shpirtit ose poeti i zemrës së njerëzve, sepse Papa jo rastësisht e zgjodhi Asizin, pra e zgjodhi si një qendër dhe si një vend dhe si një dëshmi të historisë françeskane, e cila me shekuj të tërë ka dhënë një kontribut në botën mbarë, prandaj edhe në tokën shqiptare.
Ajo çka te Papa ra në spikamë ishte kreativiteti. Ishte një Papë jo i shablloneve, por kishte mendjen dhe ishte shumë i dalluar për intuitën e tij të fuqishme dhe kishte guxim dhe zemër që atë çka dëshironte dhe e bënte, ishte shumë i vendosur. Prandaj, ai për herë të parë hebrenjtë i quajti vëllezërit e mëdhenj sepse nga hebraizmi dalëngadalë lindi krishterimi. Ai ishte i pari që hyri në sinagogë dhe kërkoi falje për gjithë ato përndjekje ndaj hebrenjve edhe pse ato nuk kanë qenë nga ana e kishës, por ai kishte guxim që të merrte përgjegjësinë edhe si Papë edhe si kishë katolike vetëm e vetëm, që të jetë urë lidhëse mes botës. Këtë gjë e bëri edhe me hyrjen e parë në historinë e kishës katolike dhe në historinë e fesë islame, kur hyri edhe në xhami, ku u lut dhe u tha pas lutjes së përbashkët se shumëçka ne kemi të përbashkët edhe me vëllezërit mysliman si në aspektin hyjnor si në aspektin njerëzor. Pikënisja e tij ishte një pikënisje konstruktive dhe kreative, të kërkohet ajo çka na afron dhe bashkon, për të shmangur atë çka na ndanë dhe çka na përçan. Kjo pikënisje dhe kjo porosi do të mbes në historinë jo vetëm të kishës katolike, por edhe të mbarë njerëzimit sepse si Papë pati guxim, në stilin e Nënës Terezë, t’i thyej barrierat, t’i tejkaloj kufijtë e ndryshëm, prandaj edhe kufijtë fetar që dukeshin se janë të patejkalueshëm.
“Bota sot”: Papa njihet edhe si njëri nga përkrahësit e ekumenizmit, ide kjo që u rikonceptua nga një shqiptar i shquar, Patriarku i kishës ortodokse, Atenagora?
Don Gjergji: Ky Papë pos hebraizmit dhe islamizmit nuk e harroi kategorinë tjetër, kishat e krishterat apo bashkësitë e krishtera, bashkimin e tyre që është ekumenizmi, pra tentimi i bashkimit të të gjithë të krishterëve dhe këtë e bëri në mënyrë mjeshtërore kur e shkroi enciklikën - “Që të jenë një”, dhe aty e forcoi në mënyrë mjeshtërore çështjen se nëse ne jemi para botës të ndarë dhe të përçarë si të krishterë, në një mënyrë e njollosim dhe e copëtojmë jetën dhe veprën e Jezu Krishtit, dhe si të tillë nuk jemi bindës para të tjerëve. Pati parasysh figurën e madhe të patrikut ekumenik shqiptar Atanagori I, se atë që e bëri Fan Stilian Noli në nivelin e krijimit të kishës autoqefale shqiptare ortodokse, atë e bëri patriku i madh, profeti i bashkimit si e quajta unë.... Prandaj, i dha hov të madh dhe të fuqishëm edhe ekumenizmit, atë që e vazhdon edhe Papa Benedikti i XVI, i cili në planet parësore e ka edhe ekumenizmin sepse vjen nga Gjermania ku gjysma janë katolik, dhe gjysma janë protestant, prandaj e njeh shumë mirë këtë çështje dhe është teolog me famë botërore. Papa Gjon Pali II i ka dhënë kontribut shumë të madh çështjes së hebraizmit, të islamizmit, të ekumenizmit, sepse ai e filloi ditën botërore të të rinjve para 26 vjetëve, kur e pa se dalëngadalë po zbehet situata, se të rinjtë gjithnjë e më tepër manipulohen nga ideologjitë e ndryshme. Ai ishte magnet i fuqishëm, arrinte të tubonte edhe deri në dy milionë të rinj në ditën botërore të paqes. E vazhdoi traditën e paraardhësit të tij, Papa Pali VI ku ditën e parë të vitit ia kushtonte paqes dhe shkruan një porosi të paqes për botën, por e bënë një hap edhe më tutje, ia kushton një ditë, ditën botërore të të rinjve për paqen, ku ata deshi t’i bëjë protagonistë të paqes. Ju e dini se çka kanë vuajtur prindërit, gjyshërit, stërgjyshërit tuaj, eshtrat e tyre gjenden nëpër botë, Lufta e Parë Botërore, Lufta e Dytë Botërore, Luftërat Ballkanike, shuarja e Jugosllavisë, prandaj na nevojitet një botë e vëllazëruar dhe e bashkuar, dhe ju të rinjtë dhe të rejat, ju vetë e dëshironi një gjë të tillë, por jeni në gjendje edhe ta bëni. Për këtë arsye ndër kategoritë shumë speciale të mendjes dhe të zemrës së Papës ishte dhe rinia.
[size=18]Ne në radhë të parë duhet të jemi miq të vetvetes[/size]
“Bota sot”: Si e shihni sot pozitën e shqiptarëve, sa janë përmbushur kërkesat dhe idealet e shqiptarëve, ju vetë keni qenë në një mënyrë drejtpërdrejtë i përfshirë në lëvizje, në kohën e pajtimit të gjaqeve?
Don Gjergji: Një pjesë e madhe e çështjeve, të cilat ishin të hapura në fund të shekullit XX, sot e kanë një perspektivë krejt tjetër. Në vitet e ’80-ta, të ’90-ta askush nuk e ka ditur se si do të zgjidhet çështja e copëtimeve të tokave shqiptare, sepse nga sistemet dhe fuqitë e ndryshme ne ishim të copëtuar në trungun tonë, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, diaspora e arbëreshëve në Itali, mos të flasim për arbëreshët apo shqiptarët në Greqi, në Turqi, në Amerikë e në Evropë. Sot fatbardhësisht, situata sa i përket kësaj e ka një zgjidhje, dhe zgjidhja është optimale dhe shumë e thjeshtë, integrimi i gjithë shqiptarëve si parakusht për integrimin e shqiptarëve në atë që është Mesdheu, Ballkani, si parakusht i integrimit në Evropë dhe në botë. Sot askush nuk na pengon më strukturalisht me muret e Berlinit, po e them figurativisht, apo me perdet e hekurta përpara syve. Por, çështje tjetër është sa ne shqiptarët jemi të pjekur dhe të aftë për një komunikim të tillë. Për këtë arsye e kam thënë në një aksiomë, e cila mund të mbahet lehtë në mend dhe tingëllon bukur, “përpara së të bashkohen tokat shqiptare, duhet të bashkohen kokat dhe zemrat”. Tash është koha e bashkimit të kokave dhe mbi të gjitha e bashkimit të zemrave, i ndjenjave, i ndjenjës së përkatësisë së përbashkët, sepse nuk ka më shqiptar nga Shqipëria, shqiptarë nga Kosova, sikur të ishte ndonjë racë tjetër, në jem shqiptar, dhe askush nuk e ka zgjedhur as vendlindjen, as shtetin, kjo dalëngadalë po shuhet dhe po krijohet Evropa e Bashkuar. Evropa e Bashkuar është shtëpi e mrekullueshme për shqiptarët, realisht të bashkuar. Që të jemi realisht të bashkuar na nevojitet një punë e madhe, është bërë diçka, është një komunikim, sot brenda ditës mund të jesh në Tiranë, në Prishtinë, në Shkup, por kjo nuk mjafton. Mendoj se intelektualët dhe krijuesit e mirëfilltë e kanë një mision dhe një detyrë të shenjt që ti thyejnë sa më tepër paragjykimet, të cilat mund të ekzistojnë apo realisht ekzistojnë, që të krijohen vlerat dhe virtytet e përbashkëta dhe shqiptari të zbulojë në prizmat e historisë mundësinë e së tashmes dhe projektimin e së ardhmes.
Ne nuk dëshirojmë në asnjë mënyrë të jetojmë në glorifikimin e së kaluarës, fiksimin e historisë, as në projektimin e së ardhmes që të ëndërrojmë syçeltas në mes ditë, por na nevojitet historia si mësuese dhe nënë e jetës, na nevojitet ardhmëria e sidomos rinia jonë e cila duhet të jetë protagoniste e së tanishmes, sepse është fjalë boshe dhe e pakuptimtë t’i thuhet rinisë: ardhmëria është e juaja, njerëzit nuk kanë nevojë për ardhmëri, por kanë nevojë për të tashmen, prandaj e tashmja e jonë duhet të jenë rinia, duhet të jetë kultura, tradita jonë e cila përgatit një ardhmëri sa më të mirë. Unë mendoj se shekulli XXI është një shekull fatlum për ne, shumë çështje që dukeshin të pazgjidhura, mund të zgjidhen. Mendoj se nuk janë zgjedhur ende, por gjasat reale që të zgjidhen optimalisht janë, se kurrë pas periudhës së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, populli shqiptar nuk ka pasur periudhë më të favorshme dhe nuk ka pasur miq më të mëdhenj. Ne në radhë të parë duhet të jemi miq të vetvetes, duhet ta duam dhe ta nderojmë njëri tjetrin, që të na duan dhe nderojnë miqtë tanë.
Mos t’i lejojmë të na përziejnë ujin apo kroin
“Bota sot”: Është duke qarkulluar një tendencë, ndërkombëtare por edhe e brendshme, e përfaqësuar edhe nga një pjesë e politikës dhe e kulturës, e cila dëshiron ta përqafoj kosovarizmin, duke këmbëngulur në tjetërsimin e shqiptarëve?
Don Gjergji: Kjo është një përzierje dhe një tollovi e niveleve apo e dy aspekteve. Aspekti kombëtar, që jemi të gjithë shqiptar dhe aspektit shtetëror, që i takon një hapësire që quhet Shqipëria, Kosova apo Maqedonia. Edhe te populli më i madh në Evropë, populli gjerman kemi gjerman në Austri, gjermanët në Zvicër, prandaj tendenca që të identifikohet kombi me shtet është edhe kërcenim dhe mjegullim i asaj çka është në të vërtetë. Për këtë arsye na nevojitet ndjenja e pastër kombëtare, dhe po ashtu edhe ndjenja e pastër dhe e qartë e përkatësisë shtetërore që jemi Republika e Kosovës. Nëse ky aspekt merr dinamikën e asaj çka është reale dhe nuk dëshirojmë ta ndryshojmë sepse as nuk mundemi as nuk dëshirojmë ta ndryshojmë sepse do të na çonte në aspektet tjera më të ndërlikuara, janë me rrezik dhe në dëm tonin. Ne nuk kemi shqiptarë tepër që të heqim dorë prej tyre, ne nuk kemi toka shqiptare tepër, që të heqim dorë prej tyre. Ne në asnjë mënyrë nuk dëshirojmë as vetvetes, as bashkësisë ndërkombëtare tu krijojmë probleme për këtë çështje, për këtë arsye kufijtë në demokraci janë vend takim i shteteve, dhe është komunikim aq më tepër kur afër kufijve jeton i njëjti popull, ai e ka mundësinë që ta dëshmoj se në dy shtete që për një aspekt janë të ndryshëm, kanë diçka të përbashkët, që është populli. Dhe kjo është sikur komunikimi i ajrit apo komunikimi i ujit. Edhe në deti ka kufij, por peshqit dhe ujin nuk i ndalon askush të komunikojnë, edhe në ajër ka kufij, por shpendët nuk kanë nevojë as për pasaporta as për leje sepse fluturojnë. Populli shqiptar duhet ta ketë një dinamikë të tillë, një komunikim sa më të mirëfilltë me të gjithë shqiptarët kudo që janë ata, jo për një nacionalizëm apo për një përjashtim të të tjerëve, por për një vetëdijesim dhe ndjenjë të përkatësisë sepse jemi shqiptar. Kjo krijon mundësinë që të jemi së bashku për të tjerët dhe me të tjerët, pa përjashtim, pa njollosje të askujt që është në rrethin tonë apo më gjerë. Prandaj, çështja është shumë e qartë, duhet të thuhet ashtu siç është dhe mos t’i lejojmë të na përziejnë ujin apo kroin.
Një popull pa ide, pa ideale, pa vlera fetare, shpirtërore dhe morale, s’ka jetë të gjatë!
“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale, vendi po kalon një situatë të rëndë ekonomike, dëshpërimi veçmas të të rinjve, një lloj makthi për ta braktisur atdheun, përmbysje vlerash, imoralitet ...?
Don Gjergji: Sigurisht për historinë 11 vjet nuk janë shumë, bile janë pak, por për njeriun nuk janë pak. Nga ky aspekt sigurisht se ka brenga. Brenga e parë është mungesa e perspektivës sidomos për të rinjtë, që te ata gjithnjë e më tepër zbehet bindja se në Kosovë mund dhe duhet të jetohet, duhet të punohet, mund të fitohet, duhet të jetohet me dinjitet. Kjo është një brengë e gjithë shoqërisë dhe në këtë drejtim duhet ta ndiejmë veten edhe të angazhuar, por edhe fajtorë. Nuk kemi nevojë as me gisht drejtues, e as me grusht kërcënues t’i drejtohemi dikujt, por secili duhet të pyes veten, se sa dhe si ne veprojmë që rinia jonë të jetë e bindur dhe të ketë hapësirë që të mund të jetojë dhe të punoj me dinjitet, sepse liria nuk është vetëm mungesa e dhunës, një aspekt i lirisë është edhe mungesa e punës, mungesa e shkollimit, kjo është cungim i lirisë dhe këtë nuk mund ta bëjmë ne vetëm, por mund ta bëjmë me një sjellje dhe bashkëpunim sa më të mirë edhe me ndërkombëtarët. Këtë nuk mund ta bëjmë ne vetëm, por duhet ta bëjmë me një bashkëpunim sa më të mirë edhe me ndërkombëtarët. Ata që kanë ndërhyrë për lirinë tonë, besoj se do të jenë të gatshëm për këtë, nëse shohin pjekurinë tonë, maturinë tonë, politikën tonë të mirëfilltë sociale, se vërtetë e duam Kosovën. Dashuria për Kosovën sot shprehet në këtë mënyrë dua të jetoj, të punoj, të dëshmoj se Kosova është një vend, është një shtet, në të cilin mund të jetohet dhe punohet me dinjitet. Aspekti tjetër është huazimi i modeleve tjera, tash kur gardhiqet e kalbura janë thyer, jemi në rrezik që të jemi livadh pa gardh. Ndikimi i një kulture materialiste, hedoniste, i drogës, prostitucionit, shkurorëzimeve, alkoolizmit, i shfrenimit, shthurjes, vlerat shpirtërore dhe morale janë në rrezik në vend. Dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm për atë çka është thënia e vjetër latine: Quod licet Jovi, non licet Bovi, që ne mund ta zbërthejmë edhe kështu; çka është për Pjetrin, nuk është për Palin, çka është për Agimin nuk është për Ibrahimin etj. Ne si popull, si traditë, si popull iliro shqiptar duhet ta bëjmë një analizë të mirëfilltë dhe duhet... të përzgjedhim vlerat dhe virtytet e lashta dhe aktuale, pa të cilat s’ka as të tashme, as ardhmëri. Një popull pa ide, pa ideale, pa vlera fetare, shpirtërore dhe morale, s’ka jetë të gjatë!
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Lumturohet Papa Gjon Pali i dytë
» Fritz Rdovani: V. I. Lenin, Xhon Kenedi dhe Papa Gjon Pali II...
» KAROL JOZEF WOJTILA - PAPA GJON PALI II - 1920 – 2005
» Papa Gjon Pali II do shenjtërohet të dielën. Historia e murgeshës tek e cila bëri mrekulli
» Ndërron jetë Imzot Zef Simoni, meshtari që u shugurua Monsinjor nga Papa Gjon Pali II
» Fritz Rdovani: V. I. Lenin, Xhon Kenedi dhe Papa Gjon Pali II...
» KAROL JOZEF WOJTILA - PAPA GJON PALI II - 1920 – 2005
» Papa Gjon Pali II do shenjtërohet të dielën. Historia e murgeshës tek e cila bëri mrekulli
» Ndërron jetë Imzot Zef Simoni, meshtari që u shugurua Monsinjor nga Papa Gjon Pali II
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi