Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

AGIM GASHI: NË FËMIJËRI MË MERRNIN ME KALË PËR TË KËNDUAR-Flet për "Nacional" poeti dhe këngëtari i shquar

Shko poshtë

AGIM GASHI: NË FËMIJËRI MË MERRNIN ME KALË PËR TË KËNDUAR-Flet për "Nacional" poeti dhe këngëtari i shquar Empty AGIM GASHI: NË FËMIJËRI MË MERRNIN ME KALË PËR TË KËNDUAR-Flet për "Nacional" poeti dhe këngëtari i shquar

Mesazh nga Agim Gashi Mon Sep 26, 2011 7:44 pm

Flet për "Nacional" poeti dhe këngëtari i shquar

AGIM GASHI: NË FËMIJËRI MË MERRNIN ME KALË PËR TË KËNDUAR

E Djelë, 09.25.2011,
AGIM GASHI: NË FËMIJËRI MË MERRNIN ME KALË PËR TË KËNDUAR-Flet për "Nacional" poeti dhe këngëtari i shquar 320342_266966869989514_100000286107841_1065112_7632521_n
Intervistoi:Helena Halilaj



1.Ju jeni ndër figurat e njohura të artit në Kosovë dhe jo vetëm, do të donim të na flisnit pak për fëmijërinë tuaj?

Jam i lindur në fshatin Akllap afër Janjevës, komuna e Lipjanit më 1954. Fëmijëria ime si e shumë bashkëmoshatarëve të mi ishte e vështirë por tejet e këndshme, çka akoma m'i ngjall kujtimet e asaj kohe. Qysh si nxënës i klasës së parë të fillores ia kam nisë këndimit. Mbaj mend se nga zëri dhe kënga ime qanin burrat në odat e mbushur plot. Kisha një zë të thekshëm dhe të pranuar për të gjithë dhe mbaj mend se më bartnin me gomar e me kali në fshatrat e rrethinës për të kënduar në dasmat dhe ahengjet e asaj kohe. Këngët e mia ngjallnin dashuri ndaj atdheut dhe urrejtje ndaj shtypësit. Kur këndoja këngën "Kthimi i Skënderbeut në Krujë" mbaj mend se të gjithë qanin, qanin madje edhe me gulq, sepse marrja peng e Skëndernbeut nga turqit bashkë me vëllezërit ishte e dhimbshme. Por gjatë këngës bëheshin edhe kthesa, sepse në momentin që Skënderbeu del në mejdan me tre trima nga Irani dhe i mund në dyluftim që të tre, me që fuqia e Skënerbeut ishte edhe fuqia e Shqipërise, duartrokitjet nuk kishin të ndalur.

Pas mbarimit të kater klasëve në fshatin tim, mësimet i vazhdova në Sllovi deri në klasen e shtatë për të vazhduar pastaj në Janjevë. Edhe këtu më lidhin kujtime të ëmbëla e të hidhura. Të ëmbëlat ishin ato kur pas mësmit merrnin nga një të katerten e bukës në furren e fshatit dhe tek ëmbëltorja ia qitnim një katror hallvë në mesin e bukës të cilen e hanim me shumë shije, pastaj koncertet e shkollës, shetitë e shkollës në livadhet e fshatit dhe organizimi i atyre shetitjeve me muzikë, lodra e deri te lojrat e futbollit dhe lojra tjera kombëtare.

Një çast të hidhur më duhet ta ceku se kur isha në moshen 11 vjeçare më ndodhi një fatkeqësi e rëndë që patjeter mbarova në spitalin e Prishtinës por që fati më shpëtoi. Babai im me axhen prenin një dru shelnje në bregun e lumit tonë. Unë nuk isha i kujdesshëm dhe me rrëzuarjen e saj në tokë ai dru rrotullohet dhe mua më rroku në kokë. Disa ditë kisha humbë vetëdijen por fatmirësisht edhe kjo kaloi. Kam shumë për të folur për fëmijërinë time sepse ajo lidhet edhe me muzikën, instrumentet si dhe recitimet e mia nga thesari i Lahutës së Malsisë nga At Gjergj Fishta me të cilën liber fleja por që e kisha edhe si detyrë ta mëshef në vende të sigurta se po të gjendej ai liber në shtëpi mashkujt merrnin edhe nga njëzet vite burg nga pushteti serb i atëhershëm.

2. Kënga si ka zbritur në jetën tuaj, cila ka qenë kënga juaj e parë?

Nuk mundem ta di se cila ishte kënga ime e parë në kohen e fëmijërisë sepse ato ishin të shumta, por kënga ime e parë zyrtare e kënduar dhe e regjistruar në RTP ishte "Mora rrugën për në deti", një këngë e shkruar nga unë dhe e komponuar gjithashtu nga unë, me aranzhman të Isak Muçollit dhe e përcjelluar nga orkestra e RTP-së nën udhëheqjen poashtu të Isak Muçollit. Kjo këngë mban në vete një ngjarje shumë tragjike. Në vitin 1970 isha këngëtari i parë shqiptar që me një çifteli në dorë këndoja në plazhin e vogël të Ulqinit. Aq isha i kërkuar saqë restauranti ku këndoja dhe përrreth tij ishte plot e përplot njerz. Por një ditë ndodhi një tragjedi. Dy të rinj të ardhur për ta festuar fejesen e tyre duke notuar në detin e hapur, djaloshit i shtangen muskujt dhe më nuk mund të notonte. Edhe pse e fejuara e tij u mundua me tërë forcen ta shpëtonte, nuk arriti. Ekipet shpëtimtare e sollen djaloshin në bregun e detit por të vdekur. E fejuara e tij ishte ulur në bregun e detit dhe derdhte lotët në ujin e njelmtë. U preka shumë dhe atë dhimbje e ndjeva edhe unë në shpirtin tim. Nuk munda të bëj gjë tjeter përpos se ta shkruaj tekstin e këngës ku thuhet:

"Mora rrugën për në deti
Deti po gufon,
Deti po gufon
Bjeshka po ushton
Zemër e një vajze
Me lot po loton.
Qan me lot e po vajton
Për nji djal të ri
Për nji djal të ri
Që vdiq në rini
E ka lanë të mjeren
Si nji nanë pa fëmi! Etj.


Ndersa kënga që më flente shumë ta këndoj në koncerte të ndryshme ishte kënga e Ibrahim Tukiqit "Si t´ja bëj hallit i ngrati" ndersa ajo duetale ishte "Ma ke gishtin për unazë" që për heren e parë e këndova në një koncert të shkolles normale në vitin 1970 sëbashku me Sabrije Rukiqin e që u prit shkëlqyeshëm e me shumë ovacione nga publiku. Ndersa më vonë këtë këngë e kam interpretuar edhe me këngëtaren e njohur Liri Rashen për çka e falenderoj dhe e përshëndes shumë.

E tani si zbriti kënga në jetën time?...do tu thoja se në familjen time kishim mjaft adhurues të muzikës. Këndonte edhe babai im i ndjerë, këndonim sëbashku shpeshherë, axha im Sabiti bënte instrumente muzikore si qiftelia të ndryshme dhe më kujtohet se si e kishte gdhendur një zog nga druri, e kishte lidhur me doren e djathë që i binte çiftelisë, ndersa me levizjen e dorës lëvizte edhe zogu thua se është i gjallë dhe po kërcen me muzikën e bukur shqipe. Nga ajo moshë e re unë u rrita me muzikën dhe rrethin tim familjar që kishin prirje muzikore që më vonë nga shkolla normale unë fitoj pavarsinë për këngën dhe muzikën.


3. Gjithmonë kemi dashur të flasim për Kosovën por do të donim të dinim cili ka qenë vendi që ka zëne muzika dhe poezia për Kosovën në krijimtarinë tuaj?

Vendi i këngëve dhe poezive të mia në Kosovë ka hyrë që në kohen e rinisë së hershme. Poezinë e parë e kam botuar qysh në klasen e shtatë të fillores në gazeten "Pionieri", ndërsa nuk kishte festë shkollore, madje edhe në shkollat tjera që mos të merrja pjesë. Që nga viti 1973 u pranova si këngëtar i RTP-së dhe fillova incizimet me zhanrin e këngëve popullore. Por krahas këngës popullore unë këndoja edhe folklorin dhe se shumicën e këngëve që i këndoja ishin tekste të miat. Bile më vonë gjithmonë kam kënduar vetëm tekste të mia këngësh sepse priteshin mirë nga publiku dhe se kërkesat ishin të mëdha. E di që këngët e mia, posaçërisht folklorike janë këngë të rënda, këngë malli e vaji, këngë trimërie e ngjarjesh nga aktualiteti i historisë sonë, por që koha e momenti i kërkonin sepse edhe rrethanat e gjendjes okupuese të Kosovës më shtynin që të jem aty ku duhej të isha. Dhe në shumë raste edhe isha. Isha në në festivalet e muzikës folklorike, isha në shumë shoqëri kulturo-artistike, isha në Akordet e Kosovës, në shumë mbrëmje letrare, por edhe isha në demostratat e vitit 1968, 1981, 1989, isha në pajtimet e gjaqeve, isha në Lubjanë, Zagreb, Sarajevë, por isha edhe në Berlin, Vien, Bern, Bruksel e shumë metropole të Evropës për t'iu treguar edhe të tjerëve përmes këngës sime se ne jemi një popull që nuk kërkojmë as më shumë e as më pak se sa lirinë.

Jam i vetmi këngëtar e poet që nuk përfitova sa duhet nga mundi im, nga kënga ime e cila i është dedikuar kryesisht ngjarjeve, viktimave, luftëtarëve, dëshmorëve, varfërisë, kurbetit dhe thënë me një fjalë i është dedikuar atdheut tim Kosvës. Shqipërisë dhe mbarë shqiptarëve ku frymojnë ata. Kënga dhe poezia ime jo që nuk më ka sjell përfitime, por në shumë raste isha edhe në rrezik ta humbi koken. "Shpërblimet" që më janë dhënë nga atdheu im janë varfëria e skajshme, jetë pa kulm mbi kokë, i përndjekur nga qarqe të errta si në kohen e UDB-së për likuidim sepse nga karagjozët e atdheut që fatkeqësisht pas çlirimit u bënë shumë, më kishin futur edhe në listat e likuidimit. Edhe pse ndjehesha dhe ndjehem akoma i persekutuar e pa asnjë të drejtë unë as në kohen e okupimit sllav e as sot nuk ndalem pa më ndal Zoti, krejt pëtr të mirë e atdheut dhe popullit tim. Derisa në kohen e okupimit isha i ndjekur i plagosur me armë zjarri, i rrahur e i burgosur, i masakruar deri në masen sa policët serb më shtinë të ha audio-kasten time, pas çlirimit isha gjithashtu i ndjekur nga dikushët në atë masë sa nuk e lente pas as metoden sllave e udbeske. Janë raste të shumta ku mund ti përshkruaj maltretimet dhe kërcnimet për këngën dhe poezinë time, por kam turp të rrëfehem për pjestarët e popullit tim se si e luanin rrolin e policisë serbe. Për këtë arsye sot jam pa kulm mbi kokë, jetoj me një vajzë me ndihma sociale të cunguara në Gjermani dhe që të dy me sëmundje të rënda. Shpesh bëj pyetje:Sa do të humbasin dy shtetet shqiptare për sigurimin e një kasolle në Tiranë apo Prishtinë? Dhe do u thoja të dy shteteve të mia: Po t'i kisha vetëm kushtet minimale për punë në atdheun tim, unë shteteve të mia në çdo gjashtë muaj do ua dhuroja nga një libër dhe album me vlerë kombëtare. Duhet ta ceku edhe një rast: Edhe sa isha i burgosur politik në kazamatet serbe hëngra dajak për këngën time. Thjesht këngës ia thoja edhe në qeli!


4. A është vështirë të luftosh me poezinë dhe këngën nëpër vite apo mision që duhet të kryhet nga çdo artist?

Lufta ime për këngën dhe poezinë ishte një luftë edhe për jetën time. Unë nuk mundja pa këngën e as pa poezinë por që dikujt nuk i pëlqenin. Sëpari nuk i pëlqente armikut serb i cili për asnjë çast nuk u ndalen për të ma thyer vullnetin tim që me këngën dhe poezinë time të jem në shërbim të atdheut. Por nuk arriten. Nuk arriten as dje e as sot sepse vullneti dhe dashuria ndaj atdheut ishin më të fuqishme se shkopinjët e gomës, se qelitë e burgjeve, se rrahjet e maltretimet, se burgosjet e se edhe denigrimet në masë e në mjete informimi.

Luftë ishte edhe aksioni i pajtimeve të gjaqeve ku në ato fusha pajtimi ushtonte kënga ime e ku pas çdo mbarimdite duhej të pregaditesha për rrahjen e radhës. Luftë për këngën dhe poezinë ishte edhe ikja ime nga Kosova. Pas ikjes sëpari këngës ia thash në Maqedoni, pastaj në Slloveni, Kroaci për ta përmbyllur në Sarajevë. Pas kthimit tim ilegal nga Sarajeva, më zunë forcat policore serbe, më rrahen, më mbajten në burg e një të premte më liruan për tu paraqit të dielen. Ishte ky një shenjë e cila më tregonte qart se unë duhet ta lë atdheun tim patjeter, sepse po të u shkoja të dielen e vitit 1992 më sdo të dilja i gjallë nga kthetrat e policit Stoshiq. Naten ika. Përmes kufirit shqiptaro-shqiptar në Han të Elezit kalova në Iliridë e nga atje në Evropë ku gjendem edhe sot, ku akoma shkruaj e këndoj edhe pse i molisur nga sëmundja. Për gadi njëzet vite bredha rrugëve e metropoleve të Evropës herë i vetmuar e herë me miqët e mi si Ali Podrimja, Azem Shkreli, Faruk Tasholli, Agim Çavdërbasha e shumë emra të artit e kulturës shqiptare krejt për senzibilizimin e qështjes kombëtare. Janë të paharrueshme paraqitjet e mia në shtëpinë e Nobelistit gjerman Hajnrich Böll në Langrebroich, në shumë manifestime tjera internacionale, në shumë koncerte humanitere e në shumë klube kulturore anë e mbanë Evropës.

5. Zëri juaj brilant ka lënë gjurmë të thella në rradhët e këngëtarëve cili është momenti kulminant i jetës suaj?

Natyrisht se nga gjithë kjo veprimtari jetësore shumëvjeçare e imja, në vete mbaj shumë kujtime të hidhura por edhe kulmore. Gjatë jetës sime u ballafaqova me shumë krajata jete që unë s'munda t'i kapërcej lehtë e që ato kishin ndikim edhe në këngën dhe poezinë time. Vrasja e djalitit tim Ninelit në vitin 1994 nga policët serbë la gjurmë të rëndë në shpirtin tim, pastaj sëmuerja e vajzes sime Shqipes, vdekja e babait pa pasë mudësi të marr pjesë në lamtumirën e fundit, vdekja e Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugovës dhe sëmundja tani në kohët e fundit e vajzes sime me të cilën jetoj dhe të cilën e rrita vetë me shumë mundime. Këto dhëmbje shpirti më shkaktuan edhe mua sëmundje të rënda me të cilat duhet të përballem derisa të jetoj.

Ndërsa rastet kulmore të prezantimit tim si këngëtar mund t'i permendi tri paraqitje të miat që edhe po të doje ato nuk mund të harrohen. Së pari ishte paraqitja ime në tubimin kombëtar të pajtimit të gjaqeve te Verrat e Llukës më 1990 ku pjesëmarrës ishin mbi gjysmë milioni njerz e ku u falen dhjetra gjaqe. Aty sikur edhe në shumë tubime u paraqita me këngën time për pajtimet dhe figurën kombëtare të plakut bujar Anton Çettës. Brohoritjet dhe ovacionet ishin aq të forta thua se dëgjoheshin në mbar tokën e Arbërit. Ë besoni se në mbrëmje me tu kthyer nga ky tubim, si shumë herë u prita nëhyerje të Lipjani dhe hëngra dajak, por nga emocionet e fituara nga ajo masë e popullit as që ndjeja dhimbje.

Rasti i dytë kulmor ishte edhe koncerti i Zagrebit në shtator të vitit 1990 ku në sallen sportive të mbushur përplot dhe në prani të delegatëve të Kuvendit të Kosovës të cilët kishin shpall Kushtetuten e Kosovës në Kaçanik unë Këndova këngën "Shtatë shtator në Kaçanik" ku ajo masë tridhjetmijëshe brohoriste "Kosova Republikë", të gjithë të ngritur në këmbë më dukej se po e haja këngën e jo që po e këndoja.

Ndersa rasti i tretë ishte ai i po këtij viti në Sarajevë. Këtë vit kishin ndodhur edhe helmimet e nxënësve shqiptar në shkollat e tyre. Pas një kohe familjet boshnjake e kroate kishin ftuar mbi 1500 fëmijë të helmuar në Bosnje për një rehabilitim familjar. Më propozuan që edhe unë të gjendem atje në organizimin, pritjen por edhe përcjelljen e këtyre fëmijëve në shtëpitë e tyre.

Pas qëndrimit dyjavor u organizua mbrëmja lamtumirëse ku salla e sporteve "Zetra" në Sarajevë ishte e stërmbushur. Merrnin pjesë edhe strukturat politike të kohës Alia Izetbegoviqi, Halil Çengiqi, Fikret Abdiqi, Zllatko Klujiqi etj. Ndersa për koncertin lamtumirës isha caktuar të këndoja edhe unë, Safet Isoviqi, Hanka Palldum etj.Kisha bërë një këngë përkushtimi për mikprijen e fëmijëve shqiptar ku i tërë teksti ishte shqip pos një rrjesht i fundit të këngës ishte edhe boshnjakisht. Për ta treguar me besnikri ngjarjen më duhet ta shkruaj strofen e fundit të këngës:

Rugë të mbarë fëmijë shqiptar
Po u thotë Bosnja mbarë,
Rugë të mbarë ju fëmijë te shpija
Le të rrojë Rugova edhe Alija".

Ishte fjala për dy figurat e kohës Ibrahim Rugoven dhe Alija Izetbegoviqin. Kur e kam mbaruar këngën shqip dhe përsëritja në gjuhen boshnjake, e të salla përfshi edhe strukturat politike janë ngrit në këmbë duke kërkuar përsëritjen e këngës. Aty për heren e parë kam përsëritë strofen e një kënge dhjetëherë. Pas mbarimit më kan kapë njerzit dhe disa minuta më kan mbajtë në ajr pa më lëshuar në tokë. Ishin çaste që nuk harrohen dhe këto vinin sepse dy popujt kishin armikun e përbashkët, barbarin serb i cili të dy popujve u rrinte me shpatë mbi kokë. Shpesh kam thënë se një shtet mund të bëhet i fortë vetëm me anë të miqsive ndërshtetrore që natyrisht se këto miqësi më së miri di ti bëj arti, kënga, poezia!

6.Ju reflektoni dukshëm mbi muzikën e ditëve të sotme, çfarë synohet mbi këtë kolorit muzikor?

Unë më shumë jam i orientuar pas folklorit. Kjo më mbeti si peng edhe nga fëmijëria ime por edhe nga vitet tetëdhjeta kur sistemi komunist jugosllav ndaloi emitimin e këngëve të mia si njeri politikisht i pa përshtatshëm për socializmin. Këngët e mia popullore isha më tepër këngë lirike por që atyre nuk u pëlqeja si njeri sepse aktiviteti im dhe i familjes sime ata i pengonte. Andaj na gjurmonin dhe shpesh edhe na torturonin e burgosnin.

Folklori si shkencë ka luajtur rrolin vendimtar për historinë kombëtare. Unë njëherit isha edhe bashkpuntor i Institutit Albanologjik në degën e folklorit. Shumë orë këndimi nga unë i mori i ndjeri Bahtir Sheholli që ishte një etnomuzikolog nga të rrallët që kishte Kosova. Ai me zell të madh regjistronte nga rapsodë të ndryshëm thesarin e folklorit për ta ruajtur pë brezat në vijim.

Me këngën popullore jam shoqëruar në koncerte, radio e televizion por edhe në festivale të ndryshme. Pas ndalesës që ma bëri pushteti i atëhershëm u detyrova që tërësisht të përqendrohem në folklor. Këngë që i shkruaja për ngjarjet e kohësi kishin efektin e tyre sepse ngrisnin moralin kombëtar e në anën tjetër e shtonin urrejtjen ndaj armikut. Unë si këngëtar popullor dhe si rapsod dita ta shfrytzoj rastin e të bëj një bagazh këngësh për tia lënë trashëgim si thesare të shtrenjëta kësaj periudhe të historisë.

7.Janë shumë çmime që merren nga këngëtarë dhe jo të afirmuar, a janë çmimet e merituara dhe sa e stimulojnë një këngëtar?

Dihet mirëfilli se në shtetet me raditë demokratike e kombëtare çdo punë e mirë stimulohet. Në këto shtete ipen edhe çmime të përcjellura me mjete materiale, të cilat si synim kryesor kanë nxitjen e mëtejme të punëve e sidomos në kulturë. Kam përcjell ndarje çmimesh edhe tek ne por edhe në shtet tjera. Derisa në shtetet në zhvillim këto çmime bëhen me anë të telefonave që do me thënë se ka raste kur vetë dëgjuesit apo shikuesit prejnë fatin e çmimeve, tek ne ato ndarje bëhen poashtu me telefon por në mënyra individuale se kush sa po ep më shumë para për të ia ndarë çmimin. Tek ne akoma shiten çmimet, me të njohur ipen mirënjohjet, me të njohur dekorohen dhe karagjozët, shitet shund muzika e injorohet arti i mirëfillt e shumë gjëra të cilat mos i pafsha as te armiku. Nuk them se nuk ka edhe përparim sepse do gaboja shumë. Ka populli jonë vasha e djelmosha që din të këndojnë, din të shkruajnë poezi, din të jenë në rrugën e drejtë të artit dhe kulturës sonë. Unë nga zemra atyre u Uroj suksese ndersa apeloj tek institucionet që të merren më shumë nme artin e mirëfillt kombëtar, të stimulohen më shumë njerzit e artit, të ndahen fonde më shumë për vizita jashtë shtetit të grupeve muzikore e folklorike krej me qëllim të shkëmbimit të kulturave në mes popujsh tjerë dhe thellimin e miqësive të reja. Kultura e izoluar patjeter se merr rrugën e shundit dhe falsifikimit.

8. Një vend të veçantë zë dhe poezia në karrierën tuaj, një interpretim emocional nëpërmjet zërit tuaj, ç'është poezia për Ju?

Poezia për mua tani pothuaj se është më shumë se kënga. Kur sëmundjet e kapluan trupin tim, dhe kur mjeshtrit e vdekjes po çokatin në brendinë e trupit tim por edhe kur zëri im më nuk i qëndron moshës, unë shkruaj poezi malli dhe ato i recitoj bukur me ndonjë përcjellje muzikore e herë-herë edhe me sharkinë time. Kur poezia shkruhet me ndjenja dhe emocione malli, e kur ajo përjetohet shpirtërisht, patjeter se do të dali edhe e interpretuar mirë e që publiku do ta pret me entuziazë. Çdo poezi e shkruar me inspirime nga ngjarjet e vërteta patjeter se do të triumfoj në mesin e poezive tjera. Poezia është ushqim shpirtror si kënga.

9. Libri i juaj i fundit i botuar në Amerikë, na flisni pak më gjatë për risitë dhe sesi është pritur?

Unë deri më tani nuk kam pasë ndonjë liber të botuar. Botim e quaja çdo album të nxjerrur për auditorin e gjerë. Kam 14 albume që kishin shumë suksese por që mua nuk më sillnin fitime. Eshtë punë edhe fati por punë edhe mjeshtrie për të fituar nga albumet. Me albumet e mia fitonin të tjerët dhe pa fije turpi të gënjenin se gjoja nuk kishin fitim. Kam pasë rastin që nga një album u nxorën dhjetë mijë kopje. Pas një muaji nuk gjendeshin në shitje. Unë bleja albumet e mia me çmime më të lira për t'i shitur sa për ta nxjerrë bile rrugen kur shkoj në ndonjë koncert. Dikur më as nuk i shitja por i botoja me paratë e mbledhura nga ndihmat sociale dhe i plasoja në Youtube. Kam vërejtur se edhe nga Youtube matrapazët i merrnin për t'i shitur në treg. Dhe arrinin që me këngët e mia të ndertonin shtëpi, e në anën tjeter unë si autor jam qytetari i shtetit më të ri të kësaj bote pa kulm mbi kokë.

Dhe kur e pashë se më nuk ka asgjë nga kënga fillova të shkruaj libra. Librin e parë e botova në vitin 2010 me shumë mundime. Në këtë vit u takouam me mikun tim Jeton Kelmendin në manifestimin letrar për Azem Shkrelin në Enepetal të Gjermanisë. Pas përqafimeve vëllazërore ai më bëri të njohur vendimin e tij që të ma botoj një liber. Pranova me shumë dëshirë. Jetoni pagoi një shumë parash për librin tim dhe falë Jetonit libri u botua në SHB "Lulu" nga Amerika. Libri mban titullin "Kohë e pakohë e vendit tim" ku i prin poema me të njejtin titull. Gëzimi ishte i pakufishëm sepse dalja në dritë e këtij libri ishte ëndërr e imja. Menjëherë pas daljes së këtij libri, doli edhe libri tjeter me afër 300 faqe nga SHB "SAGA" në Prishtinë ku redaktor kisha mikun tim, poetin, redaktorin, dramaturgun e gazetarin e njohur Sylejman Aliun. Dy recenzentet e mi ishin Ali Podrimja dhe Agim Gjakova. Në organizimin e librit më ndihmoi edhe poeti Mentor Thaqi. Unë shfrytzoj rastin që të gjithë këta miq të mi t'i falenderoj shumë dhe se do u jem mirënjohës deri në vdekje. Theksoj se kam në dorshkrim edhe njëmbëdhjet libra që presin botimin kur të bëhen kushtet. Libri i shkruar e në sirtar është liber i vdekur.

10. Si do ishte poezia dhe më pas kënga e Shqipërisë së madhe?

Nuk besoj që ka shqiptar të vërtetë e që nuk e ka në zemër e shpirt bashkimin e kombit. Unë nuk do ta quaja Shqipëri e madhe por Shqipëri Etnike. Ne ishim dikur një shtet i madh dhe me shumë autoritet. E kam përshkruar edhe në poemën "Unë me lumin bisedoj" se si ishim ne dikur. U tkurrëm si thotë miku im Ali Podrimja, u coptuam e u shkapërderdhëm krejt me fajin tonë. Po të na jepet rasti që edhe njëherë të jemi të bashluar në një etni, atëherë edhe kënga por edhe poezia do ta kishin krejtësisht ngjyrën dhe shijen shqiptare. Apeloj tek gjeneratat e reja që të lexojnë shumë, të ndëgjojnë muzikë popullore e folklorike që ta shofin se sa e pasur është kultura shqiptare. Ajo ta ngjall dashurinë e atdheut. Eshtë një thënie: Njeriu do atdheun e shtaza do grazhdin. Ne a do anojmë më shumë kah njerzit apo nga shtazët? Natyrisht se nga njerëzit duke e mësuar dhe mos e harruar kurr historinë dhe kulturën tonë të lavdishme.

Vetëm një Shqipëri e bashkuar do ta qetësonte emrin tim, të popullit tim dhe jetën politike ne Ballkan e botë.
Në NCIONAL:
AGIM GASHI: NË FËMIJËRI MË MERRNIN ME KALË PËR TË KËNDUAR-Flet për "Nacional" poeti dhe këngëtari i shquar 297699_10150309871329077_644509076_8268368_1980767615_n
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi