Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dibran Demaku:RILINDASI I LIRISË

Shko poshtë

Dibran Demaku:RILINDASI I LIRISË Empty Dibran Demaku:RILINDASI I LIRISË

Mesazh nga Agim Gashi Tue Mar 24, 2009 11:04 pm

RILINDASI I LIRISË

Nga mërgata përkujtojmë profesorin Latif Berisha në dhjetëvjetorin e rënies

Aq shumë i deshti dhe tërë jetën u mor me jetën dhe veprimtarinë e rilindasëve të rilindjes sonë kombëtare sa edhe vetë u shndërrua në një rilindas. Gjeneratat më të reja do të mësojnë për Latif Berishën si për rilindasin e kohës më të re...
------------------------------------------
Si pesëmëdhjetvjeçar e lexova për herë të parë librin me poezi "Tufa“ të Latif Berishës. Isha atëherë nxënës i klasës së tetë fillore, në vitin e largët 1971. Më kujtohet edhe sot se mësuesi i gjuhës shqipe na kishte ligjëruar për shumë shkrimtarë dhe poetë të Rilindjes sonb kombëtare si: Jeronim De Radën, Naim Frashërin, Zef Serembën, Filip Shirokën etj. Dhe kur e lexova "Tufën" e Latif Berishës mbeta i habitur se pse mësuesi jonë i gjuhës shqipe nuk na kishte thënë asgjë për Latif Berishën. Si fëmijë pesëmbëdhjetvjeçar unë e rendita Latif Berishën në mesin e rilindasëve. Mendja ime fëmijërore më thonte se edhe Latif Berisha duhej t`i takonte Rilindjes sonë kombëtare. Më patën pëlqyer poezitë e "Tufës" ashtu si "Këngët e Milosaos" si "Bagëti e Bujqësia", si "Zani i zemrës"...
Dhe habitesha dhe e pyesja vetën: Athua është e mundur dhe mësuesi ta ketë harruar fare rastësisht Latif Berishën si poet të Rilindjes sonë kombëtare? Atëherë unë me mendjen time fëmijërore mendoja se edhe Latif Berisha i takonte periudhes së Rilindjes kombëtare. E si të mendoja ndryshe kur e lexoja poezinë antologjike të Berishës "Tri gota" që më ishte ngulitur thellë në mendje dhe që nga atëherë nuk e kam harruar kurrë.
Dhe me drojën e një fëmije vendosa që në një nga orët e mësimit të gjuhës shqipe ta pyesja mësuesin për Latif Berishën.Dhe e pyeta.Më bëhet se edhe sot më ushtojnë në vesh fjalët e mësuesit (Isak Halilaj): "Për Latif Berishën do të mësojmë më vonë. Ai nuk i takon periudhës së shkrimtarëve të Rilindjes kombëtare, por shkrimtarëve bashkëkohorë shqiptarë.Ai jeton dhe punon si profesor i gjuhës shqipe në Prishtinë...".Kaq tha mësuesi ynë dhe vazhdoi me temën që e kishte në programin e ditës.
Në ditët e para të studimeve fillova të interesohem se athua ku mund ta gjeja dhe ta takoja poetin dhe profesorin Latif Berishën. Dhe një ditë nëntori të vitit të largët 1976 derisa po bisedoja me një stodent të vitit të dytë të studimeve (unë isha në vitin e parë) e pyeta për profesor Latif Berishën dhe ai ma ktheu: Ja ku është kabineti i profesor Berishës dhe po deshe ta takosh mund të trokasësh në atë derë!- duke bërë me dorë nga dera ku ishte kabineti i profesor Berishës. U gëzova shumë: Doja të takoja profesorin dhe poetin e "Tufës",doja të bisedoja me të. Dhe trokita në derën e kabinetit. Nga brendësia e kabinetit dëgjova fjalën "Hyr".E hapa derën dhe hyra brënda. Profesor Berisha me një buzëqeshje në fytyrë dhe me një sjellje shembullore u ngrit në këmbb dhe m`u drejtua: -Urdhëroni çfarë dëshironi"- duke ma dhënë dorën. Çfarë t`i thoja?! Në mendjen time e kisha menduar madhështor dhe krenar, ndërsa ai ishte aq i sjellshëm aq njerëzor! Mirësjellja e tij më bëri që ta harroja frikën që ndieja pak më parë.Dhe i fola:
-Profesor e kam lexuar "Tufën" dhe më ka pëlqyer shumë. Në mendje ju kam takuar shumë herë dhe ja tani jam i lumtur që ju takoj edhe në realitet. Jam student i vitit të parë. Kaq. Ai ashtu i buzëqeshur m`u drejtua:
-Ashtu? Më vjen mirë! Dhe pastaj më pyeti se nga isha dhe si i kisha kushtet për studime. Pas përgjigjeve të mia ai mbeti i kënaqur dhe më tha:
-Do të njihem më mirë vitin tjetër të stuidimeve.Unë e ligjëroj "Lëndën e romantizmit". Pastaj u përshëndeta me profesorin dhe unë dola nga kabineti i tij.Ai më përcolli deri në korridor. E kuptova se ai përveq që ishte poet i mirë ishte edhe pedagog dhe njeri shembullor.
Dhe erdhi viti i dytë i studimeve. Dhe erdhi ligjërata e parë e prpfesor Latifit. Ai e kryente ligjërimin e tij me dashuri dhe përpikëri të pashoqe.E ne astudentët nuk mungonim në asnjë ligjëratë të tij...Në atë kohë në kuadër të Degës së Letërsisë dhe gjuhës shqiptare të Fakultetit Filologjik (atëherë Filozofik) funksiononte edhe Grupi letrar "Jeronim De Rada". Dhe pas shumë orëve letrare që kishim organizuar për figura të ndryshme kombëtare shqiptare, ne studentët qe udhëheqnim me grupin letrar në fjalë, vendosëm që një orë letrare të ia kushtonim jetes dhe veprimtarisë letrare të profesorit tonë, Latif Berishës. Dhe në atë orë letrare e vërejtëm se çfarë respekti gëzonte profesori ynë.Në atë orë letrare(si në asnjë tjetër) erdhën shumë shkrimtarë e poetë, shumë studentë nga të gjitha Fakultetet e Universitetit të Prishtinës.Salla ku mbahej ora letrare u mbush plotë.U mbushën edhe korridoret e Fakultetit.Pra të interesuarit nuk i zine salla,nuk i zinin korridoret...Atë mbrëmje unë e kam kuptuar se profesori ynë ishte i shkrimtarëve, i profesorëve, i studentëve, i të gjithëve...Atë mbrëmje profesori,poeti Latif Berisha na pat premtuar se do të vazhdonte të shkruante...E ne u gëzuam.Brohoritëm!
Dhe ikën vitet...Unë dhe shokët e mi studentë i mbaruam studimet dhe secili e vazhdoi rrugën e vetë të jetës...Unë pata fatin që të filloj punën në Televizionin e atëhershëm të Prishtinës si gazetar në Programin për fëmijë.Dhe një ditë vendosa që t`i shkojë për një vizitë profesor Latifit dhe t`i tregoj pë punën që kisha filluar...Ai u gëzua shumë.Në mes tjerash më tha:
-Paske filluar një punë sa të rëndësishme aq edhe delikate.Megjithate mundohu që me emisionet tua fëmijëve t`u mësosh sa më shumë për historinë tonë kombëtare,për gjuhën për traditat...Pastaj me profesorin jemi takuar edhe shumëherë të tjera dhe nga ai kemi marrur gjithmonë këshilla por edhe urime për ndonjë emision që ai e kishte pëlqyer...Dhe kështu deri në vitin e mbrapshtë (siç do të mund ta quante i madhi Kadare) vitin 1990. Në atë vit pushteti okupues serb ia zuri frymën Kosovës dhe e mbylli edhe Televizionin.Pushteti okupues mbylli edhe Universitertin e Prishtinë. Profesorin Latif ndër të parët e nxori nga puna...
Nuk e kam takuar më. Nuk di në e mbajti premtimin që na e pat dhënë në atë orën letrare që e patëm organizuar për te.Nuk botoi më asnjë libër poetik...
Në fillim të pranverës të vitit 1999, atëherë kur forcat e UÇK-së luftonin dhëmb për dhëmb kundër hordhive serbe dhe kur avionët e paktit NATO filluan bombardimet mbi caqet serbe,një grup i policisë kriminale serbe e vrau profesorin, poetin në prag të shtëpisë së tij.Të nesërmen u shpërnda ngado lajmi i zi. Korb. Ne ish-studentëve të tij na goditi rëndë.Ashtu siç e goditi tërë kombin.Sepse profesor dhe poet Latifi me veprimtarinë e tij patriotike dhe kombëtare tashmë kishte zënë vend në zemrën e kombit...
E kishim dashur dhe nderuar profesorin dhe poetin dhe dëshira jonë ishte që ai të jetonte edhe në liri që aq shumë e deshi dhe tërë jetën punoi për të...Por hordhitë e egra serbe dinin se ku duhej të godisnin.Ato gjithmonë kanë goditur aty ku dhëmbë më së shumti...Dhe iku nga kjo botë profesori dhe poeti.Ashtu i dinjitetshëm dhe krenar siç kishte jetuar...Tërë jetën kishte punuar për lirinë e kombit të vetë.Aq shumë i deshi dhe tër jetën u mor me jetën dhe veprimtarinë e rilindasëve të Rilindjes sonë kombëtere sa edhe vet u shndërrua në një Rilindas. Në Rilindas të lirisë. Gjeneratat më të reja do të mësojnë për Latif Berishën si për Rilindasin e kohës më të re.
Dibran Demaku
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi