Akllapi Net - Forum i Hapur
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Dr. Enver Bytyçi:Diplomacia shqiptare në kolaps

Shko poshtë

Dr. Enver Bytyçi:Diplomacia shqiptare në kolaps Empty Dr. Enver Bytyçi:Diplomacia shqiptare në kolaps

Mesazh nga Agim Gashi Mon Jan 05, 2015 3:05 pm

Dr. Enver Bytyçi:Diplomacia shqiptare në kolaps 543875_10151775221937207_417302030_n



Dr. Enver Bytyçi:Diplomacia shqiptare në kolaps

Kryeminstri shqiptar u shfaq me rastin e vitit të ri në ekranet e televizionit serb B92. Por këtë radhë ai u imitua nga një humorist i Beogradit, i cili e paraqiti zotin Rama në gjuhën shqipe. Sentenca e asaj që u tha ndonëse me humor, mund të përmblidhet me një përfundim: Rama dhe Vuçiç ishin marrë vesh për replikat, të cilat ne i pamë në ekrane me qëllim që secila palë të ndihëmonte palën tjetër për rritjen e popullaritetit në elektoratin përkatës. Dhe prej nëntorit ka rrjedhur shumë ujë. Megjithatë ka disa ditë që përpiqem të gjej, të lexoj apo të ndjek në ekranet e televizionit ndonjë lajm për diplomacinë shqiptare, por pa sukses. Shqipëria ka një ministri të jashtmeme një staf nga më të shumtit ndër dikasteret e tjera, nekemi sa e sa ambasada e ambasadorë, konsullata dhe konsuj të punësuar e ata të nderit, por asnjë nuk bëhet i gjallë të na thotë se çfarë po bëhet nga pikëpamja diplomatike në këtë vend.Dhe kjo ndodh, sepse edhe këtë fushë të veprimtarsië shtetërore e ka uzurpuar vetë kryeministri Rama, duke mënjanuar nga funksionet të gjitha strukturat diplomatike të vendit. Kryeministri bën lajm me arrogancën diplomatike të tij kur shkon në Beograd. Ai bën lajm me batutat që hedh në Bruksel, duke i kërkuar llogari Europs për punët e qeverisë shqiptare. Bën lajm kur ia hypën avionit për Pekin ose kur u ngjitet iniciativave rajonale për tërheqjen e investimeve kineze, thjesht me synimin që të shkëpusë një investim të premtuar qeverisë së mëparshme për ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Bën lajm kur u thotë ambasadorëve të huaj “Ma thoni ju çfarë kërkon opozita”! Bën lajm kur fallsifikon bisedat me personalitet politike europiane dhe përgënjeshtrohet prej tyre. Bën lajm kur takohet me Xhorxh Sorosin. Bën lajm kur shkon një javë në Amerikë e replikon me ndonjë adoleshent të nacionalitetit serb, i cili jeton e studion atje!!! Dhe bën lajm kur merr pas vetes gjithmonë nja dy ambassadorë të huaj, madje edhe në rastet kur shoqërohet nga fotoja e diktatorit.


Dr. Enver Bytyçi:Diplomacia shqiptare në kolaps Thumbnail.php?file=karikatura_04_311255474

Pastaj vjen postkonferenca e shtypit, vjen postlajmi i përgënjeshtrimit të asaj që shqiptarët e kanë parë live në televizione, e për më tepër akuzohen gazetarët, gazetat, ekranet e televizionit, opozita, shoqëria civile e madje vetë lexuesit e shtypit dëgjuesit e radios, shikuesit e televizionit apo ndjekësit e rrjeteve sociale. Dhe e gjithë kjo shfaqje qeveritare në fushën e zhvillimit të diplomacisë e të marrëdhënieve me jashtë përmblidhet në atë që quhet “Fasada diplomatike e kryeministrit Edi Rama”. Ndërkaq qytetarët shqiptarë paguajnë me taksat e tyre dhjetra e qindra diplomat, të cilët janë ndrydhur, janë ngujuar, nuk veprojnë, sepse e gjithë iniciativa diplomatike qëndron në duart e liderit politik të së majtës. As vetë ministri, Ditmir Bushati, nuk ka hapësirë të shfaqë mendimin e tij, për të mmos folur për ekspertizën diplomatike e të sjelljes së shtetit shqiptar në marrdhniet ndërkombtare, sidomos me vendet e rajonit dhe raportet e tij me BE-në dhe NATO-n.
Qytetarët shqiptarë paguajnë taksa për të mbajtur në këmbë diplomacinë e vendit me shpresën se kjo diplomaci do ta shpërblejë e rikthejë në të mirë të tyre atë që ata japin. Dhe është normale që çdo qytetar të paguajë edhe për diplomacinë, ashtu si për gjithçka tjetër në administrimin e punëve të shtetit. Por raporti është i disproporcional midis asaj që japintakaspaguesit dhe asaj që japin përfituesit. Të dy palët, në rastin konkret qytetarët shqiptarë nga njëra anë dhe diplomatët nga ana tjetër, kanë detyrimet e ndërsjellta: Njëra palë paguan punën e tetrës palë, pala tjetër e kthen reston përmes rritjes së investimeve, rritjes së dinjitetit dhe integritetit shtetëror, kujdesit për jetën, dinjitetin dhe integritetin e shtetasve shqiptarë, përfshirë edhe emigrantët, si dhe shërbimet për qytetarin.
Ndërkaq me dhimbje shohim që kjo ndërvartësi nuk i ruan ekuilibrat e vet.Gjatë vitit që sapo lamë pas pritej që diplomacia shqiptare të sillte zhvillime të reja rreth asaj që shefi i mazhorancës e ka emërtuar marrëdhënie strategjike me vendet e tjera. Qeveria e zotit Rama që në fillim kishte shpallur si partner strategjik Turqinë. Madje me një lloj reklame, të paparë ndonjëherë tjetër. Ndërsa sot mund të konstatojmë se marrëdhëniet shqiptaro-turke janë në nivelet më të ulëta të dhjetë viteve të fundit. Më tej u fol për marrëdhënie strategjike me Italinë, ndërkohë që kryeministri Italian u shfaq në Tiranë vetëm pas 16 muajsh të qeverisjes, pa ndonjë qasje strategjike e interesante për interesat e vendit tonë. U fol edhe për lidhjet strategjike me Greqinë, ndërkohë që edhe me Athinën vihet re një ftohje e këtyre lidhjeve. Ndërkohë aleati ynë më i rëndësishëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë kaluar prapa listës së Lipe Shtogut, pasiqë prej kaq kohësh në qeverisje, zoti Rama nuk ka shënuar asnjë qasje, asnjë hap në thellimin e bashkëpunimit në boshtin Tiranë-Uashington. Me hir apo me pahir, kryeministri ynë lidhjet me SHBA-në i ka kufizuar me ish-ambasadorin Arvizu dhe I ka ulur në nivelin e ministres së mbrojtjes. As ministri i Jashtëm, zoti Bushati, duket se nuk ka ndonjë derë të hapur në Departamentin e Shtetit.
Në Europë Shqipëria u përfaqësua me përparësi në samitin e Berlinit dhe në një koment të rastit e kam konsideruar këtë një shans të madh të shqiptarëve e të shtetit shqiptar. Por edhe ky samit u shndërrua shpejt në një samit anekdotash në vend që të shënonte një pikë kthese në thithjen e investimeve europiane për infrastrukturën e vendit në kuadër të projekteve rajonale. Angela Merkel u duk se do të bëhej varka e shpëtimit të qeverisjes e të vetë zhvillimeve në vend, por kjo nuk ndodhi për shkak të qeverisjes me arrogancën enkdodike e jo me projekte konkrete, ku të shfaqej serioziteti dhe ekspertiza e pakontestueshme e tyre. Duket se viti 2014 do të shënojë thjesht startin e një përpjekjeje të qeverisë shqiptare pë të ndërtuar në fshehtësi një aleancë të vjetër e të re, pra, për të ripërtërirë lidhjet e dikurshme me perandorinë ruse (sovjetike) dhe me shtetin kinez. Por edhe në këtë rast dështimi mund të matet me përparësinë që knë krijuar vendet tona fqinjë, si Serbia dhe Greqia, Madje dhe Maqedonia e Mali i Zi. Ashtu si Enver Hoxha nuk mundi të evitonte lidhjet e Pekinit me Beogradin e Bukureshtin, ashtu dhe zoti Rama me shoun e takimeve me kryeministrin kinez nuk mundi ta bëjë Tiranën kërthizën e rajoni. Mjafton për të arritur në këtë konkluzion fakti që pikërisht Bukureshti dhe Beogradi janë dy pikat e takimit të krerëve të shteteve të Europës Qendrore e Juglindore me liderët kinezë.
Ndërsa në ministrinë e Jashtme askush nuk ka folur për një strategji të qartë, çfarë kanë ndërmend të arrijnë, cilat janë objektivat dhe synimet e punës diplomatike në terma konkretë, çfarë përpjekjesh do të bëhen për fusha të caktuara të diplomacisë, veçmas për diplomacinë ekonomike e të tjera si këto. Ministria e Jashtme është shndërruar në një zyrë protokolli, madje shumë e lehtësuar për shkak të vizitave të rralla që shefat e diplomacisë së vendeve të tjera bëjnë në Shqipëri. Ministria e Jashtme po luan gjithashtu rolin e noterit të kryeministrit shqiptar, për të shënuar veprimtaritë e tij dhe për ta shoqëruar atë kur i hipën sa një avioni, një tjetri, pa menduar për agjendën e vizitave, bisedave, marrëveshjeve, memorandumeve dhe përpjekjeve të tjera për rritjen e imazhit të Shqipërisë dhe përfitimit respektiv nga ky imazh. Fluturime e shpenzime që zoti Rama i ka adresuar më së shumti për të marrë pjesë në panaire, ekspozita apo për ndonjë leksion universitar dhe më pak për agjenda disktutimesh për projekte konkrete në Shqipëri.
Në vend të strategjive dhe programeve për të ndërtuar në mënyrë të diferencuar marrëdhëniet me vendet e tjera, diplomacia shqiptare është konceptuar e zbatuar në modelin e aksioneve politike të brendshme. Kjo ka bërë që psh vizitat e kryeministrit në disa kryeqytete të rajonit, Europës e më gjerë të marrin formën e aksioneve për shkyçjen e energjisë elektrike, duke promovuar një shouv të tipit aksionist, madje të konturuar me deklarata enveriste. Meqenëse enverizmi gjen mbështetje edhe sot në qarqet e majta jo vetëm në territorin e Shqipërisë Londineze, Edi Rama po e përdor atë si model të gatshëm për të bërë politikë e diplomaci “sfiduese” me botën që na rrethon. Dhe duke e përceptuar këtë sfidë si konkurencë barsoletash e tundje të gishtit, ai po e përdor metodologjinë ideologjike enveriste në mënyrën e tij pragmatiste, me qëllim përfitimin e kapitalit politik brenda vendit.
Nuk është e rastit që pas çdo vizite të kryeministrit shqiptar të kryer gjatë vitit 2014 jashtë vendit, portalet e komunikimit në rrjetet sociale dhe në media janë ndalur gjatë në pjesën gri të diplomacisë së kryeministrit, për ta shpallur atë si “fitues të konkurencës së barsoletave”. Ndërkaq për barsoletë është bërë ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, nëse kemi parasysh deklarimet e tij të pa vend, si ajo në një ekran televiziv amerikan, ku shprehej se “Kombi amerikan është një komb kompleks”. Kjo do të thotë se qeveria shqiptare ende është në fazën foshjore të saj në të bërit politikë e diplomaci, pasiqë ajo ende nuk ka kuptuar faktin se epoka e globalizmit nuk është epokë e konfrontimit dhe e konkurencës së barsoletave, por është process i konkurencës në paqe e stabilitet të vendeve kudo në botë, para së gjithash të vendeve europiane, është konkurencë e kombeve në zbatimin e vlerave të demokracisë liberale e funksionale.
Në përgjithësi vizitat dhe evenimentet ndërkombëtare të kryeministrit shqiptar gjatë këtij viti kanë nisur me një eufori të tejskashme dhe kanë përfunduar në zhgënjim. Le ta konkretizojmë këtë me tri argumente, samitin e Berlinit, vizitën në Beograd dhe “rilindjen” e marrëdhënieve me Kosovën. Në Samitin e Berlinit u duk se Angjela Merkel donte t’i jepte Shqipërisë dhe zotit Rama një mbështetje të hapur, një suport moral dhe politik të pazakontë, duke rriskuar me qejfmbetjen e finjëve tanë, si Serbia e ndonjë vend tjetër i rajonit, kur i dha Edi Ramës rolin e përfaqësuesit të këtyre vendeve në konferencën e përbashkët për shtyp. Duhet pranuar së në këtë gjest inkurajues të zonjës Merkel ndikoi fakti se pritshmëritë europiane për qeverisjen e zotit Rama ishin përtej se optimste. Por ky samit ka filluar të shihet gjithnjë e më tepër si zhgënjim, jo për shkak se Berlini ka humbur përkushtimin në këtë drejtim, por sepse Edi Rama u përpoq ta shfrytëzojë rolin që i dha Merkel për marketing politik të brendshëm e të sfidojë rregullat e demokracisë në vend. Kjo është arësyeja pse në takimet e tjera, si ai i Vjenës, kryeministri shqiptar mbeti në hije të zhvillimeve dhe për më tepër pse nga Samiti i Berlinit e deri më sot asnjë projekt konkret nuk është shpallur.
E njëjta gjë ndodhi edhe me vizitën në Beograd. Në fillim një demonstrim force nga ana e zotit Rama, e cila përfundoi pas një muaji si një flluskë sapuni. Droni i lëshuar në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri në Beograd, u përdor nga kryeministri shqiptar me të njëjtën mënyrë gjatë konferencës së shtypit me kryeministrin serb, Vuçiç. Por pas një muaji në takimin e dytë Rama-Vuçiç u u shfaq një qëndrim krejt i ndryshëm, i cili nuk i korrespondon qëndrimeve publike në Beograd të para një muaji të zotit kryeministër.
Sa i përket Kosovës, zoti Rama gjithnjë e më shumë po kërkon të bëhet tutori I saj. Para pak javësh, dmth pas dy vizitave në Beograd, ai këshilloi se i duhet dhënë fund marrëdhënieve të tensionuara me Serbinë, duke paralajmëruar Prishtinën, se nuk kishte të ardhme të Kosovës pa Beogradin. Tentativa për të diktuar politikat rajonale të Prishtinës ishin të dukshme në fjalën e kryeministrit tonë në një shout ë organizuar në Prishtinë në Baton Haxhiu. Dhe kjo përpjekje ka zgjuar një reagim të brendshëm të justifikuar në qarqet politike e jo politike në Kosovë. Madje janë shfaqur akademikë me emër, të cilët kanë reaguar ashpër rreth kësaj klime paternaliteti në marrëdhëniet midis Prishtinës e Tiranës. Unë nuk mund të bëj Nostradamusin, por nëse i besoj ndjenjave që përjetoj në këtë rast, më duket se zoti Rama ka marrë misionin e ish-Presidentit serb, Boris Tadiç, që “konfliktin shqiptaro-serb ta zgjidhin Tirana me Beogradin, duke mënjanuar viktimën njëqindvjeçare të këtij konflikti, pikërisht Prishtinën”. Pasojat e një ndërmarrjeje të tillë i kam analizuar në një koment timin para vizitës së tij të parë në Beograd, ku gjithashtu kam parandjerë se kjo mund të ndodhë midis dy qeverive përkatëse. Tani mund të them se “ngritja e zërit” në “mbrojtje të Kosovës” në fund të nëntorit ka mundësi të shërbejë si argument i qëndrimeve në dobi të angazhimit Tiranë-Beograd, duke mënjanuar Prishtinën. Ndryshe zoti Rama mund të këmbëngulte për zbatimin e marrëveshjeve midis Serbisë e Kosovës, si parakusht i njohjes reciproke të të dy shteteve. Ndërkohë në samitin e dytë të Beogradit kushtuar projekteve kineze flitet për një lidhje hekurudhore midis Beogradit e Shëngjinit, ndërkohë që kjo hekurudhë duhet të kalojë përmes Kosovës. Por Kosovës qeveria e mëparshme i premtoi portin e Shëngjinit, të cilin zoti Rama thuhet se ia ka premtuar Kinës. Kosova u përjashtua nga pjesmarrja në samitin e Beogradit, kur është diskutuar për projekte të tilla e ndërkohë territori i saj është pjesë e këtyre projekteve. Një kontradiktë, të cilën mund ta shpjegojë vetëm zoti Rama si dëshmitar dhe aktor i lidhjeve të reja që ka skicuar.
Nisur nga këta shembuj gjithkush gjykon se diplomacia shqiptare gjatë vitit 2014 ka vuajtur mungesën e një strategjie të qartë dhe është lënë në duart e një individi, të cilit i duhet të mendojë e të veprojë jo vetëm për diplomacinë, por edhe për energjinë dhe luftën kundër vjedhjes së saj, për ndërtimet me e pa leje, për bujqësinë, minierat, lumenjtë, liqenet, malet, fushat, detet e vendosjen e kufirit detar, për lidhjet me Kinën e lodhjen e europianëve. Për Batonin, Shkëlzenin (Maliqin) nga njëra anë dhe për të ironizuar Frangajn e Hysenbelliun, nga ana tjetër,
Vetëm rolin e SHBA-ve dhe nevojën për mbështetjen e saj ndaj Shqipërisë, Kosovës e shqiptarëve në rajon kryeministri ynë e ka heq nga axhenda e tij. Edhe në një foltore në Prishtinën e çliruar nga Amerika e Bill Klintonit e të pavarësuar me një deklarim solemn në Tiranë nga Xhorxh W. Bush, Edi Rama nuk gjeti një fjalë për të thënë në adresë të SHBA-ve. Kurse miku i vetëm amerikan i tij, ambasadori Arvizu, para se të largohej e shpalli kryeministrin me shumë ironi si “mik të Angjela Merkelit”, çka do të thotë se edhe në këtë rast ai do të dështojë, në momentin që Merkel t’ia njohë atij huqet që ka. Ndoshta në Europë po binden përditë se çfarë përfaqëson politika dhe diplomacia personale e zotit Rama. Asgjë më shumë sesa një rol prej paternalisti, që dëshiron të tërheq vëmendjen rreth vetes e të shndërrohet në qendrën e botës. Me siguri ai e quan sukses të madh faktin që në TV B92 të Beogradit një aktor serb e ka imituar në një nga spektaklet e vitit të Ri 2015, duke e bërë personazh të rajonit. Duke ditur se Beogradi liderët e fuqishëm të Shqipërisë e Kosovës është përpjekur t’i diskreditojë, rasti i hymnizimit të kryeministrit Rama, më ngjan si skenar për një sjellje të kundërt me atë të diskreditimit përshembull të Ibrahim Rugovës.
Agim Gashi
Agim Gashi
Administrator
Administrator

Numri i postimeve : 45955
Age : 70
Location : Kosovë
Registration date : 17/11/2008

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi