Xhesika Vula:Çka i lejoj vetes, nuk ta lejoj ty!(Intervistë me Akademik Rexhep Qosen)
Faqja 1 e 1
Xhesika Vula:Çka i lejoj vetes, nuk ta lejoj ty!(Intervistë me Akademik Rexhep Qosen)
Xhesika Vula:Çka i lejoj vetes, nuk ta lejoj ty!(Intervistë me Akademik Rexhep Qosen)
Në momente të vështira për kombet, pesha e mendimit të mendjeve të ndritura merr një rëndësi të veçantë. Ndër mendjet më të ndritura të kombit shqiptar është padyshim Akademiku Rexhep Qosja. Përveçse një nga studiuesit dhe shkrimtarët më të njohur të letrave shqipe, personaliteti intelektual i Prof. Rexhep Qosjes u rrit jashtëzakonisht shumë gjatë dy dekadave të fundit. Në periudhën e ndërrimit të sistemeve në Shqipëri, intervistat e Prof. Qosjes përpiheshin nga shqiptarët kudo që ndodheshin për kthjelltësinë dhe largpamësinë e tyre. Më tej, ai vazhdoi të ishte i pranishëm në të gjitha zhvillimet politike e shoqërore mbarëshqiptare. Nuk mund të ndodhte ndryshe edhe në këto ditë të tensionuara të klimës politike në Shqipëri. Në këtë intervistë ekskluzive për “Telegraf”, Prof . Qosja analizon situatën aktuale politike në Shqipëri, ngërçin e krijuar pas zgjedhjeve të 8 Majit, duke dhënë edhe perspektivën e zgjidhjes së problemeve. Profesor Qosja prononcohet për herë të parë se çfarë mendon për letrën e shkrimtarit Ismail Kadare drejtuar kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha. Ai flet gjithashtu, për perspektivën e çështjes kombëtare shqiptare, ku e thekson si të pashmangshëm bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.>>>
-Profesor, pas zgjedhjeve të 8 Majit, në Tiranë është krijuar tension i ri politik. Cili është perceptimi juaj për këtë tension dhe si e keni përjetuar atë?
- Është shumë e rëndësishme që dukuritë, proceset, veprimet, sjelljet, mendimet, idetë në jetën politike dhe shoqërore të emërtohen mundësisht sa më saktë, sa më përpiktë. Si për organizmin e njeriut, ashtu edhe për organizmin shoqëror vetëm diagnozat e sakta bëjnë të mundshme që të gjendet terapia përkatëse. Shqipëria ishte në krizë dhe ishte në një krizë të përgjithshme, që zgjat shumë, shumë. Kjo që ju quani, tani, “një tension i ri politik” në të vërtetë është një shkallë më tej, një ashpërsim i dukshëm më i madh i kësaj krize të përgjithshme, sepse është, njëkohësisht, krizë që me ashpërsinë e vetë lëndon fort organizmin shoqëror! Për mendjen time dhe për shpirtin tim kjo është një fatkeqësi për Shqipërinë dhe për shqiptarët!
-Në një situatë të tillë, Presidenti i BE-së, Barroso, anuloi një vizitë në Tiranë ditët e fundit. Kë bëni përgjegjës për këtë vizitë të munguar dhe pse?
- Evropa sot apo, më saktë të thuhet, tani e disa vjet ka dy kriza: njëra krizë quhet Bjellorusi, kurse kriza tjetër quhet Shqipëri. Në qoftë se bëhemi objektivë, realistë, jo mashtrues ndaj vetvetes, do të themi: kriza e quajtur Shqipëri është po aq e madhe dhe po aq e gjithanshme sa kriza e quajtur Bjellorusi! Anulimi i vizitës së Kryetarit të Bashkimit Evropian, Hoze Manuel Barozo, në përbërjen e delegacionit të të cilit ishte edhe komisionari për Integrim, Shtefan Fyle, në Tiranë është masë e rreptë ndëshkuese që i shqiptohet politikës shqiptare, që i shqiptohet regjimit shqiptar, që i shqiptohet Shqipërisë. Kjo është masa më e rëndë ndëshkuese, me pasojat më të mëdha, që i është shqiptuar Shqipërisë prej BE-së pas vitit 1997. Më pyetni se kë bëj unë “përgjegjës për këtë vizitë të munguar dhe pse”? Unë, natyrisht, e di përgjegjësin, por unë nuk e kam fuqinë ligjore të shpall përgjegjësin. Sepse, po të kisha fuqi që të shpall përgjegjësit unë do të merrja edhe masat përkatëse ndaj përgjegjësit a përgjegjësve. Gjendja në të cilën është Shqipëria, kriza e përgjithshme në të cilën gjendet ajo, pamja e saj tepër e padëshiruar në Evropë dhe në botë përgjithësisht, e tregojnë përgjegjësin, e shpallin përgjegjësin. Dhe, ky përgjegjës është regjimi shqiptar; dhe ky përgjegjës është protagonisti i këtij regjimi; dhe ky përgjegjës është sundimtari i këtij regjimi; dhe ky përgjegjës është Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Pse? Sepse është pushtetmbajtës. Sepse është sundimtar. Sepse në duart e tij janë të gjitha levat e pushtetit në Shqipëri! Sepse është autokrat. Sepse është autokrat i tipit më anakronik, më fyes për një shoqëri që pretendon të quhet evropiane, bashkëkohore! Sepse është shkelës i Kushtetutës dhe i ligjeve!
- Si e konsideroni rolin e ndërkombëtarëve në situatën aktuale politike të Shqipërisë?
- Sipas mendjes sime, edhe ndërkombëtarët janë fajtorë për krizën në të cilën është e zhytur Shqipëria, prandaj edhe për ashpërsimin e tashëm të kësaj krize. Mua më çudisin shumë sjelljet e tyre të lara e të lyera, kjo do të thotë sjelljet e tyre të mëndafshta ndaj të këqijave të vazhdueshme që prodhon klasa politike në Shqipëri; më çudisin shumë sjelljet e tyre dyfytyrëshe ndaj krizës së përgjithshme në Shqipëri; më çudisin shumë sjelljet e tyre të “figurshme”, “poetike”, bën ashtu e bën kështu, ndaj regjimit shqiptar fare qartë autoritar; nuk më çudisin sjelljet e tyre mostoleruese (me shumë vonesë) ndaj regjimeve autoritare në Afrikën Veriore, por më çudisin sjelljet e tyre toleruese ndaj regjimit autoritar në Shqipëri. Më çudisin e, ndoshta, nuk do të duhej të më çudisin: atje ka naftë shumë e në Shqipëri nuk ka naftë as për Shqipërinë!
- Për zgjidhjen e kësaj krize, ditët e fundit Ismail Kadare i drejtoi një letër të hapur kandidatit demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Bashës, ku i kërkonte tërheqjen nga gara. Në këtë pikë, a jeni ju në një mendje me Kadarenë për zgjidhjen e krizës dhe uljen e tensioneve politike?
- Krizat politike e institucionale, shtetërore, zakonisht, nuk zgjidhen me letra e thirrje, të cilat mund të sjellin, kur e kur leverdi për shkruesin, kur e kur leverdi për marrësin e, kur e kur leverdi për protagonistët e krizave. Nuk po i paragjykoj “frytet” e letrës që përmendni, por dua të them: intelektuali e ka për obligim mendor dhe etik ta thotë të vërtetën pavarësisht sa e hidhur mund të jetë ajo, pavarësisht sa kanosen interesat e tij nga ajo, pavarësisht sa e keqpritur prej të tjerëve, prej opinionit, mund të jetë ajo. Ai që e quajmë intelektual nuk bën kalkulime, kurrfarë kalkulimesh. E, e vërteta për dramën e zgjedhjeve të 8 Majit në Shqipëri është fare e qartë, fare e dukshme. Tregimi për këtë dramë është ky: më 21 janar të këtij viti janë vrarë 4 protestues, të pafajshëm dhe të varfër. Atë ditë kur janë vrarë ata, Lulzim Basha ishte ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Në çastin kur janë vrarë këta katër qytetarë të varfër, thuhet se ministri Lulzim Basha gjendej në ndërtesën e Kryeministrisë së Shqipërisë. Në ata katër protestues të pafajshëm e të varfër nuk ka mundur të shtihet me armë pa dijen e Lulzim Bashës (dhe të Kryeministrit Sali Berisha).Por, edhe po të ishin vrarë pa dijen e tij, ata, megjithatë, janë vrarë derisa ai ishte ministër, derisa ai u lëshonte urdhra Policisë dhe Gardës së shtetit. Kur kalin e vret shala mendja e shëndoshë e popullit, e filozofëve të demokracisë, e intelektualëve dhe e shkrimtarëve e thotë: fajtor është kalorësi. Domethënë: Lulzim Basha, të cilin unë kurrë nuk e kam takuar, kundër të cilit unë, që përpara, nuk mund të kem asgjë, objektivisht është vrasës i katër protestuesve të pa armë në dorë. Në botën demokratike ai ministër, domethënë ai fajtor për vrasjen e katër protestuesve, nuk mund të kandidohet për kryetar të bashkisë së kryeqytetit, as për kryetar të asnjë qyteti, as për ndonjë pozitë tjetër politike. Kandidimi i tij, e kam thënë edhe njëherë tjetër dhe po e përsëris prapë, nga ana e Partisë në të cilën është anëtar, në të vërtetë nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, është provokim i mendjes demokratike, i mendjes kundërdespotike. Kandidimi i tij, rrjedhimisht, është cenim i rëndë i kulturës politike të popullit shqiptar. Po të mendonte për interesat e vendit, ai nuk do të pranonte të kandidohej. Po t’i mendonte interesat e Shqipërisë, Kryeministri i Shqipërisë, nuk do ta kandidonte një njeri me barrë aq të madhe politike e morale në karrierën politike e në ndërgjegje, po do të kandidonte një anëtar tjetër të Partisë Demokratike të Shqipërisë, e cila ka anëtarë shumë më të merituar, më të çmuar e me më shumë përvojë politike e qeverisëse se Lulëzim Basha. Një njeriu të tillë, që është bërë shkak për zhytjen e vendit në krizë të rrezikshme politike e shtetërore nuk i çohet letër me lutjen që të tërhiqet prej garës politike e pushtetore sepse edhe mendja më e virgjër do t’i tregonte: ai që me barrë të tillë politike e penale në karrierë e në shpirt hyn në garë politike për pozitë të re, më të lartë, ai prej asaj gare nuk tërhiqet i gjallë! Një njeriu të tillë i çon letër vetëm ai që letrën politike e shkruan duke menduar jo për të vërtetën që në të thuhet, por për frytet e saj vetjake. Megjithatë, kjo letër e I.Kadaresë ka një vlerë politike: ajo e tregon vetëdijen e autorit për fajin e Lulëzim Bashës, por kjo vetëdije, mjerisht, s’është bërë ndërgjegje që e tregon qartë dhe e mbron pa kalkulime të vërtetën për krizën e tashme në Shqipëri, kryeprotagonisti i së cilës është Sali Berisha.
- Po për valën e re të protestave të opozitës, ç’mendim keni?
- Siç është parë më shumë herë, krizën politike, shoqërore, institucionale të Shqipërisë, nuk po e zgjidhin, fatkeqësisht, as bisedat, as bisedimet, as institucionet e pavarura, as ndërhyrjet e paqarta të BE-së. Në qoftë se faktorët ndërkombëtarë, në qoftë se BE-ja, vazhdon të jetë e paqartë, e pavendosur, e larë dhe e lyer si deri tani, në qoftë se Kolegji Zgjedhor s’e zgjidh krizën, atëherë mbetet vetëm një mjet për zgjidhjen e saj: protestat demonstratat, grevat, në të vërtetë mosbindja qytetare. Tani nuk mund të flitet më vetëm për truket e Sali Berishës në zgjedhje siç fliste për të ish- ambasadori amerikan në Tiranë. Tani kemi të bëjmë me rrëmbim, me plaçkitje të rezultatit të zgjedhjeve, me turli-turli makinacionesh! Tani kemi të bëjmë me shkelje të ligjit; tani kemi të bëjmë me shkelje të Kodit Zgjedhor; tani kemi të bëjmë me privatizim të plotë, brutal, të shtetit, domethënë me cenim përfundimtar të shtetit! Atë që ia mohoi opozitës gjatë dy vjetëve, Kryeministri i Shqipërisë tani ia lejoi vetes; dhe kipcit të tij, Lulëzim Bashës! Dhe, kështu ndodhi përbuzja, fyerja më e rëndë e opozitës shqiptare, në të vërtetë e gjysmës së Shqipërisë!
Ç’mund të thuhet tani? Ç’duhet të thuhet tani?
Për hir të ardhmërisë demokratike të Shqipërisë, opozita shqiptare, Kolegji Zgjedhor, institucionet e pavarura, nuk guxojnë të lejojnë që padrejtësia, dhuna të bëhen të ligjshme, siç po do ta bëjë Sali Berisha duke shkelur Kodin Zgjedhor dhe ligjin dhe siç e ka bërë edhe sa herë më parë. Për hir të ardhmërisë demokratike të Shqipërisë, opozita shqiptare, Kolegji Zgjedhor, institucionet e pavarura të Shqipërisë, nuk guxojnë të lejojnë që në skenën politike shqiptare të ngrihet paligjshëm e të bëhet politikisht i qëndrueshëm edhe një Sali Berishë i dytë, i cili, siç e dëshmoi më në fund, do të zbatojë teknologjinë politike e pushtetore të gënjeshtrës, të mashtrimit, të falsifikimit, të rrëmbimit, të mësuar prej mësuesit dhe padronit të tij. Opozita shqiptare, Kolegji Zgjedhor, institucionet e pavarura të Shqipërisë, nuk guxojnë të harrojnë devizën themeltare të demokracisë, në të cilën mbështetet gjithë historia demokratike e popujve historikë liridashës: është mëkat t’i bëhet e padrejtë tjetrit, por po aq është mëkat edhe të durohet padrejtësia. Protestat, demonstratat, grevat e urisë, mosbindja qytetare paqësore, prandaj, jo vetëm se janë të ligjshme, por ato janë të domosdoshme për të shpëtuar dinjitetin shtetëror të Shqipërisë, për ta nxjerrë Shqipërinë prej krizës, për të filluar shërimi i Shqipërisë: shërimi politik, etik dhe shtetëror i Shqipërisë. Por, kam drojë se opozitës i mungon frymëmarrje mjaftueshëm e gjatë për ndërmarrje të tillë historike. Po ta kishte këtë frymëmarrje nuk do ta ndërprente grevën e urisë dhe nuk do të pranonte të mashtrohej prej përfaqësuesve të BE-së në restorantin “Krokodil” në Strasburg!
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» Xhesika Vula:Bisedime
» Xhesika Vula:JU
» Xhesika Vula:Deshperimi
» Xhesika Vula:Eh mirësi
» Xhesika Vula:3 SHRATORI
» Xhesika Vula:JU
» Xhesika Vula:Deshperimi
» Xhesika Vula:Eh mirësi
» Xhesika Vula:3 SHRATORI
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi