Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Hajdin Morina: Zbërthimi i metaforave të lirisë dhe të dashurisë

Shko poshtë

Hajdin Morina: Zbërthimi i metaforave të lirisë dhe të dashurisë Empty Hajdin Morina: Zbërthimi i metaforave të lirisë dhe të dashurisë

Mesazh nga Agim Gashi Sun Mar 29, 2009 12:04 pm

ZBËRTHIM I METAFORAVE TË LIRISË DHE TË DASHURISË
(Rreth vlerave ideoartistike të veprës me poezi për fëmijë “Shëti nëpër Atdhe” të shkrimtarit Mikel Gojani)
Nga Hajdin Morina
Mikel Gojani është shkrimtar i njohur i letërsisë shqiptare, i cili merret me lëvrimin e pothuajse të gjitha llojeve letrare dhe letraro-shkencore, siç janë: poezia, proza, eseja, shkrimi publicistik, kritika letrare etj. Me shkrime letrare ka filluar të merrej qysh herët, si nxënës i shkollës së mesme, kurse veprat letrare filloi t’i botonte në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Ky autor deri më tash ka botuar dhjetëra vepra, duke përfshirë edhe disa sosh për fëmijë, dhe në këto dy vitet e fundit ka zgjeruar tematikën e interesimeve dhe të shkrimeve të tij letrare duke u marrë edhe me çështje të ndryshme të procesit letrar nëpër të cilin ka kaluar dhe kalon letërsia jonë, pra ka botuar vepra në të cilat ka përfshirë trajtesa, kritika dhe shkrime të tjera të mendimit teoriko-letrar dhe historiko-letrar për fenomene të veçanta, për autorë specifikë, për faktorë jashtëletrarë, të cilët nëpër periudha të ndryshme shoqërore kanë sfiduar dhe kanë penguar zhvillimin e natyrshëm të letërsisë shqiptare, e cila që herët i ka dhënë kulturës evropiane vepra me rëndësi, autorë me imagjinatë dhe mjeshtëri të lartë krijuese.
Qysh me veprat e para që botoi, shkrimtari Mikel Gojani shpalosi para lexuesit dhe para kritikës letrare një poezi që ngërthente në vetvete një mozaik të pasur ndjenjash njerëzore dhe një përkushtim për të trajtuar tema që përfshinin jetën e njeriut tonë, përpjekjet për të mbijetuar në realitetin e rëndë shoqëror e politik. Gojani me veprat e para poetike premtonte se do të bëhej një zë që do të dëgjohej në hapësirat e letërsisë sonë, ashtu siç ndodhi me të vërtetë.
Mikel Gojani me ndjeshmërinë e vet njerëzore dhe artistike e ka pasuruar fondin e letërsisë sonë për fëmijë duke krijuar vepra që reflektojnë një vlerë estetike dhe një imagjinatë që është në funksion të formimit kulturor, estetik, njerëzor dhe kombëtar të fëmijëve tanë. Duke qenë i tillë, pra duke i ngarkuar vargut poetik mision të veçantë, autori Mikel Gojani tregon se nuk shkëputet nga tradita jonë letrare dhe nga përpjekjet e qëllimshme të shkrimtarëve shqiptarë, të cilët shpeshherë, të nxitur nga ndjenja atdhetare dhe jehona e luftërave për çlirim e bashkim kombëtar, imagjinatën e tyre krijuese dhe vetë vargun letrar e kanë vënë në shërbim të qëllimeve dhe arritjeve të tjera jashtëletrare, por shkrimtari Mikel Gojani bën pjesë në grupin e krijuesve që nuk e kanë varfëruar shprehjen artistike dhe vlerën estetike të veprës së tyre letrare kur kanë trajtuar tema dhe motive që janë në funksion të ngritjes së vetëdijes njerëzore e kombëtare.
Më e mira vepër letrare për fëmijë e shkrimtarit Mikel Gojani është libri poetik “Shëti nëpër Atdhe”, e botuar më 1995 në Prishtinë. Kjo vepër së pari e ka parë dritën e botimit në vitin 1994, në faqet e revistës letrare për fëmijë “Pionieri”, dhe mbante titullin “Një shëti nëpër Shqipëri”. Vepra “Shëti nëpër Atdhe”, menjëherë pas botimit të saj, është përhapur shpejt ndër lexues në përgjithësi, e në veçanti tek fëmijët. Kështu, vargjet e kësaj vepre në vitin 1995 u bënë recital dhe u recituan në festën e ditës së shkollës nga nxënësit e shkollës fillore “Dardania” të Prishtinës. Po ashtu, pjesë të kësaj vepre u recituan më 1995, në një manifestim kulturor, në Preshevë, me rastin e 28 Nëntorit-Ditës së Flamurit tonë kombëtar.
Vepra e Mikel Gojanit “Shëti nëpër Atdhe” është një libër me vjersha, një përmbledhje poetike që i ngjason shumë poemës lirike, sepse mund të lexohet dhe të kuptohet si e tillë edhe nëse do të shlyheshin titujt e vjershave, pra vepra do të kishte të njëjtat vlera edhe sikur të ishin strukturuar të gjitha vjershat nën një titull, pra nën titullin e përbashkët “Shëti nëpër Atdhe”.Vepra është konceptuar si një shëtitje imagjinare nëpër Atdhe, nëpër të gjitha pikat e etnisë shqiptare. Pikënisje e kësaj shëtitjeje është qyteti i Prishtinës, prej nga niset ylberza Teutë me prindërit dhe kukullën e saj. Vepra hapet me dy vargje, në të cilat përmendet dy herë fjala “dashuri”: Në dashuri jeni krijuar/Në dashuri çelni si lulet. Këto fjalë mund të merren si mbititull i të gjitha vjershave që janë brenda librit ose si fjalë-çelës, si një shpjegim paraprak i përmbajtjes letrare, sepse fjala “dashuri” është përmendur shumëherë në vepër, dhe nëpërmjet kësaj fjale shpjegohet dhe reflektohet edhe dëshira e autorit që fëmijët të rriten në liri dhe pranë ngrohtësisë së dashurisë prindërore dhe të përkujdesjes së merituar të mekanizmave shoqërorë.
Vjersha e parë e veprës mban titullin “Në vend të prologut” dhe me të fillon shëtitja artistike e vogëlushes Teutë nëpër Atdheun e bukur e të dashur, nëpër vendet që do ta entuziazmojnë dhe do ta çojnë peshë zemrën e saj të ndjeshme. Poezia “Në vend të prologut” dhe poezia “Foli dielli”që vjen pas saj shpalosin brengosjen shpirtërore të autorit për shkak se vogëlushja Teutë dhe të gjithë fëmijët e tjerë të Kosovës jetonin nën robëri, nuk gëzoheshin sa duhej, nuk e luanin lojën e fëmijërisë deri në fund, pra u mungonte përmasa e dashurisë dhe përmasa e lirisë, të cilat e mbajnë drejtpeshimin e jetës njerëzore. Për shkak të kësaj gjendjeje, pra për shkak të mungesës së lirisë në Kosovë, qoftë edhe nëpërmjet një shëtitjeje imagjinare, autori dëshiron që vogëlushes Teutë t’i japë më shumë gëzim, më shumë dashuri, më shumë imagjinatë duke shëtitur gjithandej tek ka dëshirë ajo dhe autori, nëpër qytete të shumta dhe të ndryshme të Shqipërisë.
Atmosferën e rëndë të pushtimit që mbretëronte në Kosovë dhe përjetimin e lirisë e të gëzimit që sjell ajo autori i ka dhënë duke i sajuar ngjarjet nëpërmjet shprehjeve metaforike, me anë të antitezës e të alegorisë:
“Një ylberzë nga Prishtina
U nis për në Vlorë
Bashkë me nënën e babanë
Atë mëngjes në Kosovë
Binte borë borë borë”
( Vjersha “Në vend të prologut”).
Autori nëpërmjet përsëritjes së fjalës “borë” ka arritur të krijojë efekte tingullore që reflektojnë tek lexuesi emocione të atmosferës së pushtimit dhe ndjenja që lidhen me gjendje të një shqetësimi të përgjithshëm shpirtëror. Kurse në poezinë “Foli dielli” autori e liron lexuesin nga atmosfera e rëndë dhe e dhimbshme, sepse krijon gjendje të tjera emocionale, vargjet i mbush me dashuri, me shpresë dhe me besim se edhe për fëmijët e Kosovës do të vijnë ditët e lirisë e të përjetimit të gëzimit të pamasë fëmijëror. Në këtë vjershë autori i krijon skenat e rrëfimit lirik nëpërmjet figurës së qëlluar të metaforës. Pra, tash ekziston tjetër pamje, tjetër atmosferë dhe ndjenja gëzimi në shpirtin e vogëlushes Teutë. Kur ajo zbriti në Tiranë, çelën lulet, u rritën dhe foli dielli- kështu autori krijon shprehje të efektshme metaforike për ta bërë sa më të bukur udhëtimin e Teutës nëpër qytetet dhe vendet e ndryshme të Atdheut.
Poezia tjetër “Nata e parë” dhe poezia e fillimit “Në vend të prologut” janë ndërtuar mbi bazën e figurës së antitezës, nëpërmjet së cilës shkrimtari trajton gjendje dhe efekte krejt të kundërta. Në vjershën “Në vend të prologut” mbretëron atmosfera e pushtimit, ka shumë borë, kurse në vjershën “Nata e parë” autori krijon atmosferë dhe gjendje ku mbretëron dielli, drita dhe ka shumë dashuri. Kështu e përjetoi vogëlushja Teutë natën e parë në kryeqytetin shqiptar, në Tiranën e bukur, ku fatosat dhe yllkat rriten në dashuri. Mirëpo, në sheshin e madh Skënderbeu i duket Teutës pak i pikëlluar, sepse fëmijët e Kosovës ende nuk e gëzonin lirinë. Situata e këtillë sërish tejkalohet nëpërmjet krijimit të skenave poetike të kontrastit. Autori sërish e mbush me gëzim shpirtin e Teutës, duke përshkruar emocionet e saj dhe të disa fëmijëve të kryeqytetit në orën letrare në Lidhje të Shkrimtarëve, ku i priti përzemërsisht shkrimtarja e njohur e letërsisë sonë për fëmijë, Adelina Mamaqi.
Shkrimtari Mikel Gojani, duke qenë në shërbim të përmbajtjes dhe të mesazhit që dëshiron të përhapë nëpërmjet tekstit, në fjalorin poetik të veprës “Shëti nëpër Atdhe” ka përfshirë shumë emra të toponimisë, të historisë dhe të letërsisë shqiptare, dhe kështu ka bërë një përshkrim poetik të gjeografisë etnike të Shqipërisë. Po shënojmë vetëm disa nga këta emra ose fjalë kyçe, nëpërmjet të të cilave lexuesi i vogël i lexon me ëndje vjershat e kësaj vepre dhe është në gjendje të krijojë nëntekste të veta ose të bëjë vargje sipas shembullit dhe ndikimit nga autori: Prishtinë (prej nga fillon shëtitja nëpër Atdhe), Vlorë, Kosovë, Shqipëri, Tiranë, Shkodër, Krujë, Tetovë, Çamëri, Ulqin, Shkup, Preshevë etj.
Autori për qëllime dhe efekte të njëjta përmend edhe emra të heronjve, të mitologjisë shqiptare, emra të historisë së shkollës shqipe dhe të krijuesve tanë kombëtarë, siç janë: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Agroni, Teuta, Rozafa, Nora, Petro Nini Luarasi, Aleksandër Xhuvani, Aleksandër Mojsiu, Adelina Mamaqi, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli etj.
Vepra e Mikel Gojanit “Shëti nëpër Atdhe” mund të konceptohet si një shëtitje imagjinare, si një frymëmarrje shumë e lirë poetike ose një çlirim shpirtëror i poetit dhe lexuesit, i cili e sheh me sytë e mendjes, e vështron përmallshëm dhe përrallshëm gjithë Atdheun, të gjitha qytetet që kanë shkruar ose bërë histori, të gjitha fushat dhe malet e Shqipërisë që zbukurojnë Atdheun tonë.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi