Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Nehat Islami:Mallkimi i qytetit më të vjetër në botë

Shko poshtë

Nehat Islami:Mallkimi i qytetit më të vjetër në botë Empty Nehat Islami:Mallkimi i qytetit më të vjetër në botë

Mesazh nga Agim Gashi Tue Aug 30, 2011 9:56 pm

Nehat Islami:Mallkimi i qytetit më të vjetër në botë

Nehat Islami:Mallkimi i qytetit më të vjetër në botë Drejtori_ne_rubikon

Damasku pesëmilionësh ende mbetet qyteti më i vjetër në kontinentet e rruzullit në tokësor. Ai ka më shumë se njëzet shekuj jetë. Sham Sherifi, si e quanin edhe shqiptarët e vjetër, pasardhësit e të cilëve aty sot numërojnë mbi 20 mijë, do ta thonë fjalën e fundit për dinastinë kriminele të Bashar el Asadit – Pse Siria mbetet kampione e grusht shteteve, unioneve të pasuksesshme arabe, strumbullar i aleancave të pazakonshme, importuesja aktuale më e madhe e armatimit sovjetik në regjion dhe, shpresoj, “murrlani” i fundit i regjimit kundër “Pranverës arabe”, vetëm e vetëm për ta ruajtur pushtetin me çdo çmim. Ky regjim dyzetvjeçar i pakicës së sektit alauit që mban të gjitha levat e pushtetit dhe të dhunës dhe që ka vendosur ta vrasë gjysmën e popullit, mund të shijojë lirinë vetëm nëse më në fund do të paraqitet një armatë e atyre që ende po mbajnë transparente në dorë dhe po numërojnë të vrarët e vet, e që do të komandohen nga oficerët e dëshpëruar. Ata i vrasin njësoj si popullsinë civile “Garda revolucionare” dhe Divizioni i Katërt me 12.000 “të pashpirt” të komanduar nga Mahiri, vëllai fuqiplotë i presidentit Bashar el Asad.


Nehat Islami:Mallkimi i qytetit më të vjetër në botë View_of_Damascus_from_Mount_Qasioun.jpg.scaled500
Siria është shtet me 22 milionë banorë i Lindjes së Mesme, me afro 190 mijë kilometra katrorë dhe me histori të gjatë mbi 20-shekullore. Në gjysmëshekullin e fundit ishte dhe mbeti enigma e pazgjidhur e diplomatëve, e strategëve dhe e gazetarëve të huaj, se si mundi të qëndronte ende në këmbë ky vend, kur përjetoi pesë luftëra me Izraelin, pa asnjë fitore, pos kthimit të një fshati në Golan, i quajtur Kuneitra, shkatërrime, grusht shtete që nuk mund t’i mbajë “në laps” as kroniku më i kujdesshëm. Që prej pavarësisë së Sirisë nga mandati francez, në vitin 1946, kam numëruar 8 grusht shtete të kryera (duke filluar nga koloneli Hysni Zaimi e gjer te Hafez el Asadi), kurse analistët ushtarakë kanë regjistruar edhe 17 përpjekje të pasuksesshme për grusht shtet. Pas puçit të fundit të gjeneralit Hafez el Asad, më 13 nëntor 1970, e deri në vdekjen e tij rrafsh pas tridhjetë vjetësh, Siria përjetoi një “qetësi të dhembshme”, kur ata që mendonin ndryshe dhe kërkonin demokraci hidheshin në burgjet nëntokësore si në El Maze, me gjyq e pa gjyq, edhe me nga 20 vjet në kazamate, pa parë dritë.


Kjo kohë e quajtur “romantizmi arab” që filloi me dekolonizimet dhe me ardhjen e Naserit në pushtet në Egjipt, shënohet edhe si “stinë e martesave të shkurtra sa “muaji i mjaltit”. Kështu, pas Krizës së Suezit (1956), kur u nacionalizua nga Egjipti kjo arterie e lundrimit botëror, u krijua Bashkimi i Egjiptit dhe i Sirisë. Flamuri i përbashkët u bë me dy yje, por vetëm tre vjet dhe prapë secili u kthye në shtëpinë e vet. Pastaj, më 1966 lindi një dashuri më e flaktë e “treshes” (Siri-Egjipt-Irak), por edhe kjo ishte jetëshkurtër dhe në “fund të idilit” secili e mori pas nga flamuri i përbashkët yllin e vet dhe kujtimet e hidhura për tradhtinë e partnerëve.

Koha e “okulistit të verbër”

Siria po vazhdon të derdhë gjak edhe sot nga “Garda revolucionare” e përbërë nga 12 mijë trupat më elite, kryesisht pjesëtarë të sektit alauit, nën komandën e Mahirit, birit gjakpirës të ish-presidentit Hafez el Asad, që vdiq në vitin 2000, të cilin, në sistemin “demokratik presidencial” e trashëgoi biri i tij, Bashar el Asad, “okulisti i verbër” siç e quan populli këtu.

Kështu e deshi klani Asad, i përbërë nga 60 mijë pjesëtarë të sektit, nga një milion ,sa janë gjithsej në Siri. Ata mbajnë plot dyzet vjet çdo levë të pushtetit të korruptuar dhe janë në gjendje të vdesin e të mos largohen nga pushteti, sepse do të humbasin pasurinë e madhe të krijuar pa djersë, privilegjet, por edhe jetën. Ai që do të jetë në gjendje të garantojë amnisti për ta, ai do ta gjejë edhe rrugëdaljen nga kjo krizë. Por këto garanci nuk mund ta japë askush, së paku jo, brenda në Siri.

Klani ka privatizuar shtetin, Partinë BASS dhe satelitët e saj, armatën, të gjitha llojet e sigurimit të shtetit, ekonominë e shtetit që kundërmon me duhmin e pasurisë së pamerituar familjare, diplomacinë e stërkequr, administratën shumë të korruptuar dhe çdo gjë që lëviz. Rreth i dytë i forcave të sigurisë së lartë janë edhe 22 mijë pjesëtarë të besueshëm që herë janë polici e herë ushtri speciale, kurse pjesa e armatës së rregullt, me shumicë nga arabët sunitë dhe të krishterë, që së bashku janë 90 për qind të popullit, paraqesin vetëm numër dhe uniforma të rendit të fundit, ndaj të cilëve klani Asad nuk ka kurrfarë besimi e as konsiderate. Këta pesë muaj të fundit oficerë dhe ushtarë joalauitë po vriten njësoj si demonstruesit që kanë mbushur të gjitha rrugët e sheshet e qyteteve siriane. Dezertorët e uniformuar pushkatohen në vend. Disa kanë arritur të ikin në Turqi së bashku me mijëra refugjatë apo në male, ku po përgatiten ta themelojnë “Armatën Çlirimtare të Sirisë”, pasi asgjë tjetër nuk po bën punë. Nëse do të ndodhë ky variant, edhe në Siri do të përsëritet skenari libian.

Populli sirian ka përvojë të hidhur nga heshtja e të tjerëve edhe kur kundër tij u bënë masakra të papara. Në vitin 1982 në qytetin sirian Hama revoltat popullore kundër regjimit u shuan pas vrasjes së 20 mijë qytetarëve. Asadi i vjetër i shpjegoi botës se ata ishin “Vëllezër myslimanë, rrezik i rendit të ri botëror” dhe çdo gjë përfundoi me kaq. Këtë herë fjalëve të Damaskut zyrtar nuk po u beson askush në botë, pos Gadafit dhe disa mullave të Iranit. Shteti-familje i Gadafit është kopje më besnike i atij sirian. Rrëzimi sa më parë i cilësdo nga këto familje do ta dekurajojë deri në fund tjetrën.

Tani, të gjitha qendrat e rëndësishme arabe, nga Turqia fqinje e deri te palestinezët, kanë ngritur zërin kundër dinastive Asad dhe Gadafi, por ende nuk po shihet ndonjë ide konkrete për intervenim të jashtëm ushtarak në Siri me ndihmën e fuqive të mëdha. Të gjithë presin që revolta e armatosur të fillojë nga brenda, e pastaj atë ta ndihmojnë nga jashtë.

Siria nuk i do gazetarët. As ata vendës që përpiqen ta thonë ndonjë fije të së vërtetës, e lëre më të huajt. Sot në Siri nuk gjendet asnjë gazetar i huaj. Të gjithë janë dëbuar dhe raportojnë nga pikat kufitare. Ata që përpiqen të hyjnë ilegalisht, mund të vriten. Gazetarë më të besueshëm të Sirisë janë bërë populli demonstrues me aparate telefonike celulare te tipit “Surreja”.

Ato që ne i shikojmë në ekranet televizive nga demonstratat në Siri, janë falë këtij tipit të telefonave celularë që kanë akses në valët satelitore, pa kaluar nëpër centralet e kontrolluara vendore dhe pastaj pamjet shpërndahen në të katër anët e botës. Klani Asad nuk ka fuqi të rrëzojë satelitët ndërkombëtarë.

Pse e dua Sirinë

Damaskun dhe Sirinë kam filluar t’i dua që në kohën time djaloshare, kur isha korrespodent i “Rilindjes” në Bejrutin fqinj. E kam ndier edhe si pjesë të gjakut tim, sepse shumë objekte kapitale të Damaskut (1832-1840) i ndërtoi një shqiptar i quajtur Ibrahim Pasha, djali i Mehmet Ali Pashës, sepse në Halepin magjik filloi karrierën e tij diplomatike Vaso Pashë Shkodrani, ku shkroi disa nga veprat e tij udhërrëfyese si të pavarësohej Shqipëria. Këtu u ruajt gjuha shqipe në mijëra familje muhaxhirësh, duke organizuar shkolla - shtëpi me mësues autodidakt. Në Siri u pritën me dhjetëra kundërshtarë të regjimit komunist nga trevat shqiptare, pas Luftës së Dytë Botërore për t’u shpërndarë, pastaj në të gjitha anët e botës. Në Damask jetuan dhe ende krijohen intelektualë përmasash të larta. Këtu u shkruan poezitë më të ndjeshme për atdheun e shqipeve edhe nga ata prindërit e të cilëve këtu erdhën si kalamaj. Në Halep dhe Damask, një shqiptar i shekullit të 16-të, Sinan Pasha, ndërtoi godina që ende ruhen.

Siria është djep i shkollave të njohura filozofike të Lindjes së Mesme, hambar i shkencëtarëve të njohur në botë, veçmas në ekonomi dhe në mjekësi. Në Siri, njerëzit janë shumë më të afërt dhe më mikpritës se kudo në këtë regjion, por edhe të traumatizuar nga presionet e ndryshme të regjimit të gjatë, që u përpoq të mbushë në ta çdo ndjenjë humanizmi.

Me gjithë trysninë e pandërprerë të regjimit për ta shuar çdo forcë të rezistencës, sirianët njihen si prodhues të satirës e të humorit. Gjithnjë më janë dukur si shkodranët.

Prandaj, çdo lajm i keq nga Siria më godet më rëndë dhe çdo shpresë shpëtimi të këtij populli më ushqen si të isha një sirian i rëndomtë, sepse i kam përcjellë të gjitha krajatat e tyre si njeri dhe si gazetar.



Po afrohet fundi

“Pranvera arabe” po përballet me një “dimër” të stërzgjatur sirian, jemenas dhe libian.

Regjimi i Mubarakut dhe ai i Ben Aliut në Tunizi, që përfunduan shkurt dhe pa shumë gjakderdhje, dëshmuan se me gjithë despotizmin, në këto dy shtete, pos “familjes-shtet” gjendeshin edhe fuqi të tjera kundërshtare në parlament, administratë e gjetiu. Mubaraku dhe Ben Aliu kishin zgjatur shtypjen e popullit të vet duke u mbështetur prapa parullës: “Po e luftojmë fundamentalizmin”. Salehu i Jemenit me luftën kundër “terrorizmit”, kurse Siria si shtet i kapur edhe nga interesat e Iranit, Hezbollahut libanez i kërcënohet Izraelit sa për të thënë dhe për ta mbajtur punën nxehtë”, por shfryhet mbi popullin e vet, duke ia shkelur çdo të drejtë elementare, madje edhe të drejtën për jetë me moton: “Izraeli mbi të gjitha”.

Tani kur po e ndien fundin, regjimi sirian ka ndryshuar edhe propagandën me moton “Siria garante e sigurisë në rajon”. Djali i tezes së Presidentit, Mahlufi, përndryshe “bankier” i familjes-shtet, i deklaroi këto ditë shtypit amerikan se “stabiliteti në Izrael është i lidhur me stabilitetin e Sirisë”, sikundër qe edhe Gadafi ka filluar ta frikësojë Perëndimin me parullën e re: “Destabiliteti i Libisë rrezikon Izraelin”.

Lindja e Mesme ka jetuar me dyfytyrësi të papara dhe me parulla patriotike, kurse qëllimi kryesor i çdo regjimi ishte si ta ruante “shtetin-familje” me çdo çmim, madje duke e vrarë tërë atë popull të lodhur nga dhuna shtetërore e varfëria.

Në tërë këtë rrëmujë, dy mbretëri: Maroku dhe Jordania dolën më syçelë. Shpallen reforma të gjithëmbarshme, sepse ato e ndien shumë mirë “pulsin” e popullit. Algjeria po zihet, por diçka po pret.

Po pret edhe Turqia, e cila po e merr primatin në këtë rajon ku tani po krijohen raporte të reja interesi. Iraku po i shëron plagët, kurse Irani po bën hesape më me shumë të panjohura se vitin e kaluar.

Unë po pres të fitojë demokracia në Siri. Të shkoj e t’i takoj miqtë e mi, nëse do të jenë midis të gjallëve dhe të pi një birrë në sheshin përballë hotelit “Semiramis” ku kam fjetur për herë të parë në Damask, ku kam përjetuar çaste të vështira viteve shtatëdhjetë kur regjimi i Damaskut filloi reprezalje të rrepta kundër palestinezëve të Arafatit, duke i varur tre pjesëtarë të “Al Fatahut” gjatë një agu mu përballë “Semiramisit” nga më vonë i përzunë mysafirët, sepse aty u bë qendra e parë e mullave të Iranit pas ardhje së Homeinit, prej kur Sirisë iu shtua edhe një barrë për të shpjeguar para të huajve si “po bashkëjetojnë socializmi sirian dhe ideologjia e mullave”.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi