Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Ditë të këqija për rajonin

Shko poshtë

Ditë të këqija për rajonin Empty Ditë të këqija për rajonin

Mesazh nga Agim Gashi Sun Apr 26, 2009 11:57 pm

Ditë të këqija për rajonin
Sipas një analize të Bankës Botwrore, Europa juglindore dhe Azia Qendrore do të jenë pjesët më të goditura prej krizës globale financiare nëpër të cilën po kalon bota.

Nga OpEd - Të Tjerë më 26.04.2009 në ora 15:24

Pas një dekade të mirëqenies, rritës së madhe ekonomike dhe zbutjes së varfërisë, vendet e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore tashmë po shohin se kriza globale ekonomike e financiare po kthen sërish në varfëri dhe lëndueshmëri afër 35 milionë njerëz ose rreth një të tretën e njerëzve që ia kishin dalë t’i shpëtojnë asaj gjatë dhjetë vjetëve të fundit, thanë sot përfaqësuesit e Bankës Botërore në përmbledhjen e rregullt mbi ekonomitë rajonale në Takimet Pranverore të Bankës Botërore/FMN-së.

Afër 90 milionë nga 480 milionë njerëz sa ka Rajoni – rreth 18 % e popullsisë – kanë mposhtur varfërinë dhe gjendjen e rëndë që nga viti 1999. Por këto të arritura janë në rrezik si pasojë e krizës financiare. Sot, rreth 40 % e 480 milionë njerëzve ende konsiderohen të varfër ose në gjendje të rëndë. Por numri i njerëzve të varfër dhe të rrezikuar pritet të rritet nëpër Rajon, duke shtuar numrin për 5 milionë njerëz për çdo 1 përqind rënie në GDP. Deri në fund të vitit 2009, varfëria dhe gjendja e rëndë priten të rriten për 5 përqind, që nënkupton rreth 25 milionë njerëz më të varfër dhe në gjendje të rëndë. Dhe kjo shifër do të rritet edhe për 10 milionë të tjerë duke çuar te një numër i përgjithshëm prej 35 milionë njerëzve deri në fund të vitit 2010.

“Një krizë njerëzore është duke kërcënuar Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore”, tha Shigeo Katsu, nënkryetar i Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore. “Brenda 10 muajve të krizës, vendet kanë filluar të humbasin përfitimet e arritura gjatë 10 vjetëve të fundit. Deri në fund të vitit 2010, për fat të keq ne mund të shohim edhe 35 milionë njerëz duke u gllabëruar sërish nga kurthi i varfërisë dhe rrezikshmërisë. Kjo është një krizë njerëzore që po mbetet thuajse e pavërejtur nga diskutimet për “krizën globale financiare dhe ekonomik”.”

Evropa dhe Azia Qendrore preken më së keqi


Shume vende të Evropës dhe Azisë Qendrore janë futur në krizë në një pozitë shumë të pafavorshme. Deficiti relativisht i lartë nëpër llogaritë aktuale, ngritja e nivelit të borxheve të jashtme, rritja shumë rapide e kredive dhe një shpërthim konsumues i financuar nga kredimarrjet e huaja kanë shkaktuar rrezikshmëri në Evropën Qendrore dhe Lindore, në vendet baltike, dhe disa pjesë të Komonueltit të shteteve të pavarura (CIS). Në anën tjetër, rëniet drastike në çmimet e produkteve kanë shpënë te rritja ekonomike e prodhueseve gjigantë në pjesën lindore të Rajonit (p.sh., Rusi dhe Kazakstan) që ka çuar te një ndërprerje e menjëhershme dhe goditje e fuqishme tek rajonet më pak të pasura të shteteve të CIS.

Për këto arsye vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore tash për tash janë goditur mjaft herët dhe me një fuqi më të madhe sesa rajonet e tjera në zhvillim. Në veçanti, efektet e krizës po ndihen përmes tre mekanizmave kyç të transmisioneve – tregjeve financiare, prodhuese dhe të punës. Në sektorin financiar, rreziqet e përshtatjes së kredive për vendet që tashmë kanë deficit të lartë në llogari dhe paqëndrueshmëri në tregjet e këmbimeve të huaja kanë krijuar një mjedis shumë të pasigurt. Prodhimet industriale kanë rënë ku disa vende kanë përjetuar rënie dyshifrore në fillim të vitit 2009 krahasuar me një vit më herët. Papunësia është në rritje e sipër me humbje të paparashikuara të vendeve të punës në disa vende dhe me të tjerat që do të përballen me shkallë dyshifrore të
papunësisë në të ardhmen e afërt. Ky është sidomos lajm i hidhur për vendet që varen nga remitencat (p.sh., Shqipëria, Moldavia, Taxhikistani). P.sh., simulimet për Taxhikistan tregojnë se pritet një rënie prej 30 përqind në dërgimin e parave nga jashtë që do të shpinte te një rritje prej 5 % e njerëzve që jetojnë në varfëri.

Çfarë mund të presë Rajoni

Dekada e fundit ka qenë e mirë për Rajonin. Të ndihmuar nga tregtia ndërkombëtare dhe nga rrjedhat financiare dhe të fuqisë punëtore, GDP-ja rajonale është rritur për dy të tretat e nivelit të saj në vitin 2000. Por kjo rritje tashmë është dëshmuar si e paqëndrueshme. Rënia në prodhim ka marrë përmasa katastrofike. Parashikimet për rritje ekonomike globale në vitin 2009 kanë rënë me të madhe, me përshtatjet më të rrepta në rritën e vendeve të Evropës dhe Azisë Qendrore. Por bazuar në përvojën, këto parashikime mund prapë të jenë shumë optimiste. Dhe duke shfrytëzuar supozime të arsyeshme për kreditë e huaja dhe rrjedhën e investimeve, hendeku i mundshëm financiar në Rajon mund të sillet rreth $300 miliardë.

“Kjo do të jetë krizë më e thellë se që pritej dhe parashikimet për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore mund të jenë shumë optimiste,” tha Indermit Gill, Ekonomist i Lartë i Bankës Botërore për Evropë dhe Azinë Qendrore. “Krizat nga e kaluara tregojnë se rrjedhat e kapitalit nuk mund të kthehen lehtë në nivelet që kanë qenë para krizës – kështu që përshtatjet e nevojshme tashmë janë shumë më të mëdha se sa që janë pritur. Dhe mund të presim që pas kësaj krize, Rajoni më nuk do të jetë i njëjtë, - shkalla e rritës ekonomike pas krizës ka të ngjarë të jetë më e ultë se shkalla e rritës para krizës.”

Çfarë duhet të bëhet

“Duke u përqendruar në ruajtjen e vendeve të punës, mbrojtjen e njerëzve dhe stabilizimin e sektorit financiar, vendet mund të zbusin ndikimin e krizës dhe të sigurohen se janë në një pozitë më të mirë për t’u ngritur më pastaj” tha Katsu.

Veprimet e politikave sociale duhet të jenë prioritet për Rajonin. Në shumë vende të Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore, dy vjet të rritjes së çmimeve të ushqimit, kostos së lartë të energjisë dhe të rënies ekonomike globale janë kombinuar me tronditje të tjera si katastrofa natyrore dhe mungesën e stabilitetit politik. Ndikimet e këtyre krizave po i pakësojnë të hyrat qeveritare gjë që ndikon te shpenzimet sociale dhe sistemet pensionale, me gjithë rritjen e nevojës për punë dhe asistencë.

Është e nevojshme të mbahen kanalet e tregut të hapura, por kjo nuk mjafton. Shumica e vendeve të Evropës dhe Azisë Qendrore shpenzojnë shuma të mëdha për mbrojtje sociale, dhe kanë mekanizmat e nevojshëm për të orientuar sa më mirë asistencën për të varfrit dhe të rrezikuarit. Programet e asistencës sociale dhe të punësimit në Evropë dhe Azinë Qendrore mund të shërbejnë si pjesë përbërëse e mekanizmit për reagim ndaj krizës, duke u zgjeruaruar për të ndihmuar familjet me të hyra të ulëta për të përballuar konsumin dhe për të zbutur ndikimin negativ të tronditjeve. Buxhetet e tyre, krahas atyre për shkollim elementar dhe shërbime shëndetësore, duhet të mbrohen dhe të rriten për të shfrytëzuar këtë potencial.

“Është qartazi e domosdoshme për qeveritë e Rajonit të përmbushin nevojat urgjente dhe imediate të qytetarëve të tyre,” tha Katsu. “Programe tw rrjetës mbrojtëwse – programe për shujta në shkolla, ushqim, projekte për transferimin e të hollave me kusht, para të thata për punë – janë të rëndësishme jo vetëm në kohë të krizave, por edhe në afat më të gjatë ato ndihmojnë mbrojtjen e të varfërve dhe u mundësojnë qeverive të shmangin politika të tjera më të kushtueshme dhe më pak efikase. Dhe nëse programet janë të përqendruara mirë, juve nuk u duhen shuma të mëdha për të mbrojtur të varfrit. Kostoja e tyre – më pak se një përqind e GDP – mund të kryejë punë të madhe dhe është një çmim i vogël për ta paguar.”

Përderisa shpenzimet për stimulime fiskale mund të jenë të mundshme në disa ekonomi, opsionet për politika fiskale për disa vende të Evropës dhe Azisë Qendrore gjatë kohës së krizës janë të kufizuara. Mbajtja e kanaleve tregtare të hapura, të cilat kanë sjellë prosperitet në Rajon gjatë dekadës së fundit, është rruga më premtuese përpara për vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore për të përfituar nga programet për stimulime financiare që aplikohen në ekonomitë e zhvilluara.

Dhe në fund, një sfidë kyçe mbetet stabilizimi i sektorit financiar – burimi i parë i krizës financiare globale. Ruajtja e lidhjeve të fuqishme me tregjet kapitale është mënyra e vetme për vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore të financojnë disa nga nevojat e tyre financiare. Sistemet bankare duhet të stabilizohen. Përderisa shtrirja e problemit mbetet e gjerë, Grupi i Bankës Botërore në partneritet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe Bankën Evropiane për Investime (EIB) kanë ndërmarrë një nismë prej 31 miliardë dollarësh amerikanë për të mbështetur rikapitalizimin dhe ristrukturimin e bankave me qëllim të ofrimit të burimeve për institucionet e goditura nga kriza ekonomike globale, për të plotësuar reagimet nacionale ndaj krizës dhe për të shpërndarë asistencë financiare në shkallë të gjerë dhe në mënyrë të shpejtë e të bashkërenduar për të mbështetur kredi-dhënien te ekonomia reale përmes grupeve bankare private, në veçanti te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi