Ibrahim Rugova - Refuzimi estetik
Faqja 1 e 1
Ibrahim Rugova - Refuzimi estetik
Ibrahim Rugova - Refuzimi estetik
1. Përkufizimi
Refuzim do të thotë të mos pranosh, të mos pranosh atë që të imponohet, e kjo varet nga qëndrimi personal dhe nga ai i përgjithshëm. Refuzimi më real është ai që mbështetet në bindjen, e bindja në argument, apo në temë thënë me terminologji antike greke. Gjithsesi do thënë se refuzimi realizohet në aporinë e pazgjidhshme të raportit trikotomik imponimi-pranimi-refuzimi. Njeriu, fundamentalisht është i lidhur, apo i mbërthyer në këtë apori, sepse vetë jeta dhe aktet e veprimit të tij përbehen nga këta anëtarë të raportit. Ne gjithnjë duhet të aprovojmë apo të refuzojmë diçka, e në suboardinacion këto dalin nga imponimi. Me fjalë të tjera, çështja e refuzimit mund të shtrohet e të kuptohet si gjest i përditshëm. Dhe jeta gjithnjë zhvillohet brenda kësaj aporie, apo kështu zhvillohet refuzimi në jetë. Duke e kuptuar si gjest individual, refuzimin e gjejmë edhe në sferat më intime të jetës së njeriut: në gëzim, në hidhërim, në dashuri. Nga ky fundus subjektiv filozofik bartet edhe në jetën kolektive, ku individi gjithnjë gjendet midis pranimit dhe refuzimitpersonal e kolektiv. Në procesin kolektiv vendos bindja e individit, formimi i tij familjar, shoqëror e intelektual. Si në planin individual, e më shumë në atë kolektiv, imponimi është një akt represiv, apo opresiv, sepse del nga një rend, sistem gjërash, siç konstaton. R. Jakobsoni. Dhe ne, përmes refuzimit, çlirohemi nga opresioni apo biem viktima të tij, bëhemi robër të tij. Njeriu në këtë plan ka vetë dy zgjidhje, thjesht e shkurt: po e jo, por rrugët e realizimit dalin të ndryshme. Refuzimi ngrihet kundër imponimit kur ai është represiv, kur insiston domosdo, pa bindje në pranimin e një diçkaje. Rëndom njeriut i ofrohen gjëra të ndryshme në planin individual dhe kolektiv: i imponohen nga grupet e ndryshme individuale, profesionale pastaj nga pushteti dhe nga sistemet e ndryshme të botës moderne. Këto janë imponime më të rënda, sepse bëhen në emër të një diçkaje të përgjithshme, sepse pushteti i grupeve, i individëve zakonisht përfaqëson të përgjithshmen, apo popullin, po të thuhej me zhargon politicist.
Duke pasur këto parasysh, do konstatuar se njeriu në jetën e tij, në jetën kolektive gjithmonë gjendet midis përfaqësueses dhe ekzistueses. Dhe imponimi bëhet më i ndërlikuar kur gjendet në kuadër të përfaqësueses, sepse njeriut ekzistuesja i largohet për disa shkallë. Apo thënë me terma më konkretë dhe më të afërmë: raporti midis të vërtetës dhe të vërtetës së përfaqësuar. Mbi këto baza fundamentale ngrihet pushteti individual e kolektiv dhe kur realizohet më mirë apo në të mirë të njeriut ky raport, atëherë kemi një liri më të madhe apo thënë me terminologji filozofike e sociale, kemi një demokraci. E demokracia më e mirë është ajo kur nuk e imponon përfaqësuesen, po e ofron përfaqësuesen dhe ekzistuesen. Këtu lind edhe një faktor tjetër në zgjidhjen e aporisë imponim-pranim-refuzim, lind problemi mjaft human i zgjidhjes së lirë (fr. choix libre, ingl. Liberaly choice). Zgjedhja e lirë kupton përcaktimin e individit në formë të lirë, mundësinë që ai të zgjedhë midis të imponuares dhe refuzimit. E këtë njeriu e arrin përmes formës së plebishititindividual, referendumit individual dhe kolektiv. Në planin individual ky plebishit zhvillohet në vetë individin kurse në atë kolektiv del më i ndërlikuar dhe plebishiti mbi çështje të përgjithshme shoqërore, historike, politike e kulturore zhvillohet në formë më të ndërlikuar: mbi individin bëhen opresione të ndryshme nga grupet dhe nga pushteti të pranojë formën e imponuar, çfarë lidhen me interesa kombëtare, ideologjike, sociale, shtetërore e të tjera. Zakonisht, këtu mundësia e zgjedhjes së lirë, thuajse gjithmonë del e manipuluar, sepse interesat e ndryshme e mbysin zgjedhjen e lirë, pra individin, e pa individin nuk ka kolektivitet stabil e të drejtë. Pastaj për të arritur një pranim më të aprovueshëm, individi apo kolektiviteti deklarohet përmes consensusit, bashkëmendimit të palëve të kundërta e të ndryshme. Për të realizuar më mirë plebishitin, më parë duhet dhënë argumente të arsyeshme për të bindur apo për të refuzuar kundërshtarin siç thoshte Ciceroni, simbas ligjeve apo artit retorik. Pos plebishitit apo referendumit ku merret parasysh mendimi i shumicës, përmes consensusit arrihet një baraspeshë midis mendimit të të gjithë faktorëve të vendosjes së lirë, sepse ndonjëherë edhe mendimi i shumicës, nën faktorët manipulues mund të jetë i gabueshëm. Mundësinë më të madhe të manipulimit e largon consensusi, ku vërtetohet barazia e përbërësve të një strukture, sistemi, apo kolektiviteti.
2. Karakteri, natyra i/e letërsisë
Mbas këtyre mendimeve mbi aporinë e refuzimit në planin e ekzistencës njerëzore, të qenies së njeriut, të qeniesimit të tij dhe të formave të vendosjes, të përcaktimit në raportet kolektive e individuale, po e shikojmë këtë apori edhe në planin e artit, të letërsisë: si e zgjidh ajo këtë. Po së pari të themi diçka për karakterin e letërsisë. Me qenë se edhe letërsia si fryt i realitetit, siç thoshte R. Barti në ligjëratën e tij inaugurale në College de France në janar të vitit 1977, në prani të shumë intelektualëve frëngë si M. Fuko, Klod-Levi Stros e të tjerë gjendet në aporinë e imponimit-refuzimit. Karakteri apo natyra e letërsisë dihet që prej kohësh: ajo përmban në vete dhe realizon humanitetin në mënyrë më burimore, autoktone në raport me botën dhe me njeriun. Nëestetikë, në filozofi dhe në shkencën e letërsisë, është shfaqur teoria mbi autonominë, mvetësinë e letërsisë, artit, që ishte më shumë aktuale në vitet 50 dhe 60, në kohën e të ashtuquajturës “luftë e ftohtë” midis fuqive të mëdha dhe popujve të vegjël. Më vonë shfaqen problemet e heteronimisë, me vështrim se letërsia varet edhe nga raportet shoqërore e të tjera.
Teoria e autonomisë së letërsisë, historikisht, bazën e ka në teorinë mbi “kullën e fildishtë” të simbolizmit, si shenjë e veçimit të poetit nga jeta, nga shoqëria, që më vonë bëhet teori e pavarur estetike. Karakteri i letërsisë kupton realizimin e njeriut në gjendje burimore, po këtë e bën me mjete të veta. Çdo gjë e realizon me matjen e artit të vet siç janë paraqitja, formësimi i jetës me gjuhë të njeriut në nivel artistik, pa farë imponimi, vetvetiu, letërsia me qenien e saj i kundërvihet imponimit të çfarëdo lloji. Çështjen e refuzimittë letërsisë do shikuar në raportin letërsia-shoqëria apo politika.
Kështu refuzimi del si njëri nga aktet e mundshme të letërsisë. Ajo jo vetëm që i kundërvihet imponimit, po edhe e refuzon atë, nuk e pranon atë. Kështu kemi refuzimin me heshtje dhe refuzimin aktiv në planin jetësor. Letërsia i ka këto dy forma, po refuzimi më i madh i saj është refuzimi me qenien, me karakterin e saj, që ne e quajtëm refuzim estetik. Për dallim nga refuzimipolitik, ideologjik e anatemist apo relegjioz, që ka pasoja konkrete në praktikën jetësore, e që realizohet me mjetet e pushtetit të çfarëdo forme, individual e kolektiv apo të atij individual që emblemohet si kolektiv thuajse gjithmonë ngjet kështu, refuzimi estetik realizohet me mjetet e letërsisë.Refuzimi estetik realizohet në formë të drejtpërdrejtë me mjete letrare që njihen prej kohësh, siç janë satira, sarkazmi, grotesku apo ironia e angazhimi në kohën moderne, e në formë tjetër fundamentale realizohet, kur letërsia me vetë praninë e realitetit në vete dhe të realitetit të vet refuzon imponimin. Në njëfarë dore ky mund të merret si refuzim filozofik apo ontologjik, sepse me vetë qenien e saj krijon kontemplime dhe konotime të shumta, që përgatisin vetëdijen, shpirtin dhe mendjen njerëzore në jetë për çështje të ndryshme. Përmes refuzimit estetik, pa deklamim të theksuar dhe pa mjete të shoqërisë, politikës, letërsia refuzon duke ignoruar dhe forcuar dignitetin, si kategori të përgjithshme.
Refuzimi hyn në kategorinë e estetikës negative, siç cilësohet estetika filozofike e Schellingut në kontekst tjetër që përmes dhënies, formësimit të kategorive të ndryshme, bën mohimin, negacionin e atyre kategorive që nuk mund të ngriten në dignitetin e njeriut dhe të jetës. Me një fjalë, bën shkëputjen e kategorive përmes qensimit, ekzistimit të vet. Edhe në planin sociologjik çështja e refuzimit letrar merret në formë më prakticiste, ku kërkohet të dëgjohet zëri i idesë shoqërore, de facto, të përfaqësuesit të shoqërisë, pushtetit, në veprën letrare. Ky zë, gjithnjë del i dështuar, sepse realizohet më shumë me mjete shoqërore qenësisht, kurse me ato letrare vetëm si formë e jashtme, vetëm për të kënaqur atë. Pra këtu do bërë dallimin e nevojshëm midis pushtetit, politikës si temë e letërsisë dhe pushtetit e politikës në letërsi, që ndryshe quhet politizim i saj. Si temë letrare pushteti e politika janë mjaft frytdhënëse për letërsinë, le të na kujtohen tragjeditë antike dhe ato të Shekspirit, e si politikë letrare, apo letërsi e politizuar shumë vepra të socializimit tradicional dogmatik dhe të shtresave primitive borgjeze të kohëve të mëparshme, apo të komercializmit modern. Me afirmimin erefuzimit estetik ne nuk kërkojmë absolutizimin e letërsisë, artit po vetëm për të forcuar një argument të arsyeshëm mbi vlerën e letërsisë dhe funksionin e saj si qenësi e jo si letërsi në funksion.
3. Estetika dhe Politika
Zhvillimi i tezës sonë mbi refuzimin estetik na shpie te raporti i njohur arti, apo estetika dhe politika. Pak histori për kthjellim. Duke u nisur nga tradita letrare evropiane, pra nga antika greke, e në formë më doktrinare nga vepra Politeja(Qyteti, Shteti) e Platonit, do shohim më mirë historinë e raporteve, apo të konflikteve midis artit dhe politikës, apo pushtetit. Etimologjia e fjalës Politikë vjen nga kuptimi i shtetit, si formë e pushtetit. Kështu, titullin e veprës së Platonit, herë e përkthejnë Shtet e herë Republikë me atë latine, në përkthimet moderne, pra me atë latine si res publica, si diçka e përgjithshme, si gjë publike, si gjë e hapur. Pos tjerash, edhe çështjen e artit Platoni e merrte si res publica, si gjë publike, si çështje apo interes të përgjithshëm, thënë me terminologji më moderne. Dhe duke ia shtruar artin interesit të gjësë së përgjithshme, në praktikën dhe në teorinë estetike u ngritën raportet më të precizuara arti-politika, arti-ideologjia, apo estetika-politika në planin teorik e filozofik.
Pos në këtë vepër, ku Platoni e vënte artin në shkallë më të ulët të botës së ideve duke e lidhur me konceptin e mimesisit, ai këtë e bënte edhe në dialogun për Ijonin, ku poetin omonim endacak nuk e çmonte si njeri të mendjes, po më shumë të ndjenjës, të ekstazës dhe boheminë e tij e lidhte me veprën e tij, me recitimet e tij, pra me artin oral të tij. De facto Platoni e gjykonte artin e tij në bazë të sjelljeve të autorit, të Ijonit. Mendojmë se këtu zë fill përzierja e raportit autori-vepra, që në shoqërinë bashkëkohore mori forma të pazgjidhshme, deri në kohën tonë. Kështu lind gjykimi i veprave për shkak të autorëve apo i autorëve për shkak të veprave, pra çështja e gjykimit të krijuesit. Pastaj Horaci kërkon nga arti të ketë edhe të këndshmen e edhe të dobishmen, dulcei et utilei.
Çdo shoqëri kërkon idenë e vet, madje edhe artin e vet, po çdo shoqëri nuk mund të bëjë artin e vet, sepse arti krijohet në të gjitha shoqëritë apo sistemet, apo në të gjitha politikat. Mund të themi se çdo shoqëri ka politikën e vet, e artin e vet jo, sepse arti është i të gjitha shoqërive, sepse ngrihet përmesrefuzimit dhe aprovimit estetik që përmban në vete.
Në vazhdën e këtij argumenti historik, mesjeta me ideocentralizmin e saj relegjioz, kryesisht përmes krishterimit e kufizoi zhvillimin e ideve dhe të mendimit të lirë, e madje toleroi vetëm atë tip të letërsisë që i përçonte idetë apo ideologjinë e saj, pra vetëm letërsinë religjioze dhe letërsinë kalorsiake. Dominonte utopia teiste pa përjashtim. Renesansa me decentralizimin e saj dhe me ringjalljen e kulturës antike e të gjuhëve dhe popujve të tjerë, pos latinitetit kristian, ngriti vetëdijen e kohëve moderne dhe çlirimin gradual të ideve dhe të artit në përgjithësi. Në frymën e Renesansës do shikuar edhe renesansën në kuptimin teologjik – reformën e Luterit. Thënë ndryshe Renesansa i ngriti në nivel kulturor gjuhët popullore në vetë vatrën e latinitetit, ku vepronte imperializmi i gjuhës latine dhe në viset e tjera të Evropës. Në këtë kohë të Renesansës dhe të reformave teologjike i kemi edhe veprat e para shqiptare nga Barleti dhe Buzuku dhe nga shkrimtarë të tjerë. Konflikti, apo mospajtimet midis artit dhe politikës vijuan edhe në shtetet borgjeze deri në kohën tonë dhe për këto të përmendim dënimin e veprës së Bolderit për shkak të përmbajtjes së saj dhe zhdukjen misterioze të Emil Zolas, si duket për arsye të mbrojtjes së Drajfusit e raste të tjera. Në shoqërinë socialiste që u konstitua pas Revolucionit të Tetorit (1917), me dëshirë që artin ta fusë nën kontrollin e vet sidomos në vitet ‘30 në BRSS u zhdukën dhe u dënuan shumë vepra e shumë shkrimtarë. Në formë tjetër të platformës nacionale-naziste në Gjermaninë e Hitlerit u persekutuan shumë shkrimtarë, dijetarë e filozofë dhe u detyruan të largohen nga vendi. Le ta përkujtojmë Tomas Manin me këtë rast. Do përmenduar se edhe pas Luftës së Dytë në shumë vende socialiste u persekutuan autorë dhe u anatemuan vepra të ndryshme.
Në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare kemi raste të këtij konflikti. Kështu në shek. XVII Budi zhduket në mënyrë misterioze nga Vatikani, meqë kërkonte konstituimin e inteligjencës kishtare shqiptare, pastaj Nezimi zhduket nga autoritetet turke, si duket për popullaritetin e tij dhe për veprën që e bënte në gjuhë të vet. Është sunjifikativ edhe rasti i S. Frashërit, i cili nga fundi i shekullit të kaluar po sillte kulturën evropiane në Turqi, por kur e shkroi veprën, “Shqipëria ç’ka qënë…”, u mbyll në burg shtëpiak. Këto të dhëna nga kultura jonë, flasin për konfliktin e intelektualëve shqiptarë me pushtetin pushtues. Në kohën e Monarkisë shqiptare të Zogut, intelektualët shqiptarë u ndeshën me pushtetin e brendshëm, pra të kombit të vet. Kështu një kohë u injoruan Çajupi, Asdreni, Grameno e të tjerë dhe në vitet ‘30 kemi edhe viktimën e parë fizike të këtij pushteti, ekzekutimin me vdekje të intelektualit të ri Ismet Totos, për shkak të pjesëmarrjes në kryengritjen e Delvinës më 1937. Për këtë raport në kohën pas luftës e këndej nuk po flasim në kulturën shqiptare në përgjithësi, por pati raste të mospajtimeve ideologjike dhe estetike, e në Jugosllavi edhe vetëm për shkak të ngritjes së letërsisë shqiptare, e cila para luftës nuk mund të krijohej në gjuhën amëtare.
4. Kontrollimi i veprave
Jo vetëm në autorët, të cilët si person publikë u përzien në lëvizjet ideore e kulturore të shoqërive të epokave të ndryshme, po pushteti në kohë të ndryshme, përpjekjen më të madhe e përqëndroi në kontrollimin e prodhimit shpirtëror e sidomos të letërsisë. Kështu për këtë qëllim ai shpiku censurën, metodën e kontrollimit dhe të ndalimit të veprave shkencore, filozofike e letrare. Shenjat e para të censurës në letërsinë evropiane i kemi që në antikë. Këshilli i qytetit të Atinës, vendosi ta përpunojë në shumë pjesë veprën e Homerit, madje t’ia ndryshojë edhe titullin. Vepra e Homerit “Zemërimi i Akilit” u titullua me titull të ri “Iliada” dhe u ndryshua koncepti themelor i saj, ku këndohej në të mirë të trojanëve e jo të grekëve. Këto pjesë u kthyen në të mirë të grekëve. Pastaj nuk u pranua që emri i Akilit të mbetej në titull, meqë ky ishte një trim jo i pastër grek, meqë ishte nga Epiri ilir, që po e paraqesim si tezë të mundshme interpretimi, e që e mbështesim në të dhënat historike për origjinën e Akilit siç njihen në historiografinë e antikës. Censura vazhdoi me të madhe në mesjetë, sa që u kurorëzua me inkuzicionin kishtar që u mor edhe me djegien dhe zhdukjen e veprave të mendimit shkencor e filozofik. Kështu sot, në kuadër të institucionit të censurës, inkuizicioni merret si forma më e lartë, që përfaqësohet nga tipet e sistemeve dhe nga pushtetet e ndryshme. Në epokën moderne, në përsosjen e veprimit të ideologjive dhe të sistemeve shoqërore e politike, nga veprimi i vazhdueshëm i censurës, pra i presionit të shtetit dhe të pushtetit u shfaq edhe autocensura, term i Sartrit, me të cilin kuptohet censurimi nga ana e vetë shkrimtarit. Pra ai vetë e bën kontrollimin e mendimeve dhe të veprës së vet. Kjo, mendojnë shumë studius të këtij fenomeni, është forma më e dëmshme në ngushtimin e lirisë së mendimit dhe të vetë letërsisë, meqë autocensura, siç konstatojnë historianët dhe sociologët e kulturës, madje edhe psikologët, është formë jolegale, e brendshme me një veprim të pakufizuar në personën e autorit, krijuesit.
5. Shkrimtarët e oborrit
Historia e kulturës vërteton se të gjitha pushtetet kanë pasur dëshirë dhe kanë bërë përpjekje që shkrimtarët dhe intelektualët t’i kenë për vete. Kështu Aleksandri i Madh që kishte një konsideratë ndaj intelektualëve, se kishte qenë nxënës i Aristotelit, kur takohet me Diogjenin filozof, e pyeti se ç’dëshironte prej tij, Diogjeni vetëm iu përgjegj në mënyrë figurative “Mos ma zë diellin”. Në mesjetë në kishë dhe më vonë në oborret mbretërore mbahen shkrimtarë për madhërimin e mbretërve dhe pushtetarëve të ndryshëm. Por do përmendur një të vërtetë historike, se shumë shkrimtarë e shfrytëzuan “oborrin”, pra pushtetin për të krijuar vepra jashtë porosive. Le të përkujtojmë me këtë rast Gëten, që jetoi e veproi kryesisht në Vajmar, pastaj piktorin Francisko Goja, i cili si piktor i parë i oborrit spanjoll në fillim të shekullit të kaluar, që porositë i bënte për të mbrojtur artin e vet, krijoi vepra me vlerë të pakalueshme. Kjo mund të shërbejë për një teori, se shkrimtarët që në oborr hyn për hir të oborrit apo thënë me terminologji më moderne, ata që shkruajnë për hir të pushtetit, mbeten shkrimtarë të oborrit, si faktografi e jo si letërsi, e shkrimtarët që janë shkrimtarë, ata edhe në oborr bëhen shkrimtarë. Problem që do thelluar më shumë.
Pos shembullit të Aleksandrit të Madh në Antikë, që ndaj filozofëve grekë u soll me tolerancë, nga historia moderne kemi shembullin e Napoleonit, i cili, ndërsa po pushtonte Gjermaninë në pushtimet e tij për në Lindje të Evropës kishte urdhëruar që shtëpia e kompozitorit Jozef Hajdni të mos bombardohej dhe kishte caktuar rojë. Ai madje ishte përkulur para tij. Rast i rrallë.
Në historinë e kulturës shqiptare, shkrimtarët tanë nuk patën mundësi të jenë brenda oborrit, meqë deri vonë nuk e patën oborrin e vet, megjithatë do përmendur rastin e Gjergj Fishtës, i cili gjendej me formim në oborrin kishtar, ai arriti të krijojë vepra me vlerë të rëndësishme që nuk përkojnë shumë me oborrin që i takonte, apo Naim Frashëri, i cili, edhe pse i përkiste sektës së bektashinjve, me veprën e vet u bë poet kombëtar në kohën e Rilindjas kombëtare, sepse vepra e tij kishte etikë edhe estetikë.
6. Prijës i popullit
Te popujt dhe kombet më të vogla që pavarësinë dhe lirinë kombëtare e fituan në kohë më të reja, sidomos brenda shekullit XIX dhe më vonë, që quhen periudha të rilindjes së tyre kombëtare, shumë poetë të stilit romantik u bën prijës të popullit në ato momente, e kjo ngjau me të madhe te popujt e Ballkanit, siç vërente Çabej, më 1938. Vërtet ata u bënë prijës të popullit, po mbetën shkrimtarë të mëdhenj edhe më pastaj vetëm ata që patën edhe mjaftestetikë në vepër. Mund të themi se me romantizmin në letërsinë evropiane u afirmua më shumë roli i shkrimtarit, e sidomos i poetit, siç ishin Hugoja në Francë, apo Bajroni e Shelli në Angli, Gëte e Shileri në Gjermani, e te popujt e vegjël, që luftonin për çlirimin kombëtar dhe për formimin e identitetit kombëtar, historik e kulturor, roli i poetëve u bë më i madh dhe më aktual. Kjo ngjau kështu, sepse te këta popuj shkrimtarët ishin intelektualët e parë që përgatitnin platformën për çlirim me veprat e tyre, meqë ishin të pakët apo mungonin fare intelektualët e profileve të tjera si dijetarët, shkencëtarët apo filozofët. Kështu do përmendur në këtë drejtim Mickijeviçin te polakët, Pëtefin te hungarezët, Emineskun te rumunët, Preshernin te sllovenët, Kranjçeviçin te kroatët, Zmajin te serbët e të tjerë. Ndërsa në letërsinë shqiptare këtë rol e barti në masë më të madhe thuajse kryesore Naim Frashëri, pastaj De Rada e të tjerë. Do theksuar se te popujt e vegjël edhe pas rilindjes kombëtare, mbeti ideali i shkrimtarit si prijës i popullit, ku letërsia dhe politika përziheshin, apo përkraheshin e ndihmoheshin në masë të madhe.
Duke pasur këtë parasysh në historinë e mendimit kritik shqiptar, çështjen e raportit letërsia-politika e shtruan edhe disa shkrimtarë e kritikë si Faik Konica, Asdreni e të tjerë. Konica nuk e pranonte vlerësimin alternativ të këtyre kategorive, kurse Asdreni ishte më fleksibil dhe më i arsyeshëm, i cili konstatonte se në momente të caktuara, për nevoja praktike letërsia dhe politika bashkëpunojnë kurse në situata normale ato zhvillohen pavarësisht, simbas qenësive të tyre.
7. Shkrimtari i angazhuar – letërsia e angazhuar
Në botën moderne, e sidomos mbas lindjes së socializmit, u aktualizua çështja e funksionit të shkrimtarit në shoqëri dhe në politikë. Në fillim kjo u bënë forma mjaft prakticiste dhe e tjetërsoi letërsinë dhe shkrimtarin. Mbas Luftës së Dytë ky problem u aktualizua edhe në Perëndim e sidomos në Francë, që është e njohur për zhvillimin e ideve sociale dhe kulturore. Kështu Sartri me një koncept më të zgjedhur kërkonte që shkrimtari të angazhohej në jetën e përditshme edhe si intelektual dhe të bënte një letërsi të angazhuar në kuptim më shumë filozofik e shpirtëror se sa praktik social. Ky koncept si duket e pasuroi këtë çështje. Pra angazhimi modern i shkrimtarit dhe i letërsisë mendojmë se i heq fillimet që nga romantizmi evropian sa që sot është bërë një problem i përgjithshëm. Përkundër kësaj në kohë të fundit sikur është bërë legjitim mendimi se shkrimtarët duhet të angazhohen në zgjidhjen e problemeve të përgjithshme dhe të mos mbeten indiferentë ndaj kohës së vet. Më shumë kërkohet angazhimi intelektual i shkrimtarëve se prakticizmi i tyre. Kështu Sartri, duke folur për tipet e intelektualit bashkëkohor flet për dy kategori intelektualësh: intelektualët e rastit (intellectuels par accident) dhe intelektualët burimorë (intellectuels pas essence). Në grupin e parë i fut intelektualët që vijnë nga fusha e specializimeve si nga shkenca dhe nga teknika, të cilët në një moment të caktuar zënë të mendojnë për çështjen e përgjithsheme humane. Këtë e ilustron me faktin se një shkencëtar që prodhon bombën atomike, është shkencëtar, por kur fillon të mendojë për qëllimin dhe pasojat e përdorimit të saj atëherë kapërcen në fushën e intelektualit. Shkrimtarët i merr si intelektualë burimorë, meqë ata gjithnjë merren me qëllimin dhe kërkesën e me dhënien e jetës dhe të problemeve të njeriut. Prandaj në botën moderne të specializimit dhe të përsosjes së shoqërive e të sistemeve shoqërore, dominon mendimi i përgjithshëm se shkrimtarët dhe intelektualët në ndarjen e punës brenda kombit apo shoqërisë së caktuar kanë vendin dhe zërin e vet, që e realizojnë me mjete të veprës së tyre.
8. Qenësia estetike
Vështrimi i çështjes së refuzimit estetik na detyroi ta vështrojmë këtë çështje në plan më të gjerë, me të gjithë ata faktorë që ndërlidhen me artin, me letërsinë. Nga kjo del se letërsia gjatë kohëve vazhdimisht është përpjekur të ruajë karakterin e vet dhe këtë e ka bërë përmes dy formash: përmes subjektit krijues, vetë shkrimtarit, që hyn në historinë e jetës letrare e kulturore të një kohe dhe përmes veprës si formë konkrete e saj. Vendimtare në të gjitha këto raporte mendojmë se ka qenë vepra dhe esenca e saj, qenësia estetike e saj. Kështu veprat që nuk kanë pasur qenësi të mjaftueshme estetike, edhe kanë ndikuar më pak e edhe autorëve të tyre, pra shkrimtarëve u ka dhënë më pak mundësi të ndikojnë në rrjedha e çështje, prandaj kanë mbetur anësorë. Kurse ato vepra dhe ata autorë që janë bazuar në qenësinë estetike e filozofike të veprave të tyre, kanë ndikuar më shumë.
Duke pasur këtë parasysh, po shtojmë se në bazë të përvojës midis raportit arti-politika, apo pushteti, në vetë politikën e kohës kanë ndikuar më shumë veprat me mvetësinë e tyre estetike dhe autorët e tyre, e madje do thënë se duke ditur këtë, pushteti i kohëve të ndryshme edhe është konfrontuar me ato vepra dhe me ata autorë, sepse nuk ka mundur të manipulojë me ato dhe me ata. Qenësia estetike është fryt i karakterit të lirë e të gjerë të letërsisë dhe garanci për veprimin më të madh dhe jetën më të gjatë të një vepre. Për shembull ndikimi i veprimit praktik i De Radës do të ishte më i vogël në opinionin e Rilindjes kombëtare, sikur vepra e tij të mos kishte qenësi të thellëestetike, apo ndikimi i Naim Frashërit. Por ndikimi i tyre, me qenësinë e tyre, është i pranishëm edhe sot në kontekste dhe në momente të ndryshme. Shkrimtarët e tjerë të Rilindjes, të cilët në veprat e tyre e patën qenësinëestetike më të dobët, ishin aktualë, po kishin ndikim më të vogël, e edhe për kohët e mëpastajme mbeten vetëm si dëshmi veprimi brenda aktualitetit të një kohe.
9. Përfundime
Qenësia estetika e veprës letrare apo e letërsisë është imanencë e vetë letërsisë, e që në rastet e imponimit të jashtëm, ajo e realizon këtë përmesrefuzimit. Njëherësh edhe refuzimin estetik e konsiderojmë si imanencë të letërsisë, sepse sipas ligjeve të natyrës, e madje edhe të atyre sociale, çdo gjë që krijohet duhet edhe të mbrohet dhe të mbahet në jetë. Në momentet e çrregullimeve të caktuara sociale e sistemore brenda një kombi a shoqërie, funksioni më i mirë i letërsisë, pos angazhimit të saj të drejtpërdrejtë, po më pak, realizohet përmes refuzimit estetik, si më efikas dhe më burimor.
Përmesrefuzimit estetik letërsia ndikon në vetëdijen kulturore të kohës, e kjo në vetëdijen dhe në aksionin politik, apo të pushtetit, duke krijuar inferioritetin e tij ndaj saj.
Si do që ta marrësh edhe në bazë të argumentit historik të raportit arti-politika, e edhe në bazë të teorisë si rezultat i këtij argumenti dhe si rezultat i të menduarit mbi mundësitë e realizimit, letërsia apo arti dhe politika janë dy karaktere apo dy fusha të kundërta, të ndara, sepse ndryshojnë mjetet e formimit dhe të veprimit. Dhe sa herë që politika e kufizon letërsinë, ajo përmes refuzimit estetik dhe realizimit të qenësisë së vet, e refuzon politikën. Dhe gjithmonë politikë apo pushtet më i mirë ka dalë ai pushtet që nuk e ka kufizuar dhe nuk i është mbivënë letërsisë, sepse dihet se letërsia, për nga natyra e vet, ka vlerë mbijetuese e politika vlerë aktuale dhe merret si dëshmi e veprimit në momente të caktuara historike.
Edhe një çështje praktike: te kombet e mëdha, ku rreziku politik është më i vogël, apo nuk është i pranishëm fare, refuzimi estetik i letërsisë është më i madh, më autonom dhe më veprues. Zatën këto kombe janë çliruar më parë nga kompleksi i rrezikut nga letërsia dhe arti. Kurse te kombet e vogla, ku rreziku politik i jashtëm është më i madh dhe ku bëhet identifikimi i të gjitha potencialeve kulturore me pushtetin, mundësia e refuzimit estetik del më e vogël, por në epokën moderne, kjo mundësi është ngritur më shumë te ata popuj që e kanë siguruar ekzistencën e vet më stabile. Në shtetet shumënacionale shfaqet rreziku tjetër, që nga apetiti i dominimit nacional të dalin tendenca të eleminimit të kulturave dhe të letërsive të tjera, sepse mbështeten në teoritë e kapërcyera të shekullit të kaluar mbi kombin shtetëror: një komb një shtet. Në botën bashkëkohore ku dominon vetëdija e të drejtës së zhvillimit kulturor e ekonomik të kombeve e të kombësive, kulturat e kombësive mbajnë integritetin e vet kulturor e nacional brenda kombit.
Do thënë, se edhe në kulturat e mëdha, e edhe në ato më të vogla, sot është bërë legjitime vetëdija se imponimit të jashtëm që i bëhet artit dhe letërsisë duhet kundërvënë me refuzimin estetik. Pra duhet krijuar letërsi të mirë, të qëndrueshme me qenësi të fortë estetike, në mënyrë që të mbahet zhvillimi i saj, se ky është rezultat më i rëndësishëm në aktualitetin e një kohe dhe në rendin historik kulturor. Ky do të ishte efekti praktik i refuzimit estetik kundër çdo veprimi dhe diskursi represiv. Vetëm kështu letërsia mbetet letërsi dhe ndikon në pushtet dhe në shoqëri. Çdo formë tjetër mbetet diçka tjetër, me veprim tjetër.
Prishtinë, shkurt 1987
Zgjodhi: Haxhi Muhaxheri
Agim Gashi- Administrator
- Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008
Similar topics
» LDK-Ibrahim Rugova koalicion me AAK-në
» Rugova: Sot u ndje mungesa e Presidentit Dr. Ibrahim Rugova
» Ripërtërihet Ibrahim Rugova
» Autostrada Ibrahim Rugova
» Dr.Ibrahim Rugova - Na Mungon
» Rugova: Sot u ndje mungesa e Presidentit Dr. Ibrahim Rugova
» Ripërtërihet Ibrahim Rugova
» Autostrada Ibrahim Rugova
» Dr.Ibrahim Rugova - Na Mungon
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Tue Mar 14, 2017 8:17 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ - SHIPTARËT NUK JANË "ME BYTHË NË PRUSH", PËR TË FALUR TOKAT
Mon Feb 27, 2017 6:54 pm nga Agim Gashi
» Akuzat kundër Shefqet Krasniqit Prokurorisë ia kishte konfirmuar edhe BIK-u (Dokument)
Mon Feb 27, 2017 5:20 pm nga Agim Gashi
» Aktakuzë kundër imamit Shefqet Krasniqi
Mon Feb 27, 2017 4:32 pm nga Agim Gashi
» Zbulohen tensionet gjatë dialogut në Bruksel, Nikoliqi Thaçit: Ti je kriminel
Fri Feb 03, 2017 7:40 pm nga Agim Gashi
» Faruk Tasholli - RJEPENI NANËN
Fri Feb 03, 2017 12:22 pm nga Agim Gashi
» FAMILJA E HAKI IMERIT: AI U VRA NË KOHËN KUR NË PUSHTET ISHIN HASHIM THAÇI E REXHEP SELIMI
Wed Jan 25, 2017 12:39 am nga Agim Gashi
» AGIM GASHI - O NE TREN PËR MITROVICË
Wed Jan 18, 2017 11:08 pm nga Agim Gashi
» Vëllai i tij u pajtua me Thaçin, por ja si ishte kidnapuar Haki Imeri në Brojë e më pas ishte vrarë
Wed Jan 18, 2017 8:13 pm nga Agim Gashi
» Fadil Maloku:Aferim, Prokurori e Kosovës!
Wed Jan 18, 2017 8:00 pm nga Agim Gashi
» Djali i Haki Imerit del kundër axhës: Nuk ia fali Thaçit, nuk dua drejtësi kanunore
Wed Jan 18, 2017 7:12 pm nga Agim Gashi
» IDRIZ ZEQIRAJ:Copëza biografike dhe kujtime për Ibrahim Rugovën
Wed Jan 18, 2017 5:13 pm nga Agim Gashi
» Presidenti Thaçi i “lahet me 124 pleq” Imer Imerit se nuk ka gisht në vrasjen e vëllait të tij
Wed Jan 18, 2017 4:00 pm nga Agim Gashi
» Adem Salihaj akuza të rënda ndaj Hashim Thaçit, ja si po mundohet të shpërlahet nga krimet e shumta që ka bërë
Wed Jan 18, 2017 3:53 pm nga Agim Gashi
» Ndodh edhe ky skandal: Njeriu që grisi fotografinë e Presidentit Rugova merr certifikatën e veteranit të UÇK-së
Tue Jan 17, 2017 7:55 pm nga Agim Gashi
» BERAT ARMAGEDONI:Lamtumirë, Joshua i Pejës!
Tue Jan 17, 2017 12:15 am nga Agim Gashi
» Biografia e Presidentit Rugova - Biografi e shkurtër
Mon Jan 16, 2017 10:32 pm nga Agim Gashi
» ILIR MUHARREMI : Treni provokativ, artistët në gjumë
Sun Jan 15, 2017 11:32 pm nga Agim Gashi
» Përveç ROSU-së, ky është shqiptari që rrezikoi jetën për ta ndalur trenin e Serbisë
Sun Jan 15, 2017 9:53 pm nga Agim Gashi
» ENVER PETROVCI - IN MEMORIAM SEFEDIN NUREDINIT- SEFA
Sun Jan 15, 2017 9:07 pm nga Agim Gashi