Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Reshat Kripa:Disa vrejtje për mikun tim

Shko poshtë

Reshat Kripa:Disa vrejtje për mikun tim Empty Reshat Kripa:Disa vrejtje për mikun tim

Mesazh nga Agim Gashi Sun Aug 04, 2013 12:47 pm

Reshat Kripa:Disa vrejtje për mikun tim Reshat_kripa-225x300

Reshat Kripa:Disa vrejtje për mikun tim


Dëgjova këto ditë intervistën e një mikut tim, në një nga kanalet televizive të vendit. Miku im i përket asaj shtrese që për gati një gjysmë shekulli nuk pa veçse ditë të errëta. Një ish i burgosur politikë që kurrë nuk iu nënshtrua dhunës komuniste. Pasardhës i një personi naconalist të dëgjuar, që kishte dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në historinë e këtij vendi dhe që i kishte mbyllur ditët e fundit të jetës së tij në qelitë e errëta të burgut të Burrelit.
E dëgjova me interes intervistën e tij. Shpresoja të dëgjoja veten time në atë intervistë. Por kjo nuk ndodhi. Këtë e kuptova më vonë, kur në faqet e shtypit ultra të majtë, shikoja citate nga intervista e tij. Vini veshin! Shtypi ultra i majtë na qenka mahnitur me këtë intervistë dhe, për këtë, e ngrinte në qiell deklaratën dhe personalitetin e këtij të përndjekuri politikë. A thua kaq shumë i dashkan këta të përndjekurit politikë? Shumë shpejt qenkeni kthyer nga qabeja zotërinj! Do të desha të pyesja mikun tim: A mos vallë ke mbetur aq keq sa të arrish të marrësh lëvdata nga ata që të shkatërruan jetën, që doje të studioje dhe nuk të linin për të studiuar, doje të punoje dhe nuk të linin për të punuar, doje të jetoje dhe nuk të linin as për të jetuar. Në rast se këto nuk janë të vërteta atëherë, i dashur mik, më thuaj dhe unë jam gati t’ju kërkoj të falur.
Tani le të futemi në temë. Midis shumë gjërave, për të cilat ju kishit të drejtë, cituat, madje sulmuat, disa individë për të cilët, t’ju them sinqerisht, nuk më erdhi mirë. Në intervistën tuaj sulmuat kryetaren e një shoqate joqeveritare për faktin se nuk paska kërkuar ndjesë për atin e saj, sipas jush, agjent i Sigurimit të shtetit. Sulmuat dy analistë, që paskan qenë bashkëpunëtorë të këtij sigurimi. Së fundi sulmuat edhe një bashkëvuajtësin tuaj, tashmë të dekoruar nga Presidenti i Republikës, duke e quajtur atë spiun të komunizmit. Unë nuk dua t’i dal në krah askujt, pasi nuk kam asnjë të dhënë për secilin prej tyre por, duke u nisur nga intervista juaj, arrij në përfundimet e mëposhtme.
Lidhur me kryetaren e shoqatës jo qeveritare, ju deklaruat se babai i saj u paska dalë dëshmitar juve dhe të tjerëve në proceset e montuara. Në rast se kjo është e vërtetë, dhe këtë duhet ta vërtetojë ose jo e interesuara, atëherë, me të drejtë, ajo duhet t’ju kërkojë ndjesë. Për dy analistët, di se ata e kanë pranuar prej kohësh një gjë të tillë, madje ky ishte shkaku përse njeri prej tyre refuzoi propozimin e bërë për President i Republikës, pikërisht për këtë shkak. Unë mendoj se një gjest i tillë duhet përgëzuar dhe jo denigruar. Ky xhest tregon fisnikëri dhe jo harbutëri. Në rast se sot ushtrojnë të drejtën e profesionit të gazetarisë, unë mendoj se kjo është një e drejtë e tyre, qoftë edhe sikur të jetë e vërtetë ajo që thoni ju. Sa për bashkëvuajtësin tuaj, nuk ju dëgjuam të thoni asnjë fakt që ai paska qenë spiun, se cilin paska spiunuar, cilit i ka dalë dëshmitar në një seancë gjyqësore të montuar apo diçka tjetër të kësaj kategorie. Një gjë e tillë do ta kishte bërë deklaratën tuaj plotësisht të besueshme dhe detyrimisht do të kishte vënë në lëvizje edhe organizmat e tjera që merren më këto çështje. Në të kundërt ajo mbetet një shashkë e hedhur në erë.
Sido që të jetë më lejoni, i nderuar, t’ju përshkruaj, shkurtimisht, përmbajtjen e romanit tim, “Shkallët e Ferrit”, bazuar në një ngjarje të vërtetë, botuar në vitin 2008. Agron Canaj, biri i një dëshmori të luftës nacionalçlirimtare, inxhinier elektrik studiuar në Çekosllovaki, vihet para presionit të Sigurimit të Shtetit për të deponuar kundër dy shokëve të tij me prejardhje nga shtresa e përmbysur. Karakteri i tij nuk e lejon të pranojë një veprim të tillë. Presioni i Sigurimit të Shtett arrin deri aty sa të tentojë përdhunimin e gruas dhe vajzës 15 vjeçare, gjë që , më në fund e detyroi të nënshkruajë gjthshka donin ata. Më thoni, i nderuar mik, a do ta dënoni një njeri të tillë?
Edhe një rast tjetër. Diskutohej ligji mbi dëmshpërblimin financiar të të përndjekurve politikë. Midis neneve të projekt-ligjit ishte një pikë e nenit 6 që përjashtonte nga ky dëmshpërblim ata që kishin nënshkruar deklaratën e bashkëpunimit. Atëherë, bëra një shkrim që e botova në një nga gazetat e përditëshme. Në atë shkrim ngrija arsyet që i kishin detyruar një pjesë prej tyre për këtë nënshkrim. Sillja edhe rastin e përmendur në roman. Pas disa ditësh më vjen një letër anonime ku midis të tjerave shkruhej:
“Ju falënderoj për shkrimin tuaj dhe mendimet e shprehura në të. Unë jam një nga ata që përfshin neni 6. Vetëm unë e di se si isha i detyruar ta pranojë atë veprim të turpshëm. Mund edhe t’jua tregoj por më duket një justifikim i kotë . Ndaj po hesht. Qëndroj i vetmuar , me ndërgjegje të copëtuar, në strofkullën time, ku jetoj së bashku me familjen. Vetëm një gjë nuk di. Si do t’ua shpjegoj fëmijve të mi se përse nuk e përfitoj dëmshpërblimin? Kjo është brenga ime më e madhe.”
Kështu më shkruante i panjohuri. E lë në logjikën tuaj të mendoni se a ia vlen sot, pas njëzetetre vjetësh të hapen ato letra?
Këto ishin vrejtjet e mia për mikun tim. Nuk e di se si do t’i kuptojë ai. Unë vetëm dua t’i them se do të vazhdoj të jem miku i tij, se do ta respektoj gjithmonë ashtu siç e kam respektuar deri tani. Këto që kam shkruar, i kam bërë me të vetmin qëllim për t’i bërë të ditur se duhet të shkëputet nga pasionet e errëta ndaj bashkëvuajtësve të tij. Dua t’i bëjë të ditur, gjithashtu, se sot nuk është koha të sulmojmë njeri- tjetrin, qoftë edhe sikur ndonjeri të ketë shkarë në pellgun e së kaluarës. Mendoj se shigjetat tona duhet të drejtohen kundër atyre që shkatërruan jetën tonë, atyre që gatuan mynxyrën e këtij kombi. Të mos i harrojmë. Ata i gjen kudo. Disa kanë arritur edhe majat më të larta të politikës. Në këto kushte a ia vlen të merremi me njeri-tjetrin?
Mendoj se një zgjidhje e kësaj është ajo që kemi vite që e kërkojmë, hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, hapja e dosjeve të aparateve të Partisë dhe Komiteteve Ekzekutive, hapja e dosjeve të prokurorive, gjykatave dhe komiteteve të internim-dëbimit, hapja e dosjeve të organizatave të masave, rinisë, gruas, bashkimeve profesionale, këshillave popullore të lagjeve dhe rretheve. Mendoj se pa hapjen e tyre askush nuk ka të drejtë të përgojojë ndokënd. Por a do të hapen vallë? Gjithë vendet e Europës Lindore i kanë hapur me kohë. Vetëm ne, si në çdo gjë, jemi të fundit. A do të presim shumë. Nuk jam në gjendje të jap përgjigje. Po mundët, jepeni ju i dashur mik.

Kryetar i Shoqatës Antikomuniste
të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi