Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Rudina Cupi:NE(Poemth triptik)

Shko poshtë

Rudina Cupi:NE(Poemth triptik) Empty Rudina Cupi:NE(Poemth triptik)

Mesazh nga Agim Gashi Wed Jun 15, 2011 1:59 am

Rudina Cupi:NE(Poemth triptik) 251208_216590238373465_100000674724378_683811_4847154_n
Rudina Cupi:NE(Poemth triptik)

Ata

Një burrë, një grua dhe një shtëpi
nuk janë një martesë,
janë loja shah-mat: “Kam një kungulleshë, e ndaj në dy pjesë”,
si komunikim ping-pong pyetje-përgjigjesh
të sojit: “Si shkoi sot (i dashur)?”
- “Hiç, asgjë, ashtu kot.”
dhe, për të mbuluar çdo gjë me zhurmë
Ai dystohet në divan, me volum të lartë “Formula 1” shikon
dhe Ajo, që heshtjen do ta mbulojë sipas mënyrës së vet
zhurmon me fshesën me korrent ose tenxheren me presion,
sa për përgjigje, doemos…
Sepse…
si shtyhet ndryshe deri në darkë,
kur të shtrihen në krevat e të ndihen trotuarë
me autostradën në mes, që askush s’prek më këmbë….

Ajo


Gratë janë meteorologe të mira,
e dinë se stuhi nuk do të thotë të thyhen degë, shtylla a shtëpi
rrëzohet nga përqafimi veç një fije floku mbi shpatullat e atij,
një fije më ngjyrë të mjerë që të biron në shpirt
të bën një sy ciklopi për të parë hollësitë…
Dhe fill në atë vrimë nuk mund të mbjellësh një qiparis,
veç gramin zvarranik të mërzisë…
Kaq. Vetëm një fije floku,
që, nëse bie në pjatën me gjellë të pret oreksin,
nëse e ke në gojë të bën për të vjellë...
Një qime si levë Arkimedi të zhvendos tërë botën
të harrakat kuturu, të lë pa natyrë,
të lë bosh, pa një vrimë të fusësh kokën.
Një qime që zmadhohet si lëmshi në fyt
që mendjemacja nuk do t’i qaset, veç ta gërvishtë
si një lëvore peme për të shkruar një të sharë
që një Zot e di, kë ka për të vrarë.

Ai


Burrë, mos e shkreto jetën me vetëm një grua
ndize cigaren e re me të takuar,
duke puqur me të bishtin tënd që shkon në të shuar.
Mishi s’është qetësi.
Gratë shtohen. Ato janë shkolla jote.
Ka kohë që ti lakohesh teorikisht si thashethem,
ji “burrë”: zgjedhohu në veprore!
Tani që luftërat janë fashitur
gratë nuk e mbajnë pikëllimin në shaminë e zezë,
si në kohën e ushtarëve, të nizamit dhe mërgimit,
e mbajnë në prehër.
Sa herë një grua thotë se i pëlqen ta bëjë në errësirë
ki mendjen, se pikërisht aty ajo fsheh pikëllimin,
(kur kupton se një burrë mbaron me një gojë).
Ji burrë për atë Zot, ji burrë!
Filloje të ndahesh nga turma me të tjerë, me kope.
Mëso: një burrë është një gotë verë e pirë tek për tek,
një burrë është një bisedë,
një burrë është një krah që zotëron,
sa është dhe dorë që përkëdhel.
Mwso: një burrë nuk fillon në mesnatë, në orën 12
fillon qysh në mëngjes.
Mëso: një burrë është një kartëmonedhë
(zakonisht gratë i mbajnë në gji);
një dashnor është një monedhë
(mbahet në derrkucin me vrimë);
por ti mos u frik: zgjidh!
Çdo grua është një pasuri!

Tjetra


Rrugë me kaq shumë vend, por jo për ty. Kotesh.
Nuk e merr me mend se do të bjerë të bësh shkollën e lëkurës:
të mësosh pozicionet e dhimbshme të shtrirjes së dorës
për vetëm pak “lumturi”,
do të mësosh konkretisht si përdalen gratë në sharjet e një burri
që mendon se dashnoret janë kafshët e duhura për t’u mbajtur pranë,
të dobishme sa pjatat plastike në një udhëtim.
Ai të mban si medaljon dhe ti ndien shkëlqimin të të përvidhet.
Pas pak, nuk do të vonojë:
ti do të ndihesh një shishe vere e pirë,
që barkun ia kanë mbushur me premtime dashurie
dhe e kanë hedhur në lumë, përplasur ku t’i vijë...
Qepallat ngërthejnë syrin
si duar që mbërthejnë një peshk të lëbyrët tek rrëshqet
e fundoset nëpër shtyllën kurrizore, teposhtë për në pellg.
Kapitur. Ndjen zemrën të të ndahet me çarçafë si shegë,
çarçafin që tash e gjithnjë do ta marrësh me vete si çallmë
dhe nuk do të jetë më kurrë një send me vlerë për pajë...
Mos qaj se çarçafi nuk të bëhet vello!
Pak nga pak do të mësosh ta bësh maskë që të ngjan...
ta vësh përballë e t’i thuash se lumturia është përrallë
përrallë me një grua që ndjek gjakun që kuçedra e ka vënë për ta ndjellë
(gjaku është Kësulëkuqe e ndjekur nga ujku nëpër terr)
përrallë që vetëm gjyshet dinë ta rrëfejnë
ndaj të gjitha fillojnë me “Na ishte një herë...”
E gjora vajzë!
Mos u bëj gjilpërëkapëse, e brirtë, me majë
për të kapur si palë të shqepur jetën - një plagë.
Bëhu grua, që me fjalë të vogla si “OH!” ta gënjesh lehtë një burrë
se nga e thjeshta fillon çdo e bërë: nga një gur
mund ndërtohet dhe një varr, dhe një shtëpi, dhe një urë,
por një grua është padiskutim një banesë
dhe banesa nis nga një gur i vënë mirë.
Mwso: një burrë “jepet”, një GRUA “bëhet”, e dashur,
Po mos ki frikë: kjo do të të bëjë të lirë.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi