Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Jeton Llapashtica:Skandal edhe me targa, “avullohen” mbi 200 mijë euro

Shko poshtë

Jeton Llapashtica:Skandal edhe me targa, “avullohen” mbi 200 mijë euro Empty Jeton Llapashtica:Skandal edhe me targa, “avullohen” mbi 200 mijë euro

Mesazh nga Agim Gashi Sat Dec 15, 2012 12:14 pm


Skandal edhe me targa, “avullohen” mbi 200 mijë euro

Jeton Llapashtica

Jeton Llapashtica:Skandal edhe me targa, “avullohen” mbi 200 mijë euro Targat_-_d.b.

(E plotësuar)Nuk është vetëm kompania austriake për prodhimin e pasaportave biometrike OeSD, e cila u “dogj” nga bashkëpunimi me Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, të cilës nuk iu paguan asnjëherë 1 milion e 400 mijë euro. Fatin e njëjtë e ka pasur edhe kompania sllovene “KIG” sh.a., e cila për dy vjet radhazi ka prodhuar targat e automjeteve kosovare. Kësaj kompanie, njëjtë si në rastin e skandalit të pasaportave nuk i janë pagur mbi 200 mijë euro, duke ia transferuar kështu nënkontraktuesit.

Pothuajse njësoj siç kanë bërë zyrtarët e MPB-së dhe ish-nënkontraktuesja e OeSD-së, Natalije Velija, gjatë “skenarit” për t’ia shmangur paratë kompanisë austriake, ashtu është vepruar edhe me kompaninë sllovene “KIG” sh.a., e cila për dy vjet radhazi ka prodhuar targat e automjeteve kosovare.

E vetmja gjë që e dallon kompaninë sllovene prej asaj austriake është shuma e parave të cilat u janë “avulluar” në Prishtinë dhe nuk janë bartur në xhirollogaritë përkatëse të tyre.

Kompanisë “KIG” sh.a. në Prishtinë i janë shmangur “vetëm” rreth dyqind mijë euro, nga tenderi që ka pasur vlerën 1 milion e 700 mijë euro.Këtë gjë e ka konfirmuar vetë drejtori gjeneral i “KIG”-ut, Vojko Krashevec, i cili në përgjigjet e tij për gazetën “Zëri” dërguar nëpërmjet postës elektronike ka pohuar se nga tenderi dyvjeçar për shtypjen e targave të automjeteve kompanisë që ai e drejton i janë ndalë në “gjysmë të rrugës” një shumë e konsiderueshme e parave, duke mos saktësuar sa para i kanë humbur.


KIG-u ngre padi, gjyqësori e “zhduk”

Drejtori Krashevec tregon se kompania vendore me të cilën kanë bashkëpunuar (nënkontraktorja) fillimisht i ka bërë pagesat me rregull, përkatësisht i ka bartur paratë nga Prishtina në Slloveni, por më vonë ka vepruar ndryshe.

“Pas një viti të furnizimit, partneri ynë ASCOM Group sh.p.k., sikundër pagesës së rregullt nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, nuk ka paguar në vazhdimësi faturat tona. Për të shpëtuar dhe ruajtur projektin kemi themeluar shoqërinë tonë KIG EAST sh.p.k., dega në Kosovë, e cila në pajtim me Ministrinë dhe ASCOM Group është bërë kompani në partneritet në formë konsorcium. Kështu kemi vazhduar me projektin, dhe deri në shtator 2012 kemi prodhuar dhe furnizuar me targa të automjeteve për të gjitha kërkesat, pa asnjë vërejtje dhe reklamacion. Ministria e Punëve të Brendshme të gjitha fatura i ka paguar me rregull, ashtu që projekti, me kënaqësi të dyanshme është përfunduar me sukses. Akoma mbetet borxhi i pa paguar nga ana e firmës ASCOM Group tek KIG sh.a.”, sqaron ai.

I indinjuar me faktin se kompania që ai e drejton nuk ka arritur t’i marrë të gjitha paratë që i takojnë sipas kontratës me MPB-në, dhe pas, siç thotë ai, premtimeve boshe që ka marrë se do t’i paguhen të gjitha paratë, kompania sllovene ka iniciuar procedurë gjyqësore, por deri më sot lënda e tyre nuk është trajtuar nga gjyqësori kosovar.

“Sikundër premtimeve boshe, sot e kësaj dite pagesa nuk është përmbyllur. Në afatin ligjor, në vitin 2011, përmes zyrës së avokatëve në Prishtinë kemi deponuar padinë, por, mjerisht, procedura fare nuk është filluar. Shpresojmë dhe presim, që përmes rrugës gjyqësore do të vijmë deri tek pagesa e llogarive të pa përmbyllura kundrejt firmës KIG sh.a, nga ana e kompanisë ASCOM Group”, nënvizon ai.

Rasti me sllovenët ishte test për austriakët

Në fakt, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas burimeve të gazetës brenda këtij dikasteri, janë të informuar në detaje për çështjen në fjalë, por drejtuesit MPB-së nuk ua kanë “vënë veshin” sllovenëve sikurse austriakëve (OeSD-së).

“Kjo që ka ndodhur me sllovenët ka qenë test se si të veprohet me austriakët, thjesht është testuar se si po funksionon marrja e ryshfetit nëpërmjet nënkontraktuesve. Kur kjo ka rezultuar me sukses dhe sllovenët gati sa janë dorëzuar, atëherë e njëjta gjë është bërë me OeSD-në”, thotë burimi i gazetës.

Ai madje tregon se për të heshtur borxhin ndaj kompanisë sllovene dhe për ta heshtur skandalin e mundshëm, drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë dërguar zyrtarë të lartë të kësaj ministrie në Slloveni për t’u takuar me drejtuesit e kompanisë në fjalë.

“Me urdhër të sekretarit Ilhami Gashi kanë shkuar në Slloveni dy zyrtarët tanë (MPB). Që të dy iu kanë thënë drejtuesve të kompanisë sllovene që të heshtin se për këtë heshtje do të shpërblehen me vazhdim të kontratës, por kjo nuk është bërë dhe tenderin e ri për targa e ka fituar një kompani tjetër”, ka thënë ky zyrtar i MPB-së.

Sipas tij, për t’ia arritur që t’ia ndalin një shumë të konsiderueshme të parave, zyrtarët e MPB-së e kanë obliguar që të lidhet me një nënkontrator të caktuar, përkatësisht me ASCOM Group dhe më pas, i janë “avulluar” paratë, ndërsa më pas kompania sllovene është detyruar që të krijojë përfaqësuesin në Prishtinë.


Bllokohet furnizimi me targa për shkak të korrupsionit

Gjatë verës së vitit të kaluar, dikasteret përkatëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme që merren me regjistrimin e automjeteve janë përballur me mungesë të targave, gjë që ka bërë që shumë qytetar të presin me javë për t’i regjistruar automjetet.

Sipas burimit të gazetës, kjo gjë është ndërlidhur ngushtë me “avullimin” e mbi 200 mijë eurove, ngase duke e bllokuar furnizimin me targa, drejtuesit e “KIG” sh.a. kanë pretenduar që t’i bëjnë presion MPB-së që t’ua transferojë paratë në xhirollogarinë e tyre.

“Një pjesë të mirë të parave MPB-ja i ka deponuar në xhirollogarinë e nënkontraktorit të kompanisë sllovene pak para Vitit të Ri 2010. Është rregull ligjor që fillimisht merret malli pastaj bëhet pagesa, por në MPB nuk e kanë përfillur këtë. Ato para pastaj nuk kanë shkuar në Slloveni edhe sllovenët e patën bllokuar furnizimin me targa. Pas kësaj kanë shkuar dy zyrtarë të MPB-së A. F. dhe B. C. në Slloveni, e pastaj u patë zhbllokuar bllokimi i targave”, tregon ai.

Sllovenët, në fakt janë ndarë të pakënaqur edhe nga tenderi i fundit për furnizim me targa të automjeteve, ngase, sipas tyre, ka pasur shumë shkelje të ligjit gjatë përzgjedhjes së kompanisë që tashmë i prodhon targat, ndërsa atyre u është bërë e padrejtë.

Drejtori i kompanisë “KIG” sh.a., Vojko Krashevec, thotë se stafi i kësaj kompanie ka vlerësuar se konstatuar se kompania e përzgjedhur nga zyrtarët e MPB-së për t’i prodhuar pasaportat për tri vitet e ardhshme nuk është e plotë dhe ka shumë mangësi.

“Në lidhje me këtë, kemi deponuar ankesën e argumentuar e cila pa asnjë bazë është refuzuar. Ankesën e kemi deponuar edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit, opinionet tona i kemi sqaruar edhe në rastin e dëgjimit. Për habinë tonë, ankesa jonë është refuzuar, ashtu që vendimmarrja e Ministrisë së Punëve të Brendshme është bërë e plotëfuqishme”, thotë ai.


Hesht MPB-ja!

Gazeta “Zëri” të shtunën ka bërë përpjekje që të kontaktojë me drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për të marrë qëndrimin e tyre zyrtar rreth “avullimit” të mbi 200 mijë eurove, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

Nëpërmjet SMS-së për çështjen në fjalë është informuar ministri Bajram Rexhepi, por ai nuk është prononcuar. “Interesohu te sekretari permanent, ai e menaxhon buxhetin, jo unë”, ka thënë shkurt ai.

Ndërkaq, sekretari Ilhami Gashi, edhe pse është informuar, gjithashtu nëpërmjet SMS-së, nuk është përgjigjur fare interesimit të gazetës, ndërsa më vonë në telefoni i tij nuk ka pasur qasje në rrjet.



Zëri Info
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi