Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

REXHEP SHAHU:UÇK - PËRTËRITJA E EMRIT TË LIRISË

Shko poshtë

REXHEP SHAHU:UÇK - PËRTËRITJA E EMRIT TË LIRISË Empty REXHEP SHAHU:UÇK - PËRTËRITJA E EMRIT TË LIRISË

Mesazh nga Agim Gashi Tue Apr 08, 2014 11:32 pm

REXHEP SHAHU:UÇK - PËRTËRITJA E EMRIT TË LIRISË 1461153_1378994929014631_830282744_n

REXHEP SHAHU:UÇK - PËRTËRITJA E EMRIT TË LIRISË

Ishte fund nëntori 1997 kur po varrosej mësuesi shqiptar i vrarë nga serbët në Kosovë dita kur u shfaqen për herë të parë në publik me uniformat e tyre ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Gjashtëmbëdhjetë aksione të rëndësishme ishin marrë përsipër nga ky formacion deri në këtë ditë, por, pak kush, ose askush nuk dinte gjë për të. Nënshkrimi UÇK mbante brenda vetes njëherësh tmerrin për serbët dhe shpresën e madhe për shqiptarët. Duket se shqiptarët e rrahur e të “kindapuar” nuk do të rendnin më me vrap për të lajmëruar në KMDLNJ, nuk do t’i kthenin më policit serb faqen tjetër, nuk do të shpalleshin heronj nëpër çajtore se pësuan goditje prej policit në sytë e gruas dhe fëmijëve por, do të kishin ku të rreshtoheshin.
Pranvera e 1998-ës e UÇK-së duket se zgjoi më letargjikët. Mijëra masakra në Kosovë vetëm gjatë këtij shekulli. Kur filluan operacionet serbe në Prekaz të Poshtëm në fundjanarin e ’98-ës, kujtoja Përbregun e 1913-ës, ku sebët masakruan 384 banorë. Në Prekaz u thye ushtria serbe me armatim të rëndë dhe ne filloi të na drejtohej kurrizi nga pesha e harrimit, e tjetërsimit, e kotësisë, nga pesha e fitoreve hipërbolike në telat e çiftelisë e sharkisë.
Kosova, ndryshe nga herët e tjera, filloi të zërë vendin e parë në edicionet televizive, gazetave e radiove të botës. Ishte fundi i shkurtit ’98 kur serbët shkatërruan 80 shtëpi në Drenicë dhe deklaruan se “shkatërruan terroristët dhe bazat e tyre”, duke e qujtur operacionin e tyre të përfunduar dhe duke mashtruar vetveten.
Drenica, tempulli i qëndresës shqiptare, i dha kohës së re Adem Jasharin, që bëhet legjendë e gjallë kushtrimtare për shqiptarët.
Mjaft më me dy gishtat lart si me i kërkue leje botës indiferente që s’don probleme, me folë një fjalë... Mjaft më me ankesa qaramane para botës. Mjaft më zhburrërimit para fëmijëve dhe grave... Dhunës me dhunë. Le të ankohen një herë të tjerët për ne, le të ndëshkohen robëruesit. Nuk e pimë kafen nën gju...
Më në fund, shqiptarët që e patën ndërruar pushkën me sharkinë e çiftelinë, e rrokën sërish atë të detyruar prej egërsisë së zhgënjimeve, prej ironisë së pafund të të mëdhenjve, prej nxjerrjes së gjuhës nga të tjerët pas shpinës së tyre. Ata që nisën shkatërrimin e sajesës Jugosllavi mbeten me gisht në gojë sepse fitoret po i gëzonin të tjerët. Ndërsa serbët, me platformat e tyre antishqiptare, krahas thikës dhe unave të zjarrit, gusllen që prodhonte melodi veç kundër nesh s’e lëshuan nga dora. Erdhi koha që ne të pyesim me çudi : Vallë, a e kemi çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë ? A kemi patur ndonjëherë shpatë ndër duar ? A mos ajo (shpata) ishte lodër në duart e valltarëve, apo ka qenë prej gome shpata jonë e historisë? A kemi fituar ndonjëherë? Për ç’fitore flasim kur zotërojmë vetem çerekun e atdheut tonë? Nga sulmet e të tjerëve ikëm për t’u mbrojtur, po ku i lamë trojet shqiptare? U rrudhëm, u mpakëm e u bëmë sa një grusht (kurrë grusht). Na e morën Kosovën, Çamërinë, Ulqinin, Pollogun, pa guxuar ende të flasim as nën zë për trojet e tjera tonat. Çfarë do të na marrin tjetër...!?
Me be e rrufe, ia kemi mbushë mendjen vetes se luftëtarë trima si ne nuk ka. Dhe ishim gati të zhbënim çdo njeri që mendonte ndryshe dhe u zemëroheshim qortimeve të huaja që na thonin mbase edhe me idhtësi se, përpjekjet tona luftarake kanë zgjatur aq ditë sa u mjaftonte buka në trastë luftëtarëve...
Dashamirës të ndryshëm, udhëpërshkrues të velur nga civilizimi i vendit të vet, s’munguan të thonë për ne “shqiptarët janë trima”, “të zgjuar”, ”të besës”, “bujarë e mikpritësa”, etj., etj. Pyesim, kur dhe ku u treguam trima, cili është produkti i trimërisë tonë, trofeja e trimërisë tonë kolektive si popull, si komb? Apo mos ndoshta trima e të çartur në fis, katund dhe mjedise të tjera ku jemi të njohur dhe të mbrojtur, ku nuk na lënë as të rrihemi e jo më të vritemi, kur na ndajnë e ne bërtasim “mbajeni t’i bie...”!?
Trimëria jonë kolektive, cila qe, kur e ku? Pse jemi kënaqur me kaq sa kemi? Nëse jo, çfarë kundërshtimi total kemi bërë, si dhe kur...!?
Dalja në skenë e UÇK-së shënon fillimin e një kohe të re. Mjaft më me internacionalizëm, fjalë e gjatë. Ndërkohë që ne vetë patëm hy në vorbë. Po na del e po na tepron vetja. Kuksiani nuk e din gjeografinë e Gjirokastrës e jo më të Çamërisë, Tetovës a më gjërë dhe gjirokastriti, vlonjati, korçari, sarandioti e kujtojnë Kosovën si një fshat të Tropojës.
Pak kush e din se ç’është Kosova, ç’kërkon ajo e ç’kërkojmë ne për të. Ç’përfaqëson për kombin tonë ajo që s’e përbuzi por e shenjtëroi flamurin, edhe pse kosovarëve, disa shqipfolësa u kanë thënë “ju mbajeni këtë leckë (flamurin) se s’na duhet, ne duam dojçmarka”, pak kohë para se të ngrihej ndonjë flamur i huaj në ndonjë anije në bregdetin tonë, a në ndonjë “copë” Shqipërie. Pak kush e ka njohur dhe e njeh Kosovën, derisa për gjirokastritin, vlonjatin, tiransin, shkodranin, themi gjirokastrit, vlonjat, tirans..., ndërsa prizrenasin, prishtinasin, gjilanasin, pejanin, tetovarin, gjakovarin... themi kosovarët.
“Baballarët e zotat” tonë, ndonëse pa mjekër si të Marksit, dukej sikur mendonin për kombin, por asgjë s’mundën të bënin për të, se në fakt aq leje u kishin dhënë padronët e tyre (Bregut të Drinit të Bardhë udhëtuan të masakruarit e Tivarit dhe “zotat” në Shqipëri shtireshin të verbër. Digjeshin, shpërnguleshin, burgoseshin, vriteshin shqiptarë në Kosovë vit për vit e dekadë për dekadë e “zotat” tonë këndej veç lehnin... Me ruajt gardhin e gjysmës së tyre. Këtu ishte Enveri dhe ushtria e hekurt shqiptare e derdhur cep më cep të kësaj çerek Shqipërie, që i vriste shqiptarët po të hynin në Shqipëri, ose i burgoste, ose i zhdukte, ose i mbante pengje,ose u priste veshin... Dhe shqiptarët, bënin burg dhe vdisnin pse e donin Shqipërinë, e cila nuk donte (!) që ta donin shqiptarët. Fatkeqësia ka qenë se Shqipëria është parë, marrë dhe pranuar vetëm brenda kufirit politik, dhe s’ka pyetur kush për shqiptarët që e rrethojnë Shqipërinë, ndonëse Enveri dhe regjimi i tij, kanë qenë të bindur se po të sulmohej Shqipëria, të parët që do ta mbronin do të ishin shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë e të Malit të Zi. Sepse ato e kanë dashur më shumë, se ju ka munguar, siç vazhdon tragjikisht t’ju mungojë.
Kur ndjenja kombëtare qe atrofizuar, shpresat po fikeshin, atdheu po braktisej se s’ka prosperitet çereku i së tërës, s’rrit dot frute gjysma e pemës, kur shqiptari i degdisur nëpër botë filloi të turpërohej pse qe shqiptar, kur të huajt filluan t’u trembeshin shqiptarëve se ishin të zotët të digjnin shtëpitë e tyre, bibliotekat, muzetë, arkivat e tyre, të shembnin shtetin e tyre e të demonstronin me tre gishtat lart që dihet se janë simbole serbe, kur kësaj copë Shqipërie po i dilte tymi, kur dolën nga arkivat hartat dhe planet e kahershme gllabëruese të fqinjëve, brofi në skenë UÇK-ja. Armët e saj vringëllonin mbi serbët (heu, u vritkan serbët...!!!). Lepuri s’do të hynte më në barkun e shqiptarëve. Punët ktheheshin në ato anë që gjithkush i sheh. Vërshon lukunia e diplomatëve, tehet e interesave gjeostrategjike të të mëdhenjve të verbojnë me shkelqimin e tyre. Fillon diskutimi i çeshtjeve : çeshtja A – t’i frenojmë shqiptarët të mos i dynden Evropës. Po ku dhe si t’i frenojmë? Në Shqipërinë Verilindore. Në mos, kudo në Shqipëri. Se “kushton shumë pak, po t’i mbajmë në Shqipëri të ikurit nga Kosova...”. Sepse “janë destabilizues” për Evropën”. Dhe pastaj, “politika ka tre nene: neni i parë Para, neni i dytë Para, neni i tretë Para”.
Ndonëse pati ikje nga Kosova, zhvendosjet më të shumta u bënë brenda saj, “edhe në vdekshna, ta mbjellim vorrin n’Kosovë. S’ka vdekje ma të bukur se me vdekë n”Kosovë”. Fati i shqiptarëve po kalonte në duart e shqiptarëve. Në mos më herët, që nga 1843-shi e në vijim, platformat antishqiptare po shkërmoqeshin. Mesit të Dheut i doli dalëzotësi. Atë që s’e bëri politika me fjalë, as akademitë e shkencave në Kosovë e Shqipëri, për njohjen e të drejtës së Kosovës, për fatin tragjik të kombit shqiptar të ndarë në pesë shtete, po e bën forca UÇK. Qendrestarët thonë : “...Vdekë se vdekë, mos të më presë serbi si berr në qafë, në kullë, në oborr, në burg, në udhë. Por po vdes tash si burrat në frontin e luftës në radhët e UÇK-së”. Dhe duket se shqiptarëve u “ka ardhë ora me marrë hak për vorret”.
Më armiqtë pyesin : Si është e mundur, që shqiptarët, të cilët e kanë lakmuar kaq shumë perendimin, dhe me shumë sakrifica janë punësuar atje (duke spastruar butë e tinëzisht Kosovën), po kthehen me kaq entusiazëm në luftë në radhët e UÇK-së, “me 99 % siguri për të vdekur”, “me e ba një punë ma të madhe që ia kena borxh atdheut”. “Me e ba këtë luftë e me e çlirue Kosovën”. Mos me u ba me turp se kishin filluar ta harronin Kosvën, edhe pse ndodhte të tuboheshin ndonjëherë (si askush tjetër në botë,më shumë për parti se sa për atdhe...), ta paguanin 3 përqindëshin etj. Sa fëmijë të Kosovës në perendim nuk dinë të flasin shqip, kanë harruar ose s’e kanë mësuar. Sa fëmijëve të Kosovës iu vjen turp para fëmijëve gjermanë, zvicerianë etj., pse janë shqiptarë. Si ndjehen baballarët e tyre gurëshkulur, trojebraktisës, sezonalistë, azilantë politikë? Sytë e fëmijëve të Kosovës i “urdhëruan” baballarët e tyre të mos e çonin më jetën dëm, të mos “luftonin” nëpër tavolinat e çajtoreve të perendimit para ekranit të programit satelitor, por të kthehen në Kosovë e të ngjeshin uniformën e shpresave...
Serbia, e verbër në dhunën e saj, dogji 436 fshatra në Kosovë, masakroi mbi 234 fëmijë, mbi 180 gra, shumë pleq, dhe la shumë trupa pa kokë në Prekaz, në Llaushë, në Rahovec, në Podujevë etj. Pa duar, pa gishta. Veshët e fëmijëve shqiptarë ushtarët serbë i futën nëpër xhepat e pantallonave... Bota u skandalizua nga masakrat serbe. Por, vetëm kaq. Ajo (bota) s’vjen për të marrë hak për shqiptarët, të cilët duihet të marrin vetë hak. Dhe po marrin. Ndërkaq, Serbia hap fronte të reja lufte në shtyp e media, ku informon se vriten vetëm shqiptarë. Për serbët e vrarë, asnjë fjalë. Sikur shumica e serbëve të vrarë të ishin pengje, jetimë apo kopila që nuk i dhimbseshin askujt, të denjë vetëm për t’u droguar. Nuk raportohen serbët e vrarë. Ushtria dhe policia serbe i transporton menjëherë kufomat e veta, duke i fshehur për të mos hapur panik në radhët e ushtarëve serbë e për të mos ndodhur konflikt, siç ka ndodhur shpesh mes ushtarëve serbë (psh. në rrethinat e Gjakovës në fillim të dhjetorit). Në këtë front, edhe disa organe shtypi në gjuhën shqipe emetojnë lajme serbe (mbase nga naiviteti...). Kështu, kufiri Shqipëri – Kosovë quhet kufiri “shqiptaro-jugosllav”, “kufiri shqiptaro-serb”, - toka e Kosovës emertohet si teritor i huaj. Ende media elektronike të ndryshme me prapavija të dyshimta, vazhdojnë të shprehen me ngjyrim të keq emocional “çeshtja e kosovarëve”, “autoritetet e shqiptarëve të Kosovës”, “kryetari i shumicës shqiptare Rugova”, “kryetari i LDK-së Rugova”, pa dashur të shprehen Presidenti i Republikës së Kosovës. Apo siç lexohet nëpër disa gazeta “partitë shqiptare dhe kosovare”, “shqiptarët dhe kosovarët”, etj., etj.

Nesër, dikush do t’i hajë këto gazeta dhe do t’ia zënë frymën.

E investuar prej shumë kohësh, vazhdon lufta e serbëve në frontin e luftës speciale agjenturore. Spiunët dhe agjentët e saj Serbia i ka vënë në levizje kudo, duke financuar e nxitur përçarjet e hershme shqiptare dhe, për të mos përmenduar arsye të tjera, duke u mbështetur tek “fukaraja është hasmi i zotit”. Spiunët mbijnë kollaj në djerrinat e varfërisë... Prej kësaj djerrine, mbi 120 ushtarë të UÇK-së vriten gjatë këtij viti në brezin kufitar Shqipëri-Kosovë!! (Në Padesh, Vlahen, Pogaj, Cahan, Kishaj, Dobrunë, Vermicë...). Kulmi arrin me 14 dhjetor 1998, ku mbeten të vrarë 36 ushtarë të UÇK-së, në mesin e tyre Luljeta Shala 23 vjeçe...
Si është e mundur vallë që këto bij të Kosovës, që kanë lënë fëmijët, gratë, punën “për me ba një punë ma të madhe”, të bien në pritat serbe në brezin kufitar, të banuar plotësisht nga shqiptarë në të dyja anët e tij? Vërtetë UÇK-ja s’mund të përfeksionohet brenda një viti, por janë gjenerata të tëra që kanë investuar gjak e jetë për këtë organizëm që quhet UÇK. Kush mban përgjegjësi përpara Kosovës për bijtë e saj të vrarë? Kush janë këta “barinj” që duan t’i konsiderojnë ushtarët si tufë e pastaj të thonë “kështu e ka lufta, kjo është luftë”, “ka boll djem Kosova” etj.? Kush janë ato zemërzinj që xhelozojnë pse s’udhëheqin trupat? Pse duhet të tolerohet aventura e ndonjë deliranti a diletanti, në mos veshprerë (spiun), a ndonjë të burgosuri ordiner, që përdhos të dënuarit e vërtetë politikë të Kosovës?
UÇK-ja – rezultante e vullnetit të popullit për liri, dalëzotëse e Kosovës, që ngjalli dinjitetin, shpresën dhe krenarinë e racës tonë, nuk duhet të tolerojë injorantët e vetshpallur udhëheqës. (Nuk kam të drejtë morale të flas për UÇK-në se nuk kam në krah pushkën e saj atje ku duhet, por jam një prej atyre që ka hedhur gangjin e shpresës tek ajo).
Prandaj pyes : a mos vallë “patriotët” jashtë fronteve të luftës shqiptaro-serbe duan ta minojnë, duke fshirë gjithshka që nuk udhëhiqet prej tyre, që s’e bëjnë me dorën e tyre, duke mohuar krejt rezistencën e derisivjetshme të bijve të Kosovës, gjakun e derdhur, rininë e lënë burgjeve të tmerrshme të Serbisë të brezave e gjeneratave të shumta, për të vendosur me çdo kusht monopolin e tyre mbi të ardhmen e Kosovës?
Kush guxon të mohojë e të përbuzë a të mos konsiderojë atë armatë intelektualësh ushtarakë të Kosovës, të cilët përbëjnë një potencial të pazevendësueshëm e me të cilët populli i Kosovës krenohet dhe u beson, të cilët si investim i këtij populli, të ndergjegjshëm për detyrimin ndaj atdheut, janë rrjeshtuar dhe luftojnë në radhët e UÇK-së?
Vijnë ushtarët serbë prej Shumadije dhe vrasin shqiptarë në kufirin shqiptaro-shqiptar në bjeshkët tona, në tokë shqiptare mes fshatrash tona si në Gorozhup, Plane, Padesh, Dobrunë etj. Andej shqiptarë, këndej shqiptarë... Vriten shqiptarët në Kabash, në Llaushë, në Plane, në Rahovec, Prizren, Tiranë, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Shkup, Tetovë, Ulqin... Pse u vranë 6 serbë në një lokal të Pejës, serbët protestuan kudo, edhe para selive të organizatave të ndryshme të botës. Veç protestës së shqiptarëve në Tiranë, Shkup, Vlorë, nën moton “Një komb, një qëndrim”, s’pati ndonjë reagim tjetër popullor për Kosovën në Shqipëri. Ç’do të thotë kjo heshtje? Kë tremb Kosova e lirë? Kujt ia shkurton nafakën Kosova e lirë nesër...!?
Ndërsa UÇK-ja bëri të krijohet bindja se vetëm shqiptarët e kanë në dorë fatin e tyre sot dhe ora e provës së tyre troket me shpejtësi, gëlojnë idetë si vemje, si lehje qensh “s’i bihet murit me kokë”, “do të bëhet çfarë të thonë të mëdhenjtë”, “Serbia është shtet i fortë...”, “...eh çfarë policie ka...”, “...eh çfarë ushtrie ka, ma të fortën në Evropë... është shteti ma i fuqishëm i Evropës...”, “kosovarët janë të poshtër, kanë vila, vetura e dojçmarka boll dhe prapë nuk rrinë rehat...”, “serbët nuk të ngacmojnë shkret”, “vallahi s’kanë faj që na thonë ne shqiptarëve se jena me bisht, kosovarët janë të poshtër”, “kosovarët s’duan me na pa me sy”, “ato s’bashkohen kurrë me ne...”.
Antikosovarizmi u ngjall me përmasa të frikshme edhe nga njerëz që kishin patur leje ta kalonin kufirin me viza. “shih si shesin mend ushtarët e UÇK-së, ata kanë ardhë në luftë me shit armë, i kanë mendtë tek dojçmarkat. UÇK-ja ashtë rrenë...”. Gabimet e UÇK-së zmadhohen, veçse mungonte guslla për t’i vajtuar. “Ata janë enverista, marksista, ata nuk dinë të qesin në pushkë, ata nuk pranojnë oficerat e Kosovës, ata luftojnë për t’u shitë mend grave e fëmijëve të tyre...”.
Ndërsa japin këshilla lufte kafeneve të Tiranës, Kukësit, Prizrenit, Prishtinës, bëjnë scika, harta e plane sulmi nëpër kapakët e paketave të cigareve e leksionojnë art luftarak, luftë guerilje, frontale, e pallavra kësisoj, vijnë nga perendimi qindra të rinj pa pushim dhe i shtohen radhëve të UÇK-së në Kosovë. Kërcet pushka në Kosovë, çelen dyert në Paris, Londër, Bruksel, Washington. Mitet serbe për Kosovën po shkërmoqen me shpejtësi. Gazetari amerikan Filip Smaker që dha deshmitë e para për shtypin në Shqipëri rreth masakres së parë në Kosovë, më thotë : “UÇK ka kudo... Gueriljet janë të shpërndarë gjithandej... Gjithë Kosova është UÇK...”.
Alessandra Moreli, përfaqësuese e UNHCR-së në prefekturën e Kukësit, sapo kthehet nga Kosova, ku kishte vëzhguar situatën, më thotë : “UÇK pashë kudo, ndonëse jo në rrugën kryesore. Ato qendra të shpërngulurish në Kosovë që vizitova mbykqyreshin nga UÇK-ja. Respekti i popullit për UÇK-në në Kosovë ishte i lartë...”. Kurt Shork, i Rojterit, më thotë :” Askush s’e zgjidh çeshtjen e Kosovës përveç luftës së UÇK-së... me sa shoh unë, UÇK-ja s’ka ndër mend ta pushojë luftën dhe po përgatitet intensivisht...”. Ndërsa zv. ambasadori gjerman në Shqipëri, në një intervistë, m’u shpreh kështu : ”Kjo luftë nuk ka të fituar...” Një gjerman tjetër, në intimitet më thotë : “ E admiroj luftën e shqiptarëve dhe po të isha shqiptar, sidomos ushtarak shqiptar, do të ndodhesha në front atje...”.
Në opinionin shqiptar janë lëkundur edhe më mosbesuesit. Kosovës i doli dalëzotësi. Spiunëve u ra komoditeti. Diçka kish ndryshuar edhe në diplomacinë ndërkombëtare. Grushti i Kosovës - UÇK-ja, goditi dhe u drodhën tavolinat e vendosësve... Të gjithë i kanë veshët pipëz. Bëhet fjalë për ushtrinë më të re të botës (sa mirë do të ishte që kjo UÇK-ja të fliste sa më pak me fjalë), për ushtrinë që rritet me shpejtësi të paparashikueshme, për ushtrinë që po i thotë botës, ose do të çlirohet Kosova, ose do të digjet Ballkani, sepse kjo ushtri ka brigada me vajza kosovare. Ky është vitalitet. Luftë e bekuar prej nënave e motrave, prej bijave të Kosovës.
Morali i UÇK-së rritet. Ushtarët më të thjeshtë të saj, edhe pse të plagosur me dy e tre plumba, më shprehen : “ mbrapsht nuk kthehemi, luftën do ta fitojmë se s’bën ndryshe. Kjo është punë për t’u ba dhe ne do ta bëjmë. Po të ishte e lehtë kjo punë, kjo luftë, po të fitohej kollaj, do të na duhej me ua shplue kockat baballarëve e me ua çitë qenve. S’ka qenë kurrë e lehtë kjo luftë, por ne do ta bëjmë. S’do t’i lamë gjeneratat ma nën shka. Edhe nji shqiptar në mbettë në Kosovë, shkaun do ta përzamë. S’po kena armë boll se as në Beograd s’e lamë, në stepa e çojmë...”
Sejdi Berisha ushtar u thotë disa shokëve të vet ne pranine time : “eh, sa xhenaze e bukur ke me dalë ti nesër... Po xhenazja jeme ka me dalë ma e hijshme...”. Duke u tallë me vdekjen Sejdiu, megjithëse i plagosur tri herë, u thotë shokëve “kah do të çahet kjo vilë tre katëshe nesër...”? I zoti i viles flet : “ kush po flet e po pyet për vilen, bir, rrafsh le të bahet, veç djemtë e UÇK-së t’i kena...”.
Ndërkohë filluan të firojnë “patriotët”. Ata që kujtuan se me një betejë, me një javë apo me një verë luftë, do të çlirohet Kosova. Edhe disa ushtarë sezonalë, pas armëpushimit të pranuar nga UÇK-ja, ikën dhe shkuan për t’u zvjerdhur para padronëve, grave dhe fëmijëve të tyre, për t’ua mësuar mirë gjermanishten a ku ta di çfarë gjie tjetër, për t’u burrëruar pranë grave të tyre e për ta mësuar në dhera të huaja (që s’do të bëhen kurrë të tyre...) formulën e justifikimit (për përçarje, tradhëti, a ku ta di unë për çfarë tjetër...), për të kënduar vajtueshëm nesër para gjeneratave që po lindin me lirinë nëpër malet e Kosovës, mes krismave të armëve e po pagëzohen në flakën e luftës çlirimtare.
E keta sezonalistë, rrezik të kthehen nesër në Kosovë si heroj e të kërkojnë pllaka për supe e gjokse (megjithëse thonë se kush i dredhon Kosovës sot, fort të veshtirë do ta ketë të hyjë nesër në Kosovë).
Në radhët e UÇK-së shtohen ata që po e çlirojnë Kosovën, që do të luftojnë deri kur të shporret Serbia prej Kosove, deri kur të lidhen damarët e atdheut...

botuar se pari ne revisten Dy Drina, vjeshte 1998

(nga libri im Marsi i Minave)

shenim i sotem: po lexoj shume rrena, mashtrime nga lloj lloj horri e morri. Po shoh se si lepihen sot te pamerituarit. Po shoh se ata qe u ka mbete peng qe nuk bene ate qe duhej ne kohen e duhur, ne kohen e luftes, ata qe ndjehen inferiore e frikacake akoma edhe sot, po bejne shume deme ne Kosove. Askush askend nuk e fajeson pse ka patur frike se frika njerzore eshte. Por te mashtrosh, te fallsifikosh, te rrejsh pa turp kjo nuk lejohet per askend. Ushtare qe rrejne, eprore qe rrejne, komandante qe rrejne, gjenerale qe rrejne, "patriote" qe rrejne e mashtrojne, harrojne se fitorja me e madhe e UÇK eshte krjijimi i UÇK, e cila, sic thuhet ne shkrim, filloi te binde shqiptaret se edhe serbi vritet, edhe serbin e vret plumbi...

R. Shahu
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi