Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Edi Rama dhe urrejtja ndaj komunizmit

Shko poshtë

Edi Rama dhe urrejtja ndaj komunizmit Empty Edi Rama dhe urrejtja ndaj komunizmit

Mesazh nga Agim Gashi Thu Dec 18, 2008 12:18 pm








Redi Gjuzi
Redi Gjuzi
Edi Rama dhe urrejtja ndaj komunizmit


Nga Redi Gjuzi


Sa herë që diskutohet për ligjin e dosjeve, aq herë gjenden artifica për t’i devijuar, zbutur, mbuluar dhe nganjëherë edhe justifikuar krimet e komunizmit. Në Shqipërinë e 18 viteve pluralizëm gjithçka është normale, për sa kohë në tavolinat e Kuvendit ulen edhe firmëtarët e vrasjeve, edhe ata që kanë dalë nga burgu komunist. Janë gjetur me dhjetëra justifikime për të mos patur një shpëlarje kombëtare nga komunizmi dhe ata që e kryen komunizmin në popull. Janë shpikur edhe përplasje juridike, mbrojtje e të drejtave të njeriut, apo paradokse të tjera të kësaj natyre, vetëm e vetëm që ky ligj (jo vetëm ai që propozohet nga maxhoranca) të mos pranohet, të shtyhet, të mos jetë kurrë efektiv. Në të gjitha këto shpikje, që kanë lënë për 18 vite rrotull politikës dhe brenda saj (të majtë e të djathtë), komunistë dhe persekutorë gjakatarë, nuk është përmendur kurrë frika e prekjes së moralit të këtyre të fundit. Asnjëherë nuk është përmendur, as nga ata vetë, apo përfaqësuesit e tyre, alibia, se miratimi i një ligji të tillë do të prekte ndjenjat e sigurimsave, spiunëve apo pushtetarëve komunistë. Se morali i këtyre njerëzve ka vdekur ditën që ata urdhëruan, firmosën apo ekzekutuan politikisht një tjetër shqiptar në emër të komunizmit. Por dje, në mes të ditës, fatmirësisht pa diell, kreu i partisë më të madhe të opozitës, përmendi pikërisht moralin dhe frikën e persekutorëve si një arsye madhore për të mos votuar një ligj kundër spiunëve.
Duke iu referuar diskutimeve të të djathtëve, apo atyre që hiqen si të tillë, para dy ditëve në Kuvend, Edi Rama, mbrojti moralisht familjen e tij dhe të atij lloj soji para derës së selisë së PS-së. "Nuk jam unë i pari që duhet të përjetoj shijen e hidhur të kësaj politike të ndyrë urrejtjeje dhe që duhet të qetësoj nënën e djalin tim", u shpreh dje Rama. Një ditë më parë, një gazetë e pozicionuar qartë djathtas, botoi një dokument të firmosur nga Kristaq Rama, babai në atë kohë i Edvin Ramës. Në këtë dokument, anëtari i Presidiumit të Kuvendit Popullor të Partisë së Punës, bashkë me pak deputetë të tjerë, kishin firmosur ekzekutimin e një të riu. Firma datonte në vitin 1988, vetëm pak kohë para rënies së komunizmit me arsyetimin e qartë politik: "Armik i betuar i pushtetit popullor". Mbi firmën për ekzekutimin e tij ishte edhe kërkesa e prindërve, ku kërkohej falja e jetës. Firmëtarët vendosën të kundërtën, vdekje. Në rast se ky dokument është i vërtetë, atëherë Edi Rama nuk ka asnjë moral të kërkojë sot qetësi për familjen e tij. Nuk ka fjalë që ta qetësojnë nënën e djalit, babai i të cilit ka qenë një firmëtar vdekjeje. Nuk ka fjalë, sot, që të mund ta justifikojnë moralisht atë veprim. Moralisht, firma që të çon nën dhe si "armik i pushtetit popullor", nuk mund të mbrohet, as me thirrje poetike, se po mbillet urrejtje. E kundërta do të ishte fatkeqësi, në rast se njerëz të tillë nuk urrehen. Në rast se njerëzve të tillë nuk iu thuhet përditë e përditë, derisa të plotësohen të gjitha ditët e ndërprera të jetës, të mbyllura në internime apo të shkatërruara politikisht, që veprimet e tyre ishin të urryeshme. Por fjalimi i djeshëm i Ramës nuk ishte vetëm për familjen e tij. Kjo do të kishte qenë e keqja më e vogël. (Gjithkujt do t'i vinte keq për gabimet e babait të tij, edhe pse para 18 vitesh, ishin fëmijët që denonconin prindërit apo e kundërta dhe i çonin të afërmit drejt litarit, në emër të pushtetit popullor). Ai nënvizoi dje se janë me miliona ata që kanë frikë nga urrejtja e një ligji kundër sigurimsave. "Unë jam këtu sepse kjo politikë që hyn çdo mbrëmje në shtëpitë e shqiptarëve për të mbjellë urrejtje, për të trazuar mendje e zemra prindërish e fëmijësh me egërsinë e saj, për të rënduar shpirtërisht e moralisht miliona njerëz që duan shpresë, zgjidhje për hallet e tyre, perspektivë për fëmijët e tyre, duhet të marrë fund". Llogaria e djeshme e Ramës ishte e gabuar. Nuk janë milionat ata që rëndohen shpirtërisht nga deklaratat kundër komunizmit dhe kriminelëve që e mbollën atë. Janë shumë pak. Janë miliona ata që vuajtën dhe këta të fundit nuk kanë frikë nga dosjet. Shqipëria nuk ka patur kurrë ndonjë "hall më të madh" se sa komunizmi dhe nuk ka për të patur derisa soji i atyre që mbrojnë krimet e 50 viteve me gjithçka mënyrash, ta lejë të qetë këtë vend. Fjalia e djeshme me shumë shifra e Ramës është tipike e postkomunistëve: "Në atë kohë të gjithë ishin spiunë". Dhe kjo propagandë duhet urryer. Sot kombi shqiptar është i lirë të urrejë dhe të pëlqejë kë të dojë. Por nuk do të jetë kurrë i lirë të zgjedhë, në rast se nuk i tregohet se kush ishin individët, apo ata dhjetëra individë që e morën peng për 50 vite. Dhe këta, pavarësisht se do i "trazohet shpirti", duhet të urrehen, bashkë me ata që sot përpiqen të gjejnë artifica për t'i shmangur emrat e përveçëm të tyre.
Frika e Ramës për hakmarrje, sot 18 vite pas rënies së diktaturës është qesharake. Nga 1990 e deri në vitin 2008 asnjë i përndjekur nuk ka kryer hakmarrje. Sepse të përndjekurit nuk kanë luftë klasash, nuk kanë armiq pushteti, por opozitarë. Ky është dallimi. Janë soj tjetër nga gjakatarët e 50 viteve të shkuara. Por, njeriu analizon dhe mendon si do kish vepruar vetë dhe, kjo ndoshta është një arsye për kreun e PS-së, që të mendojë se do të ketë hakmarrje. Sidoqoftë, sot pas 18 vitesh ka një fakt, më domethënësi nga të gjithë në rastin e kreut të PS-së, që vërteton se të përndjekurit nuk hakmerren. Në rast se do të kishte hakmarrje, sot ju Edi Rama dhe shumë të tjerë si ti, si djali i një ish-anëtari të Presidiumit të Kuvendit Popullor, duhet të ishit duke lyer fasadat e Tiranën, dhe jo duke i urdhëruar të tjerët ta ngjyrosin me ngjyra plot jetë arkitekturën e komunizmit. Dhe ndoshta ky është fati më i keq që i ka ardhur shqiptarëve nga pasuesit e komunizmit. Njerëzit njihen kur kanë pushtet. Të gjithë para se ta marrin pushtetin janë të mirë dhe patetikë. Ti dje zgjodhe. Dhe zgjodhe anën e paraardhësve të tu. Ty të erdhi keq për moralin e familjeve të ish-persekutorëve. Një shprehje e vjetër thotë: nëse sheh një të keqe, mundohu ta ndreqësh me dorë, në rast se nuk e ndreq dot me dorë, mundohu ta ndreqësh me fjalë, në rast se nuk e ndreq dot me fjalë mundohu ta ndreqësh me zemër. Por dje, edhe zemrën e peshove në duart e atyre që kanë shkrehur plumbat, që kanë tërhequr këmbëzën e armëve, apo kanë firmosur që këto t'i ndodhin ish të përndjekurve.


G. Panorama
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Edi Rama dhe urrejtja ndaj komunizmit Empty Re: Edi Rama dhe urrejtja ndaj komunizmit

Mesazh nga Agim Gashi Thu Dec 18, 2008 12:19 pm

Të vërtetat e hidhura


Nga Bledi KASMI


Kryetari i PS u përpoq dje që të anashkalojë debatin mbi hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit dhe ta konvertojë atë në një replikë etike në largësi me kryeministrin Berisha, duke iu shmangur thelbit të çështjes dhe duke u vërtitur pas tezave të edukatës morale dhe politike të të paktën 20 viteve më parë. I veshur ndryshe nga pak vite më parë, kur shante me prag familje kundërshtarët e tij politikë nga podiumet e institucioneve politike, apo kur i konsideronte gazetaret kritike të tij në prani të mediave si prostituta, dje u rrek të merrte pozat e një shenjtori, duke predikuar për moralin e të vdekurve.


Lufta e klasave vdiq, duke na lënë pas viktimat e gjalla të saj, por edhe persekutorët e shëndetshëm. Fati i këtyre dy kategorive gjatë këtyre 18 viteve, pas varrosjes së luftës së klasave, është krejt i ndryshëm. Të parët nuk u hakmorën ndaj krimeve të kryera ndaj tyre, besuan tek shteti ligjor dhe drejtësia sociale, duke shpresuar tek forca e lirisë. Shumë e konsiderojnë këtë një vlerë të çmuar dhe të pazëvendësueshme, por krejt ndryshe është interpretuar ajo përgjatë gjithë kësaj periudhe nga persekutorët e tyre, të cilët e kanë konsideruar atë si një dobësi apo si një mungesë kurajoje për të reaguar.


Bashkëjetesa mes këtyre dy kategorive ka qenë, është dhe do të vazhdojë të mbesë e sforcuar, për sa kohë në mes janë varjet në litar dhe pushkatimet e armiqve të klasës, burgimet dhe internimet në gulakët e diktaturës. Dhe më pas, hendeku më i madh ndarës është mungesa e pendesës, që kurrë nuk ka ndodhur gjatë këtyre 18 viteve, duke na bërë të qartë se persekutorët nuk janë penduar për krimet e tyre. Kjo i bën dy kategoritë të shihen si armiq të heshtur të një lufte të ftohtë, që duket sikur nuk ka të përfunduar.


Kryetari i ri i PS, sapo i zuri vendin Nanos, nxitoi t'u kërkojë ndjesë shqiptarëve për keqqeverisjen e PS. Pranoi gabimet e mëkatet e paraardhësit të tij në emër të forcës politike, të cilën ai trashëgoi. Por gabimet e kësaj partie nuk ishin vetëm tetëvjeçare. Mbi kurrizin e saj rëndon historia e gjysëm shekullit diktaturë, ku nuk ka pasur gabime si ato të tetë viteve të qeverisjes socialiste, por një trashëgimi krimi dhe genocidi komunist gjysëm shekullor. Nëse duhet të kishte një ndjesë dhe një ndarje reale të historisë së PS nga arkiva e saj e krimit, atëherë e para duhet të shkonte nga trashëgimtari i ri i PS për ata martirë të fjalës së lirë dhe heronj të lirisë që u masakruan dhe u dergjën burgjeve dhe internimeve për ato vlera që janë vendosur në vend nga dhjetori i '90-ës, por nuk janë rehabilituar akoma nga sekti i socialistëve tanë.


Ky gabim i Ramës nuk mund të ishte një harresë e rastit apo moskuptim i situatës në të cilën ndodhej PS, por ai ishte një qëndrim i brendshëm, që natyrisht vjen i diktuar nga e kaluara e vetë kreut të PS dhe familjarëve të tij. Nëse Rama nuk do të kishte atë ngarkesë negative të diktaturës mbi shpatullat e tij, natyrisht që do të ishte i lirë nga hijet e së shkuarës dhe asgjë nuk do ta pengonte që të jepte kontributin e tij në vendosjen e një drejtësie sociale, historike për vendin. Fakti se nuk kemi një kryetar PS -je të lirë nga e djeshmja e diktaturës po e dëshmojnë shumë fakte që po shfaqen gjatë këtyre dy ditëve.


Nëse i ati i Ramës paska vendosur firmën si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor mbi varjen në litar të poetit Havzi Nela, apo pushkatimin e poetëve të vrarë, Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, si dhe dhjetëra të rinjve të tjerë dhe nëse Rama nuk e ndjen se është një detyrim i tij politik që të ndahet, të paktën politikisht nga këto krime, atëhere këto dosje nuk mund të mbyllen me një konferencë shtypi, ku thuhet se i vdekuri me të vdekurin dhe i gjalli me të gjallët. Sepse nuk kemi asnjë garanci se i biri i të atit nuk do të firmosë dhe vulosë edhe ai për armiq të rinj të klasës në kushte të tjera, por me të njëjtin mllef. Ai mund të heshtë vetë, por nuk mund të vendosë si standart për të gjithë shoqërinë heshtjen ndaj këtyre krimeve, nuk mund të kërkojë arkivimin dhe mbajtjen mbyllur të dosjeve të diktaturës, vetëm sepse atje mund të dalë edhe emri i babait dhe dajës së tij.


Shumëkujt i kujtohet kur në një nga daljet e para televizive të Ramës si Kryetar i PS-së e pyetën; se cila është alternativa që partia e tij do të paraqesë në program e saj elektoral për shtresat e ish-të përndjekurve politik dhe ish-pronarëve, dhe ai me dozat e arrogancës iu përgjigj; se këto shtresa nuk janë prioritet i tij dhe PS-së. Nëse i rikthehesh sot atij debati të atyre ditëve arrin t'i japësh edhe shpjegimin e plotë përgjigjes së atëhershme të Ramës, në konteksin e qëndrimit që ai po mban për hapjen e dosjeve. Këto shtresa shihen akoma nga Rama me dozat e forta të luftës së klasës, ku konsiderohen armiq për të cilat ai dhe partia që drejton nuk mendojnë ndryshe nga PPSH, apo nga i ati dhe daja e tij, ndonëse jemi 18 vjet pas dhjetorit '90.


Në daljen e tij Rama nuk na tha se nuk janë të vërteta ato që kreu i mazhorancës artikuloi për të atin e tij dhe njerëz të tjerë të familjes, nuk na tha as se ndjehej krenarë për këta të afërm dhe kontributin e tyre për "demokracinë". Ai na kërkoi të heshtim dhe të mos flasim për të vërtetat e hidhura të diktaturës duke na kërkuar të na imponojë standartet e tij të lirisë.


Shfaqja e djeshme e Ramës tregon një pozitë aspak të qartë politike të tij. Eshtë kapur krejtësisht i papërgatitur për të menaxhuar një situatë të tillë nga hapja e dosjeve ku para se të mendojë për bashkëpunëtorët i duhet të gjejë një alibi për veten. Debati për krimet e komunizmit dhe hapjen e dosjeve nuk mund të transformohet në një debat për etikën sikurse tentoi të bënte dje Rama. Nuk mund të transformohet as në një debat mbi moralin e familjes, pasi kjo do të ishte një temë tjetër, e cila në vend që t'a ndihmonte, vetëm sa do t'a ngatërronte akoma më keq kreun e PS, duke e futur në udhë pa krye. Në këtë amulli të tij politike, Rama duhet të bëjë një zgjedhje shumë të thjeshtë, të mos luajë më shumë porta, por të përqëndrohet vetëm tek njëra, përballja me hapjen e dosjeve dhe tek e vërtetat e hidhura të tyre.

Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Edi Rama dhe urrejtja ndaj komunizmit Empty Re: Edi Rama dhe urrejtja ndaj komunizmit

Mesazh nga Agim Gashi Thu Dec 18, 2008 12:20 pm

Rama, i ati firmosi ekzekutimin e poetëve Nela, Blloshmi dhe Leka



Kryeministri fton kryetarin e PS të gjejë kurajë dhe të shkëputet nga mbrojtja e lidhjeve të tij të vjetra


Partia Demokratike i kërkoi dje kryetarit të PS-së, Edi Rama, t'u kërkojë falje shqiptarëve që me firmën që i ati i tij, si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, ka vendosur për ekzekutimin e intelektualëve të shquar Avzi Nela, Vilson Blloshmi, Gamend Leka e dhjetëra e dhjetëra të tjerë. Zëdhënësi i Partisë Demokratike gjatë një deklarate për shtyp theksoi gjithashtu se, Rama duhet t`u kërkojë të falur shqiptarëve për dhjetëra e dhjetëra bij dhe baballarë, të cilët u ekzekutuan nga ekspertiza e dajës së tij, pseudointelektualit Spiro Koleka. "Pasi tërhoqi Grupin parlamentar nga debati per ligjin e pastërtisë së figurave, zoti Rama doli përpara shqiptarëve për të bërë sulmin e radhës ndaj kryeministrit", u shpreh Bogdani duke iu referuar deklaratës së Ramës. "Kryeministri ka respekt për të ekzekutuarit e regjimit dhe familjarët e tyre. Kryeministri ka respektin më të madh edhe për të vërtetën, e cila tmerron Edi Ramën", nënvizoi zëdhënësi i partisë më të madhe në vend. Ai sqaroi se, në diskutimin e tij, kryeministri Berisha theksoi se Rama po pengon Partinë Socialiste dhe po e rendit atë krahas Partisë Socialiste serbe dhe Partisë Radikale serbe, si tre parti që nuk e pranojnë lustracionin. "Zoti Rama e bën këtë vetëm e vetëm për të mbrojtur lidhjet e tij me të kaluarën e zezë të tij. Në rast se zoti Rama do të faktojë të kundërtën, duhet t'u kërkojë të falur shqiptarëve, për firmën që ati i tij, si anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, ka vendosur për ekzekutimin e intelektualëve të shquar Avzi Nela, Vilson Blloshmi, Gazmend Leka dhe dhjetëra e dhjetëra të tjerë. Zoti Rama duhet t'u kërkojë të falur shqiptarëve për dhjetëra e dhjetëra bij dhe baballarë, të cilët u ekzekutuan nga ekspertiza e pseudointelektualit Spiro Koleka", tha Bogdani. Ai shtoi më tej se, Rama e di mirë se kryeministri Berisha nuk bën përgjegjës djalin për të atin, por Rama nuk pranon lustracionin dhe fakton se më shumë se gjithçka mbron të shkuarën e familjes së tij. "Kryeministri fton zotin Rama të gjejë kurajë dhe të shkëputet nga mbrojtja e lidhjeve të tija të vjetra, sepse kjo do ta ndihmojë të shikojë përpara", nënvizoi më tej zëdhënësi i Partisë Demokratike.


 


E.K - RD
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Edi Rama dhe urrejtja ndaj komunizmit Empty Re: Edi Rama dhe urrejtja ndaj komunizmit

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi