Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Don Lush GJERGJI:E LUMJA NËNA TEREZE, SHENJTËRESHË APO... ?

Shko poshtë

Don Lush GJERGJI:E LUMJA NËNA TEREZE,  SHENJTËRESHË APO... ? Empty Don Lush GJERGJI:E LUMJA NËNA TEREZE, SHENJTËRESHË APO... ?

Mesazh nga Agim Gashi Sat Mar 09, 2013 12:24 am


E LUMJA NËNA TEREZE, SHENJTËRESHË APO... ?
Don Lush GJERGJI:E LUMJA NËNA TEREZE,  SHENJTËRESHË APO... ? Don-Lush-Gjergji

Nga Don Lush GJERGJI

Gjatë jetës dhe veprimtarisë së bujshme të së Lumes Nënës Tereze, pati shqyrtime, vrojtime, vlerësime të ndryshme, por me një theksim te tiparet e përbashkët, që mund t’i shprehim edhe kështu: mahnitja, nderimi, falënderimi ndaj flijimit të saj, në të mirë dhe në dobi të të varfërve ndër më të varfër, të të sëmurëve ndër më të sëmurë, të të gërbulurve, të atyre që ishin në buzë të vdekjes, në mbrojtje të jetës njerëzore kudo që ajo ishte në rrezik.
Këtë e kishte thënë dhe zbatuar me shumë përpikëri dhe dashuri Nëna Tereze me këtë parim: “Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne”.
Mirëpo, aty-këtu kishte edhe “zëra” të tillë, të cilët jetën dhe veprën e saj, por edhe të rregujve që ajo kishte themeluar, edhe më gjerë, të Kishës Katolike, si dhe organizatave joqeveritare bamirëse, e shikonin dhe vlerësonin me “sy kritikë”.
Ndër ta, pa dyshim dallohet CHRISTOPHER HITCHENES (1949-2011), me shkrime, botime dhe intervista radio-televizive, i cili kryekëput Nënën Tereze, por edhe Papën Gjon Pali II, Benedikti XVI, Kishën Katolike e sulmonte me çdo mjet dhe mënyrë.
Unë kam lexuar pothuaj të gjitha shkrimet e tija kundër Nënës Tereze, të cilat mund të përmblidhen në disa pika.
1. Sipas tij Nëna Tereze ishte “jo mike e të varfërve, por më tepër e varfërisë...”.
2. “Ajo e lavdëronte varfërinë, sëmundjen, vuajtjen si dhurata prej së Larti dhe u thoshte të varfërve që t’i pranonin ato dhurata me gëzim dhe në përgjasim me Jezu Krishtin e kryqëzuar dhe të ngjallur...”.
3. Nëna Tereze dhe motrat e saja “Misionaret e Dashurisë” ishin “pak profesioniste në shërbimin, mjekimin dhe shërimin e të sëmurëve dhe nevojtarëve, nëpër spitale, klinika, strehimore...”.
4. “Qëndrimi i saj antiabortist dhe antidivorcist, paraqiste mendimin dhe qëndrimin e Kishës Katolike dhe të Papës lidhur me abortin dhe shkurorëzimet...”.
5. “Nëna Tereze kishte mbledhur para, mjete financiare edhe nga personat apo institucione e “dyshuara”, pa pyetur për prejardhjen e tyre, si p. sh. diktatori i Haitit Duvalieri, ose CharlesKeating... Ku kanë shkuar gjithë ato para, nëse jo në Bankat e Vatikanit dhe të Kishës Katolike, apo nëpër organizata që ajo i kishte themeluar dhe i kontrollonte?...”.
6. “Nëna Tereze nuk i ka zgjedhur hallet e të varfërve, çështjet shoqërore të botës bashkëkohore, sepse gjendja vazhdon të jetë e rëndë dhe për shumë edhe e pashpresë...”.
7. “Nëna Tereze ishte mjekuar nëpër klinika të njohura dhe luksoze në botë..., edhe pse të varfëritë nuk e kanë këtë mundësi...”.
8. “Nëna Tereze ka ndërtuar shumë kuvende rregulltare, strehimore, më pak shkolla dhe spitale, klinika, që do të ishin më të dobishme për nevojtarë...”.
9. “Ajo ishte fanatike katolike dhe shpesh i kovertonte pa dije, ndoshta edhe me dhunë njerëzit në fenë e krishterë..., me një lloj prozelitizmi të dëmshëm...”.
10. “Ajo është përfaqësuesja më e njohur e Kishës Katolike, Gruaja më e popullarizuar e shekullit XX, dhe këtë e ka shfrytëzuar në çdo vend dhe hap, duke pasur edhe shumë privilegje, takime me njerëz të shquar dhe të dalluar, me privilegje në udhëtime dhe fluturime...”.
Don Lush GJERGJI:E LUMJA NËNA TEREZE,  SHENJTËRESHË APO... ? Nene-TerezaKëto dhjetë pika ishin “sulmi dhe kritika” kryesore e Christopher Hitchnes-it kundër së Lumes Nënës Tereze, të cilat pastaj aty-këtu përsëriten, përpunohen, plasohen edhe ditëve tona në mjetet pamoro-dëgjimore ndërkombëtare, aty-këtu edhe shqiptare..
Unë, asnjë herë nuk jam përgjigjur në këto akuza, sepse më duket së paku të cekta, qëllimkeqe, të pabaza, shpesh edhe trillime të një mendjeje të ngarkuar dhe urrejtëse, armiqësore ndaj fesë, në veçanti ndaj krishterimit, Kishës Katolike, prandaj edhe ndaj Nënës Tereze.
Kjo gjë më duket edhe më e vështirë tash, pas vdekjes së tij, që ka ndodhur më 15 dhjetor 2011, pas vuajtjes dhe sëmundjes së rëndë të kancerit. Vite të tëra ishte shumë i lodhur dhe i mërzitur, deri edhe i dëshpruar nga jeta dhe veprimtari. Dy herë i martuar dhe i shkurorëzuar, njeri alkoolist i mvarur, pirës i duhanit dhe konsumues i drogës.
Ja vetëm një fjali e tij, që na ndihmon ta kuptojmë gjendjen e tij psiqike dhe shpirtërore: “Kam vendosur të sillem në këtë mënyrë, sepse kështu më pak mërzitem, njerëzit nuk më mërzisin si më parë... Nuk besoj në asgjë përpos në shkencë dhe në komunizëm...” thoshte ai.
Megjithatë ja përgjigjia ime sipas ndërgjegjes dhe bindjes, sipas njohurive dhe shoqërisë time afro 30 vjeçare me Nënën Tereze, sipas asaj çka kam arritur të kuptoj dhe mësoj lidhur me të, që kam trajtuar dhe shpaluar nëpërmjet 15 botimeve që ia kam kushtuar asaj dhe të cilët janë të përkthyera në shumë gjuhë evropiane dhe botërore..
1. Nëna Tereze ishte mike e pashoqe e të varfërve, të mjerëve, të pashpresëve, të gjithë atyre që vuanin në trup apo në shpirt. Ajo me dashurinë e saj vepruese e ka gjetur “mjekimin” apo “barin” kundër çdo sëmundjeje: DASHURINË FLIJUESE DHE DHURUESE . Kuptohet, në trajtimin e tyre, ajo ua kishte dhënë vetveten, jetën, dashurinë, ua kishte kthyer shpresën. Ky aspekt cekej në analizat e saja kur thoshte, p. sh. “Asnjë sëmundje, as gërbula, nuk mund ta shëmtojnë njeriun, që unë mos të njoh në ata vëllaun apo motrën time, edhe më tepër, vetë Jezu Krishtin...Asnjë i gërbulur apo njeri në buzë të vdekjes, nuk ka vdekur i dëshpëruar. Kanë jetuar si kafshë apo bishë, kanë vdekur si engjëj, me kujdes dhe dashuri...”. Kjo, në asnjë mënyrë nuk domethënë se Nëna Tereze “ishte më tepër mike e varfërisë se e të varfërve”.
2. Christopher Hitchnes, si hebrenj, ateist, komunist, antikrishterë, apo si e kanë definuar disa mjaft mirë “si një fundamentalist reakcionist”, nuk e shihte botëkuptimin fetar dhe të krishterë në trajtimin e sëmundjes, gërbulës, varfërisë, vdekjes. Në “optikën e zezë” të tij dhe tejet pesimiste, nuk e duronte askënd, as vëllaun e tij të vogël, që është i krishterë i bindur, as Nënën Tereze, e cila mendonte, jetonte dhe vepronte ndryshe prej atij, as Papën Gjon Pali II për të cilin pa turp thoshte “se erdhi tepër vonë dhe jetoi shumë gjatë”.
3. Një ndër pikat kryesore të fesë së krishterë është pranimi i vuajtjes, sprovës, vështirësisë, “kryqit” me fe dhe dashuri, ashtu si na mëson dhe ka vepruar vetë Jezu Krishti, i cili lirisht, vullnetarisht, me dashuri ka pësuar dhe vdekur në kryq për ne, për çdo njeri, për ta dëshmuar dhe dhuruar jetën e re, ngjalljen, shëlbimin. Pa këtë fe dhe dashuri, Nëna Tereze s’kishte pasur mundësi as 24 orë të jetonte dhe vepronte në mesin e të gërbulurve, të atyre që janë në buzë të vdekjes, të varfërisë dhe mjerimit të paparë në Kalkutë, në Indi, në botë. Shumë njerëz s’kanë fuqi as t’i shohin me sy, jo më t’i prekin me dorë dhe zemër njerëzit e tillë, edhe më pak të jetojnë dhe veprojnë në mesin e tyre, siç ka bërë Nëna Tereze dhe vazhdojnë guximisht “Misionaret e Dashurisë”. Pa fe dhe dashuri, jeta dhe veprimtaria e Nënës Tereze dhe motrave të saja, do të ishte një çmenduri në rrethana të tilla.
4. “Pak profesioniste”..., më tepër humaniste...Ja përgjigjja e Nënës Tereze: “Njeriu ka etje dhe nevojë për bukë, ushqim, veshmbathje, barna, mbi të gjitha për dashuri. Sëmundja më e rëndë nuk është gërbula, kanceri, por vetmia, mungesa e dashurisë... Të sëmurët kanë nevojë për barna, mjekime, por edhe më shumë për kujdesin dhe dashurinë tonë... Preke të gërbulunin me zemër!”.
Don Lush GJERGJI:E LUMJA NËNA TEREZE,  SHENJTËRESHË APO... ? Nene-Tereza35. Antiabortizmi dhe antidivorcizmi i Nënës Tereze buron nga feja e krishterë, është në mbrojtje të jetës së palindur dhe të familjes së shpartalluar. “Rreziku më i madh për paqe në botë është aborti, vrasja e fëmijëve të palindur dhe të pambrojtur... Nëse nëna e vret fëmijën e vet, pse të mrekullohemi që luftojnë kundër njri-tjetrit popujt, shtetet, sistemet...” tha në Oslo më 10 dhjetor 1979 Nëna Tereze.
6. Nëna Tereze nuk merrej kurrë me thashetheme, me hulumtime të njerëzve apo pasurive të tyre. Ajo i kishte afruar dhe miqësuar botën e të varfërve dhe të të pasurve në këtë mënyre: “Të varfëritë u dhurojnë më shumë, nderimin dhe falënderimin e tyre. Ata iu bëjnë të lumtur, nëse ju e jepni një pjesë të pasurisë tuaj, nëpërmjet saj vetveten. Jepe pjesën më të mirë të vetvetes – DASHURINË...”.
7. Akuza se Nëna Tereze nuk i ka zgjedhur çështje shoqërore të botës bashkëkohore, vërtet është shumë e çuditshme dhe qëllimkeqe, sepse ajo kurrë nuk ka menduar apo pretenduar një gjë të tillë, por me shumë thjeshtësi dhe përvuajtëri thoshte: “Unë jam vetëm një pikë në oqean. Mirëpo oqeani pa këtë pikë do të ishte i mangët. Varfërinë nuk e ka krijuar Zoti, por ne. Ne të gjithë jemi të varfër para Zotit...”.Mëposhtja e varfërisë në botë kërkon shumë punë dhe bashkëpunim ndërkombëtar dhe botëror, është një proces tejet i gjatë dhe shumë i vështirë, sidomos tash kur ekonomia botërore është në recesion.
8. Mjekimi i Nënës Tereze nëpër klinika të njohura dhe luksoze, kurrë s’ka qenë dëshira, kërkesa, përcaktimi i saj. E kundërta. Motrat dhe miqtë e saj shpesh e kanë “detyruar”, mos të thek se e kanë “bartë” në spitale dhe klinika të tilla për ndonjë kontrollim apo mjekim. Ajo ka jetuar si e varfëria ndër me të varfër, me këtë logjikë: “Të varfëritë janë të tillë, sepse i kanë detyruar rrethanat, jeta. Ne jemi të varfëria vullnetarisht dhe lirisht për dy arsye: për dashuri që kemi për Zotin dhe për të varfëritë...”.
9. Nëna Tereze kurrë nuk ka pasur fonde as për veti, as për motrat dhe rregujt e saj, por ka jetuar si të varfëritë ndër më të varfër. Edhe kur e mori Shpërblimin Nobel për Paqe në Osllo, më 10 dhjetor 1979, bankat norvegjeze i ofruan kamata të larta nëse ajo do të kursente dhe afatizonte mjetet në bankat e tyre. Përgjigjja e saj ishte e qartë dhe e vendosur: “Kur të varfëritë e mi do të kenë xhirollogari bankare, atëherë edhe unë, ne do t’i kemi... Unë me këtë Shpërblim do ta ndërtoj “Qytetin e Haresë” për të gërbulurë të Kalkutës dhe të rrethit... Ne jetojmë plotësisht të mvarura nga Provania e Zotit dhe bamirësia e njerëzve...”.
10. “Fanatike – katolike – proselite”, është fyerje e madhe për Nënën Tereze dhe jetën e saj në shërbim shembullor ndaj Zotit – Dashuri dhe Vëllaut – Njeri. E Lumja Nëna Tereze kurrë nuk ka themeluar ndonjë shkollë, spital, klinikë, strehimore katolike, por për Njeriun, pa asnjë dallim dhe përjashtim. Ajo është Misionarja e parë në 2000 vjet të krishterimit që s’kishte qëllim dhe veprim për konvertim, por vetëm për flijim, dhurim dhe dashuri. Ajo më pat thënë kështu: “Pasi e kuptova se Zoti është Dashuri, unë s’duhet të bëja më asgjë, përpos t’u dhuroja dhe dëshmoja njerëzve këtë Dashuri”. Është e njohur urata e saj, ku ndër të tjera thotë: “që induisti të jetë induis më i mirë..., myslimani të jetë mysliman më mirë..., i krishteri të jetë i krishterë më i mirë...”.
Ja, këto, ishin vetëm disa mendime dhe konstatime që ndoshta na ndihmojnë ta kuptojmë botën, jetën dhe veprimin e së Lumes Nënës Tereze. Ajo thoshte: “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim” dhe vazhdonte: “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.
E tillë ishte dhe është e Lumja Nëna jonë Tereze!


Prishtinë, 4 mars 2013
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi