Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Fjala integrale e Jusuf Buxhovit , mbajtur në Gjermani, në prezentimin e librit „ Kosova, 1, 2, 3“

Shko poshtë

  Fjala  integrale  e Jusuf Buxhovit , mbajtur në Gjermani, në prezentimin e librit „ Kosova, 1, 2, 3“  Empty Fjala integrale e Jusuf Buxhovit , mbajtur në Gjermani, në prezentimin e librit „ Kosova, 1, 2, 3“

Mesazh nga Agim Gashi Sun Jun 10, 2012 11:45 am

  Fjala  integrale  e Jusuf Buxhovit , mbajtur në Gjermani, në prezentimin e librit „ Kosova, 1, 2, 3“  545004_10150852525754077_1907221743_n

Fjala integrale e Jusuf Buxhovit , mbajtur në Gjermani, në prezentimin e librit „ Kosova, 1, 2, 3"

HISTORIA JONË NA NDERON E OBLIGON

Unë jam këtu para jush si historian dhe si autor, në të njejtën kohë në një mision personal për të falënderuar gjermanët si popull dhe Gjermaninë si shtet, i cili ishte historikisht ndër shtetet që më së shumti bëri për çështjen shqiptare, që prej Mesjetës e këndej, deri në ditët tona.

Një popull i cili ia vuri themelet albanologjisë, një popull mendimi i të cilit çështjen shqiptare e ngriti në nivel të një trajtese ndërkombëtare duke prekur deri tek Antikiteti. Pa atë çasje të hulumtuesve dhe shkencëtarëve gjerman, sot nuk do të ishte as Shqipëria, as Kosova, as populli shqiptar. Pa atë çasje historike të gjermanëve sot nuk do të ishte as ky libër i imi.

Gjermania m’i hapi dyert...

Unë gazetar, shkrimtar e intelektual e kam filluar karrierën time këtu si korrespodent. I jam shumë mirënjohës këtij ambienti e kësaj mendësie, e cila më ka ndihmuar në kohën e një lëvizjeje intelektuale dhe shpirtërore të viteve 70 - të dhe 80 -të, pa të cilën nuk do ta kishim as lëvizjen shtetëformuese të viteve të 90 - ta, së cilës i priu presidenti Rugova, Pra, Gjermania m’i krijoj të gjitha mundësitë që t’i ofrohem kësaj mendësie dhe në kredibilitetin tim intelektual dhe profesional, të menduarit gjerman ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme.

Ajo m’i ofroi dhe hapi dyert për ta hulumtuar atë pjesë të historisë sonë e cila ka qenë më kritikja, më dinamikja, po në të njejtën kohë edhe më vendimtarja edhe në proceset e fundit për të cilat u folë këtu sot. Në ato procese, në të cilat intelektualët e kanë pas rolin më të rëndësishëm, sepse tek e fundit vetëm intelektualët i bëjnë proceset e mëdha politike, ata e kanë përgjegjësinë që edhe t’u prijnë këtyre proceseve. Të tjerët i shkatërrojnë ato.

Pra, në këto rrethana unë kam studjue arkivat gjermane. Specializimi im ka qenë "Lidhja Shqiptare e Prizrenit". Mbi 20 vjet kam punuar në hulumtimin e këtyre arkivave me një përkushtim të madh dhe shteti gjerman m’i ka ofruar të gjitha mundësitë që ky hulumtim të jetë sa më i suksesshëm .

Natyrisht se në vitet 70-ta, 80-ta, edhe institucionet e Kosovës, nga Akademia e Shkencave të Kosovës së cilës i printe profesori Idriz Ajeti, nga instituti i historisë që udhëhiqej nga Ali Hadri, nga Universiteti i Kosovës, i cili në atë kohë kishte për rektor Gazmend Zajmin, por edhe nga një Akademi e Shkencave të Shqipërisë, që atë kohë drejtohet nga historiani i shquar, Aleks Buda ( për kundër limiteve historike që kishte), depononin që hulumtimi im të ishte sa më i suksesshëm.

Të gjitha këto institucione interesoheshin që një gazetar, sic isha unë të bëj punë shkencore.

Akademikët serbë kanë të drejtë të reagojnë po jo edhe shqiptarët

Unë dëshiroj që nga ky vend t’i falenderoj këto institucione, të cilat edhe në kohën kur nuk kemi pasur shtet, kanë pasur logjikë shtetërore. Tani edhe pse kemi shtet, hulumtuesit tanë nuk e kanë mundësinë ta kenë logjikën shtetërore, sepse kemi ardhë në një kohë prirjesh të çuditshme, që shteti të shfrytëzohet e të gllabërohet e me te madje të gllabërohet edhe historia e tij dhe e popullit të tij. Pra, kemi ardhë në një kohë kur Kosova dëshirohet pa histori, ose në variantin me të butë, asaj t’i imponohet një histori siç deshirojnë disa qarqe ndërkombëtare dhe vasalë të tyrë në Kosovë. Që Kosova të jetë " një çorbë ballkanike" ku shqiptarët do të jenë të përzierë, ku nuk do të dominojë identiteti i tyre Antik, por do të merren si dhe qytetarët tjerë. E tërë kjo bëhet që të plotësohen kriteret dhe konceptet, të cilat i ka Pakoja e Ahtisaarit, të cilin unë e vlerësoj si dokumentin me të keq që e ka aprovuar kjo politikë. Do të kisha pas shumë dëshirë që unë të gaboja dhe unë të mbetesha në një hamendje, ndërkohë që politika e Kosovës ka pas të drejtë. Por, pasojat e një dokumenti të tillë veç kanë filluar t’i tregojnë rezultatet rrënuese për konceptin shtetndertues dhe për ate se Kosova nuk do të ketë sovranitet as shtetëror, as shpirtëror e as civilizues, si pasojë e kurthit të këtij dokumenti. Unë e trajtoj këtë dokument në librin tim dhe kjo është arsyeja pse libri im anatemohet prej disa politikave. Është keq të thuhet por, ata politikaj kanë të njejtën gjuhë dhe të njëjtin reagim që ka edhe Akademia e Shkencave të Serbisë. Akademikët serbë kanë të drejtë të reagojnë, sepse libri im i demaskon tezat e tyre hegjemoniste. Ata e dinë se ato janë teza serbomëdha, teza nga të cilat janë prodhuar katër gjenocide ndaj shqiptarëve gjatë 130 vjetve të fundit.

Por është e pakuptueshme që disa politikaj të Kosovës të kenë të njejtën gjuhë, të njejtën frikë dhe të hapin të njëjtat anatema kundër një historie, e cila Shqiptarët i qetë në Antikitet, kundër një historie e cila nuk iu ofron asgjë të keqe shqiptarëve, por që ju thotë se ju jeni popull fisnik dhe jeni popull i antikitetit, që është shumë e vërtetë.

Pellazgët janë djepi i qytetërimit botëror

Këtë nuk e kam zbuluar unë, por këtë e kanë zbuluar shkencëtarët gjerman, para afro 200 vjetëve. Shkenctarët si ; Gottfried , Hani deri te Gustav Meieri, të gjithë autorë të rëndësishëm botëror kanë lansuar tezën Pellazge, se shqiptarët janë pellazgë. Arsyet ideologjike kanë qenë ato të cilat për një kohë këtë tezë e kanë lënë te teza Ilire, por teza Ilire kurrsesi nuk e zhvlerëson antikitetin, ajo përkundrazi e forcon edhe më tepër .

Shqiptarët nga pjesëmarrës në antikitet me tezën Ilire e cila është mjaft e mundimshme në disa momente që të argumentohet, i kthen te djepi i qytetërimit. Pellazgët janë djepi i qytetërimit botëror. Këtë nuk e thotë Jusuf Buxhovi, këtë e thonë mëse 120 autorë botëror. Puna ime këtu ka qenë vetëm që, këta autorë dhe mendimet e tyre t’i vendos në një kontekst të një trajtimi historiografik, sipas konceptit tim.

Historinë e mbrojnë historianët dhe shkenctarët, si dhe ata që udhëheqin institucionet, politikanët. Por jo me një politikë të tillë që udhëhiqet sot në Kosovë, e cila popullin tonë e paraqet pa histori, shtetin pa histori ose që shteti duhet ta ketë historinë e dirigjuar nga simbolet deri te historia dhe trashëgimia. Prandaj nuk është e rastit që nga një politikë e tillë sot ndodh që vjen një ministër i huaj ( mund të jetë edhe nga një shtet mik me të cilin duhet t’i kemi disa relacione) dhe thotë ndërrone historinë se neve "kështu e kështu" na konvenon. Dhe politika e Kosovës përnjeherë i thotë po, pa e pytur fare shkencën, që nuk guxon ta bëjë një gjë të tillë. Një gjë të tillë as në kohën e Rankoviqit kur ka qenë një diktaturë e rëndë për shqiptarët, askush nuk ka guxuar të thotë se shqiptarët së paku nuk janë trashëgimtar të ilirëve, së paku nuk është arritur të kontestohet kjo. Ndërkohë vjen ministri turk dhe i thuhet se ne po e ndryshojmë historinë se : " Perandoria osmane nuk ka qenë pushtuese, por administruese".

E keqja më e madhe është se, edhe histeriografia e disa historianë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë e pranojnë me shumë vullnet këtë tezë.

Prandaj do të dalë dikush e do të konfrontohet me këto teza antihistorike, sepse, morali njerëzor dhe ideali për shtetin që mëgjithatë dikush e ka, nëse të tjerët nuk e kanë dhe, ju thotë, stop. Nuk mund të shkohet më tej. Sepse ata të cilët nuk ndjejnë obligime shtetërore, ata të cilët shtetin e kanë shëndrruar në një ideal të pasurimit të tyre dhe të shkatërrimit të tij për interesa personale, duhej të ishin e kundërta e tyre që janë sot. Për shkencën flasin shkenctarët. Politika nuk guxon të përzihet sipas qejfin të vetë, sepse nesër do të bëjmë një marrëveshje historike me serbët ( dhe unë uroj që kjo të bëhet) por jo siç dojnë sot disa aleat evropian dhe disa vasal të tyre në Prishtinë. Por të jetë një marrëveshje historike mbi baza etnike. Një marrëveshje që dy popujt historikisht t’i realizojnë interesat e tyre në përputhje me atë që objektivisht e kanë në trashëgimin e tyre. Dhe çfar ndodhë nëse tash dikush thotë " Millosheviqi këtu ka ardhur kështu e ashtu dhe ato vrasje kanë qenë të tij". Nuk luhet me gjëra të tilla.

Kemi institucione shkencore por nuk kemi shkencë

Ne kemi ardhur në një situatë të tillë çfarë është, dhe kjo është shumë brengosëse, sidomos është brengosëse heshjta e intelegjensisë, sado që kemi akademi edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë. Dhe ka shkencëtarë sa të doni. Kemi Institucione që kanë kushtuar 4 apo 5 milionë euro ndërtesat e tyre, por nuk ka shkencë.

Serbia, në 10 vitet e fundit i ka botua 24 libra për Kosovën, bile edhe me të këqija se sa ato që i bënte dikur Qubrilloviqi dhe Garashanini. Akademia serbe para dy vjetësh ka dalë me një libër në të cilin ata në një simpozium përshëndesin kushtetutën e Ahtisaarit, përshëndesin politikën e Kosovës, të cilën e quajnë shumë të mençur dhe shumë civilizuese, sepse pranuan që manastiret krishtere ortodokse janë trashëgimi dhe pronë e kishës ortodokse serbe. Ky është gabimi më i madh historik që është bërë. Një trashëgimi kulturore që shqiptarët e kanë ndër të parët në Ballkan, sepse në shekullin e III është pranuar krishterimi prej shqiptarëve, ndërsa serbet në shekullin e X ( me shumë dilema dhe shumë kapërcime), të ju lihen (jepen) tapitë atyre, s’ka se si nga akademikët e Beogradid të mos falënderohet politika e Kosovës, për të cilën ata thonë se ishte shumë reale. Ku po mbesim ne shkenctarët pastaj, ne të cilët kemi luftuar në vitet 80-ta e 90-ta ( që u përmend edhe këtu në shënimin e ditës së Presidentit Ibrahim Rugova).

Ndërkohë që serbet vazhdojnë të shkruajnë libra, kroatët e bëjnë historinë e tyre, ndërsa maqedonët, që dihet me çfarë identiteti politik, etj. janë, shkojnë e përvetësojnë historinë tone, sjellin për shembull Aleksandrin e Madh midis Shkupit. Secili historian shqiptar e di se nuk ka ekzistue shteti mesjetar serb.

Secili historian qoftë edhe çantagji i ndonjë ministri apo kryeministri e di fort mirë se është rrenë se nëse thuhet se ka ekzistuar Mbretëria e Car Dushanit në Kosovë edhe pse ato mbeten si objektiva të falsifikimeve serbe. Ndërkohë që ne e pranojmë atë për fat të keq si historiografia e shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë nëpër tekste të ndryshme shkollore, sado që e quajnë herë mbreti Millutin, herë perandoria e Dushanit, etj.

Krishtërimi serb nuk ka ekzistuar në Kosovë. Dhe, kjo është qartësuar në betejat e jashtëzakonshme dhe të ashpra që janë bërë nga intelektualët shqiptarë të Kosovës në Beograd, në beteja ku intelektualët serbë kan humbur, jo pse ne kemi qenë më të fuqishëm, por sepse kemi pas argumentet shkencore reale përballë miteve dhe gënjeshtrave të tyre.

Në kohën kur ne kemi bërë shtetin që përputhet me idealin e rilindësve tanë dhe gjithë atyre që kanë luftuar për këtë ditë, ngritet dikush dhe pranon koncesione në dëm të Kosovës. Çfarë mund të bëjë këtu një Akademi e Shkencave të Kosovës që s’ka historian, dhe mirë është që nuk ka historian se po të kishte do të shkruanin ndonjë vjerrshë, ndonjë histori 5 vjeçare, do të shkruanin një monument të paqëndrueshëm për ndonjë çifteli, dhe është mirë që s’ka në këtë fatkeqësi. Çfarë mund të presim prej një Akademie të Shqipërisë poashtu, e cila është në gjendje të pranojë diktate të një ministri që ndryshon konceptin e historisë. Këto janë probleme me të cilat ballafaqohet jo vetëm shkenca po cdo njeri në Kosovë. Ne nuk mund të kemi ardhmëri nëse nuk e njohim të kaluarën tonë dhe nëse nuk e vlerësojmë si duhet atë të kaluar. Lufta që po bëhet sot në Kosovë, është që Kosova të mos ketë kujtesë historike.

Shqiptarët ishin të krishterë dhe e kishin fjalën kryesore në këtë qytetërim . Sllavët kanë ardhur si barbarë në shekullin e XIII dhe ata nuk i kanë sjellur kishat me vete. Të gjitha monumentet kishtare janë me prejardhje shqiptare. Në kohën e Justinjanit kanë ekzistue 90 e sa objekte kishtare.

Dardanët janë themelues të Trojës

Kosova ka pasur rol të rëndësishëm gjatë tërë historisë së gjithmbarshme shqiptare, nga Antikiteti e këndej, sepse aty është Dardania.

Dardania është pjesa e parë e kapërcimit nga pellazget te një lëvizje shtetëformuese mbretërore. Sipas të gjitha burimeve historiografike kompetente botërore, Trojën e kanë ndërtuar dhe e kanë udhëhequr dardanët. Kemi kapërcimin prej tyre te Maqedonasit me Aleksandrin e Madh. Kapërcimi i tretë është te Mulosët dhe Pirroja. E i katërti vije te Ilirët. Këto janë zhvillimet tona historike dhe kulturore të kësaj hierarkie. Kjo domësdoshmërisht e zhvendos pikëqëndresën e gravitetit të historisë shpirtërore të Shqiptarëve.

Dardania kthehet në një preferencë të re të këtij graviteti, te Antikiteti botëror. Të jesh trashëgimtar i Trojës nuk është kurrfarë turpi, përkundrazi është krenari. Tërë bota dhe autorët antik si Homeri na thonë qe 2300 vjet se Pellazget janë hyjnorë, se Dardanët janë themelues të Trojës, se fiset pellazge e kanë bërë luftën e Trojës kundër helenëve si ardhës. Shkenca e ka zgjidhur këtë problem, por ne Shqiptarët nuk dojmë ta pranojmë këtë fakt, kur për të tjerët nuk ka dilema.

Si është e mundur në këtë kohë të quhet nacionalist një koncept historiografik që thotë se shqiptarët janë pellazg, që i lidhë me Homerin, ose një koncept që Bizanti është produkt i arbroro-shqiptarëve. Të anatemohet një historiografi që Shqiptarët dhe Kosovën i vë në qendër të zhvillimeve që janë bërë nga koha e krizës lindore e këndej, kjo s’do koment. Nëse shkojmë kështu, do ta zhvlerësojmë edhe Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të themi se nuk është për në Prizren por diku në një kënetë ose kompleksitetin e Rovulucionit Gjonturk të vitit 1908 që poashtu në Ferizaj është bërë, të thëmi se nuk është bërë ose është bërë diku në një moçal.

  Fjala  integrale  e Jusuf Buxhovit , mbajtur në Gjermani, në prezentimin e librit „ Kosova, 1, 2, 3“  556188_10150852504284077_481475657_n

(Përgatitur për shtyp nga Muharrem Sfarqa)
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi