Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Nesër aktgjykimi për “Bllaca II"

Shko poshtë

Nesër aktgjykimi për “Bllaca II" Empty Nesër aktgjykimi për “Bllaca II"

Mesazh nga Agim Gashi Sun Dec 16, 2012 9:08 pm

Nesër aktgjykimi për “Bllaca II"


Nesër aktgjykimi për “Bllaca II" Largea_bllaca161355678007
Në pritje të aktgjykimit të rastit të njohur si Bllaca II që është paralajmëruar për të hënën pasdite, i dëmtuari Ismet Arifi i tha gjykatës se “ekziston më shumë se dyshimi i bazuar” se pesë të pandehurit, “në krye me Shpresim Ukën” e kishin sulmuar në banesën e tij duke ia rrezikuar jetën atij, gruas dhe djalit të mitur.

Në objektin e Gjykatës Komunale në Prishtinë, u mbajt seanca e fundit në çështjen e njohur si Bllaca II, ku si të pandehur janë Shpresim Uka, Shaban Syla, Bekim Syla, Driton Hajdari dhe Sadik Abazi.

Pas gati një viti, shumë seancave të mbajtura dhe dëgjimit të shumë dëshmitarëve, gjykata kishte pranuar me shkrim fjalët përfundimtare të prokurores Emma Rizzato dhe mbrojtësve të të pandehurve.

Kolegji i gjykatësve u dha mundësi prokurores dhe mbrojtjes që t’i përgjigjen njëri-tjetrit në atë që kishin thënë ose të shtonin diçka që kishin harruar në fjalët e tyre.

Në seancë ishte edhe i dëmtuari Ismet Arifi, të cilit po ashtu iu dha fjala përfundimtare menjëherë sapo prokurorja e përfundoi atë.

Arifi tha se me shumë vëmendje i kishte ndjekur seancat e po ashtu edhe deklarimet e dëshmitarit Nazim Bllaca.

“Gjykatë, ekziston më shumë se dyshimi i bazuar se këta të pandehur në krye me Shpresim Ukën, që më sulmuan në banesën time, ma rrezikuan jetën mua, gruas time dhe djalit tim i cili ishte i mitur në atë kohë”, tha Arifi.

“Këta persona më sulmuan fizikisht dhe me armë zjarri. Shpresim Uka është personi kyç që e ka organizuar këtë grup...duke caktuar Fahredin Gashin si roje tek dera e banesës, Sadik Abazin, Driton Hajdarin dhe Bekim Sylën që të vinë tek dera e banesës sime. Shpresim Uka dhe Nazim Bllaca ishin pozicionuar në pushimoren e shkallëve”, tha Ismet Arifi, i dëmtuari në këtë rast.

Arifi pati edhe propozime për gjykatën. Fillimisht kërkoi që të pandehurit të dënohen pasi të nxirren të gjitha provat. Ai kërkoi edhe paraburgimin e të pandehurve deri kur të nxirret aktgjykimi.

Më tutje mbrojtësit e të pandehurve i shtuan edhe disa fjalë mbrojtjes së tyre. Fillimisht avokati Hilmi Zhitia, argumentoi ligjin më të favorshëm për palët. Pati një reagim nga të pandehurit dhe familjarët e tyre, mirëpo u ndërprenë nga kryetari i kolegjit.

Avokati Zhitia, kërkoi edhe një herë pafajësinë e të mbrojturit të tij. Atë e kërkoi edhe Iliaz Kadolli po për Sadik Abazin. Ai shtoi se sot priste që prokurorja do të hiqte dorë nga ndjekja penale për Sadik Abazin. Po ashtu avokati Kadolli filloi të tregonte edhe Nasradinin (heroin e shkave popullore), por u ndërpre nga kryetari i kolegjit, duke i thënë se “ai (Nasradini) nuk ka qenë në këtë çështje dhe nuk di çfarë ka ndodhur”.

Avokati Ramiz Krasniqi, mbrojtësi i Driton Hajdarit, tha se “nuk është obligim për gjykatën që ta aprovojë aktakuzën e prokurores” dhe në fjalën e saj përfundimtare prokurorja “ka përdorur me shumë një gjuhë letrare sesa një gjuhë juridike”. Këto fjalë i mbështeti edhe avokati Ali Beka.

Avokatja e Shpresim Ukës, Fehmije Bytyqi, tha se Nazim Bllaca e ka akuzuar Shpresim Ukën për ta lidhur atë me Azem Sylën duke e quajtur si dhëndër të Azem Sylës.

“Nazim Bllaca, para trupit gjykues e as para prokurores në asnjë deklaratë nuk ka arritur të tregojë se kënd e ka vrarë ai, edhe pse ai thotë se mban mend shumë”, vazhdoi avokatja.

Ajo u mor edhe më me deklarimin e të dëmtuarit në seancë. Sipas saj, i dëmtuari gjatë kohës sa ishte nën betim nuk kishte bërë asnjë nga këto deklarime, ndërsa atë ditë e akuzonte drejtpërdrejt Shpresim Ukën. Ajo kujtoi edhe deklarimin e Arifit “edhe po të jenë 1000 veta unë do ta njihja Shpresim Ukën”.

Avokati Haxhi Millaku, i cili e kishte dorëzuar fjalën më të shkurtër përfundimtare, u mundua që ta thotë atë në seancë por u ndërpre nga kryetari i kolegjit pasi që, sipas kryetarit, marrëveshja ka qenë që të gjithë ato që kanë do t’i dorëzojnë me shkrim ndërsa Millaku e kishte dorëzuar shumë të shkurtër e kjo nuk ishte faji i gjykatës.

Pas kësaj, avokati Millaku u desh të ulej dhe të mësonte të mbrojturin e tij se çfarë të thoshte në fjalën e tij.

Edhe të pandehurit u deklaruan në fjalët e tyre si të pafajshëm dhe kërkuan drejtësinë nga kolegji. Ata të gjithë thanë se nuk duhet t’i besohet Nazim Bllacës.

Shaban Syla, njëri nga të pandehurit, tha se “Nazim Bllaca nuk është një vrasës”. “Ai është një mashtrues, se po të ishte vrasës do të më vriste mua të parin”, tha Syla.

Shpallja e aktgjykimit në këtë çështje do të bëhet të hënën në orën 14.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi