Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

"Mbahu nëno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë!"

Shko poshtë

"Mbahu nëno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë!" Empty "Mbahu nëno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë!"

Mesazh nga Agim Gashi Sun Mar 29, 2009 10:22 pm

"Mbahu nëno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë!"

Historia e federatës panshqiptare të Amerikës "Vatra" dhe e organit të saj "Dielli" - pasuri e vyer kombëtare


"Mbahu nëno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë!" Vatra
VATRA - një libër ku spikasin vlerat hulumtuese dhe perceptuese të autorit, i cili ka ditur të ruajë një raport të drejtë midis materialit historik e arkival të kohës dhe atij biografik për fakte dhe ngjarje të federatës panshqiptare "VATRA". Ky raport është zgjidhur drejt dhe mirë edhe në gërshetimin e personaliteteve të shquara të diasporës shqiptare në SHBA të viteve 1912-1920.
Me pasionin e një studiuesi e shkencëtari të mirëfilltë, falë dhe bashkëpunimit të ngushtë me kreun aktual të federatës panshqiptare "Vatra", zotin Agim Karagjozin, autori e ka dhënë të plotë kontributin e diasporës shqiptare në SHBA gjatë dekadës së dytë të shekullit të kaluar, duke paraqitur dhe analizuar fakte dhe ngjarje të rëndësishme të asaj periudhe



Në ditët e para të këtij viti, pikërisht kur federata panshqiptare e Amerikës "VATRA" përgatitet të festojë 90-vjetorin e themelimit të saj (28 prill 1912), prof.assoc.dr.Beqir Meta del para lexuesve me një vepër kushtuar periudhës së parë të historikut të kësaj organizate, që i solli aq e aq të mira atdheut dhe bashkësisë shqiptare të kontinentit amerikan. Siç shprehet për këtë monografi kryetari aktual i Federatës, zoti Agim Karagjozi, kjo periudhë që quhet edhe "periudha e artë" e historisë së "VATRËS" përfshin vitet 1912-1920.
Pasi shpreh kënaqësinë e bordit aktual të Federatës për sponsorimin e kësaj vepre, duke e vlerësuar si një studim monografik shkencor për periudhën më të rëndësishme të saj zoti Karagjozi shprehet: "Për ta pasqyruar në mënyrë sa më të plotë e reale mendimin politik të "VATRËS", veprimtarinë e saj të shumanshme politike e diplomatike dhe punën e madhe kulturore e propagandistike të atyre viteve, autori ka shfrytëzuar burime të shumta dhe një dokumentacion të pasur. Mjafton qoftë edhe një vështrim sipërfaqësor i kësaj monografie për të konstatuar se renditjen e materialeve autori e ka bërë në bazë të problematikës dhe kjo ndihmon lexuesin për shfrytëzimin me kriter të materialit shkencor-arkivor sipas interesave dhe pikësynimeve. Libri pa dyshim përbën një sukses të prof. dr.Beqir Metës.
Dokumentet e pasura arkivore të shfrytëzuara mjeshtërisht nga autori janë një element i rëndësishëm që përkojnë me idenë dhe vihen në shërbim të saj, duke ia rritur dukshëm vlerat kësaj monografie. Materiali arkivor e biografik është i shumtë. Pikërisht për këtë monografia "Federata panshqiptare VATRA" ka vlera njohëse dhe edukative. Njëri nga recensuesit e veprës, as.prof.dr.Muharrem Dezhgiu, thotë: "Monografia “Federata panshqiptare Vatra" synon të japë me besnikëri fizionominë, sukseset, dështimet, avantazhet dhe kufizimet, pikëpamjet politike të drejta dhe iluzionet e saj".
Ndërkaq recensuesi tjetër, prof.as.dr. Marenglen Verli e konsideron këtë monografi një arritje të re në studimin e historisë së emigracionit shqiptar në SHBA dhe në trajtimin e disa prej problemeve thelbësore të historisë së Shqipërisë në vitet 1912-1920. Duke konfirmuar miratimin dhe vlerësimin pozitiv të Departamentit të Historisë Moderne në Institutin e Historisë, prof.dr.Verli shpreh bindjen se monografia “Federata panshqiptare VATRA" është pritur me interes nga lexuesit shqiptarë të hapësirës mbarëshqiptare në botë.
Nga ana e saj, redaktorja letrare e veprës, Pranvera Hasani, evidenton faktin se fantazia e autorit i ka qëndruar besnike realitetit historik, duke theksuar sidomos disa pika kyç të aktivitetit patriotik të diasporës shqiptare në Amerikë, në funksion të çështjes sonë kombëtare.
Me pasionin e një studiuesi e shkencëtari të mirëfilltë, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me kreun aktual të Federatës panshqiptare "Vatra", zotin Agim Karagjozin, autori u ka dhënë me botimin e këtij libri të plotë kontributin e diasporës shqiptare në SHBA gjatë dekadës së dytë të shekullit të kaluar, duke paraqitur dhe analizuar fakte dhe ngjarje të rëndësishme të asaj periudhe.
Ndër studimet më të përkryera të prof.dr.Beqir Metës, të përfshira në këtë vepër, mund të veçohen ato me titull "Denoncimi i politikës aneksioniste greke ndaj Shqipërisë", "Reagimi i "Vatrës" kundër pushtimit të Shqipërisë nga shtetet ndërluftuese", "Vatra" në lëvizjen kombëtare gjatë Luftës së Parë Botërore", "Marrëveshja e përfaqësuesve të "Vatrës" me Romën", "Mbrojtja e çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes (1919-1920) si dhe "Përpjekjet për të siguruar përkrahjen e SHBA-së".
Në këtë këndvështrim monografia e prof.dr.Beqir Metës mbështetet në një dokumentacion të pasur e literaturë të gjerë, të shfrytëzuar me kujdes prej tij. E ndriçuar nga të dhëna e fakte të gjurmuara brenda vendit dhe në diasporën shqiptare të asaj kohe të lavdishme, kjo monografi, botim i shtëpisë botuese "Globus R" i shtohet vargut të botimeve të çmuara të vetë federatës panshqiptare "VATRA", si dëshmi e re e traditave tona të mrekullueshme dhe e gjenisë krijuese të popullit tonë, që në çdo epokë ka nxjerrë njerëz të shquar të të gjitha fushave.
Historia e “Vatrës” është drejtësisht histori e Lëvizjes Nacionale Shqiptare në Amerikë
“Vatra” është organizata që mobilizoi forcat kombëtare në Amerikë dhe me anë të këtyre forcave shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi. I ndjeri Faik Konica punën e “Vatrës” me këto fjalë e ka përshkruar në gazetën “Dielli”, më 7 korrik 1922: "Në ditët e errëta kur Shqipëria ishte e pushtuar nga ushtritë e huaja, kur shteti ish përmbysur, dhe kur flitej sheshit për copëtimin e vendit- Vatra, e këshilluar nga një pakicë patriotësh e shtyrë nga atdhedashuria dhe dëshira e anëtareve të saj, e inkurajuar nga zëri i popullit i tërë shqiptar, e mori përsipër të veprojë në vend të shtetit të vdekur. Nuk i kërkoji nderet as të drejtën e shtetit po mori përsipër vetëm detyrat dhe harxhet. Me shpenzimet e Vatrës u mbajtën delegatët, u dërguan misione, u subsiduan agjensi, u kablluan mijëra protesta, me një fjalë u organizua mbrojtja e Shqipërisë - dhe u organizua aq e mirë sa Kryeministri i Greqisë Z. Venizelos tha në Konferencën e Paqes në Paris, se të vetmin pengim serioz që gjeti në Epir Greqia, ish pengimi i vënë nga Vatra…".
I nderuari Konica vazhdon: “Shuma e tërë e harxheve të bëra nga Vatra si zëvendëse e Shtetit është: $197.072.89”. Këto shpenzime u bënë që në fillim dhe gjer në vitin 1922, kur bëri llogarinë e sipërme Faik Konica.
Themelimi i Vatrës
Mbledhja e parë për të bashkuar të gjitha organizatat e Shqiptareve të Amerikës në një federatë u bë më 24 dhjetor 1911, në Boston. Kjo mbledhje u thirr prej shoqërisë “Besa-Besë”. Në këtë mbledhje morën pjesë: Faik Konica, Atë Fan Noli, Kristo Floqi, Marko Adams dhe Paskal Aleksi. Mbledhjet vazhduan deri më 28 prill 1912 kur “Vatra” u themelua zyrtarisht. Raporti i komisionit të “Bashkimit” me datën e sipërme, mban këto fjalë:
" E quajmë të formuar Federatën Pan Shqiptare Vatra të Amerikës, prej shoqërive Besa-Besën, Flamuri i Krujës, shoqërisë Kombëtare dhe Dallëndyshja". Në këtë mbledhje historike u emërua një pleqësi e përkohshme prej këtyre zotërinjve: sekretar AT FAN NOLI, Arkëtar Llambi Chikozi, Manaxher i Gazetës Dielli KRISTO KIRKA, organizatorët e degëve të federatës: Faik Konica dhe Kristo Floqi. Mbikëqyrës të gazetës Diellit: PASKAL ALEKSI, ELIA TROMARA dhe KOSTA VASILI. Federata Pan-Shqiptare VATRA u njoh prej shtetit të Masaçusetit dhe mori Kartën me 13 Qershor 1912. Në kartën figurojnë këta emra: Faik Konica, Lambi Çikozi, Fan S. Noli , Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere dhe Kosta Kotta. Faik Konica 15 mars 1875-15 dhjetor 1942 Theofan (Fan) S. Noli, 6 janar 1882 – 13 mars 1965.
Roli i “Vatrës” në Luftën Ballkanike dhe në Luftën e Parë Botërore
Si e thamë më parë, “Vatra” u themelua më 12 prill 1912, në tetor të atij viti plasi Lufta Ballkanike dhe më 28 nëntor 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë në Vlorë. Për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë “Vatra” dërgoj Faik Konicën në Evropë dhe kisha jonë kombëtare dërgoi Atë Fan Nolin.
Faik Konica mbeti në Evropë gjersa mori fund Lufta e Parë Botërore, Atë Fan Noli u kthye në Amerikë më 1915 dhe mori në dorë fatin e “Vatrës”. Gjatë Luftës së Parë Botërorë “VATRA” u forcua shumë. Gjatë kësaj kohe gazeta “Dielli” u bë e përditshme nën drejtimin e zotit Kost Çekrezi.
Gjatë kësaj kohe u organizuan trupa vullnetarësh, u themelua “Banda Vatra” në udhëheqjen e prof. Thoma Nasit, u emëruan gjithashtu delegatë në Londër në krye me të nderuarin Mehmet Konica. Në afërsi të fundit të Luftës së Parë Botërore në qershor të vitit 1917, “VATRA” hapi Fushatën Historike për Shpëtimin e Shqipërisë, me këto fjalë të paharruara prej Hirësisë së Tij Peshkop Nolit: "Mbahu nëno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë."
Kur hyri Amerika në luftë, në prill të 1917-ës, Atë Fan Noli bashkoi personalisht Presidentin Wilson, i cili i dha fjalën se do të mbrojë pavarësinë e Shqipërisë - Wilsoni e mbajti fjalën gjer në fund. Pa përkrahjen e Wilsonit sot nuk do të kishim Shqipëri.
Më 1920 me anë të “VATRËS” Qeveria Shqiptare mori hua nga vatranet, të cilën nuk e pagoi me nder ashtu siç u zotua.
Bashkë me këto vepra s'duhen harruar dhe veprat letrare që “VATRA” i ka dhënë botës shqiptare. Me anë të “VATRËS” dhe të VATRANËVE janë botuar me mijëra libra. Librat e fundit që u botuan me anë të “VATRËS” janë: “Historia e Skënderbeut” dhe “Bethoveni dhe Revolucioni Francez” në gjuhën angleze. Këto dy libra monumentale të qëndisura bukur prej IMZOT NOLIT, u botuan me djersën e VATRANËVE. Gjysma e shpenzimeve të librit "KREMTORIA" që e botoi Peshkopata u mblodhën nga VATRANËT.
Më pas “VATRA” nëpërmjet kuvendeve të saj vendosi të përqendrojë veprimet e saj në këto pika: “VATRA” duhet të mundohet të mbledhë në gjirin e saj rininë; kryesisht “VATRA” duhet të mbetet si një organizatë letrare dhe mirëbërëse, “VATRA” duhet të krijojë një fond të veçantë për studentët ashtu sikundër ka bërë edhe më parë.
Editori i “Diellit”
Komisioni i “Vatrës” për vitin 1954-1955, kryetar nderi Peshkop F.S. Noli (ph.d) kryetar Gregory Speros, nënkryetar Adem K. Vishoçica , arkëtar Llambi Misho, sekretar Shefqet Kamber (Benca), editor i “Diellit” Q.M. Panariti, pjesëtarë të komisionit: Kemal Veiseli, Nicholas Vesio, Pandeli Michael, Koli Janollari, Van Konari, pjesëtarë rezervë: Seit Beqo Selenica, John Tassey Chris Theodore, anëtarët e këshillit: Ismail Emin, Ramadan Ali Arza, Petraq Andoni, Sadik Kamber Pepellashi, Ismail Mevlani, Xhafer Pojani.
Nga federata “Vatra” - Boston Mass. dhjetor 1954


Gazeta “Dielli” u themelua prej shoqërisë “Besa-Besë” më 15 shkurt 1909, si fletore e përjavshme. Me 11 mars 1913, pasi shoqëria “Besa-Besë” u tret (lexo: u bashkua) në “Vatrën” dhe “Dielli” u bë proprietet i Federatës, nisi të dalë dy herë në javë. Më 18 nëntor 1914 nisi të dalë tri herë në javë. Me 9 nëntor, 191, nisi të dalë e përditshme.
Redaktorë të “Diellit” kanë qenë këta zotërinj: I Per. Atë Fan Noli që më 15 shkurt, 1909 gjer më 15 tetor 1909. Z. Faik Be Konica që më 22 tetor 1909, gjer më 18 mars 1910. Komisioni i shoqërisë “Vatra” e drejtoi “Diellin” pa redaktor që më 25 mars gjer më 29 prill 1910. Faik Be Konica nga 6 maji gjer më 1 korrik 1910. “Dielli” pushoi së botuari nga 1 korriku gjer në tetor të 1910-ës. Atë Fan Noli që nga 7 tetori, 1910 gjer më 7 korrik 1911. Z. Efthim Natsi që më 13 korrik gjer me 14 shtator, 1911. Z. Kristo Floqi që me 21 shtator 1911 gjer më 18 korrik 1912. Z. Faik Be Konica që nga 1 gushti 1912 gjer më 8 korrik 1913, po në janar të këtij moti Faik Beu shkoi në Evropë dhe barra e redaksisë që atëherë i mbeti më tepër z.Efthim Natsi. Z. Kristo Dako që nga 11 korriku gjer më 26 gusht 1913. Z. Paskal Aleksi që më 29 gusht 1913 gjer më 13 shkurt 1914. Z. Denis Kamburi që më 17 shkurt gjer më 14 korrik 1914. Z. Efthim Natsi që nga 10 korriku gjer më 6 nëntor 1914. Z.Kostë Çekrezi që 10 nëntor 1914 gjer më 20 dhjetor 1915. I Për. Atë Fan Noli që nga 21 dhjetori gjer më 6 korrik 1916. Z. Bahri Omori që më 7 korrik e gjer më sot.
I pari menaxher i “Diellit” ishte z. George Konda Gjoleka që kur u themelua gazeta gjer më 5 maj 1911. Z. Lambi Çikozi që nga 12 maji 1911 gjer më 25 prill 1912. Z.Kristo Kirka që më 9 maj 1912, gjer më 20 maj 1913. Z.Lambi Çikozi qe nga 23 maji gjer më 8 korrik 1913. Z.Kristo Dako që nga 11 gjer me 22 korrik, 1913. Z. Hamid Lumi qe më 25 korrik, gjer më 26 gusht, 1913. Z.Vangjel Gjika që nga 29 gusht 1913, gjer më 8 maj 1914. Z.Dennis Kamburi që më 12 maj, gjer më 3 korrik, 1914. Z. Kristo që nga 7 korriku 1914 gjer më 7 korrik 1915. Z.Mukë Përmeti që nga 9 korriku 1915, gjer më 21 prill 1917. Z.Akif Përmeti që më 16 korrik 1917 gjer më sot.

(Botuar pa ndryshime nga Kalendari i “VATRËS” i vitit 1918, edituar për botim nga Fan S. Noli dhe botuar nga “VATRA” në shtypshkronjën e “Diellit” më 1918)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi