Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Mitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjes

Shko poshtë

Mitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjes Empty Mitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjes

Mesazh nga Agim Gashi Wed May 11, 2011 8:49 pm

Mitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjesMitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjes U1_MitrushKuteli
“Zëri” 07-05-2011
Sa qe gjallë, me frymë e forcë të jashtëzakonshme shpirtërore, nuk preku dhe ndjeu as vlerësimin më të vogël si shkrimtar, prozator dhe poet, kritik dhe përkthyes, si botues dhe intelektual.
Mbase prania e këtyre shenjave dhe shenjëzimeve identifikuese, u bënë shkasi kryesor për ta goditur me të gjitha format; goditje fizike duke e burgosur, goditje shpirtërore duke ia vrarë ëndrrat për një Shqipëri demokratike, goditje letrare duke ia heshtur veprën letrare, botuar para lirimit të vendit nga pushtuesit, e sidomos ndërprerjen e ëndrrës letrare duke e detyruar, në mënyrë pseudodemokratike apo diktatoriale, që të përkthente me normë dhe jashtë dëshirës dhe shijes letrare të shkrimtarit.
Në fillim të viteve ’80 duket edhe ndonjë konsideratë, e përgjithshme dhe krejt e përciptë rreth veprës letrare kuteliane, e tipit “mjeshtër i rrëfimit”, një frazë ekuivoke, sepse në krijimtarinë e Kutelit, rrëfimi është edhe lloji letrar, njëri nga më të dashurit e shkrimtarit, por është edhe mjeti i poetikës së prozës. Ngatërrimi emërtues nuk ka gjasa të jetë i rastësishëm, përkundrazi është një qëndrim prej xhirafe, fshehje e kokës në rërë me shpresë se ka shpëtuar edhe trupi, nga ana e akademikëve.
Në fillim të viteve ’90, nën përgjegjësinë e N. Jorgaqit, botohet e plotë, së paku sipas shënimeve të bëra, vepra letrare e M. Kutelit, me pesë vëllime, ku është përfshirë poezia, proza, kritika letrare, etj.
PËRVJETORI I VDEKJES SË MITRUSH KUTELIT
MË 4 MAJ U BËNË 44 VJET QËKUR VDIQ DHIMITËR PASKO, I NJOHUR MË SHUMË SE MITRUSH KUTELI, SHKRIMTAR, EKONOMIST, PUBLICIST E PËRKTHYES. MITRUSH KUTELI E PATI NISUR KRIJIMTARINË LETRARE QYSH NË VITET ’30, KUR BOTOI “NET SHQIPTARE”, “KAPLLAN AGA I SHABAN SHPATËS”, “AGO JAKUPI”
Megjithëqë, edhe në këtë sipërmarrje, sipas studimeve të mëvonshme letrare, lihen jashtë botimit disa tekste origjinale të shkrimtarit, dhe tanimë thellohen ndryshimet gjuhësore, të cilat e kanë zbehur ndjeshëm praninë shkrimore të autorit.
Pas viteve ’90, që përkon me shembjen e diktaturës komuniste dhe fillesat e demokracisë shqiptare, figura e Kutelit i kthehet vlerave letrare të shqipes, zë e zbulohet si vlerë letrare e mëvetësishme, madje në jo pak raste hienat e studimeve të dikurshme tentojnë të fshihen prapa artit të Kutelit për të mbetur qendër e verifikimit letrar, kur me shqyrtimet e kryera vërtetojnë se u ka mbetur ora në studimet sociologjike dhe ideologjike.
Mospërfilljen e veprës letrare, përkthimore, kritike dhe botuese, përsa kishte frymë, botimi i cunguar letrar dhe gjuhësor i krijimtarisë letrare autoriale, si dhe leximi i pamundshëm sociologjik dhe ideologjik prej studiuesve dhe estetëve të estetikës së brendisë, që kanë shpërfillur formën, janë një pjesë e vogël e humbjes së madhe, humbjes së disa teksteve letrare.
Megjithëkëtë, falë mjeshtërisë rrëfimore dhe tregimtarisë së shkrimtarit, prania e Kutelit është më e fuqishme dhe më funksionale sesa paprania. Prania e Kutelit, si përvojë shkrimi letrar dhe krejt origjinale në tekstet në prozë dhe patjetër edhe në shkrimet e tjera letrare, në poezi dhe kritikë letrare.
Kjo prani është e prekshme me ndikimin e vetë mbi shenjat e literaritetit të letërsisë moderne shqipe.
Pra, humbjet e shumta në tekstet e prozës së shkruar prej Kutelit, por edhe të pagjetura, pra të panjohura dhe të pavlerësuara, që ngërthen në vetvete një sasi të përfillshme vlerash letrare, nuk zbehin përfundimisht tipologjinë shkrimore kuteliane, e cila shpërndrit plotësinë e magjisë letrare në sendërtimin e rrëfimit dhe rrëfenjës, proza këto që e kanë origjinën tek arti gojor, me realizimin cilësor të tregimit dhe novelës, me tonalitetin dhe ngjyresat mbresëlënëse të pagjasshme në letrat shqipe, me shkrimin e romanit me nivel të ngritur literariteti.
Nga Nonda Bulka
1907 – 1967
Hyrje
Mitrush Kuteli është pseudonimi i Dhimitër Paskos, i njërit prej prozatorëve më të shquar të letërsisë sonë, ushqyer që në fëmijëri me legjendat dhe baladat e Jugut, sidomos me ato të malësisë së Pogradecit, qytetit të lindjes së tij. Duke njohur thellë edhe letërsinë botërore, ai arriti të krijojë një prozë realiste origjinale, të fuqishme, me një fantazi të jashtëzakonshme.
Mësimet e mesme i kreu në Selanik, kuse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin "Doktor i shkencave ekonomike". Më 1942 u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë e derisa vdiq, më 4 maj 1967, si përkthyes.Mitrush Kuteli, si një personalitet demokrat që i shpalli hapur e me guxim pikpamjet e tij, u keqtrajtua nga shteti monist deri sa u dënua edhe me burgim. Keqtrajtimi i tij vazhdoi edhe pas daljes nga burgu, kur ai u detyrua ta vazhdojë punën e tij krijuese në kushte të vështira ekonomike dhe i lënë në harresë nga shtypi zyrtar.
Veprimtarinë letrare e nisi me botimin e vjershave e tregimeve, po edhe me artikuj që kishin një frymë antizogiste në gazetën "Shqipëria e re", në Kostancë (Rumani).
Vepra letrare të tij janë vëllimet: "Netë shqiptare", "Ago Jakupi", "Kapllan aga i Shaban Shpatës", "Dashuria e berberit Artan", "Shënimet letrare", "Sulm e lotë", "Këngë e britma nga qyteti i djegur", "Mall e brengë", "Havadan më havadan", "Tregime të moçme shqiptare" etj. Si përkthyes ai pasuroi kulturën shqiptare me Kryevepra të letërsisë botërore si "Kujtimet e një gjahtari" të Turgenjevit, "Tregimet e Petërburgut" dhe "Shpirtra të vdekura" të Gogolit, "Zotërinj Gollovlinovë" të Sllatikov Shçedrinit, vepra të Gorkit, të A.Tolstoit, të Paustovskit poezi të Pablo Nerudës etj.
Tregimet e Kutelit ose rrëfimet, siç i quan ai, përbëjnë në përgjithësi një prozë realiste me tërë shqetësimet e jetës së fshatit malor të Jugut. Në tregimin e tij gjejmë traditat më të mira të letërsisë sonë, përsa i përket rrymës së thellë demokratike. Personazhi i tregimit të Kutelit është fshatari shqiptar, i dhënë në marrdhënie e raporte komplekse me klasën feudale, në luftën e tij për mbijetesë në një shoqëri ku sundon anarkia. Në rrëfimet e tij pasqyrohet e kaluara e fshatit shqiptar, po, duke shprehur pakënaqësinë ndaj realitetit ose shqetësimin për fatin dhe dinjitetin e njeriut të thjeshtë e për vlerat shpirtërore të tij në kushtet e rendit obskurantist, feudal, ai u vu në opozitë edhe me shoqërinë e kohës. Pra e kaluara në rrëfimin kutelian u bën jehonë mjaft problemeve të realitetit shqiptar të kohës, si gjendjes së rëndë të fshatarësisë, shfrytëzimit të egër feudal, përpjekjeve dhe luftrave të saj për të ruajtur lirinë e për të jetuar me dinjitet.
Në këto tregime pasqyrohen edhe disa plagë të rënda të shoqërisë shqiptare si: kurbeti e vëllavrasja.
Një fshat i tërë shuhet nga veprimet çnjerëzore të beut, mali mbushet me kaçakë të betuar për hakmarrje, dashuria fshihet thellë e më thellë, shpirti i mërgimtarit digjet nga malli për vendin e vet, gërmadhat skuqin nga pushtuesit, kurse fëmijët i kthejnë hallet e rënda të prindërve të tyre në motive të lojës së pafajshme dhe kështu fillojnë të ndjejnë peshën e jetës.
Dallohen për problematikën e rëndësishme, për tonin e rreptë antifeudal, për dashurinë ndaj atdheut e ndaj njeriut të thjeshtë të popullit, për përbuzjen ndaj gjithçkaje të huaj që vjen të shkatërrojë një traditë të bukur tregimet: "Vjeshta e Xheladin beut", "Hanet e karvanet", "Si u takua Ndoni me Zallorët", "Gjonomadhë e Gjatollinj", "Xha Brahua i Shkumbanares", "Kujtimet e kujtimeve", "Natë muaji Shembiteri", "Natë marsi", "Qetësi para fërtyne" etj.
Dramaciteti i këtyre tregimeve është gërshetuar me një humor shumë të hollë, që vjen gjithnjë organikisht, si sfidim i tragjicitetit. Ai përfaqëson optimizmin karakteristik të thjeshtë e me pasione të fuqishme.Tregimet e para të Kutelit u shquan për lirizmin dhe përshkrime dehëse, kurse të tjerat u shquan për thellësinë dhe vërtetësinë e përshkrimit të jetës.
Historiani, etnografi e filozofi janë shkrirë me poetin, që i këndoi rrjedhshëm në prozë jetësinë e popullit të tij. Tregimet më të mira të tij si: "Xha Brahua i Shkumbanares", "Vjeshta e Xheladin Beut", "Kujtimet e kujtimeve" etj, karakterizohen nga vërtetësia e pasqyrimit nga ngrohtësia e ndjenjës dhe bukuria e mendimit. Në gjithë krijimtarinë e tij gjejmë përjetësimin e krahinës, të gjithë malësisë së Pogradecit. Ai i bëri në prozë krahinës së tij atë përjetësim që i bëri Lasgushi në poezi.
Proza kuteliane dallohet për lidhjen e saj të gjallë me traditën gojore, përrallën, legjendën e sidomos me baladën e Jugut, që ndikuan thellësisht në krijimtarinë e tij. Ky ndikim ndihet në mënyrën e dhënies së personazhit, në formën e shpalosjes së fantazisë e nostalgjisë, në mënyrën e trajtimit të motiveve e detajeve të shumta epike e lirike, të dhënies së botës shpirtërore, të personazheve, në ngjyrat e ndezura dhe tonet e ngrohta, në zhdërvjelltësinë e gjuhës, në humorin dhe ironinë e hollë dhe humanizmin e thellë. Asnjë prozator shqiptar nuk është mbështetur kaq fort te proza e pasur gojore e popullit, te balada e rapsodia. Në tregimet e Kutelit, të konceptuara në përgjithësi në trajta epike, ndihet poezia e një jete të lashtë shqiptare të rizgjedhur nga shpirti i kombit. Në disa tregime si "Qysh e gjeti Ago Jakupi rrugën e zotit", "I pasuri që ish i varfër fort", "I vdekuri dhe i gjalli", "Rinë Katerinëza" etj. Kuteli kërkon një përsosje shpirtërore, një drejtim të njeriut ndaj së mirës dhe humanes sipas filozofisë kristiane. Ato karakterizohen nga tone romantike e ngjyra impresioniste. Pjesa më e madhe e krijimeve të këtij autori, janë tregimet mjeshtërore, që e ngritën prozën tonë të shkurtër në një shkallë të lartë ideoartistike. Proza e Kutelit është e fuqishme me frymë të theksuar popullore, me një gjuhë shumë të pasur e të përpunuar. Në përgjithësi ajo është realiste, por, krahas realizmit, ndihen dhe tone romantike. Pothuaj në të gjitha tregimet, ngjarjet zhvillohen në të kaluarën. Por kjo e kaluar është një mjedis ku ai qëmton probleme e motive të rëndësishme të kohës. Ai vështron në të kaluarën, për të sjellë jehonën dhe shembullin e gjithçkaje të mirë, që ruajti populli ynë nga rebeshet e kohës.
Proza e Kutelit bën pjesë në fondin e artit të letërsisë sonë. Ai i ruan vlerat kryesore ideoartistike ngrohtësinë e poezinë e saj dhe është shembull i mbështetjes krijuese në traditën popullore. Në vitet '30 ky autor kontribuoi shumë shumë për ngritjen ideoartistike të prozës sonë të shkurtër në nivelin e poezisë, sepse deri atëherë ajo kishte mbetur prapa saj.
Mitrush Kuteli zë një vend të veçantë në kulturën shqiptare edhe si studiues kritik. Ai shkroi mjaft artikuj, por studimi, vlerësimi i drejtë e botimi që u bëri ai veprës së dy poetëve të shquar të viteve 20-30 Fan Nolit dhe Lasgush Poradecit, e renditi atë në radhën e kritikëve të talentuar shqiptarë, me shije të përparuar, me intuitë artistike, gjykim të thellë e kulturë të gjerë. Ai gjithashtu mbetet një folklorist i apasionuar. Materialet që ai mblodhi me durim e kujdes, i përmblodhi në vëllimin "Këngë e britma nga qyteti i djegur", Fryt i përpunimit me mjeshtëri i materialeve folklorike ishte edhe vëllimi "Tregime të moçme shqiptare" etj.
Mitrush Kuteli
Nga Behar Gjoka
Ndërsa po rilexoja “Testamentin”, tekstin e fundit të shkruar prej Kutelit, kuptova edhe njëherë pse mjeshtri i rrëfimit dhe tregim
tarisë i letrave shqipe mbetet i [pa] zbuluem përjetësisht. I pazbuluem sepse humbja, nëse do ta kundronim jetën dhe veprën e tij, është gati e përputhur me triumfin dhe prurjen letrare. Përveç ndarjes nga jeta, një humbje e parakohshme, janë humbjet e tjera, sidomos ato letrare që ta tërheqin vëmendjen për ta kundruar vemendshëm si dukuri. Dhe nuk janë dosido, po të shumta dhe të mëdha, e një pjesë e tyre pothuajse të pariparueshme. Në gjallje Kuteli nuk mori asnjë lëvdatë si shkrimtar, jo se kishte nevojë, por se ai me veprën e larmishme letrare, veçmas me lëvrimin e prozës pati krijuar shkollën e rrëfimit dhe të tregimtarisë shqipe. Në fillimet e jetës letrare, fal përkujdesjes së tij, realizohet botimi i poezive të Poradecit, Emineskut dhe F. Nolit.
Madje librat e këtyre poetëve janë shoqëruar edhe me hyrje të gjata, në nivel të shqyrtimit kritik, pra si metatekste të mirëfillta të zbërthimit të veprës së tyre poetike, një modelim i shkrimit të kritikës letrare. As kjo punë fisnike, madje që atij i shkakton shpenzime të shumta dhe kohë të humbur, nuk e pati mirënjohjen dhe kujdesin e kulturës dhe të institucioneve të saj. Në vitin 1947, që përkon me shkrimin e novelës “E madhe është gjëma e mëkatit”, për arsye politike Mitrush Kuteli përfundon në burg. Nëpër njëzet vite, anktheshumë dhe tronditëse, vazhdon kalvari i tmerrit për jetën dhe bukën e gojës. Këtu, pikërisht në këtë çast frikësjellës, në mënyrë të paimagjinueshme ndërpritet edhe ëndrra e shkrimtarit.
Tashmë, me lejen e redaktorëve të realizmit socialist, ai do të merret me përkthimin, me përkthimin e normuar në mënyrë të zyrtarshme, me përkthimin detyrim ku u përfshin me dhjetëra mjeshtër të kulturës dhe letërsisë, të cilët vinin nga periudha e mëparshme. Përkthimet mjeshtërore të Gogolit, Emineskut, Ostrovskit, Turgenjevit etj, jo vetëm i dhanë bukën e gojës për vete dhe fëmijtë, por mbajtën të ndezur edhe “kandilin” letrar, atë ëndrrën e madhe të autorit, për të cilën ishte gati që të sakrifikonte gjithçka.
Në këtë periudhë terri, torturash, burgimesh, ndalimesh, internimesh dhe letnimi, Kuteli, megjithatë arriti të botonte librat: “Xinxifillua”, me përralla dhe “Tregime të moçme shqiptare”, ritregime të epikës legjendare dhe historike të folklorit shqiptar. “Kandilja” shkrimore kuteliane, edhe në kushtet e terrorit diktatorial, rrezaton dritë, art, përthekime letrare edhe në këto hapësira të ngushtuara të shprehësisë letrare, pra një mosthyrje e habitshme karakteriale.
Prapë asnjë rresht për ta përmendur punën e madhe krijuese në dobi të kulturës shqipe, një heshtje vrastare më e ndyrë se sa sulmi dhe përndjekja. Përmasat e prozatorit, si tregimtar, novelist, ligjërues rrëfimesh dhe rrëfenjash, ishte formatuar plotësisht para lirimit të vendit nga fashistët, ku bie në sy numri i madh i botimit të librave me prozat e larmishme. Fitimtarët, në pushtet dhe kulturë, ishin vënë në gjurmë të peshkimit të artistëve dhe shkrimtarëve, pa talent dhe biografi shkrimtarie, në kërkim të shkrimtarit shërbestar.
Gjithnjë sipas modelit {gjedhit} letrar socrealist, fakti që Kuteli ishte i formuar si shkrimtar dhe intelektual, madje me personalitet të spikatur, për këto arsye dhe të tjera, ai i trajtua si dru i shtrembër, që do të duhej mënjanuar nga udha e letrarëve fitimtarë. Shmangia erdhi rrufe, erdhi e tmerrshme, edhe pse intelektuali Dhimitër Pasko, i doktoruar në Rumani për financat, kishte mbrojtur monedhën shqiptare në dy raste; nga pushtuesit nazist, si dhe nga synimet e komunistëve jugosllavë. Mbase, këto ngjarje, që nxorën në pah aftësitë e avokatit të ekonomisë shqiptare, u bën shkaku kryesor, që ta përzinin njëherë e përgjithmonë nga institucionet shtetërore. Përzënia e parë përgaditi dhe shtroi udhën për përzënien e madhe prej panteonit të letrave shqipe, nga mundësia për ta ushtruar ndikimin e vetë legalisht, çka pati ngjarë pa pengime gjer në vitet 1944. Në vitet e territ të ndritur ngjau ndëshkimi i paimagjinueshëm i mjeshtrit të fjalës shqipe.
Sa qe gjallë, me frymë e forcë të jashtëzakonshme shpirtërore, nuk preku dhe ndjeu as vlerësimin më të vogël si shkrimtar, prozator dhe poet, kritik dhe përkthyes, si botues dhe intelektual. Mbase prania e këtyre shenjave dhe shenjëzimeve identifikuese, u bënë shkasi kryesor për ta goditur me të gjitha format; goditje fizike duke e burgosur, goditje shpirtërore duke ia vrarë ëndrrat për një Shqipëri demokratike, goditje letrare duke ia heshtur veprën letrare, botuar para lirimit të vendit nga pushtuesit, e sidomos ndërprerjen e ëndrrës letrare duke e detyruar, në mënyrë pseudodemokratike apo diktatoriale, që të përkthente me normë dhe jashtë dëshirës dhe shijes letrare të shkrimtarit.
Ndëshkimi në gjallje, merr fund me ndarjen e parakohshme nga jeta, më 4 maj 1967, pra pa i mbushur as gjashtëdhjetë vitet. Pas këtij momenti zë fill periudha e dyzuar, e pranim-mospranimit të veprës letrare të Kutelit. E pranimit, sepse qysh në vitet 1972 nisi botimi i krijimtarisë së gjerë letrare, siç është vrejtuar nga verifikimiet e mëvonshme duke krahasuar dorëshkrimet me tekstet e botuara, vërtet duke ia ndryshuar disa trajta ligjërimore gjuhësore, gjë që do të thotë se kemi të prekur autentiken, autoriale, pra e një pranimi gjysmak të veprës së shkruar. Ndërsa në fillim të viteve ’80 duket edhe ndonjë konsideratë, e përgjithshme dhe krejt e përciptë rreth veprës letrare kuteliane, e tipit “mjeshtër i rrëfimit”, një frazë ekuivoke, sepse në krijimtarinë e Kutelit, rrëfimi është edhe lloji letrar, njëri nga më të dashurit e shkrimtarit, por është edhe mjeti i poetikës së prozës. Ngatërrimi emërtues nuk ka gjasa të jetë i rastësishëm, përkundrazi është një qëndrim prej xhirafe, fshehje e kokës në rërë me shpresë se ka shpëtuar edhe trupi, nga ana akademikëve.
Ku formulim, por edhe të tjera të matura me metrin e akademistëve të socrealizmit, lë në hije tipologjinë e zhanreve të lëvruara prej autorit, si dhe thelbin e prurjes së shkrimtarit, ligjërimin e prozës moderne. Kuteli dhe Koliqi, me prozën e larmishme të lëvruar para mbarimit të luftës, kanë meritën e shkëputjes së prozëshkrimit shqip nga moralizimi, rapsodizmi bisedimor dhe shtjellimi monoton, dhe e futjen në vijën [hullinë] e lëvrimit bashkëkohor si frymë, si teknikë dhe shprehësi letrare.
Në fillim të viteve ’90, nën përgjegjësinë e N. Jorgaqit, botohet e plotë, së paku sipas shënimeve të bëra, vepra letrare e M. Kutelit, me pesë vëllime, ku është përfshirë poezia, proza, ktitika letrare etj. Megjithqë, edhe në këtë sipërmarrje, simbas studimeve të mëvonshme letrare, lihen jashtë botimit disa tekste origjinale të shkrimtarit, dhe tanimë thellohen ndryshimet gjuhësore, të cilat e kanë zbehur ndjeshëm praninë shkrimore të autorit. Pas viteve ’90, që përkon me shembjen e diktaturës komuniste dhe fillesat e demokracisë shqiptare, figura e Kutelit i kthehet vlerave letrare të shqipes, zë e zbulohet si vlerë letrare e mëvetësishme, madje në jo pak raste hienat e studimeve të dikurshme tentojnë të fshihen prapa artit të Kutelit për të mbetur qendër e verifikimit letrar, kur me shqyrtimet e kryera vërtetojne se u ka mbetur ora në studimet sociologjike dhe ideologjike.
Mendimi hedhur nga M. Camaj, se Kuteli është ende i pazbuluem, vijon të nxisë kërshërinë e leximit, shfletimit dhe shqyrtimit të pambarimtë të krijimtarisë së mjeshtrit të prozës shqipe.
Kjo ide, pra se Kuteli vijon të jetë i pazbuluar, nxit studimet për ta interpretuar pjesën që e trashëgojmë, e patjetër për të thelluar kërkimet për humbjet e mëdha, për humbjet të cilat gjithsesi nuk zbehin literaritetin në tekstet e lexuara, shqyrtuar nga studimet letrare. Merita të posaçme, sa i përket mënyrës shkrimore kuteliane, në lëmin e prozës posaçërisht, bart edhe sintagma “mik tre ditësh rrymash letrare”, si e pati formuluar M. Camaj, këtë përvojë shkrimore. Formatimi i mjeshtrit për mjeshtrin si “mik tre ditësh” sjellë me vete shumë shenja dhe mbishtresime letrare, të cilat fokusojnë dimensionet reale të autorit:
Së pari: Se Kuteli është i paqëndrueshëm në raportimin e vetë me letraren. Paqëndrueshmëria në art nuk është e barabartë me mosqëndrueshmshërinë në jetë, e rrafshit etik, pra si karakter i paqëndrueshëm, në idealitet si gjurmë e ndryshimit të menjëhershëm. Paqëndrueshmëria në art dhe letërsi është diçka tjetër, mbase është vetë thelbi i qëmtimit dhe materializimit të letrares.
Së dyti: Se artin e fjalës, Kuteli e mendon dhe e realizon në dinamikën e lëvizjes, në dinamikën e kërkimit të vlerave letrare, të vlerave si thënie dhe shprehësi letrare. Paqëndrueshmëria ndaj rrymave letrare është tregues i kërkimit të letrares në të gjitha vatrat ekzistenciale.
Së treti: Se fakti i lëvrimit të të trija gjinive letrare, poezisë, prozës dhe dramatikës, faktologjia e shkrimit të gjithë llojeve të prozës, tipike si: tregimi, novela, romani, të prozës me origjinë orale, si rrëfimi dhe rrëfenja, të prozës së rishkruar nga poezia dhe drama, tashmë në formën e ritregimit, e pasqyron natyrën e mosqëndrueshmërisë si vlerë letrare, si vlerë e dinamikës dhe kërkimit të pafundëm.
Leximi me tezë, edhe në këtë ndërkohje, i veprës letrare të Kutelit, gati ka pamundësuar komunikimin real me veprën e shkrimtarit, madje edhe keqkuptimin e shpërdorimit të vlerave letrare të krijuara prej tij. Vijimi i leximit sociologjik, madje duke e menduar si të vetmin, çka shprehet me krenari edhe nëpër tryeza shkencore, e vështirëson leximin dhe shqyrtimin e teksteve të autorit. Leximi i realizmit të Kutelit si realizëm grotesk, nuk shjegon dot magjinë letrare të Kutelit, por e fut në qorrsokak trajtimin e prozës së autorit. Teoritë letrare, klasike dhe moderne, në të gjitha trajtat dhe lakimet e veta, deri më tani ofrojnë trajtimin e konceptit realizëm, me tre ngjyresa: realizëm kritik, realizëm socialist dhe realizëm magjik. Qenia akademik në këto trajtime dhe përcaktime shpikje, nuk e lehtëson situatën, përkundrazi ajo tregon se çfarë lloji akademikësh na vijnë nga koha e Babaqemos.
Po ashtu leximi eseistik, një mënyrë interesante, por e pacitueshme si trajtim shkencor, nuk e zbërthen vlerën e teksteve të Kutelit. Pra, bashkë me zbulimin në këtë periudhë është thelluar edhe keqleximi, keqinterpretimi i veprës letrare të Mitrush Kutelit, herë-herë duke e përfshirë në situata të çuditshme interpretimi. Titujtë e shqytuesve, nuk mbrojnë dot nderin e nëpërkëmbur prej vetë atyre. Leximi ideologjik, një term i K. M. Shalës, për të gjithë autorët, e veçmas për Kutelin duhet të marrë fund. Kjo është njëra nga humbjet e jashtëzakonshme, që e lë në hije mjeshtrin e prozës shqipe. Këto që përmendëm, pra mospërfilljen e veprës letrare, përkthimore, kritike dhe botuese, përsa kishte frymë, botimi i cunguar letrar dhe gjuhësor i krijimtarisë letrare autoriale, si dhe leximi i pamundshëm sociologjik dhe ideologjik prej studiuesve dhe estetëve të estetikës së brendisë, që kanë shpërfillur formën, janë një pjesë e vogël e humbjes së madhe, humbjes së disa teksteve letrare. Këto humbje të mëdha dhe të pariparueshme, na i bën me dije A. Pasko, e bija e shkrimtarit. Ndër të tjera shprehet: “humbi tërë novella kryesore, “Dashuria e barbarit Artyan për të bukurën Galatea” dhe gjysma e novelës tjetër, “Sbulesa e dytë e Pjetër Kulirës nga Liqerasi. Humbi edhe një roman që u kushtohet të burgosurve të kampit të Prishtinës si dhe drama “Ura”, me motive të legjendës së murimit…S’dihet ç’u bënë edhe librat “Rrëfimet me të gjallë e me të vdekur” dhe “Shënime ekonomike.” Humbja është e madhe dhe dyfishe:
- Humbja në lëmin ekonomik, të fushës së financave, e cila do të sqaronte përmasën e intelektualit dhe të ekspertit në fushën financiare. Nga njoftimet e medias është marrë vesh se këto shënime do të botohen deri në muajn shtator dhe do të paraqiten para lexuesit në kuadrin e 100- vjetorit të lindjes së shkrimtarit. Është një shenjë e mirë e kthimit të pranisë së vlerave të krijuara nga Kuteli.
- Humbjet në lëmin e letrave, pra të teksteve letrare të autorit, e cila është më e thellë dhe mbase e pariparueshme. Është më e thellë sepse në mungesë të tekstit të dramës, portreti i shkrimtarit do të mbetet përjetësisht i paplotë. Po ashtu, në mungesë të romanit të dytë të Kutelit, kushtuar të burgosurve të Prishtinës, ngelet në zgrip teza e shkrimit të romanit prej autorit, natyrisht mbetet pezull prej atyre lexuesve, e sidomos prej atyre studiuesve, graduar si akademik nën kudhrën e socrealizmit, pra kryekëput prej atyre që nuk duan ta shqyrtojnë realisht tekstin mbi Enkelinë si roman.Megjithatë, prania e tekstit të romanit mbi të burgosurit e Prishtinës do ta dyfishonte tezën e shkrimit të llojit të gjatë, romanit nga autori.
Edhe në lëvrimin e novelës dhe të rrëfimeve humbja është shumë e madhe, aq sa konkluzionet për krijimtarinë autoriale nuk e përmbushin dot boshëtirën e krijuar për shkak të humbjeve të konsiderueshme. Paplotënia shkrimore e Kutelit, në dramatikë, prozën e të gjitha llojeve, është shenjë e pamundësisë për ta kuptuar dhe shpjeguar universin letrar të shkrimtarit në caqet e plota të përfaqësimit. Megjithatë, kjo paplotëni e vlerave letrare të sendërtuar prej tij, nuk ka se si të frenojë dhe të pengojë shqyrtimin e teksteve letrare kuteliane, të atyre teksteve që trashëgojmë, veçse tanimë interpretimi të realizohet në nivel të formës dhe formësimit letrar, të strukturës dhe shprehësisë letrare, të rrafsheve të rrëfimtarisë, aq të larmishme dhe si shenjëzim vlerash letrare.
Humbjet e të gjitha llojeve, por veçanërisht ato të teksteve letrare, erdhën prej rrethanave jashtëletrare, nga burgimi, letnimi dhe përndjekja e pandërprerë. Për arsye letrare, si të thuash të prekjes dhe shijimit të letrares magjike, të asaj esencës shkrimore, sidomos në lëvrimin e prozës, papërjashtim në shkrimin letrar të gjithë llojeve të saj, ka kuptim interpretimi i faktologjisë letrare të realizuar prej shkrimtarit. Faktologjisë letrare, që ka shpëtuar nga përndjekja e diktaturës, e cila tashmë nuk ka pengesa botimi.
Leximi, shfeltimi, shqyrtimi dhe rivlerësimi i teksteve të shkruara si variante dhe versione, i teksteve metatekste ose i kritikës letrare, aq të parapëlqyer dhe të lëvruar me sukses nga autori, i teksteve në poezi, në poezitë drithëruese kushtuar vendlindjes, e veçmas në vargjet lapidar të “Poemit Kosovar”, një krijim i shkëlqyer i atdheut virtual, i atdheut real, por të ndaluar prej rrethanave dhe paderjtësive, i gjysmës së Shqipërisë, të ndarë në fillimshekullin e kaluar.
Pjesë e vëmendjes së studimeve bashkëkohore, e rivlerësimit dhe vendosjes në vendin ku i takon, në krye të vlerave letrare të shkrimit të prozës, duhet vënë edhe trashëgimija në këtë gjini, tregimet, rrëfimet, rrëfenjat, novelat, dhe mbi të gjitha të jepet një përgjigje e plotë dhe e argumentuar e faktit të lëvrimit të romanit, madje e shkrimit me kualitet, nëse e kundrojmë vëmendshëm prozën e gjatë mbi Enkelinë.
Proza në duart e Kutelit, vetiu shpërndërrohet në mrekulli letrare, në magji që të befason dhe të mbush shpirtin plotë ndjesi të holla. Dhimitër Pasko, alias Mitrush Kuteli, emri i tij letrar, nga këto humbje që u vunë re, të cilat nuk janë të vetmet, mund të vështrohet si shkrimtar i humbjeve të mëdha, madje i humbjeve të pazëvendsueshme. Prania e tij, me tekstet e botuara në poezi, prozë, kritikë letrare dhe përkthimet, paprania prej humbjeve të ndjeshme në analizat ekonomike, dhe tekstet letrare, janë në ekuilibër të habitshëm, në ekulibër që nuk e humbet autorin, përkundrazi na e zbulon në një dritë të dyfishtë, që flet me praninë dhe papraninë.
Megjithëkëtë, falë mjeshtërisë rrëfimore dhe tregimtarisë së shkrimtarit, prania e Kutelit është më e fuqishme dhe më funksionale se sa paprania. Prania e Kutelit, si përvojë shkrimi letrar dhe krejt origjinale në tekstet në prozë dhe patjetër edhe në shkrimet e tjera letrare, në poezi dhe kritikë letrare. Kjo prani është e prekshme me ndikimin e vetë mbi shenjat e literaritetit të letërsisë moderne shqipe. Pra, humbjet e shumta në tekstet e prozës së shkruar prej Kutelit, por edhe të pagjetura, pra të panjohura dhe të pavelerësuara, që ngërthen në vetvete një sasi të përfillshme vlerash letrare, nuk zbehin përfundimisht tipologjinë shkrimore kuteliane, e cila shpërndrit plotëninë e magjisë letrare në sendërtimin e rrëfimit dhe rrëfenjës, proza këto që e kanë origjinën tek arti gojor, me realizimin cilësor të tregimit dhe novelës, me tonalitetin dhe ngjyresat mbresëlënëse të pagjasshme në letrat shqipe, me shkrimin e romanit me nivel të ngritur literariteti. Pohimi i bërë nga shkrimtari në fund të “Testamentit”: “Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë. Të vrasin shokët, se u bën hijë. Dhe kur nuk bën hije do të thonë se nuk je i zoti për letërsi.”, sikur është shkruar enkas për këndej kohën, kur mbarshtohet estetika e refuzimit estetik, estetika e përbaltjes dhe jo e komunikimit ndërmjet të ndryshmëve të barabartë, jo në dije dhe vullnet, po në të drejtën e shprehjes.
Kuteli, emri dhe vepra e tij letrare, pavarësisht humbjeve të konsiderueshme, në historinë e letrave shqipe, ka një vend të veçantë, çka lidhet ngushtësisht me prurjen letrare, e veçanërisht me tekstet e shkruara prej tij, të cilat aspirojnë dhe sendërtojnë letraren në kuptimin e parë të kësaj fjale. Letraren që e shpërfill kontekstet dhe rrethanat jashtëletrare. Letraren si magji e shprehësisë dhe shumfishësisë emocionale, letraren që i braktis patericat ideologjike dhe ndërkomunikon vetëm si art, si esencë letrare e pastër, pra si paraqitje e pastër e njëmendësisë.
Shkroi nën pseudonimet Mitrush Kuteli, Izedin Jashar Kutrulia dhe Dr. Pas. Studimet e mesme i kreu në Selanik, kurse të lartat në Bukuresht, ku më 1934 mori titullin "Doktor i shkencave ekonomike". Më 1942 u kthye në atdhe, ku punoi në fillim si ekonomist dhe më vonë e derisa ndërroi jetë, si përkthyes. By : Ditjon Krasniqi VII-3 Yll morina
Mitrush Kuteli është njëri prej prozatorëve më të shquar të letërsisë sonë, ushqyer që në fëmijëri me legjendat dhe baladat e Jugut, sidomos me ato të malësisë së Pogradecit, qytetit të lindjes së tij. Duke njohur thellë edhe letërsinë botërore, ai arriti të krijojë një prozë realiste origjinale, të fuqishme, me një fantazi të jashtëzakonshme. By : ditjon Krasniqi VII-3 Yll morina
Vepra e tij ishte e ndaluar apo gjysmë e ndaluar dhe s’u botua e plotë deri në vitin nëntëdhjetë, kurse në faza të ndryshme kohe as u mësua e as u fol për të. Ky, në të vërtetë, është fati i shkrimtarit i cili nuk iu përshtat asnjërit nga dy sistemet e Shqipërisë: Monarkisë e Komunizmit. Po dhe të dy sistemet nuk e duruan atë si njeri të kulturës e të fjalës së lirë By : Ditjon Krasniqi VII-3 Yll morina
Libri i Kutelit Sulm e lotë përmban Poemin kosovar dhe Poemin e Shëndaumit si dhe dy lirika: Balta shqipëtare e Po të vdes në dhé të huaj. E pazakonshmja është se libri nënshkruhet me tre emra: Izedin Jashar Kutrulija, Mitrush Kuteli e Dr. Pas, që të tretë pseudonime të Dhimitër Paskos. Izedini del si autor i Poemit kosovar, Mitrushi si autor i Poemit të Shëndaumit kurse Dr. Pas si shkrues i parathënies. By :Ditjon Krasniqi VII-3 Yll morina
Dallohen për problematikën e rëndësishme, për tonin e rreptë antifeudal, për dashurinë ndaj atdheut e ndaj njeriut të thjeshtë të popullit, për përbuzjen ndaj gjithçkaje të huaj që vjen të shkatërrojë një traditë të bukur tregimet: Vjeshta e Xheladin beut, Hanet e karvanet, Si u takua Ndoni me Zallorët, Gjonomadhë e Gjatollinj, Xha Brahua i Shkumbanares, Kujtimet e kujtimeve, Natë muaji Shembiteri, Natë marsi, Qetësi para fërtyne etj.
Mitrush Kuteli është autori i parë shqiptar që botoi vëllime me kritikë: Lasgush Poradeci (1937) dhe Shënime letrare (1944). Kritika e tij letrare shfaqet në trajta të ndryshme: shënim, recension, studim e ese. Dy studimet e tij më të njohura për letërsinë shqipe janë ai për poezinë eLasgush Poradecit dhe ai për poezinë e Fan S. Nolit. By :Ditjon Krasniqi VII-3 Yll morina
Mitrush Kuteli, bashkë me Ernest Koliqin, është themelues i prozës moderne shqipe dhe njëri ndër autorët më të njohur të modernitetit shqiptar. Madje, ka mendime që Kutelin e shohin bashkë me Lasgushin si autor themelor të gjithë letërsisë moderne shqiptare. By : Ditjon Krasniqi VII-3 Yll morina
Rreth dyzet vite pas vdekjes, më 27 shtator 2002 me dekretin nr 3478, me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinis dhe Sporteve dekorohet nga Presidenti i Shqipërisë me dekoraten e nderit të Republikës së Shqipërisë : Urdhri "Mjeshtër i Madh i Punës". By: Ditjon Krasniqi VII-3 Yll morina.
vijon
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjes Empty Re: Mitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjes

Mesazh nga Agim Gashi Wed May 11, 2011 8:50 pm

Mitrush Kuteli, ikja e dhunshme e para 40 viteve
Shkruar nga Flora Nikolla
Një herë në një vend x , një ministër të brendshëm e pyeten se kush kishte qënë ministër I brëndshëm në kohën e Shekspirit. -Nuk e di , i ishte përgjigjur ministri. -Por kur nuk e di ti që je ministër , kush mund ta dijë tjetër, i ishte përgjigjur njeriu që etapat e historisë njerëzore i kishte të lidhura me emra të mëdhenj të letërsisë.
Se në fakt, kujtimi për njerëzit e mëdhenj, që shkruajnë letërsi, vetëm duket se pushon mbi kohën, e cila edhe pse ikën apo duket sikur kinse fle, zgjohet e madhërishme dhe e pandjeshme nën emrat e mëdhenj. Emrat e tjerë janë vetëm emra, që flenë me emrin e ujit të vdekur. Flas këtu për vlerën që mbjell farë në tokat djerrë në të verdhë të mardhur, por që nxisin jetën për të mos e jetuar me vetminë vetmitare. Sepse sado mundohen të fshehin prodhimin e tyre, ajo rritet 'e harbuar' mes kohës duke vrarë vitin kur është shkruar dhe pastaj vetiu i detyron njerëzit të pyesin si ai njeriu, cili ka qënë ministër i brëndshëm në kohën e Shekspirit…!!! Dhe unë them se jehonat e njerëzve që ditën të shkruajnë letërsi në Shqipëri nuk do të mund të dëgjohen ndonjëherë me erë vjetërsie. Dhe nuk janë pak.
Flas këtu për Mitrush Kutelin. Një stilist i rrallë, sa edhe psikolog i thellë, tek i cili rrëfimi rrëshqet nga gjuha e blatuar me ngjyrimet popullore. Edhe ai shkroi në fillimet e një shekulli të kaluar.
"Duhet thënë se ne na duhen shqipërime, jo përkthime fjalë për fjalë. Në përkthime kemi penda varfanjake e sidomos kaleme anonimë që nuk njohin ligjet e shqipes dhe ca më shumë gjuhën nga e cila mburon vepra. Shumë përkthime ku shqipja ka dalë e therrur në gisht…" Vallë sa kohë kanë kaluar që kur Mitrsh Kuteli, mjeshtri i rrëfimit të shqipes, ka renditur këto fjalë? Me një frymë, pyetjes mund t'i përgjigjesh se i ka thënë dje, ose në një simpozium shkencor organizuar pak kohë më parë. Koha vetëm mbas këtij fragmenti, duket e fshirë se në mes tyre të jepet e vërteta absolute: e tashmja e ngërthyer njështaz me të tashmen… Mitrush Kuteli, ka shumë vjet që ka ikur fizikisht. Atëhere ishte 4 maji i vitit 1967. Në fakt ai iku se të tjerë, ia afruan me dhunë e forcë psikologjike ikjen. Shqipëria atëherë kuadratonte në çdo cep të jetës ideologjinë komuniste që tentuan t'ia jepnin edhe Mitrush Kutelit nën titullin anemik Armik i Popullit.
"Profesionalizmi në letërsi, në vendin tonë është hë për hë një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur them për atë që s'di marifete e hipokrizira. Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë . Të vrasin shokët se ju bën hije. Dhe kur u bën hije do të thotë që nuk je i zoti për letërsi…", kështu shkruante Mitrushi në Testamentin e tij. Por mbas fjalëve të tij do të guxoja të thoja se titulli anemik ishte një tentativë e dështuar, vrimë në natën e zezë e pushtuar e tëra nga një ëngjëll. Pastaj menduan se duke e çuar në kampin e Vloçishtit në Maliq, do t'i merrnin arsyen e dashurisë dhe të jetës, apo do t'i humbisnin emrin. Kërkonin ta vrisnin emrin e tij, brenda pasqyrës që bënte dritë. Dhe ai donte të fliste dhe t'i këndonte jetës , kur në një ditë të ftohtë prilli për orë të tëra e mbuluan me baltë të ftohtë kënete.
Një mik i tij i burgut, guxoi t'i flasë purgatorëve "Shpëtojeni atë njeri. Po vdes…" Është si t'i mbyllësh sytë dhe të betohesh se nuk do t'i hapësh më kurrë nga e gjitha kjo. Dhe me sytë mbyllur brenda dhimbjes t'u biesh këmbanave të alarmit deri sa fjalët e shkruara nga ky njeri vetiu të tingëllojnë magjishëm. Dhe kur ai vdiq, sërish dikush kërkoi të vendosë në hije emrin e tij, mbi vdekjen, fjalë e rëndë e pabesueshme, fjalë që godet. Por hija e imponuar mbi emrin e tij nuk mund të ishte kurrsesi hije. Dhe këtu bëj pyetje… A mundet të ekzistojë në letërsi koncepti i vdekjes artistike? Poeti kombëtar i Rumanisë, Mihail Eminescu, flet shqip nga viti 1939 nga shqipërimi i Mitrush Kutelit, poeti i madh i Ukrainës, Taras Shevcenko flet shqipen e kulluar të Mitrush Kutelit, Gogol, shkrimtari i madh rus në librin e tij "Frymë të vdekura", mban nënshkrimin Mitrush Kuteli… Po sa libra të tjerë të përkthyer nga rusishtja, rumanishtja, italishtja, frëngjishtja, të llogaritura në rreth shtatë mijë faqe librash shtypur me germa të vogla , mbajnë përsëri një emër…, Mitrush Kuteli.
Për të vazhduar…, "Netë shqiptare ", libri me rrëfime, "Ago Jakupi e të tjera rrëfime ", libri me poema "Sulm e lotë", tregimet e "Kapllan Aga i Shaban Shpatës", "Shënime letrare" dhe pamfletet satiriko-politike "Havadan në havadan", rrëfimet e papërsëritshme "Pylli i gështenjave ", "Xinxifilua", "Tregime të moçme shqiptare", "Baltë nga kjo tokë", "Në një cep të Ilirisë së poshtme", apo jeta e tij paskësaj në dy testet autobiografie: "Kujtesa" dhe "Testamenti"…
Më mirë të mos flasësh, për të mos thënë fjalë,… sa shumë fjalë që thonë njerëzit. Pastaj ato bien vetëm si uji që ikin. Dhe pastaj fjalët përpara veprave bëhen të shurdhëta e memece. Por kësaj here, fjalët duket sikur duan të bëhen zjarr nga privilegji që ju jep emri i Mitrush Kutelit, pogradecari që lindi 100 vjet të shkuara, ekonomisti i shquar, prozatori që diti ta tingëllojë vetëm me tingull kutelian prozën e tij. Sepse proza e Kutelit nuk gëlthet, shqipja në të vetëm rrjedh. E paskësaj, lulja delikate që i jep formë mendimit dhe konceptit të veprës së tij është përgjithnjë gjuha e rrallë e rrëfimit, e dhënë shkrythët dhe pa spazma cerebrale. Ia imponuan vdekjen apo iku për të mbetur një gur i çmuar brenda rrëfmit artistik? Pyetja mbetet përgjithnjë shurdhe -memece përpara veprës së tij.
Si e varrosën të gjallë
Ndërsa njerëzit ngatërroheshin nëpër zhurmën e ceremonisë së përkujtimit të ditëlindjes së Mitrush Kutelit, një burrë i thinjur nisi të rrëfejë një histori të vjetër. Me këtë qëllim kishte ardhur enkas nga Elbasani. Fillin e nisi nga një ditë e veçantë…nga viti 1948. Hamza Tusha, atëherë ishte një djalosh i ri që vuante një dënim në kampin e Vloçishtit. Atje kishte marrë vesh rastësisht, se në kampin e tyre po kalonte dënimin edhe një shkrimtar i madh. I kishin thënë se shkrimtari quhej Dhimitër Pasko. Kishte dëgjuar për të shumë rrëfime nën zë nga të tjerët ndërsa vetë ende nuk kishte arritur ta njihte. "Ajo ditë e ftohtë prilli, bëri që unë ta njihja nga afër, e në një mënyrë mjaft tragjike"- nis të tregojë burri i thinjur.- "Ndërsa punonim të gjithë aty në atë kamp, një kapter që quhej Skënder, thërret me të madhe që t'i sillnin atë shkrimtarin. Pastaj urdhëroi dy të tjerë që t'i hapnin një gropë të madhe mbi një metër e gjysmë të thellë". Të burgosurit kanë parë me sy të habitur gjithë ç'kishte ndodhur në ato pak minuta, gjithë lëvizjet e shpejta të lopatave që nxirrnin dheun rreth gropës që merrte formë nga minuta në minutë. Më tej panë shkrimtarin që tërhiqej me forcë, se si e kanë zhveshur, se si e kanë plandosur më tej në gropën e thellë, ashtu të zhveshur lakuriq. "Mbaj mend që atëherë ishte shumë ftohtë. Ishte ndoshta fillim prilli dhe koha ende nuk kishte nisur të ngrohej. Si e futën brenda në gropë, e mbuluan me plisat që kishin lënë rreth saj, derisa dheu i arriti deri tek mjekra"- shpjegon me hollësi bashkëvuajtësi i hershëm i shkrimatrit të madh. "Pastaj-vazhdon më tej ai- e lanë aty, të futur brenda në tokën e ftohtë e të lagësht afër kënetës së Maliqit. Si kaluan disa orë, atij filloi t'i ikë fytyra. Iu shtrembëruan nofullat dhe nuk nxirrte dot asnjë tingull nga goja. Ne të gjithë e shihnim, pa mundur të bënim asgjë. Të ktheje fjalë atëherë, sidomos në situata të tilla, ishte si ta kërkoje vdekjen me zor"- thotë Hamzai- "Atë kohë komandant kampi, ishte një i quajtur Tasi Maku. Në momentin që ai kishte ardhur për të thirrur të burgosurit, një shoku im që kisha në krah më thotë : "Sa keq, ky njeri që është groposur këtu është një shkrimtar i madh. Pse nuk i del komandantit përpara t'i tregosh ( unë isha komandant i një brigade të vogël të burgosurish që udhëhiqja punën). Megjithëse kisha shumë frikë, e mora guximin dhe i dola përpara komandantit duke i thënë - "Kapter Skënderi ka futur një njeri të gjallë në dhe. Mbaj mend që ai u alarmua. Kërkoi me ngulm të gjente kapterrin që kish bërë këtë veprim. Më pas e nxorrën trupin e shkrimtarit duke i bërë shërbimet e duhura që ai të vinte në vete." Kanë kaluar shumë vite, që nga 1948. Gjithsesi burri i thinjur nuk ka mundur ta zbehë kujtimin e atyre ditëve. Aq më shumë ky kujtim iu përforcua në ditën kur një djalë dhe një vajzë i kishin trokitur në derë. Ishin bijtë e atij shkrimtari të përvuajtur të cilët kishin dashur ta njihnin nga afër njeriun për të cilin babai u kishte folur gjatë. "Më thanë se babai i tyre u kishte rrëfyer për një njeri që e kishte shpëtuar dikur nga vdekja. E ai njeri isha unë. Ndaj jam këtu, më shumë për të nxjerrë nga vetja atë kujtim që më rëndonte shumë mbi supe, sesa për të marrë pjesë në diskutimet e kësaj ceremonie përkujtimore."-përfundon rrëfimin e tij Hamzai.
Mizoria e diktaturës ndaj intelektualëve të padëshiruarë
Kujtime nga koha e kasolleve
(...) Në fillim të viteve pesëdhjetë, rierdhëm në Tiranë familjarisht. Ishim në kohën e zbaticës së luftës së klasave, sepse këtë kishte bërë edhe Krushovi, në prag të Kongresit XX. Puna ime e asaj kohe ishte shofer në parkun e mallrave.Gjeta, madje, edhe një shtëpi: Në fillim të rrugës “Mine Peza”, përballë “Kafe Florës” së atëhershme, nuk di përse ishte lënë i pambaruar një pallat, që kishte mbetur karabina për një kohë tepër të gjatë. Në njërën nga zgavrat e kësaj ndërtese banonte një kushërira jonë. Ajo bisedoi me 6-7 familjet e tjera, - hallexhie si ajo vetë - dhe ato pranuan të vinim ne ta zinim një skaj që kishte mbetur, se mos futeshin të tjerë, të panjohur. Të katër shtyllave të kthesës së shkallëve për në katin e tretë, iu mbërthyem hasra dhe kjo ishte “shtëpia” jonë. Tërhoqa prindët dhe gjyshen nga vendet ku ishin degdisur pas dëbimit të 1949-s dhe babai, optimist në natyrën e tij, tha: -“Ekstra, s’ka më mirë”.
Në këtë karakatinë na erdhi për vizitë Dhimitri. Si e gjeti shtëpinë, ku sapo kishim zënë një “kthinë” i thënçin? (Të vuajturit kishin një solidaritet të çuditshëm dhe ishin në informim të njëri-tjetrit). E mbaj mend shumë mirë Mitrushin, njeriun e qetë, me atë të folur të avashët, i qeshur dhe i ëmbël, që s’ta jepte përshtypjen në atë kohë se jeta do të kishte fuqinë dhe pashpirtësinë që ta shndërronte në një person melankolik, të dëshpëruar tejmase, të pashpresë, që do ta quante vdekjen “lirim nga dhembjet”.
Im atë e priti me krahëhapët, ashtu edhe nëna ime; por edhe unë e përqafova, si ta kisha njohur që më parë. Më kishin magjepsur tregimet e tij, artikujt letrarë e kritikë në atë revistën e njohur të katërshes së ’44-s. Kisha lexuar me etje vlerësimin që i kishte bërë Lasgushit dhe dinja se ishte marrë me botimin e “Yllit të Zemrës” dhe të “Valles së Yjve”, botime të një niveli europian. Më kishte bere për vete proza e tij që rridhte si ujët e burimit. Im atë e çmonte së tepërmi për pastërtinë e gjuhës shqipe. (“Fëmijët i kam porositur të duan vendin dhe gjuhën tonë, gjer në vuajtje” - lexojmë në Lamtumirën e tij).
Sigurisht që unë e njihja atë, si shkrimtar të madh, nga të rrallët e letërsisë sonë. Po ai nga dinte aq shumë për mua? Dinte se, pas përjashtimit nga shkolla, u mora mënjëherë ushtar dhe maturën duhej ta bëja tani, pas gjashtë viteve. Dinte se kisha punuar në kriporen e Kavajës (Karpen) si gjeometër dhe tani: shofer!
I pëlqeu optimizmi i babait tim. Na dha adresën e shtëpizës së tij. Vajta edhe unë me tim atë. Një mjerim i thellë, në një kolibe që të zinte frymen...Shumë nga librat i kishte nëpër kartona. Vuajtje më të rënda nga ato të Bulgakovit, që i bënte letra të njëpasnjëshme Stalinit. Por dramaturgu i shquar rus mbetej vazhdimisht në në mjerimin e vet...
Krenar në varfërinë e tij
Kisha marrë vesh se dy vjet e gjysmë më parë ishte botuar një letër lamtumire e Kutelit, në prag të vdekjes. Le ta quajmë një Testament familjar. Letra i drejtohej së shoqes. Isha interesuar por vetëm tani, para disa ditësh e gjeta fare rastësisht , në një botim të Top Albania Radios, të datës 24 mars 2001.
Ç’është e vërteta, për Kutelin është shkruar, pas shembjes së diktaturës, më pak se për Lasgushin. Për këtë poet krenar të lirikës shqiptare, më të madhin, di mjaft, shumë gjera: për varfërinë e tij kronike, për shpërfilljen, për pagesat si përkthyes që s’i mjaftonin as për të nxjerrë pesëmbëdhjetëditëshin...
Por për prozatorin tonë të madh, Mitrush Kutelin, dashamirët tanë të letërsisë presin një monografi. Presin edhe më shumë shkrime për jetën e tij të trishtuar, për shpërfilljen e regjimit, për burgosjen e një njeriu që ishte personifikimi i pafajësisë. Por me karakter, ama. I dobët në fatkeqësitë që i ranë si një rebesh në kokë, por trim në varfërinë e tij, duke pasë qenë tri herë drejtor bankash e duke mos rënë në kompromise vetjake, në vende të tilla që sot quhen fitimprurëse ... Kemi të bëjmë, po, me një kurajë atdhetare në kundërvënien e guximshme ndaj prekjes së interesit kombëtar.
Duket se rrjedha po më çon në një portret-shembëlltyrë, domethënëse për njerëzit e sotëm të cilët dje u ndeshën me një korrupsion asfiksues, të shtrirë që nga kupola gjer tek ai i thjeshti që duhet të të vinte vetëm një pullë në një shkresë, kurse sot kërkojnë të na mbushin mendjen se s’paska pasur të korruptuar, dhe korrupsioni na qenka një hamendje vetëm për të cenuar të drejtat njerëzore!
Vuajtja, burgu, sëmundja
Dhimitër Paskoja, si shumë intelektualë të tjerë të ndershëm, i kishte mundësitë të bënte një jetë të qetë, por edhe komode, - do të thosha, - jashtë shtetit, qoftë edhe në Rumani. Kishte ngritur zërin e tij të frymëzuar, kundër pushtimit të shtatë prillit të ’39-s, me poema të një ardhedashurie të zjarrtë. Kishte edhe vetëdijën e një njeriu të dëlirë, të pastër, të pakorruptueshëm. A nuk ishin cilësi të mjafta që të çmohej në atdheun e tij, një person me vlera intelektuale të spikatura, në vendin e tij? Por e pësoi si shumë të tjerë. Mirash Ivanaj erdhi pas 7 prillit. Dhe vdiq në burg. V. Kokona, në kujtimet e tij, e ka bërë lajtmotiv ate “kur s’të dëgjova, o Ernest!”. Foto Bala dhe Fejzi Dika i kishin edhe ata të gjitha mundësitë që t’i shmangeshin një regjimi që ua kishte bërë jetën të ethshme...
Mitrushin e “sajdisën”, fillimisht, duke i dhënë vendin që meritonte në Lidhjen e Shkrimtarëve. Por regjimi ndezi, në ditët e para, atë llambën e bukur ndriçuese ku fluturat do të digjnin jo vetëm flatrat e tyre, por edhe vetveten!
Jo vetëm M. Kuteli, por edhe të tjerët, disa prej të cilëve u përmendën, u trajtuan sa më zi s’ka, jo sepse ishin “kolaboracionistë”. Një refren shurdhues, ky, që u bë simbol terrori të shfrenuar. Madje jo vetëm Kuteli, por edhe të tjerët, disa prej të cilëve u përmendën, ishin antifashistë në kuptimin që e kishin shfaqur hapur dhe vetvetishëm kundërveprimin e tyre intelektual ndaj pushtimit.Por nuk mjaftonte: regjimi donte edhe diçka më shumë: të ishin jo letrarë, por propagandistë të sistemit të ri, i cili nuk vonoi ta nxirrte fytyrën e tij të vërtetë.
Duke qenë i panënshtrueshëm në këtë synim, Kuteli vuajti, u burgos dhe u sëmur. (Janë tri folje, të renditura në Lamtumirën, që pasqyrojnë një jetë të tërë...
Jetë skëterre si pasojë e tyre...
“Desha të të shkruaj me dorë, por nuk mundem. Sot nuk e kam dorën të sigurt, më dridhet. Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqija. (Tregohet ëndrra e frikshme, në letrën që i drejtohej bashkëshortes së tij, Efterpit, që kishte shkuar në Rrushkull, për të parë Poliksenin dhe Atalantën: e ndiqnin për ta vrarë). Fundja do të vdes, - thashë. Do të shpëtoj. Do të çlodhem (...). Jeta ime ka qenë shumë e turbullt, e ngatërruar .... Sa mirë që mbaroi. (I sollën lajmin se kishte vdekur Th.C.). Sipas mendjes sime shpëtoi. E kam zili. Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet. Kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur kohët e fundit. Njëra, që ti ma di, është si pasojë e tyre. Nuk jam i zoti të punoj, të krijoj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete dhe për fëmijët. S’kam qenë e s’dua të jem kurrë parazit....”.
A ka vuajtur gjer në këtë farë feje, gjer në përmendjen e bukës së gojës, qoftë edhe një injorant, në atë botën perëndimore, që ish-regjimi ynë e përshkruante si të mjerë, ndërsa sistemin tonë propagandistët trushkulur e paraqisnin si parajsën tokësore? Ata përemrat i tyre, të tjerët, është qartësisht e kuptueshme se për cilët është fjala: “Ta kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qenë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë helmi i fundit që po ju sjell”. Dhe në një mënyrë çuditërisht të thukët e përmbledh të gjithë kalvarin e tij dhe të familjes, në një trinom: burg, urbanizëm, hotel. (Për brezin e ri, që s’i kupton disa terma: urbanizëm, domethënë ajo shkresa e paçavures që të vinte befasisht, me vendimin e një forumi të lagjes, se je i dëbuar nga qyteti dhe duhet të largohesh brenda kaq orërsh... Po ku të shkojë njeriu i shkretë? – Nuk e di, shko në hotel... Po me ç’pare, gjersa këto të mungojnë edhe për buken e gojës?).
Po t’i shtosh edhe sëmundjen, qoftë të shpifur edhe nga keqtrajtimi, do të kuptohet mirë dëshpërimi i thellë i Mitrushit, gjersa ta quante edhe vdekjen shpëtim.
Shpjegimi i varfërisë së njeriut të ndershëm
“Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka një mijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me tradhti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin, duke marrë shpërblimin për këtë shërbim. Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të na grabisnin. Nuk i ndalon dot të tëra. Jo se s’desha, por se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave” (si titullar i Bankës). Por a lejonte regjimi kundërvënie ndaj këtij veprimit të fundit? Ishte koha e bashkim-vëllazërimit...
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjes Empty Re: Mitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjes

Mesazh nga Agim Gashi Wed May 11, 2011 8:52 pm

Atdhedashuria
“Kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël (...). Kam qënë kundër rusëve sepse ata mbajnë nën vete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë”.
Popuj mbi popuj! Me tri fjalë flitet për popuj zotërures dhe popuj të zotëruar, për popullin që paska të drejtën të vërë sovranitetin e vet mbi sovranitetin e popullit tjetër (fqinjë) që na u dashka të ketë sovranitet të kufizuar, apo te ketë një status më shumë se autonomia dhe më pak se pavarësia. Veçse nëse unë duhet të kem më pak, ti mëton të kesh më shumë. Me ç’të drejtë? Me atë të popullit më të madh? Apo e paske atribut nga Perëndia që të kesh sovranitet të tepërt, në krahasim me atë popullin tjetër, autokton, josllav, me gjuhë krejtësisht të ndryshme?
A thua se, në pikë të hallit dhe të dëshpërimit, megjithatë Kuteli ka qenë profetik dhe ka parashikuar sesi do të katandisej kombi ynë me ato lëshime që i janë bërë nga një regjim vasal, fqinjit verior, që kishte premtuar se pas Luftës do të bëhej referendumi për statusin e Kosovës?
Dhe një amanet fëmijëve, Pandit, Atalantës, Dorit: Duajeni vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje. Mos u ligështoni kundër Shqipërisë edhe nëse vuani pa faj. Atdheu është atdhe, bile edhe atëherë kur të vret”.
Ç’zemër e madhe, edhe në prag të vdekjes
Fjala Atdhe në penën e këtij mjeshtri të gjuhës së pastër dhe të metaforave, ka kuptimin e veçantë që më duket se duhet zbërthyer: Mitrush Kutelin e vrau vendi i tij. E vrau “Atdheu” i komunizmit. Por komunistët s’kanë atdhe!
Në ditët e pasdiktaturës, që Mitrushi nuk i përjetoi, të gjithë njerëzit e ndershëm, ata që përulen me respekt ndaj figurës së letrarit të madh, por edhe të njeriut të madh, kanë ç’të përfitojnë për një vetëndërgjegjësim të shëndoshë: Të jesh njeri, në kuptimin më sublim të fjalës. Paraja pa djersën e ballit është faqja e zezë, për ata që mburren me këtë lloj pasurie. Një mësim i madh për ditët e sotme.
Shkruar nga : Kostaq XOXA
Mitrush Kuteli, përtëritës i miteve ilire
Historia letrare dhe kritika më e rishtë nuk janë dhe aq të kursyera në përqasjen e letërsisë sonë me trashëgiminë e qëmotshme, madje as me atë që quhet “magjia greko-ilire”. Ashtu si në shumë letërsi të mëdha të botës, edhe në krijimtarinë tonë letrare të gjithëkohshme, hyjni e gjysmë-perëndi, motive e figura mitike kanë përndezur pandalas përfytyrimin e poetëve dhe prozatorëve të cilët kanë përtërirë përmasat e hapësirës sonë letrare, përmes shtegtimit nga trajtat e mugullta të miteve të moçme, kah shtigjet e paksashkelura të shkrimtarisë moderne.
Pikërisht kjo ngjet, sidomos, me prozat e Mitrush Kutelit: “Në një cep të Ilirisë së poshtme” dhe “Nga Dyrrakiona në Bardhonë”. Shtresëzimet e mitologjisë pellazge-ilire, mpleksen e shkrihen këtu mrekullisht mes vedi, falë një stili të përkujdesur e gjuhe të qëruar dhe shpalosin magjishëm hijeshi e farfuri të një bote të lashtë. Me siguri që gjurmë të këtilla, jo se nuk janë pikasur e nxjerrë disi në pah edhe tjetërkund, por, në këtë kahje e në këtë lëmë, rasti i Kutelit vjen si më i spikaturi, kryesisht po t’i qaseshim më drejtpërdrejt së brendshmi e të pajisur me mjete të përkora shqyrtonjëse.
Kësisoj, po të çapitesh vëmendshëm e me durim në këtë hulli shkoqitëse, do të vëresh më qartë kumbimet mbikohore dhe prurjet e “mrekullisë mitike” në krijimin e Kutelit.
Pasi bindesh për rrjedhshmërinë tunduese të rrëfimit në trajtat e një tekstëzimi sa të lashtë nga lënda, aq edhe modern për nga ndërthurja e miteve a mitemave në një strukturë krejt vetjake, nuk mund të mos rrëmbehesh nga qëmtimi sqimatar i fjalës e figuracionit të ngjeshur, huajtur hijshëm nga visari i vyer i viseve të veta, si në këto përshkrime magjiplote: “...lart në male, ish ende pranverë. Dhe jo pranverë dokudo, po bujëmadhe: shkrinte akulli dhe dëbora e përhime, e ngjeshur dimrit shtrat mbi shtrat në rrëmbat e fellëtirat, buçitnin rrëketë e përrenjtë, gurgullonin krojet begatore, harlisej bari i ri, shumë i hollë, bleronin drurët e shkurret të veshura me gjeth të brishtë, gati të tejpashëm...”, apo “...Vajza me shtizë, hark e kukurë, qëndroi në mes të lirishtës, vuri dorën prapa kokës, sa iu zbulua tërë krahu i bardhë e i hollë, vështroi faqen e përshkënditur të Lyhnidës,...Liqenit të Bardhë, siç i thoshin enkeleasit e ngulur në këto vise që nga koha kur ngjizej e stisej jeta, duke u përzier me pellazgët mjekërrgjatë e gjuhëfortë...”. E mandej: “Qepallat e zeza të kthyera lart iu ngjitën e iu ulën si ca krahë dallëndysheje... vajza i kundroi një grimë, u kthye vrik, hoqi harkun nga krahu, nxori një shigjetë nga kukura prej lëkure dreri, mori në shenjë trungun e zhveshkur të një panje..., pranë lisit të zi, që e kishte djegur rrufeja: shigjeta e zjarrtë e zotit Enjt.”
A s’haset këtu një plasticitet figurativ për t’u patur zili?! Coha e ndërdukshme mitike që mbështjell gjithë shtjellimin e ngjarjeve në këto rrëfenja, endur me merak imtësor e ndjell si me magji lexuesin nëpër ato shtigje që të çojnë ca nga ca në trojet grishëse të miteve zanafillore, aty ku kanë hedhur rrënjë motmoti krijimet magjepsëse të tragjikëve të mëdhenj. Me anë të zhvendosjes joshëse në moçmëritë ilire, përmes paraqitjes së dashurisë së “...Etlevës së Bardhos së Drimonës me Enkeleun e Ballakrionit të Drimonës, ushtar i mbret Bardhyl flokëbardhit”, Kuteli gjen rastin të përshkruajë gjithë mjedisin kërshërindjellës të asaj kohe plot rite, gojëdhana e legjenda parake, duke ndërkallur në to qenie nga më të çuditshmet të mitologjisë vendase, figura e emërtime mitike toponimike të Ilirisë së Poshtme, si bie fjala: “Drimonë, Lynkestë, Enkelia mëmë, Mali i Thatë, Mali i Pëllumbave në Pelagoni, Tre Liqenet e Enkelisë, Laveshta mbi Drimonë, Liqeni i Lyhnidës, Karakea, Beosia, Thationa e vendbanime të tjera më të vogla ku banonin fise ilire...”. Aty pranë “lartoheshin malet e Kandavisë, të Desaretisë, të Eordisë dhe ato të Pirustisë së largët që i ngrinin majat poshtë reve qumështore”.
Vetë personazhet e prozës kuteliane mbartin që në emër një ngarkesë e ngjyresë mitike të mirëfilltë, aq sa pas tyre vëmendja dhe përfytyrimi përthith vetiu të tjera ngacmime përfytyrore që të zhvendosin për të shkërfitur akoma më thellë në mugujt zormbamendës të zanafillës njerëzore, “në tabanin e lashtë ballkanik-ilir e grek të vjetër, siç thotë Kadare, mbi të cilin janë ngritur themelet e eposit shqiptar”. Tek kjo gurrë e pashterrshme kanë shuar etjen diturake nëpër mote, krijuesit tanë më në zë, pasi “Poezia e sidomos proza popullore shqipe, shprehet Kadare te “Autobiografia e popullit në vargje”, është një kontinent akoma i paeksploruar mirë, me kufij të pamatë, shtrirë aq në botën reale sa edhe në mosqenie. Nëpër të, si nëpër mjegull, fërkohen mitologjitë greke, egjiptiane, bizantine e asyre...”
Nga përshkrimi i “bareshës bardhoshe me ca sy të blertë si bari i pranverës (...), me ca leshra ngjyrë kashte thekri, të hollëth, me krela që i binin mbi ballë e sy, me një shkurtelkë dhelpre, me shtizë e hark në dorë e kukurë kaprolli hedhur krahut, Etleva e Bardhos shëmbëllente më fort me vetë Thanën e ilirëve, perëndeshën e gjahut e grigjave...” Ajo ishte vetë shëmbëlltyra e Hënës. Kështu i kishte thënë një ditë xha Edipi me një zë të mbytur sikur dilte nga ndonjë zgërbonjë lisi, a nga një shpellë, me një enkelishte përzier me helenishte. Vajzës së bardhë i qe çelur fytyra porsi ajo lulebora që kishte vendosur në flokë, këputur, diku, mes shkëmbinjve të kreshtave, buzë honesh, pasqyruar në syprinën e Lyhnidës... Njeriu që mbante emrin Edip, ishte xhaxhai i Etlevës. Ai i kishte njoftuar se nga çasti në çast pritej t’ia behte nga luftrat e mbretit Bardhyl, Enkeleu i saj i dashur, për ardhjen e të cilit perënditë kishin dhënë shenjat e para me anë të fërfëllimit të krahëve të shpesëve e “zhaurimës së gjetheve të pyllit”, të cilat jo çdokush mund t’i zbërthente. Në takimin e tyre të parë gjatë gjuetisë, Enkeleu kish pandehur se gjendej rastësisht përballë Melesokës, (Pa shih!) perëndeshës së bukurisë apo karshi ndonjë perëndeshe tjetër ilire, nga hyjnitë e shumta të drurëve e ujrave. Befas, zana, shtojzovalle a floçka mrekullibërëse i qenë fanepsur aty, me shtatin e hedhur të kësaj vashe mahnitëse. O Zot! Qe prapsur i hutuar!
Herën e dytë, qenë “hasur” në festat e pranverës, brenda në Thationë, kur i sillen fli Dialit, asaj perëndisë gazmore ilire e trake, që e kanë marrë dhe i falen edhe helenët, duke e quajtur Dionis... Atë ditë, u sillnin fli edhe perëndive vëlla e motër: Belenit dhe Thanës, pra Diellit e Hënës, si dhe shumë perëndive të tjera, për të mbrothësuar gjithë pjellorinë... Përfytyroni një grimë harenë e ritin e stërlashtë të këtyre kremtimeve të bujshme, me garat, shfaqjet gazmore, këngët e vallet jehonat e të cilave treteshin, jo shumë larg qiellit ku mekeshin kumbimet kremtuese të Dionisit të grekëve të lashtë! Në ç’përmasa e trajta ka ngjarë e gjithë kjo përthithje e ndërsjelltë? Kadare është më pranë të vërtetës kur thotë më tej, në veprën e sipërpërmendur që “I gjithë ky art (ilir)...është i lidhur me qindra rrënjë të padukshme me artin grek...” Kësodore, gjallërimi i kohëpaskohëshëm kryesisht letrar i këtyre rrënjëve mitike mbrun më së miri një art i cili me përçapje madhore bën çmos të përballet me imazhe a tema që ia behin gjer në ditët tona, ngarkuar me hijeshitë befasonjëse të një magjie terri shumëshekullor.
Tashmë, është e qartë se mitet mbijetojnë, pasurohen e gjallojnë të përtërirë falë edhe letërsisë. Madje, sipas studiuesit krahasimtar Pjer Brynel, miti, pikërisht ngaqë është “i veshur” me petkun e letërsisë pa po mbijeton sot e kësaj dite. Ja përse mbase, edhe Klod Levi-Strosi thekson që “një mit përbëhet nga tërësia e varianteve të veta”.
Kësisoj, Kuteli e rimerr një pjesë të mirë të lëndës mitologjike ilire, duke e shndërruar, siç mund të shprehej studiuesi frëng Pjer Albui, “brenda caqeve të kohës dhe hapësirës letrare” për të mbrujtur me të një lëndë të re, madje herë-herë me një lirshmëri përfytyrore gati të paskaj, që sipas Dr.S. Bashotës ka çuar në “idealizimin e hiperbolizimin e personazheve”. Me siguri që nuk mund të flitet për gjithëqëndrueshmëri a universalitet të mitit. Përkundrazi, ka jetesë, mbijetesë, brufulli mitesh të moçme, buitje mitesh të rinj, shndërrueshmëri rrëfenjash të lashta në variante moderne, sythëzime të mundshme ngjarjesh a bisqesh mitike nëpër rrëfenja të rishta, në trajtën e “një palimpsesti të vetëm, aty i shuar, aty i shkruar sërish paprerë” (P.Brynel).
Gjithësesi, përfshirja, rifarkëtimi dhe përtëritja e miteve të moçme në zejtarinë e krijimtarisë letrare, siç ngjan bie fjala me mitet greke ngjizur më së pari tek Homeri, është i vetmi shpëtim ndaj harresës. Në përmasa të tjera, po kjo gjë ngjet me çdo lëndë mitologjike, shprehet Daniel-Henri Pazho në “Letërsia e përgjithshme dhe e krahasuar” (Paris, 1994), teksa kalimi nga mitet zanafillore (kryesisht, lëndë religjionesh e besimesh) tek letërsia, merr trajtat e një proçesi qartësues të kapërcimit nga sakralja tek profania, duke përmendur sidomos njohjen e dy poleve të mendimit që Mirçea Eliadë ka shtjelluar bindshëm në “Aspekte të mitit” (1963). Zaten, këto rrëfenja mitologjike, gdhendur me sqimë e pasuruar me prurje mirëfilli vetjake të Kutelit, tumirin sidokudo përcaktimin diturak të Brynelit se “mitet janë gjithë çka letërsia ka shndërruar në mite”, e thënë më qartas prej Pazhosë “gjithë çka një kulturë ka mundur e ka dashur të shndërrojë në mit”, pasi çdo epokë ka mitet e veta të parapëlqyer, ka mitologjinë e saj “antike” a “moderne” qoftë.
Në një intervistë te Shekulli (4 dhjetor 2000), në përgjigje të pyetjes nëse është miti ai që rilidh traditën me modernen, Kadare shprehet me urti: “Mite ka kudo në botë. Njerëzimi nuk mund të jetojë pa to, i krijon ato në mënyrë të pandërprerë. Është forma e miteve që ndryshon.. Mitologjia është kudo në të folurën njerëzore. Ne jetojmë gjithnjë me mitet, gjithnjë pa i marrë në llogari. Mitet janë mes nesh, janë në jetën tonë, porsi ajo surpriza e mundshme e gjërave të papritura”. Këtë përcaktim sintetizues, e dëshmojnë thellësisht e magjishëm dhe prozat kuteliane në shqyrtim.
Për më tepër, sipas J. Vretos, disa autorë të lashtë greko-romakë kanë përmendur një mori mitesh që qarkullonin në fiset ilire dhe që shpjegonin në mënyrë mitologjike prejardhjen e tyre, fjala vjen, mitin mbi Kadmin, të cilit i mëshon edhe Kuteli përmes fjalëve të personazhit të tij, Edipit. Ky personazh, i ardhur nga Lindja e Afërt, pasi u martua me Harmoninë, braktisi Tebën e Beotisë për gjëmat që i ndodhën me të bijat dhe u vendos në toka të tjera ku i lindi një djalë që u quajt Iliros, prej të cilit trualli u quajt Iliri e vendasit ilirë. Kështu, nga Kuteli kemi këtu një rast mëse të përkorë për të zbërthyer më imtësisht shndërrimin mijëravjeçar të mitit të moçëm në një trajtë tërësore, përmes përthithjes e përtëritjes së tij letrare. Në këtë mënyrë, temat e stërmoçme mitike në simbiozë me talentin finosh rrëfimtar japin ende kumbueshëm tingullimë aktuale për të ushqyer përfytyrimin. Ja, fundja, disa hulliza premtonjëse për një studim më të plotë rreth kësaj dukurie sa të kahershme aq edhe moderne në letërsinë shqipe!
Rrëfimet e të birit Pandeli Pasko
(letra të fundit dhe kujtime)
Fort të hidhura duhet të kenë qenë ditët e mbrame të Kutelit! Na e tregon edhe letra më e fundit të cilën e pat shkruar më 1 maj 1967, vetëm tri ditë përpara se ndahej nga kjo jetë tokësore. Kjo letër së bashku me testamentin e shkruar veç 10 muaj më parë, më 11 korrik 1966 dhe të cilit do t’i referohemi gjërësisht në këtë shkrim, na tregojnë kalvarin shpirtëror të Kutelit. Më 1944 ai pat shkruar një shënim letrar me titull: “Trishtimi i pleqërisë në vjershën e Filip Shirokës”. Po ta perifrazonim titulli i këtij shkrimi (ku jemi përpjekur t’i shpëtojmë subjektivizmit të rastit) do të ishte: “Trishtimi i vetmisë në letrat e fundit të Kutelit”. Letra e fundit i drejtohet mikut të vjetër të shkollës, Gjorgje Miholekut (George Miholecu) në Bukuresht, i vetmi nga shokët e rinisë me të cilin pat mundur të vendosë letërkëmbim. Letra është shkruar rumanisht dhe botuar për herë të parë në Bukuresht në revistën “Albanezul” më 1997, ku ishte dërguar nga nipi i Kutelit Dr. M.Marko. E botojmë këtu për herë të parë shqip dhe falenderojmë z.Luan Topçiu për redaktimin e përkthimit dhe për njoftimin e botimit rumanisht. Kjo letër është plot butësi dhe dashuri, dashuri të cilën e ndiejmë kudo nëpër rrëfimet kuteliane. Ka edhe hidhërim e keqardhje për ç’ka i patën sjellë 25 vitet e fundit të jetës. Ashtu si edhe testamentin, Kuteli e shkruan letrën e fundit kur ndodhet vetëm në shtëpi e në një gjendje vetmie shtypëse shpirtërore. Është përgjigje ndaj letrës së mëparshme ku miku, i mbetur i ve, me sa duket i pat qenë ankuar për vendimin e të bijës për martesë të shpejtë dhe të “paautorizuar”. Përtej këshillave të urta që i jep mikut, ne na interesojnë ato radhë, të cilat na tregojnë gjendjen shpirtërore dhe shëndetësore të vetë Kutelit. Por të dhënat e një letre të tillë janë veçse plotësuese për kalvarin mbi njëzetvjeçar të Kutelit, prandaj në këtë vështrim do t’u drejtohemi “Kujtesës të përkthenjësit Dhimitri Pasko (M.Kuteli) për heqjen e normës së përkthimeve përgjithnjë, ose të paktën për një kohë të kufizuar prej tri vjetësh”, “Testament”-it (Hylli i Dritës 3-4 1994) dhe kujtimeve. Nuk po ndalemi tek trajtimi i çështjeve familjare të Gjorgjes. Ia lemë lexuesit të vlerësojë ndërmjetësinë që i bën miku mikut: “...ne prindërit duhet të na gëzojë një hap i tillë…” apo “puthe ti (vajzën) për mua!” dhe rikujtimin e dëshirave dhe detyrave të prindit: “Prindërit i venë fëmijët në djep me shpresë se këta do t’i venë në qivur kur të vijë koha” dhe “…jemi skllevër: skllevër të dashurisë”. Do të qëndrojmë në disa fjali në fillim e në përfundim të letrës. “...unë s’kam veçse kujtimet, pra fantazmat” i shkruante Kuteli në një pusullë mikut të tij pogradecar Tasi Gusho (më 10 mars 1967), duke na treguar ç’i pat mbetur nga jeta e tij e vrrulltë, nga puna e pamasë për fjalën shqipe e për financat. Këto “fantazma” përballë një realiteti jetësor të vrazhdë e të pashpresë duket se qëndrojnë në bazë të atyre “mendimeve të zeza”, të cilat përmenden edhe në letrën e fundit drejtuar z.Miholeku. Nga këto dy letra shohim se marsi e prilli i vitit 1967 paskan qenë të ngjashëm me këtë vit ku jemi. Pusulla drejtuar mikut pogradecar Tasi Gusho më 10 mars është një brohori për pranverën e kërmillit e të “gomarit që i gëzohet barit të njomë”. Letra e fundit dërguar mikut rumun flet për prill të vështirë (Për mua prilli ka qenë një nga muajt më të rëndë. Ka rënë shi pothuaj përditë.) E kuptojmë se Kuteli bluhej përditë mes dy mokrave: asaj të ankthit të shëndetit që nuk e lejonte të punonte dhe asaj të ankthit të gjendjes ekonomike. Këto të dyja nën peshën e rëndë të braktisjes shoqërore, shpërfilljes ndaj punës së bërë dhe dyshimit se akuzat ndaj tij do të rëndonin tek fëmijët. I dëgjonim shpesh në shtëpi fjalët stenokardi, hipertension, reumatizëm, angina pectoris, astmë kardiake. Megjithatë nuk patëm menduar kurrë se jeta do t’i ndërpritej në atë mënyrë dhe aq shpejt. Tani mbas kaq vitesh, kujtoj si na shpjegonte Babai sëmundjen e vet. Na thosh: “një nga enët e gjakut të zemrës sime është ngushtuar ngaqë ka mbledhur zgjyrë. Kjo më sjell mbajtjen e frymës në krizat kardiake, të cilat i largoj me trinitrinë, ato hapjet e vogla të bardha. I vendos nën gjuhë, mbasi prej aty e bën efektin dhe çlirohem në pak çaste.” Dhe shtonte me hidhërim: “në klinikat e Romës, për shëmbëll, bëjnë operacione dhe e heqin zgjyrën, e pastrojnë.” Ne mbeteshim pashpresë, mbasi e dinim se një udhëtim i tillë për babain tonë nuk mund të na shkonte nëpër mend. Ah, po. Ky udhëtim shëndetësor mbase do të kish qenë i mundur po të kish qenë rehabilituar. Dhe e dinim përsëri se rehabilitimi mbetej larg. Pra na mbetej detyrë veç të dinim në çdo çast ku ndodheshin trinitrinët, të cilat ishin shpërndarë në disa shishka të vogla në mënyrë që po ta zinte kriza pa hapa në xhep, ne t’ia çonim vrap. Na duhej të prisnim një shpëtimtar të ri, mbasi babait i pat vdekur shtatë vjet më parë ëngjëlli mbrojtës i tij, Drago Siliqi. Dita e vdekjes së tij ishte një ditë zie e pashpallur dhe e paspjeguar, po nga sjellja e mpirë e babait, nga një përkëdhelje më pak, nga një shaka pa përgjigjen e zakonshme, e kuptonim se duhej të kish ndodhur një fatkeqësi që na përfshinte të gjithëve. Dragoja, si e dëgjonim rëndom ta përmendë babanë, e pat ndihmuar të botojë përsëri dhe të ripranohet në Lidhjen e Shkrimtarëve. Nuk do të ketë qenë e lehtë të bindje Kutelin, një nga anëtarët e grupit themeltar të Lidhjes së Shkrimtarëve të pranojë të shkruajë lutje për t’u ripranuar në të. Në kërkesat e tij ai shkruante se “u lirova (nga burgu) me të gjitha të drejtat civile”. Pra edhe me të drejtën për të qenë vetiu anëtar i Lidhjes e të mund të gëzonte leje krijimtarie si shumë të tjerë... Padyshim se me Dragon Kuteli do të ish rehabilituar, do kish jetuar më gjatë e shkruar më shumë. Por ai vazhdoi të punojë me normë përkthimi, e cila ishte bërë e papërballueshme për të. Në testament flet për ankthin e pensionit të vogël që do t’i dilte nga muaji shtator 1967, kur do të mbushte 60 vjeç, nga që nuk kishte “vjete shërbimi”. Duhet të shtojmë se Kutelit, një nga të parët shqiptarë që pat marrë në një universitet të huaj gradën Doktor i Shkencave cum laude, nuk i njihej as shkolla e lartë. Dhe teza e tij e doktoratës nuk pat qenë për çështje boshe, po një studim krahasues i gjendjes së sistemeve financiare në pesë vende ballkanike. Kutelit iu pat ndezur me kohë dëshira për të ribotuar rrëfimet e vjetra dhe vetë Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” ia pat kërkuar një gjë të tillë. Por mbas përpunimit botimi i tyre ishte shtyrë. Në çastet e fundit i thanë se ...nuk kishte letër. Libra të pabotuar do të thoshin edhe mungesë shpërblimi material e moral për një punë e stërmundim përtej normës e mes krizave kardiake e të hipertensionit… Mbas ripunimit të një pjesë të tregimeve i pashë në dorë një variant të Tat Tanushit të shkruar në letra të vjetra. I thashë se kisha parë një variant tjetër, të cilin Babai nuk e kujtonte. Ma kërkoi t’ia çoja me ton gjysmë qortonjës e gjysmë të gëzuar. Për fat të keq jo të gjithë i kuptojnë vuajtjet e Kutelit; në vend të shkruajë si dinte të shkruante ai, detyrohet e punon për bukën e familjes: përkthen nga rusishtja male të tëra me fletë – gazeta, revista, libra e broshura ekonomike, bujqësore, mjekësore, etj.. Jo të gjithë janë në gjendje t’ia kuptojnë stoicizmin: pranoi të vuajë për të mos shkruar lavde. Dhe ne e ndjenim se rrethi i miqve të babait sa vinte e ngushtohej. Në vitet 1964-1965 babai shkruajti disa lutje për leje krijimtarie – herë Lidhjes e herë Ministrisë së Arsimit. Për t’i penguar këtë lejë duhet t’i kenë thënë edhe se .. ishte më i nevojshëm si përkthyes! Këtë e nxjerrim nga teksti i kërkesës: “kur guxoj të paraqes një kërkesë të tillë, kam parasysh edhe faktin se sot në vendin tonë janë krijuar kuadro të mjafta përkthenjësish, të cilët mund ta marrin shumë lehtë vendin në fushën e përkthimeve, kështu që mungesa ime të mos ndihet fare”. Më kujtohet si sot, mbasi i mbaja çantën me shkresa nëpër rrugët e Tiranës dhe mbaja veshët hapur për të dëgjuar bisedat e të mëdhejve. Mbas miratimit të Ministrisë, nga vetë Manush Myftiu, kërkesa duhej të kalonte përsëri nëpër leqet e Lidhjes së Shkrimtarëve. Viti 1965 “u dogj” vetëm sepse babai nuk arriti ta dorëzojë në kohë, pra para se drejtuesi i Lidhjes të nisej për pushimet e gjata verore. Më në fund drejtuesi i Lidhjes i dha lejen e kërkuar me aq ngulm, veçse nga tri vjet ajo u katandis në një vit: korrik 1966-1967. Sidoqoftë miqtë që takonte e uronin dhe e shihnin si hap të mbarë ngaqë më në fund “plasi syri i keq”. Por paskeshim qenë gëzuar para kohe. Në kuadrin e revolucionit kulturor që po përgatitej, përsëri Lidhja e Shkrimtarëve i ndërpreu lejen. Shumë i hidhur do të ketë qenë ky grusht, përderisa, si i shkruan mikut rumun, edhe mbas tri muajve Kuteli nuk kish realizuar ende normën e përkthimit të një romani vietnamez. Mbas gjashtë muaj kushtuar vetëm shkrimeve, e kishte shumë të vështirë t’i kthehej përkthimeve-angari. Nuk arriti ta mbajë premtimin e bërë në kërkesën për leje krijimtarie për përfundimin e romanit ilir “..do të përpiqem që t’i bëj të flasin varret e lashta ilire, gurët e kështjellave tona të moçme...” Nuk ka dyshim se infarkti i miokardit që e goditi në agun e 4 majit erdhi si pasoje e zemërbrejteve e tronditjeve të forta të cilat e goditën si ortek pikërisht atëherë kur dukej se po shkrinte bora e ngrirë.
Tiranë, 1 maj 1967 I dashur Gjorgje, Letrën që ma kishe dërguar më 12 prill e mora javën që shkoi. Doja të të ktheja përgjigje menjëherë, po nuk munda, pra të lutem të më ndjesh. Për mua prilli ka qenë një nga muajt më të rëndë. Ka rënë shi pothuaj përditë. Ti e merr me mend ç’do të thotë shi për atë që vuan nga stenokardia, hipertensioni, reumatizma, etj. Shumë mundime, i dashur, natën kam dhimbje dhe vuaj nga pagjumësia. Shto këtu edhe shqetësimet e mëdha për familjen... Kam mbetur ditë të tëra në shtrat, kam pasur tubullime (kam qenë i trullosur) nga ilaçet. Nuk kam qenë në gjendje të punoj. Pastaj, mendimet, mendimet... Nuk kam qenë në gjendje të përkthej. Kam mbetur prapa me normën e punës, e cila më bën të mundur ekzistencën. Dhe sërish mendime të zeza, sërish dëshirë që të shkoj atje ku ka prehje. Po duhet të lodhem ende: fëmijët janë shumë të vegjël. Sot është 1 maj. Është mbrëmje. Ngrohtë. Të tre fëmijët më të mëdhenj shkuan në paradë me shkollën. Në shtëpi, me mua është vajza e vogël dhe ime shoqe që pastron nëpër shtëpi dhe përgatit drekën. Edhe një vogëlosh, nip i sime shoqe. Po kryesori është dielli, dita e këndshme, pa shi. Marr frymë. Dhe mendova të të shkruaj. Ti më shkruaje me një farë ironie se jot bijë, zojusha Via të tha: “Baba, dua të martohem!”. Dhe më propozoi të ftojë në shtëpi pretendentin që t’i kërkojë dorën, sipas një zakoni të lashtë, të tejkaluar prej shumë kohe, si na thosh dikur në të Drejtën Civile profesori ynë shumë i mirë (i dashur) Andrei Rëdulesku, ku na fliste për disa rregulla si në kohën e sundimtarëve që u kishte kaluar koha dhe e kishin humbur davanë. Të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Vajzës i kishte ardhur koha e martesës dhe e gjeti atë që i përshtatet (apo atë që ajo beson se i përshtatet) shpirtit dhe qëllimeve të saj. U deshën, u muarën. Kjo është normale, është në natyrën e veprimeve, pra për të gjallët. Të dy të rinj, të dashuruar me njëri-tjetrin, kanë vendosur të ecin bashkë në udhën e jetës (dhe jeta është e ëmbël në moshën e tyre). Mirë! Bukur! Ne prindërit, duhet të na gëzojë një hap i tillë, më kupton i dashur Gjorgje? Dhe ka gjetur një rrugë krejt normale: martesë në rininë e hershme me atë që do dhe që e do. Mendo sa të këqia shfaqen në udhën e vajzave të reja! Flasin për vite me radhë me dikë dhe pastaj na zgjohet ai dikushi e i thotë: “Të kam dashur, nuk të dua më se kam gjetur një tjetër”. Shgënjim, lotë, dhembje, tragjedi... Vetë ne, që i themi vetes të mirë, kemi rënë në dhimbje të tilla. Agronomi i.......... sat vepron në mënyrë korrekte. E lejojnë rrethanat e jetës të jetë i tillë. Mua nuk më patën lejuar rrethanat familjare dhe ekonomike, mungesë qartësie, e vendimarrjes. Pra kjo rrethanë duhet të të gëzojë: të shohësh vajzën të lumtur, të vendosur në një rrugë të mbarë, të drejtë. Po ti dukesh i mërzitur, i pikëlluar. Të kuptoj. Ke dashur ta kesh pranë në ato molekula jete të hidhur që të kanë mbetur pas aq mundimesh e vuajtjesh. Dhe është e drejtë. Prindërit i venë fëmijët në djep me shpresë se këta do t’i venë në qivur kur të vijë koha. Po si t’ua bëjmë rrethanave? T’u kërkojmë fëmijëve të sakrifikohen për ato pak vite jete që na mbeten? Dhe më pas, mbas vdekjes tonë, të psherëtijnë tërë jetën? Nuk është e drejtë. Zogjve ju rriten krahët dhe ikin fluturim nga foleja e prindërve. Kështu bëjnë edhe këlyshët e ujqve. I tërheq jeta. Po ta them: të kuptoj. Sëmundja, pleqëria, vuajtjet… Ti, i dashur mik, e ke humbur betejën e fundit kur të vdiq bashkëshortja, si thua ti “kur u bëre kunat me Zotin”. Nëqoftëse do të jetonte zonja, do të ish ndryshe. Nuk do të ishe vetëm në jetë. Dhe kjo është shumë. Ç’mund të bëjmë? Kështu paska qenë shkruar. Brezi ynë, që ka vuajtur qysh në fëmini, kaluar nëpër dy luftra të mëdha, është brez i nëmur, i munduar. Unë nuk di ç’më sjell e nesërmja, e pasnesërmja. Kam tri vajza, prandaj më kupton. Sat bije i uroj lumturi dhe e puth në ballë. Puthe ti për mua! Ne, i dashur Gjorgje, si prindër, jemi skllevër: skllevër të dashurisë. Pra, duhet të vuajmë me mendime, vetëm që ata të jenë të lumtur. Italianët thonë “Tutto va bene quando finisce bene”. Ata u deshën, u martuan. Më tej nuk dinë gjë. Nuk mundet të dinë. Ne nuk na mbetet tjetër gjë veç të presim qetësinë e madhe, si thotë Lucian Blaga: “Do të vijë dita, do të vijë dita...”. T’i shtrohemi fatit, i dashur. Dëshiroj që jeta jote të jetë e lumtur. Të përqafoj, Pasku*) (prind i katër fëmijëve) Të falat edhe nga njerëzit e mij. Tani jam vetëm në shtëpi. Ime shoqe ka dalë të shohë paradë. Unë marr frymë lehtë. Mbrëmje, qetësi, vetmi. Qofshin bekuar dielli, qetësia, vetmia!
Tiranë, 10 mars 1967
I dashur Tasi, Sterjua më dha librat që më dërgove. Të falem nderit shumë për kujdesin që tregove. Po ashtu i falem nderit edhe Sotirit. Kam dhe një lutje tjetër: për atë librin e vogël të havadaneve, që s’kam asnjë. Folë me Sotirin.
Unë jam pothuaj mirë, si çdo pranverë kur del bari i ri dhe kërmilli. Sivjet pranvera po vjen pa naze dhe kjo më gëzon se pakësohen kriza e zemrës. Nuk e paskan keq ata që thonë: “Gëzohet si gomari në pranverë kur del bari i ri”. Kjo do të thotë se gomari e çmon shumë pranverën, pra s’është aq gomar sa thonë bota. T’i lemë shakatë pleqërishte: moti i mirë po më gëzon. Marr frymë më lehtë, nuk ndalem aq shpesh udhës që të çlodhem. Ç’mund t’i kërkoj më shumë jetës? Mund t’i kërkonja të më ndihmojë të bëj një udhë më të gjatë, fjala vjen, në Pogradec ku kam 3 vjet pa vajtur ose në Korçë, ku kam 16 vjet pa shkelur, po kjo nuk varet nga dëshira. Do takat dhe takat s’kam për kaq udhë.
Zonjës pensioniste dhe fëmijëve shumë të fala nga unë dhe nga të mijtë. Fëmijët i kam mirë. Ata kanë botën e tyre – shkollën, punën – unë s’kam veçse kujtimet, pra fantazmat. Me dashuri, Dhimitraq Pasko
09/05/2004
Brari, edhe mua më shkonin mornica nëpër trup kur para disa kohës lexoja shkrime për vuajtjet e tija. Dhe ç'është më e keqja vetëm njerëz patriot e të mrekullueshëm si Dhimitër Pasko kanë vuajtur tek shqiptarët nga vet shqiptarët në të kaluarën. Por sot tjetër këngë këndohet tek shqiptarët dhe patriotët vlerësohen dhe çmohen ashtu siç e meritojnë edhe pse ata sikur në të kaluarën ashtu edhe sot gjithë çfarë kanë bërë, kanë bërë për interesat e tyre, familjeve të tyre, paraardhësve, pasardhësve dhe rrjedhimisht gjithë kombit. Prandaj, sot shqiptarët janë më të vetdijshëm se kurrë në vlerësimin dhe shpërblimin e njerëzve më të ndritur që kanë dal nga gjiri i tyre dhe kanë ruajtur, mbrojtur dhe luftuar për interesat e tyre si Dhimitër Pasko e të tjerët.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjes Empty Re: Mitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjes

Mesazh nga Agim Gashi Wed May 11, 2011 8:57 pm

Vdekja
Mars i vitit 1967. NJë mbasdite nuk di si mbetëm vetëm të dy me Mitrushin atje, në kuzhinën e tij që nuk mbetej kurrë pa njerës..Fëmijët ishin diku jashtë a në dhomën tjetër, kurse Efterpi merrej me punët e shtëpisë nëpër oborr. Atmosfera politike në vend vazhdonte të ishte e rëndë pas luftës së bujshme “kundër burokracisë” të një viti më parë, ndërsa ndihej të vepronte fort “revolucionarizimi i mëtejshëm i jetës së vendit” dhe forcimi i “luftës së klasave” që shkaktonin shqetësime te të gjithë. Pasi foli pak për gjendjen e rëndë e të pashpresë që po sundonte në jetën shqiptare, me një zë dëshpërimisht të thellë, Mitrushi tha: “Tani unë duhet të iki! Fëmijët u rritën, u duhet të bëjnë shkollën e lartë. Do t’u duhen bursa, të drejta studimi, të paktën. Po të jem unë, janë edhe inatet ndaj meje dhe këto inate do të m’i pengojnë fëmijët. Po të iki unë, do të ikin dhe inatet.” Fliste me një dëshpërim të thellë, po edhe me një vendosmëri të tillë të patundur, që më rrëqethi. Ç’donte të thoshte me ato fjalë? Më lindën dyshime për një vendim të frikshëm... U mundova të belbëzoja disa fjalë e argumenta kundër, po ai vazhdonte të përsëriste sikur fliste me vete: Tani unë duhet të iki!...duhet, duhet të iki... Për vdekjen e tij të papritur, duke u gdhirë 4 maji i vitit 1967, shpesh kam menduar me dyshim: “Ishte vëtet natyrore?” Për ta shpejtuar ikjen që po dëshironte, atij mbase do t’i mjaftonte vetëm një dozë më tepër prej atyre “helmeve” të quajtur “ilaçe për zemrën” që i pinte dy-tri herë në ditë. E ka bërë këtë? Duke e ditur mirë formimin dhe besimin e tij fetar, që nuk e lejon një veprim të tillë, i largoj dyshimet e këqia dhe në heshtje i kërkoj të falur për mëkatin që bëj, po si ta harroj atë zërin e tij të dëshpëruar të asaj pasdite të vrerët marsi? Megjithatë një gjë është e sigurt. Mitrushi po e ndiente fort afër fundin e vet, prandaj nxitoi të linte testamentin, ku i thotë së shoqes: “Shënjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netët i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë.”
4 maj 1967. Në drekë po kthehesha me nxitim bashkë me gruan nga zyra në shtëpi. Në fillim të rrugës “Katër dëshmorët”, te një shtyllë elektrike, pamë shpalljen e vdekjes: “Vdiq Dhimitër Pasko! Ndonëse nuk banoja larg shtëpisë së tij, nga gjëma dhe rrëmuja që shkaktoi vdekja në atë shtëpi, nuk u kujtua kush të më lajmëronte. Mbase nuk duhej shkelur porosia e tij në testament, ku thoshte: “Nuk do të më lajmëroni para varrimit, asnjeri, me përjashtim të pesë a gjashtë njerzve më të afërm për të bërë formalitetet e varrimi dhe varrimin. Kaq.” Për fat të mirë, ata pesë a gjashtë njerzit më të afërm, nuk i ndejtën besnikë porosisë tjetër të tij në testament, ku shkruante: “Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ata që ngjiten nëpër mure.” Lajmërimet, pra, ishin ngjitur nëpër mure si ai që po lexoja: Dhimitër Pasko vdiq. Shkova me nxitim në shtëpi të Mitrushit, sa për të shprehur ngushëllimet pa u ulur dhe me të shpejtë sosa tek studio e të ndjerit skulptor Janaq Paço. I dhashë lajmin e hidhur dhe iu luta të vinte t’i bënim maskën prej allçie të fytyrës. Kur ka vdekur? – më pyeti Janaqi. Para nja 10 orëve – i thashë. Jemi vonë - vazhdoi Janaqi. Maskat bëhen menjëherë pas vdekjes sepse, duke kaluar koha, fillojnë e të lëshohen muskujt, deformohen. Megjithatë, eja! Rrëmbeu një qeskë me allçi e me nxitim, sosëm. I thashë Efterpit kështu...kështu...Ju lutem të na lini vetëm. Na duhet vazelinë - më tha në vesh Janaqi. Bëhet edhe me sapun e me vaj, po s’jam i sigurt – vazhdoi. E, mor Mitrush, ç’na bëre – pëshpëriste vetmevete me dëshpërim Janaqi, ndërsa përgatiste allçinë. Shkova shpejt në shtëpi, ku e dija se kisha një kuti me vazelinë dhe mbaruam punë. Mitrushi ka disa fotografi të mira vetëm, me gruan e me fëmijët, që ngjallin kujtime të këndshme, por maska me ata sy të mbyllur e me një si nënqeshje të hidhur në buzë, më duket se flet e përbuz një epokë të tërë që e bëri Mitrushin të na ikte aq shpejt.
Nata shkoi si shkoi me e jake e pa gjumë. Të nesërmen, qysh herët, isha përsëri në shtëpinë e Mitrushit. Vinin e iknin pak njerës, më shumë të afërm nga Tirana e disa nga Pogradeci. Erdhën disa kurorë artificiale të porositura prej tyre. Shqetësimi im ishte se ç’do të shkruhej në shtypin zyrtar për vdekjen e tij. Afër drekës erdhi Sterio Spasse që më thanë se po interesohej për këtë gjë. E pyeta. Bëmë ç’mundëm – tha. Do të botohet në “DRITA”, lajmërimi i vdekjes me fotografinë dhe me fjalë të mira për kontributin e tij në letërsinë tonë. Po diçka nga krijimtaria e tij do të botohet me këtë rast? – epyeta. Duke më vënë dorën në sup, kokulur, Sterio më tha: Edhe kaq sa bëmë, u bë shumë... Ditën e diel, d.m.th. tre ditë më vonë, më 7 maj 1967, në faqen e katërt të gazetës “DRITA” u botuan ato që më pati thënë Sterio. Në faqen letrare të asaj gazete nuk mund të kishte vend për të botuar diçka nga krijimtaria e Mitrushit, sepse duhej të botoheshin disa “poezi kote” kushtuar dëshmorëve prej poetësh krejt të panjohur e që nuk njohën ndonjëherë si të tillë. Nejse...Minutat po shkonin. Po afrohej ora e varrimit. Ndërsa rrija në dhomë ulur në një cep, i mbyllur në vetvete sa më bezdisnin pësh-pësh që bënin njerzit duke biseduar ultas njëri me tjetrin, u dëgjua një zë që nga oborri: Erdhi makina! Njerzit u ngritën. Dolëm në rrugën para shtëpisë ku kish qëndruar një makinë “ZUK” dhe një autobus i vjetër tip “IKARUS”, prodhim i vjetër hungares, të dy të Ndërmarrjes të atëhershme të varrezave. Njerzit e moshës sime e dinë se çfarë shëmtirash e shkatërirash ishin ato makina. Mitrushit i mbërthyen kapakun e qivurit, e ngritën dhe e futën të Zuk-u. Ne hipëm në IKARUS dh eikëm. Nuk besoj të kemi qenë më shumë se nja dyzet veta në atë “autobus”, ku shumica rrinte në këmbë. Autobuzi ikte me nxitim pas Zuk-ut sikur shkonte në dasmë e jo në varrim. Arritëm. Varri ishte hapur. Pa humbur kohë, qivuri me trupin e Mitrushit u ul në fund. Askush nuk i tha dy fjalë te koka. Asnjëri nga shokët e miqt’ e vjetër. Po kush ishte prej tyre në atë varrim? Nuk e di. Sikur të nesërmen e asaj dite të më pyeste dikush për këtë gjë, nuk do dija ç’t’i thoja. Isha tepër i tronditur. Hodhëm të tërë nga një grusht dhe mbi atë qivur e pastaj punuan lopatat. Mbulohej Mitrushi...por, ende pa e mbuluar mirë e pa i vendosur si duhej ato kurorë, erdhi shoferi e tha: “Shpejt, shpejt, se kam edhe varrim tjetër!” Njerëzit u turrën drejt autobuzit që kishte ndaluar nja njëqind metra larg, duke lënë Mitrushin të rrethuar nga heshtja që e shoqëron deri më sot duke vërtetuar kështu fjalët e At Gjon Shllakut: “Tjetërkund, njerzt e idealit, në u mbytshin për së gjalli, nderohen për së dekuni. Ndër ne ata mbyten dy herë dhe harrohen.” Nuk duhet të lë pa thënë se për Mitrushin nuk u gjënd një copë vend në parcelën ballore, në hyrje të varrezave, ku groposeshin të privilegjuarit e partisë dhe as në ndonjë parcelë diku pranë. Mitrushi u varros në cepin e fundit të parcelës më të fundit, pranë murit rrethues të atëhershë,. Kur mbaroi varrimi që përshkrova më lart dhe njerëzit u detyruan të largoheshin me ngut, ishim bashkë me inxhinierin S.A., i afërm i familjes të Mitrushit, dhe na u duk sikur po e bragtisnim atë varr e nuk do ta gjenim më. Prandaj ai solli një tullë silikate nga muri që po ndërtohej, unë shkrova përmbi të me lapës emrin Dhimitër Pasko dhe tullën e vumë përmbi varr duke e mbuluar me dhe në mënyrë që të gjendej varri edhe sikur të shpërdoroheshin kurorët nga kalimtarë të pandërgjegjshëm. Tani, varri i Mitrushit, ndodhet në mes të parcelës e i rrethuar gjithandej me varre të tjerë, sepse, gjatë këtyre tridhjetë vjetëve që kanë kaluar nga vdekja e tij, varreza është zgjeruar. Po për të s’ka rëndësi vendvarrimi. Ai është këtu, në Shqipëri, te nëna e tij.
Dhe fytyr’ e saj e tretur
Që e ka ikonë,
Përmbi varr do t’i qëndrojë
Sot e përgjithmonë.
Kështu u bë varrimi i Mitrush Kutelit, i njërit prej atyre pak më të mëdhenjve të prozës shqiptare. Varrim më i thjeshtë, nuk mund të bëhej... Megjithatë kam një ngushëllim: Diktatura nuk mundi ta turpëronte, si ndonjë tjetër, me falsitetin e fjalimeve e funeraleve zyrtare. Vetë koha e rëndë e diktaturës komuniste bëro që të plotësohej dëshira e Mitrushit, e lënë prej tij porosi në testament: “Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit e tyre vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujshme, me kallaballëk.” Dikur kam shkruar se Pogradeci që ka bij të vetët të mëdhenjtë Lasgush e Mitrush, mund të quhet Weimari shqiptar. Mirëpo Weimari e ka ngritur prej kohësh monumentin e Gëtes e të Shilerit. Pogradeci, kur do ta ngrerë monumentin e bijve të tij të mëdhenj? Ajo që ka mbetur nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë apo, Lidhja e Cunguar e Shkrimtarëve dhe Artistëve të vendit amë, me rastin e tridhjetëvjetorit të humbjes të njërit prej themeluesve të saj, i vuri një buqetë me lule te varri? Po varin ia di ndonjëri nga kryesia e saj? Po ndonjë mbledhje përkujtimore (pa coctail) organizoi? Po dale, se pyetjet nuk mbarojnë. Me lejë, më fal: Cila shkollë, diku në këtë vend, mban emrin e Mitrushit? Cila shtëpi botuese? Cila rrugë? Cili shesh? Cili skulptor i ka bërë ndonjë bust? Cili piktor i ka bërë portretin? Me rastin e tridhjetëvjetorit të vdekjes, iu dha ndonjë titull, urdhër apo dekoratë? Ishin mbaruar?!
Njoftimi ne gazetei Lidhjes së Shkrimtarëve për vdekjen e Mitrushit
Më 4 maj vdiq në Tiranë, pas një sëmundjeje të gjatë, në moshën 60 vjeç, shkrimtari Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli). Dhimitër Pasko, me talentin dhe aftësitë e tij si shkrimtar dhe përkthyes, kontribuoi në prozën shqipe dhe në përkthimin e disa veprave të rëndësishme botërore, e veprave të realizmit socialist. Shumë shkrime të tij para çlirimit dhe ato që krijoi pas çlirimit përshkohen nga fryma popullore, nga dashuria për fjalën shqipe dhe për vendin. Me përkthime ai ndihmoi në lëvrimin e gjuhës letrare dhe në pasurimin e kulturës sonë. I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe të afërmve për humbjen e parakohshme.
LIDHJA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE
Ja, kështu u lajmërua vdekja e Mitrush Kutelit...Por Dhimitër Xhuvani që në atë kohë, punonte në redaksinë e gazetës “DRITA”, ku u botua ky lajmärim vdekje, më ka thënë se, pas nja dy ditësh, redaksinë iu trëhoq vërejtje e rëndë nga Komiteti Qendror i P.P.Sh sepse e kishte bërë lajmërimin edhe me fotografi, gjë që nuk lejohej sepse sipas kanunit të pashkruar të Komqendrorit, kësi lloj lajmërimesh me fjalë të mira dhe me fotografi, bëheshin vetëm për të ashtuquajturit “veteranë të shquar të luftës Naçl”.
Mitrush Kuteli
POEM KOSOVAR
KËNGA E PARË:
QËNDRIMI
Jam shqiptar
e kosovar:
Zot e krenar,
-Zot e bujar-
mbi këtë Dhe,
që e kam fe
e përmbi fe:
e kam Vatan!
E kam Atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brez,
që gjithëmonë!
Ti shkja thërret
ti shkja bërtet,
deri lart në retë:
se jam barbar.
Jo, s'jam!
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti, Mal i Zi.
Po Vendin tim e dua,
lirinë e dua,-
e s'dua
zot
mbi mua.
Se jam këtu kur s'kish njeri,
kur s'kish kufi
as fqinjëri,
as shkja të zi.
Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Iliri:
kur nga një det në tjatrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.
Unë jam këtu e do të jem
-dem baba dem-
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri
KËNGA E DYTË:
DURIMI
Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që në vogëli.
Jam si më sheh
e si më njeh:
kësulëbardhë e kryelidhë,
kryelidhë me një shami,
me tri shami:
për trimëri!
Jam eshtërmadh
i vrazhdët jam
e bojalli-
dhe sytë e mi:
janë plot shkëndi,
si batërdi.
Dhe kam uri
si s'ka njeri
për Drejtësi
e për Liri
si gjithë asimët
e gjithë qerimët
e Vendit tim.
Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim
që në vogëli.
Se babën tim ma vranë
naçallnikët,
podporuçnikët.
Ma vranë,
se urdhër dha Vojvoda
e Krali- vetë:
Të vritet.
Se ish Kosovar!
Dhe se ish zot
mbi këtë Dhe!
Dhe tokën që kisha nga Baba
nga gjyshi
rrënjë pas rrënje
prej qindra vjet,
prej mijëra vjet
ma muar.
Ah!
Ma muar Vatanin
që e desha
si xhanin!
Ma muar
me armë në duar
me gjak nëpër duar
Agrarët!
Xhandarët
Tuxharët!
Të gjithë tok
u bënë shok:
si sorrat!
për kërme.
Oborrin ma muar
deri në shtëpi
dhe ngrehe për vete shtëpi
në sytë e mi.
Dhe unë,
ja, unë!
që isha zot
që qëmot:
mbeta pa dhe,
bujk pa dhe
bari pa kope
këtu,
në dherin tim.
Dhe plori m'u ndryshk,
Hambari m'u myshk...
Po shpresa s'm'u vyshk!
Durova,
durova,
Sa nuk duron njeri,
as Perëndi!
Më thanë të shkruhem vojnik
e mynafik
i kombit tim.
Më dhanë armë të vras
vëllanë,
sipas kanunit
të gjakut...
Po s'desha!
Dhe në e bëra ma falni,
se jam gjaknxehtë.
Më thanë të ngrihem të ik
ku qielli puthet me dhenë;
Stamboll,
Anadoll,
e më tej.
Se vetëm andej
paska për ne
popull pa zot -
vend boll...
Po malli i tokës s'më la,
po malli i fushës s'më la,
as gjaku i babës s'më la.
Dhe mbeta këtu,
i huaj,
si qen,
në vendin tim,
të babës tim...
Mbeta rajá,
e ndër rajá,
si për hatá;
në uri,
në qesëndi,
në skllavëri
të shqaut të zi.
Më thanë të ik në Allbani,
vatan i ri
i kombit tim,
si shkoi Selmani,
Hasani
e Dani.
Po dot nga toka s'u ndava
dhe mbeta të jem
ku jam
e ku do të jem.
Më thanë të shkoj në sheher
të shqahut të madh,
me sharrën në krah,
me kryet përdhé,
jaban
e beter;
portë më portë,
derë më derë,
i mjerë
e zemër sterrë,
për një kotherrë
bukë.
Po malli i vendit s'më la.
Ah, malli i gjakut s'më la
e mbeta këtu,
rajá.
ndënë raja
të ha një bukë – zehër
lagur me lot,
njomur me vrer
dhe të pres, po të pres!
Një tjatër mëngjes.
E dit për dit,
E net për net, e vjet pas vjet
rrojta
e vojta
kaba
ndënë shkjah:
raja
ndënë raja,
si në hata
si tjatër s’ka!
Po prita
Dhe prita
Të vijë dhe për mua
Drita!
Tani
Tani,
Liri!
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjes Empty Re: Mitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjes

Mesazh nga Agim Gashi Wed May 11, 2011 8:59 pm

KËNGA E TRETË:
SULMI
Ta shemba shkjah kufirin
që ngrite ti
në vendin tim e përmbi varr
të babës tim.
Ta shemba,
ta dogja,
me zjarrin e shpirtit,
të vuajtjes
dhe të urrejtjes.
Me zemërim,
me vrull të madh,
e bubullimë
që s'ka mbarim
Se vjete ti më çave,
më ndave,
më vrave,
armik - lugat,
armik -xhelat!
Ti bëre azape:- s'u tremba.
Ti ngrite kufire me gjemba,
fortesa ti ngrite:
t'i shemba!
Tani!
Tani!
Atje ku ti
o Mal i Zi
ngrite kufi
që ndanin,
e çanin
vëllazëri:
Hej!
Sot,
shkon
e valon,
parmenda!
T'i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty
gjyrma t'u çduk
si në ujë.
Ta shemba armik kufinë
--derë burgu--
dhe është tani
si ish!
--si do të jetë--
përjetë:
Lëndinë!
KËNGA E KATËRT:
NDËRTIMI
I bie arës mes-për-mes
e deri në brez
e përmbi brez
humbas
me gas
në grurin tim,
të Dheut tim,
të babës tim,
të birit tim:
sot e përjetë,
jetë pas jete!
Dhe ndje qysh flet
me zë të qetë
im-Atë vetë
nga balta poshtë:
Ta mbroni Dhenë
ku eshtrat kam
ku hi e tokë
e pluhur jam...
Ta mbroni Dhenë
që e yshqe
dhe sot si dje:
me kurmin tim...
Ta mbroni Dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni.
Të derdhni gjakun
me grushte plot
po kurrë lot,
as sot, as mot!...
Se loti është robëri,
Gjaku: Liri!
Jam eshtërmadh
e bojalli
e me japi,
si më sheh ti,
si më njeh ti.
Po kam një zemër
në gjoksin tim
që pa pushim
me rreh
si Drim.
Dhe Babën tim kur e kujtoj
Lotoj...
Të pashë të vrarë, or Baba,
e pa qefin si për hata,
rreth e përqark me xhanderma.
Desha të qaj e s'qava dot,
e të bërtas, s’bërtita dot,
pa asnjë lot, pa asnjë lot.
Dhe prita sot të derdh një lot
KËNGA E PESTË:
QËNDRIMI
Tani!
Tani!
Unë jam gati
të vdes që sot -
se rroj përmot;
mbytur me gjak
po jo me lot,
për këtë Dhe
që e kam si fe
e përmbi fe.
E kam Vatan!
E kam Atdhe!
Hej!
po buças me zë kaba
sa të dëgjohet në qiell la
sa të dëgjojë fund e kryej
kush gjak shqiptari ka në dej.
Shaban- vëlla!
Destan- baba!
Hej!
Komb i lirë kosovar,
ti komb shqiptar,
ti Zot krenar
ti djalëri- ti pleqëri
bëju gati!
Bëju gati
për vrull të ri;
ta djegësh botën
ta bësh hi:
për Liri'
Për Shqipëri!
Tani,
tani!
- O Mal i Zi
ja unë
ja ti!
Po unë - jo ti,
se jam këtu kur s'kish njeri
dhe as kufi
as fqinjëri...
Unë jam këtu kur Mali i Zi
Me Shumadi,
Me Dallmati -
Sa mban e gjitha Shqehëri
Ish ILIRI!
Kur nga një det në tjetrin det
isha Zot vetë.
Se jam këtu nga moti
kur vetë zoti
e bëri fushën- fushë
e malin mal!
Unë jam këtu
e do të jem
- dem baba dem -
Sa mali të bëhet hi
E hiri mal përsëri.
Mitrush Kuteli
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
E pashqyrtuar
Dhimitër Pasko i njohur me pseudonimin Mitrush Kuteli lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec, ndërsa vdiq më 4 maj 1967 në Tiranë. Ka qenë shkrimtar, përkthyes dhe ekonomist shqiptar nga Shqipëria. TeXT BY : VII-3 -Yll Morina - 2009/2010
Tabela e përmbajtjeve
[fshih]
• 1 Biografia
• 2 Mitrush Kuteli, ikja e dhunshme e para 40 viteve
• 3 Si e varrosën të gjallë
• 4 Mizoria e diktaturës ndaj intelektualëve të padëshiruar
o 4.1 Kujtime nga koha e kasolleve
o 4.2 Krenar në varfërinë e tij
o 4.3 Vuajtja, burgu, sëmundja
o 4.4 Jetë skëterre si pasojë e tyre...
o 4.5 Shpjegimi i varfërisë së njeriut të ndershëm
o 4.6 Atdhedashuria
o 4.7 Ç’zemër e madhe, edhe në prag të vdekjes.
• 5 Mitrush Kuteli, përtëritës i miteve ilire
• 6 Rrefimet e te birit Pandeli Pasko
• 7 Vdekja
o 7.1 Njoftimi ne gazetei Lidhjes së Shkrimtarëve për vdekjen e Mitrushit
• 8 Tituj të veprave
o 8.1 Përkthime
o 8.2 Poezi
• 9 Burimi i të dhënave
• 10 Lidhje të jashtme
Biografia
Tituj të veprave
 Rrjedhin lumenjtë
 Vjeshta e Xheladin Beut
 Lasgush Poradeci (1937)
 Net shqiptare (1938) [1]
 Pylli i gështenjave (1958) [1]
 Ago Jakupi e të tjera rrëfime, (1943)
 Sulm e lotë (1943)
 Shënime letrare (1944)
 Havadan më havadan (1944)
 Kapllan aga i Shaban Shpatës (1944)
 Dashuria e berberit Artan (1946)
 Xinxifilua, (1962)
 Tregime të moçme shqiptare (1965) [1]
 Tregime të zgjedhura (1972) [1]
 Baltë nga kjo tokë, (1973)
 Në një cep të Ilirisë së poshtme (1983) [1]
 Këngë e britma nga qyteti i djegur
 E madhe është gjëma e mëkatit (1993)
 Xinxifilua (2002)
Përkthime
 "Kujtimet e një gjahtari" të Turgenjevit
 "Tregimet e Petërburgut" dhe "Shpirtra të vdekura" të Gogolit
 "Zotërinj Gollovlinovë" të Sllatikov Shçedrinit
Poezi
 Jam shqiptar kosovar
Burimi i të dhënave
1. ^ a b c d e Gjovalin Shkurtaj dhe Enver Hysa : Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut
Lidhje të jashtme
 Biografia e Kutelit në anglisht nga Dr. Robert Elsie
 Vjeshta e Xheladin Beut e Kutelit në anglisht, përkthyer nga Dr. Robert Elsie
 Poezi të Kutelit në anglisht, përkthyer nga Dr. Robert Elsie
 Vdekja e M. Kutelit.
 Si e varrosën të gjallë.
 Mitrush Kuteli, përtëritës i miteve ilire.
Pregaditi:Kadri Mani
(etnike@gmail.com)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 69
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjes Empty Re: Mitrush Kuteli në përvjetorin e vdekjes

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi