Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Lamtumira e Podrimes, s’përmbushet amaneti për tu varrosur pranë të birit

Shko poshtë

Lamtumira e Podrimes, s’përmbushet amaneti për tu varrosur pranë të birit Empty Lamtumira e Podrimes, s’përmbushet amaneti për tu varrosur pranë të birit

Mesazh nga Agim Gashi Wed Aug 01, 2012 11:29 pm

Lamtumira e Podrimes, s’përmbushet amaneti për tu varrosur pranë të birit

Lamtumira e Podrimes, s’përmbushet amaneti për tu varrosur pranë të birit Foto_KushtrimTernava_Homazhet_per_Ali_podrimjen_6_463897-300x159


I mbuluar me flamurin kuqezi, dhe sipër, një tufë lule nga qyteti Ladov i Francës, arkivoli me trupin e pajetë të Aliu Podrimjes është përcjellë dje për në banesën e fundit. Familjarë, miq, shkrimtarë nga Shqipëria dhe Kosova e kanë përcjellë për në varrezat e Prishtinës, duke i dhënë lamtumirën e fundit poetit. Dhimbja e familjarëve, bashkëshortes Fitorja, vajzës Donika, djemve Dreni dhe Petriti, është e madhe. Në shumë fjalë që miq dhe kolegë thanë për poetin Ali Podrimja, nipi Genti Salihu foli për gjyshin Ali se si ai e kishte adhuruar fshehurazi për tregimet dhe energjinë e tij, të cilën e përcolli gjatë gjithë jetës. “Gjyshi na sfidoi, t’i kthehemi zbulimit të vetës në radhë të parë, me vlerat dhe sinqeritetin e tij ndonjëherë si të fëmijës; gjyshi pati ndikim të madh tek të gjithë ne. Por ndikimi i tij nuk ishte fare ngulfatës. Përkundrazi, gjyshi jo vetëm që na dha hapësirë të gjejmë vetveten, por ai vazhdimisht na inkurajoi të bëhemi zot të fatit tonë. Shkoi tash gjyshi, por neve, familjes, për poezi nuk do të na mungojë. Sepse vepra e gjyshit mbetet tek të gjithë ne. Do të na mungojë aroma e tij, puthjet e tij, e telefonatat e shpeshta dhe ndonjëherë edhe të bezdisshme. Por gjyshi shkoi, humbje e dhimbshme për të gjithë shqiptarët, të cilët shprehën pashtershëm këto ditë admirimin dhe respektin për Ali Podrimjen”. Në varrezat e kryeqytetit të Kosovës, aty buzë një rruge do t’u kujtohet të gjithë atyre që do të kalojnë andej se aty pushon trupi i poetit Ali Podrimja. Arkivoli me trupin e tij u soll nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, ku për dy orë iu bënë homazhe nga kolegë, qytetarë e miq të tij dhe veprës që ai la pas. Kishin ardhur nga të gjitha hapësirat shqiptare; Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Lugina e Preshevës e Mali i Zi. Miq të fjalës poetike nga Shqipëria, Xhevahir Spahiu, Sadik Bejko, Visar Zhiti, Bardhyl Londo erdhën t’i jepnin përqafimin e fundit poetit. Kishin ardhur edhe zyrtarë nga Kosova e Shqipëria. Ndërsa heshtja mortore thyhej nga zërat në sfond me vargjet e poetit kushtuar jetës, vdekjes, ngadhënjimit e lirisë, gjeografisë së atdheut nga Mitrovica deri në Çamëri, Ulqini e Presheva si dhe diaspora, kori i burrave të Gjakovës e “qanë” humbjen me këngën “Lamtumirë”. Akademiku Rauf Dhomi, mik i Podrimjes, rrëfen se ai kohët e fundit fliste shpesh për vdekjen. “Kish kohë që thoshte se po vdes, por ka qenë një lajtmotiv që ne s’i kemi besuar. Më pati thënë ‘kur unë të vdes, më përcillni me tinguj të orkestrës’”, kujton Dhomi. Amaneti i poetit të ndjerë u përmbush dje në homazhet që iu bënë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Kosovë. Varrimi i të ndjerit Podrimja është bërë pa rite fetare. Ashtu siç ai kishte dëshiruar në të gjallë, u përcoll me këngë dhe poezi për në banesën e fundit. Kuarteti i harqeve ka luajtur muzike funebre, ndërsa aktorët Ilire Vinca Çelaj dhe Çun Lajçi kanë përcjellë disa nga poezitë e Podrimjes. Por nuk u përmbush dot dëshira e tij për t’u varrosur pranë të birit, Lumit, për arsye se nuk kishte vend të lirë në varrezat e qytetit ku ai prehet prej 30 vjetësh. Poeti Ali Podrimja, i cili po qëndronte në Francë në kuadër të Festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée” , në qytetin e Lodeve, kishte humbur kontaktet me zyrtarët dhe kolegët e festivalit që nga e marta e datës 17 korrik. Pas tri ditë kërkimesh u gjend 4 kilometra larg Lodev-es buzë një lumi, trupi i pajetë i poetit 70-vjeçar Ali Podrimja. Autopsia tregoi se Ali Podrimja vdiq për shkaqe natyrore. Ali Podrimja u lind më 1942 në Gjakovë, ku edhe kaloi rininë. Studioi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës. Periudha vendimtare për formimin shpirtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”. Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, ‘Lum Lumi’. Pas poemthit lirik, “Hija e tokës”, të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist, një vit më pas botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake “Thirrje”. Më pas vijnë përmbledhjet “Shamijat e përshëndetjeve” (1963), “Dhimbë e bukur” (1967), “Sampo” (1969), “Torzo” (1971) etj. Vepra e tij më e arrirë “Lum Lumi” shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare. Në vitet ‘80 e ‘90 ai botoi libra poetikë si “Zari”, “Buzëqeshje në kafaz” dhe dy librat në prozë “Burgu i hapur” (1998) dhe “Harakiri” (1999). Poezia e fundit që ai shkroi titullohet “Fustani i verdhë”.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi