Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Jeton Kelmendi:Folklori të mbanë më afër me atdheun

Shko poshtë

Jeton Kelmendi:Folklori të mbanë më afër me atdheun Empty Jeton Kelmendi:Folklori të mbanë më afër me atdheun

Mesazh nga Agim Gashi Fri Jun 10, 2011 10:16 pm



Folklori të mbanë më afër me atdheun

Jeton Kelmendi:Folklori të mbanë më afër me atdheun 49132_1163152782_6165403_n
Intervistoi: Jeton Kelmendi
Intervistë me rapsodin e mirënjohur Agim Gashi


Jeton Kelmendi:Folklori të mbanë më afër me atdheun 10AgimGashi-4



Bota Sot: Çka e lidhe Agim Gashin dhe muzikën folklorike?

Gashi: Kur isha i vogël, në odat tona flitej edhe për Skënderbeun, lexohej „Lahuta e Malcisë“ dëgjoheshin këngë kreshnike dhe ato historike. Natyrisht se sa folklori që të mbjell dashuri për atdheun dhe popullin , nuk ma merr mendja se mund të ketë diçka tjetër si zëvendësim. Kur piqet nuk hiqet thonë të moçmit tanë. Edhe mua mu poq kjo dashuri, më hyri në shpirt për të mos u ndarë kurrë. Folklori është shkencë. Shkenca folklorike shqiptare ka vërtetuar se në saje edhe të Barletit, italianit Antonio Sebelikës, që ishin bashkëkohës të Skënderbeut, apostolikut të Romës M. Bicit, pastaj Frano Bardhit, ditarit francez Ami Buos e të tjerëve, se populli ynë pat krijuar shumë këngë për Skënderbeun dhe bashkëluftëtarëve të tij. E ceka mu këtë sepse këngët e krijuara u kënduan në etapa të ndryshme kohore, në të gjitha periudhat e historisë sonë që pasuan, edhepse gjurmoheshin nga armiqtë turq e më vonë edhe serb, çka do të thotë se shumë këngë të folklorit tonë i breu koha. Por shumë nga to i mbijetuan kohërat e vështira dhe akoma këndohen. Një këngë për Skënderbeun u bë shkaktare që unë mos ti ndahem folklorit që nga ditët e rinisë së hershme, dhe ajo këngë ishte „Kthimi i Skënderbeut në Krujë“, që edhe sot e këndoj me ëndje.

Bota Sot: Ku ka mbetur sot folklori dhe cili është primati në artin muzikore shqiptare në përgjithësi?

Gashi: Nuk ka gjë më të rëndë se sa zbraztësia në jetën kolektive. Por është edhe më trishtuese kur ajo sundon pa dëshirën tonë. Në kolektivitetin tonë ka dikush që dëshiron të bëhet yll brenda natës. Ky është aksident gjithë popullor në të gjitha poret e jetës, pra edhe të këngës në përgjithësi. Muzikën tonë e ka kapluar një e keqe me përmasa të mëdha. Kjo shkakton dridhmë dhe ankth tek ata të cilët kulturës shqiptare iu kanë përveshur me përkushtim. Dhe s’ka se si mos të te përkujtohet thënia e Faik Konicës „Shqipërinë shpëtoje, Zot, nga shqiptarët“! Pse e përkujtoj këtë thënie? Sepse, shqiptarët me vetë dëshirë kopjuan muzikën e huaj dhe ia servojnë masave të gjëra si diçka origjinale. Vazhdimisht duke e dëgjuar këtë muzikë, njeriu ynë mësohet dhe patjetër se është i detyruar të ndahet nga origjinalja shqiptare e cila sipas mendimit tim është më e bukura, më e larmishmja dhe më besnikja në botë. Kur mendoj se një popull i tërë u hipte tankeve serbe duke shpalosur flamurin kombëtar, kur flijoheshin familje të tëra me gra e fëmijë, kur djem e vasha i suleshin armikut në istikame, sot na dalin njerëz që kërkojnë famë të karkalecit duke ndjell kaos në kulturën shqiptare. Mos të mendojnë se po bëjnë burrëri, përndryshe veprimet e tilla janë të barabarta me tradhtinë. Nuk shitet pasuria kombëtare për para. Le ta dinë të gjithë ata se nuk jam idhëtar i konfrontimit, e as materialist i degjeneruar, por nuk dëshiroj që guximi intelektual të më mbetet në periferi siç i u është mbetur disave. Këta njerëz , me zell janë duke e shfrytëzuar kaosin e dhimbshëm të kombit në të gjitha trojet etnike, duke u bërë kujdestarë të pseudovlerave dhe të pseudopatriotizmit. Në këtë kohë të tranzicionit kombëtar ma kudo që të shkosh s’ke për të dëgjuar më këngë të bukura të Nexhmije Pagarushës e Naile Hoxhës, të Qamilit të Vogël e të Jusuf Myzyrit, të Rizah Bllacës e Dervish Shaqes, por ke për të dëgjuar zëra insonant e të pa artikuluar të një muzike të huaj që as dreqi si bie në fije, thua se je në një vend të fosileve antiqytetruese, apo edhe në qytetet e atyre që në shekuj na i bënë shumë të këqija. Kam shpresë se pa kaluar kohë e gjatë, pa u bërë tepër vonë, do të këndellemi si kolektiv dhe do të mendojmë ndryshe , pra të mendojmë kombëtarisht.
Jeton Kelmendi:Folklori të mbanë më afër me atdheun Si852149
Bota Sot: Ju keni filluar me një tjetër zhanër, pse tani merreni me folklor, madje duket se jeni prej te rrallëve qe ruani folklorin e pastër?

Gashi: Unë kam filluar pothuajse në të dy zhanret paralel. Si i vogël imitoja Rizah Bllacën e Dervish Shaqën, njëkohësisht këndoja këngë edhe të Qamilit të Vogël e Ibrahim Tukiqit. Këndoja kështu sepse në familjen tonë, atëbotë në fshatin Okllap, pothuajse këndohej çdo natë. Babi im ndjesë pastë, e ka dashur këngën dhe ka kënduar së bashku me familjarët në ndeja e dolli të fshatit e diku edhe ndër miq e të njohur. Vegla popullore kishim me bollëk sepse axha im Sabiti i bënte me një mjeshtëri të rrallë. Çiftelinë e lidhte me bilbila druri që kur lozte në atë instrument, loznin edhe bilbilat thua se janë të gjallë. Kishte diçka domethënëse ajo kohë e ahengut dhe e të kënduarit shqip dhe vetëm shqip. Ndjellte një të ardhme më të mire duke përgatitur gjenerata të shëndosha që do të jenë në shërbim të çështjes kombëtare. Pas shkollimit fillor regjistrohem në shkollën normale në Prishtinë. Aty hasi një kulture më ndryshe , por edhe me një jetë të pasur kulturore. Në klasë kisha edhe një dashamir të këngës që më vonë do të jetë një këngëtar i mirëfilltë i të dy këtyre zhanreve. Ishte ai Rizah Bytyqi, me të cilin për pesë vite ishim pothuaj të pandarë në mësim, këngë dhe shoqëri të ndryshme kulturo artistike. Një detal të jetës si nxënë do e veçoj me respekt të madh: e tërë klasa ime ishim pjesëmarrës të demonstratave të vitit 1968. Më pas u pranova edhe si këngëtar i RTP-së ku fillova të regjistroj këngë të ndryshme popullore. Të gjitha tekstet dhe muzikën ua bëja vete. Nga incizimet e mia në RTP, vetëm kënga pjesëmarrëse e “Akordeve të Kosovës ´76” e Sabah Bytyqit “Ditët që kaluan”,është këngë që ka autorë tjetër, tjerat janë këngë të shkruara, përpunuara e komponuara nga unë. Aso kohe kishim një orkestër fenomenale nën udhëheqjen e Isak Muqollit, ku anëtarët e kësaj orkestre ishin edhe kompozitore me fame. Në anën tjetër, krahas si punëtorë arsimi, këndoja edhe në dasma dhe krahas këngës popullore që e këndonim me këngëtarin e ndjerë Feim Jupen, gjithnjë kisha sharkinë time për ti kënduar këngët e reja e të shkruara pas çdo ngjarje të rëndësishme. Robërimin nga zgjedha sllave e përjetoja rëndë, andaj edhe nuk mund të isha indiferent edhe në veprimtarinë politike. Kështuqë si shumë vasha e djelmosha shqiptarë, edhe unë burgosem në vitin mars të vitit 1986. Me këtë u “përshëndeta” edhe me këngën, me RTP-në por edhe me dasmat dhe veprimtarinë time. Në vitin 1981 veq isha larguar nga proqesi arsimor si i pa pershatshem politikisht. Pas daljes nga burgu në fundin e vitit 1989 i bashkëngjitëm Lëvizjes gjithë popullore të Ibrahim Rugovës dhe aksionit për pajtimin e gjaqeve. Këndoja përsëri por jo më në RTP, sepse pos ndalesës së këngëve të mia, isha ndaluar edhe si person të hy në lokalet e RTP-së. Tani këndoja me sharki, në pajtimet e gjaqeve, ku fushat dhe logjet ku faleshin gjaqet për liri e për flamur, merrnin emra “Fushat e Pajtimi”. Pas kësaj periudhe jam ndeshë me shumë vështirësi të jetës ndër të cilat veqoj më të rënden: kurbetin.

Bota Sot: Një këngë që i kushtohet ish-presidentit të Dardanisë Ilire e këndoni ju, a mund të na flisni më në detaj rreth kësaj kënge?

Gashi: Këtë këngë e kam shkruar në vitin 1992 në Vjenë të Austrisë. E kisha filluar në Slloveni, e përpunova në Kroaci për ta kënduar të plotë në Metropolet e Evropës, në ato vende ku Dr. Rugova shkonte ta përsëriste vargun kolosal „Shqiptarët donë liri“! Punën që e nisi Dr. Rugova, isha i bindur se mund ta niste vetëm njeriu që vërtetë e do atdheun, popullin e lirinë. Këtë këngë e këndova plot një dekadë e gjysmë, me gëzim e krenari, në koncerte humanitare, në përvjetorë e përkujtime, por edhe shumë herë me frikë nga njerëzit tanë. Fatkeqësisht kishte, por ka akoma pjesëtar të popullit tim që i trishton kjo këngë, i trishton suksesi kombëtar i Dr. Rugovës sepse e dinë fare mirë se Ai e ka fituar pavdekësinë. Me vdekjen fizike të Presidentit tonë të parë, këtë këngë e përpunova në tekst dhe me muzikën e njëjtë e shëndrrova në Elegji. Mendoj që s’ka më mirë se një këngë e burrërisë dhe veprimtarisë së një pësoni ti shëndrrohet në Elegji. Kjo donë me thënë se Ai ishte i madh me vepër të madhe, e që lum ky popull që e pat.

Bota Sot: Çka do të ju thoje lexuesve dhe dëgjuesve tu në këtë interviste për Botën Sot?

Gashi: Kisha dërguar porosinë shqiptarëve, të mbledhim mendjen, sepse është momenti dhe shansi ynë historik të jemi të bashkuar e të besatuar, duke i lënë anash ideologjitë e huaja, duke lënë hasmëritë nder veti, sepse shqiptarët janë ata që dinë të fjalosen por dinë edhe të bëhen tok kur e lypë nevoja. Ti kthehemi të mbarës, traditës e kulturës sonë kombëtare, ta duam këngën e mirëfilltë shqipe, ta duam njëri tjetrin. Shqiptari di të bëjë edhe vepra të mira. Dhe krejt në fund ju them se ju dua të gjithëve, edhe ata që më donë por edhe ata që më urrejnë. Unë nuk kam shqiptar të hidhi në anët tjera. Edhe po ti hidhnim, po na i kthejnë mbrapa sepse askush s’po na donë. E mbasi është ashtu, ta duam vetveten pra. Ta duam njëri tjetrin që ta bëjmë Shqipërinë-Shqipëri.

http://www.botasot.info/def.php?gjuha=0&category=65&id=122787
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi