Flaka Surroi:Për pantallonat, gënjeshtrën dhe marifetin
Flaka Surroi:Për pantallonat, gënjeshtrën dhe marifetin
Flaka Surroi
... apo rrëfimi pse Merkel, Thaçi dhe Jahjaga ishin personazhet e javës
Mbase kjo është njëra nga javët në të cilat më së lehti u dalluan tri personazhe që morën rolet kryesore në kronikën e këtij shtatëditëshi. Vend të posaçëm në renditjen e personaliteteve që patën çka të thoshin ishte kancelaria gjermane, Angela Merkel. Pas saj u rreshtua i pashmangshmi kryeministër, i cili më së pari i shau kë mbërriti prej kundërshtarëve politikë, e më pas edhe gënjeu, dhe jo për herë të parë. Në renditjen e atyre që patën çka të thoshin, por e shkretuan me ka krejt, ishte kryetarja Jahjaga – e cila e përmbyll ranglistën kësaj radhe.
Dama e pantallonave
Merkel erdhi në Prishtinë, e paftuar zyrtarisht nga autoritetet e Kosovës. Erdhi për t’i vizituar ushtarët e saj para Krishtlindjeve dhe, ashtu rrugës, në një sallë aeroporti, u takua me Thaçin. Sado që ministri i Jashtëm kosovar u përpoq ta paraqiste këtë si një “vizitë zyrtare, historike, që paraqet një kthesë në raportet Kosovë-Gjermani”, të nesërmen doli ambasadori gjerman për t’i sqaruar opinionit se kjo vizitë “u dedikohej ushtarëve gjermanë që po rrezikonin jetët e tyre”. Vazhdimi i kësaj fjalie do të mund të ishte: “...për të na e siguruar neve paqen, përderisa ne pretendojmë se jemi shtet stabil dhe me perspektivë, ani se as që na vjen bile era zhvillim ekonomik”, për shembull.
Sido që të jetë – fakti se Merkel ka pranuar të takohet me Thaçin është se ka dashur t’ia shpjegonte nja tri gjëra. Ndër të cilat, me siguri, edhe atë se nuk ia fal gafën diplomatike kur ky i pati përzënë agjentët e BND-së, pasi që i mbajti dhjetë ditë në paraburgim; pasi që madje ua kishte zbuluar fytyrat, duke lejuar që të xhiroheshin nga kamerat dhe pasi kishte kuptuar se një sjellje e këtillë e pamatur, mund t’i kushtonte Kosovës me humbjen e donatorit të dytë më të madh që kishte Kosova atëbotë. Natyrisht se mbajtja në paraburgim u bë nga organet e hetuesisë, e jo nga Qeveria, kjo është e qartë – por doli të ishte shumë simptomatike që pas dhjetë ditësh të kenë humbur provat, po qe se kanë ekzistuar ndonjëherë... E se ky kishte qenë gabim i madh, e vërtetojnë vetë fjalët e ministrit të Jashtëm – që kjo vizitë “paraqet kthesë në raportet mes dy shteteve”. Sinqerisht, nuk jam e sigurt se kjo është e vërtetë.
Për ata që kanë veshë, porosia tjetër e Merkelit, ishte shumë, shumë e qartë: “Është shumë i rëndësishëm zhvillimi i Kosovës, në mënyrë që të bëhet shtet i fuqishëm, demokratik dhe një vend ku luftohet korrupsioni (...) Unë sot i thashë kryeministrit se është i rëndësishëm zhvillimi i Kosovës, në mënyrë që Kosova të bëhet shtet i fortë demokratik, ku sundon rendi dhe ligji dhe ku do të angazhohet për të luftuar fenomenet negative, si korrupsioni. Bashkëpunimi me misionin EULEX është shumë i rëndësishëm dhe ky bashkëpunim nuk duhet të mbetet vetëm në letër”. Atë që nuk e dimë është se çfarë u thotë përfaqësuesve të misionit absolutisht të ngathët dhe të paefektshëm të EULEX-it në Kosovë.
Pak para se t’i nisja studimet e deri në kohën kur serbët më përjashtuan nga puna, sikurse edhe mijëra shqiptarë të tjerë, ka qenë një tjetër grua e fuqishme që e udhëhiqte një shtet të madh në fazën që njihej si fundi i Luftës së Ftohtë. Ajo quhej Margaret Thatcher dhe e gjithë bota e njihte me nofkën “Dama e hekurt”. Duket se tash i ka ardhur koha një zonje tjetër të hekurt, që e udhëheq shtetin më të madh në Evropë dhe pa të cilën asnjë krizë ekonomike në kontinent nuk mund të shmanget apo të sanohet. Kjo zonjë ka qenë shefe e Qeverisë edhe në kohën kur shteti i saj, ndër të parët, na e ka njohur pavarësinë, dhe qe kryeministre edhe atëherë kur Kosova e vogël shkaktoi skandalin e spiunëve. Vazhdon ta mbajë postin e kancelares, dhe po na e dërgon një porosi të fuqishme – jo rastësisht. Latino-amerikanët, kur duan të tregojnë se burri është zot i shtëpisë, thonë: “Dihet kush i bart pantallonat në këtë shtëpi”. Në shtëpinë e vet (Gjermani) dhe atë të përbashkët (Evropë), Merkel i bart pantallonat, dhe jo vetëm tekstualisht.
Është një koincidencë e pabesueshme se edhe zonja Thatcher, edhe zonja Merkel janë kimiste dhe që të dyja janë kryeministret e para femra të shteteve të veta. Dhe jo bash gjithfarë kryeministresh... Eh, sa na kishte bërë punë neve, bile njëra nga to. Pra, meqë Thatcher është 86 vjeç e mbase pak e lodhur, e Merkelin nuk mund ta rrëzojmë nga pushteti për ta sjellë në krye të Qeverisë sonë, nuk na mbetet tjetër pos ta krijojmë Marie Curien tonë. Paramendojeni, po ta zgjidhte lëmshin që ka krijuar kjo Qeveri, mbase edhe do të mund ta pretendonte Nobelin...
Gënjeshtari me paramendim
Kryeministri Thaçi e kaloi atë javën tjetër duke u dhënë intervista gazetarëve dhe duke u lavdëruar “për punën e shkëlqyeshme ekipore të Qeverisë që ai e kryesor”, por nuk diti t’i përgjigjej pyetjes së kryeredaktorit të gazetës sonë, se sa zëvendësministra i ka Qeveria e Kosovës. Madje edhe gazeta e pati shumë vështirë t’i konfirmonte emrat e besa edhe numrat – sepse në fund doli se gazetarët kishin gjetur 36 nga 41 emrat sa supozohej se rrinin nëpër kolltukë zëvendësish, duke i gllabëruar 1,5 milionë euro në vit. E për çka? Një Zot e di.
Gjatë kësaj jave doli në Kuvend disa herë, herë për të folur për Ligjin e Prizrenit, e herë për të qeshur, meqë është thellë i bindur se ka shumë sens për humor. Sido që të jetë, me insistimin e tij, Ligji për zonën historike të Prizrenit kaloi në leximin e parë (shumica absolute e deputetëve të tij dhe të koalicionit votuan për), ani që kështu u anashkalua vullneti i më shumë se 10 mijë nënshkruesve që argumentonin se ky ligj duhej ndryshuar.
Kur ky ligj “ra” nga rendi i ditës në shtator, falë insistimit të fuqishëm të “Vetëvendosjes”, ishte tashmë e qartë se ky ishte diskriminues për qytetarët e Prizrenit. Atëbotë kisha shkruar se ata po diskriminoheshin për shkak se deshën-s’deshën, ligji dhunshëm po i klasifikonte sipas konfesioneve, duke i anashkaluar ata që nuk i takojnë asnjërit konfesion.
Ligji e shkaktonte edhe një diskriminim tjetër, të rëndë - të gjithë qytetarët e Prizrenit po shndërroheshin në pengje të veprimit dhe të disponimit të Kishës Ortodokse Serbe që udhëhiqet nga Beogradi, duke qenë institucion shumë i afërt me establishmentin politik, ku dominon gjuha jotolerante dhe gjithmonë politike në secilën ngjarje fetare që mbahet në Graçanicë, në Pejë a në Deçan dhe në prezencën e ndonjërit politikan serb nga Beogradi.
Thaçi është njeri i cili përsërit pa pra, se “qeverisja e tij e mirë është në të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe të shtetit”. Anashkalimi i një veprimi demokratik, të përcaktuar me rregulloren e trupit më të lartë legjislativ, nuk është interes as i qytetarëve e as i shtetit. Ky ligj do të mund të miratohej në formën e tashme shumë shpejt, e qytetarëve do të mund t’u mbetej vetëm opsioni i Kushtetueses dhe i interpretimit që ky trup do të mund ta jepte.
Po në të njëjtën seancë të Kuvendit, Thaçi tha se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do ta miratonte Projektligjin për heqjen e TVSH-së për mediat. Mbledhja u mbajt të nesërmen, dhe Projektligji as nuk doli në rend të ditës. Sipas ministrit të Financave, nuk ishte përgatitur në formën e duhur për këtë mbledhje dhe do të paraqitej në Qeveri në ndonjërën nga mbledhjet e ardhshme. Po të ishte kjo e vërtetë, se forma është shkaktare e vonesës, atëherë nuk do të kishte nevojë të pritej ndonjëra nga mbledhjet e ardhshme, por kjo do të procedohej shpejt. Duket se ajo që mungon është përmbajtja dhe se në fakt edhe këtu mund të ndodhë ajo që ndodhi te librat – TVSH-ja u hoq nga shitja e librave, por jo edhe nga prodhimi. Të thuash se do të bësh diçka, e të mos e mbash fjalën është gjë që ndodh. Por të thuash me vetëdije, duke ditur se nuk do ta mbash fjalën, është të gënjesh. Posaçërisht nëse nuk kërkon falje për shkak se ke gënjyer me paramendim.
Marifeti i Jahjagës
Zonja kryetare shkoi në Amerikë, takoi shumë njerëz, nënshkroi dokumente, i dha intervistë Zërit të Amerikës dhe The Washington Timesit. Krahas këtyre aktiviteteve, ndërroi gardërobën mjaft shpesh, sa për të treguar se kishte ndërruar imazhin që kishte pasur kur doli si xhokeri për t’u bërë kryetare dhe për të zëvendësuar uniformën që kishte bartur me vite të tëra. Kjo e fundit është notë pozitive. Kurse ato të parat.... hmmmm... do të kalojnë me mjaft kritika, për shkak të pasigurisë në përgjigje dhe për shkak të një gafe të dhimbshme për të gjithë ata që e kanë dëgjuar me vëmendje, e që janë prekur nga ai formulim.
Ishte bukur tek e shihnim duke nënshkruar një dokument me sekretaren amerikane të Shtetit, por pyetja është pse këtë dokument nuk e nënshkroi ministri i Jashtëm, por kryetarja e shtetit, marrë parasysh se pranë e kishte shefen e diplomacisë amerikane. Niveli i përfaqësimit politik nuk ishte i njëjtë, ani që bëhet fjalë për SHBA-në.
I dha intervistë Zërit të Amerikës dhe, vërtet, siç do të komentohej nga Xhema në Interaktiv, pati më shumë letra në tavolinë sesa gazetarja, dhe, shumë më shpesh e shikonte tavolinën seç e shikonte bashkëbiseduesen. Tash, krahasuar me intervistat e para që kishte dhënë, mund të thuhet se ka dëshmuar pak më shumë siguri dhe progres.
Në fund, në intervistën që ia kishte dhënë gazetës amerikane Washington TImes, xhirimi një minutë e gjysmë, i së cilës qe postuar në YouTube më 15 dhjetor (https://www.youtube.com/watch?v=Xp1czu2o0U0&list=UUsCE4IMMFuwPYbwDqaz7udQ&index=4&feature=plcp), ku, ani që fliste me një anglishte shumë më të mirë sesa të kryeministrit, e tha një gjë që nuk u pëlqye shumë. “...Historia është një diçka të cilën njerëzit nuk do të duhej ta kthenin kokën prapa për ta shikuar, për shkak se do të humbnin kohën duke shikuar përpara” (përkthimi paksa tekstual, por kështu tingëllon edhe në anglishte). Esenca e porosisë së kryetares është se nuk duhej marrë me historinë, porse duhej shikuar nga e ardhmja.
Me ta dëgjuar këtë fjali, të parët që më shkuan ndërmend ishin familjarët e personave të zhdukur. Ka ende 1 800 veta që nuk dihet se ku janë, nëse janë, e që i zhdukën gjatë luftës më 1998-1999. Lufta është pjesë e historisë, zonja kryetare, dhe të vrarët, shkatërrimet, denigrimet e shumëçka tjetër e keqe, nuk harrohen, edhe po të donim të mos e kthenim kokën prapa. Nuk mund të shikojmë përpara dhe të flasim për rregullim marrëdhëniesh me atë që për pak sa na la pa atdhe, pa na kërkuar falje për gjithë atë që na e ka bërë. Qoftë edhe vetëm për atë që na ka shkaktuar në historinë më të re.
Kryetarja u kthye nga Amerika plot elan – e vendosur ta luftojë korrupsionin, duke e krijuar Këshillin Kombëtar kundër Korrupsionit. Një trup pa fije fuqie ekzekutive dhe në një shtet që ka një Qeveri të udhëhequr nga një kryeministër që nuk duron që askush nga vendësit të jetë shef i tij. Nga një shef Ekzekutivi që e kontrollon policinë dhe gjyqësinë, për shkak se ua kontrollon buxhetin. Në një shtet ku niveli i korrupsionit i matur sipas Transparency International (vendi i 112 prej 182 që është me i keqi) çdoherë quhet “perceptim”, për shkak se kurrkush nuk shkon në burg për hajni. Përkundrazi, ku dalin të pafajshëm dhe me mundësi padie për dëmshpërblim.
Nëse kryetarja vërtet do që të tregojë shembull transparence, atëherë le të nisë së pari nga bashkëshorti i saj, apo “zonja e parë”, siç e përkufizon ligji, e t’i rekomandojë që të tërhiqet nga zgjedhja joligjore për asistent të ri në Fakultetin e Stomatologjisë. Do të ishte veprim i mirë për të dhe për idenë se mund të bëjë ndryshime me këtë Këshillin Kombëtar. Natyrisht se kryetares duhet uruar sukses në këtë përpjekje – por gjasat që të shënojë çfarëdo suksesi, duke u koordinuar për t’u koordinuar, janë objektivisht minimale.
Kjo është Kosova e tashme, duke shikuar nga e ardhmja jo bash me perspektivë të hapur evropiane.
flaka@koha.net
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
» Shkruan: Flaka Surroi:Mos u tallni me Kosovën
» Flaka Surroi: KOHA nuk është në shitje
» Flaka Surroi: Ku ambicia personale vlen më shumë se Kosova
» Kur pshurret Kryeministri:Edi Ramës i lagen pantallonat në vend të keq! (Video)
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi